×

Koha kur burri matej në dolli!

Koha kur burri matej në dolli!

· 1 · 188

  • Postime: 18304
  • Gjinia: Femer
ßåßy ღ
ne: 05-01-2014, 15:28:02
Sokol Çela

Në veri të Beratit ndodhet zona e Sulovës që kufizohet me  fshatrat e Elbasanit, Gramshit dhe të Kuçovës! Një zonë me tradita dhe me zakone shumë të lashta dhe me shumë vlera. Një nga këto vlera ka qenë dhe dollia. Dollia e  Sulovës është ndryshe nga dollia e Veriut, apo e Labërisë. Nuk është si dollia e Labërisë që mund të bëhen deri në 20 veta dollibash. Dollia e Sulovës bëhej në këtë formë:

Në fillim bëhej prezantimi i shtëpisë dhe më pas i miqve. Uleshin në konake dykatëshe dhe shtronin sofrën ku uleshin 15 deri në 20 burra. Nuk uleshin gratë në dhomën e burrave. Ka patur dy dolli: e para ishte ajo kur bënin të gjithë “gëzuar”, në një kohë dhe mund të pije sa të doje.

Nuk ishte me detyrim për miqtë që ishin me probleme shëndetësore, ndonjë rast unik. E dyta: Si zakon ishte që i zoti i shtëpisë të hapë dollinë. Merrte gotën në dorë dhe ngrihej në këmbë dhe thoshte: “Mirë se na keni urdhëruar miq të dashur! T’ju vijmë në sebepe të tilla, në gëzime  ju ardhsha! Sot më keni lumturuar shumë me ardhjen tuaj”! Për këtë respekt ngre  gotën dhe u bën ‘Gëzuar’ të gjithë pjesëtarëve që janë në sofër, miqve, por edhe pjesëtarëve që janë të shtëpisë. Ky është një urim i shpejtë dhe për hapjen e sebepit, apo darkës, ku gotën e kthen në fund të të gjitha urimeve që bëri për çdo person.

I zoti i shtëpisë, pasi i bën këto, do gjejë se me kë do ta bëjë dollinë - dolli bashi- ose e quanin Sekretari. Zakonisht gjen dajën e tij, ose dajën e fëmijëve, ose xhaxhanë, por të jetë i rakisë dhe t’i dëgjohet zëri! Ai merr gotën pasi përfundon urimi  dhe fillon për  mikun që është ulur i pari pranë vetes së tij. Duke i thënë dajës – Sekretarit “të desha”. Ai ia kthen: “Të dashtë e mira”. Dhe fillon dollia për mikun më të rëndësishëm, për gruan e tij, për vëllezërit, për motrat, për fëmijët dhe për të gjithë të afërmit e tij. Për secilin nga këta që përmendëm, do kthejë ndonjë gllënjkë raki se s’bën. Sekretari jep leje për këngë, ku gjithmonë të parën e merr nga ana e të zotit të shtëpisë, miqësia të dytën.

Është edhe një shkëmbim informacioni se çfarë bëhet në ato zona që miqtë ishin, si vepronin me bujqësinë, si vepronin me blegtorinë, por dhe shkëmbim idesh. Dhe kështu del dollia në fund të miqve, për secilin nga këta do bëhej kjo, por duke i radhitur sipas rëndësisë, sepse nga fundi i pjesëtarëve të dollisë mund t’i përmbledhin për motra-vëllezër një dolli për mos ta zgjatur shumë. Bën dolli për mirësinë, për mirëseardhjen dhe në fund bën “Brum” duke  trokitur gotën me mikun, ose i lë të kuptojë mikut që e ka ai radhën. Nuk uleshin nën moshën 18 vjeç.

Ishte një shkollë më vete. Të mbaje mend, edhe pse pije shumë, nga të dyja palët ku do ta fillojë dhe ku do ta përfundojë, se mos kishte harruar ndonjë pa i pirë dollinë, se këtu fillonin gjithmonë grindjet dhe hatërmbetjet. Unë mendoj se ishte një promovim i njeriut në atë kohë, të tregonte vlerat e tij, aftësinë, fuqinë, zërin. Sepse burra të zotë quheshin ata që prisnin sa të vinte dashi i pjekuri, t’i rezistonin dollisë pa u dehur.

Ai që do pranonte kushtet e dollisë në fillim, do t’i qëndronte besnik me krenari deri në fund, mos të përdorte hile, të derdhte gotën pa patur të tjerët mendjen, apo hile të kësaj natyre, sepse ndëshkohej dhe e turpërohej nga të gjithë. Pse bëhej dollia? Për arsye që të uronin tjetrin dhe ta ngrinin moralisht. Kishin dëshirë që tjetri të ishte mirë gjatë gjithë jetës, gazmor, i shëndetshëm, jetë sa më të gjatë, i lumtur.

Të ishte me Nder. Sepse nderi ishte i pari urim që përdorej në dolli: “Të kesh nder dhe shëndet”! Dhe për të shtyrë më shumë darkën apo muhabetin. Përdorej raki koçimare, raki rrushi, raki prej galicës së zezë, pulsa e vogël, kumbulle. Nuk kishte burrë të mos pinte gjysmë kile raki, ishte e pakta gjysmë kile. Kishte dy mënyra: me gotë të vogla, që t’i ktheje me fund, ose me bardhak. Kjo vendosej deri ne fillim, para se te uleshin.


/Shekulli.Online/