×

ELBASANI - 163 vjet më parë

ELBASANI - 163 vjet më parë

· 1 · 381

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 25-12-2011, 22:43:55
Ditar i poetit dhe piktorit anglez, Edward Lear (1812-1888) mbajtur gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri në shtator të vitit 1848

ELBASANI/163 vjet më parë

24 shtator 1848. Rreth orës tetë arritëm në Strugë, një fshat piktoresk jo shumë larg burimit të lumit Drin dhe ngaqë të gjitha gratë këtu (me atë trill apo dashuri për variacion që i karakterizon kostumet e të gjitha krahinave greke), mbanin kapota të bardha e rozë në vend të atyre kuq e zi, në treg ishte krijuar një atmosferë e këndshme dhe e gëzueshme. Pas një ndalese të shkurtër, vazhduam nga Struga (që është vendlindja e Beqirit, rojës tonë shqiptar, të cilin e mora me vete, sepse, sigurisht, nuk e dija a ishte e rrezikshme rruga apo jo), përmes korijeve të hijshme me gështenja, deri sa lamë pas liqenin e bukur të Ohrit dhe për tri orë iu ngjitëm me mundim një qafe të mërzitshme, në të dy anët e së cilës ngriheshin mure kodrash të veshura me dushqe xhuxhë. Dielli ishte i nxehtë dhe festja, kur nuk je mësuar ta veshësh, nuk është zëvendësues i mirë i kapeles prej shajaku të evropianëve. Pas një zbritjeje po aq pak interesante sa edhe ngjitja dhe pas dy orësh të tjera nëpër një luginë të ngushtë e të mërzitshme, isha kaq tmerrësisht i rraskapitur sa u gëzova pa masë kur pashë një han, kurrë ndonjëherë më i mirëpritur se pas shtatë orësh kalërimi të përgjumur mbi një shalë të urryer turke, që ta ka sjellë shpirtin në majë të hundës. Për fat të mirë, kishim marrë ushqim me vete, sepse në këtë vend të mjerë nuk kishte absolutisht asgjë për të blerë, madje as edhe një pikë ujë. Edhe vendndodhja e hanit nuk paraqiste ndonjë interes, megjithëse arrita të kaloj një orë duke e vizatuar nga hija e një gëmushe landre, i rrethuar nga një mizëri kalamajsh të urtë.
Ora dy e gjysmë e pasdites na gjen përsëri majë kuajve. Sa e shkretuar dhe e egër duket kjo pjesë e Shqipërisë! Në gjithë këtë hapësirë të madhe nuk të zë syri pothuaj asnjë shtëpi dhe horizonti mbyllet nga kodra të ashpra e të rrudhura, veshur përgjysmë me pyje lisi. Pasi kaluam një varg tjetër kodrash të ulëta, dolëm në luginën e Shkumbinit dhe prej atje peizazhi filloi të merrte tiparet e një melankolie të thellë, që nuk mund të harrohet lehtë. Nga ora pesë, vijat me larmi të pafundme të lartësive perëndimore dukeshin të mrekullueshme, format e tyre gjigante shkëmbore zhyteshin në retë e praruara nga dielli në perëndim, kurse poshtë shtrihej lugina e thellë dhe e gjerë e Shkumbinit, një rrjedhë e argjendtë që gjarpëron përmes peizazhesh tejet të egra, me shkrepa, pyje dhe shpate pa fund sa të hante syri. Rreth orës gjashtë kaluam lumin në një urë të lartë me një hark dhe menjëherë pas saj, filluam ngjitjen përpjetë bregut të majtë. Mes grupeve të errëta të pemëve të zinte syri tek-tuk shtëpitë e një fshati të shpërndarë, që shtrihej lart përtej një hani të vetmuar. Aty edhe do të qëndronim, sepse këtu nuk ka ndonjë zgjedhje tjetër për të kaluar natën...

(Shkëputur nga libri "Në Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849" me autor Edward Lear)

RD