Thora jonë është Montecilfone
Gjuha ime - arbërishtja
Shenjti im - Shën Antoni
Kur më propozuan të shkoj në zemër të Italisë për të parë 5 katundet arbëreshe, ku edhe sot e kësaj ditë flitet shqip, hezitova menjëherë.
Hezitova se arbëreshët janë në jug të Italisë, në Kalabri. Aty jeton një komunitet i madh shqiptarësh të shpërngulur menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, si rezultat i pushtimit otoman. Për ta është folur shumë, janë shkruar libra, janë xhiruar filma, janë organizuar festivale, janë hapur ekspozita, e të tjerë e të tjerë. Ligji italian për grupet etnike u njeh përdorimin e gjuhës amë, funksionimin e shoqatave, të shkollave në gjuhën etnike, si dhe shumë të drejta të tjera. Mirëpo, krahas tyre na qenkan edhe 5 katunde të tjera, jo në jug, por në mes të gadishullit Apenin. Kjo më bëri aq kurioz sa, me të gjetur rastin e parë, u nisa vërtet për në Itali.
Ç‘janë këto katunde? Kur kanë shkuar shqiptarët e parë atje? Përse? A thua vërtet flasin, këndojnë e shkruajnë shqip? I ndodhur midis kuriozitetit dhe mosbesimit, mendoja: "Sido që të jetë, aty këtu besoj se do të gjejmë ndonjë të moshuar që krahas italishtes do të thotë edhe ndonjë fjalë shqip", mirëpo ajo që ndodhi kur mbërrita në këto katunde ishte e pabesueshme, befasuese, mbresëlënëse, fantastike!
Qysh në takimin e parë, qysh në familjen e parë, për çudinë tonë të gjithë flisnin arbërisht, domethënë shqip, ashtu siç flasim unë dhe ti.
Cioto
Për të shkuar nga Bari në Cioto, duhet të marrësh autostradën e veriut që të çon në Romë. Pasi ke ecur 200 km e lë autostradën dhe kthehesh në të majtë. 8 km larg detit, 220 metra mbi nivelin e tij, rrethuar nga kodra të buta, të veshura me vreshta e ullinj, ndodhet Cioto.
Ky fshat, si gjithë fshatrat arbëreshë, në zemër të gadishullit Apenin, ngrihet në majë të kodrës. Në qendër ndodhet kalaja e lashtë. Rrotull, 300 shtëpi të vjetra e të reja që ngjasojnë me fortesa në miniaturë. Popullsia 1800 banorë. Sipërfaqja 22 km².
Profesor Mario Masara na fton në shtëpinë e tij. Siç duket ai ka lajmëruar të shoqen, pasi ajo sapo na hap portën, na thotë buzagaz:
Urdhëroni brenda! Mirë se keni ardhur!
Edhe ju flisni shqip?
Po u arbëreshe jam - na i kthen ajo. - Që kur isha e vogël, gjithë rininë time flisnim të gjithë arbërisht. Pa tue u rritur, mendoja: pse u flas italisht e kam edhe një gluhë tjetër?! Mëma e tata më thoshin se na jemi albanezë, se prijësi ynë ka qenë Skënderbeg e më tutje nuk më thoshin asnjë fjalë. Kur u martuash në vitin 1955 vajta në Romë. Aty i them burrit: a vemë në ambasada albaneze, sepse ata sapo të më dëgjojnë do të më thonë se nga vi e kush jam!? Doja të dija rrënjët e mia, kudo që të ishin. E ky i mjeri burri im, për të më mbyllur grykën, më në fund më thotë: "Epo mirë". Kur vemi në ambasadë u i fola konsullit. Pasi më dëgjoi, me shumë xhentilesë u ngrit e më përqafoi. Po ju jeni albaneze, arbëreshe - më tha ai. Çë nga ajo ditë, më hyri një morg i madh për të mësuar historinë jonë, historinë e horës sonë. Pse na e lamë Shqipërinë dhe vijmë tek Italia?! Përse?!
Ky është rrëfimi i Kostandina Masarës, 80 vjeçe, e gjallë, impulsive, energjike.
E bija e Kostandinës, Antonela, na thotë: U gjuhën shqipe e mësova te shtëpia, me josherin tim, me mëmën e tatën, e me shokët në shkollë. Për ta mësuar sa më mirë, mëma më çoi në Kosovo, në Universitetin e Prishtinës. Ajo donte që u të vija në Shqipëri, po atëherë ishte e pamundur, sepse regjimi komunist i kishte mbyllur kufijtë.
Profesor Mario na tregon për librat e At Nikolla Filios, i cili ka mbledhur gjithë këngët e Ciotos, historinë, gojëdhënat, fjalët e urta.
Si shpjegohet që e keni ruajtur kaq mirë gjuhën shqipe? - e pyesim profesor Marion.
Po gjuha shqipe, - na thotë ai, - ka qenë gjuha e shtëpisë, gjuha e mëmës, domethënë gjuha e shpirtit, si një fat vetëm i yni.
Ky është miti i mbijetesës së gjuhës shqipe, e cila sado arkaike dhe e cunguar që të duket në krahasim me gjuhën zyrtare të shtetit amë, është kryevepra e qytetërimit, jo vetëm për Cioton, por edhe për Montecilfonen, Ururin, Kampo Marinon e Porto Kanonen - 5 katundet arbëreshe në zemër të Italisë.
Një copë tokë, e një gotë verë
Të parët e 5 katundeve në zemër të Italisë kanë mbërritur aty kur Skënderbeu ish gjallë e në kulmin e lavdisë së tij. Burimet kadastrale që ndodhen në universitetin xhulionez thonë se kolonitë shqiptare në afërsi të Napolit u vendosën në vitet 1450. Në atë kohë, Mbreti i Napolit i kërkoi ndihmë Skënderbeut dhe ky dërgoi në Itali rreth 2000 ushtarë dhe oficerë shqiptarë.
Pas fitores, Mbreti i Napolit ju drejtua me këto fjalë ushtarëve dhe oficerëve të Skënderbeut: "Secili prej jush mund të kish rënë në fushën e betejës, mirëpo nuk ndodhi kështu! Së bashku ne luftuam dhe fituam… Për fitimtarët ka gjithmonë një copë tokë e një gotë verë. Kush dëshiron të qëndrojë këtu, është vëllai ynë. Unë, Mbreti i Napolit, ju ofroj me bujari një copë tokë e një gotë verë nga kjo tokë që ju e mbrojtët me gjakun tuaj".
Shumë nga ushtarët dhe oficerët e Skënderbeut qëndruan duke krijuar bërthamën e 5 katundeve: Cioto, Montecilfone, Ururi, Kampo Marino e Porto Kanone.
Ky komunitet me tetëmijë banorë, edhe pse ka hyrë në shekullin e 6-të të ekzistencës së vet, vazhdon të flasë gjuhën e mëmës, gjuhën e të parëve të vet. Të ruash gjuhën mesjetare të mëmëdheut, madje të përpiqesh ta perfeksionosh atë, për të komunikuar brenda komunitetit etnik, është një akt i madh. Ndryshe nga arbëreshët e Kalabrisë, të cilët janë një komunitet i madh, arbëreshët në afërsi të Napolit kanë qenë dhe mbeten një komunitet i vogël, një ishull i veçuar në zemër të Italisë. Gjuha zyrtare për të zgjidhur problemet është ajo e shtetit ku jetojnë, italishtja. Atëherë, përse u duhet një gjuhë e dytë të cilën përtej katundit nuk e njeh askush? Një gjuhë e tillë, dalëngadalë nga brezi në brez, zbehet e shuhet krejtësisht. Ajo vdes deri sa zhduket përfundimisht. Me arbërishten nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, ndodhi e kundërta. Pavarësisht nga distanca gjeografike dhe izolimi total me shtetin amë, gjuha shqipe mbijetoi e lulëzoi nga brezi në brez.
Nëpër udhët e Ciotos
Duke shëtitur nëpër udhët e Ciotos, këmbët na çojnë në qendër të katundit, aty ku është kisha. E quajnë Kisha e Shën Gjergjit. Me të njëjtin emër, Shën Gjergj, quhen gati të gjitha kishat e katundeve arbëreshe. Emblema e tyre: Shën Gjergji në kalë, njësoj si Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ndalojmë një grua që futet në kishë dhe i flasim italisht.
Gruaja na i kthen shqip: Shqiptar jeni ju? Edhe u jam arbëreshe.
- Ku shkoni? - e pyesim shqip.
- Të mesha vetë. Na i themi rosario e do lutemi për Shën Antonin, sepse nesër është dita e Shën Antonit.
Pas gruas pyesim një burrë.
Po ju a flisni shqip?
Ai na e kthen menjëherë.
Shqip flisni ju. Unë flas arbërisht.
Ai mbështet krahun e tij në supin tim e vazhdon:
- Është gjaku ynë i prishur. Rrënjët janë njësoj. Gluha po ashtu.
Një grua na tregon një fotografi të vjetër. Në qendër dhëndri me nusen dhe prapa tyre dy shoqërueset e nuses. Në sfond dasmorët. Gruaja që mban fotografinë, tashmë e moshuar, vë gishtin mbi shoqëruesen e parë të nuses dhe bie në kujtime.
- Këtu jam u. Vështro ç‘vashëz e bukur isha.
- Edhe tani e bukur jeni - ja kthejmë ne për t‘i bërë qejfin.
- Eh, tani u mplaksh e s‘jam më e bukur grua!
Këta njerëz kanë lindur vërtet në Itali, mirëpo ruajnë me fanatizëm gjuhën e mëmës, që për ta është gjuha e shpirtit. Katundi, kisha, kalaja, mëma, tata, vatra janë simbolet që i japin kuptim gjithë mikrokozmosit arbëresh.
Mario na tregon me krenari se si katundi me financimet e veta e të qeverisë italiane po rinovon kështjellën e katundit.
Në këtë kështjellë, - shpjegon Mario, - zë fill historia jonë. Këtu zë fill epoka e qëndresës që vjen nga moti i madh i Skënderbeut, për të cilin ne arbëreshët e Italisë jemi shumë krenar.
Duke shëtitur udhëve të katundit, na tërheq vëmendjen një fshatar, i cili ka dalë me makinë për të shitur prodhimet e stinës. Kuriozë për të mësuar çmimet e produkteve bujqësore e për t‘i krahasuar ato me çmimet shqiptare, e pyesim italisht:
Sa kushtojnë hudhrat?
Ai na e kthen shqip.
Ju jeni albanez? Nëse jeni të tillë, pse nuk flisni shqip? Në Cioto të gjithë flasim arbërisht.
Në kafen e fshatit ulemi për të pirë një birrë. Rreth nesh afrohen 4-5 burra të moshuar.
Në kohën tonë arbërishtja flitej kudo. Ajo flitej jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, në kafe, në dyqane, madje edhe në komunë.
Edhe sot flitet, - ja kthen një tjetër.
Sot flitet gjithnjë e më pak.
Ndërsa të moshuarit ankohen për të rinjtë, ne bindemi se Cioto është një katund që e ruan me fanatizëm gluhën e të parëve. Ligji italian për etnitë ua mundëson një gjë të tillë. Në shkollë nxënësit kanë abetare dygjuhëshe, shqip-italisht, si dhe shumë libra të tjerë me këngë e balada shqiptare.