×

Post reply

Emri:
Email:
Titulli:
Ikona e mesazhit:

Verifikimi:
Cfare gjuhe flasin shqiptaret?:

shtyp alt+s per te postuar ose alt+p per ta kontrolluar


Permbledhje

Postuar nga: M A X
« ne: 23-09-2019, 14:32:08 »

Dëshira e shqiptarëve për të ikur nga vendi nuk po ka të ndalur, përkundrazi është ringjallur sërish në 2019-n.

 

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin.

Të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti. Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.

Rritja e tendencës për t’u larguar është konstatuar që në muajt e fundit të 2018-s dhe përkon me një acarim të situatës politike në vend, teksa shqiptarët në mungesë të alternativave për t’u qeverisur duket se po zgjedhin që të largohen nga vendi.

 


 

Ritmet e ikjes krahasohen me ato të vendeve të luftës, apo në konflikte të forta, duke e renditur Shqipërinë në listën e 10 shteteve me numër më të lartë aplikimesh. Në korrik psh nga Shqipëria kishte 1995 aplikime gjithsej, ndërsa nga Siria kishte 6,543, nga Afganistani 5 040, nga Venezuela rreth 3 800. Por, këto shtete kanë një numër shumë më të lartë popullsie, Siria (17 milionë banorë), Afganistani (38 milionë banorë), Venezuela (28 milionë banorë)!

Ndërkohë, shumica e aplikimeve nga shqiptarët refuzohen, mesatarisht 97% e tyre. Psh në korrik, vetëm 54 persona kanë marrë status refugjati, ndërsa 1470 vendime ishin negative, teksa Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt dhe për më tepër është në proces integrimi në Bashkimin Europian.

Rreth 12 mijë raste janë ende pezull nga aplkimet e shqiptarëve, sipas të dhënave nga EASO.

Aplikimet në korrik arrijnë rekordin në Europë, kryeson Siria

Rreth 62 900 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare u paraqitën në BE + 1 në korrik, me rritje 26% nga muaji qershor, duke arritur totalin më të lartë mujor që nga Marsi 2017. Ndërsa rritja mund t’i atribuohet pjesërisht numrit shumë të ulët të aplikimeve të regjistruara në muaj më herët, ajo gjithashtu përfaqësoi rritjen më të shpejtë që nga janari 2019. Rreth 400 500 aplikime janë parashtruar deri më tani në 2019, 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2018, sipas EASO.

Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit paraqitën më shumë aplikime dhe në numër në rritje, veçanërisht Sirianët dhe Afganët (secila + 34%). Së bashku, këto tre shtetësi paraqitën një të katërtën e të gjitha aplikimeve në BE +.

Qytetarët e Irakut, Pakistanit, Turqisë, Kolumbisë, Iranit, Nigerisë dhe Shqipërisë plotësuan listën e 10 shtetësive me aplikimet më të larta. Disa kombësi paraqitën më shumë aplikime që nga fillimi i vitit 2019. Përveç Sirianëve dhe Afganëve, këta përfshinin aplikantë nga Pakistani, Turqia, Bangladeshi, Somalia, Kina, Peruja, India, Sudani, Eritrea dhe Haiti. Shumë nga këto nënshtetësi ishin të lidhura me rritjen e numrit të zbulimeve të kalimit të paligjshëm të kufijve në kufijtë e BE +. Në fakt, krahasuar me qershorin, kërkesat për azil u rritën më fort në mesin e shtetasve të vendeve që kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE +, sesa në mesin e shtetasve të vendeve të liberalizuara të vizave (VLC).

Kjo nuk nënkupton që tendencat e azilit për shtetasit e VLC janë dobësuar. Në tërësi, shtetasit e vendit të tretë të përjashtuar nga vizat paraqitën rreth 15 450 kërkesa për azil, duke vazhduar të përbëjnë 25% të totalit. Në përgjithësi, dy të tretat e të gjitha kërkesave të VLC u paraqitën nga shtetas të vetëm katër vendeve: Venezuela, Kolumbia, Shqipëria dhe Gjeorgjia. /Monitor
Postuar nga: M A X
« ne: 22-07-2019, 20:50:00 »

Shqipëria është futur në tunel dhe drita në fund të tij nuk duket. Madje, mund të jetë shumë larg. Për shkak të emigracionit të lartë në numër, i riaktivizuar fuqishëm vitet e fundit, por edhe për shkak se shqiptarët e larguar së fundmi janë nga pjesa më e arsimuar dhe profesionale, vendi po përballet me probleme komplekse ekonomike dhe sociale.

Perspektiva, për shkak edhe të faktorëve të tjerë demografikë, mund të jetë edhe më e zymtë. Banka Botërore, në një parashikim të fundit të javës së kaluar, na tregoi se të paktën deri në vitin 2050, shqiptarët që do të emigrojnë, do të jenë në nivele shumë më të larta se ata që do të zgjedhin të rikthehen për të jetuar në Shqipëri. Banka analizon se emigracioni neto do të vazhdojë me të njëjtat ritme, ku çdo 5 vjet do të ikin (neto) nga vendi rreth 40 mijë persona.

Më herët, FMN ka llogaritur se gjatë viteve 1995-2012, largimi i shqiptarëve ka sjellë efekt negativ 18% në PPB dhe se 16% e masës së këtij dëmi ka ardhur nga largimi i forcës së kualifikuar.

Shkaqet e këtij emigracioni biblik, si në fillim të viteve ‘90 mbeten po njësoj, asgjë nuk ka ndryshuar: papunësia, destabiliteti politik dhe cilësia e ulët e jetës. Janë po të njëjtat shkaqe për të cilat, 30 vjet më parë, shqiptarët u larguan, janë po të njëjtat shkaqe për të cilat ikin dhe sot, janë po të njëjtat kushte, të cilat rigjejnë edhe emigrantët e kthyer. INSTAT, në një studim, tregon se 80% e emigrantëve të kthyer ndeshen me po të njëjtat nevoja dhe probleme, me ndryshim fare të vogël në renditjen e tyre.

Kjo është e pritshme sepse, së pari, kanë gjetur një vend në destabilitet politik dhe një ekonomi gjithnjë anemike dhe me pabarazinë më të lartë se çdo vend tjetër i Europës, që vijon të rritet që në fillimet e demokracisë (EUROSTAT).

Revista jonë e ka trajtuar shpesh fenomenin e migracionit. Edhe në shkrimin e saj kryesor të kësaj radhe, ai zë sërish vend përmes dëshmive të vërteta nga sipërmarrësit. Mund të duket si përsëritje kur tashmë faktet janë. Por ka një ndryshim, për shkak se fenomeni nuk po ndalet dhe rreziku po bërtet edhe më shumë. Por a ka veshë që të dëgjojnë?! Fatkeqësisht, jo. Qeverisja e vendit, për turp të saj, e shikon emigracionin ende si fenomen normal dhe të përbotshëm që u ndodh edhe gjermanëve, edhe francezëve, edhe italianëve, edhe…?

Ka dhe një arsye tjetër pse iu kthyem sërish temës së emigracionit. Është fakti që e përmend sërish FMN, që nëse prej vitit ‘95 deri në 2012, emigracioni nuk do të ishte në këto përmasa, rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe nga 3% do të ishte të paktën 9%. Ja pra ku është edhe përgjigjja nga duhet të nisë zgjidhja e problemit. Nga oferta ekonomike. Në pamundësi për të rritur ekonominë pa ta, të mund të gjejmë rrugë që shqiptarëve të larguar ose kërkojnë të largohen, t’ju japim një stimul dhe një ofertë më të mirë financiare, qoftë edhe duke e subvencionuar kthimin.

Pasi mbajtja dhe riatdhesimi i “trurit”, automatikisht, jo vetëm do të përshpejtonte rritjen ekonomike në favor të të gjithëve, por do të justifikonte çdo para të shpenzuar për të stimuluar rikthimin. Kur emigrantët shqiptarë, në kulmin e krizës ekonomike në vendet e BE-së, veçanërisht në Greqi dhe Itali, filluan të ktheheshin, pati projekte dhe nisma ligjore të mira, për të dhënë disa stimuj dhe lehtësi financiare dhe ekonomike për t’i riintegruar dhe për të përfituar investime, si nga kursimet e tyre, ashtu dhe “know how”. Por, skema nuk funksionoi.

Atëherë, qoftë edhe nga kjo praktikë e njohur, mendojmë se ka ardhur koha për të çelur një diskutim e më pas veprime konkrete, për të ideuar dhe për të paraqitur më shumë alternativa, të cilat të ngrihen dhe diskutohen me sa më shumë grupe interesi, sepse pavarësisht shkaqeve që i detyruan dhe po i detyrojnë shqiptarët të ikin, mbajtja apo rikthimi i tyre është në nderin dhe leverdinë e të gjithëve.

Edhe nëse do ta konsideronim emigracionin si fenomen historik, ashtu siç ka qejf qeveria ta quajë, për t’ju larguar përgjegjësisë së saj, le të ndjekim shembullin e vendeve, daç edhe si Gjermania, Italia, qoftë edhe si Rumania për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarët që ta gëzojnë atdheun e tyre. Koha nuk pret, nëse duam që sa më shpejt t’i gëzohemi dritës në fund të tunelit.

/Monitor.al