×

Kolonja, historia dhe kontributi i spikatur i krahinës në Rilindjen Kombetare

Kolonja, historia dhe kontributi i spikatur i krahinës në Rilindjen Kombetare

· 1 · 4600

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 12-09-2011, 08:49:15
Prof. As. Dr. Genc LUARASI

Sa lë Fushën e Korçës dhe del në Qafë të Qarrit, përpara, në të majtë të shpaloset gjiganti, Mali i Gramozit, që në vitet e tranzicionit u kthye në Murin e Berlinit të shqiptarëve për në Greqi, me një ndryshim nga muri i vërtetë gjerman, se ky yni kishte shtigje, të vështirë, që kanë kushtuar edhe jetë njerëzish, por, sidoqoftë kishte derman për të kaluar matanë, dhe hapësira e pamatë e Pllajës së Kolonjës, dikur mahnitëse me ara të punuara, të rrethuara nga pyje shekullorë, me korije, vreshta dhe burime uji të ftohtë, por tani, fatkeqsisht, e aksidentuar rëndë, me pyje të rrafshuar, pemtore të degraduara, ara të lëna djerrë që duken që nga larg, jo të shkosh atje afër, që me siguri të dhemb koka kur i sheh në atë gjendje. 

Megjithatë shkojmë më tej drejt qendrës së Kolonjës, Ersekës dhe na vjen ndër mend, historia e kolonjarëve, një histori e çuditshme, që ndryshe nga banorët e krahinave të tjera, kolonjarëve s’u zë vendi vend. Ata kanë lëvizur shumë në shekuj. Veç arbëreshëve në Greqi, ata kanë shkuar në pjesë të ndryshme të perandorisë Osmane, kujtojmë këtu kolonjarët e Thrakës, të Ibrik Tepesë nga ishte dhe Noli, një pjesë e madhe janë zhvendosur në rrethinat e Ohrit, Manastirit dhe Korçës, Selanikut.

Në fillim të shekullit të 19, fillim të shekullit të 20, ishte zona që ndoqi më shumë se të tjerat kurbetin, në Sofje, Stamboll dhe Bukuresht, por edhe në Francë e Amerikë. Lëvizje të mëdha demografike ka patur edhe në vitet e para të komunizmit. Fshatra të tëra të zonës së Shqerisë ishin me 2-3 shtëpi, ndërsa të tjerë ishin fshirë fare nga harta. Tani në vitet e demokracisë Kolonja është mpakur fare dhe nga harta janë fshirë edhe shumë fshatra të tjerë. Si karakteristikë, veç lëvizjes dhe energjisë shpërthyese, kolonjarët kanë  karakter të fortë, ata njihen për shkathtësi, rreptësi e krenari.

Madje për këtë të fundit tregojnë edhe një anekdotë, se krenaria është shtrirë me këmbët në Vlorë, mesin në Skrapar dhe kokën në Kolonjë.  “Po, po u ngrit në këmbë”? – pyeti dikush. Dhe po ai u përgjigj: “Kot mburret Skrapari me Kolonjën se ai do të mbetej në Vlorë”. Ka shumë shembuj që tregojnë kulturën e trashëguar, por edhe trimërinë e kolonjarëve. Në këtë rast unë do të sjell vetëm një, atë që tha komandantja trime e revolucionit grek, Bubulina, kur i dhanë vrasjen e një prej komandantëve të saj nga Kolonja. “Kush i ka kullat e larta/Musa beu që mbante kallca/ Ububu, moj Bubulinë/Na e vranë Qafëzesllinë,/Mos ma thoni këtë fjalë,/Për burrë do ta kisha marrë/Do bëja me të një djalë/Se kish sojin kordhëtar…”

Për hir të së vërtetës, megjithëse nuk është rregulluar mirë, rruga e Kolonjës, një rrugë që e lidh Ersekën me Korçën,  Përmetin, Gjirokastrën e Sarandën, e ndërtuar që në periudhën Austro-Hungareze, është e bukur. Në të majtë vazhdon vargmali i nisur nga Struga, Mali i Thatë, Qafa e Qarrit e vazhdon deri në Gramoz. Ndërmjet piramidve 2 dhe 9 ndodhet një margaritar natyror, një liqen  me një botë të gjallë gjallesash, për të cilin kryetari i pasionuar i Bashkisë së Ersekës, Ali Laho na flet me pasion, dhe tregon mundësitë turistike të një turizmi malor që kjo trevë me lartësi mbi 1000 m mbi nivelin e detit i ka me shumicë. Duke lënë mënjanë pamjet e hershme, dëshmi të së kaluarës së zymtë të zonës kufitare, që sigurisht sillte  edhe një farë ashpërsie të njerëzve dhe ndërtimeve ushtarake, e bënin kolonjarin edhe bujk, por edhe ruajtës të truallit të vetë. Në këto ditë në Kolonjë përkujtohej dita e vrasjes së një prej figurave të larta të Kolonjës, Petro Nin Luarasit, emri dhe pamja e tij ndodhet kudo në Ersekë, në Luaras, biblioteka e qytetit emërtohet në kujtim të të birit të tij, Skënder Luarasit, vetë varri i patriotit të Pavarësisë ndodhet krahas Muço Qullit e partizanëve të rënë  në Luftën për çlirimin e vendit.

Duke baritur rrugëve të shtruara me një rregull të admirueshëm dhe përgjithësisht pastër, shihen grupe të rinjsh, djem e vajza në biseda për problemet e rinisë, kush me ëndrrat e shkollës në vazhdim, kush në pritje të rezultateve të maturës shtetërore, kush në kërkim të një mundësie pune apo arsimimi profesioanal. Vërtet shkollat janë akoma të mbyllura, ndërsa në Drejtorinë Arsimore  punojnë intensivisht për zbërthimin e programeve të vitit të ri shkollor. Aty takojmë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit,  Mondi Lika dhe mikun  tonë nga shkolla 9 – vjeçare e Luarasit, Nazmi Liço, për të cilin kjo verë ka qenë e ngarkuar, pasi shkolla është rikonstruktuar.

Pasdite, pasi u bëj një vizitë rrethinave në Rehovë në kishën e rinovuar, punimeve në pjesën e unazës së jashtme të qytetetit, marr drejtimin drejt Stadiumit të Ersekës, një ndërtim i thjeshtë, por me shije, me një rrugë të asfaltuar, tribunë të mbuluar, fusha që po vaditet, një qendër kulturore sportive e nevojshme për rininë kolonjare. Stërvitja edhe pse është ditë e diel ka nisur sipas ditarit të planit të trajnerit të apasionuar Ilir Qirjakos dhe ndihmësit të tij. Klubi i futbollit Gramozi është prejardhës i Sport Klubit “Kolonja” e vitit 1927.

Në darkë grumbullohemi për të parë një ndeshje futbolli të superligës, ku telekronisti Pali me humor hedh disa batuta. Mandej vonë shpërndahemi për të pushuar në këtë qytet me një klimë malore të mrekullueshme, ndërkohë që në Tiranë të mbyt vapa.

Kolonjarët

Shumicë në Rilindjen tonë Kombëtare


Një syri të vëmendshëm nuk mund t’i shpëtojë një fakt interesant: që më shumë gjysma e veprimtarëve më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare ishin kolonjarë ose me origjinë nga Kolonja. Lista e tyre është e gjatë, por do të përmendim vetëm disa, psh, Luarasët, Petro Nini Luarasin, Kristo Luarasin, Shahin Kolonjën, Themestokli Gërmenjin, Qiriazët, Butkët etj.

Borova dhe Barmashi

Janë dy fshatra të Kolonjës me historinë më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Barmashi, ku më 6 korrik të vitit 1943 forcat partizane të batalionit “Tomorri” zhvillun betejën e parë në Shqipëri me gjermanët dhe Borova, të cilën gjermanët po atë ditë për hakmarrje e rrafshuan të gjithë, duke vrarë 107 burra, gra dhe fëmijë.

Kënga kolonjare

Natyrisht, sot kabaja dhe kënga përmetare zënë vend nderi në folklorin shqiptar, por të mos harrojmë se ato kanë shkelur në rrugë të çelura më parë nga sazet e Leskovikut. Vallja e vajzave kolonjare  dhe këngët e grupit të Kolonjës janë të papërsëritshme dhe hyjnë në fondin e artë të kulturës sonë, por fatkeqsisht ato nuk po dëgjohen më. Rrafshimi i vlerave, si duket po bën të vetën. Djemtë dhe vajzat e Kolonjës nuk duhet ta heqin nga trupi këtë hajmali të bukur të vënë me shpirt dhe mund të madh.