×
Hyrja
Profili

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve

· 6 · 266

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 02-02-2020, 20:16:15
 

Vërtet do të doja që e vërteta për ne shqiptarët të ishte ashtu siç ia kemi mësuar e siç ia mësojmë vetes, që jemi popull me qytetërim të lashtë e të avancuar, popull dinjitoz, guximtar e atdhedashës, popull i rilindur e i përndritur, popull me vlera e mendësi perëndimore. Por, kur shoh dhe analizoj realitetin tonë aktual të gjithanshëm shqiptar, mjeran e të pashpresë, më lindë një disonancë kognitive, një mospërputhje logjike, e cila kërkon përgjigje, kërkon zgjidhje, sepse e kaluara dhe e tashmja e mohojnë njëra tjetrën, nuk mund të jenë të dyja të vërteta, sidomos për faktin që e tashmja është rezultat i të shkuarës sonë. Kështu që, duke e prekur ditë e përditë aktualitetin tonë të hidhur dhe duke mos pasur asnjë arsye racionale për ta kontestuar realitetin tonë aktual, deduktivisht jam detyruar ta gjurmoj e analizoj të kaluarën e historinë tonë, për të parë se vërtet kush e si kemi qenë ne, rrjedhimisht për të gjetur përgjigjen se pse sot jemi ku jemi, ndër popujt më të prapambetur në kontinentin tonë, në disa fusha e aspekte ndër të fundit e botës.

 

Gjatë këtij rrugëtimi historiko-logjiko-psiko-sociologjik kam kuptuar se ne shqiptarët jemi vetëmashtruar vazhdimisht dhe për shekuj kemi ndërtuar kështjella diamanti në ajër për veten, në të cilat aq fuqishëm besojmë dhe të cilat, në të njëjtën kohë, aq fuqishëm na i demanton realiteti, sa që si shoqëri jemi në traumë të vazhdueshme, në luftë të vazhdueshme me veten për të zgjedhur mes iluzionit ose realitetit, luftë në të cilën gjithmonë ka fituar iluzioni që kemi për veten tonë, sepse më shumë kemi investuar në “të vërtetën” e iluzionit se në të vërtetën e vërtetë. Kjo na është shndërruar në një cikël vicioz, ku besimi në këtë iluzion na bën të keq-funksionojmë si shoqëri dhe sa herë keq-funksionojmë si shoqëri, pra vazhdimisht, kthehemi për të gjetur justifikim, prehje e ngushëllim te ky iluzion, duke ushqyer rriten e tij vazhdimisht. Rrjedhimisht, shoqëria shqiptare nuk mund të fillojë të mirë-funksionojë e të ecë e barabartë me shoqëritë e qytetëruara pa dalë nga ky cikël vicioz, përkatësisht pa hequr dorë nga iluzioni që ka krijuar për veten.

 

Jam shumë i vetëdijshëm se ky iluzion për veten, i ndërtuar mbi mite, legjenda, gënjeshtra e gjysmë të vërteta, i motivuar pavetëdijshëm për ta mohuar realitetin tonë të hidhur e të papranueshëm, është shumë vështirë të rrënohet sepse është ngulitur për kohë të gjatë e shumë thellë në kokat tona, por megjithatë, përmes këtij shkrimi do ta kryej detyrimin tim qytetar me shpresë se sadopak do të ndikoj në kolektivitetin që i përkas, në shqiptarët, që të fillojnë ta zhbëjnë iluzionin që kanë për veten dhe të fillojnë ta pranojnë të vërtetën për veten, si e vetmja mënyrë për t’iu siguruar pasardhësve tanë jetë të dinjitetshme e rrugëtim krahpërkrah me botën e qytetëruar e të zhvilluar.

 

Në këtë shkrim do të mundohem të flas për katër vetëmashtrimet e mëdha shqiptare, të cilat realisht janë e njëjta gjë dhe nuk mund të shihen si të ndara nga njëra tjetra, por vetëm për arsye didaktike, për të qenë në gjendje që më lehtë dhe më qartë t’i diskutoj, i kam ndarë në katër tema të ndryshme. Fjala është për katër vetëmashtrimet shqiptare në vijim:

1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë

2. Vetëmashtrimi për guximin e trimërinë tonë

3. Vetëmashtrimi për rilindjen tonë kombëtare

4. Vetëmashtrimi për mendësinë e vlerat tona perëndimore



Sigurisht, pas trajtimit të këtyre katër çështjeve, në fund do të mundohem që të jap mendimin tim se cila është zgjidhja dhe se si mund të shpëtojmë nga vetëmashtrimi ynë.

 



1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë

 

Fajtore kryesore për themelet e iluzionit që shqiptarët kanë për veten është historia kombëtare, e cila në fakt kryesisht nuk është histori, por dogmë e mitologji, pra mashtrim. Ky konstatim mund të mbështet lehtë, mjafton të shikojmë ç’na mëson historia kombëtare dhe ta krahasojmë atë me realitetin historik, duke ia nënshtruar një vlerësimi logjik. Drejtpërdrejt a tërthorazi, historia jonë kombëtare i ka proklamuar si të vërteta historike dy premisa, të cilat i ka ngulitur në kujtesën individuale e kolektive të shqiptarëve. Të thjeshtuara këto premisa janë: 1. shqiptarët dhe paraardhësit e tyre (ilirët/arbërit) janë/kanë qenë popull shumë i qytetëruar dhe 2. popull shumë trim e guximtar (për këtë të dytën do të flas në pjesën e dytë të këtij shkrimi).

 

Mjafton një shikim sipërfaqësor i këtyre premisave, një njohje sipërfaqësore e historisë kombëtare e ndërkombëtare, si dhe një njohje të realitetit aktual të shqiptarëve për ta kuptuar se këto premisa janë të papërputhshme me njëra tjetrën, rrjedhimisht edhe të pavërteta (sidomos kur këtyre i shtohet edhe një premisë tjetër e vendosur nga historia jonë: shqiptarët, përkatësisht paraardhësit e tyre (ilirët/arbërit) kanë qenë popull i madh). Po të ishin të vërteta këto dy, përkatësisht tri premisa, as e kaluara historike e shqiptarëve e as aktualiteti nuk do të ishte siç ka qenë, përkatësisht siç është. Si është e mundur që duke qenë popull i madh me shtrirje në gjithë Ballkanin, me qytetërim të avancuar që prej parahistorisë e popull trim, guximtar e luftarak historikisht, kemi lejuar që vazhdimisht të jemi të pushtuar e të sunduar nga të tjerët?! Ku janë gjurmët e qytetërimit tonë që i vlerëson bota?! Ku janë rezultatet e guximit, trimërisë dhe luftërave tona?!

 

Sigurisht se si përgjigje në këto pyetje “historianët” tanë do të ofrojnë “fakte e dëshmi” historike, por asnjë fakt a dëshmi që nuk i qëndron filtrit logjik nuk mund të jetë e vërtetë. E vërteta është fare e thjeshtë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë qytetërim, as tash nuk jemi të qytetëruar (edhe për këtë do të flasim më vonë në vijim). Që nga parahistoria ne kemi jetuar në organizim shoqëror primitiv, në kope e fise. Asnjëherë nuk i kemi lënë trashëgimi vetes as botës ndonjë krijim origjinal universal në: filozofi, shkencë, politikë, art, letërsi, arkitekturë, inxhinieri, teknologji, ekonomi, etj.. Ne edhe mitologjinë e kemi të varfër, mjerisht! Ne nuk kemi as rite, rituale e tradita autoktone, të cilat i zbatojmë në rastet e ngjarjeve të rëndësishme jetësore, si lindja e fëmijës, martesa, vdekja, shënimi i datave historike, etj.. Çdo vit e dekadë i ndryshojmë ato, varësisht se prej cilës kulturë të të tjerëve ndikohemi.

 

Para se të flasim më shumë për qytetërimin tonë, fillimisht ta kemi një përkufizim për nocionin qytetërim, sepse ndoshta këtu dhe fillon keqkuptimi ynë për qytetërimin tonë. Unë, si edhe shumëkush tjetër, në kuptimin e gjerë, qytetërimin e përkufizoj si një nivel i avancuar i zhvillimit dhe organizimit të një shoqërie të arritur përmes prodhimit e krijimit të produkteve dhe të mirave materiale (të të gjitha fushave) dhe jomateriale me vlerë universale, të cilat e bëjnë atë shoqëri të dallueshme nga shoqëritë e tjera dhe me kulturë e mënyrë jetese të avancuar për kohën. Nisur nga ky përkufizim, ta trajtojmë edhe pak qytetërimin tonë.

 

Fillimisht, edhe nëse e marrim gjithë krijimtarinë tonë të shkruar origjinale të të gjitha fushave (të shtypur në letër), e cila ka vlerë universale, që prej parahistorisë e deri në ditët tona, nuk mund ta mbushim më shumë se një kthinë të vogël, eventualisht një hapësirë sa një a dy kotece pulash. Fundja, si mund të kemi më shumë trashëgimi të shkruar kur ne kemi bërë alfabet në shekullin e njëzet – si mund të jetë i qytetëruar një popull që nuk ka gjuhë të shkruar?! Ne kemi bërë alfabet atëherë kur popujt e qytetëruar kanë pasur pesëmijë vite që kanë lënë dëshmi të shkruara. Po të flasim për trashëgiminë tonë arkitektonike, ajo është aq e pakët dhe, veç kësaj, shumë prej saj është mbetje e pushtuesve dhe sunduesve tanë, jo e jona. Për më tepër, si është e mundur që ne të kemi pasur qytetërim kur asnjëherë në histori, bile as sot e kësaj dite, nuk kemi pasur e nuk kemi qytet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – qendër regjionale e ndërkombëtare politike, ekonomike, filozofike, shkencore, kulturore, etj.. Koncentrimi i një numri të madh të njerëzve dhe ndërtesave në një hapësirë të caktuar gjeografike nuk e bën atë vend qytet, siç pandehim ne. Mos të flasim pastaj për trashëgiminë tjetër tonën materiale e jomateriale që i kemi ofruar botës, ajo nuk ekziston. Përndryshe, ku është letërsia, teatri, drama, komedia, piktura e skulptura origjinale ilire? Ku janë urat, rrugët, e pallatet ilire? Po organizmi ynë shoqëror gjatë historisë? Gjithmonë, edhe sot e kësaj dite, me organizim fisnor, më primitiv se të gjithë popujt që na kanë rrethuar. Po në ditët tona ku janë zgjatimet e jehona e qytetërimit tonë të mëhershëm? Ku është kontributi ynë në dijen, shkencën e teknologjinë moderne? Askund. Ne nuk kemi asnjë vepër arti e asnjë vepër shkencore a inxhinierike t’ia prezantojmë botës. As në kryeqytetet tona e as në qytetet regjionale nuk e kemi një shesh siç e kanë gjithë vendet e botës. Kryeqytetet e qytetet tona janë masakër urbane, estetikisht gërditëse.

 

Ku është pra qytetërimi ynë?! Ilirët? E pra, cilin kontribut qytetërimor për njerëzimin ia njeh historia botërore ilirëve? Asnjë. Cilët mendimtarë e cilat vepra e produkte qytetëruese ia njeh historia botërore ilirëve? Asnjë. Skënderbeu? Së pari, Skënderbeu njihet për strateg ushtarak, jo për mendimtar. Së dyti, Skënderbeu nuk është produkt i Akademisë së Krujës, Shkodrës, Prizrenit a Durrësit, por është produkt i Akademisë së Konstantinopojës/Stambollit. As si strateg ushtarak Skënderbeun nuk e kemi nxjerrë ne, por të tjerët. Arkitekt Sinani? Edhe ky ishte produkt i të tjerëve, jo yni. Rilindasit e pasuesit e tyre? De Rada, Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Faik Konica, Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, etj.? Edhe këta janë produkt i akademive evropiane dhe akademive të Stambollit. Aleksandër Moisiu, Nëna Terezë, Eqrem Çabej, Bekim Fehmiu? Edhe këta ishin produkt i të tjerëve jo yni, duam të marrim merita për ta veç pse i lindi një nënë a baba shqiptar?! Pyetja është ku janë dhe cilët janë produktet tona, të kolektivitetit tonë, të qytetërimit tonë?! Sigurisht pyetja është retorike, meqë nuk mund t’i kemi ato produkte, sepse asnjëherë nuk kemi pasur qendra edukative, kulturore, shkencore, akademike sa për të nxjerrë produktet tona. Pra, asnjëherë nuk kemi pasur qytetërim. Madje as në kohët bashkëkohore (në shekullin XX dhe XXI) nuk kemi të tillë dhe për këtë do të argumentoj më vonë në vijim.

 

E nëse unë nuk kam të drejtë, atëherë le të na tregojnë e dëshmojnë historianët tanë se ku janë piramidat, Aleksandria, Athina e Roma ilire?! Ku është Konstantinopoja, Venediku, Bagdadi, Kordoba e Damasku arbëror?! Ku është Londra, Parisi, Berlini e Nju Jorku shqiptar?! Ku janë akademitë ilire, universitetet arbërore e shkollat shqiptare?! Ku është Pitagora, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Seneka, Ciceroni, Homeri, Plutarku e Shën Augustini ilir?! Ku është Toma Akuini, Ibni Sinai, Galileo, Da Vinçi, Servantesi, Shekspiri, Makiavelli, Bruno, Bejkoni e Koperniku arbëror?! Ku është Spinoza, Dekarti, Hobsi, Gëte, Hjumi, Loku, Volteri, Njutoni, Kanti, Hegeli, Shopenhaueri, Smithi, Mozarti, Betoveni, Balzaku, Dostojevski, Jungu e Ajnshtajni shqiptar?! Apo si përgjigje në këto pyetje do të themi se këto janë standarde të larta për një popull të vogël?! Po a nuk po na thotë historia se kemi qenë popull i madh e i qytetëruar?! Po mirë, le t’i ulim pra këto standarde në minimum dhe të pyesim sërish. Po cilat janë ato figura ilire, arbërore e shqiptare, bashkëkohanikë të figurave të mësipërme, të cilët i kanë lexuar e kuptuar këta mendimtarë, i kanë diskutuar, komentuar e interpretuar ata, i kanë përkthyer e ia kanë ofruar popullit të vet?! A harrova, nuk kanë pasur si t’i përkthejnë sepse nuk kemi pasur alfabet! Për më tepër, as në ditët tona, në kohën e teknologjisë së informacionit, edhe po t’i marrim bashkë të gjithë intelektualët shqiptarë, akademitë e universitetet shqiptare, nuk do të gjejmë njohës e interpretues kompetentë të këtyre figurave dhe të veprave të tyre që e kanë formësuar mendimin dhe zhvillimin njerëzor. Ne as sot e kësaj dite nuk i kemi as të përkthyera në gjuhën tonë shumë nga veprat e këtyre kolosëve të mendimit njerëzor e lëre më të kemi të tillë nga mesi ynë.



Edhe një argument të fundit sa i përket “qytetërimit” tonë. Ne dhe historia jonë mburremi se asnjëherë gjatë ekzistencës sonë si popull nuk kemi zhvilluar luftëra pushtuese, por asnjëherë nuk jemi ndalur të mendojmë se çfarë le kjo të nënkuptohet. Historikisht, çdo popull me qytetërim të avancuar, që prej parahistorisë e deri në ditët tona, ka zhvilluar luftëra pushtuese (në botën moderne lufta bëhet edhe ndryshe) dhe këtë e ka bërë për dy arsye: 1) duke e vlerësuar qytetërimin e vet si superior karshi të të tjerëve ka dashur që ta përhapë dhe imponoi qytetërimin e vet edhe tek të tjerët dhe 2) duke pasur qytetërim të avancuar ka pasur edhe fuqi dhe teknologji për të pushtuar e sunduar të tjerët dhe për ta zgjeruar ndikimin e qytetërimit të vet. Rrjedhimisht, mungesa e luftërave tona pushtuese është dëshmi e qartë se ne nuk kemi pasur qytetërim tonin të avancuar asnjëherë, përndryshe do të donim dhe do të mundnim ta shtrinim e impononim atë qytetërim tek të tjerët, siç kanë bërë gjithmonë të gjithë popujt, e nuk do të na shkonte gjithë historia duke u mbrojtur nga shfarosja.

 

Të gjitha ato që u thanë më sipër mjaftojnë për të dëshmuar se ne asnjëherë nuk kemi pasur as nuk kemi qytetërim në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo nuk do të thotë se ne si popull kemi qenë e jemi të privuar nga mundësia për qytetërim, sepse kemi raste kur individë të caktuar (që nuk janë rezultat i kolektivitetit tonë, por i vetvetes apo i kolektiviteteve të tjera) kanë arritur të dëshmojnë arritje e vlera qytetërimi. Kështu që, të dashur shqiptarë, ne mund t’i tregojmë vetes përralla sa të duam dhe të besojmë iluzionin se kemi qenë popull i qytetëruar, por e vërteta nuk i nënshtrohet dëshirave e ëndrrave tona. Prandaj është në dorën tonë që të vendosim se a do të vazhdojmë t’i besojmë mashtrimit e iluzionit që na ka krijuar historia jonë kombëtare, apo do të fillojmë ta pranojmë dhe t’i besojmë të vërtetës.

 

Pikërisht pse asnjëherë nuk kemi pasur qytetërim të avancuar (për kohën) ne vazhdojmë t’i vuajmë pasojat edhe sot, sepse i kemi ulur tej mase standardet e asaj se çfarë vlerësojmë sot si qytetërim, si vlerë, si arritje, si sukses. Ne sot e quajmë mendimtar, intelektual e profesor cilindo mediokër që mban një diplomë pa kurrfarë vlere. Ne sot quajmë shkrimtar të suksesshëm cilindo shkrimtaruc që bën ca kombinime shkronjash e fjalësh, që për nga cilësia është i krahasueshëm me cilindo individ që në mënyrë të rastësishme mund ta përzgjedhim në rrugët e rrugicat e Berlinit, Londrës, Moskës e Parisit. Ne sot me pompozitet promovojmë libra të autorëve tanë, të cilat për nga vlera e cilësia nuk i kalojnë as kufijtë e komunës prej nga vjen autori, përveç kur, siç ndodh veç tek ne shqiptarët, vet autori e financon blerjen e librit të tij, pra vetë-blerjen, ose e financon përkthimin e librit të tij në gjuhë të tjera, sa për t’u dukur që vepra e tij ka vlerë përtej kufijve. Ne sot e quajmë art e kulturë çdo imitim të artit a të kulturës së dikujt tjetër që ndoshta ekziston me dekada e shekuj. Ne sot e quajmë të qytetëruar e të edukuar një person veç pse nuk hedhë bërllok nga vetura. Ne sot shpallim krenari kombëtare arritjet e sukseset në sportet e muskujve e në pornografinë moderne që quhet pop muzikë. Ne sot ndajmë dekoratat më të larta shtetërore për cilindo mediokër për ndonjë kontribut banal, sikur të ishin këto dekorata lecka pazari. Ne sot krenohemi për arritje të jashtëzakonshme veç pse në shekullin XXI shqiptarëve të Maqedonisë (rreth 40% e popullatës së këtij shteti) ju garantohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare në shtet. Ne sot e bëjmë lajm kombëtar vendosjen e një semafori në qytetet tona në ndërkohë që bota merret me menaxhimin e trafikut të satelitëve në hapësirë dhe ka prodhuar veturat me auto-pilot. Ne sot fascinohemi kur arrijmë ta bëjmë një kabinet të informatikës në fakultet në ndërkohë që bota gati ka arritur të prodhojë kompjuterët kuantikë. Ne sot krenohemi për ndonjë operacion banal të suksesshëm në spitalet tona në ndërkohë që bota ka krijuar nano-robotë për ndërhyrje kirurgjikale. Ne sot reklamojmë me mburrje vendosjen e instrumenteve për matjen e ndotjes së ajrit në ndërkohë që bota ka krijuar instrumente për të detektuar valët gravitacionale. Ne sot promovojmë me mburrje krijimin e ndonjë fabrike për prodhimin e gjilpërave në ndërkohë që bota ka dërguar sonda në mars. Ne sot i mbajmë shpresat e zhvillimit tonë në xehet e mineraret tona në ndërkohë që bota ka krijuar makineri e softuerë për seks virtual. Etj., etj.. Këto simbolika, e shumë të tjera që mund të përmenden, dëshmojnë për standardet e pritjet tona jashtëzakonisht të ulëta e të vogla që kemi vendosur ndaj vetes, të cilat janë pikërisht si rezultat i mungesës së qytetërimit tonë, sot e gjithmonë. Dhe në të njëjtën kohë, si sot si në të kaluarën, pikërisht për shkak të këtyre standardeve shumë të ulëta për atë që e konsiderojmë qytetërim, me kandarin tonë ne e kemi quajtur e vazhdojmë ta quajmë veten të qytetëruar. Pra, vetëmashtrohemi. Qytetërimi matet me standardet e kandarin e kohës, jo me standardet e kandarin vetë-qejfbërës.

 

 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

31 maj 2018
https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-1-vetemashtrimi-per-qyteterimin-tone

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 02-02-2020, 20:18:23
Pasi në pjesën e parë të këtij shkrimi folëm për qytetërimin tonë, tani pak fjalë për guximin e trimërinë tonë. Dhe që në fillim duhet theksuar se jemi duke folur për guximin e trimërinë tonë shqiptare (dhe paraardhësit tanë) si kolektivitet, si popull, si shoqëri, si komb, jo si individë apo si grup individësh të caktuar, megjithëse parimet e njëjta vlejnë edhe për individët, veçse individët e caktuar mund të jenë të edukuar, të emancipuar, të vetëdijshëm, trima guximtarë edhe pa qenë rezultat a produkt i kolektivitetit që i përkasin, por rezultat e produkt i vetvetes, ose i kolektiviteteve tjera, prandaj në këtë shkrim nuk do të flasim për individët, por për kolektivitetin tonë. Siç e dimë të gjithë shqiptarët, historia e folklori ynë na ka mësuar se gjithmonë kemi qenë popull trim, guximtar e luftarak. Për të na bindur për këtë na kanë sjellë shumë raste e shembuj sporadikë e të fragmentuar, kryesisht rrëfenja individësh. Po si është e vërteta atëherë?

 

Udhëtimi deri te e vërteta duhet të fillojë që me përkufizimin e guximit e trimërisë, sepse që këtu fillon problemi. Trimëria e guximi i një populli nuk ka të bëjë me mungesën e frikës a me gatishmërinë e një populli për të luftuar për të mbrojtur ekzistencën e vet fizike, biologjike, pra për të mbijetuar. Po të qe kështu, kafshët janë të pakonkurrencë në këtë drejtim. Kur është në pyetje ekzistenca e tyre edhe kafshët mposhtin frikën dhe luftojnë për mbijetesë. Edhe atëherë kur duket që luftojnë për lirinë dhe territorin e tyre të kontrollit, në fakt këtë e bëjnë për të siguruar mbijetesën e tyre.

 

Vetëm njeriu, përveç për mbijetesë, lufton edhe për gjëra të tjera, për bindje e besime, për vlera e qytetërim, për komb e për fe, për dinjitet e për liri. Rrjedhimisht, guximi e trimëria e një populli është shprehja më e lartë e qytetërimit, emancipimit dhe vetëdijes së një populli. Kështu që, bazuar në ato që kemi përmendur më sipër për qytetërimin tonë, logjikisht del të jetë e pamundur që një popull pa qytetërim të jetë popull trim e guximtar, që lufton për diçka më shumë se sa vetëm për ekzistencë, më shumë se sa vetëm për mbijetesë. Dhe nuk kemi pse të çuditemi për këtë, sepse nuk mund të ketë kolektivitet, popull, të guximshëm, trim, të dinjitetshëm e që ia di vlerën e rëndësinë qytetërimit, dinjitetit e lirisë, nëse nuk është i arsimuar, i emancipuar, i qytetëruar, i vetëdijshëm. Ne kurrë si kolektivitet nuk kemi qenë i arsimuar, i vetëdijshëm, i emancipuar e i qytetëruar, prandaj dhe gjithmonë kemi qenë frikacak si kolektivitet (individët janë gjë tjetër). Për ta përsëritur edhe njëherë, vetëm një popull i qytetëruar, me vetëdije të lartë për vlerën e rëndësinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor mund të jetë trim e guximtar, i gatshëm për luftë e sakrificë, mund të marrë kurajën për ta mposhtur frikën dhe për të luftuar kundër çdokujt e pavarësisht pasojave, vetëm për hir të mbrojtjes së qytetërimit, të lirisë dhe të dinjitetit të vet.

 

Pikërisht pse na ka munguar trimëria e guximi si kolektivitet në realitet, në formë kompensimi për ta mbrojtur egon tonë e në formë vetëkënaqësie, aq shumë e kemi të mbushur folklorin e muzikën e vjetër e atë bashkëkohore me trimërinë e guximin tonë. Nuk besoj që mund të gjesh në folklorin e në muzikën amerikane, ruse, angleze, gjermane, turke, etj. që i këndohet kaq shumë patriotizmit, trimërisë e guximit të popullit të vet, sepse këto cilësi nuk ju kanë munguar realisht, ndaj dhe nuk kanë pasur nevojë për kompensim të pavetëdijshëm. Pra, edhe kjo është një dëshmi psikologjike e logjike se neve historikisht na ka munguar trimëria e guximi si kolektivitet.

 

Megjithatë, argumentet e mësipërme për trimërinë e guximin tonë janë të tërthorta e jo tërësisht historike. Andaj të kthehemi pak në histori, duke u bazuar në atë se çfarë thotë historia ndërkombëtare objektive për ne, e jo duke u bazuar vetëm në historinë tonë kombëtare (në mitet tona). Nuk po flasim për individë shqiptarë apo për rastet kur ne ju kemi shërbyer të tjerëve në luftërat e tyre, sepse këto nuk tregojnë asgjë për trimërinë e guximin tonë si popull, por po flasim për luftërat tona si kolektivitet në mbrojtje të qytetërimit, lirisë dhe dinjitetit tonë.

 

Meqë historia na thotë, dhe të gjithë pajtohemi, se ne shqiptarët (dhe paraardhësit tanë) pothuajse gjithmonë për shekuj e mileniume kemi qenë të pushtuar e të sunduar nga të tjerët, atëherë logjikisht, nëse do të ishim popull trim e guximtar, do duhej të kishim përpjekje e luftë të vazhdueshme për liri gjatë gjithë historisë sonë. Por, e vërteta historike na thotë diçka tjetër. Edhe në versionin më optimist, me standarde shumë të ulëta, ne mund të veçojmë vetëm katër periudha të ndryshme historike, me shekuj e mileniume intervale kohore mes tyre, kur ne kemi zhvilluar luftëra si kolektivitet. Këto periudha janë: 1) periudha e luftërave iliro-romake, 2) periudha e Skënderbeut, 3) periudha e luftës për pavarësi në fillim të shekullit XX dhe 4) lufta e fundit për çlirimin e Kosovës – lufta e UÇK-së. Ama prisni, sepse as këto periudha nuk janë pa të meta e për t’u mburrur.

 

Luftërat iliro-romake siç na i pasqyron historia jonë kombëtare do të mund të vlerësoheshin të rëndësishme e për mburrje për trimërinë e guximin e paraardhësve tanë. Por, kur këto luftëra i shikojmë nga perspektiva që ofron historia objektive ndërkombëtare për Perandorinë Romake, ato nuk duken fare, ose nuk përmenden fare ose edhe nëse përmenden sipërfaqësisht nuk është se kësaj rezistence ilire i veshët ndonjë rëndësi apo ndonjë gjurmë që ajo të ketë lënë në rrjedhën e historisë së Perandorisë Romake apo të historisë botërore në përgjithësi. Për më tepër, ato luftëra e kryengritje kanë qenë shumë të rralla e të shkurtra, rrjedhimisht, del që më shumë se sa luftëra e beteja afatgjate të organizuara mirëfilli, ato duhet të kenë qenë beteja sporadike kur romakët gjatë ekspeditave të tyre kanë kaluar nëpër trojet e banuara me ilirë, apo kur Roma ka vendosur që t’i sulmojë e t’i nënshtrojë ilirët për shkak të aktivitetit të tyre piraterik ndaj Romës dhe aleatëve të saj. Pra, nuk bëhet fjalë aspak për përplasje qytetërimore, siç ka dëshirë të na i pasqyrojë historia jonë.

 

Çuditërisht, që prej fillimit të erës sonë, për gati një milenium e gjysmë, ne pothuajse zhdukemi nga radarët e historisë dhe duhet të presim periudhën e Skënderbeut për të ridalë në skenën e historisë. Vetëm ky fakt në vetvete tregon shumë për trimërinë e guximin tonë gjatë gati 14 shekujve heshtje nën sundim. Sidoqoftë, të ndalemi pak te periudha e rezistencës së Skënderbeut ndaj Perandorisë Osmane (PO). Është e vërtetë e pranueshme edhe nga historia objektive ndërkombëtare se Skënderbeu ka arritur të organizojë rezistencë për vite e dekada ndaj PO-së. Veçse edhe për këtë periudhë e kemi një paradoks të pasqaruar. Periudha e rezistencës së Skënderbeut ndaj PO-së korrespondon pikërisht me kohën kur PO kishte arritur ta pushtojë Konstantinopojën dhe ta shembte Perandorinë Romake të Lindjes (Bizantin). Për të mos harruar, Konstantinopoja në atë kohë ishte ndër kryeqendrat dhe kryefuqitë politike, fetare, ushtarake, ekonomike, financiare, kulturore, etj. e botës. Prandaj, paradoksi qëndron në faktin se si është e mundur që një perandori që arriti ta pushtojë një ndër kryeqendrat dhe kryefuqitë botërore të kohës, po në atë kohë nuk arriti të pushtoi një vend e një popull të vogël?! Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t’i shmangemi. Po ta krahasojmë me kohën tonë, i bie që sikur sot të dilte ndonjë fuqi që do të arrinte ta pushtonte për shembull SHBA-në, ndërsa e njëjta të mos arrinte të pushtonte ndonjë vend e popull të vogël e të pafuqishëm. Kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse ky popull do të ndihmohej nga gjithë bota, nëse ky popull do të skutej nëpër shpella e kështjella ku nuk mund të ndiqej, ose nëse për këtë popull nuk do të kishte shumë interes për ta pushtuar e sunduar. Këto, të kombinuara, duhet të kenë qenë shkaqet e suksesit të rezistencës ndaj PO-së. Përtej kësaj, mendoj që kjo është periudha jonë historike më e dinjitetshme, megjithëse nuk jam i sigurt nëse kjo periudhë e suksesshme rezistence mund të shquhet për organizim të avancuar shoqëror e për luftë vlerore e qytetërimore, luftë për liri e dinjitet, apo ishte fjala për refuzim i një vasaliteti për nënshtrim ndaj një vasaliteti tjetër.

 

Si popull trim e guximtar që kemi qenë, i qytetëruar e liridashës, pavarësisht se nën sundimin e PO-së, sërish pothuajse zhdukemi nga historia e luftërave për 4 shekuj, që prej periudhës së Skënderbeut e deri te periudha e luftës për pavarësi në fillim të shekullit XX. Dhe kur flasim për luftën për pavarësi në fillim të shekullit XX, pavarësisht se sa u zgjerua, sa zgjati, sa u mobilizuam e çfarë arritëm, kjo luftë nuk është kurrfarë dëshmie e trimërisë, guximit e atdhedashurisë sonë. Kjo luftë, fund e krye, kokë e këmbë, ishte luftë për ekzistencë, luftë për mbijetesë. Çfarë opsioni tjetër kishin shqiptarët në këtë periudhë? Shfarosje, nëse jo luftë. Prandaj, mobilizimi e lufta për mbijetesë nuk mund t’i atribuohet guximit e trimërisë, cilësi të emancipimit e vetëdijes së lartë, por vetëm instinktit për mbijetesë, cilësi (e lindur primitive) e çdo organizmi të gjallë.

 

Megjithëse gjysma e trojeve dhe popullsisë sonë mbeti e pushtuar jashtë shtetit që krijuam (ose na krijuan të tjerët) në fillim të shekullit XX, sërish trimërinë e guximin tonë e kaploi gjumi për gati një shekull, deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fund të shekullit XX. Çuditërisht, megjithëse në fund të shekullit XX si popull e si komb ishim në pozitë shumë më të favorshme, kishim një shtet shqiptar dhe kishim zhvilluar e masivizuar arsimimin, sërish kur nisi lufta në Kosovë shteti shqiptar sodiste i papërfshirë drejtpërdrejt në luftë (segmente të caktuara edhe e sabotonin luftën), shtresa intelektuale e Kosovës nuk e përkrahu luftën (segmente të rëndësishme edhe e sabotonin luftën), vetëm 1% e popullatës së Kosovës iu bashkua UÇK-së dhe luftoi, etj.. Është edhe një element tjetër i rëndësishëm që lidhet me luftën e UÇK-së, i cili tregon shumëçka. Një numër i madh i luftëtarëve të UÇK-së ishin të rinj (18 – 30 vjeç) që i karakterizon trimëria, guximi, rebelizmi, avanturizmi e euforia rinore, ndërsa moshat e vjetra kryesisht sodisnin. Koha e luftës së UÇK-së karakterizohet edhe nga dy elementë të tjerë. Megjithëse në disa rajone zhvillohej luftë e përgjakshme, pjesa dërrmuese e Kosovës pothuajse zhvillonte jetë normale, thua se lufta zhvillohej në ndonjë vend tjetër e nga një popull tjetër. Dhe ajo që është treguesja më e mirë e trimërisë dhe guximit tonë si popull, megjithëse gati një milion njerëz u depërtuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga Kosova, shumë pak prej tyre iu kundërpërgjigjen këtij poshtërimi serb duke iu bashkuar luftës së UÇK-së, thjesht vazhduan jetën nëpër kampe e në shtetet perëndimore, thua se luftën duhet të na bëjnë të tjerët. Të gjitha këto gjëra që lidhen me luftën e UÇK-së janë dëshmi e qartë se sa popull jotrim e joguximtar jemi. Veç kësaj, fatkeqësisht, edhe kjo luftë ishte luftë për ekzistencë, për mbijetesë, përndryshe kishte vite e dekada që ne nuk ishim të lirë, poshtëroheshim dhe e kishim dinjitetin e nëpërkëmbur, por heshtëm derisa na u rrezikua ekzistenca.

 

Këto pra ishin katër periudhat historike që eventualisht ne shqiptarët mund t’i shkoqisim për t’i marrë nën shqyrtim nëse eventualisht përmes tyre mund të dëshmojmë për trimërinë e guximin tonë si popull. Por, siç i pamë, për arsye të ndryshme, edhe pse janë aq të rralla e aq të shkurtra, ato nuk mund të dëshmojnë për trimërinë e guximin tonë si popull, për më tepër, dëshmojnë të kundërtën. Por, le t’i ulim edhe njëherë standardet dhe të konsiderojmë se këto katër periudha tona historike vërtet janë periudha historike të lavdishme, që dëshmojnë për guximin, trimërinë e atdhedashurinë tonë. A nuk janë pak katër periudha lufte për liri, me intervale kohore mileniume e shekuj mes tyre, për një popull që mbi dymijë vjet ka jetuar i pushtuar e i sunduar nga të tjerët?! Sikur ne të kishim luftuar mbi dymijë vjet për liri, ose do të ishim zhdukur fare nga luftërat ose do të kishim qëmoti lirinë tonë si popull. Asnjëra nuk ka ndodhur. Nuk u zhdukëm, sepse nuk luftuam, por u nënshtruam. Nuk e fituam lirinë, sepse ishim frikacakë e nuk luftuam. Prandaj sot, trojet e populli ynë është i ndarë në 6 shtete të ndryshme të regjionit, në shumicën e të cilave shqiptarëve ju cenohen edhe të drejtat elementare njerëzore, lëre më ato kombëtare.

 

Ndoshta “historianët” tanë do të kundërpërgjigjen duke thënë se nuk janë vetëm këto katër periudha historike kur ne kemi luftuar, por ka edhe shumë të tjera gjatë historisë sonë. I sfidoj këta “historianë” që të na i përmendin dhe të na i dëshmojnë së paku 10 periudha kur ne kemi luftuar, sipas përkufizimit tonë: për qytetërimin, për dinjitetin dhe për lirinë tonë. Po të ishim popull trim, guximtar e luftarak, do duhej të kishim me qindra periudha gjatë historisë sonë mbi 2-mijëvjeçare. Po ashtu, i sfidoj “historianët” tanë që të na i përmendin së paku 10 figura tonat historike të periudhave të ndryshme historike (jo të periudhës së njëjtë historike) që janë mishërim i trimërisë, guximit, dinjitetit, luftës e atdhedashurisë. Në versionin më optimist, mua më rezultojnë vetëm tri figura të tilla: Skënderbeu, Hasan Prishtina dhe Adem Jashari. Po të ishim popull trim, guximtar e luftarak, do duhej të kishim me qindra e me mijëra figura të tilla historike gjatë historisë sonë mbi 2-mijëvjeçare.

 

“Historianët” tanë ndoshta do të na sjellin plot “dëshmi” kundër pretendimeve të mësipërme, prandaj duke i supozuar përpjekjet e tyre për demant, po i para-demantoj. Nëse do të thirremi në trimërinë, guximin e luftën tonë gjatë luftërave botërore, përgjigjja është shumë e thjeshtë. Gjatë luftërave botërore, siç nënkupton edhe vet emërtimi i tyre, e gjithë bota (që na rrethonte) ishte në luftë, prandaj dhe as ne shqiptarët nuk kishim zgjidhje tjetër pos të luftonim. Edhe po të donim të mos përfshiheshim në luftë një gjë e tillë nuk ishte e mundur. Prandaj këto ishin lufta të imponuara e për mbijetesë. Përveç kësaj, gjatë luftërave botërore, posaçërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne shqiptarët, në Shqipëri e në ish-Jugosllavi, ishim të ndarë në taborë të kundërta, dëshmi shtesë e mungesës së vizionit tonë, dëshmi shtesë se lufta ishte e imponuar dhe kushdo radhitej sipas preferencave të veta, pa një vizion e plan kombëtar se si të pozicionoheshim në luftë.

 

“Historianët” tanë kanë për të ofruar edhe marifete të tjera të gatuara në kuzhinën e shkencës së tyre të historisë. Ata edhe luftës së Ali Pashë Tepelenës dinë t’i japin ngjyrime nacionaliste e patriotike, vlerore e qytetërimore, kur në fakt lufta e tij me sulltanin nuk ka pasur lidhje me asnjërën nga këto, thjesht ka qenë luftë për kontroll taksash e territoresh, për vasalitet. “Historianët” tanë dinë të përmendin edhe luftëra e kryengritje fisnore, lokale e provinciale të shqiptarëve dhe t’i mveshin ato me guxim e trimëri, me ngjyra nacionaliste e patriotike, vlerore e qytetërimore, kur në fakt nuk janë gjë tjetër veçse frustrime e rebelime të përkohshme për interesa të ngushta fisnore, lokale e provinciale. Edhe lëvizjeve e luftërave kaçake “historianët” tanë dinë t’ju japin përmasa mbarëkombëtare, ngjyrime vlerore e qytetërimore, kur në fakt bartësit e tyre, siç tregon edhe vet emërtimi, ishin kaçakë, cuba. “Historianët” tanë dinë të përmendin edhe individë që kanë organizuar rezistencë e kryengritje kundër pushtuesve apo edhe individë e grupe individësh që ju kanë shërbyer të tjerëve, Romës, Bizantit, Osmanëve, Gjermanisë e Jugosllavisë, por siç e përmendëm që në fillim, këto raste janë të parëndësishme këtu, sepse nuk jemi duke folur për individët e as për rastet kur ju kemi shërbyer të tjerëve. Pra, pretendimet e tilla të “historianëve” tanë janë tërësisht të paqëndrueshme në funksion të dëshmimit se ne shqiptarët dhe paraardhësit tanë, si kolektivitet, jemi trima, guximtarë, luftarakë e atdhedashës.

 

Të gjitha ato që u diskutuan më sipër dëshmojnë qartë se ne shqiptarët dhe paraardhësit tanë, si kolektivitet, nuk jemi popull trim, guximtar, luftarak e atdhedashës. Në mungesë qytetërimi e vetëdijesimi, ne jemi ndër popujt më frikacakë që njeh historia e njerëzimit. Të gjitha këto nuk i them për të mbytur shpresën, por për ta pranuar realitetin tonë të hidhur. E fatmirësisht ky realitet në të ardhmen mund të ndryshohet. Guximi, trimëria, dinjitetshmëria e dashuria për lirinë nuk janë biologjike e gjenetike. Këtë e dëshmojnë rastet e individëve tonë, rezultat a produkt i vetvetes apo i të tjerëve që ju kanë shërbyer, të cilët kanë demonstruar dinjitet, dashuri për lirinë, vetëdije, trimëri e guxim. Të gjitha këto cilësi vijnë si rezultat i arsimimit, emancipimit, vetëdijesimit e qytetërimit të një populli. Sa më herët që pajtohemi me këto të vërteta, aq më shumë rriten gjasat që së paku gjeneratat tona të ardhshme të rriten si qytetarë të barabartë të botës së qytetëruar.

 

Gjithsesi, ky diskutim nuk mund të mbyllet pa përmendur edhe pasojat e mëdha që na i ka sjellë, po na i sjellë e do të na i sjellë kjo mungesë guximi, trimërie, atdhedashurie, dinjitetshmërie e liridashurie. Duke qenë kolektivitet frikacak ne gjithmonë jemi dorëzuar e nënshtruar lehtë ndaj të tjerëve që na kanë pushtuar e sunduar. E duke qenë të pushtuar e të sunduar vazhdimisht për më shumë se dymijë vjet histori, jemi shndërruar në popull dhe individë shumë servilë dhe gati na është amputuar nevoja për dinjitet njerëzor. E gjithë kjo i shpjegon shumë fenomene e zhvillime të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe aktualitetin shqiptar të këtij fillimi të shekullit XXI deri më sot.

 

Megjithëse jemi nënshtruar lehtë ndaj të tjerëve dhe kjo, fatkeqësisht, nuk na ka penguar, duke qenë të rrethuar (dhe sunduar) nga perandori e popuj krenarë e të guximshëm, frikacakërinë, nënshtrueshmërinë, padinjitetshmërinë e servilizmin tonë së paku nuk kemi mundur ta përligjim moralisht e as ta pranojmë formalisht e publikisht, megjithëse faktikisht e praktikisht e kemi shpërfaqur gjithmonë. Si justifikim e kemi bindur veten intimisht se nuk është e turpshme të nënshtruarit ndaj popujve e perandorive të mëdha e të fuqishme. Në anën tjetër, për ta mbrojtur egon tonë kemi krijuar mite e legjenda për veten dhe këtë pamundësi të mospërligjjes morale e kemi mbajtur të ndrydhur gjatë gjithë historisë.

 

Për fatin tonë të keq, në gjysmën e dytë të shekullit XX, patëm dy periudha e dy figura të ndryshme, në Shqipëri e në Kosovë, krejt të ndryshme e të pakrahasueshme për mënyrën e funksionimit, por të njëjta me rezultatet finale (qëllimet as që dua t’ua shqyrtoj, sepse nuk mund t’i di), të cilët e kryen edhe masakrën e fundit morale mbi shqiptarët: ia përligjën edhe moralisht shqiptarëve frikacakërinë, nënshtrueshmërinë, padinjitetshmërinë e servilizmin.

 

Në Shqipëri ishte komunizmi i prirë nga Enver Hoxha, i cili në emër të ideologjisë e interesit kolektiv e zhveshi tërësisht qytetarin e Shqipërisë nga dinjiteti njerëzor personal sa gati gjithë popullin e shndërroi në robotë dhe në skllevër. Gjatë komunizmit në Shqipëri, qytetari e kishte të ndaluar të mendonte, të besonte, të fliste e të sillej si qenie njerëzore e lirë e me dinjitet. Gjatë kësaj periudhe shqiptari i Shqipërisë, tërësisht arbitrarisht e padrejtësisht, mund të pushkatohej, të internohej, të torturohej, të burgosej, të poshtërohej, të ishte spiun edhe për fëmijët e vet, lëre më për të tjerët, etj., dhe të gjitha këto i pranonte si normale dhe si të përligjshme moralisht në emër të ideologjisë e të partisë. Pasojat e komunizmin në Shqipëri i dimë tashmë të gjithë, në çfarë gjendje e solli komunizmi dhe çfarë pasoi në Shqipëri pas komunizmit. E keqja është se edhe pse ka rënë komunizmi në Shqipëri ende vazhdon një lloj diktature tjetër mbi qytetarët, veçse për dallim nga komunizmi ku atë e ushtronte shteti dhe partia, tash atë e ushtrojnë partitë politike dhe bandat kriminale. Pavarësisht kësaj, ushtruesit e kësaj diktature në Shqipëri nuk marrin ndëshkimin e merituar nga qytetarët, por vazhdojnë t’i përkrahin ata dhe t’i veshin me forcë e pushtet. Rasti më ilustrues është vet Sali Berisha, i cili duke u thirrur në demokraci e patriotizëm nuk ka lënë të keqe, gjëmë as kob pa ju sjellë shqiptarëve të Shqipërisë, si: armiqësimi i skenës politike, lufta civile dhe shkatërrimi i shtetit më 1997, lazaratizimi i Shqipërisë, falja e territorit shqiptar Greqisë, kriminalizimi i vendit, mbajtjen e strukturave paralele brenda shtetit, masakra e Gërdecit, vrasja e protestuesve, destabilizimi i vazhdueshëm i vendit, etj., por sërish, pavarësisht se nuk ka lënë kujt pa iu servilosur e nuk ka lënë kënd (që ka mundur) pa e detyruar t’i serviloset atij, edhe pas një çerekshekulli ai është prezent, ka ndikim e përkrahet nga një pjesë e shqiptarëve të Shqipërisë.

 

Në Kosovë ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e prirë nga Ibrahim Rugova, i cili i bindi shqiptarët e Kosovës se nënshtrimi, poshtërimi e padinjitetshmëria janë të pranueshme moralisht për aq kohë sa “kursehet jeta”. Për ta thjeshtuar, dilemën se cila duhet të jetë më e rëndësishme për njeriun: jeta e njeriut apo dinjiteti njerëzor, “filozofia e këtij profeti të Kosovës” kishte qëndrim të qartë: “jeta e njeriut, qoftë edhe e padinjitetshme”! Harruan se njeriu pa dinjitet është më afër kafshës se qenies njerëzore, prandaj “filozofia” dhe qëndrimi i tillë, përveç që e fyen njeriun, është anti-njerëzore. Pavarësisht kësaj, këtë “filozofi” e përqafuan të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi, jo vetëm ata të Kosovës. Si rezultat i kësaj “filozofie” në vitet 90-a në Kosovë (por edhe kudo ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi) ishte normale, e përligjshme moralisht, madje dhe e lavdërueshme që tërësisht arbitrarisht e padrejtësisht të burgoseshe, të torturoheshe, të vriteshe, të rriheshe, të dhunoheshe, të të dhunohej anëtari i familjes në prezencë, të poshtëroheshe, të detyroheshe të haje bar e gazeta nga policia serbe, etj., etj. e të mos reagoje. Gjithë kjo bëhej në emër të pacifizmit. Se kjo “filozofi” u përqafua nga shumica e shqiptarëve të Kosovës dëshmohet me faktin që kur filloi lufta në Kosovë, LDK kishte 99% të përkrahjes popullore (LDK organizonte “zgjedhje të lira dhe demokratike” edhe pasi kishte filluar lufta dhe kishin ndodhur masakrat e para në Drenicë), ndërsa UÇK-së iu bashkuan rreth 1% e popullatës. Edhe pas luftës e pamë se ç’ndodhi, sërish zgjedhjet i fitonte LDK-ja ndërsa forcat politike që kishin dalë nga UÇK-ja humbnin vazhdimisht zgjedhjet, derisa, fatkeqësisht, edhe këta të fundit filluan e u bën kopje e LDK-së, manipulues e servilë, promovues të padinjitetshmërisë te qytetarët dhe filluan që edhe këta t’i fitojnë zgjedhjet. Rast ilustrues është vet Hashim Thaçi, i cili duke u thirrur në luftën e UÇK-së nuk ka lënë pa bërë koncesion të mundshëm në dëm të shqiptarëve të Kosovës, si: Rambujeja, demilitarizimi i UÇK-së, decentralizimi etnik dhe eksterritorialiteti i entiteteve serbe në Kosovë, pako e Ahtisarit e pavarësia e cunguar, mohimi i simboleve kombëtare, lënia e Kosovës peng të vullnetit të pakicës serbe, privatizimi dhe falja e pasurive shtetërore e publike, bisedimet e dëmshme me Serbinë në Bruksel, pamundësinë e krijimit të ushtrisë së Kosovës, faljen e tokës Malit të Zi, krijimin e Zajednicës – shtetit paralel serb në Kosovë, etj., por sërish, pavarësisht se nuk ka lënë kujt pa iu servilosur e nuk ka lënë kënd (që ka mundur) pa e detyruar t’i serviloset atij, ai është prezent, ka ndikim e përkrahet nga një pjesë e shqiptarëve të Kosovës. Kështu që, për fatin e keq të saj, Kosova ende vazhdon të mbetet peng dhe e uzurpuar nga ldkistët servilë dhe uçkistët ldkistë. Për fajin e tyre jam i sigurt se Kosova sërish do të humb territor të vetin në raport me Serbinë. Si rezultat i të gjitha këtyre, edhe sot në Kosovë politikanët e dinjitetshëm e joservilë e kanë të vështirë të marrin përkrahje popullore. Gati identike është edhe situata e shqiptarëve në Maqedoni, të prirë nga Ali Ahmeti, kopje origjinale e këtyre të Kosovës. Mos të flasim më për shqiptarët në Serbi e Mal të Zi ku janë minoritete pa kurrfarë ndikimi.

 

Por, pavarësisht se ky poshtërim e kjo padinjitetshmëri e shqiptarëve gjithandej ku jetojnë ishte dhe është neveritëse, duke pasur parasysh që shqiptarët kishin shekuj e mileniume që e mbanin të ndrydhur këtë nevojë për përligjje morale, tani që dolën figura shqiptare që ia përligjën edhe moralisht frikacakërinë, nënshtrueshmërinë, padinjitetshmërinë e servilizmin, shumë shqiptarë i adhuruan dhe vazhdojnë t’i adhurojnë këto figura. Madje është normale që disa i konsiderojnë edhe si profetë, sepse kishin pritur shekuj e mileniume që të vinin këta profetë për t’i çliruar e shpëtuar nga kjo torturë që mbanin brenda.

 

Dhe si pasojë e gjithë historisë sonë, e këtyre dy periudhave dhe e këtyre figurave, ne tashmë jemi popull e individë për keqardhje, për t’u mëshiruar, aq inferiorë, servilë e të padinjitetshëm jemi. Këtë e shohim në çdo hap e në çdo sferë të jetës shqiptare. Raporte inferioriteti, padinjitetshmërie e servilizmi shohim gjithandej, mes anëtarëve në familje, mes bashkëshortëve në martesë, mes miqve në raporte shoqërore, mes nxënësve e mësimdhënësve në shkolla, mes studentëve e profesorëve në universitete, mes punëtorëve e punëdhënësve, mes mediave e bizneseve, mes OJQ-ve e donatorëve, mes votuesve e politikanëve, etj.. Ndërsa këtë inferioritet, padinjitetshmëri e servilizëm tonin në kulmin e vet e shohim të shpërfaqet në raport me ndërkombëtarët. Aq shumë është e theksuar sa duket sikur të gjithë: qytetarët, personat publikë, intelektualët, OJQ-të, mediat, bizneset, partitë politike, institucionet shtetërore, krerët më të lartë shtetërorë, bëjnë garë se kush do të dëshmohet më inferior, më i padinjitetshëm e më servil ndaj ndërkombëtarëve. Prandaj nuk është e çuditshme pse ndërkombëtarët, edhe përfaqësuesit e vendeve mike të shqiptarëve, na trajtojnë me aq përbuzje e përçmim dhe sillen në mënyrë kaq arrogante e mospërfillëse me ne. Fundja, si mund të na respektojnë të tjerët kur ne bëjmë garë për të fituar mosrespekt?! Po kaq inferiorë, padinjitetshëm e servilë sillen udhëheqësit e përfaqësuesit e Kosovës në raport me Serbinë sa të bëjnë të vjellësh nga neveria që të ngjallin. Sjellje të ngjashme, për vajmedet, shfaqin edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni karshi maqedonasve dhe shtetit maqedonas.

 

Nuk mund ta përfundoj këtë pjesë të shkrimit pa e shpjeguar edhe një fenomen të rëndësishëm që ndodh ndër shqiptarët e që lidhet me këtë temë. Pikërisht duke qenë frikacak si kolektivitet dhe duke mos pasur guximin për t’u përfshirë në luftë, ata pak persona mes nesh që luftojnë masa jonë popullore i sheh si të jashtëzakonshëm, si mbinjerëzorë, si njerëz që meritojnë të jenë patronë të fryteve të luftës, me një fjalë i mitizon e i hyjnizon, megjithëse ata vetëm e kanë kryer një detyrim qytetar. Në anën tjetër, duke mos qenë të qytetëruar, të emancipuar e të vetëdijshëm, këta luftëtarë e kapitalizojnë këtë mitizim e hyjnizim që i bën masa (të cilin fatkeqësisht besojnë se e meritojnë), duke e konsideruar vendin e njerëzit e çliruar si plaçkë e si robër lufte (gjithsesi jo të gjithë luftëtarët veprojnë kështu, prandaj respekt maksimal për çdo luftëtar të sinqertë e të vetëdijshëm). Kjo mendësi shpjegon pse komunistët pas Luftës së Dytë Botërore u lejuan nga qytetarët të bëjnë çfarë deshën me Shqipërinë e me shqiptarët pas “çlirimit” të Shqipërisë nga nazi-fashizmi. Kjo mendësi shpjegon pse “demokratët” e Partia Demokratike e Shqipërisë u lejuan nga qytetarët të bëjnë çfarë deshën me Shqipërinë e me shqiptarët pas “çlirimit” të Shqipërisë nga komunizmi. Kjo mendësi shpjegon pse shumë komandantë e persona që identifikoheshin me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u lejuan nga qytetarët të bëjnë çfarë deshën me Kosovën e me shqiptarët e Kosovës pas “çlirimit” të Kosovës nga Serbia. Kjo mendësi shpjegon pse shumë komandantë e persona që identifikoheshin me luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni u lejuan nga qytetarët shqiptarë të bëjnë çfarë deshën me shqiptarët e Maqedonisë pas “çlirimit” të shqiptarëve nga maqedonasit. Fundja, si mund t’i kundërvihesh e ta pengosh një mbinjeri, një hyjni?! Me ç’guxim e ç’të drejtë?! Fundja, kur je mbinjeri e hyjni, pse të mos bësh ç’të duash me plaçkën e robërit e luftës?! Ç’njeri e ç’Zot mund të të pengojë?!

 

Si përfundim për këtë pjesë mund të thuhet se një popull që frikacakërinë, nënshtrueshmërinë, padinjitetshmërinë, servilizmin e inferioritetin i ka cilësi të theksuara dhe për më tepër i përligjë edhe moralisht këto cilësi, kurse të kundërtat e këtyre cilësive i sheh vetëm si veti të mbinjeriut a të hyjnisë megjithëse janë gjëra elementare njerëzore, ai popull gjithmonë do ta shoh veten dhe do të shihet nga të tjerët si popull i dorës së dytë, i padenjë për të qenë pjesë e popujve të qytetëruar. Ndaj nëse duam që pasardhësit tanë të mos ndjehen e të mos trajtohen si të tillë nga vetja e nga të tjerët, atëherë duhet që përmes edukimit urgjentisht, sistematikisht e intensivisht t’i imunizojmë pasardhësit tanë nga këto cilësi mjerane. Në të kundërtën, vetëm vazhdojmë vetëmashtrimin.

 

 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

1 qershor 2018

 https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-2-vetemashtrimi-per-trimerine-e-guximin-tone

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 02-02-2020, 20:18:58
Ne shqiptarët historikisht i kemi kopjuar të tjerët sipërfaqësisht, pavarësisht se përmbajtësisht kemi qenë krejt ndryshe nga të tjerët. Duke qenë popull që nuk kemi pasur (as nuk kemi) mendje kritike për t’i analizuar gjërat para se të nxjerrim përfundime, këto kopjime i kemi paketuar si të vërteta përmbajtësore për veten, e kemi bindur veten për to dhe i kemi mësuar pasardhësit për këto “të vërteta” gjeneratë pas gjenerate. Asnjëherë nuk na ka shkuar mendja të gërmojmë në këto “të vërteta”, ta shohim përmbajtjen e tyre dhe pastaj të nxjerrim konstatime se a janë këto “të vërteta” vërtet të vërteta. Këtë nuk e kemi bërë posaçërisht për raste, ngjarje e periudha historike që vet i kemi veshur me shenjtëri. Njëri nga këto raste, ngjarje e periudha historike është edhe Rilindja Kombëtare Shqiptare, të cilën të gjithë shqiptarët e marrin si të mirëqenë, si të vërtetë të pakontestueshme dhe si diçka me të cilën mburremi. Po këtë mendim e bindje e kam pasur edhe vet para se të filloja t’i shtroja disa pyetje themelore përmbajtësore për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si: çfarë rilindi rilindja jonë kombëtare, cilat debate i konsumoi e cilat dije e produkte i krijoi, me ç’mjete e në ç’mënyrë u përhapë kjo rilindje te masat popullore, cilat ishin dhe janë pasojat dhe rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj rilindjeje kombëtare?. Pas shqyrtimit të këtyre pyetjeve dhe gjatë tentativës për të dhënë përgjigje në to pashmangshëm shfaqet e vërteta e hidhur se ne realisht nuk kemi pasur rilindje kombëtare. Ajo që ne e quajmë rilindje kombëtare është fantom-rilindje kombëtare, është thjesht simulim i rilindjes reale. Për ta mbështetur këtë konstatim do të ofroj argumente në vazhdim. Për ta bërë këtë më së miri, fillimisht do ta shohim shkurtimisht Rilindjen Evropiane, të cilën ne e kemi simuluar, dhe pastaj bazuar në të do të shohim a ekziston vërtet Rilindja Kombëtare Shqiptare.

 

Nëse i hedhim një vështrim Rilindjes Evropiane shohim se në fillet e saj ajo filloi ta rizbuloi e të rilindë veprat, vlerat e qytetërimin e vet të vjetër, kryesisht atë helen e romak. Nuk u mjaftua me kaq dhe të gjitha këto ia nënshtroi një vlerësimi e kritike objektive. Kokat më të ndritura iniciuan e zhvilluan përplasje intelektuale e debate të ashpra, të gjithanshme e të gjata për çdo fushë e temë të rëndësishme, për religjionin, për mitologjinë, për filozofinë, për shkencat, për artin, për kulturën, për arsimin, për politikën, për historinë, për ekonominë, për Zotin, për hapësirë-kohën, për universin, për njeriun, për vlerat, për qytetërimin, për drejtësinë, për moralin, për identitetin, për familjen, për estetikën, për dijen, për të drejtat e njeriut, për lirinë, për dinjitetin njerëzor, për demokracinë, për kombin, për shtetin, për republikën, për monarkinë, për rendin shoqëror, ekonomik, politik e shtetëror, etj., etj., etj.. Si rezultat i të gjitha këtyre rilindja evropiane tashmë nuk i kishte rilindur vetëm vlerat e qytetërimin e vet të vjetër, por kishte krijuar dije të re e origjinale kolosale dhe si rezultat i kombinimit të të gjitha këtyre kishte krijuar vepra e produkte, zbulime e shpikje, të avancuara të të gjitha fushave, të cilat kishin vënë themelet e zhvillimit dhe avancimit të hovshëm të shoqërisë. Sigurisht të gjitha këto nuk kishin ndodhur brenda ditës, as brenda vitit, as brenda dekadave, për të gjitha këto u deshën shekuj të tërë.



Ajo çfarë është më e rëndësishmja, rilindja evropiane në fund u kujdes që ta nxirrte masën nga injoranca duke masivizuar arsimin, në mënyrë që gjithë çfarë kishte rilindur e çfarë kishte krijuar, gjithë çfarë kishte vlerësuar e debatuar, t’ia ofronte edhe masës popullore. Si rezultat i të gjitha këtyre, rilindja evropiane kulmoi dhe u kurorëzua me iluminizmin, me revolucionet e mëdha shoqërore, me revolucionet e mëdha shkencore e industriale, me krijimin e shteteve kombe, me ndarjen e shtetit nga feja, me shembjen e monarkive dhe diktaturave, etj.. Pasojat afatgjata të gjithë kësaj i shohim sot në Evropë e në perëndim në përgjithësi: qytetërim i avancuar, shtete të zhvilluara, shoqëri me analfabetizëm zero, shkencë e teknologji të avancuar, shpikje e zbulime të vazhdueshme, art e kulturë me vlera, demokraci të zhvilluara, gjyqësi të drejtë për të gjithë njësoj, mirëqenie të lartë për qytetarët, shërbime publike cilësore, mundësi të zhvillimit të potencialit individual, siguri për secilin qytetar, etj., etj.. Gjithsesi duhet përmendur se as perëndimi nuk ka qenë, nuk është e nuk mund të jetë i përsosur, ka të meta sa të duash, por kjo është temë tjetër dhe nuk do të ndalem të diskutoj për të në këtë shkrim. Vetëm sa për ta përmendur, mendoj se rilindja evropiane si derivat djegës i zhvillimit të perëndimit gati është harxhuar dhe së shpejti perëndimi ka nevojë për një rilindje të re. Po nuk e kuptoi këtë me kohë, së shpejti do ta humb primatin në udhëheqjen dhe dominimin e botës.

 

Tani t’i hedhim një vështrim Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke e krahasuar atë me Rilindjen Evropiane.

 

Së pari, çfarë rilindi Rilindja Kombëtare Shqiptare? Siç diskutuam në pjesën e parë të këtij shkrimi, ne nuk patëm qytetërim të avancuar, nuk patëm figura të shquara të dijes, nuk patëm vepra e produkte origjinale me vlerë universale si trashëgimi, siç kishte Rilindja Evropiane, prandaj dhe rilindja jonë nuk pati se çfarë të rilindë. E rilindi Skënderbeun do të thoni ju? Epo, kombi nuk rilind duke gjetur tehun e shpatës së harruar, por duke gjetur majën e lapsit të harxhuar! Skënderbeu nuk ishte mendimtar, filozof a shkencëtar, por ishte luftëtar, udhëheqës e strateg ushtarak. Si i tillë, shumë mirë që figura e tij u promovua dhe u përdor nga rilindasit tanë si figurë unifikuese e mobilizuese për shqiptarët, por rilindja kombëtare nuk mund të reduktohet kaq shumë, nuk mund të realizohej me një udhëheqës e strateg të suksesshëm ushtarak. Pra, faktikisht, rilindja jonë kombëtare nuk pati çfarë të rilindë, prandaj tash e tutje kur flasim për rilindjen dhe rilindasit tanë, këto fjalë do t’i fusim në thonjëza.

 

Së dyti, cilat debate, për cilat fusha e tema dhe kush nga “rilindasit” tanë i zhvilloi ato debate, cilat dije të reja e origjinale prodhuan ata, cilat vepra, produkte, zbulime e shpikje të të gjitha fushave krijuan ata? Sërish asgjë, asnjë debat, për asnjë fushë as temë, asnjë vepër, produkt, zbulim a shpikje origjinale me vlerë universale nga “rilindasit” tanë (me përjashtim të një kontributi modest në letërsi). Sigurisht ata diskutuan e debatuan për gjendjen e shqiptarëve, hartuan platforma politike dhe mobilizuan shqiptarët për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por këto jenë vetëm një pjesë shumë e vogël e asaj që mund të quhet rilindje, e kurrsesi nuk mund të jenë elementi kryesor dhe i vetëm i një rilindjeje kombëtare. Nuk mund të ketë rilindje e iluminizëm në masë, para se elita intelektuale të ketë konsumuar debat të gjatë e të ashpër, përmes skepticizmit e kritikës, për gjithçka e cila më vonë do të bëhet themeli i ndërtimit të kombit e shoqërisë moderne dhe pastaj të gjitha këto t’ia ketë përcjellë masës popullore..

 

Së treti, me ç’mjete e në ç’mënyrë u përhapë kjo “rilindje” te masat popullore? Në kohën e “rilindjes” sonë kombëtare dhe për shumë vite e dekada pas saj, gati gjithë popullsia jonë ishte analfabete e në injorancë totale. Ne nuk kishim akademi, universitete e shkolla, përmes të cilave t’i përhapnim idetë “rilindase”, atë çfarë kishim “rilindur” e atë çfarë kishim “krijuar” rishtazi, debatet e diskutimet “rilindase”. “Rilindja” jonë kombëtare na la po aq injorantë sa ç’na gjeti! Ne kishim filluar ta zhdukin analfabetizmin masiv vetëm në kohën kur bota e rilindur kishte arritur të dërgonte njerëz në hënë.

 

Së katërti, e fundit dhe më e rëndësishmja, cilat ishin dhe janë pasojat dhe rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj “rilindjeje” kombëtare? “Rilindjen” tonë kombëtare nuk e pasoi iluminizmi, zhdukja e analfabetizmit, revolucionet shoqërore e industriale, krijimi i shoqërisë demokratike e të zhvilluar, etj.. Kur rilindja e iluminizmi evropian zhbëri monarkitë disashekullore (ose i la vetëm si simbolikë), ne pas “rilindjes” kombëtare krijuam monarki për herë të parë. Kur rilindja e iluminizmi evropian rrëzoi diktaturat disashekullore, ne pas “rilindjes” kombëtare ndërtuam diktaturë gjysmëshekullore. Në anën tjetër është e vërtetë se pas “rilindjes” kombëtare ne e krijuam një shtet tonin, por ai shtet ishte gjysmak, i kontrolluar nga të tjerët dhe përveç në dukje, nuk kishte asnjë cilësi a element të një shteti komb të mirëfilltë perëndimor, të cilat i përmendëm tërthorazi më sipër te rilindja evropiane.

 

Po të kishim rilindur vërtet si popull, siç mendojmë e besojmë, tani do të ishim pjesë e Bashkimit Evropian (BE) e nuk do të çirreshim e përgjëroheshim si skllevër për ta pasur vetëm të drejtën elementare për ta vizituar BE-në; do ta kishim Shqipërinë shtet të mirëfilltë të drejtuar nga shqiptarët e jo duke ardhur të tjerët që përmes vetingut të na e pastrojnë shtetin nga hajdutët e kriminelët; do ta kishim Kosovën shtet të pavarur e sovran, e jo të drejtuar nga të tjerët, peng të një pakice, pa ushtri e pa kontroll në një pjesë të madhe të territorit të vet; do t’i kishim shqiptarët e Maqedonisë element shtet-formues atje e jo qytetarë të dorës së dytë në Maqedoni; do t’i kishim shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi qytetarë të lirë me të gjitha të drejtat e liritë njerëzore e kombëtare, e jo të trajtuar si robër e të pavlerë nga shteti serb e duke u shpërngulur nga trojet e veta në pamundësi për jetë normale; do të kishim shqiptarët e Malit të Zi në numër siç kanë qenë gjithmonë e jo duke u asimiluar e duke shpopulluar territoret shqiptare atje; do t’i kishim shqiptarët e Çamërisë në trojet e shtëpitë e tyre duke zhvilluar jetë normale e jo duke bredhur nëpër Shqipëri e me të kaluar të çrrënjosur nga shteti grek; do ta kishim mërgatën shqiptare duke punuar e duke e zhvilluar vendin e vet e jo duke shërbyer e rrogëtaruar rrugëve të botës. Në fakt, po të kishim rilindur vërtet si popull ne shqiptarët, tani do të jetonim në një shtet të vetëm kombëtar, demokratik e të zhvilluar, si gjithë bota e rilindur, rrjedhimisht nuk do të flisnim për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë, të Malit të Zi, të Greqisë e të mërgatës dhe për vështirësitë e problemet banale me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë.

 

Të gjitha ato që u sipër-thanë janë argumente të mjaftueshme për ta pranuar të vërtetën se ne shqiptarët nuk patëm në kuptimin e plotë e të mirëfilltë të fjalës rilindje kombëtare, ne vetëm vetëmashtrohemi për këtë. Gjithsesi, unë nuk jam prej atyre që e mohoj rëndësinë e asaj periudhe dhe kontributin e figurave historike të asaj periudhe, por ua njoh atyre figurave vetëm meritat që ju takojnë për unifikimin dhe mobilizimin e masave popullore për shpëtimin e kombit nga rreziqet e mëdha të kohës, por assesi për rilindje kombëtare. Fundja, nuk janë ata që e kanë quajtur veten rilindas, prandaj dhe ata nuk mund të kritikohen se na mashtruan se gjoja e realizuan rilindjen kombëtare, ishim ne pasardhësit e tyre që, si gjithmonë e për gjithçka, me standardet tona të ulëta më vonë i quajtëm rilindas, jo ata veten.



 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

2 qershor 2018
https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-3-vetemashtrimi-per-rilindjen-tone-kombetare

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#3 ne: 02-02-2020, 20:21:16
Të gjithë shqiptarët, intelektualë, politikanë, përfaqësues shtetërorë, media e qytetarë, besojnë dhe deklarojnë se ne shqiptarët me qytetërim, me vlera e me mendësi jemi evropianë e perëndimorë. Madje, si argument për këtë, na thonë se edhe gjeografikisht përkasim në Evropë, thua se gjeografia në vetvete e përcakton qytetërimin, vlerat e mendësinë e një populli. E vërteta është krejt ndryshe. Ne shqiptarët nuk jemi as evropianë as perëndimorë me vlera e mendësi (për qytetërim as që mund të flasim, folëm më herët). Para se të trazohen militantët “shqiptaro-perëndimorë” dhe të nxjerrin konstatimin se unë dashkam t’i quaj shqiptarët lindorë, le të presin pak. Të mos qenurit perëndimor, nuk të bën me automatizëm lindor, siç pandehin injorantët tanë. Kështu që, jo, ne nuk jemi as lindorë.

 

Duke marrë parasysh historinë dhe aktualitetin tonë, të cilat u përshkruan edhe në këtë shkrim, mendësia jonë më së miri përshkruhet me dy fjalë: mendësi nomade. Sigurisht sipërfaqësisht mund të duket si paradoksale (paradokset janë edhe të vërteta) që të konstatojmë që ne shqiptarët kemi mendësi nomade në ndërkohë që ne kemi organizim shoqëror, politik e shtetëror modern, kemi ndërtesa e vendbanime të stacionuara e afatgjata, zhvillojmë aktivitete të fushave të ndryshme, etj.. Sërish keqkuptim në përkufizim. Të pasurit mendësi nomade nuk do të thotë se jeton në fise e në tenda, në lëvizje të përhershme, që merresh vetëm me gjueti, blegtori e bujqësi primitive. Mendësia nomade ka të bëj me të qenurit rob i përkohshmërisë së jetesës dhe rob i interesit të ngushtë. Pikërisht të tillë mendësi kemi ne shqiptarët.

 

Mendësia jonë nomade nuk na lejon që të krijojmë vizion, qëllime, objektiva e plane për vite, dekada e shekuj për veten, shoqërinë, shtetet e kombin tonë, por funksionojmë me politika ad-hoc, varësisht prej qejfeve, tekeve e inateve të atyre që vijnë në pushtet dhe që ndryshojnë sa herë që kemi ndërrim pushtetesh. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta vendosim si prioritet interesin e shtetit e të shoqërisë, në mënyrë që pastaj në kuadër të interesit të përgjithshëm të arrijmë të realizojmë edhe interesat personale, familjare e farefisnore, por jemi në gjendje që për interesa të ngushta e banale ta dëmtojmë e shkatërrojmë shtetin e shoqërinë. Vetëm te ne ndodh që për një përfitim minimal personal t’i shkaktojmë shtetit e shoqërisë dëm kolosal. Vetëm te ne shqiptarët ekzistojnë praktikat e parimet primitive provinciale, si: interesi im para shtetit e shoqërisë, ai/ajo është i/e afërm e imja dhe duhet përkrahur, ai/ajo është i/e partisë sime dhe duhet përkrahur, ai/ajo është i/e komunës/regjionit tim dhe duhet përkrahur. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne t’i përkushtohemi të motivuar së brendshmi dijes, edukimit, arsimimit, shkencës, teknologjisë, artit e kulturës, për hir të të mirave afatgjate që këto i sjellin individit e shoqërisë, por i bëjmë këto vetëm sa për sy e faqe, se jemi të detyruar, sa për të marrë diploma, sa për të zënë një vend pune, sa për të fituar një status social, sa për të përfituar financiarisht, sa për t’u reklamuar e sa për ta përkëdhelur egon tonë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne të ndërtojmë vendbanime, urbane e rurale, me standarde urbane, me rregullsi e estetikë, me gjelbërim, me parqe, me rrugë, me trotuare, me hapësira edukative, shoqërore, kulturore, sportive e rekreative të mjaftueshme. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ta shkruajmë historinë tonë të vërtetë e siç është, por e tjetërsojmë atë për hir të ca interesave të përkohshme, fminore e vulgare, siç është rasti me trefishimin e numrit të veteranëve të UÇK-së në Kosovë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ta ruajmë edhe atë pak trashëgimi historike e kulturore që e kemi, të cilën e shkatërrojmë ditë e përditë dhe pothuajse nuk ka mbetur asgjë prej saj origjinale dhe e patjetërsuar. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk i lejon pronarët e kompanive të ndërtimit që të bëjnë investime minimale në standardet e kushtet e sigurisë së punëtorëve të tyre, të cilët çdo ditë vdesin në vendin e tyre të punës dha askush nuk jep përgjegjësi për këto jetë të humbura. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne të punojmë në vendin tonë të punës me përkushtim, me integritet, me profesionalizëm, pa hile e në respektim të orarit, por shkojmë në punë vetëm pse jemi të detyruar, nuk e zotërojmë punën që e bëjmë, nuk e kryejmë punën për të cilën paguhemi, kurdo që na jepet mundësia i ikim punës e përgjegjësive të saj. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta mbajmë të pastër ambientin e përbashkët jashtë oborrit tonë dhe ta ruajmë ambientin nga ndotja. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta lëmë të pastër për të tjerët WC-në publike pasi e përdorim vet. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne t’i respektojmë rregullat e shenjat e komunikacionit, duke shkaktuar kaos e duke rrezikuar të tjerët, vetëm sa për të arritur ca sekonda më herët në destinacionin tonë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësi e praktika të tilla nuk mund të gjesh te popujt perëndimorë. Sigurisht edhe atje ka raste të tilla, por ato janë përjashtime, ndërsa te ne këto janë rregull i përgjithshëm, vetëm rastet e mira (të kundërta me këto) te ne janë përjashtime. Lista e shpërfaqjes së mendësisë sonë nomade mund të vazhdojë pafundësisht, por po ndalemi këtu për të vazhduar me një natyrë tjetër të argumenteve pse ne shqiptarët nuk jemi perëndimorë me vlera e mendësi.

 

Siç e përmenda në pjesën paraprake të këtij shkrimi kur fola për rilindjen evropiane, para se perëndimi të rilindë e të përndritet, me shekuj kishte zhvilluar debate për gjithçka. Mendimtarët e debatuesit perëndimorë nuk e pranuan as Zotin pa debatuar për qenien e ekzistencën e tij, nuk e besuan as universin pa debatuar për ligjësitë e funksionimit të tij, nuk e pranuan as shtetin pa debatuar për elementet përbërëse të tij, nuk e shenjtëruan as lirinë e dinjitetin njerëzor pa debatuar për vlerën e njeriut e të lirisë, nuk e vendosën as sistemin gjyqësor pa debatuar për drejtësinë që mund ta jetësojë ai, nuk i hapën as shkollat e universitetet pa debatuar për misionin e funksionin e tyre, nuk i zhvilluan as ekonomitë pa debatuar modelet e zhvillimit të tyre, nuk i pranuan as veprat e mëdha artistike pa debatuar për estetikën e artin, nuk i zhvilluan as ushtritë pa debatuar për rolin e rëndësinë e tyre, etj., etj., etj.. Me një fjalë, perëndimi nuk pranoi, nuk përqafoi e nuk përbrendësoi asnjë të vërtetë, bindje, vlerë, parim a model sjelljeje pa debatuar për të e pa ia nënshtruar një vlerësimi e kritike skeptike, rigoroze, të gjithanshme, objektive e racionale. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, këto debate nuk i bëri kushdo, por mendjet më të ndritura, dhe këto debate nuk i bëri sipërfaqësisht e për hir të debatit si qëllim në vete, por debate të thella e shteruese që kishin qëllim arritjen te e vërteta, në mënyrë që të siguroheshin që shoqëria që do të ndërtohej mbi këto të vërteta, bindje, vlera, parime a modele sjelljeje, të ishte një shoqëri e shëndoshë, e qytetëruar, e emancipuar, e vetëdijshme, e gatshme për debate intelektuale. Vetëm një shoqëri e tillë mund të kishte të ardhme të mirë. Jo vetëm kaq, të gjitha këto debate përmes sistemit të edukimit e arsimit i përcolli edhe te masa, në mënyrë që secili qytetar të pranoi, të përqafoi e të përbrendësoi gjërat vetëm pasi të jetë bindur se janë të duhurat, prandaj shumica e sjelljeve perëndimore sot janë rezultat i bindjes e besimit të qytetarëve në to, jo rezultat i detyrimit (pa mohuar edhe rëndësinë e zbatimit të dispozitave ligjore). Andaj, shoqëritë e individët perëndimorë në përgjithësi sot janë mendje-hapur, objektivë, racionalë, kritikë, vetë-kritikë, argumentues, të dinjitetshëm, të drejtpërdrejtë, korrekt, të drejtë, me shije të gdhendur, etj.. Njëjtë, edhe shtetet perëndimore në përgjithësi janë më liberalet, më racionalet, më të zhvilluarat e më të avancuarat e botës në çdo fushë e drejtim. Ju lutem mos më tregoni tash për të metat, veset, degjenerimet e padrejtësitë e perëndimit, sepse jam i vetëdijshëm për to dhe nuk frikësohem të flas për to, por ajo është temë tjetër dhe nuk kam ndërmend që të merrem me të në këtë shkrim. Për më tepër, pikërisht pse perëndimi ka vlera, ka mjaft njerëz atje në mesin e vet perëndimit që zëshëm, publikisht, aktivisht e intensivisht i kritikojnë dhe ju kundërvihen të gjitha këtyre të metave e padrejtësive të perëndimit.

 

Tash nëse e analizojmë shoqërinë tonë shqiptare për këto elemente e shohim që përmbajtësisht ne nuk kemi asgjë të përbashkët me perëndimin e shoqëritë perëndimore. Ne pothuajse asnjëherë, as në të kaluarën as në ditët tona, nuk kemi zhvilluar asnjë debat përmbajtësor për asnjë fushë, temë a çështje të rëndësishme e për rrjedhojë as nuk kemi pasur si t’ia përcjellim këto debate masës popullore, në mënyrë që kjo të rezultoi me një shoqëri mendje-hapur, kritike e vetë-kritike, objektive e racionale dhe e cila i ka shqyrtuar dhe vetëm pas shqyrtimit i ka përqafuar vlerat e parimet, në të cilat vërtet beson. Në vend të kësaj ne kemi marrë vlera e parime “copy&paste” nga perëndimi (në të kaluarën nga të tjerët). Andaj, debati i mirëfilltë e përmbajtësor në shoqërinë shqiptare mungon edhe sot e kësaj dite. Ato që ne sot i quajmë debate, kryesisht nëpër media, në fakt janë më shumë llomotitje pa përmbajtje, fjalime shterpe sipërfaqësore, promovim individësh, përkëdhelje egosh, servilosje ndaj autoritetit e pushtetit, etj., por jo debate. Nuk mund të ketë debate për tema e çështje teknike e ditore para se të jetë konsumuar debati substancial në kuadër të të cilit do të mund të trajtoheshin këto tema e çështje ditore e teknike. Kështu që, në shoqërinë tonë shqiptare konvergjenca zë vend në familje, në shkollë, në universitet, në politikë, në shoqëri, në media etj., kurse divergjencat më shumë shpërfaqen si hasmëri, smirë, inat, urrejtje, tifozëri anuese, etj., por kurrë si debate të mirëfillta.

 

Rrjedhimisht, sa i përket kësaj pike, esencialisht ne nuk kemi përqafuar asnjëherë vlerat perëndimore siç pretendojmë, sepse njeriu përqafon vetëm atë që e njeh, atë që i përshtatet, atë që i mungon, atë që e do. Ne i kemi marrë vetëm, si të mirëqena, konstatimet, përfundimet që i ka nxjerrë Rilindja e Iluminizmi evropian – pa i njohur ato, pa debatuar për to, pa e ditur pse janë të duhura e të mira, rrjedhimisht pa sentiment për to. Ndaj, në dukje ne mund të dukemi perëndimorë, por në esencë ne udhëhiqemi nga mendësia jonë autentike, fatkeqësisht primitive (edhe primitivja ka elemente të mira e pozitive, si p.sh. aftësia për mbijetesë). Dikush mund të thotë se tashmë jemi në shekullin XXI dhe nuk mund të kthehemi mbrapa për debate mesjetare. E vërteta është se nuk mund të bëjmë debate bashkëkohore kur ende nuk i kemi bërë debatet mesjetare. Historia nuk lejon ndërtime të fragmentuara. S’mund t’i ndërtojmë katet e sipërme të një ndërtese para se ta kemi vënë e konsoliduar themelin e saj. Nëse jemi vonuar, fajtorë janë paraardhësit tanë. Nëse vonohemi sërish, fajtorë do të jemi ne para pasardhësve tanë. Perëndimi është ai që është sot, para së gjithash dhe mbi të gjitha, fal debatit shterues përmbajtësor mbi çdo gjë e për gjithçka.

 

Se ne vetëm e kopjojmë perëndimin në dukje, por në esencë nuk kemi asnjë vlerë perëndimore, kjo na del në shesh edhe nëse e shohim dhe e analizojmë përmbajtësisht shoqërinë dhe shtetet tona shqiptare. Ne kemi shtete moderne që funksionojnë si fise primitive e pashallëqe mesjetare, kemi republika parlamentare që funksionojnë si monarki e diktatura, për zyrtarët e shtetit e përfaqësuesit e popullit është shumë më i rëndësishëm një qëndrim i një ndërkombëtari se sa vullneti i gjithë popullit, kemi ligje bashkëkohore që zbatohet sipas vullnetit të individëve, kemi gjykata, por zbatojmë gjyqësi publike, kemi ligje e gjykata moderne, por zbatojmë kanunin mesjetar, kemi akademi e universitete që funksionojnë si oda, kemi ekonomi të tregut të lirë që kontrollohen nga bandat, sillemi në mënyrë të duhur vetëm kur kemi frikë ose kur jemi të detyruar, “besojmë” në shenjtërinë e jetës së njeriut, por vrasim për arsye e interesa banale, etj., etj.. Arsimi jonë, përveç në ligje e strategji, sa i përket përmbajtjes e cilësisë nuk ka asnjë ngjashmëri me atë të perëndimit, jemi me shekuj mbrapa. Njëjtë, në mos më keq, e kemi edhe shkencën, teknologjinë, shëndetësinë, gjyqësinë, ekonominë, artin, kulturën, turizmin, sportin, etj.. Partitë tona politike i mashtrojnë qytetarët me të njëjtat gënjeshtra për dekada, gjë që dëshmon çfarë partish kemi, që veç mashtrojnë, dhe çfarë qytetarësh të vetëdijshëm kemi, që aq lehtë mashtrohen. Të gjitha këto, e shumë të tjera si këto që mund të listohen, dëshmojnë që ne shqiptarët, përveç në dukje e sipërfaqësisht që mund t’i ngjajmë perëndimit, përmbajtësisht nuk kemi asgjë të përbashkët e të krahasueshme me të.

 

Ndokush mund të përmend elementë të tjerë për të dëshmuar se ne jemi perëndimorë, si p.sh: shoqërinë civile, mediat, bizneset e mëdha, etj., të cilat mund të na bëjmë të dukemi perëndimorë. E vërteta është zhgënjyese edhe për këto elemente. Shoqëria jonë civile kryesisht e organizuar në organizata jo-qeveritare (OJQ) mund të duket aktive e shumë prezente publikisht, por fatkeqësisht shumica e OJQ-ve tona kanë mision primar, përkatësisht qëllim në vete, ekzistencën e vet e jo kauzat që i mbrojnë. Shumica e tyre janë gjuetare fondesh, disa shushunja fondesh bile, e shumë pak prej tyre identifikojnë problemet e nevojat reale të shoqërisë, në mënyrë që pastaj të sigurojnë përkrahje për të adresuar këto probleme e nevoja. Pra, shumica e OJQ-ve bëjnë ç’u kërkohet nga donatorët e nuk kërkojnë të bëhet çfarë duhet e çfarë ka nevojë shoqëria. Së këndejmi, shumica e tyre janë organizime mercenarësh e jo shoqëri civile e mirëfilltë, pavarësisht se në veprime mund të duken të tilla. Prandaj, pavarësisht se OJQ-të tona kanë harxhuar qindra-miliona euro në emër të adresimit të problemeve të të gjitha fushave të shoqërisë sonë, ato nuk kanë pasur efekt dhe rezultat, gjendjen e kemi të mjerueshme në të gjitha fushat. Ne kemi media të shumta e madje edhe të mëdha, siç ka edhe në perëndim, por fatkeqësisht shumë prej mediave tona janë joprofesionale, argatë të biznese e partive politike nga të cilat financohen, joparimisht anuese, vërtetë-mbuluese, debat-mbytëse, debat-simuluese, urrejtje-nxitëse, injorancë-mbjellëse, etj.. Ne kemi biznese e korporata të mëdha që mund t’ju ngjasojnë atyre perëndimore, por e vërteta është se për dallim prej atyre perëndimore, shumica e këtyre tonave nuk janë zhvilluar falë idesë, dijes, kreativitetit, inovacionit, konkurrencës, punës e përkushtimit, por janë zhvilluar fal lidhjeve me pushtetet, fal tenderëve, fal intrigave, fal luftimit të pandershëm të konkurrencës, fal keqpërdorimit të punëtorëve, etj.. Kështu që, as sa i përket këtyre elementeve ne nuk jemi perëndimorë.

 

E di që të gjithë shqiptarët e kemi për qejf ta përmendim fenomenin e tolerancës ndër-fetare mes shqiptarëve, kur dëshirojmë të theksojmë se jemi të emancipuar, të vetëdijshëm e tolerantë ndaj tjetrit me besim a përkatësi të ndryshme dhe kështu të dukemi perëndimorë. Sigurisht pa dashur ta zhvlerësoj këtë fenomen të mirë shqiptar, sërish, edhe në lidhje me këtë duhet thënë një të vërtetë të hidhur. Fatkeqësisht, nuk mendoj që toleranca ndër-fetare mes shqiptarëve është rezultat i vetëdijes së lartë dhe bindjes sonë se tjetri duhet pranuar e respektuar pavarësisht besimit, fesë a përkatësisë që i përket. Kjo tolerancë është rezultat i dy faktorëve: 1) si gjithçka tjetër, edhe fenë shqiptarët e kanë marrë sipërfaqësisht, pa e përbrendësuar dhe pa e ndjerë të vetën, krishterimin nga romakët e bizantinët, ndërsa islamin nga osmanët, thjesht për oportunizëm, ndaj nuk kanë qarë shumë kokën për të, dhe 2) duke qenë se gjithmonë gjatë historisë kemi qenë të detyruar të merremi me ekzistencën e mbijetesën tonë etnike e kombëtare, fenë asnjëherë nuk e kemi pasur prioritet e temë diskutimi. Se kjo është e vërtetë tregon aktualiteti shqiptar. Tashmë që shqiptarët nuk e kanë të rrezikuar ekzistencën e mbijetesën në shumicën e vendeve ku jetojnë, tani kanë filluar përplasjet rreth fesë, posaçërisht në Kosovë. Pikërisht pse kjo tolerancë nuk është rezultat i vetëdijes sonë e i debatit të mirëfilltë, jam i bindur që në një të ardhme jo shumë të largët, për shkak të, në njërën anë mercenarët e në anën tjetër injorantët e fanatikët e të dy feve kryesore që i kanë shqiptarët, pa përjashtuar edhe injorantët e fanatikët ateistë, ky fenomen e kjo cilësi e mirë e shqiptarëve do të mbetet vetëm pjesë e historisë sonë.

 

Në lidhje me këtë, duhet thënë se ca të ashtuquajtur intelektualë e politikanë shqiptarë, duke qenë injorantë, të kompleksuar e inferiorë, përmes një fushate gati sistematike e intensive, janë duke e shkatërruar këtë cilësi të mirë të shqiptarëve përmes nxitjes së urrejtjes mes shqiptarëve të feve të ndryshme, sepse janë duke u munduar që ta ngulisin te shqiptarët idenë se për t’u qytetëruar e për të qenë perëndimorë duhet të kthehemi në krishterim si Evropa e perëndimi. Harrojnë se Evropa kishte qytetërim edhe para krishterimit dhe u ringjall e u zhvillua pikërisht kur doli nga kontrolli i krishterimit, përkatësisht kishës, megjithëse ruajti shumë vlera krishtere dhe mirë që i ruajti. Harrojnë që në të njëjtën kohë Evropa kishte qytetërim edhe fal krishterimit, që në kohën e Romës e posaçërisht Bizanti që u ndërtua kryesisht mbi themele krishtere. Harrojnë, po ashtu, që bota u udhëhoq për më gjatë se një milenium nga një qytetërim shumë i avancuar i prirë nga perandori të njëpasnjëshme të qeverisura kryesisht mbi vlera e parime islame dhe ky qytetërim paraqiste për kohën e vet gjithçka që për kohën tonë përfaqëson SHBA-ja, BE-ja, NATO e perëndimi në përgjithësi. Pikërisht këto dëshmojnë se feja në vetvete nuk është as fajtore as meritore për mungesë, përkatësisht prezencë qytetërimi. Është punë e qytetërimit që ta akomodojë brenda vetes fenë e popullit të vet, ta vë në raporte bashkëpunimi dhe ta integrojë cilëndo fe a besim brenda qytetërimit, brenda sistemit universal të vlerave njerëzore. Pra feja është në dorën e njeriut e jo njeriu në dorën e fesë. Prandaj, në mënyrë që ta mbyllim këtë fesatë që po e shkaktojnë këta individë, ne duhet që njëherë e mirë ta kuptojmë që qytetërimi, emancipimi e zhvillimi i një populli vjen si rezultat i punës së vet e jo i përkatësisë fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Dëshmi e gjallë dhe shembull tipik i kësaj jemi vet ne shqiptarët dhe paraardhësit tanë. Ne as kur ishim paganë, as kur ishim të krishterë as kur ishim myslimanë nuk shkëlqyem e nuk kishim qytetërim të avancuar, gjithmonë, edhe kur ishim paganë, edhe kur ishim të krishterë edhe kur ishim myslimanë ne mbetëm skllevër e shërbëtorë të të tjerëve.

 

Bazuar në të gjitha ato që u përmenden më sipër, pa fare mëdyshje mund të konstatojmë se ne shqiptarët vetëm vetëmashtrohemi rëndë kur besojmë se jemi përmbajtësisht perëndimorë me vlera e mendësi. E vërteta është se ne jemi të tillë vetëm sipërfaqësisht, vetëm në dukje, vetëm simulues. E nëse vërtetë dëshirojmë të jemi edhe përmbajtësisht perëndimorë, atëherë duhet të ndjekim rrugën dhe mënyrën që kanë ndjekur ata.





Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

3 qershor 2018

 https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-4-vetemashtrimi-per-mendesine-e-vlerat-tona-perendimore

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#4 ne: 02-02-2020, 20:22:31
Në shpërputhje me frymën pesimiste të këtij shkrimi dhe me natyrën time pesimiste, në këtë pjesë të këtij shkrimi, jo pa sforco, do të mundohem të jem më optimist. Pavarësisht se ne shqiptarët kemi krijuar një imazh verbues për veten, të mbështetur në mite e gënjeshtra, i cili na shërben si strofull prehjeje e ngushëllimi për çdo dështim tonin gjatë gjithë historisë e deri më sot, ne duhet ta kuptojmë që për të shpresuar se ndonjëherë do të ecim krah për krah me botën e qytetëruar, duhet ta rrënojmë këtë strofull imagjinare dhe duhet ta ndërtojmë ndërtesën tonë reale bashkëkohore. Pra, fillimisht duhet ta pranojmë të vërtetën për ne ashtu siç është, lakuriq, dhe duhet të pushojmë së vajtuari për të kaluarën e duhet të pushojmë së mallkuari të tjerët për gjendjen tonë në të shkuarën e në të tashmen, sepse përgjegjësi kryesor për gjithë ç’na ka ngjarë, ç’po na ngjet e ç’do t’na ngjasë jemi vet ne. Vetëm nëse pajtohemi me këtë, atëherë pas kësaj zgjidhja është e thjeshtë, sigurisht jo e lehtë. E thjeshtë për ta prezantuar, por jo e lehtë për ta zbatuar, sepse, pavarësisht se nuk na duhet shumë kreativitet, na duhet shumë kurajë, vizion, vullnet, guxim e punë.

 

Gjëja kryesore dhe pakrahasueshëm më e rëndësishmja që duhet të bëjmë është transformimi i sistemit edukativo-arsimor shqiptar. Pra, jo “përmirësimi, ndryshimi a reformimi” i tij, por transformimi i këtij sistemi. Vetëm një sistem edukativo-arsimor i transformuar, pa mbeturinat e së kaluarës e pa sipërfaqësizmat bashkëkohore, por i cili me cilësi e përmbajtje është i krahasueshëm me vendet tjera të zhvilluara, mund ta shpëtojë shoqërinë shqiptare. Për ta arritur këtë duhet “t’i shpallim luftë” sistemit ekzistues.

 

Nëse flasim në terma teknikë e praktikë, fillimisht arsimin duhet ta shpallim krye-prioritet dhe së paku ta dyfishojmë buxhetin për arsim për disa vite për të investuar në personel profesional dhe infrastrukturë aq sa ka nevojë; duhet të rritet infrastruktura dhe shkollat të punojnë vetëm në një ndërresë dhe të kenë të gjitha hapësirat dhe kushtet e nevojshme që mundësojnë zhvillimin e potencialit të nxënësve; duhet t’i vlerësojmë mësimdhënësit ekzistues me kritere e standarde shumë të larta dhe të përjashtojmë pa mëshirë të gjithë ata që nuk janë të denjë për mësimdhënës; duhet të vendosim kritere e standarde ekstremisht të larta për ata që duan të bëhen mësimdhënës në të ardhmen, saqë më lehtë të jetë të bëhesh pilot ushtarak se mësimdhënës; këta mësimdhënës të mirë duhet t’i paguajmë me pagën më të lartë në sektorin publik dhe me paga të majme; ta fusim teknologjinë moderne në shkolla dhe t’i zhdukim librat, fletoret e tabelat ekzistuese primitive, në mënyrë që ta rikonceptojmë mësimdhënien e mësimnxënien; të mbyllim të gjitha universitetet ekzistuese, publike e private, për t’i rihapur vetëm ato institucione e drejtime të cilat i plotësojnë kushtet e kriteret ndërkombëtare të cilësisë; të investojmë në kushte e infrastrukturë që mundësojnë zhvillimin e shkencës e teknologjisë; ta shpallim teknologjinë fushë me prioritet dhe të investohet gjithçka që duhet për ta bërë fushën më atraktive dhe më perspektive në shoqërinë tonë; të financojmë pa asnjë hezitim shkollimin dhe studimet për talentet e të gjitha fushave në shkollat e universitetet më të mira të botës dhe pastaj t’u krijojmë kushte e t’i stimulojmë (jo t’i detyrojmë) që të kthehen për të kontribuar në zhvillimin e vendit e të shoqërisë në fushën e tyre të kompetencës; t’i shuajmë akademitë ekzistuese dhe t’i rikrijojmë ato vetëm për ato fusha e individë që i plotësojnë kushtet e kriteret më të larta ndërkombëtare për të qenë akademikë; të ndërtojmë legjislacion të detajuar që garanton sigurimin e cilësisë në arsim dhe që ndëshkon ashpër (edhe penalisht) të gjithë ata që cenojnë cilësinë në arsim, që prej mësimdhënësve në shkolla e deri te ministri i arsimit; të krijojmë mekanizma e fonde për përkrahjen dhe shpërblimin e më të mirëve të të gjitha fushave dhe niveleve; etj.. Këto e shumë teknikalitete të tilla, për të cilat kam shkruar e publikuar shumë shkrime e elaborate të detajuara, janë parakusht për t’iu afruar botës me arsim cilësor e të zhvilluar dhe për t’u përgatitur për një fazë tjetër të transformimit të arsimit, në të cilën bota e zhvilluar shumë shpejt do të futet. Në atë fazë të re, për shkak të zhvillimeve radikale teknologjike, shkolla e universiteti siç sot i konceptojmë më nuk do të ekzistojnë, do të jenë relikte të historisë. Nëse ne shqiptarët nuk e transformojë tani arsimin tonë, në mënyrë që të përgatitemi për transformimin e madh global të arsimit, atëherë më nuk do të jemi me dekada e shekuj mbrapa botës së zhvilluar, siç jemi tash në fushën e arsimit, por do të na ndajnë mileniume nga ajo botë, do të mbetemi njerëz e shoqëri para-historike krahasuar me botën e qytetëruar.

 

Gjithsesi, shoqëria jonë përveç arsimimit, aftësimit e shkathtësimit cilësor, para së gjithash ka nevojë për edukim të mirëfilltë, përmes së cilit fëmijët e të rinjtë tanë do të përgatiten si personalitete të shëndosha e me mendje kritike që nuk pranojnë asnjë të vërtetë pa ia nënshtruar vlerësimit, duke filluar nga vet ekzistenca e vet, si dhe të cilët do t’i nënshtrohen vetëm të vërtetës për të cilën binden me fakte e argumente, asnjë autoriteti tjetër pos saj. Vetëm një sistem edukativo-arsimor i tillë na garanton se gjenerata e ardhshme shqiptare do të jetë mendje-hapur, debatuese, argumentuese, kritike, vetë-kritike, racionale, objektive, ambicioze, punëtore, kompetente, konkurruese me botën, etj.. Çfarë është më e rëndësishmja, kjo gjeneratë e re shqiptare do të vetëdijesohej e do ta njihte, do ta pranonte e do ta përqafonte mirëfilli shenjtërinë e dinjitetit njerëzor dhe do të ishte në gjendje që me çdo kusht ta mbrojë këtë dinjitet, dinjitetin e vet individual e kolektiv.

 

E nëse e arrijmë këtë, që vërtet të kemi individë e shoqëri të mirë-arsimuar, të dinjitetshme e të vetëdijshme, atëherë vendi i shqiptarëve përkrah botës së qytetëruar do të jetë i garantuar, sepse një individ e shoqëri e mirë-arsimuar, e dinjitetshme dhe e vetëdijshme përdorë standarde të larta vlerësimi për veten dhe di e mund të rregullojë çdo sferë të jetës: arsimin, shkencën, politikën, diplomacinë, rendin, sigurinë, ekonominë, gjyqësinë, shëndetësinë, artin, kulturën, sportin, ambientin, turizmin, industrinë, teknologjinë, e gjithçka tjetër. Vetëm një shoqëri e tillë do të trajtojë e debatojë mirëfilli për çdo fushë e mbi çdo temë, do të përbendësojë e zbatojë me bindje vlera, parime e modele sjelljeje humane bashkëkohore, do të krijojë të mira e produkte materiale e jomateriale qytetërimore me vlerë universale, do t’i nënshtrohet vetëm të vërtetës dhe drejtësisë, do të mundësojë mirëqenie e mundësi zhvillimi për secilin, nuk do të lejojë që të cenohet liria e dinjiteti i vet asnjëherë, nga askush e në asnjë rrethanë, nuk do të jetë peng i të shkuarës as duke u krenuar me të mirat as duke u ndjerë keq me të këqijat e paraardhësve, nuk do t’i mbysë, sabotojë e përçmojë më të mirët e fushave, por do t’i përkrahë maksimalisht duke i konsideruar si minatorët më të mirë që mund ta gërmojnë e ta hapin rrugën që i shpie te bota e qytetëruar dhe e zhvilluar. Vetëm këta shqiptarë të ardhshëm do të mund të jenë, në kuptimin e plotë të fjalës, të qytetëruar, të emancipuar, të vetëdijesuar, të përndritur, të guximshëm, krenarë, atdhedashës e patriotë.

 

Në ndërkohë, duke e ditur se ne shqiptarët e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi arsimin në gjendje shumë të keqe, duhet ta kuptojmë dhe të bindemi se përpjekja jonë individuale, shoqërore a institucionale për të rregulluar, përmirësuar e avancuar fushat e sektorët tjerë para se ta kemi rregulluar si duhet arsimin tonë, është përpjekje e kotë, naivitet, harxhim i kotë i energjisë dhe resurseve. Sepse nuk ka fushë a sektor që mund të rregullohet a të avancohet para se të jetë në rregull arsimi, i cili është furnizuesi kryesor dhe i vetëm, me gjithçka e për gjithçka, i të gjitha fushave dhe sektorëve tjerë të shtetit e shoqërisë. Të shpresosh se do të rregullosh fushat e sektorët tjerë pa e rregulluar arsimin është sikur të shpresosh se do të prodhosh bukë të mirë e cilësore kur brumin e ke të dobët, të mykur, me afat të skaduar. Kjo është përpjekje më e pashpresë se alkimia. Prandaj, në ndërkohë që të gjitha fushat e sektorët tjerë duhet t’i mbajmë vetëm në nivele mbijetese, gjithë përpjekja e energjia jonë individuale, shoqërore e institucionale duhet të përqendrohet vetëm në rregullimin, përmirësimin dhe avancimin e arsimit, përkatësisht në transformimin e sistemit tonë edukativo-arsimor në të gjitha nivelet e aspektet.

 

Deri atëherë, ne gjeneratat aktuale të rritura të shoqërisë shqiptare, duke qenë të mykur me primitivizëm, me injorancë, me mite, me legjenda, me inate, me urrejtje, me komplekse, me inferioritet, me padinjitetshmëri, me paragjykime, me stereotipe, me shabllone e me sipërfaqësizma, duhet vetëm të sigurohemi që të rinjtë tanë dhe gjeneratat tona të ardhshme të mos i infektojmë me veset e cilësitë tona primitive e mjerane dhe t’u krijojmë atyre atmosferë, liri, hapësirë, kushte e mundësi që të edukohen, të formësohen e të zhvillohen si çdo person e shoqëri që i përket botës së qytetëruar. Këtë ia kemi borxh shqiptarëve të ardhshëm dhe uroj e shpresoj që shqiptarët e ardhshëm nuk do të na mallkojnë që nuk e kemi kryer as këtë detyrim kaq të vogël ndaj tyre!

 

 

 

Qëndrimi im i tanietutjeshëm

 

Gjatë viteve të fundit kam qenë mjaft aktiv e prezent publikisht me shkrime në gazeta, në portale, në rrjete sociale, me prononcime për media, me pjesëmarrje në debate televizive. Gjithë ky kontribut imi për shoqërinë, nëse mund të quhet kontribut, pavarësisht se qëllimi im ka qenë ky, ka rezultuar me zero ndikim pozitiv për shoqërinë. Gjithë çfarë ka rezultuar nga kjo prezencë e imja publike është një popullaritet modest për mua, për të cilën gjë nuk jam fare i interesuar, dhe keqkuptim e keqinterpretim nga të tjerët, si dhe kritika, fyerje e akuza infantile nga të tjerët, të cilat nuk më interesojnë fare dhe me të cilat nuk kam kohë, energji as nerva të merrem.

 

Unë flas e shkruaj për patriotizmin e nacionalizmin si një vlerë universale, ku secili e konsideron kombin e vet të barabartë mes kombeve të tjera, me veset e virtytet e veta, dhe ndihmon në zhvillimin e kombit të vet, në mënyrë që t'i kontribuojë me veçoritë, vlerat e sukseset e kombit të vet heterogjenitetit dhe koloritit të llojit njerëzor në përgjithësi, pra përmes patriotizmin e nacionalizmin i kontribuon qytetërimit të vet dhe qytetërimit njerëzor në përgjithësi. Kurse në anën tjetër, disa e interpretojnë dhe konceptojnë kombin si fashizëm, nacizëm a luftë për supermaci ndaj kombeve të tjera, ndërsa disa të tjerë si folklorizëm, provincializëm, prapambeturi e primitivizëm.

 

Unë flas e shkruaj për individë, raste a periudha të caktuara historike me konsiderata të larta, me qëllim të promovimit të shembujve e modeleve të mira që ne duhet të ndjekim si shoqëri, ndërsa të tjerët këtë e interpretojnë si mitizim a hyjnizim që unë u bëj atyre. Unë gjykoj ashpër individë, raste a periudha të caktuara historike për shkak të mospërputhjeve filozofike, konceptuale, ideologjike, vlerore, etj. apo për shkak të pasojave negative që na kanë sjellë si shoqëri, ndërsa të tjerët e marrin këtë si inat personal a si urrejtje personale ndaj atyre.

 

Unë flas e shkruaj për fe si një ndër fenomenet më të hershme dhe më me ndikim në historinë e njerëzimit, si dhe argumentoj në mbrojtje të fesë që i përkas, njëjtë siç pres që secila fe të mbrohet me argumente nga pasuesit e vet, njëjtë siç pres që çdo agnostik a ateist të argumentojë kundër fesë në përgjithësi, por kjo nga të tjerët interpretohet si militant fetar, si urrejtës i feve tjera a i ateistëve, pavarësisht se mendësia ime nuk mund ta konceptojë idenë e të urryerit të dikujt për shkak të besimit, fesë a bindjes personale.

 

Unë flas e shkruaj për vlerën, rëndësinë e shenjtërinë e dinjitetit njerëzor si gjëja kryesore që e bën njeriun të dallojë nga qeniet tjera dhe si gjëja e vetme që është më e rëndësishme se vet jeta e njeriut, prandaj si e tillë nuk guxojmë të lejojmë që askush e asgjë të na cenojë dinjitetin, ndërsa të tjerët e interpretojnë këtë si thirrje për egomani, për egoizëm, për kokëfortësi, për anarki.

 

Unë flas e shkruaj për padrejtësitë e serbëve ndaj nesh e për privilegjet e padrejta që ata gëzojnë në Kosovë, përmes të cilave është bllokuar funksionimi normal i shtetit të Kosovës, ndërsa të tjerët e interpretojnë këtë si urrejtje timen etnike ndaj serbëve, pavarësisht se mendësia ime nuk mund ta konceptojë idenë e të urryerit të një populli a etnie të tërë.

 

Unë flas e shkruaj për arsimin e rëndësinë jetike që ai ka për shpëtimin e shoqërisë sonë nga injoranca e prapambeturia që na ka kapluar e me shpresën se dikush nga vendim-marrësit do të marrin parasysh kritikat, vërejtjet e propozimet e mia, ndërsa të tjerët e interpretojnë këtë thjesht si prezencë për ta zënë një vend në studio televizive apo në rubrikat e portaleve e gazetave.

 

Unë flas e shkruaj kritika ndaj ambasadorëve kur ata ndërhyjnë arbitrarisht e padrejtësisht në punët e institucioneve tona dhe kur sillen me arrogancë e kur na fyejnë, institucionet e qytetarët, me fjalët e sjelljet e tyre që tejkalojnë kodin etiko-profesional të diplomacisë, ndërsa të tjerët e interpretojnë këtë qëndrim anti-perëndimor, si shpallje luftë aleatëve të vendit, etj..

 

Unë flas e shkruaj kritika ndaj pushtetit për të bëmat e këqija e dëmet që i shkakton shtetit e shoqërisë, ndërsa të tjerët e interpretojnë këtë si kundërshtim e mohim të institucioneve. Unë përkrahi subjekte politike me të cilat kam përputhjeve filozofike, konceptuale, ideologjike, vlerore, etj., ndërsa të tjerët e shohin këtë si militantizëm partiak apo si interesim timin për t’u kyçur në parti politike përmes flirtit, thua se nuk do ta bëja këtë pa nevojën për flirt po të isha i interesuar.

 

Unë flas e shkruaj për standarde të larta që duhet t’i arrijmë si individë e si shoqëri, në mënyrë që të jemi të krahasueshëm me botën e avancuar dhe i përqesh ca arritje e suksese banale që ne i tejçmojmë, ndërsa të tjerët e shohin këtë si nihilizëm e si xhelozi ndaj sukseseve të të tjerëve. Harrojnë se nuk duhet të krahasohemi me mëhallët tona nëse duam të jemi të barabartë e konkurrues me gjithë botën.

 

Nuk është se nuk mund t’u përgjigjem këtyre keqkuptimeve, keqinterpretimeve, kritikave, fyerjeve e akuzave, por thjesht nuk ia vlen, sepse injorantëve kot ju jep sqarime. Në anën tjetër, debati për temë të njëjtë ditore e teknike kur palët kanë “frekuenca” të ndryshme me njëra tjetrën është krejt i padobishëm për shoqërinë, në mos i dëmshëm. Vetëm kur ne si shoqëri të konsumojmë debat të gjatë substancial e të gjithanshëm intelektual dhe të arrijmë një konsensus për të vërtetat, premisat, parimet dhe vlerat mbi të cilat do ta ndërtojmë shoqërinë tonë bashkëkohore (konsensusi pas debatit është i mundshëm dhe nuk përbën konformizëm), atëherë mund të ketë kuptim debati për tema e çështje ditore e teknike të caktuara dhe mund të jetë i dobishëm për shoqërinë. Deri atëherë, ato që ne sot i quajmë debate janë thjesht llomotitje, promovim individësh e përkëdhelje egosh. Andaj, personalisht, me gjithë dëshirën e madhe që nganjëherë ta shprehi mllefin ndaj idiotizmit e histerisë sonë kolektive, do të abstenoj nga pjesëmarrja në “debate” të tilla dhe nga çfarëdo lloj aktiviteti publik të natyrës së tillë, së paku për aq sa kohë sa do të mund ta përmbaj veten. Kjo nuk do të thotë se jam dorëzuar, absolutisht jo. Megjithëse i vetëdijshëm për kufizimet e aftësisë, dijes dhe fuqisë sime për të ndikuar pozitivisht në edukimin, emancipimin, vetëdijesimin, zhvillimin dhe avancimin e bashkë-qytetarëve të mi dhe kombit tim, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në këtë drejtim, sigurisht në mënyrën time, aq sa di dhe aq sa mundem.

 



 

Mesazhi im përfundimtar për shqiptarët

 

Flisni vetëm të vërtetën (Kuran, 33:70) dhe e vërteta do t’ju çlirojë (Bibël, Gjoni: 8:32)!

 

Zhvillimi i ynë si komb nuk mund të jetë më i shpejtë se progresi ynë në arsim. Mendja njerëzore është burimi ynë kryesor për zhvillim (Xhon Kenedi).

 

Mendoj, pra jam (Dekarti)! Gjithçka tjetër veç kësaj t’i nënshtrohet shqyrtimit, analizës, vlerësimit dhe debatit të mirëfilltë e të gjithanshëm para se të pranohet si e vërtetë.

 

Asnjëherë kompromis me dinjitetin njerëzor, pavarësisht rrethanave e pasojave (Muhamed Shkodra).

 

Paqe për shpirtin!

 

Trazim për mendjen!

 



 

P.S.:

 

1. Fryma e përgjithshme e këtij teksti lexuesit mund t’i duket nihilizëm, por nuk është nihilizëm. Është e vërteta jonë e hidhur, sigurisht në momente të caktuara e ekzagjeruar për të vënë më shumë në pah mangësitë e dobësitë tona, por jo aq e ekzagjeruar sa për ta shtrembëruar të vërtetën. Normalisht që përgjithësimet gjithmonë kanë përjashtime, por përjashtimet për nga vet definicioni janë përjashtim dhe të rralla, rrjedhimisht nuk e përmbysin të vërtetën e përgjithshme. Është e dukshme se në këtë shkrim kam përdorur standarde shumë të larta për vlerësim të çdo gjëje e çdokujt që ka qenë subjekt i trajtimin në këtë shkrim dhe kjo mund të duket e tepruar për lexuesin, por e vërteta është se ne ose duhet të krahasohemi me botën e zhvilluar (me qëllim që ta arrijmë atë) dhe të përdorim standardet e njëjta ose do të vazhdojmë të mbesim pjesë e “botës së fundit”. Dikujt mund t’i duket ky shkrim frustrim e zhgënjim, gjë që në fakt është, sepse nuk mund ta pranosh një të vërtetë të hidhur për veten pa u frustruar e pa u zhgënjyer. E rëndësishme është që ta njohim, ta pranojmë dhe të ndërmarrim masa që ta përmirësojmë realitetin e ardhshëm në mënyrë që ta ndryshojmë të vërtetën për vete.

 

2. Pesimizmit tim të shpërfaqur në këtë shkrim, përveç natyrës sime pesimiste, i ka kontribuar shumë edhe një fakt tjetër. Për fatin tim të keq, për më shumë se një dekadë i përcjell në detaje zhvillimet në fushën e arsimit në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, posaçërisht në Kosovë, dhe duke qenë edhe vet i përfshirë në shumë procese në fushën e arsimit (nuk besoj që aktiviteti im ka dhënë ndonjë rezultat përmbajtësor) e di shumë mirë gjendjen shumë të keqe e të pashpresë që e kemi në arsim, në të gjitha nivelet. Shumica e qytetarëve që nuk i përcjellin e nuk i njohin në detaje zhvillimet në arsim e nuk janë shumë të përfshirë në këto procese, përveç një përshtypjeje të përgjithshme se gjendja në arsim është e keqe, nuk e kanë as për së afërmi idenë se vërtet sa të mjerueshme e të pashpresë e kemi gjendjen në arsim dhe sa mbrapa vendeve të zhvilluara jemi në këtë aspekt. Edhe sikur prej sot shoqëria e shtetet tona shqiptare të fillonin përnjëmend të bënin gjithçka që duhet e si duhet për ta rregulluar arsimin tonë, sërish do të na duhej dekada për të arritur aty ku bota e zhvilluar është sot, në ndërkohë që deri atëherë bota e zhvilluar do të ketë ecur shumë përpara, në një fazë krejt tjetër të zhvillimit të arsimit. Fatkeqësisht, shoqëria e shtetet tona shqiptare as që e kanë ndërmend të investojnë përnjëmend në arsim, prandaj në një situatë të tillë nuk e di ku mund të gjej arsye për shpresë e optimizëm. Në një situatë të tillë optimizmi më rezulton binjak monozigot i budallallëkut.

 

3. E di që ndokush, ndoshta shumëkush, për shkak të këtij shkrimi do të më quaj agjent serbo-rus, anti-shqiptar a njeri që i urren shqiptarët, në ndërkohë që i gjithë ky shkrim, megjithëse kontribut imi modest për shoqërinë e kombin tim, është shpërfaqja e dashurisë më të madhe dhe më të sinqertë që një individ mund të ketë për kolektivitetin që i përket. Po ashtu, e di që po iu ra në sy ky shkrim të ashtuquajturve intelektualë e historianë shqiptarë, ata do të reagojnë në mënyrë histerike ndaj këtij shkrimi, me akuza, me sharje e me fyerje. Ca të tjerë “më racionalë” do të ofrojnë “fakte, dëshmi e argumente” demantuese, përkatësisht mite, legjenda e gënjeshtra, në të cilat edhe vet besojnë. Ca të tjerë do të gërmojnë për të ekspozuar ca të vërteta minore që s’janë gjë tjetër veç dëshmi shtesë se me çfarë të arriturash e suksesesh fminore krenohen të tillët dhe presin e kërkojnë që të gjithë të krenohemi me këto vogëlsira. E pritshme nga të tillët! Të falur janë nga ana ime për çdo akuzë, sharje e fyerje ndaj meje. Nuk do t’u përgjigjem. Nuk ia vlen asnjë mili-sekondë jete e asnjë elektron energjie të merresh me ata që i nënshtrohen çfarëdo autoriteti tjetër përveç të vërtetës dhe që përdorin standarde të ulëta vlerësimi për veten. Nuk ia vlen sepse të tillët për shkak të injorancës së tyre, egos së tyre e pseudo-patriotizmit të tyre janë në gjendje të bëjnë kurban edhe gjeneratat e ardhshme. Të tillë injorantë veç injorim meritojnë!

 

4. Megjithëse në këtë shkrim kam folur për shqiptarët, duhet thënë se as fqinjët nuk janë shumë më mirë se ne, edhe ata besojnë e jetojnë me mitet e mashtrimet e veta, prandaj Ballkani mbetet regjioni më i prapambetur në Evropë. Megjithatë edhe historia edhe aktualiteti i fqinjëve tanë dëshmon se ata kanë qenë e janë më mirë se ne në shumë fusha e drejtime. Sidoqoftë, fqinjët i kanë problemet e veta dhe le të ballafaqohen vet me to, nuk kam as mundësi e as interes të merrem me problemet e fqinjëve, sidomos jo tani që kemi mjaft probleme tonat.

 

5. Në këtë shkrim kam marrë pikëreferencë perëndimin, sepse në ditët tona perëndimi në përgjithësi përfaqëson qytetërimin më të avancuar dhe vlerat më universale njerëzore. Kështu që, jam plotësisht i vetëdijshëm që para perëndimit ka pasur me shekuj e mileniume qytetërime po kaq të avancuara për kohën e tyre dhe nuk i injoroj ato, vlerën dhe rëndësinë e tyre. Dhe e fundit në lidhje me këtë, kur flas për vlera perëndimore, fjalën e kam për vlerat që aktualisht i ka përbrendësuar dhe i promovon perëndimi, përndryshe ato në vetvete nuk janë as perëndimore, as lindore, as të askujt në veçanti, por janë vlera universale njerëzore.

 

6. Këtë shkrim me dëshirë do ta publikoja në mënyrë anonime, pa autor të ditur, në mënyrë që ky shkrim assesi të mos kuptohet e interpretohet nga lexuesi si dëshirë për vëmendje, si kompleks për t’u dukur ndryshe nga të tjerët, si person që merr pozën e intelektualit, si mjet ekspozimi e promovimi i vetes e si mënyrë e përkëdheljes së krenarisë sime, siç bëjnë shumica e atyre që shkruajnë sot. Nuk e kam lënë shkrimin anonim, sepse lexuesi do të mendonte se autori është frikësuar të identifikohet e të ballafaqohet me kundër-argumentet e kritikat që mund të pasojnë për shkrimin (nuk po pandeh se gjithë bota shqiptare do ta lexojë e do të merret me këtë shkrim timin). Ky do të ishte mesazhi më i keq që do të mund ta përcillja te lexuesi, prandaj nuk kam mundur ta lë shkrimin anonim. Me këtë nuk dua të them se kam shkruar diçka gjeniale, të jashtëzakonshme, origjinale, të guximshme. Thjesht kam shkruar për një të vërtetë, e cila e fragmentuar, e paelaboruar dhe e paargumentuar mirë qarkullon mes shqiptarëve, ndërsa unë thjesht e kam përmbledhur, e kam elaboruar dhe e kam argumentuar pak më shumë.

 

7. Kërkoj ndjesë e mirëkuptim për lëshimet e gabimet eventuale drejtshkrimore, pasaktësitë sintaksore e përdorimin e fjalëve të huaja, por ja që qytetërimi ynë ende nuk ka arritur që, as personave si unë që i kushtoj vëmendje e rëndësi jashtëzakonisht të madhe gjuhës amtare, të krijojë mënyra, mekanizma e sistem shkollimi që do të na mësonte ta zotërojmë gjuhën amtare në nivel të përsosur. Gjithashtu, qytetërimi ynë i arrirë vazhdon të na mbaj peng të një leksiku shumë të varfër të gjuhës sonë dhe asnjëherë nuk ka ndërtuar mekanizma e procedura për pasurimin e leksikut tonë, në mënyrë që ne të mos detyrohemi të përdorim fjalë të huaja në mungesë të fjalëve në gjuhën tonë apo për shkak të dëshirës që të mos i përsëritim shpesh të njëjtat fjalë tonat sa të bëhemi bezdisës.

 

8. Me kënaqësi do të përfshihesha në debat me cilindo person të përgatitur që është i gatshëm të debatojë për temat e çështjet e ngritura në këtë shkrim, edhe nëse do të kishte qëndrime të ndryshme e të kundërta me këto të miat, vetëm me kusht që të jetë mendje objektive, racionale e kritike, si dhe që nuk i nënshtrohet asnjë autoriteti tjetër përveç të vërtetës dhe që përdorë standarde të larta vlerësimi. Gjithsesi, pa dashur ta luaj modestin, sinqerisht as nuk besoj e as nuk pretendoj që unë jam i përgatitur e kompetent për debate të thella, përmbajtësore, të gjithanshme e origjinale, për të cilat kam bërë ftesë dhe kam këmbëngulur gjatë këtij shkrimi. Të konstatosh nevojën dhe të këmbëngulësh për debat është gjë e lehtë, por fakti që kam konstatuar nevojën dhe kam insistuar për debate të tilla nuk nënkupton se besoj ose pretendoj se unë jam i përgatitur e kompetent për debate të tilla. E fatkeqësisht, për aq sa i njoh unë shqiptarët, me ndonjë përjashtim të rrallë për ndonjë fushë, çështje a temë të caktuar, ndër shqiptarët nuk kemi fare mendje të tilla të përgatitur e kompetentë për debate të tilla, kështu që na mbetet të shpresojmë te gjeneratat e ardhshme.

 

 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

4 qershor 2018

  • Postime: 304
Alban
#5 ne: 07-02-2020, 09:38:17
Ese vertete shume me vlere. Kishte ardhur koha qe dikush te thote gjerat ashtu sic jane.