×

Elbasani, qyteti i personaliteteve të shquara dhe historisë kombëtare

· 1 · 1551

Elbasani, qyteti i personaliteteve të shquara dhe historisë kombëtare

· 1 · 1551

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 27-11-2011, 21:10:10
Traditë-vlera

Personalitete të kulturës shqiptare


Elbasani është ndoshta nga të rrallët që ka nxjerrë shumë figura të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në kulturën, shkencën dhe historinë shqiptare. Ja disa prej tyre: Konstandin Kristoforidhi (Shtëpia e rilindësit më të vjetër është kthyer në Muze), Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Popa

Normale 1909

Është shkolla e parë e mesme shqiptare e ngritur në vitin 1909, është quajtur edhe Universiteti i Parë Shqiptar, vatër e zjarrtë e edukimit që nxori breza të tërë nxënësish që dhanë një kontribut të spikatur në zhvillimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Gjithashtu nxënësit e kësaj shkolle janë dalluar si paravija e të gjitha periudhave historike të vendit.

Dita e Verës dhe Ballokumet

Elbasani për shkak të festimit tradicional dhe më bukur se krahinat e tjera të festës pagane të Ditës së Verës ka marrë edhe ekskluzivitetin e kësaj dite. Dita e Verës festohet më 14 mars dhe shënon fillimin e pranverës. Tani kjo festë po bëhet tradicionale dhe po festohet në të gjithë Shqipërinë. Karakteristikë për këtë festë janë një gatim i veçantë brumi që quhet ballokume, të cilën e bën vetëm Elbasani.

Kumuria e Elbasanit

Qyteti i Elbasanit dallohet ndër të tjerë edhe për Namazgjanë, një shesh lëndine i rrethuar me 60 selvi të larta. Rreth e rrotull një bordurë prej guri dhe kangjella druri qarkonte sipërfaqen e namazgjasë në të katër anët. Selvitë edhe sot mbushen me kumri (guguftu), të cilat janë kthyer në një farë mënyre simboli i Elbasanit, pasi përdoren si metaforë dashurie në këngët popullore.

Isuf Myzyri dhe këngët e tij

Isuf Myzyri, “Artist i Popullit” (Pas vdekjes) është një nga krijuesit, këngëtarët-tenor dhe interpret më të shquar popullor në veglën e  violinës i gjysmës së parë të shekullit të XX në qytetin e Elbasanit. La me mijëra këngë e melodi të cilat janë përhapur dhe këndohen në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Traditën e tij muzikore e vazhduan pasues të tij si Vëllezërit Zena, Albert Tafani, Agim Saliu, Mustafa Mehja  etj.

Tavë kosi dhe Bogaçe

Në gatimet karakteristike të Elbasanit janë dy produkte të veçanta, tava e kosit të Elbasanit dhe bogaçja. Tava e kosit e bërë me një mjeshtëri të veçantë nga amvisat elbasanase tani është futur edhe në menytë e kuzhinave të restoranteve dhe hoteleve në të gjithë Shqipërinë. Bogaçe është një lloj kulaçi me gjalpë. Fatkeqësisht po humbet tradita e gatimit të tij.

Kombinati Metalurgjik

Një nga veprat më të mëdha të industrisë së rëndë e ngritur në kohën e socializmit për shkrirjen dhe përpunimin e hekurit dhe të çelikut. I vendosur në fushën e Bradasheshit, më vonë u pa se ai ishte ndotësi më i madh i ajrit në Elbasan. Pas viteve ’90 ai u shkatërrua në pjesën më të madhe, megjithatë një pjesë e tij përsëri shfrytëzohet po për shkrirje dhe përpunim metalesh, por edhe për veprimtari të tjera prodhuese.

Së shpejti Elbasani në axhendën ditore turistike të Tiranës

Pas ndoshta një viti e ca, kur të përfundojë autostrada Tiranë-Elbasan siç është planifikuar, turistit, vizitorit, apo dhe vetë qytetarit të thjeshtë kryeqytetas nuk do t’i duhet të shpenzojë ditën për të shkuar dhe vizituar Elbasanin. Atij do t’i duhen vetëm 18-20 minuta kohë për të vënë këmbën në rreth-rrotullimin e Elbasanit, ndërsa shoku i tij nisur me urban në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend me të nga Kombinati duhet të jetë aty afër Shkollës së Bashuar pa mbërritur ende në Kinostudio(!)

Rruga Tiranë Elbasan do të ketë një gjatësi prej 31.1 kilometrash, dhe do të ketë dy tunele me gjatësi nga 4.3 kilometra. Shpejtësia e lëvizjes do të jetë deri në 120 kilometra në orë. Por le të lemë avantazhet që ka kjo rrugë dhe të shikojmë se çfarë ofron Elbasani në turizëm, qoftë vlera kulturore, historike, por edhe ato natyrore, të cilat Elbasani ka të mrekullueshme dhe me shumicë.

Monumentet e kulturës

Qyteti i Elbasanit është një nga qytetet më të vjetra shqiptare me një qendër historike, siç është kalaja, por dhe me territore përreth që fshehin pasuri të natyrës arkeologjike, që hedhin dritë mbi identitetin e këtij qyteti, kulturën dhe historinë e tij. Monumente të kulturës me vlera historike, kulturore, artistike e natyrore arkeologjike, etnografike, arkitekturore dhe ndërtimore qytetare, janë shumë në qytetin e Elbasanit dhe në periferi të tij, por ne po përmendim disa:

Kështjella Skampis

Qyteti i Elbasanit ka një kështjellë interesante dhe të ndryshme nga kështjellat e tjera në Shqipëri. Aty ka qenë qyteti Skampias, i cili më vonë u quajt Elbasan. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë në përmasa 308 x 348 drejtuar në anët më të ngushta në drejtim VL-JP.  Ka 4 hyrje që ndodhen në mes të çdo kurtine, të cilat mbrohen nga kulla. Kështjella është e pajisur me 26 kulla. Ka gjurmë të ndërtimit të periudhës së vonë romake, të hershme bizantine, dhe të periudhës osmane 

Kulla monumentale e orës

Gjatë shekullit XVII u bë e zakonshme që të gjitha qendrat urbane të ndërtonin kullat e sahateve. Në Elbasan si vend për ngritjen e saj u pëlqye kulla e hyrjes së kalasë pranë xhamisë së Fatiut, të cilën Evlija Çelebiu e cilëson shumë të bukur dhe që funksiononte shumë mirë. 

Rrapi i Bezistanit


Ndodhet në qendër të qytetit. Emërtimi i tij lidhet me tregun e mbyllur, i quajtur bezistan, ka qenë një bërthamë e rëndësishme tregtare, ndërtuar në shek. XVII, që përfshinte një numër të konsiderueshëm dyqanesh. Historikisht ka shërbyer si pikë referimi për ngjarjet historike, arsimore e kulturore të Elbasanit.

Rrapi i Vojvodës

Rrapi 700 vjeçar, i shpallur “monument kulture” dhe i pagëzuar me emrin Vojvoda, ndodhet në të dalë të qytetit, në pjesën lindore të tij. Rrapi shërbente si pikë takimi e drejtimi për karvanët që vinin nga vise të ndryshme të perandorisë osmane. Shumë të rinj e të reja lenë takimin pikërisht pranë rrapit, për të shkuar më pas në parkun “Rinia”, i cili ndodhet përballë tij. 

Bazilika në Tepe

Bazilika në Tepe të Elbasanit ndodhet në ullishtat e qytetit shumë pranë tij, çka tregon se bazilika i takon varrezës së Skampisit.

Muzeu historik

Muzeu etnografik në Elbasan, është i vetmi i mbetur pas prishjes dhe tjetërsimit të muzeve të tjera. Ky objekt me vlera arkitektonike dhe historike brenda mureve ka një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikasin punime dhe elementë nga rreth 80 lloj zeje. Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986 në shtëpinë e Sejdinëve. Është një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, ajo është përcaktuar si simbol i shtëpive elbasanase. 

Monumentet natyrore

Për fat turizmi në zonën e Elbasanit ka shumë pika karakteristike tradicionale. Disa prej tyre janë Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Ulliri i Qejfit, Burimi i Bankes, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës etj. Por mbi të gjitha veçohen për turizmin liqenet e Dumresë, Llixhat e Elbasanit, Gjinari e Busheku. 

“Ulliri i Qejfit”, tempulli i dashurisë së qytetit

 Ose “Ullini i qejfit”, siç e quajnë në dialekt elbasanllinjtë. Është një vend që ndodhet në majë të kurorës së gjelbër, në hyrje të Elbasanit dhe nga kjo pikë qyteti mund të shihet në pëllëmbë të dorës. Këngëtari i njohur elbasanas, Isuf Myzyri, shkonte shpesh atje me miqtë dhe grupin popullor. Shoqëria e Shuteriqve dhe e Xhufkave të kalasë, frekuentonin këtë pikë turistike çdo fundjavë

Busheku

Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. 

Gjinari

Është një pikë malore në rrethin e Elbasanit, e cila ndodhet në krahinën e Shpatit. Pika malore gjendet në lartësinë e 1.200 metrave mbi nivelin e detit. Zona është e mbuluar me pyjet e pishave dhe halorëve të tjerë. Kjo është një zonë klimaterike dhe gjithashtu e përshtatshme për ushtrimin e sportit të skive, ekskursioneve etj..

Liqenet e Belshit

Krahina e Dumresë është një krahinat më të bukura të Shqipërisë, ku në një territor jo shumë të madh ndodhen 85 liqene karstikë, të cilët edhe pse kanë të njëjtën origjinë, ndryshojnë nga njëri-tjetri, duke i dhënë një bukuri të rrallë krahinës. 

Llixhat e Elbasanit, ku “dermani” del nga dheu

Llixhat. Të rinjtë jo e jo, por edhe të vjetrit, po nuk u dhembën kockat, nuk e kujtojnë fare këtë fjalë. Por ja që vjen një moment dhe njeriu jo vetëm ua ndjen nevojën, po mezi pret t’i vejë data e prenotimit në to që të heqë atë dreq sikleti që i ka mbërthyer keq kyçet.  Pra llixhat tani nuk janë vetëm shpresë, por bëhen edhe shpëtim. Pavarësisht sa ia dinë vlerën dhe sa shfrytëzohen, por ujërat termale (llixhat) janë pasuria më e paçmuar e një vendi. Për fat, Shqipëria ka disa të tilla, por më të mëdhatë dhe më të njohurat janë Llixhat e Elbasanit.

Kujdesi i veçantë i Mbretit Zog për to

Sipas specialistëve llixhat e Elbasanit janë përdorur për qëllime kurative që në lashtësi, sidomos gjatë periudhës romake. Nga pikëpamja shkencore, ujërat e nxehta e me gaze të Elbasanit, që ndodhen në brendësi të tokës, u nënshtrohen një sërë procesesh hidrogjeologjike, që arrijnë në një temperaturë deri në 60 gradë në burime. Këto ujëra përmbajnë dhjetë elementë kimikë, të cilat i bëjnë llixhat mjaft kurative për shumë sëmundje, si ato reumatizmale, artrozat, sëmundjet e sistemit nervor periferik, gjinekologjike, të lëkurës, enëve të gjakut dhe aparatit tretës. Si në fusha të tjera, të naftës, gjeologjisë, arkeologjisë etj.. edhe për ujërat termale qenë specialistët e huaj, veçanërisht austriakët, që gjatë Luftës së Parë Botërore bënë zbulimet e tyre. Ndërmjet këtyre zbulimeve ishin edhe llixhat e Treganit, ku u ngrit menjëherë një qendër kurative e turistike nga më të njohurat jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Sot në çdo hotel apo lokal të llixhave, si një relikte me vlerë afishohet dokumenti i vitit 1932 që shkruan gegërisht e toskërisht: "Naltmadhenia e Tij, Mbreti Jone, Zogu I, sikurse interesohet për mbarëvajtjen e Shqipnis, denjoi me u interesua për ujnat minerale, me famë shëruese, të Llixhës s'Elbasanit edhe urdhënoi Qeverin me sjellë në vend specialistin me famë Ing. Dr Beno Ëinter, drejtorin e Banjës së Marienband-it të Çekoslovakis. Ky si bani analizën e duhun, u këshillue edhe me mjekë e specialistë të kësaj degë, dhe u gjet se këto ujna janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shëruese të tyne...”.

Bukuri dhe shëndet

Llixhat ndodhen vetëm 10 kilometra në juglindje të qytetit në një sipërfaqe të gjelbër prej, 35 hektarësh, ku lartësia mbi nivelin e detit nis nga 185 metra gjer ne 284 metra. Zona në fjalë ka një qëndrueshmëri sizmike, ku temperatura mesatare vjetore varijon nga –2 në 35 gradë dhe sasia e reshjeve llogaritet ne 1400 mm. Veç bukurive natyrore turistike, e tërë zona përfshihet në rreth 178 850 hektarë me pyje, ku rriten më së shumti dushk, frashër, shkozë, shqopë, murrizi dhe kryesisht pisha e kultivuar.  Kjo përgjithësisht është  një zonë e banuar, me një zhvillim të mirë ekonomik dhe ku kultivohen të gjitha kulturat bujqësore, veçanërisht perimet. Hoteli i parë i ndërtuar nga sipërmarrësit privat ka qenë ai i vitit 1932, i quajtur " Hotel Park", pronë e Grigor Nosit. Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike, por edhe kanë evidentuar edhe efekte anësore që mund të ketë përdorimi pa kriter i këtyre ujërave. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Sot gjenden shumë hotele private, që ofrojnë shërbime në këto llixha. Brenda zonës turistike të saposhpallur përfshihen qendra balneare, hidrotermale moderne, por edhe qendra të shërbimit shëndetësor. Një nga këto, më e madhja, është qendra shtetërore, e njohur hotel “Ylli”. Gjatë gjithë vitit vizitojnë llixhat mesatarisht 25 mijë pacientë e turistë, të cilët akomodohen në hotelet që më së shumti janë privat. Pjesa dërrmuesve e pacientëve shkojnë njëherë në muaj në këto llixha.

Këtu ka vend për të gjithë, të pasur dhe të varfër

Është bërë kujdes që të mos ndodhë si kudo gjetkë në Shqipëri, që njerëzit u dyndën pa kriter. Këtu me një vendim të KRT-së të Qarkut, janë vënë kritere të forta për të ndaluar fluksin e madh të ndërrimeve pa leje, por edhe të shfrytëzimit të ujit të nxehtë. Këtu ka vend për të gjithë, të pasur dhe të varfër. Sipas ambientit që zgjedh, ashtu janë edhe çmimet. Nën çadra dhe banja pa kushte, përdorimi i ujit është me një çmim simbolik, ku mund të akomodohen shtresat e varfra. Ndërsa për shtresat e pasura janë hotelet, njëri më i mirë se tjetri. Ka edhe nga ata që vijnë çdo ditë nga Elbasani dhe zonat për rreth dhe shfrytëzojnë përrenjtë që ende nuk janë zënë. Por duhet ditur edhe një gjë tjetër, llixhat e Elbasanit nuk janë vetëm për të sëmurë, janë edhe për të shëndoshët. Kush shkoi atje dhe nuk u kënaq me atë bukuri, ujë, ajër e ushqim!  Provojeni dhe do të më jepni të drejtë!

Gazeta Telegraf
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super