×

Syri i Kaltër, legjenda e gjarprit gjigant, që krijoi mrekullinë e natyrës

Syri i Kaltër, legjenda e gjarprit gjigant, që krijoi mrekullinë e natyrës

· 3 · 4706

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 06-06-2008, 17:17:53
EDI MOLLA

Udhëtim në pikën turistike, e pagëzuar nga një inxhinier



Syri i Kaltër është një pikë shumë e bukur që ndodhet vetëm 2 km në të majtë të rrugës Sarandë-Gjirokastër. Ky vend është një pikë shumë piktoreske, ku një burim i kaltër me origjinë karstike filtron ujërat e pellgut ujëmbledhës të malit të Gjerë dhe fushës së Dropullit, për t’i nxjerrë në sipërfaqe ujin e kristaltë. Bukuritë mahnitëse të kësaj perle të natyrës shtohen për shkak të rrethimit nga gjelbërimi i rrallë që natyra e ka falur pa kursim.

Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës.

Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Peshku që rritet dhe kultivohet këtu është pestrova, një peshk i shijshëm...

Legjenda e hershme

“Një herë e në një kohë, fryu një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti nxori një gjarpër... Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit... Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte... U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha briti, ‘Ku je ti det, që më bëre kokën dhe ti lumë, vëllai im...!’. E u shtri për vdekje. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s’e proftasën dot. Në agoninë e ngordhjes gjarpri përplaste bishtin në faqen e malit, ku mbetën shenjat që duken. Qysh nga ajo kohë deti me malin janë të lidhur me njëri-tjetrin si baba e bir”.

Përsëritja e legjendës

Në tetor të vitit 2002 bukuroshja e “nënës natyrë” ishte në agoninë e vdekjes.

Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq.

Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë.

Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit.

“Ishte dënim për ata që donin ta shisnin”, pëshpëritnin.

“Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr”, thoshin të moshuarit.

Kush e pagëzoi...?

Emërtimi “Syri i Kaltër” ka lindur shumë më vonë, në vitet ’50, kur u bën studimet e këtyre burimeve për t’i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se emrin, ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij.

Thonë se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s’mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Mene Lula, një prej inxhinierëve ndërtues të hidrocentralit së Bistricës thotë se edhe pelegrinazhi që bëjnë sot nuset në ceremoninë e martesës, duke kaluar para se të hyjnë në shtëpinë e re të dhëndrit, ka lidhje me hyjnizimin e mistifikimin e kësaj dhurate të natyrës që simbolizon pastërtinë morale, bukurinë femërore dhe hijeshinë e nuses-nimfë të dalë nga ujërat kristal, sipas legjendës së Panit të Madh.

Syri i Kaltër, destinacion turistik

Vizitorët të rregullt, turistët e huaj dhe nuset me fustan të bardhë


Syri i Kaltër megjithëse i takon administrativisht nënprefekturës së Delvinës lidhjet me turizmin dhe vizitorët i mban me Sarandën. Këndej nisen turistët vizitor për të shkuar në “çudinë” natyrore.

Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2007 numri i vizitorëve të huaj në këtë pikë turistike i kaloi të 30 mijë, të ardhur nga Anglia, Danimarka, Holanda, Franca, Italia, vendet nordike, brigjet e Mesdheut, amerikanët, aziatikët, australianë e deri në Brazil.

Ky vërshim ka ardhur edhe për shkak të krocierave të mëdha që zbresin në Sarandë me qindra turistë në një ditë. Të gjithë turistët e huaj që zbarkonin në këto anije gjigante turistike, një drekë patjetër kërkojnë ta kalojnë në mjediset përrallore të Syrit të Kaltër.

Nëse do të llogaritësh shqiptarët mund të marrësh vetëm një informacion të përafërt, pasi ata janë disa kategori, bashkatdhetarë nga trojet shqiptare, kryesisht nga Maqedonia e Kosova, por ka edhe nga SHBA-ja.

Shqiptarët brenda kufijve që u përkasin qyteteve Sarandë e Delvinë e duke shkuar deri në Tropojë, Kukës, Korçë, Tiranë, Durrës e gjithë Shqipëria, por ka edhe nxënës e mësues që vijnë nga Prishtina, Suhareka, Gjakova, Tirana e gjithë shkollat e vendit.

Dasmorë të rretheve Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që vazhdojnë të aplikojnë traditën pagane të pagëzimit “të pastërtisë së çiftit”.

Gazeta Metropol

Fotografi nga Natyra Shqiptare
Capkenja
#1 ne: 07-06-2008, 22:49:57
shume i lezecem si informacion ky

  • Postime: 22599
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 16-08-2011, 13:40:57
Syri i Kaltër, dy amerikanë në kërkim të legjendës

Syri i Kaltër është një monument natyror që tërheq çdo vit qindra vizitorë. I ndodhur mes Gjirokastrës dhe Sarandës, ky vend mbetet ende mistik: forma e syrit, ujë i kaltër e i ftohtë dhe një panoramë për t’u admiruar.
Legjenda të shumta pagane e veshin me mister këtë burim, duke na dhënë të kuptojmë se banorët e lashtë e kanë adhuruar po aq sa edhe ne këtë mrekulli të natyrës. Për të kuptuar sado pak vërtetësinë e këtyre legjendave, Qendra Shqiptare për Kërkime Detare së bashku me ekipin amerikan të RPM Nautical Foundation dhe arkeologun shqiptar të ekspeditës, Dr. Anastasi, kryen tentativën e parë për një studim shkencor të Syrit të Kaltër dy javë më parë.

Zhytësit arkeologë dhe biologë amerikanë, Peter Campell dhe Derek Smith,sipas "Shqip", të ndjekur nga sytë e shumë kuriozëve janë zhytur në Syrin e Kaltër, duke arritur të shkojnë deri në 20 metra thellësi. Nga të dhënat  thuhet se shkon deri në thellësinë e 45 metrave, duke shërbyer edhe si burim për lumin e Bistricës. Turistë shqiptarë e të huaj që zbresin kryesisht në Sarandë nuk mund ta anashkalojnë një vizitë në këtë bukuri natyrore. Kjo mund të thuhet me plot gojë, pasi përveç disa lokaleve të ndërtuara që herët për biznes, nuk ka asnjë përkujdesje tjetër për Syrin e Kaltër.

Fotografitë e bëra nga nënuji tregojnë pamje të mrekullueshme, ndërsa në thellësinë e tij, në formën e një shpelle, ky sy duket edhe i frikshëm. Të kujton pikërisht legjendën. Thuhet se në ato anë, shekuj më parë gjendej një gjarpër gjigand, të tjerë thonë një dragua që i kishte tmerruar banorët e zonës.

Ky gjarpër apo dragua rrëmbente vajzat, ndalonte ujin dhe ishte bërë tmerri i zonës. Sipas legjendës, pas vrasjes së përbindëshit, nga syri i tij buroi uji që rrjedh edhe sot e kësaj dite. Historia nis të tregohet sapo zbret rrugën për të shkuar te burimi, ku një vijë e bardhë e gjatë në kodrën përballë, mendohet të jetë shkaktuar nga ky përbindësh. Ndonëse sot kjo histori qarkullon si legjendë, njerëzit nuk heqin dorë nga ritet, dikur pagane, sot më të moderuara.

Në thelb, ky burim konsiderohet si një vend i mirë, nga i cili filloi jeta. “Këto rrëfenja dhe tregime që rrethojnë Syrin e Kaltër sugjerojnë se ky vend ishte një qendër e rëndësishme kulturore në të kaluarën. Mijëra vjet të kulturave historike kanë lënë gjurmët e tyre në Shqipëri, por këto gjurmë nën ujë presin ende për t’u zbuluar. Kjo përfshin edhe shpella nënujore të tilla si Syri i Kaltër, ku çdo fillim pranvere mund të ketë pasur ceremoni dhe fli ndaj hyjnive si një tipar i rëndësishëm kulturor në kontekstin e lashtë. Njerëzit nga epoka e gurit e deri më sot e kanë parë këtë burim uji si fillesën e jetës dhe e kanë përdorur për ritualet dhe për qëllime fetare. Afërsia e këtij burimi me qytetet e lashta si Finiqi apo  Butrinti e përforcojnë më shumë këtë ide, duke na bërë të mendojmë se Syri i Kaltër mund të ketë qenë një qendër ritualesh të ngjashme me ato të gjetura në Francë dhe Itali. Ritualet pagane ishin një mundësi e madhe për të nderuar një perëndi apo perëndeshë dhe në to ishin të përfshira flitë e kafshëve si dhe hedhja në burim e verës apo veglave të ndryshme”, - thotë Auron Tare. Në fakt, jehona e kësaj legjende duket se nuk është zhdukur.

Edhe sot në këtë burim e në të tjerë të ngjashëm me të hidhen monedha për fat. Ndërsa vijnë pranë këtij burimi edhe nuse me vello sa për panoramën, por edhe nga një besim se ky burim mund të jetë një bekim për ta. Dy zhytësit amerikanë, Peter Campbell dhe Derek Smith kanë gjetur objekte të hedhura nga njerëzit në thellësi. Sasia më e madhe e tyre u gjet në zgavër. Më së shumti u përkisnin kohëve të reja si xhama të thyer, copa çimentosh dhe copa hekuri. Mes tyre ka pasur edhe një sasi kockash e copash druri, të cilat kanë zgjuar interesin e studiuesve. Ato mund të tregojnë sakrificën e lashtë dhe kurbanet që bëheshin në nder të hyjnive. “Në hulumtimet e ardhshme mund të shikohet mundësia e koleksionimit të mbeturinave të kockave për t’i studiuar dhe për t’i datuar si dëshmi të ruajtura të banorëve të popujve të lashtë. Ekipi ndërdisiplinor që kreu këtë zhytje të vështirë përdor vetëm metoda vëzhguese për të dokumentuar gjetjet në këtë shpellë, duke mos prekur asgjë dhe duke lënë çdo gjë në vend për vizitorët e ardhshëm si dhe shkencëtarët që do të kërkojnë ta studiojnë këtë shpellë më mirë. Informacioni që është mbledhur do të përdoret për të parë mundësinë e zhytjeve shkencore në të ardhmen në këtë shpellë apo edhe shpella të tjera në Shqipëri”, - thotë Tare. Sipas specialistëve shqiptarë që kanë studiuar Syrin e Kaltër, burimi ka një rrjedhje mesatare prej tetëmbëdhjetë metra kub për sekondë. Ky shkarkimin masiv e bën zhytjen shumë të vështirë dhe të rrezikshme. Zbritja në burim kundër rrymës mund të dëmtojë sistemin e ajrit. Dalja nga shpella është akoma më e rrezikshme sesa zhytja në pikiatë. Presioni i madh i ujit ka një numër efektesh të dëmshme për fiziologjinë e njeriut. Nëse një zhytës nuk është i kujdesshëm, mund të flaket me shpejtësi nga rryma, duke dalë në sipërfaqe me një mundësi të madhe për aksident fatal. Shkencëtarët e këtij projekti kishin në dispozicion një hartë të Syrit të Kaltër të bërë nga zhytësit e mëparshëm, e cila i ndihmoi ata të përgatiteshin për terrenin e shpellës. Harta tregon një rënie në afërsi të drejtë për njëzet metra, ku burimi ka një zgavër para se të vazhdojë në rënie në anën e saj jugore. Kjo zgavër krijon një zonë ujëmbledhëse për çdo objekt që zbret nga lart dhe e bën atë të përkryer për studimin e mundshëm. /top channel