×

Lezha, pushime në det, në lumë, në lagunë e në mal

· 2 · 5219

Lezha, pushime në det, në lumë, në lagunë e në mal

· 2 · 5219

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 31-08-2011, 08:43:05
Lindita Kokaj

Qarku i Lezhës me pozitën e favorshme gjeografike, me burimet natyrore turistike dhe me numrin e madh të objekteve historike dhe arkeologjike, ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit. Në këtë qark ndodhen 34 monumente natyre dhe 21 objekte kulti,muzeale,arkeologjike dhe historike. Turizmi përbën degën më me shpresë për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë. Pastërtia ekologjike e mjedisit tokësor, ujor e ajror, prania floristike me pyje, lëndina e livadhe, fauna e shumëllojshme, klima e përshtatshme e të tjerë faktorë, tregojnë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për zhvillimin e një turizmi bashkëkohor dhe të qëndrueshëm me të gjitha llojet e pasurive turistike: detare, lagunore e luginore (luginat e lumenjve) e ndër të tjera turizëm malor. Lezha është vendi ideal ku mund t’i bësh të tëra, në një vend të vetëm.



Turizmi bregdetar

Qarku i Lezhës kufizohet në pjesën perëndimore me detin Adriatik, kështu që turizmi bregdetar mbetet më kryesori. Rajoni ka një sipërfaqe turistike bregdetare afro 11 000 ha, vijë bregdetare prej 38 km (duke filluar nga Kepi i Rodonit dhe deri në Velipojë),me plazhet e mrekullueshme të Shëngjinit, Tales, Patokut, Godullit etj. Gjerësia e brezit bregdetar prej 3 km përbën një tjetër favor për zhvillimin e turizmit.

Shëngjini

Ndër plazhet më të frekuentuara si nga pushues vendas ashtu dhe të huaj mbetet plazhi i Shëngjinit ku fluksi ditor i pushuesve varion nga 40 000 (në ditë të zakonshme) deri në 90 000 (në fundjavë). Pushuesit janë kryesisht jo vetem nga 3 rrethet e Lezhës por edhe nga Shkodra, Kruja si edhe nga kryeqyteti.

Ndërkohë mësohet se me vënien në efiçensë të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, numri i pushuesve kryesisht kosovarë është rritur me 30 %.

Ndërkaq pushuesit kosovarë dhe ata maqedonas të akomoduar në këto ditë gushti në plazhin e Shëngjinit shprehen mjaft të kënaqur me kushtet e ofruara nga operatorët turistikë, si edhe me përmirësimin e kushteve nga ana e komunës sin ë shërbime ashtu edhe në infrastrukturë. Ata vlerësojnë pastërtinë e plazhit, qetësinë si dhe bukuritë natyrore. “Është një plazh i mrekullueshëm që të fal shumë qetësi të cilën mund ta gjesh vetëm në Shëngjin”.



Në plazhin ranor që ofron Shëngjini turizmi sa vjen dhe njeh zhvillime akoma më të mëdha. Pastërtia e detit, ajri i pastërt si dhe qetësia që ofron ky plazh përthith çdo vit e më shumë turistë të huaj dhe vendas , të cilët shprehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara. Hapja e autostradës drejt Kosovës i jep një tjetër dimension Shëngjinit si dhe mbarë turizmit në rajonin e Lezhës, duke bërë që kjo zonë të marrë një zhvillim të vrullshëm. Njësitë akomoduese, të cilat ofrojnë një shërbim cilësor, shtrihen në një pjesë të madhe të gjatësisë së plazhit. Këto janë ndërtime të viteve të fundit dhe nuk mungojnë baret, restorantet, diskot etj, të cilat plotësojnë më së miri kënaqësitë e turistëve.

Plazhi i Shëngjinit me disa pika pothuajse të virgjëra është një premisë për ndërtimin e fshatrave turistikë, të cilat kanë nisur të ndërtohen me inisiativa private.

Plazhi i Tales

Gjithashtu edhe plazhi i Tales në Komunën e Shënkollit deri më dje “i virgjër”, pas përfundimit të ndërtimit të rrugës lidhëse me autostraden Lezhë-Tiranë, po popullohet cdo ditë dhe më tepër, dhe këtë vit do të tërheqë në gjirin e tij numrin më të lartë të pushuesve si kurrë ndonjëherë.

Shëngjini:

40 000 turistë në një ditë jave

90 000 turistë në në fundjavë

Turizmi lagunor

Lagunat e bregdetit Kune-Vain dhe Patok trashëgojnë vlera të papërseritshme natyrore duke krijuar një peisazh piktoresk të rrallë. Këto laguna popullohen nga një numër i madh speciesh të florës dhe faunës ujore duke dhënë një kontribut të veçantë në biodiversitetin,burimet ushqimore dhe vlerat estetike. Këtu gjenden një larmi formash me kombinime të rripave ranore, gjireve, ishujve dhe lagunave dytësore.

Turizmi luginor

Qarku i Lezhës përshkohet nga shumë lumenj si: Drin , Gjadër, Fan, Mat, Drojë, Ishëm, Urdhazë etj. Vërshimi i tyre nëpër male e lugina dhe zbritja e tyre në zonat fushore krijojnë bukuri natyrore mahnitëse dhe si rezultat edhe mundësi të zhvillimit të turizmit në këto lugina. Luginat e Qarkut të Lezhës sidomos ajo e Bulxhërit janë të rralla në llojin e vet.

Një ndër prioritetet ka qenë shndërrimi i lumit Drin në një lumë të lundrueshëm. Me investimet e realizuara vitet e fundit thjesht janë evituar përmbytjet pasi nuk ka ende ndonjë investim konkret, por vetëm “projekte të skicuara”.

Turizmi malor dhe alpin

Në Lezhë mund të kalohen pushimet edhe në natyre, pasi Qarku i Lezhës ka mjaft pasuri turistike ekologjike,malore dhe alpine. Ndër pasuritë e këtij turizmi mund të veçojmë: pyjet, burimet, bimësinë,monumentet e natyrës etj. Këto pasuri shfaqen në një sipërfaqe prej 93 264 ha në zonën kodrinore dhe malore të qarkut. Masivet malore të shumta me lartësi të mëdha mbi nivelin e detit me pyjet,livadhet dhe burimet krijojnë bukuri të rralla dhe mundësi për zhvillimin e turizmit malor dhe alpin,kryesisht në bjeshkët karakteristike si: Kunorë, Munellë, Orosh, Selitë, Xhuxhë (në Mirditë), Trodhne (në Kurbin),Malung dhe Velë (në Lezhë).

Qarku ynë ka dhe mjaft resurse turistike natyrore, ujëmbledhëse dhe burime natyrore ujore si: Hoteli i Gjuetisë (Lezhë) , Fushë Kuqe, Shkopet, Malaj, Gurra e Domgjonit (Fan), Shpella e Akullit (Orosh), Ujëvara e Bargjanës,Shpella e Batrave,Shpella e grykës së Valit në Perlat, Kroji i Bardhë në Kunorë dhe liqenjtë e Lurës rreth Bjeshkës së Kunorës.

Ndër bukuritë natyrore dhe me vlera kurative është Kroi i Bardhë në Bjeshkët e Kunorës dhe të Valmorit (në Selitë Mirditë).Është ujë kurativ për shumë sëmundje të ndryshme ndaj dhe vizitohet jo vetëm nga vendas por dhe turistë të huaj.

Turizmi arkeologjik dhe historik



Mbi 21 objekte kulti, arkeologjike, historike dhe muzeale janë një tjetër pasuri për zhvillimin e turizmit në qarkun tone, duke thithur turistë të shumtë nga Trojet Shqiptare, Europa dhe më gjerë. Ndër këto objekte me vlera turistike mund të veçohen:

Në Lezhë-Memoriali “Gjergj Kastrioti” Skënderbeu (Kisha e Shën Nikollës,Kuvendi i Besëlidhjes dhe Vendvarrimi i Skënderbeut) me mbi 10 mijë vizitorë në vit, Kalaja e Lezhës (Kështjella Arbërore),Nimfeumi (Shëngjini i sotëm)etj. Objektet e Kultit; Kisha e Shën Gjon Kryepremit (mbajtur Kuvendi i Arbrit),Kisha e Shën Nunciatës ,Shna Premtës,Shmisë,Shën Shtjefnit etj

Në Kurbin-Kalaja e Sebastes,Kalaja e Daules,Kulla e Përvizit,Kisha e Shna Ndout (sot edhe vend pelegrinazhi),shpella e Shna Vlashit,Ipeshvnia e Delbnishtit,Ura e Zogut etj

Në Mirditë-Kisha e Oroshirt,Gëziqit,Malaj,Shëlbuemit (Rubik), Rrënojat e Sarajeve të Kapedanit (Gjon Markut) etj.

Akomodimi

Zhvillimi i turizmit me të gjitha degët e tij ka favorizuar edhe zhvillimin e një sërë aktivitetesh fitimprurëse si: Bar-Restorante, Hotele-Motele, Vila , Dyqane etj. Pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruar në zonën e Shëngjinit.

Sipas statistikave zyrtare në të gjithë qarkun ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 80 hotele dhe dhjetëra motele. Një pjesë e mirë e tyre ndodhen në Shëngjin.

Krahas hoteleve dhe moteleve në dispozicion të pushuesve dhe të turizmit bregdetar janë vënë edhe mbi 600 banesa (familjare).

Variacioni i çmimeve reflekton edhe standardin e shërbimit.

Çmimet

Hotelet: 30-80 euro/ditë për një familje deri në 4 persona.

Banesa familjare: 10-30 euro nata për familje 2-4 persona.

Gastronomi

Prodhimet e freskëta të detit serviren në të gjitha lokalet dhe restorantet në Shëngjin, Tale dhe Patok. Kemi një ndërthurje të kuzhinës tradicionale shqiptare me atë italiane.

Peshku është i freskët, dhe zihet në Shëngjin ose Patok.

Sallata me fruta deti si dhe rizoto mbeten ushqimet ndër më të preferuarat në restorantet e Shëngjinit si për pushues vendas ashtu edhe të huaj. Në Ishull të Lezhës (Hoteli i Gjuetisë) krahas prodhimeve të detit, një ushqim tradicional është byreku me pulë.

Pulëzat dhe zogjtë, mbeten ndër më të preferuarit e kuzhinës kryesisht në Kune dhe Vain por edhe në Ishull Lezhë.

Rizoto me fruta deti mbeten ndër më të preferuarat dhe që serviret në cdo restorant në Shëngjin.

3500- 6000 lekë varion një drekë apo darkë me asortimente deti për një familje deri në 4 persona.

Peshku: 500 – 1 000 lekë në varësi të llojit.

Picat: 450 – 600 lekë.

Mishi: 400-800 lekë (racioni).

Fast food

Gjithashtu në Shëngjin për pushuesit ofrohen edhe ushqime të tjera të gatshme kryesisht me përbërje brumi siç janë byrekët me çmime nga 40-80 lekë, dhe produkte standarte Fast Food-i, të cilat kushtojnë 20-30 lekë më tepër sesa në qytetin e Lezhës.

Argëtim

Shumë pub dhe lokale që në ditë e para të qershorit kanë nisur mbrëmjet e tyre relaksuese për pushuesit në pistat mbi det por edhe në ambjentet e brendshme, duke ftuar këngëtarë të mirënjohur shqiptar, por edhe nga Kosova dhe Mali i Zi. Çmimet variojnë nga 500-1000 lekë, duke përfshirë vetëm hyrjen.

Muzika lejohet deri në orën 24:00.

Komplekset turistike kanë në shërbim të fëmijëve edhe kënde të lojrave. Po ashtu në bregdet janë ndërtuar edhe 2 kënde lojrash provizor për fëmijë.

Shëtitje me motorrat e ujit, pasi është legalizuar lëvizja e tyre, pasi kanë plotësuar kushtet dhe në afërsi të Portit është caktuar vendbazimi i motorave të ujit.

Transporti (vajtje-ardhje)

Lezhë-Shëngjin (furgon)-  100 lekë/person

Lezhë-Shëngjin (autobus)- 60 lekë/person

Mamurras-Lezhë-Shëngjin- 500 lekë/person

Laç-Lezhë-Shëngjin- 400 lekë/person

Mirditë-Lezhë-Shëngjin- 500 lekë/person

Tiranë-Lezhë-Shëngjin (autobus)- 500 lekë/person

Tiranë-Lezhë-Shëngjin (furgon) -  600 lekë/person

Shkodër-Lezhë-Shëngjin (autobus)– 400 lekë/person

Shkodër-Lezhë-Shëngjin (furgon) – 500 lekë/person

Kosto Ekstra

Shezllong (qëndrim ditor) – 300 lekë

Parkim automjeti- 100 lekë

  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 12163
  • Gjinia: Femer
dreamm
#1 ne: 27-05-2013, 20:21:41
 :) :) :)
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super