×

A janë portalet një biznes i mirë në Shqipëri?

A janë portalet një biznes i mirë në Shqipëri?

· 2 · 43

  • Postime: 22690
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 14-10-2019, 10:23:05

 

Pjesa më e madhe e portaleve kryesore në vendin tonë janë ata të cilët “mbështeten fort” nga një media e madhe, qoftë kjo televizion apo gazetë, dh puna e këtij portali pasqyrohet bindshëm në transmetimin e informacioneve dhe të qenurit një ndër më të aksesuarit për publikun. Por, ç’ndodh me portalet e tjera të pavarura? Drejtues të strukturave të tilla tregojnë për Monitor se vështirësia më e madhe që ata hasin në tregun shqiptar, tashmë të mbingopur me iniciativa të tilla transmetimi lajmi, është aftësia për të marrë reklama, kundrejt mediave tradicionale (apo portaleve që mbështeten nga të tilla), ndonëse portalet kanë të dhëna të sakta të matshme të audiencës së tyre…

Nga Deada Hyka

 

Rritja e raportimit dixhital

Teksa redaksitë e printit vijojnë të shkurtojnë vende pune, dhjetra gazetarë janë duke punuar tashmë në botën në rritje të lajmeve dixhitale, një pjesë e madhe e të cilave janë portale lajmesh unike (ose të pavarura), që nuk kanë “si mbështetje” nje television apo gazetë të madhe.

Duke qenë se numri i tyre është gjithnjë në rritje, lind pyetja: a ka ngopje tregu e hapësirave të tilla? Themeluesi i portalit Albeu.com, z. Idaver Sherifi tregon se Tregu shqiptar është i vogël për kaq faqe sa ekzistojnë në shqip dhe është e pamundur që këto portale të mund të funksionojnë normalisht. Nga ana tjetër, administratori i “Noa.al” Edison Kurani thotë për Monitor se, mes shumë portalesh në Shqipëri, lufta është për mbijetesë, jo vetëm në raport me informacionin por, edhe me reklamimin, ku mediat e mëdha kanë pjesën më të madhe të “tortës”.

Ndërsa, administratori i “Lajmi i Fundit” Taulant Çela thotë se lista e portaleve që janë shfaqur dhe janë zhdukur është shumë e gjatë, por të pakta janë mediat “kokëulur” që punojnë profesionalisht. Sipas tij, audienca të zgjedh edhe përmes këtij kriteri, por përkundrejt kësaj, “biznesi i lajmit” sipas tij kërkon përkushtim “24 orë”, pasi rritja e aksesimit dixhital të publikut në kohët e sotme, të vendos ty në pozicione të forta pune, për të arritur rezultatet që kërkon. Sipas z. Çela, pikërisht vështirësia e të mbajturit portale në Shqipëri kjo është: rritja e aksesimit kundrejt kostove të tyre.

 

Lajmi si biznes

Pyetjes se a është “lajmi on-line” një biznes i mirë, drejtuesit e këtyre portaleve u përgjigjet thuajse njësoj: “është në kufijtë e mbijetesës”.

Dhënia e informacionit “falas” në ditët e sotme (portalet ende nuk kanë akses me parapagesë sikurse ndodh jashtë), ndërkohë që marrja, grumbullimi, klasifikimi dhe shpërndarja e informacionit po bëhet gjithnjë e më kushtueshme, bën që modeli i portalit aktualisht të mos ketë një logjikë financiare tregu, sikurse theksojnë studiues të ndryshëm perëndimorë të ekonomisë të mediave.

Të nisura si media dhe sipërmarrje private që funksionojnë në treg, ky sektor ka ecur drejt një modeli shumë më të ndërlikuar, i cili nuk mund ta sigurojë “cilësinë” e kërkuar nga drejtuesit sipas këtyre mekanizmave.

E gjitha kjo ka sjellë që mediat të mos ta shohin misionin e tyre kryesisht si informim objektiv, sa më i plotë, dhe i dobishëm i publikut, por ta konsiderojnë informimin publik si një vlerë që nënrenditet ndaj strategjive të tjera që ushqejnë mediat me burime financiare.

Në një deklaratë të pak kohëve më parë, Unioni i Gazetarëve ka bërë të ditur se janë 250 uebe dhe gazeta online të celura përgjatë periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar mbi 320 gazetarë. Por, ata kanë shtuar se vetëm në 50 prej tyre ka një sistem modest pagesash, ndërsa në 200 prej tyre ka një realitet informal të tmerrshëm.

 

Raporti i ri dhënës-marrës

Për herë të parë në ekonominë e medias përgjatë historisë së saj, me ardhjen e internetit dhe kalimin e mediave në komunikimin dixhital, me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit si telefonia celulare dhe kompjuteri e mjetet e tjera si iPad, kanë krijuar marrëdhënie të reja midis “shitësit” dhe “blerësit” të informacionit, pra midis agjencive të mirëfillta mediatike dhe audiencave. Konsumatori i informacionit, tanimë, është jo vetëm pritës dhe përfitues i shërbimit, por ai del edhe në “tregun” e informimit publik, në hapësirën publike, në “mainstream” dhe paraqet aty komentet, interpretimet e tij ose bëhet nga ana e tij burim i një informacioni të ri. Një pjesë e madhe e gazetarëve në këtë fushë tregojnë se, komentet e ardhura në fund të një lajmi të caktuar apo edhe mesazhet private kanë “ushqyer” gazetarët me informacione të reja. Dixhitalizimi solli një aspekt të tillë, që ekspertët e konsiderojnë si “pa kosto”, të marrjes së informacionit, shpeshherë, edhe të një shkrimi krejtësisht të gatshëm.

 

Kosto e gazetarit online

Në fazat e sotme të gazetarisë shqiptare, shpenzimet për pagesën e punës së gjallë të gazetarit të spikatur profesionist, kanë ulur mundësitë për të fituar nëpërmjet reklamës, por, nga ana tjetër, janë ulur shumë shpenzimet për qarkulluar informacionin. Portalet kanë një strukturë të tillë që informacioni ruhet për një kohë të gjatë, publiku mund t’i rikthehet herë pas here. Për më tepër, në kuadër të kostove që mund të kenë stafi redaksional i një portali, duhet theksuar, siç tregojnë edhe drejtuesit e këtyre strukturave, se janë ulur shpenzimet e komunikimit në distancë midis gazetarit në terren dhe redaksisë virtuale, si dhe mbi të gjitha kanë ardhur duke u zvogëluar shpenzimet që duhen bërë për komunikimin midis redaksisë dhe agjencive të ndërmjetme përpara sesa informacioni të shkojë tek audiencat, pra shtypshkronjës, rrjeteve të shpërndarjes, etj., duke mundësuar forma të reja editimi dhe shpërndarjeje.

………….

Intervistë me z. Edison Kurani – Themelues i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA.al

“Mediat tradicionale marrin ‘tortën’ e reklamave, portalet e pavarura punojnë për pasion”

 

Si lindi ideja e hapjes së një agjencie lajmesh?

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA lindi rreth dhjetë vjet më parë, kur në Shqipëri ekzistonin vetëm një numër i vogël web-esh, pothuajse të gjitha, faqe të gazetave dhe televizioneve. E vërteta është se që në fillim NOA (News of Albania) u bë pikë referimi për shqiptarët në Shqipëri dhe trojet përtej kufirit, si dhe kudo në botë ku jetojmë ne shqiptarët. Gazetat, TV, radio etj., e përdorin NOA.al si burim të rëndësishëm informacioni. Mendoj se këto kanë ardhur mbi të gjitha nga pasioni dhe profesionaliteti i gazetarëve që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me NOA.

 

Bazuar në vitet e eksperiencës, a përbën “lajmi” një biznes të mirë?

Për hir të së vërtetës, nuk mund të them se lajmi përbën një biznes të mirë, në aspektin fitimprurës. Përkundrazi, është në kufijtë e mbijetesës. Por ju siguroj se vetëm pasioni e mban gjallë një nismë të tillë.

 

Cilat janë vështirësitë e këtij sektori?

Të kesh një biznes nga pas, apo një media të njohur nga pas, shpesh është një avantazh. Në ndonjë rast mund të shihet edhe si penalizim. Por unë mendoj se në rastin e NOA.al është marrë vendimi i duhur: Një agjenci e pavarur lajmesh, kombëtare dhe gjithëpërfshirëse që nuk mban anësi politike dhe nuk mbështetet nga asnjë biznes apo parti. Dhe kjo nismë është përqafuar gjerësisht nga audienca, e cila ka njohur vetëm rritje progresive. Është një përpjekje gazetareske për t’i dhënë lexuesit kudo që ndodhet, shpejt dhe saktë, lajmin për gjithçka ndodh. Dhe është pikërisht ky pasion që na bën ne të rendim pas lajmit dhe t’ua shpërndajmë të gjithëve.

 

Sa staf nevojitet për të kryer punën e shkrimit dhe transmetimit të lajmit në një portal?

Sa më shumë, aq më mirë. Në fakt, vështirësitë janë të mëdha, por fatmirësisht ka një dëshirë të madhe për bashkëpunim dhe reporteri i NOA është kushdo, gazetari, intelektuali, lexuesi dhe ai që e sheh lajmin aty ku ndodh.

 

A tërheq website më tepër për “thithjen” e reklamave? Si është raporti juaj me to?

Nëpër botë ka vite që thonë se e ardhmja është online dhe në vendet e zhvilluara kjo e ardhme ka mbërritur. Edhe në Shqipëri flitet me këtë moto, por do thoja është vetëm përqafim formal dhe në parim i motos ndërkombëtare. Sepse e vërteta flet ndryshe. Mediat tradicionale, TV, radio, gazeta marrin thuajse të gjithë tortën e reklamave. Sepse edhe biznesi është i prirë të përqendrohet tek to. Ka disa kompani që e kuptojnë rëndësinë e web-it. Kanë arritur të kuptojnë edhe se vetëm mediat online kanë monitorim real të audiencës, e cila është bërë disa herë më e lartë se e mediave tradicionale. Por vlerat që kompanitë reklamuese ofrojnë apo paguajnë, janë shumë të vogla, duke i detyruar mediat e pavarura online që të vazhdojnë të punojnë për pasion.

…………..

Intervistë me themeluesin e Albeu.com, z. Idaver Sherifi

“Portalet shqiptare…në kufijtë e mbijetesës”

 

Si lindi ideja e ardhjes në treg me një portal lajmesh?

Ka filluar si një pasion për të shkruar dhe mundësi për të publikuar shkrimet personale në një faqe, pa qenë i detyruar t’iu lutem gazetave. Bëhet fjalë për vitin 2003, kur nuk ishin mundësitë që janë sot ku njerëzit e kanë shumë të lehtë të shprehin mendimet e veta, pasi ekzistojnë rrjetet sociale, blogjet, etj. Fillimisht e kam nisur si blog, duke postuar shkrimet e mia dhe artikuj të përzgjedhur ndërsa disa muaj më pas, e ktheva në formatin që është sot, në një portal informativ. Në fillim të vitit 2004, Portali Albeu nisi me publikimin e lajmeve të minutës së fundit, ndërsa pas vitit 2011 edhe me prodhimin e lajmeve dhe përmbajtjeve origjinale nga stafi ynë.

 

A është ky një sektor fitimprurës?

Ndonëse në botë ky është një sektor shumë fitimprurës, për tregun shqiptar nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Arsyeja kryesore është se tregu shqiptar është jashtëzakonisht i vogël dhe si pasojë, edhe të ardhurat e gjeneruara nga reklamat janë relativisht të ulëta, deri në kufirin e mbijetesës. Përveç kësaj, kam përshtypjen se Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të buxheteve të reklamave në internet, ndërsa mungesa e pranisë në Shqipëri të rrjeteve të huaja të reklamave, si ajo e Google, e bën edhe më të vështirë këtë sipërmarrje. Megjithatë, mendoj se ka shumë hapësira dhe ka ardhur koha kur investitorë të mëdhenj duhet të investojnë në këtë sektor, pasi kjo do ta gjallëronte sektorin në përgjithësi, duke u rritur vlerën edhe atyre ekzistueseve.

 

Në vitin 2015, a ka mbingopje tregu?

Tregu shqiptar është treg jashtëzakonisht i vogël për kaq faqe sa ekzistojnë në shqip dhe është e pamundur që këto portale të mund të funksionojnë normalisht. Nuk di të them saktësisht numrin, por janë me qindra portale informative, shumë të ngjashme me njëri-tjetrin si në pamje (design) dhe në përmbajtje që garojnë për të fituar lexuesin, ndërsa çdo ditë shohim portale të reja që hapen. Megjithatë, mendoj se ky është një hov i momentit që me kohë do të bjerë, pasi ky treg e ka të pamundur që t’i “mbajë” një numër kaq të lartë portalesh. Njerëzit kanë dëshira, pasione dhe duan të futen në treg duke hapur një portal, por njeriu, nëse për një kohë të caktuar nuk e arrin atë që ka synuar, dëshira për të vazhduar shkon drejt zbehjes. Në 12 vitet e kaluara, kam parë me qindra portale që janë hapur, kanë qëndruar 6 muaj ose 1 vit dhe më pas janë mbyllur ose kanë ngelur të papërditësuara. Është një garë e fortë dhe e vështirë që i ngjan një maratone. Jo gjithmonë ai që e fillon shpejt arrin ta përfundojë garën, megjithatë është e mundur që gjithmonë çdokush të futet në garë lehtësisht.

 

Sa “tërheq” web-i reklamat?

Në të gjithë botën web-i çdo ditë e më shumë po fiton terren në sektorin e reklamave ndaj formave të tjera të reklamimit, e sidomos ndaj asaj në gazeta e revista. Edhe në Shqipëri, vihet re ky trend, por është i pakrahasueshëm me trendin botëror. Avantazhi kryesor i reklamave në web është matshmëria, gjë që e ka bërë të fitojë terren lehtësisht ndaj formave tjera. Por në Shqipëri, shpërndarja e reklamave në masë të madhe vazhdon me mënyrën e vjetër, ku pronari i biznesit apo menaxheri jep reklamë në një media të caktuar bazuar në perceptimet ose në njohjet personale që ka dhe jo në statistika. Kjo gjë është shumë e dëmshme për sektorin në përgjithësi, pasi shpërndarja e reklamës nuk funksionon në bazë të meritës dhe konkurrencës së lirë, por bazuar në lidhje personale.

Por, pavarësisht këtyre problemeve që i përmenda më parë, mendoj se e ardhmja është shpresëdhënëse, pasi numri i përdoruesve të internetit po rritet shumë shpejt, ndërsa interesi i reklamë-dhënësve vendas dhe të huaj është në rritje. Për të siguruar të ardhura nga reklama jo shqiptare për portalet, kam filluar një iniciativë me një rrjet të huaj reklamash për ta aplikuar te faqet shqiptare. Kemi 4 muaj që kemi nisur me disa portale shqiptare dhe pas kësaj periudhe kemi regjistruar dyfishim të ardhurash për portalet që janë pjesë e kësaj platforme. Me futjen në treg edhe të Google në vitet në vazhdim, mendoj se ardhmja e portaleve në Shqipëri është shumë optimiste.

 

Çfarë vështirësish has portali në tërësinë e funksionalitetit të tij?

Problemi kryesor janë mungesa e të ardhurave, kur bëhet fjalë për portalet që janë sipërmarrje të pastra web-i dhe jo vazhdimësi të një biznesi tjetër ose pjesë të një grupi tradicional mediatik. Kjo mungesë të ardhurash, natyrisht ndikon në të gjithë organizimin e portalit, pasi synohet që me pak njerëz të bëhen shumë gjëra, gjë që është vështirë për t’u bërë. Përveç pjesës gazetareske që pjesërisht mungon, gjë që është problematikë gati e të gjitha mediave në Shqipëri, një portal për të funksionuar siç duhet të ketë një infrastrukturë shumë të mirë teknike dhe duhet investuar në këtë drejtim. Pa një sistem të mirëfilltë menaxhimi të përmbajtjes, është shumë e vështirë rritja e një portali.

…………

Intervistë, administratori i Portalit Lajmi i Fundit, z. Taulant Çela

Portalet jane inetraktive,disa minura re ‘mungish’, humbet audiencen

 

Si lindi ideja e hapjes së një portali lajmesh?
Ideja për themelimin e Lajmifundit.al i përket qershorit të vitit 2009, si një produkt i përvojës dhe analizave disavjeçare të disa gazetarëve në median tradicionale, TV, gazeta, radio. Themelimi i portalit u nxit nga nevoja për të pasur një media të hapur, interaktive, dinamike, që është gjithnjë në ndryshim e sipër dhe në evoluim të lajmit. Duhet të pranoj se nisma u nxit edhe nga dëshira për të krijuar një media të pavarur, jashtë ndikimeve politike, ekonomike apo të biznesit. Pra një media të krijuar nga gazetarët, jo nga politikanë, jo nga biznesmenë as nga pronarë mediash.

A ka tregu mbingopje të tyre?

Në fakt ka një fenomen problematik sa i përket numrit të faqeve informative në internet. Me kolegët e mi kemi një listë të gjatë faqesh që u hapën kur ne filluam me Lajmifundit.al dhe që pas 3 apo 6 muajsh u mbyllën. Ky fenomen ka vazhduar gjatë 6 viteve që ne jemi në transmetim, lista e faqeve që janë shfaqur dhe janë zhdukur është shumë e gjatë. Ka një ngopje me emra dhe premtime mendoj, por jo me punë. Hapen shumë faqe me slogane të mëdha, por mendoj se tregu ka shumë pak media kokulura, që i plotësojnë kriteret profesionale të pavarësisë dhe paanshmërisë. Në këtë kuptim mendoj se tregu ka nevojë edhe për media të vërteta dhe profesionale.

A është “lajmi” një biznes i mirë?
Lajmi i biznesit është një biznes i mirë. Ndërsa lajmi profesional në shumicën e rasteve nuk është një biznes i mirë, por është një ndjesi e bukur njerëzore dhe profesionale. Pra dua të them që një media serioze duhet të bëjë ndarjen. Publiku duhet ta dijë në mënyrë të dukshme përse po i ofrohet një lajm. Ka interes publik, ka kuriozitet, ka interes lokal, është utilitar, etj., etj. Lajmi i biznesit duhet të jetë i shënuar dhe i shpallur që është për atë qëllim.

 

Cilat janë vështirësitë e këtij sektori?
Vështirësitë janë në raport me qëllimet që ti ke. Nëse do të bësh një portal të madh, me 70 apo 100 mijë vizitorë në ditë, duhet të përballosh së pari një varg kostosh që kanë të bëjnë me hostimin e faqes dhe mirëmbajtjen e kujdesin teknik. Njerëzit duan informacion 24 orë, në kompjuter, tabletë, në telefona, e-mail dhe në FB. Nëse mungon për disa minuta rrezikon shumë. Kjo është vështirësia e parë. E dyta, është tregu i deformuar dhe klientelist i reklamave. Ka faqe me 1500 apo 5 mijë vizitorë që kanë marrë reklama falë x biznesi apo x personazhi që kanë pas tyre, ndërkohë që faqet e mëdha nuk përfillen. Kjo është për të ardhur keq. Në vitin 2015, biznesi duhet të investojë reklamim në media ku reklama dhe mesazhi i tyre shikohet.

 

Sa burime njerëzore nevojiten për kompletimin e një portali lajmesh?
Siç ju thashë duhet staf teknik. Po kështu, nevojitet një staf informacioni. Të dhënat nga terreni janë shumë të rëndësishme, ato bëjnë diferencën. Pastaj ka rëndësi stafi menaxhues dhe ai i marketingut. Lajmifundit.al ka 8 veta të punësuar me kohë të plotë dhe një rrjet prej 8 bashkëpunëtorësh me kohë të pjesshme.

 

Sa eficente është portali dhe a ka arritur kredibilitetin krahasuar me gazetat apo TV?
Dua të flas me gjëra konkrete. Çdo ditë ne kemi 25 për qind vizitorë të rinj. Dhe kjo për faktin se çdo ditë ne shënojmë një numër më të madh vizitorësh se dita paraardhëse. Ndërkohë kemi 75 për qind të vizitorëve return, pra që rikthehen dhe na lexojnë. Unë mendoj se ky është kredibilitet.

 

Si është raporti juaj me reklamat?
Raporti me reklamat është problematik pasi reklamuesit dhe agjencitë e PR që menaxhojnë kompani të mëdha e të mesme, funksionojnë mbi bazën e raporteve personale, klienteliste dhe nuk marrin parasysh shumë të dhënat e vizitave, kohëzgjatjen e një media, profilin dhe seriozitetin e saj. Lajmifundit.al ka krijuar një pavarësi në këtë aspekt, pasi burimi kryesor i financimit është ai nga reklamat që shfaqen jashtë Shqipërisë, ku ne kemi 30 për qind të vizitorëve. Në tregun e reklamave në Shqipëri, ne kemi krijuar një risi sa i përket transparencës së shifrave, reklamimit për klik dhe disa mënyra të tjera moderne të reklamimit që na bëjnë transparent dhe të besueshëm me partnerët tanë. https://www.monitor.al/a-jane-portalet-nje-biznes-i-mire-ne-shqiperi/

  • Postime: 22690
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 14-10-2019, 10:34:14
Vështirësitë financiare të portaleve në Shqipëri

 

Pjesa kryesore e portaleve të informacionit në Shqipëri mbështeten nga një media tradicionale e fortë, e cila krahas markës që mund të ketë në treg ofron mbështetje financiare, mbështetje në burime njerëzore për krijimin e materialeve dhe përmbajtjes etj. Kjo bën që një pjesë e materialeve të transferohet midis medias televizive, medias së shkruar dhe medias online. Por pyetja që ekziston është: çfarë ndodh me pjesën tjetër të potaleve të pavarara ose individuale? Si kanë arritur ata të operojnë në treg? A përbën një biznes të mirë krijimi i portaleve të informacionit dhe të mediave online?

Portalet në Shqipëri, si kudo në botë në vendet e zhvilluara, janë në konkurencë me njëra-tjetrën për kapjen e një audience sa më të gjerë përdoruesish që i ndjekin, e cila eventualisht sipas parashikimeve të tyre sjell klikueshmëri më të lartë. Më pas kjo klikueshmëri do të përkthehet në modele biznesi për gjenerimin e të ardhurave. Modeli kryesor i biznesit në portalet e informacioneve është modeli i reklamimit, por edhe pse kudo në botë, industria e reklamimit online është një ndër industritë më të suksseshme në Shqipëri nuk po ecën me të njëjtin trend duke sjellë vështiresi financiare. Eventualisht problemet e vazhdueshme çojnë në mbylljen e këtyre portaleve.

Disa nga vështirësitë kryesore të cilat hasin portalet shqiptare janë:

modele biznesi të kufizuara: modeli kryesor i portaleve është reklammimi. Reklamimi përfaqësohet me veprimin e shfaqjes së një imazhi, animacioni në një pjesë të faqes web e cila është e dukshme për syrin e përdoruesit. Pjesa dërmuese e portaleve shqiptare të informacionit bazohen kryesisht tek ky model. Avantazhi i web-it qëndron pikërisht në faktin e ofrimit të statistikave të matshme për të gjitha agjensitë e reklamimit. Por një portal duhet të ofrojë dhe modele të tjera biznesi. Për shembull, në Shqipëri mungon aksesimi i përmbajtjes në bazë të parapagesës apo abonimeve. Edhe portalet që mbështeten nga një media tradicionale dhe që kanë një redaksi të zgjeruar kanë dështuar për të realizuar një gjë të tillë.
numri i madh i portaleve që ekzistojnë në Shqipëri: tregu shqiptar është treg jashtëzakonisht i vogël për kaq faqe sa ekzistojnë në shqip dhe është e pamundur që këto portale të mund të funksionojnë normalisht. Janë me qindra portale informative, shumë të ngjashme me njëri-tjetrin si në pamje dhe në përmbajtje që garojnë për të fituar lexuesin, ndërsa çdo ditë shohim portale të reja që hapen. Kjo i ndikon në dy aspekte portalet shqiptare të informacionit:
këto portale do të garojnë me njëri-tjetrin për të tërhequr audiencën e përdoruesve dhe si rrjedhim ata do të ndahen midis këtyre portaleve duke rezultuar gjithmonë e më shumë në një zvogëlim të audiencës.
duke qenë se ekziston një mbigopje tregu në këtë industri, rrjedhimisht do të kemi një sasi të madhe informacioni shpeshherë të përsëritur. Kjo do të ndikojë shumë besnikërinë e përdoruesve kundrejt këtyre portaleve. Një përdorues që mund të ketë ndjekur lajmet nga një portal nuk e bën dot me dallimin dhe shndërohet në ndjekës të shumë portaleve, rrjedhimisht duke ulur kontributin e tij në audiencën e përgjithshme të portalit.
tërheqja e reklamave: edhe pse industria e web-it ofron një rekamim të shoqëruar me tregues statistikorë përsëri në Shqipëri kemi një trend tepër të ulët. Mediat tradicionale, TV, radio, gazeta marrin thuajse të gjithë pjesën e reklamave. Sepse edhe biznesi është i prirë të përqendrohet tek to. Ka disa kompani që e kuptojnë rëndësinë e web-it. Kanë arritur të kuptojnë edhe se vetëm mediat online kanë monitorim real të audiencës, e cila është bërë disa herë më e lartë se e mediave tradicionale. Por vlerat që kompanitë reklamuese ofrojnë apo paguajnë, janë shumë të vogla, duke i detyruar mediat e pavarura online që të vazhdojnë të punojnë për pasion.
mbeshtetja financiare: ky problem vërehet veçanërisht në krijimin e infrastrukutrës së nevojshme tenkologjike dhe në madhësinë e burimeve njerëzore si redaksia e lajmeve, specialistët e marketingut etj. Këta faktorë në mënyrë indirekte ndikojnë në sasinë e materialit që publikohet online dhe rrjedhimisht dhe në  klikueshmërinë totale të një portali.
Në kushtet e përmendura më sipër, iniciativat e krijimit të një portali në Shqipëri nuk përbëjnë më një biznes të mirë, pasi ata cilësohen nga shumë themelues që funksionojnë në kufijtë e mbijetesës. Si rezultat i një rritjeje tepër masive të numrit të tyre, audienca vazhdon dhe shpërndahet duke rezultuar në probleme të mëvonshme operacionale. https://businessmag.al/blog/veshtiresite-financiare-te-portaleve-ne-shqiperi/