Uebsajti zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, (
www.fshf.org) është shkatërruar disa ditë më parë nga “piratë” të internetit. Lajmin e kanë bërë të ditur burime brenda institucionit të futbollit, të cilët njëkohësisht i kanë dhënë shpjegim edhe faktit që faqja zyrtare e FSHF-së në internet nuk funksionon prej 7 ditësh. Zëdhënësi për shtyp i Federatës, Lysjen Nurishmi dhe njëkohësisht personi që kujdeset për uebsajtin, është detyruar që ta shpërndajë informacionin gjatë ditëve të fundit nëpërmjet e-mailit, por ai nuk ka preferuar që të japë asnjë shpjegim për mosfunksionimin e faqes zyrtare duke iu përgjigjur thatë pyetjeve të gazetarëve: “Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Ndoshta ka ndonjë problem në rrjet”. E vërteta është krejt ndryshe, sepse disa ekspertë të internetit kanë mundur të futen në sistemin e faqes zyrtare të FSHF-së dhe e kanë shkatërruar atë. Ajo që kanë mundur të zbulojnë drejtuesit e Federatës është se këta “piratë” janë nga Italia, por ende nuk e dinë arsyen e veprimit të tyre, nëse ata e kanë bërë me ndonjë qëllim të caktuar, apo e kanë shkatërruar uebsajtin thjesht për t’u argëtuar. E vetmja gjë që shpresohet tani është që faqja zyrtare e Federatës të mund të rindërtohet sa më shpejt dhe padyshim të jetë më shumë efikase, sepse deri tani ka qenë e një niveli të dobët për sa i përket programacionit dhe pasqyrimit të aktiviteteve futbollistike që ndodhnin në vendin tonë.