Shperthen racizmi grek ndaj Alban Bushit ! - Shqiptaria

×
Hyrja
Profili

Shperthen racizmi grek ndaj Alban Bushit !

Shperthen racizmi grek ndaj Alban Bushit !

· 3 · 1239

  • Postime: 27103
  • Gjinia: Mashkull

ne: 17-04-2007, 05:14:29
Pas një episodi të rëndomtë të ndodhur në ndeshjen Apollon-Panathinaikos, sulmuesi i kombëtares shqiptare është vënë nën shënjestrën e mediave greke, por edhe të organeve të drejtësisë. Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Greqisë ka urdhëruar që të hapet një hetim ndaj Alban Bushit dhe të shqyrtohet mundësia e dëbimit të tij nga shteti helen

Alban Bushi gjendet në një pozicion mjaft të vështirë, pas epidodeve të ndodhura të dielën në ndeshjen Apollon Kallamaria-Panathinaikos. Bushi në këtë takim ka pasur një përplasje me kapitenin e skuadrës kundërshtare dhe në fund të ndeshjes, pasi ka shënuar golin e barazimit, sulmuesi i Apollonit ka festuar në mënyrë paksa të ekzagjeruar, duke i treguar grushtin e ngritur pankinës së Panathinaikosit. Për këtë veprim të sulmuesit shqiptar media greke ka rreaguar mjaft ashpër, ku nuk kanë munguar edhe epitetet raciste. Por sikur të mos mjaftonte kjo në lojë kanë hyrë edhe përfaqësuesit e drejtësisë. Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Greqisë, Athanasios Kanellopulos ka urdhëruar hapjen e një hetimi ndaj Alban Bushit.

Hetim penal ndaj sulmuesit shqiptar, kërkohet dëbimi nga Greqia

Nuk është e thënë që fqinjët tanë të kapërdijnë lehtë incidentin më të vogël që mund të vijë nga një shqiptar, qoftë ai edhe një “yll” i futbollit vendas. Edhe pse Alban Bushi në këto momente është një nga futbollistët më të mitë të huaj në kampionatin helen dhe lojtari më deçiziv i skuadërs së Apollonit të Kallamarias ai është bërë “viktimë” e racizmit grek. Për një veprim në nervozizëm e sipër në fushën e lojës, një gjest të cilin e kemi parë me qindra herë nga shumë futbollistë në të gjithë botën, madje edhe yje të mëdhenj të futbollit botëror, sulmuesi i kombëtares shqiptare është i detyruar të përballet me prokurorinë greke. Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Greqisë, Athanasios Kanellopulos ka urdhëruar hapjen e një hetimi ndaj Alban Bushit për episodet e zhvilluara në ndeshjen Apollon-Panathinaikos. Sipas medias helene prokurori Kanellopulos ka kërkuar nga policia greke që të hetojë rreth dokumentacionit që poseidon Bushi dhe nëse ka ndonjë problem me lejen e tij të qëndrimit të shqyrtohet mundësia e dëbimit të tij nga Greqia. Nga ana e klubit ku aktivizohet Bushi, ky pretendim i prokurorisë hidhet poshtë. Drejtuesit e Apollon Kallamarias kanë deklaruar se Bushi është i paisur me dokumentat e duhura dhe jo vetëm që ka leje qëndrimi, por edhe paguan rregullisht taksat si çdo qytetar grek. Drejtuesit e klubit nga Kallamariaja janë shprehur se dokumentat e Bushit janë futur në polici më 26 shtator të vitit të kaluar, kështu që të paktën deri më 30 qershor të këtij viti ai ka të drejtë të qëndrojë ligjërisht në Greqi, megjithëse realisht ai mund të qëndrojë deri më 25.9.2007 kur i skadon leja e qëndrimit.

Klubi “i tërheq veshin” Bushit

Pas zhurmës së madhe që u krijua nga mediat greke, klubi i Bushit është detyruar që të mbajë qëndrim. Kështu sipas mediave helene drejtuesit e Apollonit e kanë thirrur sulmuesin shqiptar në zyrat e klubit. Për momentin nuk janë bërë të ditura masat që do të merren ndaj tij, por sipas gazetarëve grek ka shumë pak gjasa që Bushi të dënohet nga klubi, pasi ai është lojtari më i mirë i Apollonit dhe trajneri Kaçavaqis ka vënë veton për një ndëshkim të mundshëm. I vetmi dënim i mundshëm i sulmuesit të kombëtares shqiptare nga klubi i tij mund të jetë ndonjë gjobë finaciare.

Ngjarja

Sulmuesi i kombëtares shqiptare është kthyer në protagonistin kryesor të kapionatit grek në këtë fundjavë. Alban Bushi ka shënuar të dielën në minutën e dytë shtesë, me 11-metërsh, golin e barazimit në ndeshjen Apollon-Panathinaikos, duke i dhuruar skuadrës së tij një pikë shumë të vlefshme, nëpërmjet së cilës qëndrimi në Superligën helene është gati i siguruar. Në minutën e 55-të, Bushi është bërë protagonist i një episodi aspak të këndëshm. Në këtë minutë, gjyqtari i takimit, Thanasis Briakos, ka akorduar një 11-metërsh për Panathinaikosin pas një rrëzimi në zonë të kapitenit të “të gjelbërve” të Athinës, Dhimitris Papadhopulos. Para ekzekutimit të 11-metërshit, Bushi ka replikuar me Papadhopulosin dhe e ka pështyrë atë në fytyrë. Kapiteni i Panathinaikosit ka reaguar duke e goditur me pëllëmbë Bushin, i cili në mënyrë paksa të ekzagjeruar ka rënë në tokë. Gjyqtari kryesor ka parë vetëm pjesën e dytë të episodit dhe ka ndëshkuar me kartonin e kuq lojtarin e Panathinaikosit, ndërsa Bushi ka shpëtuar. Sikur të mos mjaftonte kjo në fund të ndeshjes sulmuesi i kombëtares shqiptare është bërë sërish protagonist, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në minutën e dytë shtesë, gjyqtari ka akorduar një 11-metërsh për Apollonin, që sipas mediave greke ishte i paqenë. Sidoqoftë, “Loku” ka marrë përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, duke e shndërruar atë në gol. Por, pas shënimit të golit Bushi ka festuar në mënyrë paksa të ekzagjeruar, duke bërë gjeste anti-sportive ndaj pankinës athiniote.

Bushi: Nuk ofendova njeri, thjesht festova golin

Vetë sulmuesi i kombëtares shqiptare ka mbajtur një qëndrim të qetë përpara kësaj “stuhie” greke. Bushi ka deklaruar për mediat helene se nuk ka dashur që të ofendojë asnjeri thjesht ka festuar golin me shokët e skuadrës. “Unë thjesht festova golin e shënuar, ka deklaruar “Loku”. Nuk kisha ndërmend të ofendoja asnjeri”. Për sa i përket episodit me Papadhopulosin, sulmuesi i Apollonit është justifikuar me nervozizmin në lojë e sipër dhe është shprehur se nuk poe kupton se përse po bëhet kaq zhurmë e madhe. “Nuk e di se pse po i bëhet jehonë kaq e madhe një episodi të ndodhur në lojë e sipër. Për mendimin tim ajo ishte diçka që ndodhi në fushë dhe çfarë ndodh aty përfundon aty”, ka përfunduar Alban Bushi.

Shokët e justifikojnë

Por nuk janë të gjithë kundër Bushit në Greqi. Shokët e skuadrës së tij dhe trajneri e kanë mbështetur sulmuesin shqiptar. Mbrojtësi i Apollonit, Nikos Papadhopulos, në një deklaratë të dhënë për radion sportive “Super-Sport FM” ka deklaruar se reagimi i Bushit ka ardhur për shkak të tensionit të madh që kishte kjo ndeshje dhe presionit të tij për të aritur një rezultat pozitiv skuadra. “E justifikojë veprimin e Albanit, sepse ishte një ndeshje mjaft deçizive për ne dhe kuptohet që ankthi e nervat janë të tendosura në maksimum, ka deklaruar mbrojtësi grek. Është hera e parë që ai silet në këtë mënyrë dhe për këtë arsye nuk duhet që tani ti vërsulen të gjithë. Njeri është dhe gaboi, duke dashur që të bëjë maksimumin për skuadrën e vet. Kaq është e gjitha mos ta dramatizojmë kot”.

6 gola në 6 ndeshje

Edhe pse është vënë në qendër të vëmendjes për diçka josportive, përsëri meritat futbollistike të Alban Bushit nuk mund të fshihen kaq lehtë nga kritikët e tij. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në aspektin josportiv, Bushi ka qenë edhe një herë tjetër një nga lojtarët më të mirë për skuadrën e tij, duke konfirmuar formën e mirë që gëzon kohët e fundit. Goli kundër Panathinaikosit është goli i 9-të sezonal i sulmuesit të kombëtares shqiptare në kampionatin grek (8 në kampionat dhe 1 në Kupë). Si shumica e golave të Bushit edhe i djeshmi i ka dhuruar pikë Apollonit, duke i siguruar në një përqindje të madhe qëndrimin në Superligën greke. Një fakt tjetër i rëndësishëm është që goli i djeshëm i “Lokut” është i treti i tij në këtë sezon kundër Panathinaikosit. Por përveç kësaj ku gol i Bushit ka bërë që ai të vazhdojë një seri të jashtëzakonshme. Në 6 ndeshjet e fundit që është aktivizuar (sepse ka munguar në një për arsye pezullimi nga kartonat e verdhë) sulmuesi i përfaqësuese kuqezi ka shënuar po kaq gola. Kështu, Bushi ka shënuar me radhë kundër: Panionios, PAOK, AEK, Iraklis, Ergotelit dhe Panathinaikosit. Për më tepër që në të gjitha këto ndeshje skuadra e tij ka fituar pikë dhe kjo falë golave Bushit, që tani po bëhet viktimë e sulmueve raciste të grekëve, të cilët mesa duket nuk mund të honepsin dot as ofendimin më të vogël nga një shqiptar. “Loku” mos u mërzit se do t’iu kalojë.

AUREL PEPA

  • Postime: 3003
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 18-04-2007, 19:13:20
Sa mire ua beri Loku ndyresirave greke. Le te plasin nga inati dhe ta marrin vesh mire se Alban Bushi nuk eshte si Sotir Niti.

Rrofsh o Loku, na ke nderu sa nuk thuhet.

  • Postime: 27103
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 19-04-2007, 07:21:05
Flet babai i sulmuesit të kombëtares shqiptare, Alban Bushit, Ali Bushi

“Kundërshtari e shau “shqiptar i ndyrë”

Shqetësimi për Alban Bushin ndjehet direkt sapo takon prindërit e tij në kompleksin futbollistik në lagjen Kombinat të Tiranës. I ati, Ali Bushi, të pret me mirësjellje, por nuk mund të fshehë atë që ndjen për të birin që luan në Greqi. Është i qartë për atë që i ka ndodhur, por shpreson se e gjithë kjo do të përfundojë me një pezullim prej një ndeshje. Flet i shkujdesur dhe në çdo moment duket sikur kërkon të na sqarojë sa më mirë se djali i tij është veçse pre e provokacioneve të futbollistëve të Panathikaikosit. Aty-këtu në ndihmë i vjen edhe e shoqja, Bukuria dhe djali i tij, Erjon. Edhe këta tregojnë për popullaritetin që tashmë ka Alban Bushi në Greqi dhe simpatinë që ka krijuar jo vetëm tek tifozët e Apollon Kallamarias, por edhe tek shqiptarët që ndodhen në atë vend. Madje e ëma beson se Albani do të vazhdojë të qëndrojë në Greqi dhe se incidenti nuk do të ndikojë aspak më jetën e tij sportive dhe familjare. “Tani në qershor do t’i lindë edhe një vajzë, prandaj edhe ai e bashkëshortja Teuta kanë kërkuar të qëndrojnë në Greqi”, tregon ajo. E, teksa mundohemi të kapim sa më mirë shqetësimet e familjes së Albanit, nuk ka se si të të mos shkojnë sytë në fotot e shumta që gjenden të varura në murin e bar-kafesë së kompleksit. Janë çaste të paharrueshme të Alban Bushit ndaj kampionëve të tillë si Devid Bekam, Emre, etj, foto, të cilat Aliu i ruan me një farë fodullëku. Më tej ai tregon ekskluzivisht për gazetën “Tirana Observer” edhe bisedën e tij më të fundit në telefon, mëngjesin e sotëm (djeshëm) teksa i biri, Albani i tregon se si e ofendoi sulmuesi i Panathinaikosit gjatë ndeshjes.
Nga pamjet në televizion duket sikur Bushi pështyn sulmuesin e Panathinaikosit, juve a keni folur më Albanin? Si e ka shpjeguar ai gjestin e tij?
Po, sigurisht që kam folur me Albanin. Madje sot në mëngjes (dje) fola prapë me të, sepse desha të di se çfarë flitej për të dhe kur do merrej vendimi. Albani më tha se në të vërtetë nuk e kishte pështyrë. Në momentin kur gjyqtari kishte akorduar penallti sulmuesi i Panathinaikosit kishte shkuar pranë Albanit dhe i kishte thënë: “Ç’është kjo penallti, ore, ik, o shqiptar i ndyrë!” Nga kjo gjë Albanit, si edhe pak gjaknxehtë që është, ishte ofenduar dhe kishte bërë sikur ta pështynte. Por në të vërtetë nuk e pështyu. Ndërsa Papadolulos e qëlloi pastaj. Gjyqtari vetëm këtë gjest pa, sepse ishte me shpinë dhe e nxori me karton të kuq nga loja.
Sipas jush, sa mund të dënohet Bushi?
Tani unë nuk dua të flas me pasion, por sipas rregullores vetëm për gjestin mund të dënohet. Vetëm aty mund të kapet federata greke për ta pezulluar një ndeshje. Unë kaq mendoj dhe besoj se mund ta dënojnë. Vendimi, siç më tha, pritet të merret të mërkurën (sot).
Ku bazoheni për këtë gjë?
Po tani nuk ka qenë vetëm Albani që në futboll ka bërë një gjest të tillë. Edhe futbollistë të tjerë edhe më të famshëm në botë jo vetëm gjestin, por kanë pështyrë dhe nuk janë dënuar më shumë se dy-tri ndeshje. Prandaj besoj se dënimi duhet të jetë vetëm për një takim.
Prokuroria greke dhe policia ka kontrolluar dokumentet e Alban Bushit dhe familjes së tij ditën e hënë...
Po, edhe kjo është një gjë e shëmtuar për mendimin tim. Albani është një futbollist që luan në Greqi prej kohësh dhe do të ishte anormale që të ishte pa dokumente. Pastaj unë nuk mendoj se paskësh qenë kaq e nevojshme për të shkuar deri në shtëpi. Prokuroria mjaftonte të shkonte në klubin e Apollonit për të parë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të. Normalisht drejtuesit e klubit nuk të pranojnë të luash në skuadrën e tyre pa qenë në rregull edhe me dokumentet. Gjithsesi këto janë gjëra që për hir të së vërtetës kanë ndodhur gjithmonë me shqiptarët në Greqi, gjithmonë është abuzuar.
Pas incidenteve, a mendoni se Albani mund të ikë nga kampionati grek i futbollit?
Të them të drejtën, ai ka pasur shumë oferta gjatë kësaj kohe si nga skuadra greke, por edhe nga Qipro e Gjermania, por u ka thënë “jo” për momentin, sepse ka dashur të qëndrojë në Greqi. AEK-u dhe PAOK-u e kanë kërkuar, dhe besoj se arrijnë edhe të gjejnë një të mesme të përbashkët edhe me drejtuesit e klubit të Kallamarias për Bushin. Por edhe Omonia në Qipro dhe Bokumi në Gjermani kanë çuar njerëz për ta parë gjatë këtyre ndeshjeve. Albani, ngase është ambientuar mirë aty, duke parë se tani do të bëhet sërish baba, pasi Teuta, bashkëshortja do të lindë një vajzë aty nga qershori, ka menduar të qëndrojë në Greqi. Gjithsesi me këto që po i ndodhin asgjë nuk i dihet.
Të dalim në një temë tjetër. Gjatë vitit të kaluar u përfol shumë mosha e Alban Bushit...
Po, është e vërtetë. Albani ka pasur disa probleme të vogla, do të thosha nga kjo anë, gjithsesi u zgjidhën më së miri. Normalisht kishte një gabim në moshën e tij të regjistruar në zyrat e shërbimit civil, ku e kishin shkruar datëlindja 1971 dhe jo 1973. Ne e dinim këtë gjë, por duke qenë se atij një gjë e tillë nuk i kishte krijuar ndonjëherë problem, nuk u patëm marrë me atë gjë. Pastaj kur dolën këto thashethemet e moshës, ai shkoi në gjendjen civile dhe verifikoi gjithçka, kështu që nuk ka më arsye për të abuzuar për këtë gjë.
Mosha i pati sjellë probleme në fillim, pasi Bariç, duke ditur se Bushi ishte datëlindja ’71, mendoi të mos ta thërriste në kombëtare...
Po, kjo është e vërtetë. Por unë nuk besoj se mosha duhet të jetë prioritet për një futbollist. Në rast se ai është në gjendje të mirë dhe luan me skuadrën e tij nuk ka pse të mos aktivizohet edhe me ekipin kombëtar. Gjithsesi unë besoj se Albani do të luajë edhe për disa kohë me kombëtaren. Kam folur me të dhe më ka treguar bisedat e tij me trajnerin Bariç.
Ju erdhi keq që nuk shënoi në ndeshjet e radhës me kombëtaren?
Ne normalisht që gëzohemi edhe më shumë kur shënon Albani, por të them të drejtën, në të dyja takimet Bariç e aktivizoi shumë pak në lojë. Pastaj, në Bullgari nuk ishte edhe mirë nga shëndeti. Gjithsesi luajti mirë për ato minuta.
Para asaj ndeshje Alban Bushi deklaronte se nuk do të largohej nga kombëtarja pa shënuar edhe golin e 15...
Sipas meje, ai do të kishte arritur kuotën e njëzet golave në rast se do të luante në të gjitha takimet që në fillim me Bariç. Por unë besoj se do t’ia arrijë të shënojë edhe gola të tjerë.

Panathinaikos
Klubi i Panathinaikos, përveç dënimit që mund të japë Federata Greke e Futbollit ka ngritur një padi civile për fyerjen që ka bërë lojtari shqiptar. Sipas tyre, kapiteni i skuadrës, Papadopulos është ofenduar publikisht, dhe për këtë kërkohet diçka më shumë se një pezullim ose gjobitje. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga drejtuesit e Panathinaikosit ditën e djeshme.

Sotir Nini
Pas vërshëllimës së gjyqtarit në ndeshjen Apollon-Panathinaikos mes “agresorëve” të Alban Bushit ka qenë edhe shqiptari i natyralizuar si grek, Sotir Nini, i cili është përpjekur të godasë patriotin e tij të ligjshëm, edhe pse ai e paraqet veten si grek kudo. Lajmin e ka konfirmuar edhe Alban Bushi në një prononcim për “Tirana Observer”.

Federata greke
Drejtuesit e lartë të Federatës Greke të Futbollit kanë dalë menjëherë në një konferencë për shtyp: “Një gjë është e sigurt, tha vëzhguesi i ndeshjes, shqiptari bëri një gjest të papranueshëm dhe do të kalojë në Komisionin e Disiplinës. Ai ra pre e provokimeve nga ana e kundërshtarëve dhe në fund ndeshja e tij degjeneroi”.

Ofendimet
Alban Bushi ka sqaruar se shkaktarët kryesorë kanë qenë lojtarët e Panathinaikosit, të cilët e kanë sharë gjatë pjesës së dytë. “Pasi Papadopulos doli me të kuq, ata vetëm më kanë sharë gjatë gjithë pjesës së dytë. Unë nuk mund të bëja asgjë tjetër veçse t’u shënoja, dhe kur e bëra këtë gjë, ata i kaluan të gjitha limitet me fjalorin e tyre. Unë e humba kontrollin”.

“Si shpëtuam nga tifozët e Iraklis muajin e shkuar”

Nuk është hera e parë që Alban Bushi vihet në qendër të vëmendjes në Greqi. Një muaj më parë pre e provokimeve dhe mendjeve të sëmura ultrase patën rënë edhe disa nga familjarët e tij në stadium teksa ndiqnin ndeshjen Iraklis-Apollon Kallamaria. Një prej tyre në këtë incident, i cili u mbyll ende pa u hapur nga grekët, ishte edhe i vëllai i Alban Bushit, Erjoni. Ky i fundit në një intervistë për “Tirana Observer” ka treguar detajet e incidentit në Selanik.
Ndeshja Iraklis-Apollon, përveç golit të Bushit, prodhoi edhe një incident ku ju ishit gati protagonist, a mund të na tregoni se çfarë ndodhi?
Luhej takimi Iraklis-Apolon Kalamaria dhe presidenti i klubit të Iraklis, për të sjell sa më shumë tifozë në stadium, kishte ulur edhe çmimet e biletave. Në tribunë, për shembull, një biletë kushtonte vetëm tetë euro. Duke qenë se kushtonte pak, në stadium kishin ardhur edhe shumë tifozë ultras, të cilët ishin ulur edhe në tribunë. Zakonisht tifozët më të zjarrtë ulen në vende të posaçme në çfarëdolloj takimi, ndërsa aty i shikoje gjithandej.
Ju ishit vetëm në stadium?
Jo, kisha shkuar me disa familjarë dhe miq për të parë ndeshjen, por i ndërgjegjshëm se nuk duhesha të ekzaltohesha, pasi mund të ma merrnin për keq.
Edhe sikur të shënonte Albani?
Kjo më tradhtoi. Kur Albani shënoi gol, natyrisht nga entuziazmi i madh, qoftë edhe instinktivisht të vjen të thuash të paktën “gol!”. Në atë kohë u ngritën në këmbë tifozët e Iraklis, të cilët filluan të na ofendonin dhe qëllonin. Sigurisht që deri në momentin e golit as ata nuk e dinin se ne ishim shqiptarë. Pastaj sherri më i madh vazhdoi në korridoret e stadiumit teksa po dilnim, por aty erdhi policia dhe na futën në autobusin e Apollonit për të na larguar.
Albani e pa këtë gjë në stadium?
Jo, që nga fusha e lojës ai nuk e mori vesh se kishim qenë ne, megjithëse e kishte parë se po ndodhte diçka në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, më mirë që nuk e ka parë, pasi mund të kishte ardhur deri aty për të na ndihmuar, dhe kjo mund t’i kushtonte shumë.

Skeda

Emri - Alban
Mbiemri - Bushi
Datëlindja - 20.08.1973
Vendlindja - Tiranë, Shqipëri
Shtetësia - Shqiptare
Gjatësia - 1.80 cm
Pesha - 74 kg
Statusi civil - I martuar/1 fëmijë
Pozicioni - Sulmues
Skuadra - Apollon, Greqi

Tiranaobserver

Temat e fundit