×

Riviera shqiptare, parajsa nën këmbët e maleve

· 1 · 553

Riviera shqiptare, parajsa nën këmbët e maleve

· 1 · 553

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 23-08-2011, 10:07:32
Nga Irma Toptani

Përgjatë vijës së thyer të detit Jon, mes Vlorës dhe skajit më fundor të Shqipërisë, Sarandës, gjithçka të sheh syri është një parajsë që shtrihet nën këmbët e maleve. Një perlë e natyrës, e pagëzuar me emrin Riviera Shqiptare…



E ngjashme kaq shumë me brigjet e frekuentuara të ishujve grekë, si ai i Korfuzit përballë, dhe të tjera oazeve të bregdetit Jonian, sapo merr rrugën drejt plazheve të jugut, të rrëmben ideja se ky udhëtim është më shumë se një përjetim magjik.

Kjo bukuri magjepsëse me mistere të pafundme nis nën malet AkroKeraune mbi Himarë dhe vijon në plot 80 milje bregdet, të ndarë në fshatra turistike buzë pellgut Jonian.

Palasa, Dhërmiu, Jala, Himara, Qeparoi, Borshi, Lukova, Buneci janë disa nga fshatrat turistike që shtrihen përgjatë riverës shqiptare.

Lëmë pas zonën fushore të Vlorës dhe ngjitim Qafën e Llogarasë, 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, pikërisht në kufirin ndarës mes Jonit dhe Adriatikut. Aty ndeshim me një monument të rrallë të natyrës, pishën Flamur, që shtrihet si kurorë në lartësitë e mjegullta të Llogarasë, që ngrihen deri në 2018 m mbi nivelin e detit. Në zbritje, përmes rrugës së vetme kombëtare Vlorë-Himarë-Sarandë, në një gjatësi 3 km në vijë ajrore, shfaqet në horizont brezi i përthyer i Jonit. Rruga gjarpëron në një peisazh piktoresk dhe të zbret si pa e kuptuar në magjinë e bregdetit.

Plazhi i Palasës, margaritari i bregut

Plazhi i Palasës është i pari plazh i bregut që na shfaqet pasi kalojmë qafën e Llogarasë.

Ai shtrihet në 1.5 km vijë detare dhe ndodhet buzë fshatit Palasë, i cili ngrihet në faqen e Malit të Çikës. Që të shijosh nga afër mrekullinë e këtij plazhi duhet të zbresësh

tëposhtë, në të djathtë të rrugës nacionale që gjarpëron deri në breg të detit.

Bregu i thyer i Palasës grish edhe të apasionuarit e sporteve të ajrit, të cilët mund të hidhen me parashutë nga Qafa e Llogarasë.

Në oazin e Gjipesë

Përtej Palasës ndodhet Dhërmiu, ose siç e njohin të vjetrit Drimades. I ndërtuar në shekujt XII-XIV, Dhërmiu numëron afro 30 kisha të vjetra, mes të cilave Manastiri i Shën Todhrit, një prej më karakteristikëve të zonës. Ndër plazhet e mrekullueshëm të Dhërmiut, më i veçanti është ai i Gjipesë. Për të mbërritur në këtë gji të vetmuar e magjepsës pret në të majtë të rrugës kombëtare. Një rrugicë e hershme, të nxjerr pikërisht në gjirin e vogël e të kaltër të Gjipesë, i formuar nga një përrua rrëzë malit. Në këtë oaz mund të shkosh edhe përmes detit me varkë apo skafe turistike, që mbeten ende mollë e ndaluar për pushuesit shqiptarë në brigjet shqiptare, edhe kur Shqipëria proklamohet nga qeveria si destinacioni potencial në Mesdhe.

Thellësitë e kristalta të Jalit

Pak kilometra më tutje gjejmë një tjetër mrekulli të natyrës. Jali, një nga plazhet më të bukura të Jonit, i frekuentuar kryesisht nga të rinjtë. Dallohet për ujin e kristaltë dhe kampingjet e hapura. Sapo të shfaqet përpara syve nuk mund t’i rezistosh dëshirës për t’u kredhur në ujërat e kthjellta të këtij plazhi, unik në llojin e tij. Më tej rruga na çon drejt Himarës dhe në plazhet e mrekullueshëm të Potamit e Llamanit.
 
Qeparoi i ri dhe i vjetër

Në vijim të rrugës që gjarpëron rrëzë malit, shfaqet fshati i bukur i Qeparoit, i poshtmi dhe i sipërmi, më i ri në moshë. Qiparisët e shumtë, karakteristikë të zonës, i kanë dhënë emrin këtij fshati turistik që të rrëmben me natyrën e bukur, ullishtet dhe kopshtet me pemë frutore. Përveç plazheve të bukura të Skalomës e Ostonit, të populluara nga familjarë, në Qeparo mund të mësosh edhe pak histori. Në fshatin e poshtëm ngrihet manastiri i Shën Mitrit, ku gjendet kisha me të njëjtin emër e stilit bizantin, me vlera të mëdha për ikonostaset prej druri.

Nga kaltërsia e Borshit në ishujt e Ksamilit

Lëmë pas Qeparoin dhe vijojmë rrugën e Rivierës, ku 2 km më tutje takojmë Borshin me vijën më të gjatë bregdetare në Jon. Zbresim më tej dhe zbulojmë Bunecin me plazhet gurëmëdhenj e më pas përgjatë taracave me fruta arrijmë në Lukovën e bukur me plazhe të vegjël e intimë. Një gji tejet i rrallë e piktoresk, por ende i pashfrytëzuar  është Kakomeja, një breg i bukur shkëmbor me zhavorr të hollë e të pastër. Por, kush kërkon ëndrrën, përtej parajsës së Kakomesë gjen dy plazhet e pazakontë të Krorëzit, një hapësirë që të magjeps. Shëtitja në rivierë vijon me Sarandën, qytetin me 365 ditë diell në vit, një nga qytetet më të populluar gjatë verës, jo vetëm nga shqiptarë që vijnë nga anë e anës për të veruar buzë detit, por edhe nga turistë të huaj.

Më në në jug të Sarandës gjendet Ksamili, i shënjuar nga pesë ishujt e tij të vegjël me plazhe të bukura, e të fshehura në brigjet e veshura me pemë.

Ishujt e Ksamilit zbukurojnë zonën, duke u ngritur si nimfa të stërmëdha mbi det deri në 15 m. Ndaj për të marrë rreze e për t’u larë në ishujt e Ksamilit duhet të dish not, por mund të shkosh edhe me barka të vogla, që fshatarët e zonës i ngarkojnë në molin e improvizuar pranë lokaleve.

Udhëtim në Butrint apo rikthim në Trojën e Re

Për ata që duan edhe pak histori, pak më tutje ndodhet parku arkeologjik i Butrintit.

Legjenda na rrëfen për themelimin e Butrintit nga trojanët e shpërngulur. Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, arkeologu italian Ugolini përmend gojëdhënën mbi zanafillën e largët të Butrintit.


Heleni që kishte ardhur në Epir nga Troja, po përgatitej të bënte flijimin ritual pas zbritjes në tokë. Lopa që do t’u flijohej perëndive, e goditur, por jo e vrarë, i shpëtoi nga duart dhe kaloi detin me not. Heleni, duke parë këtu një paralajmërim të perëndive, themeloi një qytet që ia vuri emrin Buthrotos. Ky mund të jetë edhe fundi i rrëfimit tonë, por jo i asaj që mund të zbuloni nëse prekni nga afër këto mrekulli të natyrës dhe historisë….
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super