×

Tirana, si do të jetë - Plani i ri urbanistik i Tiranës

Tirana, si do të jetë - Plani i ri urbanistik i Tiranës

· 2 · 1710

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 08-06-2005, 04:37:31
"Metropoli në formim", një ekspozitë e Tiranës si do të jetë. Në dukje një tabelë lavdërimi për bashkinë, e mbushur me pamje futuriste për kryeqytetin shqiptar. Sipas Ramës, kjo ekspozitë është një derë që hapet për të parë se çfarë bëhet në laboratorin e bashkisë

Ata që u futën dje në mbrëmje në "laboratorin" e Bashkisë së Tiranës që u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve në formën e një ekspozite me titull "Metropoli në formim", padyshim që dolën të mbushur me ëndrra dhe përfytyrime, në ndonjë rast shumë të bukura për të qenë të vërteta. Pamjet më futuriste për Tiranën t'i ofronin qiellgërvishtësit e projektuar nga atelietë ndërkombëtare, ndërsa montimet dhe paraqitjet grafike të këtyre projekteve në disa raste të kujtonin katalogët e ilustruar të pushimeve që kompozojnë agjencitë e udhëtimeve. Mund të zbrisje edhe në realitet, sipas dëshirës, duke shëtitur me sy pamjet e Lanës para transformimit të gjelbër ose të Urës së Tabakëve para restaurimit. Por tundimi virtual i pallateve dhe godinave shumëkatëshe ishte i fortë, sidomos kur i shihje të vendosura në vende të tilla si pranë xhamisë dhe Kullës së Sahatit ose pranë Muzeut Kombëtar. Madje ishin përvijuar deri edhe firmat e veshjeve që do të kishin dyqanet e tyre ekskluzive në këto godina si "Zara" dhe "Puma".
Pavarësisht skepticizmit dhe frikës se ato projekte futuriste për Tiranën mund të mos bëhen realitet, ekspozita që kryetari i Bashkisë, Edi Rama, e quajti "laborator" të punëve që bëhen në bashki për zhvillimin e Tiranës, ishte një formë interesante për të jetuar qytetin. Më të prekshme dukeshin projektet për parqet publike dhe lulishtet, një pjesë e të cilave i janë rikthyer Tiranës. Ndërsa dëshira për të kundruar ngjyrat e pallateve duket se karakterizon më së shumti të huajt, të cilëve u bën ende përshtypje ky eksperiment i kryebashkiakut të Tiranës me kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që banorët e Tiranës duket se janë velur disi prej tyre. Në ekspozitë kishte edhe kënde të veçanta, njëri prej të cilëve i kushtohej arkitektit shqiptar Agim Myftiu, i cili nuk jeton më dhe ëndrrave për qytetin të fëmijëve të qendrës "Univers".
Në dukje një tabelë lavdërimi për Bashkinë, sipas Ramës, kjo ekspozitë është një derë që hapet për të parë se çfarë bëhet në laboratorin e bashkisë, megjithëse një pjesë e projekteve të paraqitura në këtë ekspozitë nuk janë të panjohura për publikun. "Qëllimi është që të hapim debate në grupe të caktuara interesi për këto punë", - tha Rama, duke shtuar se do të organizohen edhe tryeza specialistësh për të diskutuar rreth këtyre projekteve dhe se si mund të përmirësohen e korrigjohen ato. Qëllimi i ekspozitës ka të bëjë, së pari, sipas zyrës së shtypit të bashkisë, pikërisht me evidentimin e transformimeve që kanë ndodhur dhe janë në proces në qytet, me prezantimin e gamës së këtyre transformimeve, me ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi këto transformime, por edhe me krijimin e një imazhi të Tiranës që synon të jetë një kryeqytet modern evropian.

Arkitekti

Tirana metropol, një fantazi e
bukur që po bëhet realitet


Sipas Agron Janos, kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, ekspozita "Metropoli në formim", demonstron një fantazi të bukur që po bëhet realitet. Arkitekti thotë për "Shekullin" se punët që kanë më tepër gjasa të realizohen janë projektet dhe studimet pjesore në blloqet e banimit, në parqe dhe në sheshe, ndërsa ndërtimet shumëkatëshe do të duan kohë, sepse kështu ndodh me ndërtime të tilla. "Por në ekspozitë vura re se midis paraqitjes dhe realizimit të atyre punëve ndryshimi nuk do të jetë i madh. Me një punë këmbëngulëse ato mund të bëhen realitet", - thotë arkitekti. "Dhe jo vetëm me projektet e të huajve që kanë fituar konkurse ndërkombëtare, por edhe me punën pasionante të arkitektëve shqiptarë, sepse arkitektët shqiptarë janë bashkëpunëtorë dhe konkurrentë me të huajt në projekte të tilla", - vijon arkitekti që ka konkurruar edhe me projektet e veta për Tiranën, pa mundur të dalë fitues. Jano përmend si vlerësim për ekspozitën këndin kushtuar arkitektit të talentuar dhe të veçantë Agim Myftiu.

Artisti

Tiranës që po bëhet,
i mungojnë skulpturat


Si qytetar i Tiranës, por edhe si artist, Gazmend Leka thotë për "Shekullin" se në këtë ekspozitë për Tiranën ndjeu mungesën e traditës artistike që ka karakterizuar gjithnjë Tiranën, ku banorët përpiqeshin të bënin punime artistike deri edhe në portat e shtëpive të tyre. Ai sugjeron që plani urbanistik i Tiranës të mbillet me vepra arti, pasi ato mungojnë thuajse tërësisht në qytet. "Unë nuk e pashë traditën artistike në këtë ekspozitë, por duhet thënë se prezantimi i punëve dhe projekteve ishte shumë i mirë dhe një mënyrë interesante për ta jetuar qytetin tënd që në projekt. Megjithë frikën që thotë se ka në lidhje me realizimin e projekteve më ambicioze, piktori Leka thotë se energjia e vjelur për projektet ka shumë rëndësi. "Sidoqoftë, unë mendoj se studiove arkitekturore duhet t'u propozohet edhe mundësia e ndërhyrjes në projektet e tyre me dekor artistik, siç janë, për shembull, skulpturat që Tiranës i mungojnë tërësisht, por edhe pikturat murale, mozaikët, afreskët etj.


Personazhi

Juliani, arkitekti i gratacielës që pa në ëndërr


Është 14 vjeç dhe një nga pjesëmarrësit në ekspozitën për qytetin e Tiranës, ku ka paraqitur një projekt personal. Julian Dajlani është "arkitekti" i një grataciele prej shkume, të cilën ai thotë se para se ta ndërtonte, e kishte parë në ëndërr. Grataciela që Juli ka parë në ëndërr është me ngjyra të theksuara, e mbjellë me citate dhe thënie dhe nga tarraca e saj rrjedh një ujëvarë, ku notojnë peshq. Fëmijë të tjerë të një qendre private kishin ndërtuar shtëpinë e artistëve, shtëpinë e modës, shkollën e tyre, kullat binjake për Tiranën, grataciela dhe shtëpi kukullash, të gjitha këto ndërtesa që do të kishin dëshirë t'i kishin në Tiranë. Ata janë edhe fituesit e konkursit të fëmijëve për Ditën e Tokës, ku kishin realizuar veshje me lule.

Shekulli

« Editimi i fundit: 26-11-2011, 10:58:02 nga M A X »

  • Postime: 22599
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 26-11-2011, 10:58:24
Është mbledhur, nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, grupi strategjik për hartimin e planit urbanistik të Tiranës, ku është diskutuar për rrjetin rrugor të kryeqytetit dhe hapësirat e gjelbra.

Sipas këtij plani, Tirana do të ketë tashmë 5 unaza, 3 ekzistuese dhe dy të reja.
 
“Do eksplorohet deri në fund edhe sistemi hirearkik i rrugëve në vecanti i aksit të veriut, por edhe lindje-perëndim. Edhe zgjidhjet e tjera me 1-3 nivele, parkime mbi dhe nën tokësore. Do miratohen në parim vendosja e parqeve të mëdha të Tiranës metropolitane”, tha kyetari i Bashkisë, Lulzim Basha.

“Grupi strategjik ka miratuar kriteret për ndërhyrje gjelbërimi të sipërfaqeve të mesme brenda qytetit si dhe kriteret për ndërtimet e reja”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndare nga bashkia e kryeqytetit.

Plani po hartohet në bashkëpunim me komunat që rrethojnë Tiranën, pasi plani i ri rregullues shtrihet përtej kufijve administrative të kryeqytetit.

Megjithëse hartimi i planit parashikon konsultime me qytetarët, mbledhja e këtij grupi u bë me dyer të mbyllura dhe imazhet u shpërndanë nga vetë bashkia.  /top channel

Plani i ri urbanistik i Tiranës - Top Channel Albania - News - Lajme