Epiri - Historia e Epirit - Historia e Lashte Shqiptare

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Epiri - Historia e Epirit

Epiri - Historia e Epirit

· 6 · 5290

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

ne: 09-02-2006, 03:26:42
Veprimtaria e shqiptarit të hershëm u bë subjekt i shkrimeve të historianëve vetëm atëherë kur ai hyri në kontakt me fqinjët grekë e romakë. Më vonë, dorëshkrimet e mbajtura zakonisht shkatërroheshin ose nga armiqtë që pushtonin qytetin e i digjnin ato, ose nga ndonjë mbret si, fjala vjen, Perseu, i cili, kur e pa se ishte mundur, i zhduku të gjitha dokumentet që të mos përziente miqtë në aktin e tij të tradhtisë kundër Romës. Prandaj shpresojmë që skicat e mëposhtme, të palidhura me njëra-tjetrën, të paraqitin një tablo sa më të plotë të historisë së hershme të shqiptarëve.

Mbretëria e Molosëve,
Më pas Epiri (1280-336 p.e.s.)

Pirro Neptolemi (1280? - ?p.e.s.)

Pirro, i biri i Akilit legjendar, ishte i pari personazh gjysmëhistorik që e kapërceu kufirin e legjendës së mjegullt dhe i mblodhi së bashku fiset e shpërndara pellazge. Menjëherë pas rënies së Trojës, që, sipas traditës, datohet rreth vitit 1284 p.e.s., Pirro Neptolemi erdhi në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe i bashkoi luftëtarët pellazgë të asaj treve nën udhëheqjen e tij. Kjo është treva që nga shqiptarët sot njihet me emrin Toskëri. Këto fise përfshinin tesprotët e Sarandës dhe të çamërisë, që shtriheshin në jug deri në Gjirin e Artës, kaonët e Kurveleshit dhe të Himarës apo të Labërisë, atintanët e Përmetit dhe të Tepelenës, si edhe dasaretët e Beratit dhe të trevave të sotme të Ohrit e të Korçës. Ndonëse Pirro ishte i lidhur tradicionalisht me Butrintin, kryeqytet i mbretërisë së tij u bë Janina. Mirëpo, edhe në këtë fazë të historisë së tyre është e vështirë të bësh dallimin midis historisë dhe poezisë. Poeti dhe mjeshtri i tragjedisë, Euripidi, përshkruan se si, që nga muret e Trojës, Andromaka e pa burrin e saj fisnik, Hektorin, të birin e Mbretit Priam, kur vritej nga Akili në dyluftim. Me rënien e Trojës, ajo iu dha si grua skllave të birit të Akilit, Pirros, i cili jetoi me të në Farsala, në krahinën e Ftias, në Thesali. Poeti e përshkroi gjerë e gjatë komplotin kundër Pirros dhe vrasje e tij në faltoren e Delfit1. Gjeografi grek, Straboni, ishte edhe më cinik. Duke folur për varrin e Pirros, që ende shihej në faltore, ai vërejti: "Ky u vra nga një banor i Delfit. Thonë se kishte shkuar aty për t'i kërkuar perëndisë dëmshpërblim për vrasjen e të atit, por e vërteta ishte se po bëhej gati të bastiste tepullin"2. Tetis, perëndesha e detit dhe gjyshja e Pirros, e udhëzoi Andromakën, të mbetur vejushë për së dyti, që të shkonte në Molosi e të martohej me Helenin; atje i biri i Pirros, Molosi, do të bëhej më vonë mbret3. Me sa duket, si poeti, ashtu edhe historiani, nuk i kanë qëndruar fort besnikë kronologjisë. Sidoqoftë, mbetet fakti që i biri i Pirros, Molosi, me të vërtetë hipi në fron dhe i dha emrin e tij mbretërisë ndërsa, për njëzet a më shumë mbretërit e tjerë, që erdhën pas Pirros, nuk dihet pothuajse asgjë.

ADMETI (rreth vitit 450 p.e.s.)

Admeti ishte sundimtar i Molosisë në kohën kur Themistokliun (525? – 460? p.e.s.), shtetarin athinas dhe komandantin e flotës, e paditën për simpati ndaj persianëve dhe e dënuan. Duke qenë se e ndiqnin në të gjithë Greqinë dhe në Korfuz, Themistokliu u hodh fshehurazi në Molosi për t'i bërë një apel të dëshpëruar mbretit Admet, paçka se, kur kishte qenë vetë në fuqi, e kishte fyer atë me fjalët më të rënda4. Kur mbërriti Themistokliu aty, mbreti nuk ishte në shtëpi. Disa thonë se ishte Ftia, e shoqja e Admetit, ajo që i sugjeroi atij që ta detyronte mbretin duke i marë në krahë, pranë vatrës, të birin e vogël e duke iu lutur për mbrojtje. Marifeti doli me sukses; sipas traditave të lashta shqiptare të mikpritjes, Admeti nuk pranoi t'ua dorëzonte grekëve mikun e tij të shtëpisë, Themistokliun5. Më vonë, ky i fundit u hodh në Pidna të Maqedonisë dhe, prej andej, kaloi detin Egje e u syrgjynos në tokat perse, ku nuk i kanosej më asnjë rrezik. Duket qartë, pra, që Molosia, më vonë e quajtur Epir, nuk konsiderohej si territor grek.
Kjo është vërtetuar nga shumë studiues modernë. Në tetor 1984, në Klermont-Ferrand të Francës u mblodhën shtatëdhjetë historianë dhe arkeologë nga Greqia, Shqipëria, Rumania, Italia dhe vende të tjera të Evropës. Nën drejtimin e prof. Pier Kaban, ekspert i njohur mbi Epirin,  aty u mbajt një kolokuium me një grup specialistësh të historisë së lashtë. Ata krahasuan studimet mbi grupet fisnore dhe etnike, të cilat gradualisht u zhvilluan në jetën qytetare e më pas u bashkuan në organizime shtetërore. Ata krahasuan institucione të tilla juridike si: e drejta familjare e pronës, roli i gruas në familje dhe procedura e lirimit të skllevërve. Ngjashmëritë e qendrave epirote si Dodona dhe të atyre të Ilirisë së Jugut u evidentuan nga urbanistika e tyre, nga arkitektura, organizimi politik, qarkullimi i monedhave, struktura e varreve, ritet e varrimit dhe nga sendet e tjera të mbledhura nëpër tuma. Mirëpo, studiuesit arritën në përfundimin se, që nga lashtësia e hershme e deri në kohët romake, kulturat e Ilirisë së Jugut dhe e  Epirit, duke futur këtu edhe Molosinë, ishte krejt e ndryshme nga ajo e Greqisë klasike, e zbuluar në Athinë e në Spartë6.

ALEKSANDËR MOLOSI (? – 337 p.e.s.)

Luftëtari Aleksandër Molosi na shfaqet në një dritë të qartë historike. Së pari, me qëllim që të forconte më tej lidhjet familjare me mbretin Filip II i Maqedonisë dhe me motrën e tij, mbretëreshën Olimpia, ai u martua me bijën e tyre, Kleopatrën, që ishte edhe mbesa e vet! Fatkeqësisht, gjatë përgatitjeve të martesës ndodhi vrasja e Filipit. Pas kësaj, princat tregtarë me origjinë spartane apo pellazge, që jetonin në Tarent (Taranto), në Italinë e Jugut, të shqetësuar nga konfliktet në atë trevë, dërguan një delegacion tek Aleksandri, për t'i kërkuar ndihmë farefisit të tyre pellazg dhe luftëtarëve të tij. Si zakonisht, Aleksandri u këshillua me orakullin pellazg në Dodonën fqinje, për të mësuar nëse një ndërmarrje e tillë do të dilte me sukses apo do të dështonte. Zoti i Dodonës iu përgjigj në mënyrë kriptike duke thënë se Aleksandri duhej "të kishte kujdes nga ujërat e Akeronit dhe nga qyteti i Pandosit, caqet e fatit të tij të mirë." Duke qenë se ai lumë dhe ai qytet ishin brenda kufijve të mbretërisë së tij, ai plot besim, në vitin 337 p.e.s. e kaloi ushtrinë përtej detit Adriatik (40 milje lundrim). Në fakt, atë nuk e hante fort meraku për të ndihmuar Taranton, pasi qëllimi i vërtetë ishte të pushtonte ato treva e të bëhej mbret i Molosisë dhe i Italisë. Prandaj, menjëherë ai pushtoi Kosentian (Kozencën), qendrën e konfederatës së atij rajoni. Pastaj mundi forcat e tyre të bashkuara në Paestum, në jug të Napolit, duke e nënështruar kështu Italinë Jugore nga deti në det. Ai krijoi një "konfederatë" të re të qyteteve, me qendër në Kozencë, ku e shpalli veten Kryeprijës dhe Mbret. Fitoret e tij në Itali ishin aq të bujshme, saqë Roma i propozoi që të lidhnin një traktat. Një monedhë e nxjerrë në atë kohë në njërën anë paraqet kokën e mbuluar me kurorë lisi të Zeusit të Dodons, kurse në tjetrën një rrufe e një majë heshte, si edhe shkrimin: Aleksandri, i biri i Neptolemit7. Mirëpo, fitoret e tij të papritura i alarmuan edhe zotërit tarentinë. Prandaj ata u kthyen kundër tij. Aleksandri u mundua të mblidhte rreth vetes qytetet e tjera helene, por më kot. Beteja e pashmangshme filloi në brigjet e një lumi, që, për tmerrin e tij, quhej Akeron dhe që ndodhej përkundruall qytetit me emrin Pandosi! Straboni e vendosi atë pranë Mendocinos, midis Kozencës dhe detit8. Në kohën që po e nxiste kalin për të kaluar lumin, Aleksandri u vra nga heshta e një lukani, aleatë të tij të dikurshëm9. Mbretëria e Molosisë kaloi në duart e motrës së tij, Olimpias së Maqedonisë, i biri i së cilës, Aleksandri, një vit më vonë do të bëhej sundimtar i madh. Mbretëresha Olimpia ngulte këmbë në karakterin jogrek të mbretërisë së saj pellazge. Kështu, kur disa athinas dërguan një delegacion në Dodona për të dhuruar një fli për zotin e pellazgëve, ajo i qortoi ata me ashpërsi që nuk i kishin marrë leje asaj më parë. Në fakt, Olimpia u dërgoi një letër grekëve, në të cilën ua shprehte qartë: "Grekët nuk kanë asnjë të drejtë të shkelin në tokën molose."10 ("Shqiptarët Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme" Edwin Jacques f.92-95)

1. Euripidi 3:1085-1165.
2. Straboni, 9.3.9.
3. Euripidi, 3:1241-50
4. Tuqididi 1:135-37
5. Plutarku, 1:19
6 Nalb. 3:1985,29.
7. Bury 680.
8. Straboni, 6.1.5.
9. Qafëzezi 1934, 24-26
10 Ibid., 25.


PIRRO (296-272 p.e.s.)

Pirroja ishte, ndoshta, sundimtari më i shquar i Epirit. Ai, si pasardhës i largët i Akilit, ishte i biri i Akidit, kushëriri i Aleksandrit të Molosisë, që sundoi molosët e Janinës. Fatkeqësisht Akidi u ngatërrua në grindje politike familjare e krahinore dhe, si rrjedhojë, në fillim humbi mbretërinë e pastaj edhe jetën në vitin 313 p.e.s. I biri i tij, Pirroja, në atë kohë vetëm gjashtë vjeç, u shpëtua nga Glauku, princ i fisit ilir të taulantëve. Në moshë të re ai hipi në fron për një kohë të shkurtër, por u rrëzua prej tij dhe filloi karrierën ushtarake me Antigonin e Maqedonisë, komandantin veteran që kishte shërbyer me Aleksandrin e Madh. Në njërën nga betejat ai u kap rob dhe u dërgua si peng në Aleksandri. Aty fitoi admirimin e Ptolemit, i cili i dha për grua të bijën dhe në vitin 296 p.e.s. e vuri përsëri në fronin e mbretërisë së tij. Pirro gëzonte nam për fisnikërinë dhe trimërinë e tij në betejë. Epirotët e quanin "shqiponjë". Sipas një tradite shqiptare pretendohet se emri "shqiptarë" (bij të shqipes) e ka origjinën nga një thënie e Pirros. Kur dikush lëvdonte zhdërvjelltësinë e lëvizjes së trupave të tij, ai përgjigjej me krenari se një gjë e tillë ishte normale, pasi ushtarët e tij ishin "Bijtë e Shqiponjës", kshtu që lëvizja e tyre, natyrisht, u shëmbëllenin fluturimeve të madhërishme të mbretit të shpendëve.7 Sipas një versioni tjetër, disi të ndryshëm, kur trupat e tij i thurnin lëvdata sulmeve të tij të guximshme e të shpejta dhe e quanin "Shqiponjë", ai u përgjigjej se ata ishi flatrat e tij, që bënin të mundur fluturimin e shpejtë të shqiponjës. Thuhet se kjo çoi në adoptimin e këtij emri të cilin ky popull e përdor edhe sot e kësaj dite. Pra, jo "Albanë", por "Shqiptarë" ose "Bij të Shqipes".
Pikërisht në këtë kohë kolonitë greke të Korfuzit e të ishujve të tjerë në Detin Jon nisën ta thërrisnin fqinjin e tyre në kontinent "Epir" (tokë në kontinent), për ta dalluar atë nga banesa e tyre ishullore. Gradualisht historianët grekë e nxorën jashtë përdorimit termin Molosia dhe zunë të përdornin emërtime të tilla si "Mbretëria e Epirit",8 ose "Pirro i Epirit."9 Sidoqoftë, ky ndryshim emri nuk ndikoi në karakterin pellazg apo shqiptar të asaj krahine. Epiri u shtri në jug deri në gjirin e Ambrakisë (Artës). Në fakt, gjeografi grek, Straboni, shkruante se "për ata që hyjnë me varkë në gjirin e Artës, në krah të djathtë ndodhen akarnaniasit, që janë grekë, kurse në të majtin ndodhen Nikopoja dhe Kasopia, që janë epirote."10 Pra, Straboni bënte dallimin midis epirotëve dhe grekëve. Ambrakia dikur kishte qenë një qytet i lulëzuar, mirëpo tani ishte rrënuar. Pirroja "e zbukuroi atë më shumë se çdo njeri tjetër dhe e bëri rezidencën e tij mbretërore."11
Pirroja njihej nga të gjithë si një princ i madh e i mirë. Ai e zgjeroi territorin e vet duke futur në të ishullin e Korfuzit dhe krahinat kufitare të Maqedonisë. Në atë atmosferë ku mbizotëronte lufta e vazhdueshme për pushtet midis princave krahinorë dhe me ata kufij shumë të luhatshëm, që përcaktonin juridiksionin e tyre, konflikti ishte i pashmangshëm dhe i përjetshëm. Thuhet se gjatë një beteje me farefisin e vet maqedon, ushtarëve maqedonas u bëri aq shumë përshtypje shëmbëllimi i Pirros me Aleksandrin e Madh, saqë e braktisën mbretin e tyre dhe u bashkuan me të.12 Dhe vërtet, kur maqedonët e rrëzuan nga froni mbretin e tyre të pazot, Demetrin, ata e ftuan Pirron që të sundonte edhe mbi Maqedoninë. Mirëpo, brenda shtatë muajve ai e kuptoi se maqedonët krenarë do të  preferonin më mirë një sundimtar të keq maqedonas, sesa një të mirë jomaqedonas. Prandaj hoqi dorë vullnetarisht nga froni në vitin 287 p.e.s.
Pirroja ëndërronte të ngrinte një perandori në perëndim, të ngjashme me atë të propozuar dyzet vjet më parë nga kushëriri i atit të tij, Aleksandër Molosi. Roma, që tradicionalisht konsiderohet e themeluar në vitin 753 p.e.s. ishte ngritur gradualisht si qytet-shtet më i fuqishëm në Itali dhe, më pas, kishte bashkuar grupet e ndryshme në një konfederatë nën udhëheqjen romake. Si rrjedhojë, ajo ishte bërë një republikë e bashkuar, mjaft e fuqishme. Pushtimi i galëve apo i keltëve vërshoi nga veriu rreth vitit 400 p.e.s., duke e shkatërruar Romën pjesërisht me anë të një zjarri në vitin 390 p.e.s. dhe duke dominar një pjesë të madhe të Italisë për njëfarë kohe. Luftërat samnite të viteve 326-312 p.e.s. dhe 299-291 p.e.s. sapo kishin përfunduar, kur Pirroja nisi ta hidhte vështrimin nga perëndimi. I frymëzuar ndoshta nga ura portative që kishte ngritur mbi Hellespont persiani Kserksi 200 vjet më parë, Pirroja, sipas Plinit, ishte i pari që konceptoi një urë të ngjashme përms Adriatikut në pikën e tij më të ngushtë, në ngushticën e Otrantos.13 Rasti i volitshëm erdhi në vitin 282 p.e.s Qyteti i pasur tregtar i Tarentit (Taranto) në jug të Italisë, një koloni spartane, e kishte halë në sy flotën romake në portin e vet (gjë që binte në kundërshtim me marrëveshjen) dhe i kërkoi ndihmë Pirros. Pa pritur që të zgjidhte problemet inxhinierike të urës, ai shfrytëzoi metodën konvencionale, duke kaluar me anije përmes Adriatikut 25.000 trupa. Përveç 3000 kalorësve, ai mori edhe nëntëmbëdhjetë elefantë lufte, kafshë gjigante të cilat italianët i shihnin për herë të parë. Kur panë ushtrinë romake që po afrohej, tarentinët ia dhanë Pirros komandën supreme të forcave antiromake, duke preferuar që më mirë t'i nënshtroheshin Pirros pellaz, sesa romakëve barbarë. Në fillim, Pirro i shkroi konsullit romak, Valer Levinit, duke i kërkuar që të vepronte si arbitër midis Romës dhe Tarentit. Mirëpo konsulli ia preu shkurt, duke i thënë që të shihte punët e veta e të kthehej në Epir. Kur prapavija romake kapi një spiun epirot, Levini i tregoi atij legjionet gjatë një loje stërvitore dhe pastaj e lëshoi që t'i thoshte Pirros se, nëse e brente kureshtja për ushtarët dhe taktikat romake, duhej të shkonte e t'i shihte me sytë e vet.14
Në betejën që u zhvillua më pas në Heraklea, afër Tarentit (280 p.e.s.), Pirroja u ndesh me një ushtri romake dy herë më të madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar. Mirëpo, ai humbi aq shumë oficerë dhe ushtarë, saqë thirri: "Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në Epir!"15 Prej këtej lindi edhe shprehja: "Fitore si e Pirros". Ky ishte kontakti i parë ushtarak i Romës me botën greke në lindje, por jo i fundit. Duke shpresuar për paqen dhe lirinë e bashkësive greke në Itali, Pirro dërgoi në Romë ministrin e tij më të zot në artin e oratorisë, Linean. Kujtesa fenomenale e këtij të dërguari e habiti Plinin, pasi ai "kishte fiksuar emrat e senatorëve dhe të kalorësve romakë vetëm një ditë pas mbërritjes në Romë"16 Por Roma nuk pranoi të hynte në bisedime, prandaj Pirro marshoi drejt kryeqytetit, i cili mbrohej nga ushtria dhe milicia. Në pamundësi që ta pushtonte qytetin, ai u kthye mbrapsht që ta kalonte dimrin në jug. Gjatë rrugës, në Askuli, mundi edhe një ushtri tjetër romake. Për të dytën herë ai i lëshoi robërit romakë të veshur e të mbathur dhe me pra, duke u thënë që të ndërmjetësonin për paqen në emër të tij.17
Ndërkohë, Kartagjena pranoi t'i vinte në ndihmë Romës me një aleancë ushtarake, duke shpresuar që të zgjeronte zotërimet e saj në Sicili. Kjo e alarmoi shumë koloninë greke të Sirakuzës, e cila iu lut Pirros për ndihmë ushtarake kundër Kartagjenës. Pirroja nuk priti që t'i thonin dy herë. Ai u hodh në Sicili në vitin 278 p.e.s. dhe me strategjinë e tij të shkëlqyer arriti t'ua rimerrte kartagjenasve pjesën më të madhe të ishullit. Fatkeqësisht ai u përpoq të sundonte mbi këta grekë liridashës po aq arbitrarisht sa edhe Ptolemi mbi Egjiptin, prandaj grekët nuk mund ta duronin dot. Ata e hodhën poshtë ofertën e tij që të bëhej mbret i tyre; disa prej tyre preferonin më mirë Kartagjenën sesa regjimin e tij ushtarak. Dionisi i Halikarnasit, që duhet të jetë ndikuar si historian nga origjina e tij greke dhe nga ambienti romak ku jetonte, ia hodhi fajin Pirros. Ai shkruante se Pirroja u soll në mënyrë arrogante e tiranike, ashtu si shtypësit e tyre italianë, duke konfiskuar pasuritë dhe duke shpërndarë ofiqe të larta për miqtë e kapitenët e tij. Ai internoi e, madje, ekzekutoi njerëz të shquar me akuza të sajuara; fyu ndjenjat e popullatës duke plaçkitur thesaret e paruajtura në tempujt e tyre. Kur u tërhoq në drejtim të Tarentit, erërat e tërbuara shkatërruan disa nga anijet e tij, midis të cilave edhe ato që mbartnin thesarin e tempullit. Megjithë avantazhet e shumta që kishte, Pirroja e humbi betejën tjetër "për shkak të zemërimit të perëndeshës".18 Kjo ishte beteja jopërfundimtare e Beneventos. Pas kësaj, në vitin 275 p.e.s., ai u kthye në atdhe, duke lënë pas një garnizon në Tarent, por duke e lënë Italinë në duart e romakëve. Jo vetëm Epiri, por edhe Greqia dhe e gjithë Lindja po bëheshin tashmë të vetëdijshëm për fuqinë e re që po ngrihej në Perëndim.
Edhe Ptolemi i Egjiptit po përpiqej të zgjeronte kufijtë e tij. I pakënaqur me kontrollin e rrugëve detare në Egje, ai nxiti kryengritje në Greqi e Maqedoni. Në fakt, Pirros iu mbush mendja fare lehtë për të pushtuar Maqedoninë nga perëndimi, por kjo nuk dha ndonjë rezultat të madh. Ndërkohë, Ilirinë nuk mund ta sulmonte, pasi mbreti i saj, Glauku, e kishte strehuar që të vogël dhe e kishte ndihmuar të hipte në fronin e Molosisë që në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Kështu, ai i drejtoi armët kundër Greqisë. Depërtoi në lindje deri në Argosin e Peloponezit dhe u step nga frika kur pa se argivët nuk donin ta pranonin brenda mureve të qytetit. Pikërisht aty, në Argosin pellazg, në vitin 272 p.e.s., karriera e tij do të merrte fund. Ashtu si heroi i tij, Aleksandri i Madh, që e kishte mbyllur karrierën e tij të shkëlqyer në mënyrë aq të padenjë në shtratin e të sëmurit, edhe Pirroja do ta mbyllte karrierën e tij të lavdishme me turp nën muret e Argosit, kur një grua e zemëruar do t'i hidhte një tjegull nga çatia e do ta linte të vdekur në vend!19 Në veprën e tij Historia Natyrore, Plini shkroi për një dukuri shumë të pazakontë që ndodhi në Romë: "Ditën që vdiq Pirroja, kokat e prera të kafshëve të flijuara rrokulliseshin në tokë, duke lëpirë gjakun e tyre, shenjë kjo jashtëzakonisht e mbarë."20 Një bust, të cilin studiuesit e identifikojnë si atë të Pirros, u gjet në Herkulan, në rrëzë të malit të Vezuvit, dhe ruhet sot në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Napolit.21

ALEKSANDRI (272-?p.e.s.)

Vendin e Pirros e zuri i biri, Aleksandri, i cili pati grindje të vazhdueshme me Maqedoninë. Sidoqoftë, është domethënës fakti që asnjëra nga këto mbretëri të hershme shqiptare nuk kërkoi aleancë me Greqinë për të luftuar kundër tjetrës.

COPËZIMI (?-168 p.e.s.)

Pas Aleksandrit, Epiri u nda midis një numri princash fisnorë, të cilët i qeverisnin krahinat e tyre si mbretëri të vogla. Shumë prej tyre morën anën e Perseut të Maqedonisë në luftën e tij kundër Romës. Rrjedhimisht, senati i zemëruar romak urdhëroi gjeneralin e sapoemëruar, Emil Paulin të autorizonte ushtarët e tij që, si ndëshkim, të plaçkisnin qytetet e Epirit.22 Pas betejës së Pidnës trupat romake shkatërruan shtatëdhjetë qytete epirote, pjesa më e madhe e të cilëve i përkiste fisit të molosëve, dhe shitën si skllevër 150.000 banorë.23 Shumica e tyre u transportuan në Itali. Një shekull më vonë Straboni shkruante se, ndonëse zonat fshatare ishin të ashpra e plot male, "i gjithë Epiri dhe Iliria dikur ishin tërësisht të populluara. Tani pjesa më e madhe ka mbetur e shkretë, kurse zonat e banuara janë katandisur në fshatra ose në rrënoja. Madje edhe orakulli i Dodonës ka mbetur pothuajse i braktisur fare."24 Dëshmi të heshtura të hakmarrjes së egër të Romës mbi Epirin u gjetën 2000 vjet më vonë, kur gërmimet në Antigonea të Gjirokastrës nxorën në dritë një shtresë goxha të trashë prej hiri, të mbetur nga zjarri që rrënoi plotësisht këtë qytet dhe gjashtëdhjetë e nëntë të tjerë si ai. ("Shqiptarët Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme" Edwin Jacques f.134-138)

7. çekrezi 1919, 17.
8. Pouq 1805, 3:1
9. çekrezi 1936, 43.
10. Straboni, 7:325.
11. Straboni, 7:7.6.
12. çekrezi 1936, 42
13. Plini, 3:11.
14. Smith 1876, 418.
15. Ibid., 728.
16. Plini, 7:24.
17. Dionisi, 20:1-6.
18. Dionisi, 20:8-12.
19. Straboni, 8:6.18.
20. Plini, 11:77.
21. Nalb. 1:1989, 80.
22. Plini, 4:10
23. Straboni, 7:7.3.
24. Straboni, 7:7.9.
« Editimi i fundit: 22-10-2020, 08:01:12 nga M A X »

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

#1 ne: 10-04-2006, 05:57:04
   Pas pak na humbën nga sytë kështjellat e larta të faiakëve,
dhe kaluam në brigjet e Epirit e arritëm në portin e
Kaonit dhe hymë në qytetin e lartë Buthrot.
Këtu morëm vesh një lajm, që s'ishte për t'u besuar,
Heleni, i biri i mbretit Priam, sundonte në qytete greke,
se kishte marrë gruan e skeptrin e Pirro Aiakidit
dhe se Andromaka ishte martuar prapë me një bashkatdhetar.
U habita dhe më pushtoi një dëshirë e madhe
ta shihja dhe nga ai të gjitha t'i mësoja.
Lashë anijet në port dhe zbrita në tokë;
atë ditë në pyll para qytetit dhe buzë Simoentit të rrejshëm
Andromaka bënte flijime solemne
mbi tumën e Hektorit dhe i falte dhurata të përvitshme,
thërriste shpirtin e tij pranë një varri të zbrazët të rrethuar me plisa të njomë
e qante në këmbët e dy altarëve.
………………………………………….
Pas vdekjes së Neoptolemit, nga mbretëria i ra
një pjesë Helenit, i cili këto vise i quajti Kaoni
nga emri Trojan Kaon;
Dhe në këto kodra një Pergam të ri ndërtoi bashkë me një kështjellë trojane
…………………………………………………
………………. kur ja, nga qyteti, heroi,
i biri i Priamit, Heleni, i shoqëruar nga një turmë, vjen;
na njohu dhe plot me gëzim na shpuri në pallat
ku për çdo fjalë, që thonim ai lëshonte lotë.
Para unë eci e shoh një Trojë ndërtuar sipas shembullit të së madhes,
një Pergam dhe një përrua të thatë me emrin e Ksanthit,
duke hyrë putha prakun e portës Skea.
Gjithashtu edhe shokët e mi teukrët u gëzuan që gjetën një qytet mik.
Mbreti i priti në portikët e gjerë të pallatit;
Në mes të sallës rreth tryezave zbraznin kupat për nder të Bahut,
pinin me enë të arta dhe bënin flijime

Nga "Eneida" e Virgjilit
6


9

10



1


2
3



4



5


6

7
   3 Në atë vit1) Aleksandri, mbret i Epirit, zbriti me flotën e tij në Itali dhe sikur luftërat e tij të kishin pasur sukses do të ishte shtrirë pa dyshim deri tek romakët.

17 … Lufta e Aleksandrit të Epirit tërhoqi samnitët në tokën e lukanëve. Këta dy popuj të bashkuar luftuan kundër këtij mbreti, i cili duke u nisur nga Pestumi kishte hyrë në këto toka; megjithëse në këtë ndeshje Aleksandri doli fitues, bëri paqe me romakët, sepse, sikurse e ka thënë ai vetë, nuk ishte i sigurtë në se punët e tjera do t'i shkonin kaq mbarë…

24 Thuhet se po në këtë vit u themelua Aleksandria2) në Egjipt dhe se Aleksandri, mbret i Epirit, i vrarë nga një lukan i mërguar, vërtetoi me vdekjen e tij se sa të vërteta janë thëniet e orakullit të Zeusit të Dodonës. I thirrur në Itali nga tarentasit atij iu tha që të ruhej nga ujët e Aheronit dhe nga qyteti Pandosia sepse këtu do të merrte fund jeta e tij. Për këtë ai u hodh menjëherë në Itali, që të ishte, sa të qe e mundur, më larg nga qyteti Pandosia e Epirit dhe nga lumi Aheron, i cili duke buruar nga Molosia dhe duke rrjedhur nëpër lugina më të ulëta derdhet në gjiun e Thesprotisë. Por, pothuajse gjithnjë, kur njeriu do t'i shpëtojë fatit të keq, e keqja e gjen. Pasi kishte mundur dhe vënë në ikje legjionet e brutëve dhe të lukanëve, kishte pushtuar Heraklenë, koloninë e tarentasve tek lukanët, Sipontin e apulëve dhe Konsentën e Terinën e brutëve si dhe disa qytete të tjera të mesapëve e lukanëve, dhe kishte dërguar treqind familje të shquara si peng në Epir, ai pushtoi, jo shumë larg nga Pandosia, qytet pranë kufirit të lukanëve e brutëve, tri kodra të vendosura në largësi të barabarta njëra prej tjetrës. Prej këndej ai bënte inkursione në gjithë territorin e armikut. Ai mbante rreth vetes dyqind lukanë të mërguar si besnikë, por njerëz të tillë që kanë, siç ndodh zakonisht, të paqëndrueshme besën si edhe fatin.
Shirat e vazhdueshme e kishin përmbytur gjithë fushën dhe kishin ndarë ushtrinë e vendosur në tri pjesë, në një mënyrë të tillë që njëra-tjetrës nuk mund t'i vinin në ndihmë. Dy grupet ku nuk ishte mbreti u sulmuan papritur nga armiqtë dhe
 
8


9

10

11



12

13

14


15


16

17

18




   u thyen menjëherë, pastaj me forca të bashkuara këta të fundit u drejtuan kundrejt vetë mbretit. Atëherë lukanët e mërguar u dërguan lajm bashkatdhetarëve të tyre dhe u njoftuan se po t'u lejohej të ktheheshin në atdhe ata do t'u dorëzonin mbretin të gjallë apo të vdekur. Ndërkaq ai me trupa të zgjedhura u sul me guxim, çau radhët e armiqve dhe si u fut midis tyre u ndesh trup me trup me komandantin e lukanëve, të cilin e vrau; pastaj si mblodhi ushtrinë e tij, që ishte shpartalluar e shpërndarë, arriu tek një lum, ku gërmadhat e reja të një ure të shkatërruar nga forca e ujit, i tregonin atij rrugën. Ndërsa trupat e tij kalonin këtë lum, pa ditur mirë vaun, një ushtar i lodhur dhe i mërzitur nga rreziqet duke mallkuar emrin e keq të këtij lumi thirri: "Jo më kot të quajnë Aheron". Këto fjalë arritën në veshin e mbretit dhe ai u kujtua menjëherë për fatin e tij. Ai u ndal dhe po nguronte të kalonte. Atëherë Sotimi, njëri nga shoqëruesit e rinj të mbretit i tha që të ruhej nga ky rrezik i madh dhe i njoftoi se lukanët kërkonin rastin ta vrisnin. Mbreti u kthye dhe kur i pa që larg se po vinin në grup kundër tij, nxori shpatën dhe u fut me kalë në mes të lumit. Ai ishte gati duke dalë në va, kur një shigjetë e lëshuar prej një lukani të mërguar e goditi në trup. Ai ra dhe trupi i tij, me shigjetën brenda, u çua nga rryma e ujit në pozitat e armikut. Këtu trupin e shqyen në mënyrë të shëmtuar. Pasi e ndanë më dysh, një pjesë e dërguan në Konsentë, kurse tjetrën e mbajtën për të dëfryer, duke e goditur së largu me shigjeta e gurë derisa një grua u fut në mes të kësaj turme të shfrenuar që ishte pushtuar prej një zemërimi çnjerëzor të pabesueshëm dhe si u lut që të ndaleshin u tha, duke qarë, se kishte në duart e armikut burrin dhe fëmijët dhe shpresonte që me trupin e mbretit, ashtu siç ishte i copëtuar, të rikthente familjen e saj. Ky qe fundi i masakrës dhe ato që tepëruan nga gjymtyrët e tij u varrosën në Konsenta me kujdesin e një gruaje të vetme; kockat e mbretit pasi iu dërguan armikut në Metapont u përcollën prej këndej për në Epir tek e shoqja Kleopatra dhe e motra Olympia, prej të cilave njera ishte e ëma dhe tjetra e motra e Aleksandrit të Madh.
Ky qe fundi i trishtueshëm i Aleksandrit epirot, të cilin, megjithëse fati nuk e çoi në luftë kundër romakëve, m'u desh ta përmend, meqenëse ai luftoi në Itali.


Fragment i shkeputur nga Tit Livi

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

#2 ne: 11-04-2006, 02:36:11
"… qendra e adhurimit pellazg, tempulli i njohur i Zeusit, ndodhej në Dodona, (nënvizimi m.) mbi një mal në juglindje të Janinës, pranë fshatit të sotëm grek të Kastricës. Rruga për të vajtur atje përshkruhet nga Eskili "Në ultësirën molose arrin duke dalë pas Dodonës, ku ndodhet vendi i orakullit të Zeusit tesprot, lisat që flasin, një mrekulli që imagjinata s'mund ta rrokë. Që në shekullin VIII p.e.s. Hesiodi poeti fshatar nga Sparta, e quajti Dodonën si "qendër të pellazgëve", kurse Herodoti e quajti të gjithë krahinën e Dodonës "Pellazgji". Straboni vinte në dukje se qindra vjet para lindjes së Jupiterit tempulli i Dodonës ishte quajtur "Jovi i gjithëpushtetshëm dodon pellazg". Prej andej, nga malet e Akrokerauneve, ai gjuante me rrufe, të cilat binin në detin Adriatik, në Himarë, pak poshtë Vlorës. Po atje, ai pëshpëriste urtësinë e tij përmes shushurimës së gjetheve të lisave të shenjtë. Me Dodonën lidheshin dy simbole. I pari ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodona më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit. Simboli tjetër që lidhej me Dodonën ishte lisi i shenjtë, i cili gjendej me shumicë aty; përmes shushurimës së gjetheve të tij Zeusi shprehte vullnetin e vet." [/u] (nënvizimi m.) Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 79-80

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

#3 ne: 11-04-2006, 02:44:22
2. DE ANIMALIUM HISTORIA

(Mbi historinë e kafshëve)

LIBRI II

1,499 b … Në Iliri dhe në Paioni, sikundër edhe gjetkë, ka derra njëthundrakë…

LIBRI III

20,522 b … Lopët e Epirit, të mëdhatë japin secila një shtamë e gjysëm nga të dy sisët. Mjelësi qëndron në këmbë, duke u kërrusur pak, sepse nuk mund të arrijë po t'i qendrojë ndenjur. Përveç gomarit, në Epir, rriten edhe kafshë të tjera të trasha, dhe mbi të gjitha qetë dhe qentë. Kafshët e mëdha kanë nevojë për shumë ushqim, por kjo krahinë ka shumë kullota të mira dhe vende të përshtatshme në çdo stinë.
Qetë dhe delet më të mëdha janë ato që quhen pirrike, të cilat e kanë emrin nga mbreti Pirro…

LIBRI VI

18,572 b … Në kohën e ndërzimit demi kullot me lopët dhe zihet me demat e tjerë; në kohë tjetër sekset rrinë të veçuar; kjo quhet "përbuzja e kopesë", ata, në Epir, shpesh nuk shihen për tre muaj; dhe përgjithësisht të gjitha, ose afërsisht të gjitha kafshët e egra, nuk kullosin bashkë me femrat përpara kohës së ndërzimit…

LIBRI VIII

7,593 b … Kopetë e bagëtive vuajnë më pak kur lëvizin në ngrica, se sa në dëborë. Ato rriten nëqoftëse veçohen për një kohë të gjatë nga ndërzimi, prandaj barinjtë në Epir i mbajnë kopetë pirrike, si quhen ato, për nëntë vjet pa i ndërzyer që të mund të rriten.
Këtë ata e quajnë apotauri e lopëve. Numuri i këtyre kopeve arrin në katërqind dhe janë pronë e mbretit. Ato nuk rrojnë dot në vend tjetër, megjithëse është bërë një provë e tillë…
28,606 b … Temperatura gjithashtu ndikon shumë; prandaj në Iliri, Thraki dhe Epir, gomarët janë të vegjël. Në Skythi dhe vendet keltike ata nuk gjenden fare, sepse në këto vende dimri është i ashpër…

LIBRI IX

1,608 a … Qentë e gjuetisë të Molosisë nuk ndryshojnë aspak nga qentë e vendeve të tjera. Por qentë e kopeve të kësaj krahine ua kalojnë qenve të tjerë si në madhësi, ashtu edhe përsa i përket guximit të tyre, kur përleshen me kafshët e egra. Nga kryqëzimi i qenve molosë me ata lakonë del një lloj qeni që shquhet për guxim e durim…

45,630 a Bonasi gjendet në Paioni, në malin Messap, i cili ndan Paioninë nga Media. Paionët e quajnë monap. Është i madh sa një dem dhe më i rëndë; por nuk është një kafshë e gjatë dhe lëkura e tij kur rripet mund të mbulojë një shtresë ku të ulen shtatë vetë. Në formë i përngjan demit, por ay ka një perçe si të kalit që i arrin gjer te shpatullat, qimja e tij është më e butë e ajo e kalit dhe më e shkurtër. Ngjyra e qimes së tij është e kuqe. Ato janë të trasha e zbresin gjer te sytë dhe kanë një ngjyrë midis së kuqes dhe bojës së hirit jo si ajo e kuajve gështenjë po më e thellë: qimet e tij poshtë janë si lesh. Ato nuk janë as shumë të zeza, as shumë të kuqe.
Zëri i tyre është si ai i kaut. Brirët i kanë të përkulura e të mpleksura, të papërshtatshme për mbrojtje, të gjata një pëllëmbë ose diçka më shumë, aq të trasha sa secili prej tyre mund të mbajë një hemikoe ose diçka më shumë. Pjesa e zezë e brirëve është e mirë dhe e lëmuar. Një tufë flokësh është vendosur në mënyrë të tillë midis të dy syve, sa kafsha duket më mirë anash, se sa përballë. Si kau, ai nuk ka dhëmbë të sipërme përpara, ashtu si nuk kanë edhe kafshët e tjera me brirë. Këmbët i ka të ashpra dhe thundrat e çara. Bishtin të vogël në përpjestim me trupin, si atë të kaut, ai rrëmih tokën me thundrën e tij si demi. Lëkurën e pjesëve të sipërme e ka të fortë. Mishi i tij është një ushqim shumë i mirë dhe për këtë e gjuajnë…

3. DE MIRABILIBUS AUSCULTATIONIBUS

(Mbi mrekullitë e dëgjuara)

832 a,22 Thonë se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti, pasi i shtrydhin hojet [mjaltit] i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin ndër enë prej balte, dhe e lënë gjersa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e shtien ndër enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentojë për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë, dhe bile një verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani thonë se kjo bëhet edhe në disa vende të Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër aq sa ishte e pamundur për kërkuesit që ta dallonin…

833 a,36 Thonë se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apollonisë, ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj.

833 b,45 Për Paioninë thonë se kur bien shira të vazhdueshme, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajturi ar i padjegshëm.
Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna. Thonë se janë gjetur edhe i janë dërguar mbretit të atjeshëm dy copë, njëra e rëndë 3 mna dhe tjetra 5 mna.



835 b,75 Thonë se në Epir ka drerë, të cilët duke gërmuar tokën me bririn e djathtë bëjnë gropa; ky bri është i dobishëm për shumë sende.

836 a,79 Në ishullin Diomedea, në detin Adriatik, thonë se gjendet një tempull i Diomedit, i admirueshëm dhe i shenjtë; rrotull tij fluturojnë shpendë të mëdha me sqep shumë të gjatë, të gjerë dhe të fortë; kur vijnë këtu helenët ato rrinë të qeta, ndërsa kur vijnë barbarë, që banojnë aty afër, u fluturojnë rreth e rrotull, ua shqyejnë kokët e tyre me kthetra e sqepa dhe mbasi u shkaktojnë shumë plagë i vdesin. Thonë se dikur këta kanë qenë shokët e Diomedit, që e humbën prijësin e tyre mbas mbytjes së anijes, prijës ky që u vra me dredhi nga Aineu, mbreti i atyre fiseve…

836 b,81 … Atje [në ishujt Elektride] gjenden me shumicë plepa, prej të cilëve nxirret ai që ne e quajmë qelibar, në fillim si dyllë, pastaj forcohet si gur. Ky mblidhet prej banorëve dhe dërgohet në Helladë. Prandaj thonë se në këta ishuj erdhi Dedali, i pushtoi dhe në njërën bëri fytyrën e vet, kurse në tjetrën të djalit, Ikarit. Pastaj mbasi e dëbuan pellazgët, të cilët shkatërruan Argon, Dedali iku dhe erdhi në ishullin Ikar.

839 a,104 Përveç kësaj pranë Epirit, burojnë ujëra të nxehta, prandaj ky vend quhet Pyriflegeton. Më kot thonë se mbi këtë vend nuk fluturon asnjë shpend, mbasi dihet se atje ka mjellma me shumicë.

839 b,104 Ndërmjet Mentorisë dhe Istrisë thuhet se gjendet një mal me një majë shumë të lartë, që e quajnë Delfion. Kur memtorët, që banojnë pranë Adriatikut, i ngjiten këtij mali, shikojnë së andejmi anijet që lundrojnë në Detin e Zi. Përveç këtij është edhe një vend tjetër ndërmjet [të dy fiseve], në tregun e të cilit tregtarë të ardhur nga Deti i Zi shesin verëra nga ishujt Lesbo, Ko dhe Thaso, gjithashtu [sillet verë] edhe prej atyre të Adriatikut me amfora të Korkyrës.

842 b,127 Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës së taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë si curila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë; dhe banorët thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht dhe zë një sipërfaqe fare të ngushtë, aq sa përfshin një pentakline1). Këndej del një erë squfuri dhe nishadri; përreth rritet një bar shumë i lartë dhe ç'është më e çuditshme, jo më larg se katër kut prej andej rriten drurë të lartë…

128 Thuhet se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit, dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër. Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi nga tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë. Thuhet edhe se në Paioni qetë e egër bëhen shumë më të mëdhenj nga të gjithë ata që ndodhen ndër popullsi të tjera, edhe se brirët e tyre nxënë katër koe, bile brirët e disave edhe më shumë.

844 b,138 Thonë se në Iliri, tek fiset e quajtura ardiane, pranë kufirit me autariatët, ndodhet  një mal i lartë dhe afër tij një gurrë, nga e cila shpërthen ujë me sasi të madhe, jo në çdo stinë, po vetëm në pranverë. Këtë ujë e marrin dhe ditën e ruajnë në një vend të mbuluar, ndërsa natën e nxjerrin përjashta. Kjo punë bëhet pesë a gjashtë ditë me radhë dhe pastaj uji ngrin e bëhet një kripë shumë e mirë; këtë kripë e mbajnë sidomos për bagëtitë. Së jashtmi nuk sjellin kripë në këto vise, për arsye se janë larg detit dhe nuk përzihen me të tjerët. Kripa u duhet shumë për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit. Në rast se s'ua japin, shumica e bagëtisë ngordh.


Fragmente te shkeputura nga Aristoteli

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

#4 ne: 12-04-2006, 03:04:57
Excerpt. Vatican. fq. 46

Mbreti Pirro humbi shumë nga epirotët që kishin kaluar me të në Itali. Njëri nga miqtë që ishte lidhur ngushtë me të, e pyeti në se ishte i kënaqur nga suksesi i betejës. "Edhe një fitore të tillë, u përgjigj ai, të korr mbi romakët dhe mua nuk do të më mbetet asnjë nga ushtarët që më shoqëruan në Itali". Dhe me të vërtetë të gjitha fitoret e arritura ishin fitore kadmike: Të mundurit nuk ishin mposhtur plotësisht, përsa i përket fuqisë së tyre dhe ngadhënjyesit kishin pësuar kaq humbje dhe shkatërrime sa edhe të mundurit.
Kinea, i dërguar nga Pirrua për të biseduar me romakët, u tregua i shkathët në këtë detyrë dhe i ofroi personave më me influencë dhurata të çmueshme; por këta të fundit nuk i pranuan dhe iu përgjigjën atij njëzëri se nuk ishte me vend të pranonin dhurata përsa kohë vazhdonte lufta; por që nga dita e përfundimit të paqes dhe kur Pirrua të bëhej mik i romakëve do t'u pëlqenin me gjithë qejf dhuratat, të cilat do të mundnin t'i pranonin pa ngurrim.

Excerpt. Vatican. fq. 47

Pirrua, kur korri një fitore të lavdishme mbi galët, vendosi në tempullin e Athinasë Itone mburoje të armikut dhe plaçkën më të çmueshme; ai gdhëndi këtë mbishkrim:
                     "Pirro Molosi ia dhuron Athinasë Itone
                     Këto mburoja, që ua hoqi galatëve të fortë
                     pasi shkatërroi gjithë ushtrinë e Antigonit;
                     dhe nuk është kjo një çudi e madhe
                    sepse aiakidët janë edhe tani luftëtarë, siç kanë qenë në të kaluarën."


Nga Diodori

  • Postime: 163
  • Karma: +0/-1

#5 ne: 12-04-2006, 03:26:03
Po jap fragmente nga Straboni ku flitet jo vetem per Epirin por per gjithe viset ilire, si per Ilirine, Dardanine, Maqedonine dhe Epirin


S T R A B O N I S

G E O G R A P H I C A

(Gjeografia)

LIBRI I


1 … Ai [Homeri] duhet ta ketë njohur Istrin, sepse ai flet për myzët, fis thrak i vendosur në brigjet e këtij lumi. Ka mundësi që të ketë njohur gjithë bregun, që vazhdon dhe që i takon Thrakisë deri tek Penei, kur ai përmend paionët, Athosin, Aksin dhe ishujt, që gjenden përballë këtij bregu. Prej këndej e deri tek thesprotët zgjatet bregu i helenëve…

2 Ndoshta dhe Jasoni ka qenë endur në Itali. Të paktën, në malet Keraune, në brigjet e Adrias, në gjirin e poseidonasve dhe në ishujt pranë Tyrrenit duken disa shenja, që flasin për endjen nëpër këto anë të argonautëve.
… Ose ndoshta ai [Homeri] nuk ka ditur që Thrakia nuk zbriste përtej maleve paione e thesale. Sidoqoftë ai ka njohur mirë viset, që nga kjo anë kufizojnë thrakët dhe duke numëruar fiset që banonin në këtë vend, qoftë në bregdet, qoftë në brendi, ai nuk ka harruar të përmendë disa prej tyre si: magnetët, malët, të gjithë helenët deri tek thesprotët, dolopët fqinjë të paionëve, selët që zinin rrethet e Dodonës deri tek Ahelou…

LIBRI II

5 Nga veriu ai [deti i Siqelisë] shkon drejt kepit japyg, drejt grykës së gjirit të Jonit dhe viseve jugore të Epirit, deri tek gjiri i Ambrakisë dhe bregu në vazhdim,  i cili duke qenë përballë Peloponezit, formon bregun verior të gjirit të Korintit.
Gjiri i Jonit është një pjesë e atij, që ne tani e quajmë Adriatik, i cili djathtas kufizohet nga bregu i Ilirisë dhe majtas nga bregu i Italisë, deri në fund ku gjendet Akuilea.
Gjiri i Adriatikut drejtohet nga veriu dhe nga perëndimi, ai është i ngushtë e i gjatë; ndërsa gjatësia e tij është reth gjashtë mijë stade, gjerësia më e madhe nuk i kalon të një mijë e dyqind stadet. Ai ka një numër mjaft të madh ishujsh, në pjesën më të madhe të vendosur pranë bregut të Ilirisë, të tilla si: Apsyrtidet, Kyriktiket, Liburnidet, Isa, Traguri, Korkyra e Zezë dhe Fari…





LIBRI IV

6 … Vendolikët dhe norikët zënë, në pjesën më të madhe, anën e kundërt të këtyre maleve1), të përzierë me breunët dhe genaunët, që bëjnë pjesë në Iliri. Të gjithë këta fise kanë qenë të njohur për inkursionet, që kanë bërë pa ndërprerje në vendet e fqinjëve të tyre, qoftë në Itali, qoftë në tokat e helvetëve, sekoanëve, bojve dhe germanëve…
Pas këtyre fiseve vijnë gjithë ata, që zënë brigjet e gjirit Adriatik dhe territorin e Akuilesë. Këta janë disa fise norike dhe karnët. Norikëve u përkasin edhe tauriskët. Tiberi dhe vëllai i tij Druzi shtypën, në një fushatë, guximin e këtyre fiseve dhe u dhanë fund inkursioneve të tyre të vazhdueshme, kështu që ka më se tridhjetë e tre vjet që ata jetojnë në paqe dhe paguajnë tributin e caktuar…
Në malet Apenine, mbi karnët, gjendet një liqen, nga i cili del lumi Atesin; ky lum, pasi merr me vete dhe lumin tjetër Atagin, derdhet në Adria. Po prej këtij liqeni buron një lum tjetër me emrin Isar, që derdhet në Istër. Istri vetë i ka burimet në malet2), që ndahen në shumë vargmale me një numër të madh majash… Një tjetër vargmal shkon drejt Ilirisë e Adrias; prej këtyre janë malet Apenine, që kemi përmendur, Tuloni, Fligadia dhe malet mbi vendolikët, prej nga burojnë lumenjtë Duras, Klan dhe shumë lumenj të tjerë, që derdhen në Istër.

Në këto vende banojnë japodët, që tani janë ilirë e keltë të përzierë dhe pranë të cilëve gjendet mali Okra. Dikur ata kanë qenë të dëgjuar për numrin e madh të tyre, për tokën e gjerë, që zinin në të dy anët e maleve dhe për kusaritë e dendura, që bënin ndër fqinjët e tyre. Por Cezari August u dha fund këtyre dhe i nënshtroi plotësisht. Qytetet e tyre janë Metuli, Arupini, Moneti dhe Vendi.
Pas tyre vjen qyteti Segestika i vendosur në fushë. Pranë këtij qyteti kalon lumi Sao që derdhet në Istër.

LIBRI V

1 … Akuilea, që është nga të gjitha qytetet e këtij vendi, më afër fundit të gjirit, ka qenë ndërtuar prej romakëve për të përmbajtur barbarët, që banonin më lart. Anijet e ngarkesës arrijnë në këtë vend nëpër Natiso, duke kaluar një largësi prej më tepër se gjashtëdhjetë stade. Kjo është qendra e tregëtisë së romakëve me ata popuj ilirë, që janë pranë Istrit. Këta të fundit eksportojnë verë, që e mbajnë në enë druri, të cilat i transportojnë me qerre; dhe përveç kësaj peshk të kripur dhe vaj: të parët [romakët] u sillnin skllevër, kafshë dhe lëkura…

2 Sa për pellazgët, pothuaj të gjithë janë të mendimit se ishin një fis i vjetër i përhapur në gjithë Helladën e sidomos në vendin e eolëve afër Thesalisë. Por sipas Eforit ishin me prejardhje nga Arkadia, të dhënë pas jetës luftarake, të cilët duke u shtuar nga ata që morën anën e tyre dhe të cilëve ata u dhanë emrin e tyre, u bënë të famshëm edhe ndër helenët, edhe në gjithë vendet ku vajtën. Me të vërtetë, shohim pellazgë të vendosur në Kretë, sikurse na dëshmon Homeri, duke i vënë në gojë Odiseut këto fjalë, që ai i thotë Penelopës:



"Në këtë ishull ku banojnë ahejt, eteokretët trima, kydonët, dorët trefish dhe pellazgët hyjnorë, secili ka gjuhën e tij".
Për më tepër Thesalia, e cila gjendet midis grykës së Peneit dhe Termopyleve dhe shtrihet gjer në malet e Pindit, quhet Argo pellazgjik, sepse pellazgët dikur këtu qenë zotër; dhe vetë poeti [Homeri] Zeusin e Dodonës e quan pellazgjik: "Zeusi i lartë pellazgjik i Dodonës". Shumë autorë të vjetër edhe fiset epirote i kanë quajtur pellazgjike, sepse ata shtriheshin deri atje [në Epir]. Dhe me që këta autorë të vjetër kanë cilësuar si pellazgë një numër të madh heronjsh, autorët e mëvonshëm, gjithashtu u kanë dhënë emrin pellazg fiseve, që kishin udhëheqësa këta heronj: kështu është quajtur pellazgjik ishulli Lesbo dhe kështu Homeri i quan pellazgë fiset kufitare me kilikët në Trojë. "Hipothou i udhëhoqi këto fise pellazgësh, nga të cilët disa banonin në Larisën pjellore". Efori, kur mendonte se pellazgët ishin me prejardhje nga Arkadia, pason Hesiodin, që na thotë: "Nga i biri i Pellazgut, nga hyjnori Lykaon lindën gjashtë fëmijë". Por Eskili në "Iketidet"1) dhe "Danaidet" thotë se raca e pellazgëve kishte dalë nga Argo pranë Mykenës. Efori pretendon, gjithashtu, se Peloponezi mbante dikur emrin Pellazgia dhe Euripidi në "Arhelau" thotë: "Danau, i ati i pesëdhjetë vajzave, si erdhi në Argo, u vendos në qytetin Inah dhe urdhëroi që pellazgët të linin emrin e tyre të vjetër dhe paskëtaj të quheshin danaj". Sipas Antiklidit, pellazgët qenë të parët, që populluan ishujt Lemno e Imbro dhe disa prej tyre kaluan në Itali me Tyrrenin, të birin e Atyut. Më në fund, po t'u besojmë autorëve të Atideve2), ka pasur pellazgë, që kanë banuar në Athinë dhe për shkak se këta popuj, duke u endur në të gjithë anët shkonin me grupe në vende të ndryshme si disa zogj; banorët vendas të Atikës i quajtën me emrin "Pelargë".

Nga Kosoni deri në Graviski janë treqind stade; dhe midis këtyre dy qyteteve gjendet vendi i quajtur Regis-Villa. Ky vend thuhet se ka qenë dikur qendra e mbretit të pellazgëve, Maleo, i cili, siç thonë, pasi sundoi një kohë mbi pellazgët e kësaj krahine, la Italinë për të kaluar me ta në Athinë. Këta pellazgë janë të një fisi me ata që banojnë në Agyla.

LIBRI VI

1 … Pandosia është vend i fortifikuar pranë së cilës Aleksandri Molos, gjeti vdekjen e tij. Ai u gënjye nga orakulli i Dodonës, që i tha të ruhej nga Aheroni dhe Pandosia. Ai kujtoi se orakulli i tha për vendet me të njëjtin emër, që gjendeshin në Thesproti, por pikërisht këtu humbi jetën e tij. Fortesa Pandosia është në një vend me tri kodra, që i kalon afër lumi Aheron. Dhe një thënie tjetër e orakullit me dy kuptime: "Pandosia, qytet mbi tri kodra, shumë njerëz do të humbasin" e çoi Aleksandrin edhe në një gabim tjetër; ai kujtoi se ky paralajmërim fliste për humbjen e armiqve të tij dhe jo të vetën…

2 … Arhia kur u nis për në Siqeli la Kersikratin, pinjoll i fisit të Herakliut, me një pjesë të ushtrisë në ishullin, që quhej prej tyre Skeria dhe tani Kerkyra, për të themeluar këtu një koloni, gjë që ky e zbatoi duke ndjekur liburnët, që zotëronin këtë ishull…"


3 … Një nga gabimet e tyre [tarentasve] në politikë ishte se ushtrinë ua besuan të huajve. Kështu ata thirrën Aleksandrin Molos kundër mesapëve dhe leukanëve; më përpara kanë qenë shërbyer nga Arhidami, biri i Agesilaut, më vonë përdorën Agathoklin dhe Kleonymin, pastaj kur ata hynë në luftë me romakët iu drejtuan Pirros.

Në Brendesi njeriu mund të hipi mbi anije për të kaluar në bregun e kundërt, në dashtë në drejtim të maleve Keraune dhe brigjeve të Epirit e të Helaldës, që gjenden pas këtyre maleve, në dashtë në Epidamn. Kjo rrugë e fundit është më e gjatë se tjetra, sepse është një mijë e tetëqind stade. Megjithatë këtë rrugë e bëjnë shpesh, sepse ky qytet është vendi më i përshtatshëm për tregtinë midis popujve të Ilirisë dhe të Maqedonisë.

4 … Ilirët si edhe thrakët, fqinjë më të afërt të helenëve dhe të maqedonasve, kishin përfituar nga rasti për të hyrë në luftë me Romën. Kjo luftë nuk mbaroi veçse kur të gjithë popujt këtej Istrit dhe Alyt u mundën…

LIBRI VII

1 … Kurse në jug [të Istrit] deri në Helladë banojnë fiset ilire dhe thrake dhe të gjithë ata prej këtyre, që janë përzier me fise kelte ose me disa fise të tjera.

3 … [Burebista] ishte i tmerrshëm edhe për romakët sepse kalonte pa frikë Istrin dhe plaçkiste jo vetëm Thrakinë, por arrinte edhe në Maqedoni e Iliri…

5 Pjesa tjetër e Evropës është ajo, që ndodhet midis Istrit e detit përreth, duke u nisur nga gjiri i Adriatikut gjer në grykën e shenjtë të Istrit; brenda në këtë pjesë ndodhet Hellada, fiset e maqedonasve e të epirotëve dhe ato që janë në veri të këtyre dhe shtrihen gjer në Ister midis dy deteve, d.m.th. Adriatikut dhe Pontit; nga ana e Adriatikut janë fiset ilire, kurse nga ana e Pontit gjer në Propont dhe Helespont, fiset thrake, megjithëse me këto janë përzier edhe disa fise skythe ose kelte. Duke folur rreth këtyre viseve, duhet të fillojmë nga Istri; këto janë ato që kufizohen me Italinë dhe me Alpet, me germanët, me dakët dhe me getët. Këto mund t'i ndajmë në dy: në vijë paralele, si të thuash, me Istrin ndodhen malet e Ilirisë, Paionisë dhe Thrakisë, që formojnë deri diku një vijë, e cila zgjatet që nga Adria gjer në Pont; vendet veriore të kësaj vije janë ato midis Istrit dhe maleve, ndërsa nga ana e jugut fillon Hellada dhe pa ndërprerje viset barbare gjer tek zonat malore. Pranë Pontit është mali Hemi, më i madhi e më i larti nga gjithë malet e kësaj pjese të Evropës. Ky në një farë mënyre e ndan Thrakinë në mes; nga ky mal, thotë Polibi, shihen që të dy detet, por nuk është e vërtetë, sepse edhe largësia gjer në Adria është e madhe, dhe ndërmjet ndodhen gjëra të shumta, që pengojnë pamjen. Buzë detit Adriatik është pothuaj e tërë Ardia, kurse në mes ndodhet Paionia, e gjithë në vende të larta. Në të dy anët e saj janë: në kufi me Thrakinë Rodopi, mal shumë i lartë pas Hemit dhe nga ana tjetër, në veri, viset ilire, d.m.th. vendi i autariatëve dhe ai i dardanëve.
Do të flasim më parë për fiset e Ilirisë, që kufizohen me Istrin e me Alpet, të cilat ndodhen midis Italisë dhe Germanisë, duke filluar që nga liqeni me viset e vendolikëve, retëve dhe helvetëve.
Por një pjesë të këtij vendi e shkretuan dakët, të cilët mposhtën me luftë



bojët dhe tauriskët, fise kelte nën Kritasirën, duke thënë se vendi është i tyre, megjithëse i pengonte lumi Paris, i cili buron nga malet mbi Istrin, afër skordiskëve, të quajtur galatë; edhe këta kanë banuar të përzier me fiset ilire dhe thrake; por dakët i shpartalluan të parët, kurse të dytët i trajtonin edhe si aleatë. Pjesën tjetër deri në Segestikë dhe Istër, nga veriu dhe nga lindja e kanë panonët, ndërsa nga anët e tjera shtrihen edhe më tej. Segestika është qytet i panonëve dhe gjendet në vendin ku bashkohen shumë lumenj, të gjithë të lundrueshëm, vend sulmi i përshtatshëm në luftën kundër dakëve; ndodhet në këmbë të Alpeve, të cilët shtrihen deri tek japodët, fise kelte dhe njëkohësisht ilire; prej këndej burojnë shumë lumenj, të cilët bëjnë të mundur të vijnë këtu bashkë me të tjerët edhe ngarkesat me anije prej Italisë. Prej Akuilesë deri në Nauport, duke kaluar mbi Okrën, krahinë e tauriskëve, në të cilën karrot e armatosura detyrohen të marrin tatëpjetën, janë treqind e pesëdhjetë stade; disa thonë pesëqind. Okra është vendi më i ulët i Alpeve, që shtrihen prej krahinës së retëve deri në atë të japodëve; prej këndej prapë malet fillojnë të ngrihen nga ana e japodëve dhe kjo krahinë quhet Albia. Po kështu ndodh edhe nga ana e Tergestes, fshat i Karnikës, ku kalohet përmes Okrës, në një kënetë, që quhet Luge. Afër Nauportit gjendet lumi Korkora, mbi të cilin mund të kalojnë anije të ngarkuara; ky pra derdhet në Savë, ndërsa vetë Sava në Dravë dhe ky i fundit në Noar afër Segestikës. Që prej këtej Noari, duke marrë Kolapin, i cili buron nga mali Albi dhe përshkon tokat e japodëve, derdhet në Danub, i cili nga ana e tij kalon nga tokat e skordiskëve. Lundrimi në shumicën e lumenjve është i mundshëm deri në viset veriore. Rruga nga Tergeste deri në Danub është rreth një mijë e dyqind stade. Afër Segestikës gjendet Siskia vend i fortifikuar, si edhe Sirmi dhe që të dy janë në rrugën për në Itali.
Fise panone janë breukët, andizetët, ditionët, peirustët, mazejt dhe desitiatët, që kanë për prijës Baton. Përveç këtyre janë edhe disa fise të tjera të vogla më pak të rëndësishme dhe që shtrihen gjer në Dalmati e gjer në krahinat e ardianëve, nga ana e jugut. I gjithë vendi që shtrihet nga gjiri i Adrias, vend malor, gjer në gjirin e Rizonit dhe tokën e ardianëve… bie midis detit dhe fiseve panone. Pothuajse prej këtej duhet të fillojmë përshkrimin me radhë, pasi të përmendim shkurtimisht ato, që janë thënë më parë. Thamë në përshkrimin e Italisë se istrët janë të parët në bregdetin ilir, që kufizojnë me Italinë dhe me karnët, dhe se udhëheqësit e sotëm të Italisë i shpunë kufijtë gjer në Pola, qytet i Istrisë. Këta janë rreth tetëqind stade larg gjirit të detit, aq janë edhe nga kepi i Polës gjer në Ankonë, për një që ka bregun e Entisë nga e djathta. I gjithë bregdeti i Istrisë është një mijë e treqind stade.
Pas këtyre me radhë është bregdeti i japodëve prej një mijë stadesh. Japodët janë vendosur në malin Albi, që është i fundit i Alpeve dhe shumë i lartë; këta nga njëra anë shtrihen gjer tek panonët e gjer në Istër, nga ana tjetër gjer në Adriatik; janë një popull trim e luftëtar, dhe përveç kësaj janë stërvitur në mënyrë të përsosur prej Augustit. Qytete të tyre janë Metuli, Arupini, Moneti, Vendi; toka nuk është pjellore, e prandaj ushqehen me elb e me thekër, armatimin e kanë si të keltëve; janë taman si ilirët e tjerë dhe thrakët. Pas bregdetit të japodëve vjen ai i liburnëve. Ky është (pesëqind) stade më i madh se i pari; në këtë bregdet është një lumë nëpër të cilin mund të lundrohet me ngarkesë deri në Dalmati; është dhe qyteti Liburna i skardëve.
Pranë gjithë këtij bregdeti gjenden ishujt Apsyrtide, në të cilët thuhet se Medea vrau të vëllanë e saj, Apsyrtin, i cili e ndiqte atë. Pastaj, para japodëve është Kyriktika; pastaj vijnë ishujt Liburnide rreth dyzet; pastaj ishuj të tjerë shumë të



njohur janë: Isa, Traguri, ngritur prej isasve, Fari, që quhej më parë Pari, ngritur prej parasve; nga ky vend është edhe Demetër Fari. Pastaj vjen bregu i dalmatëve dhe skela e tyre Salona. Kjo popullsi është nga ato, që luftuan me romakët për shumë kohë; pati vendbanime të përmendura gjer në pesëdhjetë, nga të cilat disa edhe qytete si Salona, Promona, Ninia, Sinoti i Ri dhe i Vjetër; këto i dogji Augusti.
Është edhe Andetri, vend i fortifikuar, dhe Dalmi, qytet i madh, emrin e të cilit e mori edhe popullsia. Por këtë qytet e zvogëloi Nasika dhe fushën e ktheu në kullotë delesh për shkak të lakmisë së njerëzve.
Është një gjë e veçantë e dalmatëve që ta ndajnë tokën çdo tetë vjet. Mospërdorimi i monedhave është një karakteristikë e veçantë në krahasim me banorët e tjerë të këtij bregdeti, kurse në lidhje me shumë barbarë të tjerë, është një gjë e përbashkët. Është dhe mali i Adrit, që e ndan Dalmatinë në mes, një pjesë nga deti dhe një pjesë nga ana tjetër. Pastaj është lumi Naron dhe rreth tij janë daorizët, ardianët dhe plerejt, afër të cilëve gjendet ishulli që quhet Korkyra e Zezë dhe qyteti me këtë emër, që është ndërtuar prej knidasve, ndërsa afër ardianëve është Fari, që quhej më parë Pari, i ndërtuar prej parasve.
Ardianët më vonë i quajtën uardanë. Romakët i shtynë këta nga deti në viset e brendshme, mbasi e dëmtonin detin me pirateri, dhe i shtrënguan të bëhen bujq. Vendi është i ashpër dhe shterp; as nuk është për njerëz bujq, kështu që u shkatërruan plotësisht dhe për pak u zhdukën krejt. Kjo gjë u ngjau edhe fiseve të tjera të këtyre vendeve, sepse ata që ishin më të fuqishëm më parë ranë fare dhe u zhdukën, nga galatët këtë gjë e pësuan bojët dhe skoidiskët, nga ilirët autariatët ardianët dhe dardanët, kurse nga thrakët tribalët. Sepse këto fise të cilat në fillim u dobësuan në luftë njëri me tjetrin, më vonë u shkatërruan nga maqedonasit dhe romakët.
Pas bregdetit të ardianëve dhe plerejve vjen gjiri i Rizonit edhe qyteti Rizon, si edhe qytete të tjera të vogla. Vjen edhe lumi Dril, i cili më thellë nga lindja arrin gjer në Dardani. Dardania kufizohet me fiset maqedonase dhe paione nga ana e jugut sikundër edhe me autariatët e dasaretët, të tjerë këta, në vise të tjera, që janë kufitare në mes të tyre dhe me autariatët. Dardanë janë edhe galabrët, tek të cilët…1) është një qytet i vjetër, edhe thunatët, të cilët në lindje janë në kufi me medët, fis thrak. Dardanët janë aq të egër sa edhe nën pleh bagëtish rrëmijnë gropa dhe aty rrojnë; megjithëkëtë muzikën nuk e lënë mënjanë, po përkundrazi përdorin gjithmonë fyej e vegla me kordha. Këta, pra, banojnë në thellësitë e vendit; do t'i përmendim edhe më vonë.
Pas gjirit të Rizonit vjen qyteti Lis, Akrolisi dhe Epidamni i ndërtuar nga kerkyrasit; ky qytet sot quhet Dyrrah dhe e mori këtë emër nga gadishulli, mbi të cilin është ndërtuar. Më pas vjen lumi Aps dhe Aoo, mbi të cilin është ndërtuar Apollonia, një qytet me ligje shumë të mira, ndërtuar nga korintasit e nga kerkyrasit; ky qytet është larg lumit dhjetë stade dhe nga deti gjashtëdhjetë. Hekateu Aoon e quan Aia dhe thotë se po prej të njëjtit vend, që është rreth Lakmos, ose më mirë prej të njëjtit burim, rrjedh edhe Inahu nga jugu për në Argo, edhe nga perëndimi për në Adriatik…
Në krahinën e apolloniatëve është një vend i quajtur Nymfe, një shkëmb aty nxjerr zjarr dhe nën këtë rrjedhin burime të vakëta dhe asfalt, mbasi, siç shihet qartë, digjen plisat e asfaltit. Aty pranë ka një minierë, mbi një kodër; me kohë gropat e minierës mbushen përsëri dhe dheu, që bie në to, shndrrohet në asfalt, sikurse e thotë Poseidoni. Ai thotë se edhe dheu asfaltoz, që nxirret në Seleuki të Pierisë, është ilaç kundër morrave të vreshtave, sepse kur ky përzihet me vaj e e ngordh insektin para
se ky të ngjitet në degëzimet e rrënjës. Thotë se është gjetur një tokë e tillë edhe në Rod, në kohën kur ai ishte prytan aty, por ka nevojë për më shumë vaj. Pas Apollonisë vjen Bylliaka dhe Oriku me skelën e tij Panormin si dhe malet Keraune, fillim i ngushticës së gjireve Jon e Adria.
Të dy kanë grykë të përbashkët, por ndryshojnë në këtë pikë: Joni është emri i pjesës së parë të këtij deti, ndërsa emrin Adria e ka pjesa tjetër gjer në fund, por tani i tëri ka marrë këtë emër. Teopompi thotë se nga këta emra njëri rrjedh prej emrit të sundimtarit të këtyre vendeve, që ishte nga Isa dhe emri Adria prej lumit omonim. Që nga Liburnia e gjer tek malet Keraune janë pak më shumë se dy mijë stade. Teopompi thotë se i gjithë bregdeti që nga gjiri mban gjashtë ditë, kurse gjatësia e Ilirisë më këmbë është tridhjetë ditë; më duket se e tepëron. Ai thotë dhe gjëra të tjera të pabesueshme, si p.sh. detet janë shpuar… dhe këtë e nxjerr nga që gjendet keramikë e Hios dhe Thasos në lumin Naron dhe se të dy detet shihen nga një mal; pastaj ishujt Liburnide i vendos në mënyrë të tillë që formojnë një rreth prej pesëqind stadesh dhe që Istri me një nga grykat derdhet në Adria. Të këtilla janë dhe disa thashetheme të Aratostenit, siç thotë Polibi, për këtë dhe për disa shkrimtarë të tjerë.
I gjithë bregu i Ilirisë është me shumë limane të mira si në bregdetin e gjatë, ashtu edhe në ishujt e afërm, kurse përkundrazi ana e Italisë përballë s'ka limane. Gjithashtu i ngrohtë dhe frytdhënës është ky vend, se është plot me ullishta dhe me vreshta të mira përveç në disa vende të pakëta, ku toka është fare e ashpër. Po megjithëqë ka qenë kështu bregdeti i Ilirisë, nuk i jepnin më parë rëndësi, ndoshta pse nuk qe e njohur natyra e mirë e tokës, po më tepër pse njerëzit këtu kanë qenë të egër dhe kusaria ishte një gjë e zakonshme. Sa për tokën përtej bregdetit, është e gjithë malore, e ftohtë dhe shpesh bie dëborë, edhe më tepër nga veriu, aq sa vreshtat janë të ralla, si në vendet malore si dhe në ato fushore. Këto janë rrafshanalta që zotërohen nga panonët dhe nga jugu zgjaten gjer në vendin e dalmatëve dhe ardianëve, nga veriu mbarojnë afër Istrit, nga lindja kufizojnë me skordiskët… dhe nga ana tjetër me malet e maqedonasve dhe thrakëve.
Popullsia më e madhe dhe më trime e ilirëve kanë qenë autariatët; këta më parë luftonin pa pushim me ardianët për kriporet, që ndodhen në kufi dhe që formohen prej një uji, i cili rrjedh në pranverë nga një gurrë mali. Pasi merrnin ujë dhe e depozitonin për pesë ditë delte kripa; ishin marrë vesh që ta përdornin kriporen me radhë, dhe kur i shkelnin marrëveshjet zinin luftën.
Autariatët, duke shpartalluar dikur tribalët, të cilët banonin në kufi me agrianët deri në Istër, në një rrugë të gjatë prej 15 ditësh, u vërsulën edhe kundër thrakëve dhe ilirëve të tjerë, por u mundën më parë prej skordiskëve dhe më vonë prej romakëve, të cilët dhe vetë skordiskët i mundën mbas një qëndrese të gjatë.
Këta [skordiskët] banonin afër Istrit të ndarë në dy grupe, në të quajturit skordiskë të mëdhenj dhe në ata të vegjël. Të parët banonin ndërmjet lumenjve që derdhen në Istër, d.m.th. Noarit, që kalon afër Segestikës dhe Margut (disa e quajnë Barg), ndërsa të vegjëlit më tutje nga ky lum, në kufi me tribalët dhe myzët. Skordiskët kishin dhe disa prej ishujve; ndërkohë ata u shtuan dhe arritën të shtrihen deri në malet e Ilirisë, Paionisë dhe Thrakisë. Kishin nën sundimin e tyre dhe shumicën e ishujve, që ishin në Istër, si dhe qytetet Eorta dhe Kapedun. pas vendit të skordiskëve, pranë Istrit, gjendet vendi i tribalëve dhe myzëve, të cilët i përmendëm më parë, si dhe kënetat e të quajturës Skythi e Vogël në Istër; dhe këto i përmendëm. Ndërsa në viset rreth Kalatit, Tomit dhe Istrit banojnë dhe krobyzët si dhe të



 quajturit troglodytë. Pastaj rreth Hemit dhe nga ana e poshtme e tij deri në Pont banojnë koralët dhe besët dhe disa nga medët e danteletët. Të gjitha këto janë fise kusarësh shumë të mëdhenj, ndërsa besët, të cilët banojnë pjesën më të madhe të Hemit, dhe disa, që jetojnë në kasolle e në varfëri në kufi me Rodopin, me paionët dhe me autariatët e dardanët e ilirëve, quhen kusarë edhe nga vetë kusarët. Ndërmjet këtyre dhe ardianëve gjenden dasaretët dhe agrianët si dhe fise të tjera të parëndësishme, të cilët i rrethuan skordiskët deri sa shkretuan vendin dhe për shumë ditë e mbushën plot me trungje lisash të pakapërcyeshme.

6 Pjesa tjetër është bregdeti i Pontit, që gjendet ndërmjet Istrit dhe maleve në të dy anët e Paionisë, që prej grykës së shenjtë të Istrit deri tek pjesa malore rreth Hemit dhe deri në grykën e Byzantit. Kështu, pra, duke kaluar bregdetin e Ilirisë deri tek malet Keraune, vazhduam rrugën në viset që gjenden jashtë Ilirisë Malore e që kanë mbarimin e vet, ndamë prej këtyre fiset e brendshme, duke i konsideruar këto përshkrime si më të rëndësishmet si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.

7 Pra fiset që kufizohen me Istrin dhe me malet e Ilirisë dhe të Thrakisë, janë ato që meritojnë të përmenden; këto zënë gjithë bregdetin e Adriatikut, duke filluar që nga gjiri, si dhe në anën e majtë të Pontit, që quhet vendi prej lumit Istër deri në Byzant. Të fundit janë pjesët jugore të asaj, që u quajt krahinë malore dhe në vazhdim viset, që vijnë nga poshtë, ndërmjet të cilëve është Hellada dhe vendi fqinj i barbarëve deri tek malet.
Hekateu prej Mileti thotë për Peloponezin se këtu para helenëve kanë banuar barbarë. Dhe siç mund të nënkuptohet prej atyre që janë përmendur, pothuajse e gjithë Hellada në kohë të lashta ka qënë e banuar nga barbarë. Kështu Pelopi solli popullin nga Frygia në vendin e quajtur simbas emrit të tij Peloponez; Danau erdhi nga Egjipti, kurse dryopët, kaukanët, pellazgët, lelegët dhe të tjera fise të tilla, ndanë midis tyre viset përbrenda dhe jashtë  Istmit. Atikën e pushtuan thrakët që erdhën këtu me Eumolpin, Daulidën e Fokidën e zuri Tereu; Kadmenë e themeluan finikasit, që erdhën këtu me Kadmin, kurse vetë Beotinë e populluan aonët, temikët dhe hyanët. Karakteri barbar mund të dallohet edhe nga disa emra si Kekrop, Kodro, Aiklo, Kotho, Dryma dhe Krinako. Kurse thrakët, ilirët dhe epirotët edhe sot banojnë në krahinat anësore [të Helladës]; shumë më tepër më parë se tani që barbarët kanë pa dyshim pjesën më të madhe të Helladës së sotme; thrakët [kanë] Maqedoninë dhe disa vise të Thesalisë, ndërsa viset e sipërme të Akarnanisë dhe Etolisë [i kanë] thesprotët, kasopët, amfilohët, molosët dhe atamanët, fise epirote.
Ndonëse më parë këto fise kanë qenë të vogla, të shumta dhe pa famë, nuk ka qenë vështirë të përcaktoheshin kufijtë e tyre, sepse kishin burra të zotë dhe mbretër të dëgjuar. Por tani që pjesa më e madhe e vendit është shkretuar dhe banesat e sidomos qytetet janë zhdukur nuk do të mundte askush t'i përcaktonte këto. Dhe kjo do të ishte pa dobi mbasi ato s'kanë pasur ndonjë famë dhe janë zhdukur. Kjo gjë [shkretimi, zhdukja] ka filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise s'ka pushuar as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve; dhe kështu ata vetë i bënë sundimtarë mbi vete romakët, të cilët po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre. Me të vërtetë Polibi thotë se Pauli1), pasi theu dhe rrënoi maqedonasit e Perseun, shkatërroi shtatëdhjetë qytete të epirotëve (shumica e këtyre  kanë qenë të molosëve) dhe robëroi njëqind e pesëdhjetë mijë njerëz. Sidoqoftë, do të mundohemi – sa meritojnë të shkruhen e me


sa do të mundemi – të flasim për secilin nga këta, duke filluar nga bregdeti i gjirit Jon. Ky është bregdeti, në të cilin merr fund lundrimi i Adriatikut.
Viset e para të këtij bregdeti janë ato rreth Epidamnit dhe Apollonisë. Që nga Apollonia fillon rruga Egnatia për në Maqedoni drejt lindjes; kjo rrugë është e matur në mile dhe e shënuar me shtylla gjer te Kypsela dhe te lumi Hebri; gjatësia e kësaj rruge është pesëqind e tridhjetë e pesë mile.
Po të marrim parasysh, siç bëjnë shumica, se një mile është baras me tetë stade1), kemi gjithsejt katër mijë e dyqind e tetëdhjetë stade; por, sipas Polibit, i cili u shton tetë stadeve një diplethrë, e cila është një e treta e stadit duhen shtuar njëqind e shatëdhjetë e tetë stade d.m.th. një të tretën e numrit të mileve.
Ata që nisen nga Apollonia dhe Epidamni, piqen në një pikë të rrugës, që ka largësi të njëjtë nga të dy këto qytete. Rruga e tërë quhet Egnatia; pjesa e parë është ajo që kalon nga Kandavia, mal i Ilirisë, dhe shkon përmes qytetit Lyhnid dhe vendit të quajtur Pylon, që shënon kufirin midis Ilirisë dhe Maqedonisë mbi këtë rrugë. Prej këtej shkon afër Barnusit përmes Heraklesë, lynkestëve dhe eordejve për në Edesë dhe Pella gjer në Thesalonik. Polibi thotë se këto janë dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mile. Ata që kalojnë këtë rrugë duke u nisur nga viset pranë Epidamnit dhe Apollonisë, në të djathtë kanë fiset e Epirit, që lagen prej detit të Siqelisë gjer në gjirin e Ambrakisë; nga ana e majtë kanë malet e Ilirisë, që përmendëm më sipër dhe fiset, që banojnë afër këtyre gjer në Maqedoni dhe në viset e paionëve. Pastaj, duke lundruar prej Gjirit të Ambrakisë e tutje, në drejtim të lindjes, vendet që janë karshi Peloponezit janë të Helladës…
… Teopompi thotë se fiset e Epirit janë katërmbëdhjetë, më të dëgjuar nga këta janë kaonët dhe molosët; sepse dikur kishin sunduar mbi të gjithë Epirin – kaonët më parë dhe më vonë molosët, të cilët morën fuqi më të madhe për shkak të fisit mbretëror (ishin këta Aiakidë) dhe për shkak se në vendin e tyre ishte faltorja e Dodonës, e vjetër dhe e dëgjuar. Kaonët, pra, dhe thesprotët, e pas këtyre me radhë kasopët (dhe këta janë thesprotë), banojnë në anëdetjen që nis nga malet Keraune deri tek Gjiri i Ambrakisë, një vend i begatshëm. Lundrimi nga viset e kaonëve drejt lindjes e Gjirit të Ambrakisë dhe Korintit, që ka në të djathtë detin Auson dhe në të majtë Epirin, është njëmijë e treqind stade nga Keraunet deri tek gryka e Gjirit të Ambrakisë. Në këtë largësi ndodhet Panormi liman i madh midis maleve Keraune, dhe më tutje një tjetër liman i quajtur Onhesmi, kundrejt të cilit ndodhet bregu perëndimor i Korkyrës, më poshtë ndodhet dhe limani Kasiope, që është larg Brendesit njëmijë e shtatëqind stade. Po kaq stade janë edhe midis Tarantit, një kep tjetër, që gjendet më në jug të Kasiopes, të cilin e quajnë Falakri. Pas Onkesmit vjen Poseidi, dhe Buthroti, në grykën e limanit të quajtur Pelod, i ndërtuar në një vend që është si gadishull, me kolonë romakë, si edhe ishujt Sybote. Këta të fundit janë ishuj të vegjël jo shumë larg nga Epiri dhe që ndodhen karshi Leukimës, në anën lindore të Korkyrës. Përveç këtyre janë dhe disa ishuj të tjerë gjatë bregdetit, po këta s'kanë asnjë rëndësi të veçantë. Pastaj vijnë bregdeti i Himerit dhe limani Glykut, në të cilin derdhet lumi Aheron, që buron prej liqenit Aherusia; në këtë lum derdhen shumë lumenj të tjerë të vegjël, të cilët bashkë me lumin e madh e ëmbëlsojnë ujin e gjirit ku derdhen. Afër shkon dhe lumi Thyami. Pranë këtij gjiri është qyteti i thesprotëve Kyhir, që quhej më parë Efyra, dhe pranë gjirit përballë Buthrotit është qyteti Foinike.



Afër Kyhirit ndodhet një qytet i vogël i kasopëve i quajtur Buketi, i cili nuk është shumë larg detit; më thellë në tokë ndodhen Elatria, Pandosia dhe Batia, dhe toka e tyre zbret deri tek gjiri. Pas limanit të Glykut janë me radhë dy limane të tjerë, njëri më i vogël dhe më afër quhet Komari, ky formon një ngushticë gjashtëdhjetë stadesh drejt gjirit të Ambrakisë dhe Nikopolit, ndërtuar nga Cezari August, tjetri është limani më i madh e më i mirë dhe ndodhet afër grykës së gjirit, larg nga Nikopoli dymbëdhjetë stade.
Më poshtë vjen gryka e Gjirit të Ambrakisë; gryka e këtij gjiri është pak më e madhe se katër stade, ndërsa rrethi i tij arrin deri në treqind stade, dhe i gjithë ka limane të mira. Kur lundron më të djathtë banojnë akarnanët, fis helen, faltorja e Apollonit të Aktit ndodhet nga kjo anë dhe afër grykës mbi një kodër, nën të cilën shtrihet një fushë me një pyll dhe me limane të vogla; kësaj faltorjeje i kushtoi Cezari një të dhjetën e pjesës më të mirë të plaçkës së luftës që nga anijet me një sërë lopatash e gjer te ato me dhjetë sërë lopatash. Thuhet se si limani ashtu edhe anijet u zhdukën nga zjarri. Nga ana e majtë ndodhet Nikopoli dhe një fis epirotësh, kasopët, që shtrihen gjer në Gjirin e Ambrakisë; Ambrakia ndodhet afër gjirit dhe u ndërtua prej Gorgut, birit të Kypselit. Pranë këtij qyteti kalon lumi Aratth, i cili nga ana e detit është pak stade nga limani, dhe buron nga mali Tymfa dhe Parorea. Ky qytet lulëzonte edhe më parë (gjiri nga ky e mori emrin), po e stolisi dhe e zbukuroi në mënyrë të veçantë mbreti Pirro.
Më vonë maqedonasit e romakët për shkakt ë mosbindjes së banorëve, prishën në luftërat e parreshtura jo vetëm këtë, po edhe qytete të tjera aq sa më në fund Augusti, duke parë se qytetet u braktisën krejt, mblodhi banorët në një qytet, që u quajt prej tij Nikopol, për kujtim të fitores që korri mbi Antonin përpara grykës së gjirit dhe kundër mbretëreshës së egjiptanëve Kleopatrës, e cila u ndodh dhe ajo në këtë betejë. Që atëherë po zmadhohet dhe përparon dita ditës në sajë të tokës së gjerë, që ka rreth e rrotull si dhe në saje të pasurisë së rrjedhur nga plaçkat e luftës…
Pas Ambrakisë është Argo i amfilohëve, i ndërtuar prej Alkmeonit dhe bijve të tij. Efori thotë se Alkmeoni pas ekspeditës së epigonëve kundër Tebës u ftua prej Diomedit që të vijë bashkë me të në Etoli dhe të sundojnë së bashku këtu dhe në Akarnani; kur i thirri këta Agamemnoni në luftën kundër Trojës, Diomedi shkoi, ndërsa Alkmeoni qëndroi në Akarnani dhe ndërtoi Argon, të cilin e quajti Argo i Amfilohisë, sipas emrit të vëllait të tij, kurse lumin Inah, që përshkon vendin dhe derdhet në gji e quajti sipas emrit të vendit Argeia.
Tukididi thotë se Amfilohu, pas kthimit të tij nga Troja në Argo, duke mos dashur të shkojë në Akarnani, dhe duke zënë fronin e të vëllait, ndërtoi qytetin me emrin e vet.
Epirotë janë edhe amfilohët, si edhe gjithë ata që banojnë nga veriu dhe që kufizohen me malet e Ilirisë; këta banojnë në vende të ashpra dhe quhen molosë atamanë, etikë, tymfej, orestë, parorej dhe atinanë. Një palë nga këta janë më afër maqedonasve, kurse disa të tjerë më afër gjirit të Jonit. Thuhet se Orestinë e zuri dikur Oresti, duke ikur pas vrasjes të së ëmës; i dha këtij vendi emrin e vet dhe ndërtoi një qytet të quajtur Argo i Orestisë. Me këta janë përzier fiset ilire, që banojnë në malësitë e jugut si edhe mbi gjirin e Jonit. Pas Epidamnit dhe Apollonisë gjer në malet Keraune banojnë bylinët, taulantët, parthinët e brygët; aty afër janë edhe minierat e argjëndit në Damastion, rreth të cilave dyestët vendosën sundimin e tyre, si edhe enhelejt, të cilët i quajnë edhe sesaretë. Afër këtyre vijnë: lynkestët, Deuriopa, Pelagonia triqyteteshe, eordejt, Elimia dhe Eratyra. Këta më parë sundoheshin më vete, dhe tek enhelejt pushtetin e kishin pasardhësit e Kadmit dhe Harmonisë, dhe legjendat, që fliteshin rreth tyre tregohen aty. Këta nuk sundoheshin

nga vendas, ndërsa lynkestët ishin nën sundimin e Arabeut, nga fisi i bakhiadëve. Ky pati mbesë Eurydikën, nënën e Filipit, të birit të Amyntës, dhe një vajzë të quajtur Sirra. Epirotët molosë, patën për sundues Pirron e Neoptolemit, birin e Akilit dhe pasardhësit të tij nga Thesalia. Të tjerët sundoheshin nga vendas. Më vonë disa prej tyre e shtuan sundimin, por pastaj të gjithë ranë nën sundimin maqedonas përveç disave, që banonin mbi gjirin e Jonit. Edhe vendet që ndodhen rreth Lynkut, Pelagonisë, Orestisë, dhe Elimisë i quanin Maqedoni e Sipërme dhe më vonë Maqedoni e Lirë. Edhe gjithë viset gjer në Korkyrë disa bile i quajnë Maqedoni, për arsye, siç thonë, se banorët e këtyre krahinave përdorin edhe të qethurit edhe të folurën, edhe mantelin [klamydën] dhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme, e disa janë dygjuhësh. Si ra sundimi i maqedonasve, vendi u pushtua prej romakëve. Përmes këtyre fiseve shkon rruga Egnatia, që nis nga Epidamni dhe Apollonia. Buzë rrugës që shkon për në Kandavi janë liqenj rrotull Lyhnidit që kanë vende të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq, gjithashtu këtu ndodhen dhe ata lumenj, që derdhen në detin Jon dhe në viset e jugut d.m.th. Inahu. Arathi, Ahelou dhe Eveni, që quhej më parë Lykorm; nga këta i pari – derdhet në Gjirin e Ambrakisë dhe tjetri në lumin Ahelou, i cili derdhet vetë në det si dhe Eveni. I pari përshkon Akarnaninë, ndërsa i dyti Etolinë. Erigoni, i cili mbledh ujërat që zbresin nga malet e Ilirisë dhe nga ana e lynkestëve, brygëve, deuriopëve dhe pelagonëve derdhet në Aks. Në këto fise më parë kishte dhe qytete p.sh. Pelagonia quhe tirqytetëshe; një prej këtyre ishte Azori; gjithë qytetet e deuriopëve ndodheshin gjatë lumit Erigon; midis këtyre qyteteve ishin dhe Bryani, Alalkomena dhe Stybara. Në krahinën e brygëve ishte dhe qyteti Kydra dhe në atë të tymfejve qyteti Egini, afër Etikisë dhe Trikës. Afër Maqedonisë dhe Thesalisë, rreth malit Poion dhe Pindit, janë etikët dhe burimet e lumit Penei, për të cilat janë në grindje tymfejtë me thesalët, që banojnë nën Pind. Afër lumit Jon ndodhet qyteti Oksineia, njëqind e njëzet stade nga Azori; gjithashtu aty pranë gjenden dhe Alalkomena, Egini, Europi dhe vendi ku Joni bashkohet me Penein. Në atë kohë, pra, siç thashë, ndonëse vendi ishte i ashpër dhe plot me male-Tomari, Polyani dhe shumë të tjerë – megjithatë gjithë Epiri dhe Iliria ishin të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra dhe gërmadha të braktisura. Fatin e këtyre e pati deri diku edhe orakulli i Dodonës. Ky orakull, sipas Eforit, është ndërtuar nga pellazgët. Për këta të fundit flitet se kanë qenë më të vjetrit nga të gjithë ata që sunduan në Helladë; dhe poeti [Homeri] thotë kështu: "O Zeus, sundimtar dodonas, i pellazgëve" dhe Hesiodi thotë: "Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve".
Për pellazgët thamë edhe kur bëmë fjalë për tyrrenët; sa për Dodonën, që banorët rreth saj ishin barbarë, na e thotë dhe Homeri, kur flet për mënyrën e jetesës së tyre, duke i quajtur të zbathur e njerëz që flinin përdhe. çështja se si duhet t'i quajmë helë, siç thotë Pindari, apo selë, siç lihet të kuptohet prej veprave të Homerit, kjo çështje s'mund të vërtetohet, mbasi shkrimi ka qenë i dyshimtë. Filohori thotë se edhe vetë vendi rreth Dodonës u quajt Helopia, sikundër quhej edhe Eubea. Hesiodi me të vërtetë thotë kështu: "Është një farë vendi që quhet Helopi, e begatshme dhe me shumë livadhe, në fund të këtij vendi ndodhet një e quajtur Dodonë". Siç  thotë Apollodori, disa kujtojnë se kjo faltore u quajt kështu nga kënetat, që janë rreth e rrotull; por poeti thotë se nuk i quajnë helë, por selë ata që banojnë rreth faltores, duke shtuar se aty rrjedh një lum i quajtur Seleent, kur thotë: "Larg Efyrës dhe lumit Seleent". Po Skepsi thotë se nuk është fjala për Efyrën e Thesprotisë, por për atë tek elejt se këtu është lumi Seleent, ndërsa nuk ka të tillë as tek thesprotët, as tek molosët. Sa për legjendat që fliten rreth lisit dhe pëllumbave dhe për të tjera si këto,


ashtu siç flitet edhe për ato të Delfit, disa i përkasin mënyrës e shprehjes poetike, e disa të tjera janë objekt studimi i kësaj vepre. Dodona, pra, në kohët më të vjetra ishte nën sundimin e thesprotëve, ashtu dhe mali Tomar ose Tmar (se të dy emrat përdoren), nën të cilin ndodhet faltorja dhe tragjikët si edhe Pindari e quajnë Dodonën thesprote, më vonë u vu nën pushtetin e molosëve. Edhe ata, që poeti i quan Hypofetë1) të Zeusit dhe për të cilët thotë se ishin të zbathur dhe flinin përdhe, thuhet se u quajtën tomurë nga Tomari; kështu disa shkruajnë në Odise se Amfinomi, duke i këshilluar dashnorët e Penelopës që të mos i sulen Telemahut para se të pyesnin Zeusin, u thoshte: "Nëqoftëse do të japin pëlqimin tomurët e Zeusit të madh, ai do të vritet, kurse gjithë të tjerët do të shtypen, po nëqoftëse perëndia nuk do t'u lejojë, atëherë ju këshilloj të hiqni dorë". Është më mirë të shkruajmë tomurë se sa themistë, se poeti në asnjë vend nuk i quan themistë orakujt po vetëm mendimet, regjimet dhe ligjët.
Pra autorët më të rinj i quajnë tomurë; kurse Homeri, më drejtë, duhet pranuar se fjala themistë përdoret në kuptim të gjerë për urdhërat dhe vendimet e orakullit si dhe për ligjet. Këtë kuptim ka edhe thënia: "Prej lisit të lartë duhet të dëgjojmë vullnetin e Zeusit".
Në fillim ata, që profetizonin ishin burra; ndoshta këtë do ta thotë edhe poeti, i cili i quan hypofetë, duke vënë në një radhë me ta edhe profetët. Por më vonë u zgjodhën tri plaka, mbasi edhe Diona adhurohej bashkë me Zeusin. Por Suida, duke treguar legjenda mbi Thesalinë thotë se faltorja u soll këtu nga Pellazgjia që ndodhet rreth Skotusës (Skotusa është në krahinën Pelasgiotis të Thesalisë) dhe së bashku me faltoren erdhën gra, pasardhëse të të cilave janë profeteshat e sotme; kështu thonë se nga kjo edhe Zeusi u quajt pre Kinesë, pellazgjik.

Fragmente nga Libri VII

Orakulli ishte më përpara afër Skotusë, qytet i krahinës Pellazgiotis. Mbasi lisi u dogj prej dikujt me porosinë e Apollonit, ai [orakulli] u transferua në Dodonë. Jepte porosi jo me fjalë, por me simbole si orakulli i Amonit në Libi, duke u nisur nga fluturimet e veçanta të tre pëllumbave, sipas të cilave profetët, duke i vështruar, profetizonin. Thonë se plakat, në gjuhën e molosëve dhe të thesprotëve, i quajnë pelia, ndërsa pleqë pelii; ndoshta nuk ishin shpendë peliadet, që përmenden ndër legjendat, por tri gra plaka, të cilat kalonin kohën në faltore.
Si tek maqedonasit edhe tek thesprotët e molosët plakat i quanin pelia dhe pleqtë pelii. Pra ata i quajnë peligonë njerëzit e nderuar, ashtu si quajnë tek lakonët dhe masaliotët pleqtë. Prej kësaj, sipas legjendës dhe ato që shërbejnë tek lisi i Dodonës, i quajnë pelia.
Sipas gojëdhanës këtej mori emrin dhe "ena prej bakri e Dodonës". Kjo enë prej bakri ishte brenda në faltore dhe kishte mbi vete një shtatore që mbante në dorë një kamzhik prej bakri, dhuratë e korkyrasve. Kamzhiku ishte i trefishtë në formë zinxhiri, i përbërë prej tre vargjesh, të cilat, kur tundeshin prej erërave, goditnin enën prej bakri dhe nxirrnin tinguj të gjatë, sa që ai që numëronte mund të arrinte numrin katërqind, prej kësaj doli dhe thënia "kamzhiku i korkyrasve".
Paionia është në lindje të këtyre fiseve2) dhe në perëndim të maleve thrake; nga




veriu shtrihet mbi maqedonasit, duke pasur përmes qytetit Gortyn dhe Stobi, hyrjen për në…1) nëpër të cilat [vise] rrjedh lumi Aks dhe bën të vështirë hyrjen në Maqedoni nga Paionia, sikurs Penei, duke kaluar përmes ngushticave të Tempeve e mbron Maqedoninë nga Hellada; nga jugu2) kufizohet me autariatët, dardanët dhe ardianët. Paionia shtrihet deri tek lumi Strymon.
Kurse Orestia është e banuar dendur dhe ka kufi të gjera që arrijnë deri në Korak të Etolisë dhe në Parnas. Afër saj banojnë orestët dhe tymfejt, dhe helenët që gjenden jashtë Istmit përreth Parnasit, si dhe në Oita e Pind. Në përgjithësi mali quhet me emrin e përbashkët Boion, ndërsa për pjesët e tij ka shumë emra. Thonë se nga majat e larta shikohet deti Egje, si dhe Ambrakia e Joni; më duket se janë duke folur në mënyrë të tepëruar…
Maqedonia kufizohet nga perëndimi me bregdetin e Adrias, nga lindja me vijën paralele me këtë, e cila kalon nëpërmjet derdhjes së lumit Hebrit dhe qytetit Kypsela, ndërsa nga veriu me vijën e drejtë të imagjinuar që kalon nëpërmjet malit Bertisk, Skardit, Orbelit, Rodopit dhe Hemit. Këto male, duke filluar prej Adrias, ndjekin drejtimin qe lindjes deri në Euksin, duke formuar një gadishull të madh në jug të tyre që përfshin Thrakinë, së bashku me Maqedoninë, Epirin dhe Ahenë; nga jugu kufizon me rrugën Egnatia që fillon prej qytetit Dyrrah dhe arrin, në lindje, deri në Thesalonik; dhe është kjo skema e Maqedonisë, që i afrohet një paralelogrami.
Maqedonia më përpara quhej Emathia. Emrin e mori nga një udhëheqës i vjetër që quhej Maqedon. Ishte edhe qyteti me emrin Emathia afër detit. Këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire, ndërsa pjesën më të madhe – botiejt dhe thrakët. Të parët, siç thonë, janë me prejardhje nga Kreta dhe kishin udhëheqës Boton, ndërsa prej thrakëve pierejt banonin në Pieri dhe në viset rreth Olympit, kurse paionët në viset rreth lumit Aks të quajtura për këtë Amfaksite3).
Ndërsa Penei ndan Maqedoninë e Poshtme dhe atë bregdetare prej Thesalisë e Magnezisë, Haliakmoni ndan Maqedoninë e Sipërme nga epirotët e paionët, sikurse e bëjnë këtë Erigoni, Aksi dhe lumenjtë e tjerë.
… Mbi këtë lum [Aksin] gjendet një fortifikatë e vetmuar, e cila tani quhet Abydon, ndërsa Homeri e quan Amydon dhe thotë se paionët erdhën që këndej në ndihmë të Trojës. "Larg nga Amydoni prej Aksit të gjerë"; u shkatërrua që nga themelet prej argeasve.
… Dhe vetë mali Pange ka miniera të arit dhe të argjendit, ashtu si kanë miniera të tilla dhe viset më tutje tij si dhe lugina e lumit Strymon deri në Paioni; gjithashtu thuhet se ata që kanë punuar tokën e Paionisë kanë gjetur atje disa copa ari.
.. Kur njeriu ecën në drejtim të veriut prej Heraklesë dhe ngushticave nga të cilat kalon Strymoni, duke lënë në të djathtë lumin, nga e majta ka Paioninë dhe viset rreth Doberit, Rodopit dhe malit Hemi.
… Jo vetëm Aksi, por edhe Strymoni i ka burimet në Paioni…
Paionët disa i quajnë kolonë frygas, disa të tjerë vendas, ndërsa Paionia thonë se shtrihej deri në Pelagoni dhe Pieri; Pelagonia më përpara quhej Oresti, kurse Asteropeun, njërin prej udhëheqësve paionë, që mori pjesë në luftën kundra Ilionit, jo pa të drejtë e quajnë të birin e Pelagonit, ndërsa vetë paionët i quanin pelagonë.



Tek  Homeri, Asteropeu përmendet si djalë i Pelegonit, nga Paionia e Maqedonisë; prandaj dhe quhej djali i Pelegonit, ndërsa paionët quheshin pelagonë.
… Sikurse më parë edhe tani duket se paionët zënë një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme, sundonin Perinthin, Krestoninë, gjithë Mygdoninë si dhe vendin e agrianëve deri në malin Pange…
… Pauli, pra, i cili mundi Perseun, mbasi bashkoi me Maqedoninë edhe fiset epirote, e ndau vendin në katër pjesë, njërën ia dha Amfipolit, tjetrën Thesalonikut, të tretën Pelas dhe të fundit pelagonëve.
… Gjatësia e përgjithshme që nga gjiri i Jonit, afër Apollonisë, e deri në Byzant është rreth shtatë mijë e treqind e njëzet stade. Polibi shton edhe njëqind e tetëdhjetë të tjera.


LIBRI VIII

1 … Tregimi ynë mbaron, përsa i përket anës perëndimore dhe veriore, me fiset epirote dhe ilire, ndërsa nga ana lindore me fiset maqedonase deri në Byzant. Pas epirotëve dhe ilirëve prej helenëve janë akarnanët, etolët, lokridasit dhe ozolët…
Efori totë se fillimi i Helladës është Akarnania nga ana e perëndimit, sepse kjo takon e para me fiset epirote.

3 … Këtu [pranë Arpinës[ gjendet Kikysi, një nga të tetët dhe Dysponti,në rrugën e cila të shpie që nga Ilida në Olympia që ndodhet në fushë; u braktis dhe më të shumtët [e banorëve] ngritën ankorat [e shkuan] në Epidamn e Apolloni.

6 … Argasit nuk e pranuan Pirron (por ai, siç duket, u vra para murit se një plakë i lëshoi nga sipër mbi kokë një tjegull).

7 … Kur Pirrua filloi ekspeditën në Itali, me të u bashkuan katër qytete, ndërmjet të cilave ishin Patra dhe Dyme. Pastaj u përfshinë edhe disa nga të dymbëdhjetët përveç Olenës dhe Helikës, nga të cilët i pari nuk u bashkua, ndërsa i dyti u zhduk prej dallgëve.

LIBRI IX

4 … Atamanët janë të fundit nga epirotët që morën famë; tani të tjerët nuk përmenden; ata me mbretin Amynander u bënë të fuqishëm; këta zotëronin Oitën…
5 … Nga të dy anët që prej Pelit dhe Peneit në drejtim të viseve të brendshme janë maqedonasit, që shtrihen deri në Paioni, dhe fiset epirote…
Faqja e malit nga Maqedonia duhet quajtur veriore, ndërsa ana e kundërt jugore. Pjesa tjetër është ajo perëndimore, të cilën etolët, akarnanët dhe amfilohët dhe prej epirotëve atamanët dhe molosët, si dhe toka e quajtur dikur e etikëve, e gjithë rreth Pindit…1) me përjashtim të Pelit dhe Oses…
Përsa i përket shtrirjes territoriale dhe vendeve të sunduara prej thesalëve dhe maqedonasve, ata që gjendeshin pranë tyre, veçanërisht disa fise epirote me dashje ose pa dashje ishin nën sundimin e thesalëve ose të maqedonasve, si p.sh. atamanët, ethikët dhe talarët nën thesalët, ndërsa orestët, pelagonët dhe elimiotët nën maqedonasit.

Pindi është mal i madh, nga veriu ka Maqedoninë nga perëndimi perrebejt, njerëz nomadë, nga jugu dolopët, ndërsa nga lindja…1) ajo është e Thesalisë. Mbi vetë Pindin banonin talarët, fis molos, një pjesë prej atyre të Tomarit dhe etikët tek të cilët poeti thotë se u shpunë kentaurët prej Peirithit.

LIBRI X

1 Afër thesalëve dhe oitëve nga perëndimi janë etolët, akarnanët dhe atamanët, nëqoftëse duhe t 'i quajmë dhe këta helenë. Këtej e tutje do të japim spjegime për këta për ta pasur të plotë udhëtimin mbi Helladën.
2 … Në brendësi dhe në pjesën veriore mbi akarnanët gjenden amfilohët, mbi këta dolopët dhe Pindi, ndërsa mbi etolët perrebejt dhe atamanët…
Me fjalën Epir [Homeri] nënkupton vendet përkarshi ishujve, duke dashur të përfshijë pas Leukadës edhe Akarnaninë tjetër, për të cilën thotë kështu: "Dymbëdhjetë kope në Epir, kaq shumë dhen kullosin". Ndoshta në kohë të lashta toka epirote shtrihej deri këtu dhe quhej me emrin e zakonshëm të Epirit.

Temat e fundit