×

Vlore, dite gushti ne bregdetin e Dhermiut

Vlore, dite gushti ne bregdetin e Dhermiut

· 1 · 509

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 18-08-2011, 10:33:11
Është data 16 gusht, por fluksi i pushuesve në bregdetin e Dhërmiut, 60 km në jug të Vlorës, është mjaft i lartë. Madje shumë më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Automjetet me targa të rretheve të ndryshme të vendit, kanë pushtuar rrugët brenda mjediseve të këtij bregdeti.



Autoveturat e Tiranës janë më të shumta. Ato me targa të Fierit, Korcës, Durrësit, Librazhdit, Beratit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës, gjithashtu. Ka edhe dhjetra autovetura me targa të huaja. Por, si edhe vitin e kaluar, bregdeti i Jugut të Shqipërisë, është mjaft i frekuentuar dhe i pëlqyeshëm për pushuesit nga Kosova e Maqedonia. Qindra automjete me targa të këtyre vendeve, përshkojnë këto ditë rrugët e bregdetit, nga Vlora në Sarandë. Kjo pasqyrohet edhe në Dhërmi.

Turistët nga Kosova e Maqedonia janë të shumtë, më të shumtë se sezoni veror paraardhës. Për ta, Dhërmiu është një mrekulli dhe për këtë arsye, ai duhet shijuar. Por, për këtë sezon duhet theksuar se janë më të shumtë turistët e huaj, nga Italia e vende të tjera të Evropës.

Mjaft prej tyre kanë mbërritur këtu me autoveturat e tyre. Të tjerët, pasi kanë udhëtuar me tragete, vijnë deri këtu me automjete të rastit duke bërë "autostop", apo me autobuzët e shoqërive të ndryshme që përshkojnë bregdetin.

Për të përshkuar rrugët përgjatë plazhit, duhet të lëvizësh me pak kujdes. Dyndja e makinave, ka lënë pak hapësirë. Në këto ditë, në Dhërmi mund të kalosh pushime, apo një fundjavë të këndshme. Rruga e re dhe e zgjeruar që zbret nga Llogaraja, është një lehtësi e madhe për këdo që vendos t'i drejtohet këtij bregdeti të mrekullueshëm.

Tashmë, në këtë segment rrugor, rastet e bllokimit të qarkullimit për shkak të mbingarkesës, janë të rralla. Rruga e gjerë, me dy korsi të plota, me mjaft hapësirë, me një bukuri estetike të spikatur, është një nga gjërat që të bëjnë për vete në këtë sezon. Nga qyteti i Vlorës, deri në Dhërmi, mund të udhëtohet në kushte mjaft komode dhe i gjithë segmenti përshkohet për një kohë të shkurtër. Ky përmirësim i dukshëm i standardeve, reflektohet në të gjitha plazhet përgjatë bregdetit të Himarës, por, veçanërisht në atë të Dhërmiut. Këtu, duket se sezoni është mjaft i mbarë. Ujin e kthjellët, plazhet me zallishte të imët, freskinë e ëmbël dhe gjithcka tjetër, që mund të të ofrojë bregdeti, i gjen me shumicë në Dhërmi.

Kastrioti, punonjësi i një kompleksi në afërsi të vilës presidenciale, thotë se sezoni është mjaft i mbarë. Sipas tij, pushuesit vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, por pjesa më e madhe, janë nga Tirana. Ai veçon pushuesit nga Kosova e Maqedonia dhe thotë se, këtë vit ata e nisën më herët. "Turistët kosovarë dhe maqedonas kanë qenë më të shumtë këtë verë, krahasuar me vitin e kaluar", shprehet ai, duke shtuar se ka edhe mjaft të huaj nga vende të tjera, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në këtë mjedis. Punonjësi i kompleksit, që kujdeset për çadrat dhe shezlonët në plazh, sqaron se kërkesat për to janë të mëdha.

Fluksi më i madh i pushuesve në Dhërmi regjistrohet në fundjavë. Duke bërë një krahasim me verën e një viti më parë, mund të konstatosh fare lehtë se, mjetet e vogla lundruese plastike të dëfrimit si, kanoe, motorrët e ujit etj, janë më të shumta. Pushuesit preferojnë të shëtisin me to, në distanca të ndryshme me bregun. E, ndërkohë, në lokale mund të shijohet një drekë e shijshme. Amatorët e picave, mund të plotësojnë menynë e tyre të preferuar, duke zgjedhur me një çmim të arsyeshëm, mes morisë së emrave që të servir kamerieri. Këtë gjë e bëjnë edhe një grup të huajsh gjermanë, të cilët, aty, pas nesh, në atë lokal mbi shkëmb, drekojnë duke konsumuar pica. (atsh)