×

Kisha e Shën Marisë në Zvërnec, në rrezik

· 1 · 4045

Kisha e Shën Marisë në Zvërnec, në rrezik

· 1 · 4045

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 22-01-2012, 22:30:52
Njëra prej kolonave të ekzonarteksit, ose parasallës në Kishën e Shën Marisë që ndodhet në ishullin e Zvërnecit, 10 km në perëndim të qytetit të Vlorës, pjesë e kompleksit të manastirit me të njëjtin emër, rrezikon të shembet.

Specialistët të monumenteve të kulturës ngrejnë këtë shqetësim, ndërkohë që paralajmërojnë edhe për rrezikun që mund t’i kanoset jo vetëm kolonës mbajtëse, por edhe vetë godinës së kësaj kishe, nëse nuk do të merren masa dhe të ndërhyhet për riparimin e saj. Fasada e ekzonarteksit përbëhet nga shtatë harkore të mbështetura në gjashtë kolona njera prej të cilave është e dëmtuar dhe rrezikon të shembë, ndoshta edhe gjithë këtë pjesë të godinës së kishës. Ky problem është trajtuar edhe dy vjet më parë, por situata ka mbetur e njëjtë.

Kisha dhe Manastiri i Zvërnecit përfaqësojnë vlera të rralla dhe të papërsëritshme historike e arkitekturore të një periudhe shumëshekullore. Sipas studjuesve, kisha e Shën Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit "kryq i lirë" me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. Faza e vjetër përbëhet nga naosi, ose salla dhe narteksi, ose parasalla. Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindorë dhe perëndimorë janë më të gjatë se ata jugorë dhe veriorë. Naosi përbëhet nga elementë të tillë si absida, një mjedis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të lidhura mes tyre me llaç. Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor.

Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbëhet nga ekzonarteksi, ose portiku dhe këmbanorja. Ai është ndërtuar me të njëjtën teknikë si edhe pjesa tjetër dhe e vjetër e kishës dhe së bashku me kolonat, sipas specialistit Novruz Bajramaj, përfaqësojnë një ndikim të arkitekturës romake në atë bizantine. Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet këmbanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin. Restaurimi i fundit i këtij objekti është bërë në vitin 2003.

Për kohën në të cilën është ndërtuar ky objekt kulti ka mendime të ndryshme. Varianti i parë përcakton si periudhë ndërtimi, shekujt XIII-XIV, ndërsa varianti i dytë e çon edhe më larg hershmërinë e kësaj kishe deri në shekujt X-XI.
(ma.ar/BalkanWeb)
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super