×

Pogradeci, epiqendra e turizmit në Juglindje të vendit

· 1 · 596

Pogradeci, epiqendra e turizmit në Juglindje të vendit

· 1 · 596

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 18-08-2011, 11:27:52
Pogradeci mund të cilësohet gjatë sezonit të verës si epiqendra e turizmit në Juglindje të vendit. Mijëra pushues nga rrethe të ndryshme të vendit janë akomoduar në këtë qytet, ku janë ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të pritur pushues e turistë të huaj.



Qyteti buzë liqenit ka hyrë tashmë në rrjedhën e zhurmshme, që krijon natyrshëm kjo periudhë. Plazhet e vegjël buzë liqenit janë gjithnjë plot. "Fluksi është i madh dhe Pogradeci po pret pushues si asnjëherë tjetër më parë", thotë Mimoza, administratore e Hotel "Perla", diku në pjesën Lindore të qytetit, vetëm pak metra larg liqenit. Prenotimet janë të shumta, prandaj dhe ajo shkëputet herë pas here nga bashkëbisedimi. Pushuesit vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku ata nga Tirana, sigurisht që zenë vendin e parë. Gëzimi, është njëri prej tyre. Ka 10 vjet që vjen rregullisht në këtë qytet në muajin gusht. Nuk e ndërron me asgjë tjetër. "Pogradeci më pëlqen dhe këtu mund të kalosh pushime mjaft të këndshme", shprehet ai. Por, këtu vijnë edhe pushues nga qytete bregdetare. Kasemi, një i moshuar nga Vlora, thotë se, Pogradeci ka një tjetër atmosferë, të ndryshme nga qyteti i tij. Dikur ish-ushtarak në një nga pikat e shumta në breg të detit, ai thotë se, liqeni të krijon një ndjesi tjetër. "Është vera e dytë që vij në Pogradec dhe mendoj se, do të kthehem sërish", thotë ai, teksa qëndrojmë diku në një nga lokalet e qeta në breg të liqenit. Por, Pogradeci vizitohet edhe nga turistë të huaj, veçanërisht nga ata që preferojnë të qëndrojnë 2 apo 3 ditë dhe vijnë me autobuzë nga Maqedonia.

Erjoni, nënkryetar i Bashkisë thotë se, janë përballur disa herë me raste të vonesave në pikën kufitare të Qafë-Thanës, madje ka ndodhur që ka ndërhyrë kryetari i Bashkisë për të përshpejtuar procedurat e kontrollit në pikën kufitare.

Por, nuk është vetëm kjo. Krahas vlerësimit pozitiv për dimensionet e turizmit në qytetin e tij, ai shprehet se ka nevojë për përmirësime në promocionin e Pogradecit.

Për të, agjencitë turistike nuk bëjnë atë që duhet bërë. "Agjencitë që operojnë në Pogradec nuk ofrojnë paketa turistike për turistët e huaj, veçanërisht ata të moshuar që vijnë në qytet me autobuzë nga Maqedonia", thotë ai.

Voloreka, përherë e preferuar

Mjedisi turistik i Volorekës është përherë i preferuar për ata që zgjedhin Pogradecin për të pushuar, apo për të kaluar qoftë edhe një ditë. Nuk mund të ikësh nga Pogradeci pa vizituar këtë pikë turistike dhe pa shijuar këtë mjedis të mrekullueshëm. Me një 500 lekësh, mund të bësh një shëtitje me varkë, duke e prekur nga afër këtë bukuri përrallore.

"Vijnë plot pushues që pëlqejnë të shëtisin me varkë", thotë Iliri, një 20- vjeçar, teksa u jep rremave në ujërat e qeta të liqenit. Atij i pëlqen që të kryejë këtë shërbim, madje edhe ndjehet paksa krenar me bukurinë e këtij mjedisi. "Vlora juaj është e bukur, por ama kjo natyrë që kemi ne është edhe më e bukur", shprehet ai, kur mëson se vijmë nga qyteti bregdetar. Bukuria e këtij vendi është e mirëruajtur, pavarësisht disa tendencave për ndonjë ndërtim. Lokalet që funksionojnë në këtë hapësirë plot hije, nuk e kanë cënuar aspak profilin e bukurisë pothuajse natyrore të këtij vendi. Mjellmat janë gjithmonë "mikpritëse", por "irritohen" paksa, kur dikush u afrohet diçka më tepër, apo më keq akoma, për të bërë një foto me to në sfond.

Në Tushemisht, ku është xhiruar "Zonja nga qyteti"

Në Tushemisht, përveçse pushuesve që frekuentojnë liqenin nuk mungojnë edhe nga ata vizitorë që vijnë vetëm për të parë vendin ku është xhiruar filmi i njohur "Zonja nga qyteti". Bëjnë edhe foto pranë burimit, ku janë xhiruar mjaft nga skenat e tij.

"Shtëpia është po ajo, por veçse e rregulluar", thotë një grua që po lan disa nga sendet e shtëpisë në ujërat e këtij burimi të ftohtë. Në fakt, banesa që na tregon, nuk ngjason aspak me atë që kemi parë në filmin e njohur, ndërkohë që e kundërta ndodh me një godinë ngjitur me të, në fasadën e të cilës spikat një pllakë përkujtimore, që e evidenton atë si ish-bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Madje edhe perdet prapa xhamave të dritareve të saj të ngushta, ngjasojnë me ato të punuara "me bizë" nga teto Ollga. Për këtë arsye, vizitorët ngatërrohen shpesh.

Tek "Rrushi", lokali buzë liqenit

"Rrushi" është një nga lokalet e shumta që funksionojnë në breg të liqenit, pak kilometra përpara se të hysh në qytet. Është madje lokali i parë që është ndërtuar këtu, në fillim të viteve '90. Pronari i tij, Rruzhdiu, që ka preferuar t'i japë emrin e vet të shkurtuar lokalit të vet është mjaft dinamik. Dikur ka kryer shërbimin ushtarak në Vlorë dhe kjo bën që ai të ketë nostalgji për qytetin, ku kaloi pak vjet nga rinia e vet.

"Vlora është e bukur, por Pogradeci është edhe më i bukur, plot diell", thotë ai, duke treguar me dorë diku në jug, drejt Pojskës ku, sipas tij, rrezet e diellit arrijnë pikën kulmore. Rruzhdiu thotë se këto ditë nuk ka kohë "të marrë frymë" nga klientët e shumtë.

Arkitektura e veçantë dhe menyja e zgjedhur, e bëjnë lokalin e tij të preferuar nga klientët. Belushi dhe korani, peshqit e famshëm të liqenit, i konsumon këtu të freskët, të shoqëruar me verë të zonës.

Rruzhdiu thotë se, "gjatë këtyre ditëve numri i klientëve ka ardhur në rritje dhe është më i madh se çdo vit tjetër". Ai mendon se, në drejtim të strukturës turistike, këtu mund të bëhet shumë më tepër. Por, në këtë drejtim pengon mungesa e një studimi për zonën.

"Për këtë pjesë të liqenit, që administrohet nga Komuna e Udënishtit, nuk ka studim, qoftë edhe pjesor. Kjo bën që unë, apo kolegë të mi, të mos mundemi të investojmë për të zgjeruar aktivitetin", thotë ai.

Rruzhdiu sqaron se, nëse i krijohen mundësitë, ai është i aftë të ndërtojë një kompleks turistik, ku të punësojë më shumë se 50 vetë. Mund të marrë edhe kredi për këtë, në shifrën e 2-3 milionë eurove. Kapitali që ka krijuar, ja mundëson këtë.

"Në radhë të parë duhet të zgjidhet problemi i studimit, sepse përmes investimeve, jo vetëm që mund të shumëfishohen kapacitetet turistike, por edhe të zgjidhet plotësisht problemi i punësimit", thotë Rruzhdiu.

Harilla Koçi
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super