Shqiperia në internet, pa ".al" Në botën moderne, nëse ke një faqe webi mund të kesh gjithçka: por nëse nuk ka mbaresën e vendit tënd, je askush.
Edhe Shqipëria e ka një domein me .AL, por realisht nuk e përdor. Kujtdo mund t'i duket e habitshme, që sot, kur gjithçka varet nga një click i vetëm, vendi ynë është kaq i padukshëm. Edhe fëmijët që navigojnë në internet mund të mbeten pa gojë teksa shohin që websitet italiane kanë mbaresa .IT apo faqet greke .GR, ndërsa ne ende nuk e kemi një të tillë. Arsyeja: serveri prej nga sigurohet "mbijetesa" e .AL, çuditërisht mbahet në Itali, pikërisht në Piza. Kreu i Entit Rregullator të Telekomunikacionit, pohoi për MAPO se brenda pak ditësh do të bëhen tratativat e rradhës për zhvendosjen e serverit nga Italia në Shqipëri dhe veçse atëherë, shqiptarët mund ta kenë një faqe identifikuese në pafundësinë e miliona adresave të internetit. Jo pak, por 10 vjet serveri i akomoduar në një mjedis universitar në Piza, ka lënë pa identitet virtual shqiptarët. Justifikimi e përvitshëm janë fondet për blerjen e pajisjeve, gjetja e një mjedisi të përshtatshëm apo ikja e dritave. Por, a janë këto arsye që realisht duhet t’i lënë shqiptarët në shekullin XXI, të mos kenë një faqe webi me mbaresë domeini .AL.
Pse ende nuk
e kemi .AL? Në vitin 1993 kur edhe u hap domeini i parë shqiptar me .AL, grupi i akademikëve që e mori këtë iniciativë, as që e kishte menduar se strehimi i serverit tonë do të "flinte" për kaq kohë në Piza. "ERT-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për zhvendosjen e serverit nga Italia këtu, madje janë blerë edhe pajisjet e nevojshme (hardware) dhe pritet që pas gjetjes së një vend i përshtatshëm për instalimin, serveri do të transferohet në Tiranë"-tregon Idajet Kopani, drejtor i Entit Rregullator të Telekomunikacionit. Sipas specialistëve të zyrës së Teknologjisë së Informacionit, ERT nuk mund të japë domeine me mbaresën .AL, pasi çdo kërkesë parashikon procedura tejet të gjata deri në Itali, ndërkohë që kopje virtuale e serverit ndodhet në mjediset e INIMA-s. "Transferimi i serverit në Tiranë parashikon konfigurimin serverit dhe disa procedura të tjera teknike dhe brenda një kohe të shkurtër mund të jepen edhe domeinet me. AL, sigurisht që në fillim dhënia e tyre nuk do të jepet pa kriter. Në një fazë të dytë pritet të ketë ndryshime"-shpjegon shefi i Zyrës së Teknologjisë së Informacionit në ERT. Gjatë navigimeve në internet mund të shohësh se privilegjin e adresës .AL, ERT ia ka njohur deri tani vetëm tre institucioneve shtetërore që janë: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca si dhe subjekteve të telefonisë : Telekomi, AMC e Vodafone.
ERT dhe mbaresat
e tjeraPas emrit të domeinit të preferuar, që në shumicën e rasteve përkon me një subjekt a individ, vijnë edhe prapashtesat, që edhe ato identifikohen me kategori të caktuara. Enti Rregullator i Telekomunikacionit ka në "pronësi" të gjitha domeinet e nivelit të Lartë, ku klasifikohen të gjitha ato që kanë prapashtesë .AL, që në vetvete identifikojnë edhe etnicitetin. Aktualisht ERT-ja miraton të gjitha ato kërkesa për domein që edhe klasifikohen si të lira me prapashtesën .AL. Tarifa për secilën prej tyre arrin deri në 75 euro, ku (.com.al) jepet për kompani, organizma tregtare, persona juridikë e fizikë, (.gov.al) jepet për Institucionet Shtetërore, (.edu.al) vetëm për Institucionet Arsimore e Kërkimore Shkencore dhe (.org.al) kryesisht për Organizatat joqeveritare. Pothuajse për të gjitha këto domeine, procedurat e miratimit dhe hapjes së tyre bëhet direkt nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit, në pritje të marrjes në zotërim të prapashtesës identifikuese. AL. Sipas shefit të degës së IT edhe pas marrjes në pronësi të serverit që siguron mbaresën tonë identifikuese dhënia e domeineve nuk do të jetë pa kursim. Përzgjedhja do të jetë e kujdesshme deri në një afat të shkurtër dhe më pas pritet një liberalizim që mund të kënaqë këdo që kërkon të ketë një faqe webi
www.MYNAME.al.
Si të kem një faqe interneti?Në këtë botë të çmendur virtuale kujto mund t'i lindë dëshira për të pasur një faqe në web qoftë edhe personale. Me shumë pak lekë (15-50 USD) mund të kesh një domein, me cilin emër të duash. Por, pasi ke kaluar hallkën e parë, atë të blerjes së domenit në Entin Rregullator të Telekomunikacionit, (kur domeini përfundon me prapashtesat .al) stacioni i parë, mbetet hostimi i faqes në një server. Aktualisht kompanitë shqiptare të Internet Servise Provider të sigurojnë hapësirën e nevojshme ku mund të hedhësh spirancën për 50-60 euro në vit, pa përfshirë këtu të tjera oferta të kompanive të huaja, të cilave mjafton t'u lësh pak hapësirë reklame në faqen tënde për të siguruar falas "parkingun" e nevojshëm. Afërdita Elbasani, specialiste e IT pranë ERT-së sqaron se për të gjitha domeinet me prapashtesa .com.al ose org.al, 1 javë pas miratimit të kërkesës dhe miratimit të saj, mund të nisin procedurat për hostimin dhe krijimin e një faqeje. Ndërkohë që për të gjitha ato faqe webi të cilat nuk e kanë të nevojshme të kenë prapashtesën .com.al, (nëse janë vetëm .com) blerja e emrit të domeinit mund të bëhet bëhet në çdo kompani ISP-je, kundrejt tarifës prej 15 euro dhe 60 euro të tjera për ankorimin e bazës së të dhënave në një server të caktuar. Në shumicën e rasteve kompanitë që merren me hostimin apo vendosjen e tyre në një server të caktuar, merren gjithashtu edhe me mirëmbajtjen e tyre, ç'ka edhe siguron aty mbrojtje përballë sulmeve që mund të bëhen nga pirateria e webit.
Shqiptarët që e kthyen
webin në biznes Në fillim ishte vetëm një djalosh i çmendur pas internetit, kodeve të fshehta dhe misterit për t'i zbuluar ato. Më pas ndryshoi gjithçka, kuptoi që webi mund të bëjë të pasur dhe mblodhi rreth vetes miqtë tij më të zotë në fushën e programimit dhe dizajnit. Tani, ata janë vetëm një grusht të rinjsh, disa të diplomuar për informatikë, të tjerë janë ende duke studiuar, që po i japin jetë dhjetëra faqeve të webit. Të ankoruar në katin e tetë të një apartamenti tek Zogu i Zi, e kanë kuptuar se të ndërtosh faqe webi, është një biznes fitimprurës. Armand Brahaj, djaloshi që mban përsipër një sipërmarrje të tërë, vite më parë, as që e kishte menduar se pas faqes së tij të zemrës.
www.shqipëria.com, do të kishte edhe një kompani që do të merrej me hostimin, krijimin apo mirëmbajtjen e faqeve të webit. Tani, teksa ai po nxiton të kryejë një master jashtë vendit, i vëllai, Arbri, me po të njëjtin zell është duke mbajtur punët në vijë. Aktualisht ShqipëriaHost, konsiderohet lider në hostimin e siteve shqiptare, duke i ofruar shërbim rreth 300 websiteve shqiptare në internet si dhe duke u mundësuar atyre praninë në rrjetin gjigant të internetit. Që nga momenti kur Armandi bleu për herë të parë
www.shqipëria.com, shumë ujëra kanë rrjedhur dhe të tjera plane janë hartuar në mendjen e tij. Nga një person që merrej me mirëmbajtjen e faqes, sot gjithçka është kthyer në një biznes: kryhen regjistrim domaini, hostim emaili, websitesh dhe struktura tregtie online (e-commerce), për të kulmuar në ngritjen e një celule të rinjsh që merren me programimin në gjithfarë gjuhësh të dhjetëra faqeve të webit, shumë prej të cilave klasifikohen si më të mirat në tregun virtual.
Kur dizenjohej një faqe?Një faqe që të jetë ndjellëse, padyshim që duhet të ketë edhe ngjyra dhe aplikacione që e bëjnë atë pa dyshim tërheqëse. Eduart Hoxha, është një prej atyre djemve që ngjyros faqet e webit. U bën atyre një make up sipas dëshirave të klientëve, por edhe duke respektuar harmoninë e ngjyrave, bashkëjetesën mes aplikacioneve që përdor dhe karakterit që ka një faqe webi. "Çmimi për dizenjimin e një faqe webi nisin nga 500 euro për faqe shumë të thjeshta, duke arritur deri në 3 mijë euro për ato që kanë shumë aplikacione dhe janë me databazë"-tregon ai. Por nuk është fort e lehtë të jesh një dizajner i mirë edhe atëherë kur ndihesh nga brenda artist, pasi në këtë treg, në shumicën e rasteve, edhe dizajnerat më të mirë, respektojnë atë ç'ka klienti ka në mendje, pavarësisht çmendurive apo gjenive.
Olsi Kolami