×

Një udhëtim në madhështinë e Alpeve shqiptare

Një udhëtim në madhështinë e Alpeve shqiptare

· 1 · 2406

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 24-08-2011, 09:44:19
Nga Thethi, një ndër vendet më të veçanta të Alpeve të veriut, në Jug, aty ku shtrihet madhërishëm "Syri i kaltër". Nga vizitat në parqet kombëtare, te formacionet mbi strukturat pritëse të zonave malore. Nga akomodimi dhe kuzhina shqiptare te zbavitja dhe mundësitë e argëtimit përmes sportit. Shqipëria mbetet një vend i bukur dhe i mrekullueshëm, ku turizmi mund të eksplorohet në të katërta stinët e vitit.



Alpet

Me pamjen përballë Alpeve shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i rrethuar nga një kurorë malesh, nga mali i Radohimës, Shenik, Papluk, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. I mbrojtur nga muret e maleve madhështore, i shtruar me livadhe, pyjet e ahut e burime të ftohta uji, zona malore turistike e Thethit e shndërron Shqipërinë në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët. Madhështia e natyrës së paprekur, që të ofron kjo zonë nis me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç pemëve të larta mbizotëron dukshëm edhe bimësia e ulët me lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet. Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është padyshim edhe vorri i Riecit, një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve. Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të Alpeve, te të cilët kjo zonë sigurisht lë mbresa të pakrahasueshme. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë.



Pa asnjë dyshim, Thethi mund të quhet edhe një park zoologjik natyror. Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra. Po përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm si: shqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi e shumë shpendë të tjerë që folenizojnë atje. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe të lumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik. Akomodimi dhe kuzhina, në këtë pikë gjendet në të gjitha format, që nga ushqimi natyral dhe i thjeshtë i shtëpisë, e deri tek pjatat më të sofistikuara të kuzhinave ndërkombëtare.

Shtëpitë e banorëve të veriut e sidomos të Alpeve, kanë hapur dyert për vizitorët e atjeshëm, duke mos e lënë aventurën vetëm në dorën e kampingjeve, ndërsa në zonat e tjera të Shqipërisë, mund të gjendet komoditeti i vërtetë nëpër fshatra turistikë, hotelet dhe komplekset e ndryshme, të cilët kanë vendosur të ofrojnë cilësinë më të lartë të shërbimit standard.

Mrekullia e resurseve natyrore

Resurset natyrore i dallon çdo vizitor. Sa lë Grykën e Ndërlysës dhe përballesh me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, spelologëve, gjeografëve etj., janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë të Bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujëvara e Thethit me 25 m lartësi, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet me interesante për t'u vizituar.

Jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t'u admiruar. Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Një vizitë në Valbonë, aty ku plazhi ndërthuret me Bjeshkët



Turistët e huaj përveç detit mund të vizitojnë dhe vende ku ndërthuret plazhi me Bjeshkët. Një mundësi për pushime të tilla e ofron lumi i Valbonës me ujin e pastër, mbi të cilin prehet mali i Jezercës, në rrethin e Tropojës. Janë të shumtë ata që e kanë zgjedhur si vend pushimi. Uji i pastër i lumit Valbonë, ambienti i bukur natyror dhe qetësia e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse për pushime. Pothuajse gjatë gjithë 51 kilometrave të lumit gjen pushues, të cilët jo vetëm freskohen në ujin e pastër, por gjuajnë edhe troftat e rralla të Valbonës.

Ky pushtim i brigjeve të lumit nga pushues të shumtë, i ka dhënë gjallëri zonës dhe nëse deri tani familjet kishin jetuar vetëm me blegtori, bujqësi apo me emigracion, tani është shtuar dhe një burim tjetër të ardhurash, turizmi. Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në Perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në Jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriore të vendit. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.

Ndalesë në një nga 40 hanet për turistët që duan natyrën

Shqipëria ofron vende të mrekullueshme edhe për turistët e natyrës dhe të jetës rurale, nëse ata do të zgjedhin të vizitojnë hanet dhe bujtinat shqiptare, të cilat mund të gjenden nga Veriu në Jug të vendit. Projekti ambicioz "40 Hanet", i cili ka disa vite që funksionon, ofron për turistët e huaj dhe vendas mundësitë për të njohur nga afër jo vetëm bregdetin shqiptar, por edhe traditat tona të hershme. Këto banesa mahnitëse dhe relaksuese rigjallërojnë turizmin në zonat rurale të vendit, duke përmirësuar ekonominë e banorëve të zonave të thella të vendit, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën.

Konkretisht janë shtëpitë e fshatit me kushtet reale të banimit, sigurisht, të mobiluara e të akomoduara sipas traditave të zonave ku janë ngritur. Katër itineraret e këtij projekti përfshijnë në gjurmën e vet hanet, duke nisur nga Alpet e Shqipërisë, më pas bujtinat përgjatë rrugës së njohur si "Via Pubblica", për të vazhduar me "Via Egnatia" dhe në fund itinerarin e Jugut. Ndërkohë, që ekziston një mori kombinimesh dhe akomodimesh, të cilat i japin dorë të lirë turistit dhe agjencive turistike për të eksploruar itinerare të tilla. Në sajë të bashkëpunimit të agjencive turistike me vetë banorët e zonave, në të cilat kalojnë gjurmët e propozuara të itinerareve, do të mund të pasurohet më tej oferta turistike.

Në këtë mënyrë, kapaciteti i turizmit rural, përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe krijimi i një rrjeti bujtinash, sjell një tjetër destinacion tërheqës për të huajt, të cilët kanë mundësi të eksplorojnë zonat rurale të Shqipërisë, kryesisht në ato malore të veriut: Rrethin e Shkodrës, Malësisë së Madhe. Prej shekujsh, hanet janë përdorur në Shqipëri si struktura të vogla të ndërtuara me arkitekturë tradicionale dhe të përhapura në të gjithë territorin dhe ekzistojnë që nga periudhat e vjetra dhe kanë vazhduar, madje deri në gjysmën e parë të shek. XX në Shqipëri. Ato kryenin funksionet e hoteleve të sotme, duke ofruar akomodim, fjetje dhe ushqim për udhëtarët e ndryshëm vendas apo të huaj, por njëkohësisht, edhe strehim bashkë me ushqimin për kuajt e udhëtarëve dhe karvaneve të ndryshme, që lëviznin në ato kohëra.

ATSH