×

Nje histori e komuniteteve shqiptare ne rrjet

Nje histori e komuniteteve shqiptare ne rrjet

· 2 · 112

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 29-05-2019, 02:38:17
Nje artikull i vjeter, por besoj se eshte me goxha vlere

Larmia e faqeve shqiptare në rrjet edhe pse jo e përkryer ka qen vazhdimisht duke u përmirësuar, e sot më shumë se kurrë shqiptarët janë në gjendje ta përdorin rrjetin jo vetëm për letërkëmbim dhe informacione të rëndësishme, por edhe për të ndërtuar në rrjet marrdhënie biznesi, shoqërore e deri në ato shpirtërore dhe fizike. Sot, kur kemi nisur të flasim për "blogsferën" shqiptare, nuk ka dyshim se prezenca jonë në web ka kaluar në një fazë më të zhvilluar se ajo e 10 vjetëve më parë, kur faqet shqiptare në rrjet ishin në një stazh foshnjor. Sot mund të lexosh një lajm interesant tek www.peshkupauje.com, ta verifikosh tek www.Shekulli.com.al, të ndjekësh në video të përditësuara Sonila Meçon ta prezantojë këtë bashkë me të rejat e ditës tek www.Vizionplus.tv e ndoshta të thellohesh më tej në temën duke diskutuar në ndonjë prej forumeve të shumtë ku flitet politikë më shumë sesa në kafenetë e kryeqytetit. Sot dikush mund të bëjë chat tek www.shqiperia.com, te degjojë muzike tek www.radioezeta.com, te kërkojë shoqen/shokun e jetës tek www.albanianpersona ls.com apo të kërkojë shërim nga një dervish tek www.sherime.com. Mundësitë janë të pafundme, dhe vetëm përmirësohen!!!

Vetëm se nuk ka qen gjithnjë kështu. Dikur egzistonin vetëm listat email dhe komunitetet brenda AOL, ngaqë atëhere bota e rrjetit shqiptar ishte e re, gjithashtu lundruesi i rrjetit në shqipëri ishte akoma jo efektiv. Në vitin 1996 nuk egzistonin më tepër se një grusht faqesh në shqip, dhe më tepër me ca shërbime krejtësisht tekst bëhej një përcjellje minimale e artikujve kryesorë të ATSH, të gjitha në servera të ngadaltë edhe për kohën kur flasim 28.kbs. Midis viteve 1995-1998 në internet nuk mësoje dot më shumë lajme nga Shqipëria se sa nga një radio me valë të shkurtra. Ndër të parat faqe ishte www.albanian.com, (tashmë e lënë plotësisht pas dore) një faqe me një përmbledhje të thjeshtë të historisë, kulturës dhe qyteteve shqiptare. Ajo që ishte interesante në këtë rast ishte se faqja në thojza zyrtare nuk i njihte kufijtë e RSh, por rrekej të përfaqsonte të gjithë shqiptarët në Ballkan.

Kishim gjithsej vetëm disa dyzina me fotografi nga shqipëria dhe këto i gjeje thuajse në të gjitha faqet, duke evidentuar kështu varfërinë teknologjike në vend. Edhe ato pak foto të reja nga Shqipëria u përkisnin më së shumti turistëve të huaj apo misjonarëve të ungjillizimeve. Ishin fare të paktë njerëzit brenda shqipërisë që ishin në gjendje të shkrepnin, zhvillonin, skanonin pastaj ngarkonin një fotografi në rrjet.
Shumica e përdoruesve shqiptarë ishin burokratë në zyra të ndryshme, kryesisht të Tiranës, ndërsa shërbimi i internetit nuk ofrohej për konsumatorin nga Alb Telekom apo ndonjë ISP (internet sevice provider), lulëzonin, siç vijojnë të lulëzojnë internet kafetë.

Asnjë faqe zyrtare e shtetit shqiptar nuk egzistonte deri rreth vitit 2000. Faqet Kosovare, pjesërisht edhe për shkak të nevojës që sillte agresioni serb, ishin në këtë kohë më të shumta e më të zhvilluara nga ana teknologjike. Edhe ato pak faqe që mirmbaheshin nga brenda Shqipërisë në këtë kohë vuanin nga mungesa e përditësimit. Ndërkohë uria për kontakt dhe informacion e emigrantëve shiptarë - që duhet theksuar se ishin eksploruesit e parë të rrjetit ndër ne - bëri që të merrnin një zhvillim mbresëlënës forumet. Forumet që nisën dikur nga fundi i 1998 deri në vitin 2001 kishin stabilizuar një ndjekje besnike. Faqe si www.albforumi.com e më vonë forume si www.zeriyt.com numërojnë mijra antarë. Sidoqoftë këto ishin dhejanë faqe amatore, me ekipe të vogla vullnetarësh dashamirës që janë pionerët e asaj që ka nisur të njihet si blogsfera shqiptare.

Në botën e rrjetit egzistojnë tashmë prej vitesh një mori faqesh shqiptare, shumë prej të cilave funksionojnë nëpërmjet krijimit të forumeve virtuale ku më pas miqtë që njihen në linjë kalojnë orë të gjata të ditës duke diskutuar apo bërë thashetheme, duke mundësuar kështu lindjen e një shoqërie vibrante dhe energjike, reale në atë që përcjell emocione shpesh fort të sinqerta e bën kështu të mundur krijimin e miqësive të vërteta.

Faqet për mirmbajtjen e të cilave paguhej që në fillim nisën të çajnë akullin virtual të Tiranës ishin nisma të gazetave të përditshme shqiptare. Koha Jone, Shekulli dhe Balkanweb nga Gazeta Shqiptare u lançuan të treja në internet në harkun e disa muajve, më saktë, midis mëntorit 1999 dhe Prillit 2000, duke superfishuar menjëherë sasinë e informacionit që mund të gjendej tashmë në internet. Sidoqoftë këtop ishin faqe me dizenjo të dobta dhe funksione të kushtëzuara, por që përmbushnin asokohe një nevojë parësore siç është nevoja për informacion. Këto faqe gazetash, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë frekuentimin më të lartë ndër faqet shqiptare në rrjet. Duket, populli ynë mbetet i etur për politikën e ditës, dhe interesi i diasporës për sa ndodh në vend mbetet i lartë.

Disa prej faqeve të njohura shqiptare e kanë kaluar periudhën e tyre të shkëlqimit e tashnë ulje të frekuentimit. Faqet shqiptare janë të gjitha të reja, dhe në botën e internetit gjërat ndonjëherë ndryshojnë tepër shpejt për Webmasterat pa eksperiencë. www.albasoul.com dikur kishte nje frekuentim te bollshem, sikundër dhe fajtori.com por formatet e tyre të panryshuara prej vitesh dhe në rastin e parë politizimi i veprimeve të drejtuesve kanë bërë që llustra e këtyre faqeve të tregojë shenja pleqërie. Suksesi i menjëhershëm i ezeta.org, revistës alternative që ishte ëmbëlsirë për sytë në krahasim me të dyshuarit e zakonshëm e mbështet këtë ide, publiku ishte i lodhur nga kakofonia e forumeve dhe mezi priste një risi në përmbajtje dhe prezantim.

Të frymëzuar nga historitë e suksesit të myspace.com dhe facebook.com, edhe webmasterat shqiptarë kanë nxituar të krijojnë shërbime të ngjashme. Tani ideja ka ndryshuar. Në vend që të ofrosh një faqe, ofro një komunitet. www.faqet.com e grupit Gorani dhe http://miqte.shqiperia.com janë dy shërbime të që i lejojnë përdoruesit të ndërtojnë faqe të vogla personale në formë blogu duke ndërtuar kështu "një qytet virtual". Këto lloj komunitetesh kanë funksionuar në mënyrë të shkëlqyer dhe mundësia për të ndërtuar një faqe tënden pa qen mjeshtër i kodit html apo "computer geek", është tërheqëse për shumëkënd.

Me gjithë zhvillimet frymëzuese deri më tani, bota shqiptare e rrjetit mbetet ende e re dhe dinamike, e ashtu sikundër teknologjia, do të ndyshojë dhe rinovohet pafundësisht. Kërkesa e lartë ka bërë që shumë nga mendiat dhe gazetat shqiptare të përqëndrohen tek faqet e tyre në web, duke shtuar përmbajtjen dhe rritur shpejtësinë e përmirësuar dizenjot. E megjithatë kjo nuk është mjaft.
Që pas datës 2 Janar, gazeta The Wall Street Journal do të përmbajë shumë më pak fletë se nga çka tani, kjo sepse biznesi i gazetave prej letre ka nevojë ta rimishërojë veten në rrjet "në moshën e internetit". WSJ-ja do t'i lërë shumicën e lajmeve për faqen e saj në rrjet, duke printuar në letër vetëm artikujt që analizojnë lajmin.
Herët apo vonë prirjet e huaja ndiqen edhe nga bizneset shqiptarë, shpesoj që drejtuesit e këtyre mediave në shqipëri të jenë ndërkohë duke mbajtur shënime.

Kam vënë re se nuk egziston një faqe lajmesh nga shqipëria në anglisht. Shumë shqiptarë flasin gjuhët e botës në mënyrë të kulluar, por kur vjen puna te ngritja e një faqeje shqiptare në anglisht - një vrimë në ujë. Pse mendoj se është e rëndësishme? Sepse në rast se do provosh të kërkosh lajmet në Google (News) për "Albania" apo "Albanian" lajmet që do gjeni vijnë nga faqe serbe apo greke në anglisht. www.b92.net apo www.ekathimerini.co m dhe një mori faqesh të tjera ballkanike në anglisht (serbianna.com psh specializohet në lajme të zeza për shqiptarët) bëjnë të mundur që pikëvështrimi i tyre - jo yni - tu serviret lexuesve të shumtë anglishtfolës. Kjo duhet ndryshuar. Një faqe shqiptare që flet anglisht është e domosdoshme për të amplifikuar zërin e shqiptarëve në ballkan.

E ndër gjithë këto faqe që vizitojmë çdo ditë, është dhe ky cepi ynë i vogël i botës kibernetike, ky peshku ynë pa ujë që mundohet të krijojë një mundësi më tepër komunikimi mes qytetarëve shqiptarë. Media në duart e qytetarëve...shumë vetë qeshën me të madhe, por qesh mirë ai që qesh i fundit. Fakti që peshku ka njohur vetëm rritje tregon se në këtë epokë të komunikimit masiv, qytetarët që nuk janë pre e apatisë ndodhen të shpërndarë kudo, ata duan vetëm një pikëtakimi. Dhe nëse nisesh për të ndërtuar një faqe jo për interes personal por shoqëror, të inkurajoj ta bësh...nëse më lejohet një batutë nga filmat, do thoja si tek "Field of Dreams", "If you build it, they will come."

Blendi Salaj
 
Blendi, Mar 22, 2007

  • Postime: 416
  • Gjinia: Mashkull
Ωμέγα
#1 ne: 30-05-2019, 10:14:15
Sa keq qe albanian.com akoma pa vlere se ata qe e kane ne dore ose nuk munden ose nuk duan te bejne dicka me te.