Mendimi shkencor gjatë shekujve - Teknologji Moderne

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Mendimi shkencor gjatë shekujve

    Mendimi shkencor gjatë shekujve

    · 19 · 11386

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    ne: 23-04-2005, 13:56:21
    MENDIMI SHKENCOR GJATE SHEKUJVE  

    Mendimi shkencor, pa dyshim,çdoherë ka inicuar progres, të cilin njerëzimi e ka realizuar në epoka të ndryshme të historisë së tij. Njeriu, duke shfrytëzuar metodat eksperimentale, qysh në fillim të historisë së tij, ka arritur të gjejë rrugën, me të cilën ka arritur deri te e vërteta shkencore, e cila përfshin shkencat natyrore themelore: kimi, fizikë, matematikë, astronomi, gjeologji, biologji si dhe aplikimin e shkencës në mjekësi, bujqësi, teknikë, farmaci, veterinari etj. Shumë historianë, të cilët miren me historinë e shkencës dhe kulturës, tregojnë vetëm për dy periudha:Periudha Greke dhe Periudha e Renesansës Evropiane duke mos përfillur plotësisht rrjedhat kulturore të popujve lindorë, të cilat i kanë paraprirë Periudhës Greke të zhvillimit të mendimit shkencor (Kinez, Sumer, Asir, Babilon, Fenikas si dhe kultura dhe civilizimi i egjiptasve të vjetër). Kështu shumica prej tyre Periudhën e Aleksandrisë ia bashkangjesin asaj Greke. Aleksandria ka qenë prijëse për disa shekuj me radhë në mendimin shkencor. Është e vërtetë se ajo ka qenë vazhdim i Periudhës Greke, por në tokën egjiptase me qendër në Aleksandri, me universitet të vjetër, me bibliotekë të pasur dhe muze të mëdha. Gjëja e tretë, të cilën dëshirojmë të theksojmë dhe e cila i përket historisë së shkencës dhe mendimit shkencor është mospërfillja e rolit të shkencëtarve arabë, të cilët në Periudhën Islame kanë përkthyer në gjuhën arabe,kanë përparuar, pasuruar dhe zgjeruar shumë shkenca dhe të mbërrimet kulturore të popujve perëndimorë dhe të popujve të tjerë. Veprat e shkencëtarëve arabë kanë qenë literaturë themelore në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Shumë historianë, të cilët shikojnë gjërat objektivisht dhe i japin mirënjohje shkencëtarëve arabë dhe pohojnë se pa ta shkencëtarët e Renesansës Evropiane do të ishin të detyruar të fillojnë prej nga kanë filluar këta, e me këtë edhe karvani i zgjimit kulturor do të vonohej disa shekuj. Në këtë pjesë do të tentojmë të tregojmë epokat e ndryshme shkencore, para se të tregojmë se çka kanë kontribuar shkencëtarët arabë në fushën e shkencave natyrore.  


     
    « Editimi i fundit: 30-04-2005, 14:09:53 nga Hylli »

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #1 ne: 23-04-2005, 13:57:08
    1. PERIUDHA MË E VJETËR  

    Disa historianë konsiderojnë se njohuritë shkencore kanë filluar qysh nga epoka e gurit, kur njeriu para 400.000 vjetësh ka bërë armë dhe vegla prej guri me formë të caktuar, që është një dëshmi se të menduarit mbi formën dhe përdorimin i ka paraprirë formimit të tyre. Pa dyshim se njeriu i parë në tentimet e tij ka dështuar, bile shumë herë. Ato janë forma primitive të provave e të eksperimenteve, në të cilat ai ka gabuar dhe i ka përmirësuar gabimet e veta deri,sa më në fund,ka gjetur rrugën për zgjidhjen e problemeve të veta të përditshme, e me te edhe rrugën kah shkenca dhe e vërteta shkencore. Kështu, njeriu para më tepër se 30.000 vjetësh ka ditur për vizatim, ndërsa para 15.000 vjetësh ka filluar të merret me bujqësi dhe në këtë mënyrë prej vjeljes së frutave të gatshme ka kaluar në prodhues, dhe ka prodhuar më tepër se sa ka qenë e nevojshme për jetë. Me kalimin e kohës ka mësuar kohën më të mirë për mbjellje dhe korrje. Këtë e ka lidhur me orët e punës dhe të pushimit, ditën dhe natën, lëvizjen e diellit,të hënës dhe të trupave të tjerë qiellorë. Me zhvillimin më të shpejtë të kulturës dhe të civilizimit njerëzor vjen deri te shfaqja e jetës në bashkësi dhe atëherë, njeriu prej kohës së gurit kalon në kohën e metalit (bronzës, hekurit). Me zhvillimin më të shpejtë të kulturës dhe afarizmit të ndërlikuar ka ardhur deri te zhvillimi i tregëtisë,te përdorimi i numrave dhe në përdorimin e letrës së "gozhduar". Në bazë të këtyre u formuan civilizime dhe kultura të larta buzë lumenjve dhe në luginën e Nilit në Egjipt, në meslumenjve (Mesopotami) te asirët,te babilonasit,te sumerët dhe pas meslumenjve te indusët (Indi) dhe te kinezët. Në këto vende ka shkëlqyer shkenca dhe mjeshtria: astronomia, matematika, minerologjia, teknika, mjekësia, balsamimi etj. Mendimi shkencor,në këtë periudhë më të vjetër,i ka dhuruar njerëzimit shumë forma komoditeti dhe luksi, të cilët kanë qenë të panjohura për njerëzimin në fillim të historisë së saj. Atëherë njeriu, u vendos në banesa, ndërtoi tempuj (falëtore) dhe varreza, u mor me mjekësi, prodhoi letrën, qelqin, ngjyrën dhe tesha, përgatiste aroma dhe barëra dhe në fund shpiku shkrimin dhe me te, ka shënuar diturinë e vet në papirus dhe në mure të tempujve me hieroglife te egjiptasit e vjetër, ndërsa te asirët dhe babilonët në pllakën e argjilit me letër të "gozhduar".  

    Vijon----------

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #2 ne: 26-04-2005, 06:44:06
    2. PERIUDHA GREKE  

    Të arriturat shkencore të popujve lindorë kanë kaluar te grekët dhe, nga shekulli i VII p.e.r., shkëlqen kultura dhe shkenca greke. Shumë shkencëtarë grekë filluan të merren me shkencë dhe filozofi, duke dhënë supozime dhe teori të ndryshme. Më të shkëlqyeshmit në mesin e tyre ishin: Talesi i Miletit (rreth 640-546 p.e.r. njëri prej "shtatë dijetarëve" të cilin Aristoteli e emërton si themelues të filozofisë natyrore,të fizikës dhe themelues të shkollës filozofike të Miletit. Ai ka mësuar se uji është arhe dmth. burim i çdo gjëje ekzistuese; Anaksimandri i Miletit (rreth 610-546 p.e.r. filozof grek, nxënës i Talesit,I cili për burim dhe strehim të çdo gjëje e ka marrë apeiron-in dmth. ajo që është e pacaktuar,e padefinuar,e pafund); Anaksimeni i Miletit, (585-528 p.e.r. filozof grek, nxënës i shkollës së Miletit, ka mësuar se ajri është arhe, dmth. burim i çdo gjëje që ekziston); Hipokrati (460-377 p.e.r.) mjek grek, njëkohësisht mjeku më i madh i kohës antike, në kohën e Perikleut ka udhëhequr shkollën në ujëdhesën Kos, me veprimtarinë e vet ka përfshirë më së miri diturinë mjekësore të kohës së vet dhe ka qenë inicues i shërimit klinik. Teoria e tij bazohet në ndryshimin e lëngjeve trupore. Njëra ndër teoritë kryesore të tij është shërimi i vet fuqisë së natyrës. Etika e tij është themel i betimit me të cilin e betohen mjekët, (Betimi i Hipokratit); Pitagora nga Somosa (shek. VI p.e.r.) filozof grek dhe matematicient, themelues i shkollës, i cili ka mësuar se numri është thelbi dhe principi i çdo gjëje që ekziston dhe se bota është sistem harmonik i numrave dhe marrëdhënieve të tyre. Teorema e Pitagorës, tabela e shumëzimit dhe sistemi dekad është nxitur nga kjo shkollë, Demokriti (460-370 p.e.r.) filozof grek, ka ndërtuar sistemin atomistik të filozofisë së natyrës,se ekziston vetëm atomi dhe hapësira e zbrazët,se shpirti është ndërtuar prej "atomeve më të zgjedhura (elegant, delikat) të zjarrit",se pamja është pasqyrim mekanik i kushtëzuar me figura, të cilën kjo e kushtëzon, i përshkruhen fragmente mbi jetën korekte, i cili përmban elemente të etikës eudajmonistike, drejtimi filozofik, i cili gëzimin dhe lumturinë e konsideron motiv kryesor, shkakun dhe qëllimin e të gjitha aspiratave tona; Sokrati (470-399 p.e.r.) filozof grek, mësimi i tij shënon preorientimin e filozofisë nga kosmologjike-ontologjike kah antropologjike-etike të pyetjeve, filozofinë e tij e karakterizon metoda e posaçme: pas konfirmimit të kundërthënieve dhe të panevojshmërisë me kuptime dhe bindje të zakonshme konstatohet mungesa e diturisë dhe pas provave sistematike dhe me ndihmën e analizave të shumta, shembujve (indukcioni) bashkëbiseduesi të bindet vetë dhe të vijë deri te e vërteta, kuptimi në formë të definicionit të shprehjes së diturisë, e cila sipas paragjykimit në formë të paqartë dhe në ndërdije ka ekzistuar më parë; Platoni (427-347 p.e.r.) filozof grek, nxënës i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Filozofija e tij bazohet në teorinë e formës, sipas së cilës ndryshimet individuale të gjërave të botës së ndjenjave janë imitim i papërsosur i formave transcedente dhe formave të përgjithshme të pandryshuara (ideja) e kuptueshme vetëm e kontenplacionit të shpirtit. Njohja është kuptim i pavdekshmërisë së shpirtit në botën e formës, Aristoteli (384-322 p.e.r.) filozof grek, mësues i Aleksandrit të Madhë të Maqedonisë, themelues i shkollës peripatetike (Likej). Së bashku me Platonin është filozofi më eminent i shekullit të vjetër. Ka mësuar se ontike është primare, ajo është individuale (supstanca), që është bashkimi i materies dhe formës, me ç'rast forma është çdoherë prezente në materie si mundësi dhe tendencë e saj. Materia dhe forma janë ketëgori relative, me ç'rast bota është sistëm i hierarkisë dhe teologjisë, në maje të së cilës është një formë e vetme e pastër, iniciator i pëlëvizshëm i çdo gjëje që lëviz - Zoti. Logjikën e ka themeluar në mësimin e tri principeve të mendimit të shëndosh; principi i identitetit,i kundërthënies dhe eliminimi i të tretës. Në etikë ka përfaqësuar audajmonizmin racional dhe në te ka themeluar doktrinën mbi virtytin (vlerën) intelektual dhe virtytet e karakterit. Kjo e dyta është përmbajtja racionale e arsyeshmërisë në mes të dy ekstremeve. Emrat e këtyre filozofëve edhe sot e kësaj ditë dëgjohen dhe përmenden. Mendimi shkencor në këtë periudhë greke i ka dhuruar njerëzimit më shumë se cila do periudhë tjetër para kësaj si në lëminë e filozofisë dhe të shkencës,ashtu edhe në teori dhe ligje, të cilat njerëzimi më parë nuk i ka njohur. Kështu njerëzimi u njohtua me ligjet e kimisë,me teorinë e elementeve, dhe të numrave,me teorinë atomistike të Demokrtitit,me teorinë e Hipokratit në mjekësi,me teorin e Pitagorës në matematikë, me teorin e Platonit në gjeometri,anatomi, biologji dhe minerologji, duke marrë nga mësuesi i parë, Aristoteli, më shumë se prej cilitdo tjetër. Shkenca greke zotëronte dhe Athina mburrej me Akademinë e Platonit dhe me Liken e Aristotelit. Kultura dhe shkenca greke dominonte edhe në vendet fqinje, të cilët dikur kanë pasur kulturë të zhvilluar, por që s"ka qenë e fortë e të durojë mendimin shkencor të vrullshëm grek. Kjo është shkas për shumë historianë që periudhën greke ta marin si fillim të vërtetë të mendimit shkencor, edhe pse është e qartë se kultura dhe shkenca greke nuk ka mundur papritmas të paraqitet në këtë nivel, duke mos shfrytëzuar kulturat, të cilat kanë paraprirë. Historikisht janë vërtetuar kontaktet dhe lidhjet e shkencëtarëve grek me shkencëtarët egjiptasë në brigjet e Nilit dhe me babilonasit në Mesopotami. Nuk ka dyshim se mendimi shkencor në periudhën greke ka bërë kërcim të madhë dhe i ka dhuruar njerëzimit komoditët shpirtëror dhe kulturë materiale. Kjo periudhë e artë e civilizimit dhe kulturës greke, fatëkeqësisht ndërpritet me vdekjen e Aleksandrit të Maqedonisë, mbret i Maqedonisë dhe djali i Filipit II dhe Olipisë, njëri prej udhëheqësve më të mëdhenj botëror, nxënës i Aristotelit. Me ndihmën e tij ka ardhur deri te paraqitja dhe zgjerimi i kulturës helene në Lindje, e cila ka qenë përzierje e kulturës greke dhe asaj të Lindjes së Afërt. Pasi që Aleksandrin nuk ka pasur kush ta trashëgojë, udhëheqësit e tij (dijadosët) filluan luftën mes vete për pushtet. Në këtë luftë pësuan shumë shkencëtarë,ndërsa shumica kanë qenë të detyruar që ta lëshojnë Greqinë.

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #3 ne: 27-04-2005, 16:46:44
    3. PERIUDHA E ALEKSANDRISE  

    Një numër i madh shkencëtarësh grekë emigruan pas Ptolomeut në Aleksandri të Egjiptit. Ptolomeu ishte adhurues i shkencës dhe mbrojtjes i shkencëtarëve. Për këtë arsye nuk është për t'u çuditur që një numër i madh i shkencëtarëve e lëshoi Athinën dhe shkoi në Aleksandri ku e themeluan Universitetin e Aleksandrisë qysh në shek. III p.e.r.dhe kështu krijuan kulturën dhe civilizimin e lartë. Në këtë mënyrë ata e bartën qendrën e krijimit të shkencës dhe të kulturës prej Athinës në Aleksandri. Universitetin e themeloi Ptolomeu,kurse Stratoni plot 20 vjet e udhëhoqi Universitetin dhe në fund përsëri kthehet në Athinë dhe vazhdon punën në Like edhe 8 vjet Universiteti i Aleksandrisë nuk ka pasur vetëm institutin, por ka pasur edhe bibliotekën me mijra vëllime si dhe muzeun me laboratorium, kopshtin zoologjik dhe kopshtin botanik. Kështu Aleksandria bëhet prijatare e rilindjes kulturore dhe ishte dritë e shkencës për disa shekuj me radhë. Mendimi shkencor në këtë kohë ua dhuroi njerëzimit, kulturën, të cilën më parë nuk e ka pasur. Kjo u bë me ndihmën e disa shkencëtarëve si: Ptolomeu, Arhimedi, Galeni, Dioskoridi, Oribasios, Berklis, Theon dhe vajza e tij Hypatija. Këta kanë lënë shumë vepra shkencore. Mjafton të theksojë vetëm Ptolomejun (Claudius Ptolomej, astronom grek, matematicient dhe gjeograf, përfaqësues i shkollës së Aleksandrisë, krijues i sistemit botëror,të bazuar në teorinë gjeocentrike - Toka paraqet pikën e caktuar të palëvizshme,pra është qendra e sistemit diellor, planeteve, yjeve dhe të kometave, të cilët sillen rreth saj. Ky sistem vlente deri te koha e Kopernikut, i cili vërtetoi rrotullimin e dyfishtë të planetëve: rreth aksit të vet dhe rreth Diellit vepra e tij "'Almagest'' në astronomi, e dyta në gjeografi, e treta në optikë).Ta përkujtojmë Euklidin dhe veprën e tij të shquar "'Elementet e gjeometrisë'', Galeni dhe vepra e tij në mjekësi, Dioskoridi dhe vepra e tij në botanikë, Theonea dhe vepra e tij në matematikë, Oribasiosa dhe vepra e tij në mjekësi dhe shumë të tjera. Këto vepra ishin literaturë kryesore, e cila është përkthyer, studiuar dhe analizuar gjatë shekujve mesjetar. Universiteti i Aleksandrisë ishte qendër e krijimtarisë aktive intenzive shkencore. Shencëtarët në këtë Universitet i kanë plotësuar dhe përparuar shumë njohuri shkencore. Për fat të keq, biblioteka e Aleksandrisë është djegur shumë herë. Bibliotekën e ka djegur Julia Cezari gjatë ikjes, ose atë e ka djegur masa e popullit, e cila ka detyruar për të ikur, ndërsa Mark Antonio,ia dhuroi Kleopatrës 200.000 vëllime nga biblioteka e Azisë së Vogël që ta kompenzoj këtë humbje të madhe. Biblioteka e Aleksandrisë edhe pas kësaj pësoi disa djegie dhe, në fund,njëra prej tyre e shkatërroi plotësisht. Për shkak të konfrontimit në mes të krishterëve dhe idhujtarëve, shkencëtarët për herë të dytë ishin të detyruar të emigrojnë. Rruga ata i çonte tash kah Lindja ku një kohë ndejtën në Edesë, pastaj vazhduan kah drita, e cila shkëlqente nga Lindja Arabe, kah Bagdadi, kryeqyteti i Abasitëve. Njerëzimi ka shkuar pas mendimit shkencor, sepse ajo i ofronte rehati dhe kulturë.  

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #4 ne: 30-04-2005, 13:37:35
    4. PERIUDHA ISLAME  

    Islami i ka dhënë nxitim të madh shkencës. Mugjizja më e madhe e Islamit është Kur'ani, ndërsa ajeti i parë është Ikre (lexo, mëso, studio). Në shumë ajete të Kur'anit islami kërkon që të mendohet për mbretërinë e qiellit dhe Tokës,për kozmosin dhe për qeniet e gjalla në të, si dhe prej çka janë krijuar? Ajetet e Kur'anit bëjnë qartë dallimin në mes të atyre që dinë dhe të atyre që nuk dinë,atyre që i kanë kontribuar shkencës dhe që nuk i kanë kontribuar. I dërguari i Zotit xh.xh. Muhammedi a.s. i ka dhënë përparësi mbledhjes shkencore, ndaj mbledhjes për shkak të dhikrit. Ai ka ndarë njerëzit në tri kategori: alimët, nxënësit dhe njerëz të tjerë të zakonshëm. Ai i ka dhënë detyrë çdo myslimani që ta kërkojë shkencën ose dijen prej djepit deri në varr, të kërkoj shkencën edhe në Kinën e largët. Ai ka bërë krahasimin në mes të ngjyrës së lapsit të shkencëtarit dhe gjakut të shehidit, duke i dhënë përparësi çdo herë të parit. Ai ka thënë se një hap në rrugën e shkencës është më mirë se njëqind marshime ushtarake. Ka shumë ajete dhe hadithe, (është e pamundur të numërohen tëgjita) që stimulojnë fort kërkimin e shkencës. Për këtë arsye kur janë rregulluar marrëdhëniet brenda Shtetit Islam, i cili territorialisht shtrihej prej Kinës në lindje e deri në Francë në perëndim, shkencëtarët islamë menjëherë filluan veprimtarinë përkthyese në të gjithë lëmenjtë e shkencës. Ata kanë përkthyer vepra nga kultura e grekëve, romakëve, nga kultura e Persisë, Indisë, Kopte, Arameje dhe nga gjuha hinduse. Kanë përkthyer me mijëra libra dhe kanë themeluar shumë biblioteka. Kalifët dhe Emirët, me bujari, i kanë ndihmuar shkencëtarët në veprimtarinë e tyre. Kalifi Harun ar-Reshid ka marrë haraqin në libra, ndërsa kalifi Al-Me'mun peshën e veprës së përkthyer e ka paguar me ari. Para se u themeluan shkollat, oborri i kalifit, shtëpia e shkencëtarit, bibliotekat, xhamitë dhe mesxhidet kanë luajtur rolin e universitetit, të cilat i vizitonin studentët nga të gjitha vendet e botës. çdo kush që kërkonte shkencën në atë kohë, gjente vendin ku përfitohet dituria,gjente mësuesin para të cilit ka mësuar dhe mjetet materiale me të cilat ka qenë e siguruar ekzistenca e tij gjatë shkollimit. Kështu xhamitë: Al-Mensur në Bagdad, Al-Emevi në Damask, Al-Azhar në Kajro, Al-Kajrevan në Tunis, Al-Karavijin në Marok, Kutuba në Endeluzi (Andaluzi-Spanjë), xhamia e madhe në San, Bejt al-Hikmet në Bagdad, Dar al-Ilm në Mosulu, biblioteka Ibn Sevar në Basra, Ibn ash-Shatir në Siri dhe Dar al-Hikmet në Kajro kanë qenë vatër të shkencës dhe të mendimit shkencor, institute në nivel më të lartë, të cilët kanë punuar në kuadër të kalifëve dhe mbretërive të disa oborreve mbretërore si këto: Al-Me'mun, Nizam al-Mulk, Nureddin Zenki, Al-Hakim bi Emirill-llahi, Sallahuddin Ejub dhe shumë të tjerë, të cilët zënë vend më të lartë kur është fjala për shkencë, për veprimtari shkencore dhe për përkrahjen, të cilën njerëzit eminentë ia kanë dhënë. Në këtë rreth të shëndoshë shkencor, në një atmosferë të mendimit të lirë dhe të kërkimit shkencor, lindi një numër i madh shkencëtarësh, të cilët mund të numërohen në kapacitetet më të mëdha të të gjitha kohërave. Gjuha arabe ishte gjuhë e shkencës, me të janë shkruar shumë vepra, të cilat janë lexuar në të gjitha vendet e Shtetit Islam. Aktiviteti i përkthimit shkëlqente, përjetoi lulëzim të madh dhe pastaj erdhi periudha e krijimit origjinal në lëmenjtë e ndryshëm shkencorë. Janë përkthyer shumë vepra shkencore, ndërsa me kohë u krijuan edhe vepra origjinale. Mendimin shkencor e kanë pasuruar me teori të reja,mirpo shikimet dhe mendimet e tyre, fatkeqësisht, i janë atribuar të tjerëve. Ata kanë folur për evolucionin,për krijimin dhe zhvillimin e jetës si dhe ndikimin e mjedisit në qeniet e gjalla. Rreth këtyre disa shekuj para Lamarkut dhe Darvinit, kanë shkruar Ibn Miskavej, Ihvan as-Safa dhe Ibn Haldun. Kanë caktuar ligjin e përgjithshëm të gravitetit dhe kanë precizuar kuptimet themelore të mekanikës: shpejtësinë, peshën dhe hapësirën edhe pse këto më vonë i janë përshkruar Njutnit. Është vërtetuar se për këto kanë shkurar Al-Hazin e shumë të tjerë me qindra vjet para Njutnit. Ibn al-Nefis disa shekuj para Herfit ka sqaruar qarkullimin e vogël të gjakut, ndërsa Ibn al-Hejsem natyrën e dritës, shpejtësinë dhe ligjin e thyrjes së saj shumë më herët se shkencëtarët evropianë. Përveç këtyre, shkencëtarët arabo-islam kanë matur gjatësinë e meridianit të Tokës, kanë regjistuar barasditën pranverore dhe vjeshtore, kanë caktuar dimensionet e planeteve dhe largësinë ndërmjet tyre para Galileit, Keplerit dhe Kopernikut. Dukshëm e kanë përparuar edhe astronominë. Njohjet astronomike kanë plotësuar dhe kanë zgjeruar Al-Bettani, Al-Fergani, Al-Kindi, Al-Havarizmi, As-Sufi e shumë të tjerë. Al-Havarizmi ndër të parët ka përdorur numrat në matematikë, në vend të llogaritjes shkrimore (me shkrim). Ai ka caktuar dy seri të numrave: e para është njohur me emrin si numra indianë, e dyta është e njohur me emrin gabare, ose numra arabë. Seria e parë e numrave përdoret dendur në lindjen arabe, ndërsa e dyta përdoret në pjesën perëndimore arabe dhe në Evropë. Al-Havarizmi gjithashtu ka sistematizuar diturinë e shpërndarë deri atëherë nga matematika, duke ia vënë themelet e aritmetikës dhe të algjebrës. Shkencëtarët arabë gjithashtu kanë shkruar një numër të madh veprash nga biologjia, mineralogjia, astronomia, matematika, kimia, farmacia, trigonometria, gjeometria, mjekësia, muzika etj. Është e pamundur të ceken të gjitha meritat, që kanë dhënë për përparimin e shkencës dhe të mendimit shkencor si p.sh. Ibn al-Hejsem, Al-Bejruni, Al-Kindi, Al-Gafiku, Al-Bagdadi, Al-Kazvini, Ibn Miskavejh, Al-Gjahiz, Gjabir ibn Hajjan, Ibn an-Nefis, Ibn al-Bejtar, Davud al-Antaki, Al-Makidisi, Al-Bettani, Al-Fergani, Al-Idrisi, Ibn Magjid, Ad-Dejnuri, As-Sufi, Ibn Hamza, Ibn Junus, Ar-Razi, Al-Gjeldeki, Al-Havarizmi, Musa Ibn Shakir etj. Veprat e këtyre shkencëtarëve kanë qenë literaturë themelore në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Shumë historianë perëndimorë i japin mirënjohje shkencëtarëve islam për meritat që kanë për kulturën e njerëzimit. "Ne evropianët" thotë Cagori "mendojmë se kemi dhënë dhe kemi vërtetuar shumë teori, shikime dhe mendime, por në fund prapë konstatohet se arabët në to na kanë kaluar (lënë mbrapa). Popujt arabo-islame kanë bartur flamurin e rilindjes kulturore disa shekuj me radhë, në kohën kur Evropa ka qenë në detin e errësirës. Mendimi shkencor në periudhën islame i dhuroi njerëzimit shumë forma të rehatisë, kulturës, mirëqenies, duke ua dhurar mësuesin Al-Farabi dhe Ibn Sina". Sikur të kishte vazhduar zgjerimin e saj ky zgjim i përgjithshëm shkencor, renesansa evropiane me të cilën Evropa sot mburret, do të ishte vepër e popujve islam. Por Bagdadi ra para sulmit të mongolëve dhe tatarëve, më vonë të Turqisë dhe kolonizmit të Evropës perëndimore ... dhe Evropa u zgjua.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #5 ne: 30-04-2005, 13:39:06
    5. PERIUDHA E RENESANSËS EVROPIANE  

    Në kohën kur civilizimi dhe kultura arabe, në periudhën islame, filloi të dobësohet dhe të zhduket, Evropën e kaploi vala e re e zgjimit kulturor. Evropianët kanë pranuar të arriturat arabe në fushën e shkencës dhe të kulturës. Shekulli XIII është periudha e përkthimit nga gjuha arabe në atë latine dhe njëkosisht zënja fillë e universiteteve të Paristi, Oksfordit, Kembrixhit, univeristeteve në Itali dhe në vendet tjera evropiane. Një numër i madh i shkencëtarëve dhe profesorëve universitarë kanë ndikuar fuqishëm në zgjimin e mendimit shkencor evropian. Në mesin e tyre vend të posaçëm zënë Robert Grost, Albert Megnus, Roxher Bekon etj, gjatë shekullit XIV dhe XV. Pasojnë edhe zbulimet e mëdha gjeografike kështu që Vasko de Gama lundron rreth Afrikës dhe arrin deri te arkipelagu i Malezisë. Kapiteni i anijes në këtë rrugë ishte Ibn Mexhid. Kristofor Kolombo duke kërkuar rrugën për në Indi arriti në Amerikë. Zbulimi i shtypit kah gjysma e shek. XV paraqet kthësë në zgjimin kulturor të Evropës. Atëherë bëhet ringjallja e kulturës dhe e civilizimit grek dhe arabo-islam. Shumë vepra greke dhe arabo-islame në lëmenjtë e ndryshëm shkencorë janë publikuar dhe kështu janë përhapur. Emrat më të shkëlqyeshëm të renesansës evropiane janë: Frensis Bekon, Rene Dekart, Isak Njutn, Johan Kepler, Nikolla Kopernik, Galileo Galileu, Gjordano Bruno, Antoan Lavuazije, Lui Paster, Robert Koh, çarlls Robert Darvin, Zhan Batist de Mone Lamark, Zhorzh Kivje, Xhon Dalton etj., të cilët kanë ndikuar fort në zhvillimin e shkencës dhe të mendimit shkencor në periudhën e zgjimit të Evropës. Me zbulimin e mikroskopit bëhet revolucion edhe në shkencat biologjike (Anton von Levenhuk). Me themelimin e universiteteve dhe institucioneve të tjera shkencore, hapen horizonte të reja të njohjes. U bë ndarja e shkencave natyrore, ndaj ishte i pamundur arsimimi i gjithanshëm i njeriut sikur më parë. Në vend të arsimimit encikolopedik u kalua në specializime në disa lëmenj të shkencave. Të gjitha këto nxitën zbulime të rëndësishme, të cilat së shpejti njeriun e shpiejnë në kohën atomike dhe raketore.  

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #6 ne: 02-05-2005, 12:34:50
    6. PERIUDHA E RE

    Nuk është aspak lehtë të caktohet kufiri ndërmjet periudhës së renesansës evropiane dhe kohës së re. Shumica mendojnë se koha e re në të vërtetë është vazhdim i periudhës së renesansës. Mendimi shkencor, me shpejtësi të madhe, ka shtyrë njeriun përpara. Ai duke vënë në shërbim fuqinë e avullit të ujit, shumë shpejt sundoi mbi elektricitetin, ndërsa me thyerjen (zbërthimin) e atomit, njeriu kërceu në kohën atomike dhe raketore dhe, më në fund, me anije kozmike filloi pushtimin e gjithësisë. Përparimi i teknikës i kontriboi edhe përparimit të ekonomisë, radioteknikës dhe televizionit. Ne sot, me përpikëri, flasim për strukturën e atomit, për viruset dhe për bakreriet, duke u mbështetur në mikroskopin elektronik, i cili zmadhon me qindra mijëra herë, lansojmë raketa disa fazëshe, ndaj kësaj apo asaj planete me shpejtësi mbi 70.000 km/h, ndërsa udhëtimi për në Hënë me përdorimin e lëndës djegëse atomike do të zgjasë disa orë.  

    Me zbulimin e spektoroskopit njeriu i kuptoi elemetet e planeteve dhe të trupave të tjerë qiellorë. Me qzbulimin e penicilinit, sulfapreparateve dhe të antibiotikëve të tjerë janë arritur suksese të mëdha në mjekësi, në shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Të dy luftërat botërore në masë të madhe kanë ndikuar si në zhvillimin e mendimit shkencor, po ashtu edhe në orientimin e kërkimveve shkencore. Përparim i madh është arritur në industrinë ushqimore dhe në lëminë e sintezës së materialeve organike. Me zbatimin e këtyre rezultateve u bë i mundshëm prodhimi i materialeve të ndryshme sintetike: kauçukut, benzinës, fijeve artificiale dhe mjete të ndryshme, të cilat përdoren për pastrimin kimik.  

    Në Luftën e Dytë Botërore të dy blloqet punonin ngutshëm në zbulimin e fshehtësisë së energjisë atomike. Aleatët, të parët ia arritën qëllimit, ndaj njerëzimi për herë të parë u bind në fuqinë shkatërruese të energjisë nukleare me anë të bombës atomike, e cila u gjuajt në Hiroshimë dhe Nagasaki. Prej asaj dite e këndej dëgjojmë për reaktorët nuklearë, të cilët prodhojnë elemente radioaktive: arin, jodin, fosforin dhe stronciumin, të cilët përdoren për shërimin e shumë sëmundjeve. Gjithashtu dëgjojmë për centralet elektrike, të cilët i vënë në lëvizje energjia atomike, dhe për stacionet në të cilat me destilimin e ujit të detit përfitohet uji i ëmbël. Në këtë mënyrë do të zgjidhet problemi i ushqimit të njerëzimit, që, dita- ditës, është në rritje e sipër. Përveç kësaj në kohën e re shkencëtarët kanë arritur që, me rrugën kimike, të përfitojnë ngjyrat sintetike, fijet sintetike, kauçukun sintetik dhe kështu të rrisin sipërfaqen mbjellëse me grurë në të cilat më parë janë kultivuar bimët industriale prej të cilave janë përfituar kauçuku natyral, ngjyra dhe fije të ndryshme natyrale. Përparim i madh është arritur në kohën e re si në bujqësi me zbatimin e mjeteve agroteknike, po ashtu edhe në industri dhe në komunikacionin tokësor, detar dhe ajror. çdo ditë dëgjojmë për zbulimet në lëmenj të ndryshem shkencorë, kështu që edhe ata që janë specializuar në degët e caktuara, është e pamundur ta përcjellin zhvillimin e shpejtë të mendimit shkencor. Njeriu për një kohë shumë të shkurtër, që nuk është më tepër se 1% në krahasim me jetën e tij në Tokë, me ndihmën e mendimit shkencor kërceu nga koha e gurit në atë të metalit, në kohën e avullit, kohën e elektricitetit, kohën e atomit, e ku dihet se deri në cilët kufij do të arrijë në një të ardhme të afërt.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #7 ne: 07-05-2005, 14:30:47
    KONTRIBUTI I ARABËVE NË FUSHËN E SHKENCAVE NATYRORE  

    Në hyrje të këtij ekspozimi shkurtimisht sqaruam të arriturat shkencore të muslimanëve dhe kontributin e tyre në zhvillimin e mendimit shkencor dhe në ndërtimin e kulturës dhe të civilizimit njerëzor. Thamë se arabët kanë pasur rolin ndërmjetësues ndërmjet shkencës greke dhe asaj të epokës së re dhe, krahas ruajtjes së kulturës greke, shumë dituri greke i kanë përparuar, zgjeruar dhe përsosur. Por me pushtimet dhe shkatërrimet mongole dhe tatare, më vonë edhe turke dhe me kolonizimin e Evropës perëndimore, e cila fatkeqësisht arriti ti shlyejë faqet më të ndritshme të së kaluarës arabe, vala e zgjimit kulturor në botën arabe u ndërpre. Në periudhën e krijimit shkencor dhe kulturor arabo-islam shkëlqyen disa emra, të cilët mund të numërohen ndër shkencëtarët më të njohur të mendimit shkencor të epokës së re. Veprat e tyre ishin tekste shkollore për studim më të lartë në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Në shkencat natyrore, posaçërisht në fushën e fizikës, matematikës dhe astronomisë, rezultate të rëndësishme kanë shënuar: Ar-Razi, Al-Kindi, Ibn al-Hejsem, Ibn an-Nefis, Ibn Sina, Al-Bejruni, Xhabir Ibn Hajjan, Al-Havarizmi, Al-Bettani, Al-Buzgjani, As-Sufi, Al-Kashi, Al-Antaki, Al-Bagdadi, Al-Hazin, Al-Kazvini, Al-Gafiki, Ibn Al-Bejtar, Al-Dumejri,- Al-Gjahidh, Az-Zehravi, Ibn Tufejl, Al-Farabi, Ibn al-Avvam, Ibn Junus, Ibn Hamza, Al-Gjeldeki, Al-Makdisi, Al-Idrisi etj. çdo njëri prej tyre ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe gëzonte autoritet në rrethanat shkencore të kohës së vet. Ishin fort të bindur që për zhvillimin e shkencave natyrore, përveç teorisë ishte i domosdoshëm edhe eksperimenti. Kur teoria dhe ekspreimenti bashkohen, atëherë është e mundur të arrihet deri te njohuria shkencore. Me këto mësime shkencëtarët arabo-islam me të vërtetë mund të konsiderohen paraardhës të Bekonit dhe të shkencëtarëve të tjerë evropianë, të cilët janë skolastik dhe logjikës formale i kundërvihen me metoda të kuptimit dhe të cilët nisen nga eksperimenti. Njohuria e parë sipas Xhabir Ibn Hajjanit mund të arrihet vetëm me ndihmën e eksperimentit. Ai nxënësit e vet i ka këshilluar se në shkencat natyrore duhet të bazohen vetëm në eksperimente dhe të vërejnë mirë shkaqet të kuptojnë udhëzimet, sepse çdo shkencë ka metodën e vet të hulumtimit. Me punën shkencore, sidomos me metodën me të cilën janë shërbyer në kërkimet shkencore, arabët në shkencat natyrore kanë arrritur rezultate shumë të rëndësishme. Kanë kuptuar se metoda racionale vetvetiu nuk mjafton dhe se dituria nuk mbështetet vetëm në arsye, por edhe në eksperiment. Vetëm në këtë mënyrë,thotë Drajeri,kanë arritur rezultate të larta dhe të rëndësishme në matematikë, astronomi, gjeometri, trigonometri, fizikë dhe në shkenca të tjera natyrore. Shkencëtarët arabë në këtë mënyrë kanë vendosur themelet e metodave të reja të metodologjisë së punës kërkimore shkencore. Ata kanë pasur aftësi të madhe vëzhguese. Janë shëbyer me eksperimente, matjet me instrumente të ndryshme i kanë konstruktuar vet. Al-Hazin ka konstruktuar aparatin për matjen e peshës së trupave në ujë dhe ajër, Al-Bejruni, aparatin për përfitimin e peshës specifike të shumë mineraleve,të lëngjeve dhe trupave, të cilat treten në ujë, ndërsa Ibn Junus lavjersin, të cilin astronomët arabë e kanë përdorur në eksperimentet e tyre.Ata kanë matur shtypjen atmosferike dhe kanë ditur se trupi është më i lehtë në ajër se sa në tokë. Kanë ditur përbërjen dhe ndërtimin e atmosferës, kanë ditur se troposfera është më e ulët dhe shtresa më e dendur e mbështjellësit të gaztë të Tokës, në krahasim me shtresat më të larta në të cilat gazet janë shumë të rralla. Në matematikë, posaçërisht në fushën e gjeometrisë dhe të progresionit aritmetik, matematicientët arabë kanë arritur rezultate shumë të mëdha, ndërsa përmes hulumtimeve të progresioneve fuqimisht kanë ndikuar në formimin e llogaritjes diferenciale dhe integrale si dhe të tabelave logaritmike. Al-Bejruni në mënyrë shumë precize ka caktuar peshën specifike të 18 metaleve deri te decimalja e katërt, e cila nuk ndryshon nga llogaritjet më të reja në kohën tonë në të cilën janë zbuluar instrumentet më të përsosura. Mënyra e tij e përfitmit të këtyre peshave u është e njohur shkencëtarëve perëndimorë. Ar-Razi ka përshkruar 25 instrumente të metalit dhe të qelqit, të cilët nuk kanë qenë të njohura deri atëherë. Al-Idrizi, Al-Hazin, Al-Bejruni dhe shkencëtarë të tjerë kanë caktuar ligjet themelore të gravitetit. Nga vepra "' Mizan Al-Hikmet'', të cilën e ka shkruar Al-Hazin,shihet qartë se ai ka pasur paraqitje të qarta të marrëdhënies ndërmjet shpejtësisë, peshës dhe hapësirës. Gjithashtu Ibn Miskavejh, Ibn Haldun dhe Ihvan as-Safa kanë folur disa qindra vjet para Darvinit për evolucionin dhe zhvillimin e jetës, si dhe për ndikimin e rrethinës në qeniet e gjalla. Të gjitha këto, si dhe shumë argumente të tjera, tregojnë për përparësitë e arabëve në shumë disiplina shkencore. Argumenti i pamohueshëm është që Ibn al-Hejsem, Al-Hazini, Al-Bejruni, Xhabir ibn Hajjan, Ibn Sina dhe shkencëtarë të tjerë arabë kanë qenë të domosdoshëm për paraqitjen e Kopernikut, Njutnit dhe të shkencëtarëve të tjerë të renesanësës evropiane.  

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #8 ne: 17-05-2005, 12:55:03
    MATEMATIKA, ASTRONOMIA DHE FIZIKA  

    1. ARITMETIKA


    Ndoshta është e para dhe, njëkohësisht merita më e madhe e arabëve në matematikë dhe astronomi, në përdorimin e numrave në vend të llogaritjes së gjatë me shkrim, e cila ka qenë deri atëherë.Kur u njohën arabët me të arriturat e matematicientëve të lindjes, prej hindusve (Indi) morën numrat: shifrat hinduse dhe gabare. Të parat edhe sot përdoren në pjesën më të madhe të Lindjes së Afërt arabe, ndërsa e dyta në pjesën perëndimore arabe dhe në Evropë. Muhamed ibn Musa Al-Havarizmi është matematicient i parë arab i cili i përdori numrat hinduse në matematikë. Libri i tij "'Bazat e matematikës'', i pari i këtij lloji, është përkthyer në gjuhën latine dhe ka qenë vepra burimore për matematicientët evropian. Po ashtu edhe matematika për disa shekuj ka qenë e njohur me emrin e këtij algoritmi. Arabët,pavarësisht nga popujt tjerë në vend të sistemit seksagezimal, të përhapur deri atëherë, kanë ndërutar sistemin e vet decimal në matematikë. Në sistemin decimal, me të cilën janë shërbyer, përveç vlerës numerike ka pasur edhe vendin e vet. Përveç krijimit të sistemit decimal në matematikë, arabët përdorën edhe shenjën hinduse për zero,kurse përmes tyre edhe Evropianët në shekullin mesjetar me term: chiffre, cipher, zero. Arabët kanë qenë zbulues edhe të vijës thyesore, si edhe të presjes decimale (dhjetore). Matematicienti arab Gijasuddin Gjemshid al-Kashi në veprën e tij të njohur "'Ar-Risala al-Muhtijja (Rrethi)'' ka llogaritur marrëdhënien mesatare ndërmjet perimetrit të rrethit dhe diametrit të saj në thyesën decimale. Madhësinë 2d ka dhënë me decimale 16 shifrore në këtë mënyrë 2d=16,283185071795865. Shumë vepra arabe nga aritmetika janë përkthyer në gjuhën evropiane.Në to matematicientët arabë kanë përshkruar numrat e plotë, thyesat, mbledhjen, zbritjen, shumëzimin, pjesëtimin dhe rrënjëzimin. Ata kanë pasur sistemin e vet llogaritës dhe realizimin e operacioneve llogaritëse. çdo detyrë e kanë zgjidhur në disa mënyra. Matematicientët arabë gjithashtu kanë njohur edhe kanë zgjidhur proporcionet gjeometrike dhe aritmetike. Proporcionet gjeometrike dhe aritmetike i kanë zbatuar në problemet e ndryshme teorike dhe praktike. Me shkathtësi dhe origjinalitet kanë operuar me progresione. Ata kanë themeluar ligjin mbi mbledhjen e progresioneve, katrorëve dhe kubeve, si dhe themelet e rrënjëzimit.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #9 ne: 17-05-2005, 13:02:26

    2. ALGJEBRA  

    Arabët, të parët e kanë përdor fjalën algjebër me kuptimin që e ka edhe sot. Al-Havarizmi ka sistematizuar njohuritë e shpërndara deri atëherë nga kjo lëmi dhe, në mënyrë të fuqishme, ka ndikuar në zhvillimin e algjebrës te evropianët. Algjebra dhe aritmetika e tij kanë qenë burim i vetëm prej të cilit matematicientët evropianë kanë nxjerrë dituri gjatë gjithë shekullit të mesëm. Për këtë arsye me të drejtë mund të thuhet se Al-Havarizmi i ka vënë themelet e aritmetikës dhe algjebrës. Matematicientët arabë kanë zgjidhur edhe barazimet e shkallës së dytë me një dhe dy të panjohura, si dhe barazimet e rendeve të larta. Ata kanë njohur edhe gjendjen në të cilën rrënja ka pasur kuantitet imagjinar, sikur që me rrugën gjeometrike kanë zgjidhur disa barazime të shkallës së dytë. Al-Havarizmi në veprën e saj "'Algjebra'' në kapitullin mbi sipërfaqet dhe problemet gjeometrike, ka zgjidhur me rrugën algjebrike, prej nga shihet se arabët ndër të parët kanë përdorur algjebrën për zgjidhjen e problemeve gjeometrike dhe në këtë mënyrë i kanë kontribuar procesit të algjebrizimit të gjeometrisë. Është e vërtetë se matematicientët grekë dhe ata të Indisë kanë ditur dhe kanë zgjidhur barazimet e shkallës së dytë. Po ashtu është vërtetuar se edhe Al-Havarizmi ka qenë i njohur me të mbërrimet greke dhe indiane në lëminë e matematikës, por është e vërtetë se nuk është hasur asnjë vepër, e cila së pakut do të ishte e ngjashme me veprën e Al-Havarizmit. Ka gjasë se para Al-Havarizmit nuk ka ekzistuar shkenca e quajtur algjebër. Madhësia e tij qëndron në atë se ai ka sistematizuar diturinë e shpërndarë deri atëherë, duke i vënë themelet e kësaj disipline shkencore, njësoj sikur Njutini që i vuri themelet e dinamikës duke sistematizuar disa dituri të njohura deri atëherë nga kjo lëmi. "Mendja e njeriut ishte e hutuar (e shtangur) kur pa se çka kanë punuar arabët në fushën e algjebrës" thotë Cagori. Si po duket ishte e nevojshme të mblidhet aritmetika e Indisë dhe gjeometria e Greqisë dhe në bazë të këtyre të mund të formohet algjebra. Aritmetika greke ka qenë jo produktive aq sa ka qenë gjeometria produktive. Në aritmetikë kanë përdor germat si shenjë njësie, dhjetëshe dhe qindëshe. Operacionet me këto germa, e sidomos shumëzimi dhe pjesëtimi, kanë qenë shumë të vështira. Arabët para Al-Havarizmit kanë përdor sistemin e njëjtë të llogaritjes. Duke vërejtur peshën e kësaj Al-Havarizmi ka kaluar në përdorimin e numrave dhe kështu bëri revolucion në këtë lëmi të veprimtarisë njerëzore. Arabët ndër të parët kanë përdorur edhe simbolet në matematikë. Për rrënjën kanë përdorur germën gjin, germën e parë të fjalës gjezer, ndërsa sot si simbol përdoret V. Për të panjohurën kanë përdorë germën shin, germën e parë të fjalës shenjë, ndërsa sot në matematikë përdoret shenja X. Për X2 kanë përdor germën e parë të fjalës me lev x mim, ndërsa për X3 germën kaf, për barazim germën lam, ndërsa sot përdoret shenja =. Për pjesëtim kanë përdor tre pika \, ndërsa sot përdoret :, shenja për mbledhje ka qenë lidhësja vav, ndërsa sot përdoret shenja +. në bazë të kësaj barazimi 52=12x+54 është shkruar në këtë mënyrë: 5 ml 12 sh 54 sikurse Ö49 që është shkruar në këtë mënyrë: gjim/49. Me përdorimin e simboleve është bërë një hap i madh në matematikë. Matematicientët më të njohur arabë, të cilët janë shërbyer me simbole ishin: Al-Havarizmi, Ebu Kamil, Kosta ibn Luka, Sinan ibn al-Fatah, Al Kalasadi, Behauddin al-Amil, Gijusudin Gjemshid, Al-Kijashi, Ibn al-Hejsem, Sabit ibn Kurra, Al-Kahvi, Al-Hajjani etj. Sabit ibn Kurra, Al-Hazin, Al-Hajjan, Ibn al-Hejsem dhe Al-Kahvi.Këta me rrugën gjeometrike kanë zgjidhur barazimet e shkallës së tretë dhe kështu, me zbatimin e gjeometrisë, kanë zgjidhur problemet algjebrike. Në këtë mënyrë ata kanë vënë themelet e gjeometrisë analitike me të cilën matematika ka lulëzuar në shekujt e ardhshën. Ata kanë njohur edhe rrënjët iracionale. Al-Havarizmi është i pari që ka përdor fjalën iracional si shenjë e numrit, i cili nuk ka rrënjë, si dhe ka gjetur rrugën, dhe mënyrën si mund të llogarisim vlerat e përafërta të numrave dhe kuantitetet prej të cilëve është e pamundur të nxiren rrënjët. Ibn Junus dhe Ibn Hamza e kanë njohur edhe vlerën praktike të logaritmave. Ata kanë përgatitur rrugën për gjetjen e tabelave logaritmike. Shumëzimin dhe pjesëtimin e kanë zëvendësuar me mbledhje dhe zbritje. Më vonë teorinë e logaritmave e kanë përpunuar më detalisht Gjon Nejper (John Napier 1550-1617 matematicient Skotlandez) dhe Herih Brigg.

     


    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #10 ne: 17-05-2005, 13:03:38
    3. GJEOMETRIA  

    Shumë shkencëtarë arabë kanë përpunuar gjeometrinë greke dhe kanë zgjidhur shumë probleme gjeometrike në mënyrë të kundërt prej Euklidit (sh, III p.e.r. matematicient i Greqisë së vjetër, vepra e tij Elementet prej 13 librash, ku gjendet postullati i njohur i Euklidit, janë themele të gjeometrisë elementare) dhe Apollonia nga Perge (rreth 262-180 p.e.r., matematicient i Greqisë së vjetër). Matematicientët arabë kanë shkruar figura të ndryshme gjeometrike, sipërfaqet gjeometrike dhe kanë bërë analiza të problemeve gjeometrike. Me analizën gjeometrike kanë zgjidhur problemet aritmetikore Këndin e kanë ndarë në tri pjesë të barabarta. Ibni al-Hejsem në kërkimet shkencore mbi dritën dhe caktimin e pikës reflektuese në pasqyrat sferike, cilindrike, konike, konkave dhe konvekse ka përdorur planimetrinë dhe stereometrinë. Ai po ashtu ka sqaruar si dhe në ç'mënyrë mund të vizatojmë dy drejtëza të marrura sipas dëshirës nga dy pikat e rrethit të njohur deri te pika periferike e rrethit që me tangensin e asaj pike të formojë dy kënde të barabarta. "çdokush, që e lexon veprën "'Zgjidhja e dyshimeve të Euklidit'' nga Ibn al-Hejsem thotë dr. Musherrifa, do të shohë në te shkencëtarin e matematikës së pastër me plotë kuptimin e fjalës." Al-Bejruni në veprën e tij ka parashtruar dhe ka zgjidhur shumë probleme. Kjo ishte mënyrë e re dhe origjinale e zgjidhjes së problemeve në mënyrë të kundërt me ato të filozofëve dhe të matematicientëve grekë. Në veprën"'Teza'', për përfitimin e tetivisë në rreth me veçori të vijës së lakuar, Al-Bejruni ka dhënë formën e re për llogaritjen e sipërfaqes së trekëndëshit me ndihmën e kateteve, formula e cila dallohet nga formula,që ka zbatuar matematicienti greko-aleksandrias Heroni plak i Aleksandrisë (matematicient dhe fizikan i Greqisë së vjetër, i lindur në Aleksandri në shek. I e.re. ka zbuluar ligjin e reflektimit të dritës, ka shpikur shumë instrumente për matje dhe makina të thjeshta). Nasrudin at-Tusi ka treguar të metat e Euklidit në paralele, në komentin e tij "'Elementet e Euklidit'', e cila është përkthyer në gjuhën latine. Profesori Kadri Tukan konsideron se Evropa u njoftua me gjeometrinë si shkencë vetëm përmes arabëve. Arabët gjeometrinë e kanë ndarë në dy pjesë: mendore dhe shqisore. Gjeometria shqisore merret me studimin e të gjitha atyre që mund të shihen dhe që i ndjejmë me prekje. Ajo drejtpërsëdrejti shpie kah eksperienca zejtare dhe industriale, posaçërisht në sipërfaqet që u nevojiten punëtorëve dhe pronarëve të pronave të patundshme, ndërsa gjeometria mendore është ajo, e cila shpie kah njohja e shkencës. Ajo është element i diturisë dhe gjëja e domosdoshme e çdo mendimtari dhe matematicienti. Me këtë rast mund të theksojmë edhe mendimin e Platonit, i cili gjeometrinë si dhe veprimtarinë edukuese të saj në formë të mendimit logjik dhe përfundimtar e ka vlerësuar shumë. Ai ka thënë se filozofisë i nevojitet ura, e cila është ndërtuar nga matematika dhe nga gjeometria. Është e pamundur të përfshihen të gjitha shkrimet, që arabët i kanë lënë trashëgim nga fusha e gjeometrisë. Ajo ka qenë hobi dhe kënaqësi e shumicës. Muhamed al-Bagdadi ka shkruar një vepër shumë të gjerë mbi figurat gjeometrike, e cila ndër të tjerash përfshin edhe shtatë artikuj për trekëndëshin, nëntë për katërkëndëshin dhe gjashtë për pesëkëndëshin. Al-Havarizmi në veprën e tij "'Algjebra'' ndër të parët ka treguar se si figurat gjeometrike mund të shprehen me barazime algjebrike dhe anasjelltas dhe si çdo barazim algjebrik mund të shprehet me rrugën gjeometrike. Smiti në veprën e tij "'Historia e matematikës'' Al-Bejrunin e numëron ndër matematicientët më të mëdhenj të kohës së vet, Al-Bejruni ka hulumtuar lëmin e ndarjes së këndit në tri pjesë të barabarta dhe ka vendosur themelet e hartografisë. Njëra prej veprave më të mëdha dhe më të rëndësishme të Al-Bejrunit është teza e përfitimit të tetivës në rreth, me veçori të vijës së lakuar. Sabit ibn Kurra, në lëmin e gjeometrisë analitike ka qenë shumë i frytshëm dhe origjinal. Ka shkurar shumë vepra nga algjebra dhe ka sqaruar marrëdhëniet ndërmjet algjebrës dhe gjeometrisë. Veprat e tij flasin mjaft për veprimtarinë e tij. Në mes tjerash ka shkruar: Hyrja në elementet e Euklidit, Trekëndëshi kënddrejt, Koni barabrinjës, Katërkëndëshi dhe diagonalja e saj, Figurat gjeometrike të Euklidit, Korigjimi i algjebrës me argumente të gjeometrisë etj. Djemtë e Musa ibn Shakirit kanë përdorur mënyrën e vizatimit të elipsës, e cila është e njohur sot, si dhe kanë përdorur formulën e Heronit për llogaritjen e sipërfaqes së trekëndëshit nëse janë të njohura katetat e saja. Veprat më të njohura të tyre nga gjeometraia janë: Figurat gjeometrike, Koni, Rrethi dhe këndëdrejti. Të gjitha këto vepra janë përkthyer në gjuhën latine. Al-Buzgjani gjithashtu është njëri nga matematicientët e mëdhenj, posaçërisht në gjeometri, në të cilën ka plotësuar Al-Havarizmi dhe ka vazhduar procesin e algjebrizimit të gjeometrisë dhe anasjelltas, gjeometrizimin e algjebrës, ndërsa Ibn Junus ka zgjidhur disa probleme të rënda nga gjeometria e trupave sferikë.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #11 ne: 27-05-2005, 14:53:31
    4. TRIGONOMETRIA DHE ASTRONOMIA  

    Në qoftë se grekët kanë vënë themelet e gjeometrisë, arabët këtë e kanë bërë në trigonometri. Nëse gjeometria është greke, atëherë trigonometria është arabe. Arabët të parët kanë shkruar në mënyrë sistematike dhe shkencore për këtë lëmi të matematikës. Me përdorimin e sinusit ata kanë zgjidhur shumë probleme të trigonometrisë, Al-Buzgjani, Al-Tus, Al-Bejruni dhe Al-Hazin kanë futur tangensin në funksione trigonometrike, ndërsa Xhabir ibn Efleh dhe At-Tabrizi kanë zbuluar marrëdhëniet ndërmjet sinusit dhe tangensit, si dhe marrëdhënie të tjera të ngjashme me to. Al-Bejjruni ka shkruar shumë vepra trigonometrike. Ai ka ditur për teoremën e sinusit dhe ka llogaritur vlerën natyrale të sinusit dhe të tangensit si dhe vlerat natyrale të funksioneve të tjera trigonometrike. Shkencëtarët arabë janë marrë edhe me astronomi. Pasiqë njerzit në bazë të lëvizjes së trupave qiellore, shikonin fall (hiromani), dhe lexonin ardhmërinë në bazë të yjeve, atëherë astronomia ngatërrohej me astrologji. Por megjithëkëtë, njohja e astronomisë si shkencë ishte e domosdoshme edhe për përcaktimin e kohës të disa ceremonive fetare, si p.sh. koha e namazit, koha e agjërimit, caktimi i drejtimit të Kibles etj. Për këtë arsye shkencëtarët arabo-Islam kanë filluar përpunimin e të arriturave të popujve lindorë; asirve, haldejve,dhe të indianëve në astronomi dhe astrologji, si dhe veprat nga astronomia dhe astrologjia të grekëve dhe aleksandriasve, posaçërisht ''Sistemin e madh matematikor të astronomisë''të Ptolomeut. Në këtë mënyrë shumicës i është dhënë rasti të plotësojnë dhe të zgjerojnë të arriturat e këtyre popujve me veprat e tyre për astronominë dhe astrologjinë. Vepra e parë, e cila është përkthyer prej greqishtes në arabishte është ''Astronomia''e mendimtarit Hermes.
    Ebu Xha'fer al-Mensur, halifi i dytë nga dinastia e Abbasive ishte shumë i entuziazmuar me astrologët, të cilët e kanë përcjellë gjithmonë në udhëtimet e tij. Ai e urdhëroi Muhamed ibn Ibrahim al-Gazzavin që të përkthejë në gjuhën arabe veprën ''Lëvizja e trupave qiellore'', të cilën Al-Gazzavi në përkthim e titulloi Sind Hind i Madh. Me këtë vepër u punua deri në kohën e Al-Me'munit kur Al-Havarizmi me shkurtimin e veprës i bëri tabelat e veta të njohura astronomike. "Al-Havarizmi në të, si thotë Al-Kifti -i bashkoi kuptimet astronomike të persianëve dhe të indianëve si dhe Sistemin e madh matematikor të astronomisë të Ptolomeut''. Gjatë kohës së sundimit të Al-Mensurit, Ebu Jahja al-Batrik përktheu në gjuhën arabe ''Qudripatritumin''e Ptolomeut nga astronomia si dhe shumë vepra të tjera nga gjeometria, fizika dhe shkenca të tjera natyrore, të cilët halifi i kërkoi nga mbreti i Bizantit. Në kohën e halifit Al-Mehdi, shumë shkencëtarë kanë punuar nëpër observatoriume, ndërsa gjatë periudhës së sundimit të Al-Me'munit Jahja ibn Mensur dhe Musa ibn Shakir kanë shkruar tabelat e tyre të njohura astronomike. Në këtë periudhë u korrigjua ''Almagesta''e Ptolomeut. Një numër i madh i shkencëtarëve ishte i entuziazmuar me astronomi. Ata kanë shkruar shumë vepra nga astronomia, kanë bërë vëzhgime të vlefshme dhe kanë përsosur shumë isntrumente astronomike. Në mesin e tyre posaçërisht shquhen: Sabit ibn Kurra, Al-Belhi, Hunej ibn Is-hak, Al-Abbadi, Al-Bettani të cilën Laland (Juseph Jerome Le français de Lalande, 1732-1807, astronom françez, bibliografia astronomike e tij është kronika e shkencës së kohës në të cilën ka jetuar) e numëron në mesin e 12 astronomëve më eminentë botëror,këtu bëjnë pjesë edhe Sehl ibn Beshshar, Kosta el-Ba'lebeki, Al-Kindi, Al-Buzgjani, Ibn Junus, Al-Sagati, Al-Kahvi, Al-Bejruni, At-Tusi, Al-Hazin, Al-Fergani e shumë të tjerë. Ata e kanë përpunuar ''Sistemin e madh matematikor të astronomisë''dhe kanë pranuar sistemin gjeocentrik të Ptolomejit, sipas të cilit Toka paraqet qendrën rreth së cilës rrotullohen Dielli, Hëna dhe trupa të tjerë qiellorë, pastaj pohimi i tij se Hëna është më i afërt ndaj Tokës, pas tij Merkuri, Venera, Dielli, Marsi, Jupiteri dhe Saturni. Të gjitha këto trupa bëjnë rrotullim të plotë rreth tokës për 24 orë. Kanë matur dimensionet e planeteve dhe largësinë ndërmjet tyre. Matjet e tyre dhe kuptimet astronomike kanë qenë në fuqi gjatë tërë mesjetës deri në kohën e revolucionit të madh astronomik dhe të paraqitjes së Keplerit, Galileit dhe Kopernikut, të cilët me vëzhgime kritike dhe me studimin e diturive paraprake kanë arritur të zbulojnë dhe të vërtetojnë saktësinë e sistemit heliocentrik, sipas të cilit Toka dhe të gjithë planetët tjerë rrotullohen rreth Diellit. Duhet të theksojmë se disa shkencëtarë arabë e kanë hedhur poshtë sistemin gjeocentrik. Ata kanë konsideruar se Toka dhe planetët tjerë të sistemit Diellor kanë lëvizje të dyfisht: rotacion dhe revolucion. Ibn al-Hejsem, Al-Bejruni, Al-Bettani dhe Al-Fergani kanë matur madhësinë e Tokës dhe kanë vërtetuar se ajo ka formën e rrumbullakët. Ata kanë ngritur shumë observatoriume dhe kanë bërë tabela astronomike, kanë llogaritur gjatësinë e vitit Diellor, kanë kontrolluar pozicionet e shumë yjeve dhe të planeteve, kanë caktuar barazditën pranverore dhe vjeshtore, kanë shkruar për njollat e Diellit dhe në mënyre kritike janë kthyer në ''Sistemin e madh matematikor të astronomisë''. "Shkencëtarët arabë me veprat e tyre në lëmin e astronomisë" siç thotë Sarton "kanë përgatitur dhe trasuar rrugën e renesanësë së madhe astronomike". Abdurrahman as-Sufi ka shkruar vepër të madhe, të ilustruar me yjet e palëvizshëm, në të cilën gjenden mbi 1420 yje dhe planete të ilustruar në formë të njerëzve dhe të kafshëve, emrat e të cilëve edhe sot e kësaj dite janë në përdorim (Arusha e Madhe, Arusha e Vogël, Peshku, Akrepi, Virgjëresha etj.) Gjithashtu duhet të theksojmë se shumica e shkencëtarëve nuk kanë besuar në të shikuarit fall (hiromani) dhe në parashikimin e ardhmerisë me ndihmën e yjeve si p.sh. Al-Kindi, Al-Farabi, Ibn Sina, Ibn Hamza, Ibn Tufejl etj. Ibn Sina dhe Al-Kindi, astrologjinë dhe të shikuarit fall me ndihmën e yjeve kanë konsideruar marrëzi pa argumente dhe pa analogji, por edhe përkundër kësaj Al-Kindi ka qenë shumë i interesuar për zanafillën dhe zhvillimin e astrologjisë. Ibn Hazm mendon se yjet nuk paraqesin kurrfarë ndodhie në ardhmëri, po ashtu nuk kanë ndikim në punën tonë, në qoftë se me këtë nuk nënkuptohet ndikimi natyral i tyre te njeriu, në sipërfaqen tokësore dhe ujore të Tokës. Me ndikimin e tyre në sipërfaqen ujore të Tokës ata e rrisin lagështinë e ajrit dhe shkaktojnë batica dhe zbatica. Ibn Tufejl është i bindur se ekziston ligji unik i sistemit kozmik, universaliteti i të cilit reflektohet në ujë, në ajër, te bimët, në njeriun, te kafshët dhe te çdo gjë që ekziston. "Bota është një tërësi" thotë ai "unik dhe lëviz në kufijt e ligjit dhe sistemit të caktuar''. Më shkurt, shumica e shkencëtarëve arabë astronominë e kanë konsideruar më tepër si matematikë e bazuar në vëzhgime dhe në llogaritje. Shkencëtarët arabë kanë ngritur shumë observatoriume, kanë përsosur shumë instrumente astronomike, kanë bërë vëzhgime të vlefshme dhe kanë shkruar shumë vepra nga astronomia. Al-Fergani i njohur në Evropë me emrin Alfraganus, përmes veprës së tij "Bazat e astronomisë" në mënyrë të fuqishme ka ndikuar në renesansën evropiane. Vepra e tij si dhe ''Trigonometria e trupave sferik''i Al-Bejrunit dhe Al-Buzgjanit janë studiuar në universitetin e Bolonjës në Itali. Xhabir ibn Efleh në veprën e vet "Astronomia" në bazë të vëzhgimeve dhe matjeve arriti të vërtetojë se Marsi pas Hënës dhe Venerës është trupi qiellor me afër Tokës. Koperniku gjatë përpunimit të lëvizjes së trupave qiellorë ka pasur në dorë veprën e Xhabir ibn Eflehit. Ebu Is-hak al-Betrugji, nxënës i Ibn Tufejlit me veprat e tij shkencoro-astronomike ka arritur të tundë kuptimet e Ptolomeut dhe në këtë mënyrë i ka kontribuar Kopernikut që të rrëzojë sistemin gjeocentrik, i cili shekuj me radhë konsiderohej si i saktë. Astronomia e Al-Betrugjinit është përkthyer në gjuhën latine. Veprën e ka përkthyer Mishel Skot më 1217 në Toledo, ndërsa është shtypur në Bolonjë më 1220.


    Pa dyshim se Koperniku gjatë përpunimit të sistemit heliocentrik ka pasur në dorë ''Sistemin e madh matematikor të astonomisë''të Ptolomeut dhe ''Lëvizja e trupave qiellorë''të Al-Ferganit si dhe punimet e shkencëtarëve arabë në lëminë e trigonometrisë së trupave sferikë. Duke u konsultuar me veprat e cekura Koperniku arriti të ndryshojë fotografinë e botës dhe të vërtetojë konstatimet e mëparshme mbi sistemin heliocentrik. Ndër astronomët mjaft të njohur të she. X e.r. është edhe Al-Kahvi. Ai prej observatoriumit të Bagdadit ka vëzhguar lëvizjen e trupave qiellorë. Ka shkruar disa vepra mjaft të rëndësishme nga kjo lëmi, të cilët janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Shumica mendojnë se Njutni ka shfrytëzuar veprat e tij gjatë themelimit të llogaritjes diferenciale dhe integrale. Halifët dhe sunduesit e disa oborreve mbretërore rëndësi të madhe i kanë dhënë astronomisë. Për këtë arsye ka ardhur deri te përkthimi i shumë veprave greke nga astronomia dhe ngritja e shumë observatoriumeve në të gjitha vendet e shtetit të madh Islam, të cilët kanë qenë të furnizuar me të gjitha instrumentet dhe aparatet e njohura deri atëherë për vëzhgimin e trupave qiellorë. Gjatë kohës së dinastisë së Emevive është ngritur observatoriumi në Damask, ndërsa gjatë kohës së Al-Me'munit në Bagdad, në Damask dhe në vende të tjera të shtetit islam. Në Periudhën e Fatimidve është ndërtuar observatoriumi Al-Hakim, në malin Mukattam afër Kajros. Përveç kësaj ishte i njohur, posaçërisht me instrumentet precize dhe kuadër të specializuar, edhe observatoriumi Al-Merga, të cilën ka ngritur Nasirudin at-Tusi. Pos këtyre, observatoriumet të mëdha dhe të njohura kanë qenë: Dar al-Hikmet në Bagdad, Ibn esh-Shatir në Siri dhe shumë të tjerë në Andaluzi (Spanjë), Egjipt dhe pjesë të tjera të shtetit të madh Islam. Ndër instrumentet më të rëndësishme që janë përdorur në kërkimet astronomike ishin: amilar, astrollab, drëndafilja e erërave, kompasi, asa Tusi, kuadranti, ithat-el-evter dhe shumë të tjerë. Disa prej këtyre instrumenteve i kanë konstruktuar vetë, pavarësisht nga popujt tjerë, ndërsa disa i kanë përsosur dhe i kanë plotësuar si p.sh. astrollabin dhe kompasin. Al Fezzari ndër të parët nga shkencëtarët arabë ka konstruktuar astrollabin dhe ka shkruar veprën ''Operacionet me astrollabin e rrafshët''. Vepra e Al-Bejrunit, e njohur me emrin ''Kanon al-Mes'udi'', është njëra ndër veprat më të mëdha të llojit të tillë,që përfshin 142 kapituj. Përveç kësaj Al-Bejruni ka shkruar edhe shumë vepra të tjera të rëndësishme në të cilat ka përpunuar sistemin koordinativ gjeografik, ka folur mbi kohën dhe meteorologjin,mbi kometet dhe instrumetet e astronomisë. Al-Havarizmi gjithashtu ka shkruar shumë vepra nga astronomia. Në mesin e tyre më të njohura janë tabelat e astronomisë të njohur me emrin ''Sindi Hind i vogël''. Al-Kindi, të cilin shumë historianë e numërojnë në mesin e tetë astronomëve më të njohur të shekullit të mesëm, ndërsa italiani Xherollamo Kardano (1501-1576, matematicient, mjek, astrolog dhe filozof i natyrës, i cili ka dhënë formulën për zgjidhjen e barazimit të shkallës së tretë) Al-Kindin e numëron në mesin e 12 personave gjenialë, të cilët janë paraqitur në botë, duke pasur parasysh faktin se Al-Kindi ka lënë disa vepra shumë të rëndësishme nga astronomia. Më të njohura ndër to janë: "Batica dhe Zbatica" "Qielli Azur" Në veprën "Qielli Azur", e cila është përkthyer në gjuhën latine, Al-Kindi mendon se ngjyra e kaltërt nuk është karakteristikë vetëm për qiellin, por edhe për drita të tjera, të cilat zënë fill prej grimcave të pluhurit dhe të avullit në atmosferë.  

    Djemtë e Musa ibn Shakirit janë autorë të veprës nga mekanika, e njohur me emrin "Hijel beni Musa". Shumica konsiderojnnë si një nga veprat e para në këtë lëmi. Përfshin rreth 100 konstruksione mekanike. Përveç kësaj ata kanë shkruar edhe shumë vepra shkencore, kryesisht nga mekanika. Atyre u atribohet se kanë gjetur ligjin e përgjithshëm të gravitetit ndërmjet trupave qiellorë. Toka e tërheq çdo trup të gjuajtur lartë, ndërsa Dielli tërheq Tokën dhe planetët tjerë dhe në përgjithësi, dy trupa pa marrë parasysh se ku gjenden tërhiqen ndërmjet veti. Kanë shkruar një numër të konsiderueshëm të veprave shkencore mbi qendrat e gravitetit, ndërsa me kërkesën e halifit Al-Me'mun kanë bërë matjen e perimetrit të Tokës nëpër pole. Përveç kësaj ata kanë ndërtuar observatoriumin në Bagdad prej nga kanë bërë vëzhgimin e trupave qiellorë. Veprat e tyre janë përkthyer, shumë herët, në gjuhën latine,e pastaj prej latinishtes në gjuhë të tjera. Sabit ibn Kurra ndër të parët ka përkthyer ''Allmagestin''në gjuhën arabe dhe ka nxjerë ekstrakte të shkurta prej saj. Ka punuar në observatoriumin e Bagdadit. ka përcjellur lëvizjen e Diellit dhe në bazë të kësaj ka llogaritur vitin Diellor. Veprat më të njohura të tij, janë "Hyrja në Allmagest", "Shkaqet e zënies së Diellit dhe të Hënës", "Figurat Gjeometrike të Allmagestit", "Lëvizja e trupave qiellorë", "Formimi i Kozmosit" etj. Al-Sufi, sipas Sartonit, është njëri ndër astronomët më të mëdhenj Islam. Prej veprave të shumëta që ka shkruar, më të njohura janë: "Yjet e palëvizshëm", "Libri i instruksioneve (këshillave) dhe Vendet e rrezatimit". Ka vëzhguar lëvizjen e trupave qiellorë, ka caktuar dimensionet e planeteve, ka caktuar barazditën pranverore dhe vjeshtore dhe ka shkruar tabelat më precize astronomike. Shumica e konsiderojnë si pikë kalim prej kohës së Platonit kah renesansa e madhe astronomike evropiane. Sartoni veprën "Yjët e palëvizshëm" konsideron si tri vepra më të mëdha dhe më të njohura te myslimanët. Vepra ka ilustrime të yjeve në formë të njeriut dhe të kafshëve. Al-Buzgjani dhe Al-Megjriti kanë qenë astronom të mëdhenj. I pari ka qenë anëtar i observatoriumit Sheref ed-Devlet dhe ka shkruar disa vepra, prej të cilave më të njohurat janë: "Allmagesti''dhe ''Tabelat astronomike", ndërsa i dyti ka qenë astronom i njohur i Andaluzisë. Ka shkruar disa vepra nga astronomia, të cilat janë përkthyer, shumë herët, në gjuhën latine. Në mesin e tyre, posaçërisht, shquhen ''Astrollabi''dhe ''Komentim i Allmagestit''. Ibn Junus ka bërë vëzhgime astronomike nga observatoriumi Al-Hakim në malin Mukattam afër Kajros. Observatoriumi ishte i furnizuar me të gjitha instrumentet e mundshme astronomike. Ibn Junus aty ka shkruar tabelat e njohura astronomike. Zigj al-Hakim, të cilën Sedillot e pandeh si vepër më të madhe pas Allmagestit. Përveç kësaj Ibn Junus ka shkrua edhe disa vepra shumë të rëndësishme nga astronomia. Nga mali Mukkatan në vitin 978 ka vëzhguar zënien e Diellit dhe të Hënës. Ai ka konstruktuar lavjersin dhe ka zbuluar ligjin e oshilimit të tij si dhe mundësinë e aplikimit të lavjersit në matjen e kohës disa qindra vjet para Galileut. Në mesin e astronomëve arabë vend të posaçëm zë edhe Al-Hazin. Përveç tabelave astronomike ai ka shkruar edhe veprën "Mizan al-Hikmet", e cila sipas Sartonit është vepra më e madhe, të cilën mendja mesjetare ka mund ta krijojë. Në të Al-Hazini flet për gravitetin. çdo lëvizje sipas Al-Hazimit si ajo planetare po ashtu lëvizja e trupit të hedhur shkaktohet për shkak të forcave tërheqëse ndërmjet vetë masave të trupave. Al-Bettani, përveç tabelave astronomike "Zigj as-sabi" ka shkruar shumë vepra të tjera astronomike. Ai, në bazë të lëvizjes së Diellit, ka llogaritur gjatësinë e vitit Diellor dhe ka vërtetuar mundësinë e zënies së plotë të Diellit, e cila shkaktohet kur ndërmjet saj dhe Tokës është Hëna. Atëherë shihet vetëm mbështjellësi i jashtëm i Diellit. Ka caktuar edhe apogjen e Diellit në lëvizjen e dukshme dhe ka konstatuar se në pikën në të cilën Toka është më e largët nga Dielli ka ndryshuar nga koha e Ptolomejit. Përveç kësaj Al-Bettani ka folur edhe për ndërrimin e hënës dhe për lëvizjen e trupave të tjerë qiellorë. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Karlo Nolino më 1899 ka botuar tabelat e tij nga astronomia.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #12 ne: 15-06-2005, 14:45:25
    5. FIZIKA DHE MEKANIKA  

    Ibn Sina në veprën e vet ''Esh-Shifa''ka shqyrtuar problemin e shpejtësisë së tingullit (zërit) dhe të dritës. Ai thotë se drita është më e shpejtë se tingulli. Nëse një trup godet trupin tjetër në një largësi të caktuar, së pari do të shihet goditja se sa të dëgjohet tingulli, sepse tingullit, në krahasim me dritën, i nevojitet kohë dhe hapësirë nëpër të cilën do të përcillet. Vetëtima shihet, ndërsa bubullima dëgjohet më vonë, por nuk shihet. Nëse kjo ndodhë së bashku,pra në të njëjtën kohë, atëherë vetëtimën do ta shohim në të njëjtin moment, ndërsa bubullimën pak më vonë, sepse tingullit (zërit) për ndryshim nga drita i nevojitet kohë që të kalojë hapësirë të caktuar dhe të arrijë deri te ne. Këtë kuptim të Ibn Sinasë e hedh poshtë Ibn al-Hajthem dhe në bazë të eksperimenteve vërteton se edhe drita ka shpejtësi të caktuar dhe për përhapjen e saj i nevojitet kohë. Retë, sipas Ibn Sinasë, formohen me kondenzimin e avullit të ujit në ajër, i cili pastaj në formë të lëngët apo të ngurtë bie në tokë në formë të shiut, borës, breshërit etj. Shumë historianë Ibn al-Hajthemin e numërojnë si fizikanin më të mirë të të gjitha kohërave, veçanërisht në lëmin e optikës, Evropa e njeh me emrin Al-Hazin. Nga lëmia e fizikës ka shkruar rreth 25 vepra. Ibn al-Hejthem me aplikimin e metodës induktive në shkencat natyrore ka qenë paraardhës i Bekonit dhe shkencëtarëve të tjerë evropianë. Ai shkroi disa vepra shumë të rëndësishme nga optika: ''Natyra e dritës'', ''Shpejtësia e dritës'',''Reflektimi dhe thyerja e dritës''dhe ka sqaruar shumë dukuri natyrore si p.sh. ylberin dhe ka vërtetuar se rrezet e dritës shkojnë prej trupit kah syri e jo anasjelltas. Shumica e konsiderojnë njërin ndër shkencëtarët më të mëdhenj të fizikës eksperimentale për shkak të eksperimenteve që ka bërë nga lëmia e përhapjes së dritës së trupave, të cilët rrezatojnë dritën vetanake si dhe dritën e trupave që rrezatojnë me dritën e kthyer të yjeve. Profesori Mustafa Nezif konsideron njërin prej shkencëtarëve më të mëdhenj të fizikës aplikative. Ai teorinë e ka zbatuar në praktikë. Ka konstrukuar shumë insturmente dhe ato i ka përdor në praktikë. Ibn al-Hejthem i vuri themelet e optikës. Ndikimi i tij në zhvillimin e shkencës mbi dritën nuk është më i vogël se sa ndikimi i Njutnit në zhvillimin e mekanikës. Al-Bejruni është fizikan i njohur arabo-islam, veçanërisht në lëmin e mekanikës dhe të hidrostatikës. Ka shkruar disa vepra mjaft të rëndësishme. Në to ka shpjeguar shtypjen, ekuilibrin dhe ligjin e lëvizjes së lëngjeve. Djemtë e Musa ibn Shakirit kanë shkruar veprën e njohur ''Mekanika'', e cila konsiderohet si vepra më e madhe e këtij lloji. Përveç ''Mekanikës''kanë shkruar edhe vepra të tjera të njohura mbi qendrat e gravitacionit. Ballton, anëtar i Akademisë së Shkencave të Amerikës konsideron se Ibn al-Hejsem me veprën e tij "Mizan al-Hikmet" fuqimisht ka ndikuar në zhvillimin e fizikës dhe, në përgjithësi, të mendimit shkencor te arabët. Ibn al-Hejsem ka sqaruar se ligji i Arhimedit se përveç te lëngjet mund të aplikohet edhe te gazërat. Ai para Toriqelit (Evangellista Toriqeli 1608-1647, fizikan dhe matematicient Italian, bashkëpunëtor i Galileut,I cili ka zbuluar barometrin dhe ndikimin e shtypjes atmosferike dhe ka caktuar ligjin e rrjedhës së fluidit prej enës,që njihet si ligji i Toriqelit) ka bërë eksperimente me gypin barometrik dhe ka vërtetuar se ajri ka peshë. Ajri ka peshën e vet dhe fuqinë e vet sikurse lëngu.Ai ka vërtetuar se sa më e madhe të jetë dendësia e ajrit, aq më e vogël është pesha e trupit në ajër. Në bazë të kësaj Ibn al-Hejsem me të drejtë mund të konsiderohët paraardhës i Toriqelit, Paskalit, Bojlit dhe të shkencëtarëve tjerë. Punimet e tij janë të konsiderueshëm edhe në lëminë e gravitetit. Ai ka arritur të zbulojë edhe bazat e ligjit të mekanikës që fatkeqësisht, u janë përshkruar shkencëtarëve evropianë të shek. XVII. Punimet shkencore të Ibn al-Hejsemit, Al-Bejrunit dhe të shkencëtarëve tjerë arabë kanë qenë literaturë standarde dhe themelore në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Shkencëtarët evropianë këto i kanë shfrytëzuar në hulumtimet e tyre të mëtejshme.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #13 ne: 20-06-2005, 15:49:59
    TË ARRITURAT ARABE NË FUSHËN E BIOLOGJISË, KIMISË, FARMAKOLOGJISË, MIERALOGJISË DHE GJEOLOGJISË  

    Është e pamundur të përfshihen të gjitha veprat që kanë shkruar shkencëtarët arabë në këto lëmenj. Shumica prej tyre kanë qenë shumë të frytshëm, posaçërisht në biologji, në kimi, në farmaci (për shkak të afërsisë së këtyre disiplinave shkencore me mjekësinë). Ndërmjet tyre hasim edhe në matematicientë, astronomë dhe fizikanë shumë të njohur, të cilët përveç matematikës, astronomisë dhe fizikës kanë studiuar edhe mjekësinë. Ibn al-Hejsem i njohur me punimet e tija në lëminë e optikës ka shkruar edhe disa vepra mjaft të njohura nga lëmi i mjekësisë. Ibn Sina, i njohur si mjek dhe si filozof, disa kapituj të veprës së vet të madhe "'Kanoni i Mjekësisë'' i ka kushtuar farmacisë. Në to ai ka përshkruar shumë bimë shëruese, mënyrën e përfitimit të drogës dhe përdorimin e tyre në shërimin e sëmundjeve. Po ashtu edhe disa kapituj të veprës së dytë të madhe "Esh-Shifa" ia ka kushtuar biologjisë. Në ata kapituj Ibn Sina ka përshkruar shumë bimë, ka folur detajisht mbi mënyrën e shumëzimit, mbi absorbimin dhe bartjen e ushqimit te talofitlët dhe bimët me sistem përçues. Përveç botës bimore Ibn Sina ka folur edhe për botën shtazore. Ka përshkruar shumë lloje të kafshëve tokësore dhe ujore. Detajisht ka folur mbi kërcën (rroc,lloj qershie) dhe eshtrat, venat dhe arteriet, lëkurën dhe muskujt, sistemin nervor, sistemin e organeve të tretjes, organet e frymëmarrjes, organet për qarkullimin e gjakut, organet e shumëzimit etj. Pa dyshim se Ibn Sina dhe shumë shkencëtarë të tjerë arabë, të cilët janë marrë me botën bimore dhe shtazore, kanë studiuar strkuturën e organeve me prerjen e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të sqarohet përshkrimi i tij i muskujve të zgjatura të zorrve, të cilët bëjnë lëvizje të ngjashëm me lëvizjen e skrrajës gjatë tretjes së ushqimit, pastaj transferit ose bartjes, pastaj muskujt lidhës, të cilët kanë rolin e bashkimit ose lidhjes së muskujve të zgjatur dhe të muskujve transfer bartës. "'Kanoni i Mjekësisë'' i tij pesëmbëdhjet herë është përkthyer dhe botuar në gjuhë të ndryshme, ndërsa është studiuar në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Përmes "'Kanonit të Mjekësisë'' Ibn Sina ka ndikuar fuqimisht në zhvillimin e mendimit shkencor evropian në periudhën e zgjimit të saj.  

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #14 ne: 27-06-2005, 17:15:39
    1.

    Xhabir ibn Hajjan konsiderohet njëri ndër kimistët më të mëdhenj arabë. Ai ka vënë themelet e kimisë shkencore. Para tij kimia ka pasë kryesisht karakter të shkathtësisë bazuar në eksperiencë. Me shkathtësi dhe me eksperiencë para Xhabir ibn Hajjanit janë përfituar disa metale, ngjyra, pëlhura, qelqi, yndyrërat, erërat e ndryshme dhe mjetet, të cilat e pengojnë kalbjen. Duke u marrë me punë eksperimentale Xhabir ibn Hajjan ka treguar rëndësinë e eksperimentit. Ai prej nxënësve të tij ka kërkuar precizitet dhe kujdes gjatë zhvillimit të eksperimentit në kohën kur teoria e katër elementeve ka qenë ende në fuqi dhe kur është menduar se me kombinimin e këtyre elementeve mund të fitojmë çdo materie, të cilën dëshirojmë ta fitojmë. Për këtë arsye, metalet jofisnike shumica janë munduar t'i shndërrojnë në metale fisnike dhe në këtë mënyrë të arrijnë deri te ari. Xhabir ibn Hajjan ka vërejtur se gabimi i kuptimit nuk sqaron shumë dukuri, të cilat ai i ka vërejtur në eksperimentet e veta. Ai gjatë ndarjes së substancave të pastërta nga përzierjet natyrale ose artificiale ka përdor metodën e tharjes (evaporacionit). Përveç metodës së tharjes ai ka përdor edhe metodën e kullimit (filtrimit), pastaj metodën e destilimit, disolucionit, kristalizimit, sublimit dhe metodën e kalcinimit. Me punën eksperimentale Xhabir ibn Hajjan ka arritur të përfitojë shumë materiale si dhe t'i njohë vetitë e tyre kimike si p.sh. argjend-nitratin, acidin azotik etj. Ai ndër të parët ka vërtetuar se me përzierjen e argjend-nitratit me tretjen e kripës së kuzhinës përfitojmë fundrinën e bardhë në formë të djathit, sikur që ka vërejtur se bakri jep ngjyrë fisnike të gjelbërt. Ai ka vërejtur dallimin ndërmjet destilimit dhe filtrimit. Me destilim e ndajmë lëngun prej materieve të tjera, të cilat gjenden në lëng, ndërsa me filtrim i ndajmë materiet e forta e të patretura në lëng. Për të përfituar cinobër ose sulfatin e zhivës, Xhabir ibn Hajjan në shishe dhe enë të porcelanit ka qitur zhivën dhe squfurin. Më vonë zhivën e ka përzier me squfurin në enë dhe ka vendosur në furrë. Pas 24 orëve zhiva, me reaksion kimik, është shndërruar në gur të kuqe të ashtuquajtur cinobër. Cinobri në përgjithësi nuk është material i ri. Zhiva dhe squfuri me rrugë kimike janë shndërruar në grimca të imta e të thjeshta, të padukshme për syrin, me bashkimin e të cilëve është përfituar cinobri. Me gjasë ekziston ndonjë ngjashmëri ndërmjet paraqitjes së njësive kimike të Xhabir ibn Hajjanit dhe hipotezës atomike të Daltonit, e cila më vonë është arritur në teorinë atomike dhe me të cilën ka sqaruar ligjin e marrëdhënieve të peshave atomike (John Dalton, 1766-1884, kimist dhe fizikan anglez, ka dhënë teorinë atomike, themelet e kimisë moderne, ka dhënë ligjin e proporcioneve të shumëzuara, ka përshkurar çrregullimin e shqisave të pamurit në njohjen e ngjyrave dhe sipas tijmosdallimi I ngjyrave është quajtur "'daltonizëm''.Ai është marrë edhe me kërkime sistematike meteorologjike). Është e njohur se veprat e Xhabir ibn Hajjanit janë përkthyer në gjuhën latine dhe kanë qenë literaturë themelore gjatë shekullit të mesëm. Për te dhe për veprat e tij janë shkruar shumë studime. Shkencëtarët më eminentë të perëndimit si p.sh. Kupp, Holmyard, M.Barthelot, P.Kraus, G.Sarton etj. me shqyrtim të veçant kanë treguar mbi Xhabir ibn Hajjanin dhe kontributin e tij në zhvillimin e kimisë si shkencë. Helmyard, Xhabir ibn Hajjanin e numëron ndër shkencëtarët më të mëdhenj arabë, ndërsa Sartoni thotë se shumë shkencëtarë sot nuk janë në gjendje të kuptojnë se këto njohuri dhe këto punime shkencore nga kimia mund t'i përshkruhen njeriut, i cili ka jetuar në shekullin e dytë hixhri. Duhet të theksojmë se Al-Kindi, Ibn Sina dhe shkencëtarët arabë nuk kanë besuar në mundësinë e transformimit të metaleve jofisnike në ari dhe në argjend. Për Al-Kindin ajo ishte ëndje e pafrytshme dhe humbje e kohës. Ebu Bekr ar-Razi ishte mjek dhe kimist mjaft i njohur arab. Disa e numërojnë ndër kimistët, i cili ka vënë themelet e saj. Ka konstruktuar dhe ka përshkruar mbi 20 instrumente metalike dhe të qelqit. Kimia ka lënë gjurmë edhe në mjekësinë e tij, kështu shërimin e shumë sëmundjeve ia ka përshkruar reaksioneve kimike, të cilët ndodhin në trup. Materiet kimike i ka ndarë në minerale, bimore, shtazore dhe të përfituara (derivate). Ar-Raziu ka përgatitur edhe acide. Acidin sulfurik, të cilin e ka quajtur vaj sulfurik, ka përfituar me nxemjen e sulfatit të gjelbërt. Ai ka përgatitur edhe alkoolin me destilimin e materieve të ndryshme dehëse dhe sheqerit të fermentuar. Alkoolin e ka përdor si bar. Ndër kimistët e njohur është edhe Al-Megjrit. Ai ka shkruar një vepër mjaft të gjerë nga kimia, e cila është përkthyer në gjuhën latine. Shumë shkencëtarë janë marrë me kimi edhe pse nuk kanë qenë kimistë të njohur si p.sh. Davud al-Antaki, Ibn al-Bejtar, Ibn Mejmun, Ibn an-nefis, Az-Zehravi etj.  

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #15 ne: 27-06-2005, 17:16:27
    2. BOTANIKA

    Në mesin e shkencëtarëve arabë, botanika, ka pasur adhurues të shumtë. Ajo ka qenë lëndë mjaft e dashur. Por duhet pranuar se botanikën shumica nuk e kanë studiuar si shkencë të veçantë, por në kuadër të mjekësisë, ndoshta për shkak se shumë barëra dhe droga janë përfituar ekskluzivisht prej bimëve. Ndoshta në këtë drejtim e kanë përcjellur Hipokratin (baba i mjekësisë), i cili ka kërkuar të studiohen bimët shëruese dhe rrethina në të cilën jeton njeriu me qëllim që të gjendet mënyra e mjekimit. Për këtë arsye kanë filluar të studiojnë bimët para se ta shfrytëzojnë rrënjën, kërcelin, gjethin, lulen dhe frytin. Përveç përshkrimit të bimëve shëruese dhe mënyrës së përfitimit të drogës, ata gjithashtu kanë përshkruar shumë toka pjellore në të cilat rriten bimët shëruese dhe bimët e tjera. Ibn Sina në librin e dytë të veprës së tij të madhe "Kanoni i Mjekësisë" ia ka kushtuar botës bimore. Librin e ka ndarë në shumë kapituj, në të cilët detajisht dhe mjaft gjerësisht, ka folur mbi bimët shëruese. Përveç që ka treguar cilësitë themelore të këtyre bimëve, ai ka përcjellur edhe shkrimet e grekëve të vjetër, që kanë shkruar për bimët shëruese dhe për bimët tjera: Galeni, Dioskoridi etj. Ibn Sina në këtë vepër ka pasqyruar zhvillimin e botës bimore prej talofitit deri te myshqet, fierët, diela e luleve si dhe kërcellët drunor. Ka folur për bashkësitë e bimëve, për familjet, si dhe për llojet e ndryshme të së njëjtës familje, për bimët fisnikë dhe për bimët tjera, për shpërndarjen zonale të bimëve, për tokën produktive në të cilën zhvillohen dhe rriten bimët, për ngjyrën e bimëve, për frytet e lëngëta dhe të thata, për gjethin e gjërë dhe të ngushtë, me rrethplot konveks. Përveç kësaj Ibn Sina ka dhënë emrat e bimëve në gjuhën greke dhe në gjuhë të tjera. Ka bërë dallimin ndërmjet bimëve, të cilat rriten të kultivuara dhe në gjendje të egër në natyrë. Ka përshkruar gjatësinë dhe trashësinë e shumë kërcejve të bimëve, pastaj gjethin, frytin dhe organet e tjera. Ka folur për frytshmërinë periodike të bimëve. Ka treguar llojllojshmërinë e erës dhe të shijes së bimëve, e me këtë ka qenë paraardhës i Karla Metzaes, e cila më 1934, me ndihmën e ekstraktit bimor, ka shkruar për personifikimin e bimëve. Ibn Sina te kjo botë bimore është shërbyer me shembujt e natyrës si burim të parë, ndërsa burimi i dytë ka qenë prodhim i thatë i bimës: lëvorja, fryti dhe lulja deri te të cilët ka arritur te shitoret e ndryshme ku shiteshin bimët shëruese. Duke shfrytëzuar këto dy burime, Ibn Sina ka dhënë përshkrimin e mbi 400 bimëve të ndryshme, kryesisht shëruese. Përveç "'Kanonit të mjekësisë'', Ibn Sina disa pjesë të veprës së dytë të madhe "Esh-Shifa" ia ka kushtuar botës bimore. Në ata kapituj ka bërë fjalë për organet gjenitale mashkullore dhe femërore të bimëve si dhe mënyrën e shumëzimit. Bimët, sipas Ibn Sinasë, njësoj sikur edhe kafshët, në mënyrë instinktive e ndjejnë nevojën për ushqim. Ushqimi i bimëve bëhet me rrugën natyrore,pra me tërheqjen e organeve bimore, e jo me vullnet dhe dëshirë. Sistemi i ushqimit është argumenti i jetës, por jo i vetëdijes dhe punës së vetëdijshme. Ibn Sina ka folur për frytet e bimëve dhe për bimët bregdetare, si dhe për bimët të cilat rriten në toka të njelmëta, ranore, moçalore dhe malore, pastaj për shartimin,për pyjet gjethërënëse dhe gjethëmbajtëse (halorët). Në mesin të botanistëve të njohur arabë ka qenë edhe Ibn al-Bejtar, i lindur në Spanjë. Ibn al-Bejtar ka vizituar Afrikën veriore: Algjerin, Marokun dhe Tunisin. Ka qenë kryetar i botanistëve të Egjiptit. Ka studiuar shpërndarjen zonale të bimëve të Afrikës veriore dhe të Sirisë. Ka qenë shumë i njohur edhe si mjek me eksperiencë. Veprat më të rëndësishme, që ka shkruar në fushën e mjekësisë, farmacisë dhe botanikës janë: "El-Xhamiu fi mufredati-l-edvijeti ve-l-agdhijeti" (Leksikoni mbi drogat dhe ushqimin) dhe "El-Mugni fi-l-edvijeti" (Kompendij mbi drogat). Në veprën e parë, me radhitje alfabetike, ka dhënë përshkrimin e disa qinda bimëve mjekuese, ka treguar për Galenin, Diskoridin dhe shkencëtarët tjerë grekë, detajisht ka përshkruar përgatitjen e barërave, përdorimin e tyre, dobitë, dëmet etj. Përveç Ibn al-Bejtarit ndër botanistët shumë të njohur arabë kanë qenë, Davud al-Antaki dhe Abdel-latif al-Bagdadi. I pari në veprën e vet "Tazkirat Davut", e cila më shumë ka kuptim farmaceutik dhe mjekësor, ka dhënë shpërndarjen zonale të bimëve, ka folur për vjeljen e bimëve, ka dhënë emrat e bimëve në gjuhen arabe dhe në shumë gjuhë të tjera, ndërsa i dyti ka dhënë pasqyrën detaje mbi florën e Egjiptit. Në mes të tjerash ka përshkruar bananen, palmën, manin, fikun egjiptian, limonin, bostanin, akacien, trangullin, çiçibunin etj. Bima mjekuese ballsamuese, si thotë Al-Bagdadi, gjendet vetëm në rrethinën e Heliopolisti në Egjipt, në një sipërfaqen prej rreth 400 ari. Bima është aromatike. Prej saj përfitohen materiale të ndryshme mjekuese, në rend të parë vaji eterik, i cili përdoret në mjekësi. Abdel-latif al-Bagdadi ka jetuar në kohën e Salahudin-Ejubit. Ka qenë profesor në Universitetin Al-azhar të Kajros dhe në Emevi të Damaskut. Al-Kazvinit me "'Kosmografinë'' e vet po ashtu i takon një vend i dalluar në mesin e botanistëve arabo-islam. Ka përshkruar një numër të pakufishëm të bimëve të lashta, ka folur mbi sjelljen ditore të disa luleve dhe ka treguar interesim të madh për bimët shëruese. Ibn Sejjid në veprën e vet "Al-Muhassis" vëmendje të posaçme i ka kushtuar zhvillimit të botës bimore sipas radhës, duke përshkruar përveç drurit edhe gojushën dhe lloje të ndryshme të barit, ndërsa Al-Idrisi ka përshkruar bimët, të cilat Dioskoridea nuk i ka shënuar në pasqyrën e vet të botës bimore si p.sh. tamarindin, xhenxhefilin, xhenxhefilin kinez, mërsin etj. Al-Idrisi, konsideron se Dioskoridi, ka bërë këtë qëllimisht pasiqë shumica e këtyre bimëve gjendet jashtë zonës bimore të Greqisë. Al-Idrisi ka treguar edhe literaturën me të cilën është shërbyer Dioskoridi. Në mes tjerash ka pasur në dorë veprat e Galenit, Hunjejna ibn Is-hakit, Ibn Gjulgjula dhe Az-Zehravit. Ka shkruar me rendin alfabetik gjatë numrimit dhe komentimit të emrave të disa bimëve në gjuhën arabe, latine, persishte, greke dhe gjuhë të tjera. Gjithashtu me radhitje të njëjtë edhe Al-Daudi, Al-Dejnuri, Al-Gafiku, Al-Kurtubi dhe Ibn as-Suri kanë dhënë pasqyrën e shumë llojeve të bimëve. Në mes tjerash kanë përshkruar: fikun indian, karanfilin, zymbylin etj. Ad-Dejnuri, i njohur si sheik i botanistve arabë, gjatë përshkrimit të bimëve dhe organeve të tyre ka marrë natyrën si burim të parë dhe të vetëm. Ai,i vetmi nga shkencëtarët arabë, ka lënë pas dore anën mjekuese të bimës. Flitet se në përcjelljen e tij ka qenë piktori, i cili ka vizatuar me ngjyra etapat e ndryshme të zhvillimit të bimës. Muhamed ibn Jusuf al-Havarizmi dhe Ad-Daudi kanë përshkruar shumë lloje të bimëve. I pari në veprën e vet "'Mefatihu-l-ulumi'' (çelësat e shkencës) në mes tjerash ka përshkruar edhe këto bimë: zymbylin, gencianën, solanimun, nigrum etj. ndërsa i dyti në veprën e tij "'Neshetu-n-nufusi ma'rifeti-n-nebati ve-l-ahgjari ve-l-eshgjari'' (Libri voluminoz mbi identifikimin e bimëve, gurëve të çmueshëm dhe pemëve (drunjve)), vëmendje të posaçme i ka kushtuar: xhenxhefilit, rrëshirës së pishës etj. Në mesin e botanistëve arabë vend të merituar zë edhe Al-Kurtubi. Ai ka përshkruar me qindra lloje të bimëve. Në mes tjerash ka përfshirë edhe këto: bungun, korianderin, anason (glikanxo), drurin e terpentinës, qepën, gencianën, barin e detit, hashashin, bimët prej familjes së solanacave, ricinusin, mërsina (myrtys), plepin etj. Pa dyshim se bimët shëruese janë lëndë e parë e pazëvendësueshme në prodhimin e barërave,prandaj kanë tërhequr vëmendjen e pjesës dërmuese të botanistëve arabë. Por, shumica prej tyre, krahas bimëve shëruese, kanë studiuar edhe bimët joshëruese. Ata vëmendje të posaçme i kanë kushtuar edhe kultivimit të bimëve, e cila është bukur shumë larg shfrytëzimit të shërueshmërisë së bimëve.

     

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #16 ne: 15-09-2005, 13:39:57
    3. ZOOLOGJIA  

    Shumë shkencëtarë arabë, përveç botës bimore, kanë studiuar edhe botën shtazore. Shumica, duke ndjekur Aristotelin, kanë shkruar vepra me vlerë të përhershme. Në to kanë studiuar jo vetëm kafshët, prodhimet e të cilave kanë aplikim në mjekësi, por edhe ato, prodhimet e të cilave nuk kanë kurrfarë aplikimi në industrinë e barërave. Ibn Sina disa kapituj të veprës së vet të madhe "Ash-Shifa", ia ka kushtuar zoologjisë. Në to ka përshkruar lloje të ndryshme të kafshëve. Prej organizmave ujorë, ka përshkruar shumë lloje të peshqve dhe të bretkocave, si dhe organizma të tjerë, të cilët vazhdimisht jetojnë në ujë ose përkohësisht dhe ato që janë të ngjitur për bazë si shpuzorët, guacat etj. Po ashtu në këtë vepër ka bërë fjalë edhe për eshtërat, venat, arteriet, membranat, lidhjet dej-dej si dhe lëvizjet e dëshiruara dhe mekanike të kafshëve. Ibn Sina, pastaj ka treguar si dhe në ç'mënyrë zhvillohen funksionet e ndryshme te kafshët. Ka shqyrtuar se si tretet ushqimi, frymarrjen e organizmit, si bëhet qarkullimi i gjakut, si dhe në ç'mënyrë bëhet shumëzimi i disa kafshëve etj. Ka dhënë përshkrimin e shumë grupeve të kafshëve: zogjve, peshqve, rrëshqitësve, amfibeve dhe sisorëve. Pa dyshim se Ibn Sina, si dhe shumë shkencëtarë arabë kanë studiuar strukturën e organizmave me anë të prerjes. Vetëm në këtë mënyrë ka mundur të përshkruaj muskujt e lëmuar të lukthit, të cilët bëjnë tretjen e ushqimit. Gjithashtu shumë botanistë si Ibn el-Bejtar, Davud el-Antaki etj. përveç botës bimore kanë studiuar edhe botën shtazore. Al-Bagdadi vëmendje të posaçme i ka kushtuar botës shtazore të Egjiptit. Në mes tjerash gjërësisht ka bërë fjalë për peshqit, zogjtë, breshkat dhe kuajt e Nilit, ndërsa Al-Kazvini në ''Kozmografi'', në bazë të organeve të lëvizjes ka bërë klasifikimin e kafshëve. Botën shtazore sipas mënyrës së lëvizjes e ka ndarë në grupe dhe këtë përsëri në bazë të njëjtë në nëngrupe. Al-Kazvini ka folur edhe për mbledhjen e ushqimit dhe përgatitjen e tëmotjeve, pastaj për bletët dhe eksperiencën e tyre gjeometrike në bërjen e gjashtëkëndëshit këndëdrejtë, të cilin ndonjëherë nuk mund ta vizatojë as matematicienti më i mirë. Në ''Kozmografi''Al-Kazvini ka përshkruar disa qindra lloje të kafshëve. Ibn Sejjid në disa kapituj të veprës së vet të madhe "Al-Muhassis" ka njoftuar për shumë veçori dhe cilësi të kalit, deves, dashit, sqapit, qenit, zogut, bletës, merimangës, thneglës dhe kafshëve të tjera. Posaçërisht i ka kushtuar vëmendje dhe, në mënyrë precize, ka përshkruar disa organe te kafshët, që është shumë me rëndësi për ata që merren me morfologji, shkencën e cila studion formën dhe ndërtimin e organeve, ndërsa Al-Xhahiz në ''Zoologjinë''e vet, e cila përfshin shtatë kapituj, botën shtazore ka ndarë në tri grupe: 1 rrëshqitësit 2. peshqit 3. amfibët, zogjtë dhe sisorët. Këtë sistematizim ai e ka bërë në bazë të organeve për lëvizje. Grupin e fundit e ka ndarë në katër nëngrupe: njeriu, kafshët shtëpiake, egërsirat dhe insektet. Duke folur për sisorët Al-Xhahiz ka njoftuar edhe për delfinët dhe balenat, banorë të përhershëm të detit, të cilët edhe pse jetojnë në ujë prapë i takojnë sisorëve. Përveç kësaj Al-Xhahiz, botën shtazore e ka klasifikuar në bazë të organeve të zërit: njeriu dhe kafshët. Njeriu shërbehet me të folurit e artikuluar dhe shqipton fjalët sipas rrokjeve, ndërsa te kafshët është e kundërta. Ato, formojnë tinguj të ndryshëm të paartikulluar si p.sh. cicërimë, lehje, blegërimë, hingëllimë, pallje, ulurimë etj. Në disa pjesë të librit Al-Xhahiz ka folur mbi përdorimin e dhëmbëvë te sisorët, ndërsa te të tjerët mbi formimin e mëlqisë dhe zhvillimin e embrionit te zogjtë, ndërsa në pjesën e tretë të librit hollësisht ka treguar gjithçka për pëllumbin e egër, i cili është, si thotë, shumë interesant si nga mënyra e ndërtimit të çerdhes po ashtu edhe nga aspekti i rritjes së zogjve të vet. Ka folur edhe për sëmundjen e pëllumbit të egër dhe për mënyrën e shërimit, pastaj ka vazhduar ekspozimin e vet për mizat, fluturën, petritin, pupëzën, thneglën, grerëzin etj, dhe në pjesën e katërt prap ka folur për thneglën, majmunin, derrin, gjarpërin, petritin, minin kërcyes egjiptian, karakalecin dhe perkën. Al-Xhahizi ka studiuar edhe strukturën e organizimit me prerje. Ai ka bërë eksperimete me kafshë. Disa kafshëve u ka dhënë të pijnë alkool që të konstatojë se çfarë ndikimi ka alkooli në organizmin e kafshës, ndërsa të tjerët i ka vendosur nën enën e qelqit që të mund të vëzhgojë dhe të konstatojë sjelljen e tyre. Përveç Al-Xhahizit edhe Ad-Dumejri ka qenë zoolog i madh. Me rend alfabetik ka numëruar dhe ka përshkruar disa kafshë. Mendimin e vet e ka forcuar me shumë hadithe dhe me shumë tekste poezie paraislame arabe. Ka përshkruar: luanin, deven, lepurin, ngjalën, patën, fajkonin, laradashin, pleshtin, gomarin, lopën, hitin, krokodilin dhe qindra kafshë të tjera. Ai në këtë pasqyrë të botës shtazore ka pasur në dorë veprat e zoologëve grekë dhe arabë; Aristotelit, Al-Xhahizit, Ibn Sejjidit, Al-Kazvinit etj. Ad-Dumejri si edhe shumë shkencëtarë arabë për shkak të shkrimit encikolopedik në një pjesë të librit kanë përfshirë: zogjtë, peshqit, insektet dhe rrëshqitësit, e me këtë edhe shpërndarjen zonale të kafshëve, pastaj poezinë dhe letërsinë, me çka kanë bërë veprën vëllimore, të dobishme dhe njëkohësisht të lehtë për lexim.

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #17 ne: 19-09-2005, 04:47:51
    4. FARMAKOLOGJIA

    Thamë se farmakologjia si dhe botanika nuk janë studiuar si shkenca të veçanta, por janë studiuar në kuadër të mjekësisë. Poashtu theksuam se gati të gjithë shkencëtarët arabë, të cilët kanë shkruar në këta lëmenj, këto dy disiplina shkencore i kanë futur në shërbim të mjekësisë. Ibn Sina disa pjesë të veprës së vet të madhe "Kanoni i Mjekësisë" i ka kushtuar farmacisë. Në to detajisht ka përshkruar shumë bimë shëruese dhe minerale prej të cilave prodhohen barëra dhe droga të ndryshme. Gjithashtu edhe Al-Bejruni, Ibn al-Hejsem, Sabit ibn Kura, Ar-Razi dhe shkencëtarë të tjerë arabë kanë shkruar vepra të mëdha dhe shumë të rëndësishme nga kjo lami. Ar-Bejruni si dhe Ar-Razi kanë shkruar veprën me titull: "Farmacia", ndërsa Ibn al-Hejsem "Librin e mjekësisë". Ibn al-Bejtari në veprën e vet "Doracak për drogat" ka treguar si dhe në ç'mënyrë, me përpunimin e lëndës së parë bimore, shtazore dhe të mineraleve, mund të përfitojmë barin. Ai në tërësi ka përvetësuar të arriturat e grekëve të vjetër nga lëmi i farmacisë, biologjisë dhe të mineralogjisë. Në dorë ka pasur "Anatominë" e Galenit dhe "Florën" e Dioskoridit. Në veprën "Doracaku mbi drogat" Ibn al-Bejtari ka folur për përdorimin e barit, ndikimin e dobishëm dhe të dëmshëm, ka treguar në lloje të ndryshme të bimëve, me përpunimin e të cilëve përfitohen vajrat e ndryshme eterike dhe yndyrërat si p.sh. trëndafili, pelini, bathra e verdhë ose e bardhë etj. Davud al Antaki, në veprën "Tezkiret", vëmendje të veçantë i ka kushtuar sezonit të vjeljes së bimëve, mënyrës së ruajtjes dhe të shpërndarjes zonale të botës bimore, ndërsa Ibn an-Nefis gjatë shërimit të sëmundjeve të ndryshme më shumë është mbështetur në rregullimin e ushqimit të të sëmurit se sa në përdorimin e barërave për ç'arsye, në një masë të madhe, është bojkotuar nga ana e farmaceutëve arabë. Mirëpo, përveç kësaj Ibn an-Nefis disa pjesë të veprës së vet të madhe ia ka kushtuar farmacisë. Al-Idrisi në "Botanikën" e vet ka përshkruar shumë lloje të bimëve shëruese dhe të bimëve të tjera. Ai në këtë pasqyrim të botës bimore ka pasur në dorë veprat e botanistëve grekë dhe arabë: Dioskoridit, Galenit, Hunejin ibn Is-hakut, Ibn Shizuanit, Ibn Xhulxhulit, Az-Zahravit etj. Muhamed ibn Jusuf al-Havarizmi dhe Abdurrahman ad-Dauni kanë qenë farmacistë të mëdhenj. I pari në veprën e vet "Miftahu-l-ulumi", përveç analizës detaje të sëmundjes ka shkruar edhe për barërat e thjeshta dhe të përbëra, të cilat prodhohen prej bimëve shëruese dhe mineraleve të ndryshme si p.sh. mastika, zymbyli, xhenxhefili, citrat, fosforin, ekstraktet bimore, qumështin dhe rrëshira të ndryshme, ndërsa i dyti në veprën "Nuz-hetu-n-nufusi ve-l-efkari fima'rifeti-n-nebati", përveç përshkrimit të zanafillës së dytë të bimëve dhe të mineraleve ka përshkruar edhe mundësinë e aplikimit të tyre në mjekësi, ka folur për përbërjen dhe përgatitjen e helmeve, verës, ekstrakteve të vajit dhe të yndyrës. Në mes të farmacistve të njohur arabë është edhe Al-Kurtubi. Ai në veprën "Interpretimi i emrave" ka shpjeguar se si dhe në ç'mënyrë mund të përfitojmë barërat me përpunimin e lëndës së parë bimore, shtazore dhe mineraleve. Prej bimëve shëruese, prodhimet e të cilëvë përdoren si lëndë e parë në prodhimin e barërave, ka cekur këto: hashashin, fierin, vruvën, prej mineraleve boraksin, sulfatin e bakrit, cinobrin, acidin squfurik të murmë, ndërsa prej kafshëve varonin dhe disa të tjerë.  

    • Postime: 1122
    • Karma: +6/-0
    • Gjinia: Mashkull

    #18 ne: 20-09-2005, 13:16:24
    5. MINEROLOGJIA DHE GJEOLOGJIA  

    Mineralet dhe minerologjia si shkencë kanë tërhequr një numër të madh të shkencëtarëve arabë. Shkencëtarët arabë kanë pranuar teorinë greke sipas së cilës tërë bota është ndërtuar prej katër elementeve: ajrit, ujit, dheut dhe zjarrit. Grekët kanë menduar se me kombinimin e shkathtë të këtyre elementeve mund të përfitohet çdo materie që dëshirojmë. Ky mendim ka tërhequr shumë shkencëtarë arabë të kërkojnë "gurin e diturisë" me të cilën metalet jo fisnik do të shndërronin në argjend dhe ari. Por shumica prej tyre kanë konsideruar si endje të pafrytshme dhe humbje të kohës. Në këtë periudhë të alkimisë një numër i madh i shkencëtarëve arabë, është marrë me kimi mjekuese. Ata kanë studiuar mundësinë e përdorimit të mineraleve kundër sëmundjeve të ndryshme. Vend të merituar në mes të arabëve ijatrokimist (kimia mjekuese) kanë qenë Ibn al-Bejruni dhe Davud al-Antaki. Ndërsa në mesin e minerologve arabë Al-Bejruni ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga kjo lëmi. Shumica e numërojnë në gjeologët më të mëdhenj dhe konsidërojnë se është e pamundur të shkruhet nga kjo lëmi e mos të theksohet kontributi i tij në zhvillimin e kësaj disipline shkencore. Al-Bejruni si dhe Al-Hejsemi kanë caktuar peshën specifike të shumë metaleve, ndërsa Al-Kazvini detajisht ka folur mbi gurët e çmueshëm: diamantin, rubinin, zymrytin etj., pastaj mbi arin, argjendin, bronzën, hekurin, plumbin dhe përpunimin e tyre, mbi naftën, fosforin dhe minerale të tjera dhe lëndët e para në tokë. Shumica e shkencëtarëvë arabë, përveç minerologjisë kanë studiuar edhe gemologjinë, petrografinë, oqeanografinë, litosferën dhe degët të tjera të gjeologjisë. Utarid ibn Muhamed al-Hasib është, siç thotë Sarton, shkencëtari i parë në gjirin e arabëve, i cili ka shkruar veprën nga lëmi i gemologjisë me titull "El-Xhevahiru ve-l-ehxharu" (Gurët e çmueshëm), e pas tij vend të merituar zënë edhe Al-Kindi, Al-Bejruni dhe At-Tifasi. Ndër shkencëtarët arabë, të cilët kanë studiuar mbështjellësin e fortë të tokës, vend të merituar zë edhe Ibn Sina. Ai ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga kjo lëmi. Në to ka analizuar përbërjen, ndërtimin dhe zanafillën e litosferës. Ka treguar mbi ndikimin reciprok të forcave të brendshme dhe të jashtme në mbulesën e fortë të Tokës. Ndikimi i forcave të brendshme sipas tij shfaqet në lëvizjen e korës së tokës, aktivitetit të vullkaneve dhe termeteve. Në mesin e shkencëtarëve të njohur arabë, të cilët kanë studiuar relievin e tokës, zanafillën dhe zhvillimin e tij është Al-Mes'udi. Ai, si edhe Ibn Sina, ka treguar në forcat e brendshme dhe të jashtme, të cilat me ndikimin reciprok formojnë relievin e sipërfaqes së tokës. Al-Mes'udi ka folur mbi qarkullimin e ujit në natyrë, mbi rrjedhjen e ujërave dhe fundërimin e kripës në det. Duke studiuar zhvillimin gjeologjik të korës së tokës Ibn Sina, Al-Bejruni, Al-Mazini, Al-Gafiki dhe shkencëtarët të tjerë arabë, kanë treguar edhe në gurëzimin e mbeturinave të bimëve dhe të shtazëve në shkëmbinjt e litosferës. Në veprën e vet të madhe "Esh-Shifa" Ibn Sina thotë se Toka në të kaluarën e largët të saj ka qenë e pabanuar. Në kohën më të lashtë të saj nuk ka shenja jete, ndërsa më vonë në shkëmbinjt e saj hasim në shumë mbeturina të gurëzuara të bimëve dhe të kafshëve. Arabët dhe myslimanët qysh gjatë shekullit mesjetar, thotë Sarton, kanë pasur pasqyrë të qartë mbi evolucionin, zanafillën dhe zhvillimin e jetës. Ibn Maskavejh, Al-Kazvini, Ibn Haldun, Ihvan as-Saffa dhe shkencëtarët tjerë arabë kanë pohuar se materiet mineralore janë bazë e jetës në tokë. Nga materiet minerale, me anë të evolucionit kanë zënë fill bimët, prej bimëve kafshët, ndërsa sipas mendimit të disave, paraardhës i njeriut të sotëm ka qenë majmuni. Shkencëtarët arabë gjithashtu kanë shkruar numër të madh veprash nga hartografia. Hartografinë më së shumti e kanë studiuar për shkak të caktimit të lokacioneve të ndonjë vendi, drejtimin e Kibles dhe meridianin fillestar. Përveç Al-Havarizmit hartograf të njohur kanë qenë: Al-Magdisi, Al-Ilstahir dhe Al-Belhi. Ata kanë hartuar shumë harta gjeografike.  

     

    Emri:

    Email:
    Verifikimi:
    Flamuri yne ka ngjyre?: