×

Kepi Rodonit atje ku Skenderbeu, clodhte kockat dhe shpirtin pas betejave....

· 1 · 1193

Kepi Rodonit atje ku Skenderbeu, clodhte kockat dhe shpirtin pas betejave....

· 1 · 1193

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 06-09-2011, 10:30:38
Fuoristrada katërcilindërshe, me galopin e një kali të ndrojtur që i ka zënë gozhda në mish, hidhet sa andej-këtej në monopatin shkëmbor të Kepit të Rodonit. Vapa e gushtit, për shkak të detit në të dy anët e gadishullit të vogël nuk ndihet. Ndoshta nuk ndihet edhe nga emocionet, pasi po hyjmë në një “terra inkonjita”, që veç një pylli të virgjër mesdhetar me gjelbërim në të katër stinët e vitit, mbart në vetvete dhe histori dhe legjenda nga më të çuditshmet.



E para një herë, se gadishulli ka marrë emrin e perëndisë pagano-ilire Redon, që personifikon më vonë Poseidonin grek dhe Neptunin romak; e dyta, se kisha e ngritur aty në nder të Shna Ndout, të lindur mbi 800 vjet më parë, më 15 gusht të vitit 1195 në Lisbonë të Portugalisë, është një kishë që nuk i përket vetëm këtij shenjtori, pasi vetë ndërtesa  ka një ndërthurje të stileve romake, gotike e bizantine, çka dëshmon për gjurmët që kanë lënë përplasjet e luftërave të gjata mes kishës lindore e perëndimore; dhe e treta, por jo nga rëndësia, se Skënderbeu sipas dokumenteve historike dhe sipas legjendave që qarkullojnë ende, e zgjodhi këtë vend për dy arsye: e para, për qetësinë e tij shpirtërore (thonë se këtu bëri muajin e mjaltit me Mamicën); dhe e dyta, se këtu, pa iu lutur dhe pa u puthur me venetikasit që kishin nën sundim gjithë vijën bregdetare, Rodoni ishte një shteg i lirë për të dalë në det.

Duke u kalamendur kështu në makinë, mendojmë se është më mirë që s’ka rrugë, se po të kishte, nuk do të kishe këtë mrekulli vegjetative që ke përpara, këtë pyll të virgjër me lloj-lloj drurësh, që nga lisi, frashëri, shkoza, mareja, ilqet e deri te disa shkurre mesdhetare të panjohura për ne; nuk do të ishin këto brigje, si dikur, që i lëpijnë në qejf të vetë dallgët e kaltra të Adriatikut.



Dikur t’i thoshe ndonjërit që e dinte ku binte, do të shkojmë në Kep të Rodonit, do të thoshte se nuk vij sikur edhe të ngjallet Skënderbeu, se të tilla ishin rrugët. Por tani rrugët e mira, të asfaltuara janë afruar shumë pranë gadishullit të Rodonit, hundës apo sqepit të Skënderbeut, siç thonë vendësit me afinitet për t’i dhënë rëndësi vetes dhe për të thënë se Skënderbeun e kanë patur të shtëpisë. Rruga deri në Gjirin e Lalëzit është bashkëkohore, edhe plazhi gjithashtu, bashkëkohor, që po mbledh Tiranën të tërë, sidomos të shtunave e të dielave.

Në Kep të Rodonit, në çdo stinë të vitit, qetësinë e prishin dy gjallesa: dhitë pa çoban, që shkojnë në mëngjes dhe kthehen vetë në darkë, dhe peshkatarët pa kontroll, që gjuajnë peshk në qejf të vetë, pa leje gjuetije, me ç’tu vijë për mbarë. Dhe çfarë peshku? Peshku i Rodonit është me emër. Ai shitet si specialitet i rrallë në restorantet e Durrësit.



Disa historianë duan të thonë se ky gadishull i vogël ka qenë strehë piratësh, por nuk është e vërteta kështu. Ky gadishull është banuar në të gjitha kohrat e lashta, dhe për këtë janë dëshmi gjetjet e materialeve të ndryshme të ndërtimit. A, po, ka patur në një kohë piratë, ose më mirë t’i quash barbarë, në kohën e monizmit, që në vende të tilla me vlera të paçmueshme historike dhe arkeologjike, vendosën reparte ushtarake që shkatërruan çdo gjë. Ushtarët naiv që vinin nga fshati matnin fuqinë duke hedhur gurët e kalasë së Skëndërbeut në det, merrnin në shënjë me pushkë statujat dhe dhe ikonat në kishë. A e dini se rreth këtij kepi të vogël kanë qenë 14 reparte ushtarake?! S’e dini? Po, kaq kanë qenë! Të zë koka! Dhe jo vetëm këtu, por në të gjitha vendet dhe kalatë më të bukura të Shqipërisë ka  patur reparte ushtarake. Batërdi! I çonte dreqi te gjëja më e mirë për ta groposur dhe rrënuar. Të vjen turp ta tregosh! Kemi humbur shekuj të tërë histori,  kemi zhveshur veten tonë në mënyrën më të keqe. Megjithatë, të paktën të bëhet tani diçka për të ruajtur këto vlera, se barbarët nuk mungojnë në çdo kohë. 

Kalaja e Skënderbeut

Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendësit, Kepi i Muzhit, dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit. Princi Karl Topia, si pronë të tij, dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu e shfrytëzoi për qëllim tjetër, ngriti këtu një kështjellë të banueshme. Kjo kështjellë filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit është ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Ai arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e kështjellës kishte kulla të rumbullakëta. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit. Janë bërë përpjekje nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve për mbrojtjen e kështjellës nga rrënimi i mëtejshëm, por kërkohen fonde edhe më të mëdha për një rikonstruksion të plotë, gjë që do ta bëjë atë një nga objektet më të vizitueshëm në zonë.
 

Kisha e Shen Ndout, Kepi i Rodonit

Një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës së Mesjetës shqiptare, është dhe Kisha e Shën Ndout. Kjo edhe për shkak të  ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin e XV, Indirekt ajo quhet edhe kisha e  e Skënderbeut.  Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romaniko-gotike e shek. XIII. Pas rindërtimit të saj vitet e fundit mund të shihen ende qartë një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenare, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku.   Për shkak të vlerave të saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njëren nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë si dhe për shkak të pozicionit gjeografik dhe peisazhit mahnites, Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët dhe vizitoret vendas. Ajo kishë dhe zonat për rreth konsiderohen vend i shenjtë dhe çdo  datë 13 qershor të çdo viti bëhen vend pelegrinazhi dhe feste ku vijnë, veç banorëve të zonave përreth, edhe  turistë e vizitorë të tjerë.

Në një rrugë jo fort të mirë, mund të shkohet nga çdo zonë e Komunës së Ishmit, por mund të shkohet edhe me rrugë detare pasi aty pranë është një skelë e lashtë akoma funksionale.

Gazeta Telegraf
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super