Albin Kurti: Shqiptar zgjohuni! Kadareja: Heshtni se zemërohen serbët! - Tema Interesante

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Albin Kurti: Shqiptar zgjohuni! Kadareja: Heshtni se zemërohen serbët!

Albin Kurti: Shqiptar zgjohuni! Kadareja: Heshtni se zemërohen serbët!

· 7 · 349

  • Postime: 5
  • Karma: +0/-0

ne: 19-05-2006, 08:38:35
Albin Kurti: Shqiptar zgjohunu!
Ismail Kadare: Heshtni se zemërohen serbët!


Në emisionin "Shqip" të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar më 25 mars nga Prishtina, nga studioja e TV "Koha Vizion" dhe e TV "Top Channel", analisti Albin Kurti theksoi me shumë të drejtë se në Kosovë kupa ishte mbushur nga serbët dhe nga përkëdheljet e UNMIK-ut për këta të fundit, prandaj mjaftoi edhe një pikë e vetme – vrasja e tre fëmijëve të pafajshëm shqiptarë në Mitrovicë – që ajo të derdhej. Kurse sipas Kadaresë, populli shqiptar i Kosovës u dashka të durojë ende, të shtrojë kurrizin, për ndryshe çdo protestë e tij në mbrojtje te dinjitetit të vet kombëtar na u vlerësoka prej tij si kurth i ngritur nga Beogradi, si "lojë e serbëve" dhe si pabesi ndaj UNMIK-ut.

Sipas Kadaresë, na del se kur Beogradi dhe Shkupi marrin vendim për copëtim trojesh nga territori i Kosovës, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur parlamenti i Kosovës hedh poshtë vendimin e Beogradit dhe të Shkupit me një vendim të posaçëm të tij, dhe kryeadministratori i OKB-së për Kosovën e zhvlerëson atë menjëherë, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur klasa politike në Kosovë hesht në mënyrën më të padenjë për zhvlerësimin e këtij vendimi, populli shqiptar i Kosovës u dashka të rrijë urtë,` se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur parlamenti i Kosovës merr vendime të ndryshme dhe kryeadministratori i OKB-së i zhvlerëson sa pa u tharë mirë boja në to, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur klasa politike në Kosovë, ashtu si edhe në Tiranë, është zhveshur tërësisht nga dinjiteti kombëtar, tërhiqet zvarrë para UNMIK-ut dhe poshtëërohet para serbëve, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve dhe mund të na dalka i pabesë para UNMIK-ut!

Po UNMIK-u vetë a ka besë në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që edhe ky të dijë t'ia respektojë?

Kur parlamenti i Unionit Serbi dhe Mali i Zi merr vendim që në kushtetutën e tij Kosova t'u konsideroka pjesë e Serbisë, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur diplomacia ndërkombëtare shtiret shurdhmemece para vendimit të sipërpërmendur, çka do të thotë se edhe ajo, me heshtjen e saj djallëzore, Kosovën, në perspektivë, e konsideron pjesë të Serbisë, edhe në këtë rast populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur, me urdhër të interpolit serb, ndalohet nëpër aerodrome të huaja gjeneral Agim çeku, simboli i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës,populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur klasa politike në Kosovë, siç theksoi me shumë të drejtë analisti Albin Kurti në emisionin e sipërpërmendur të Rudina Xhungës, i ka braktisur interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe, ashtu si edhe klasa politike e Tiranës, shikon vetëm interesat e veta meskine, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve!

Kur klasa politike në Kosovë, pas braktisjes së interesave kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, sot është pajtuar me rolin e një figuranteje të neveritshme të UNMIK-ut dhe të një dekori të shëmtuar të tij, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë,se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur kishat dhe manastiret serbe shndërrohen në strehimore, në vatra kriminale të banditëve serbë, siç u kallëzonte në shtator të vitit 1999 ca gazetarëve ukrainas katërmbëdhjetëvjeça ri Kreshnik Hoti, ish-nxënës i shkollës 8-vjeçare "Azem Galica" të Pejës, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur nëpër kishat serbe zbulohen eshtra të shqiptarëve të masakruar nga barbaria serbe, siç u bë e ditur nga korrespondenti i kanalit TV "Top Channel" nga Prizreni, dy ditë pas ngjarjeve te 17-18 marsit, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur klasa politike e Kosovës,si servile e pështirë e diplomacisë ndërkombëtare, pranon si pulë e lagur të ulet në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e  shtetit-kriminel serb, pa vënë si parakusht të dorës së parë që Serbia,zyrtarisht, të kërkojë falje publike për krimet e kryera në Kosovë dhe mandej të nënshkruajë një marrëveshje me UNMIK-un për dëmshpërblimet e luftës dhe mbulimin nga ana e saj të të gjitha shpenzimeve për riparimin dhe ndërtimin e të gjitha shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në Kosovë, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur trupat franceze të KFOR-it marrin haptazi anën e serbëve në Mitrovicë, keqtrajtojnë shqiptarët dhe e bëjnë fakt të kryer ndarjen e saj, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve!

Është faji i vetë popullit shqiptar të Kosovës dhe i figurave të tij nacionaliste, që nuk u ngritën peshë më këmbë, që nga Kaçaniku e Dardani e deri në Pejë, që nga Gjakova e Prizreni e deri ne Prishtinë e Podujevë dhe, si një ortek i papërmbajtur, të turreshin drejt Mitrovicës dhe t'u vinin drunë trupave franceze, të cilat, me misionin që kanë marrë përsipër në kuadrin e KFOR-it, po luajnë jo rolin e paqruajtësve, por rolin e pastër të pushtuesve të urryer, ashtu si dikur trupat pushtuese të shovinistëve serbomëdhenj, dhe paskëtaj të kërkonin vendosjen atje të trupave të një tjetër shteti, në mënyrë që të rivendosnin qetësinë dhe të bënin ripajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, ashtu siç kanë vepruar me mjaft objektivitet trupat e KFOR-it amerikan,anglez, gjerman, italian etj.

Kur diplomacia ndërkombëtare kërkon plotësim standartesh para diskutimit të statusit, çka do të thotë se kërkon ta lodhë popullin,ta mbajë varur, ta mërzisë, në mënyrë që ky të bjerë pre edhe e propagandës së një pjesë të inteligjencies kozmopolite të Tiranës dhe të Prishtinës, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur serbët e Kosovës, nga bashkëpunëtorë të ngushtë të kriminelëve të Beogradit në krimet e kryera prej këtyre të fundit në radhët e popullsisë shqiptare para 12 qershorit 1999, tash pesë vjet vijnë e shndërrohen në ledhatarë të UNMIK-ut dhe në vrasës fëmijësh të pafajshëm kosovarë, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur kryeministri Bajram Rexhepi del para publikut si një qaraman i vërtetë, duke na paralajmëruar për rrezikun e ndarjes së Kosovës nëse vazhdokan përndjekjet e banorëve shqiptarë nga veriu i Mitrovicës ("Shekulli", 20 mars 2004, f.4), populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve. Kur Nebojsha çoviç hyn e del kur t'i teket në Kosovë, sikur të ishte me të vërtetë ndonjë guvernator ushtarak i carizmit rus, populli shqiptar i Kosovës u dashka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve! Kur populli shqiptar i Kosovës kërkon të dijë nga UNMIK-u se ç'është bërë me fatin e të zhdukurve para 12 qershorit dhe ngrihet në protesta për të zbuluar të vërtetën deri në fund, atij iu rekomandoka të heshtë, se për ndryshe mund të bëka lojën e serbëve. Ndërkohë, Naim Zeqiri vazhdon informacionin e tij nga Kosova për UNMIK-un, ku thotë se ky i fundit "... për një serb të plagosur nuk ngurron të dënojë gjithë procesin e paqes në Kosovë. Këto paradokse kanë sjellë te këto trazira që për mua janë plotësisht të përligjura. Nuk kishte mbetur rrugë tjetër dhe nëse UNMIK-u vazhdon me avazin e vjetër, protestat edhe më tutje do të vazhdojnë" (po aty, f.12).
« Editimi i fundit: 23-05-2006, 07:34:28 nga Bekimi »

  • Postime: 5
  • Karma: +0/-0

#1 ne: 19-05-2006, 08:44:55
Vetverbimi i Kadaresë shqiptarët i fut vetëm në qorrsokak

Dyshimet për masakrën e Prekazit po i dëgjoj për herë të dytë. Njëherë në vitin 1999 nga një delegacion i Dumës Shtetërore të Asamblesë Federale të Federatës Ruse, e tani, pas pesë vjetësh, nga Kadarea - ndalet në moszbardhjen e asaj ngjarjeje aq tragjike në Prekaz! Kush mund ta zbardhte përfundimisht atë kasaphanë të vërtetë, kur dihet që paskëtaj pushtuesit serbë i përzunë tërësisht të gjithë të huajt nga territori i Kosovës?


Në intervistën, dhënë Pietro del Giudice, Kadare i përgjigjet kësisoj pyetjes për arsyen e shpërthimit të revoltave në mbarë Kosovën; "Nuk e di, nuk kam lajme të sigurta mbi historinë e fëmijëve të mbytur e të qenve që iu ndërsyen nga prapa. Më duket një ngjarje jo fort e ndriçuar" ("Shekulli", 23 mars 2004, f,5). Ndërsa Naim Zeqiri deklaron: "Megjithëse ishte në dijeni të plotë të rrethanave, UNMIK-u, përkundër deklaratës së dëshmitarit që kishte qenë edhe protagonist i ngjarjes, pohoi se "nuk i dinte motivet e mbytjes së fëmijëve"" (po aty, f.12).

E vërteta tragjike për vrasjen e tre fëmijëve shqiptarë në Mitrovicë mbetet e pandriçuar për Kadarenë, se është larg vendngjarjes, në Paris. Por kjo e vërtetë tragjike, çuditërisht, mbetet e pandriçuar edhe për UNMIK-un, paçka se diku pranë vendit të ngjarjes ndodheshin trupat franceze të KFOR-it, të cilat mbytjen e fëmijëve shqiptarë e kanë mbuluar me një hije misteri. Kush na siguron se kriminelët serbë, të strehuar matanë Urës së Ibrit, nuk e kanë organizuar atë skenën e ndjekjes së fëmijëve shqiptarë me qen nga pas, në bashkëpunim edhe me ushtarët francezë të KFOR-it, skenë, të cilën këta të fundit edhe mund ta kenë filmuar enkas për kënaqësinë e tyre të mëvonshme, për ta pasur si kujtim në pleqëri nga koha e qëndrimit në Kosovë? A na siguron kush se mund të mos ketë ndodhur kështu me të vërtetë? A nuk patën vepruar kësisoj në Kosovë edhe ca ushtarë norvegjezë të KFOR-t, të cilët vrisnin jo fëmijë, por qen të braktisur, duke i filmuar me një kamerë amatore për t'u kënaqur në kohën e lirë – ca skena këto të poshtra, që u transmetuan edhe nga disa kanale TV të Tiranës?

Po në atë intervistë Kadarea shprehet edhe për ngjarjen e Prekazit: "Edhe ploja e Prekazit në vitin 1999, e cila është në origjinë të zhvillimeve të mëtejshme, nuk është zbardhur kurrë" (po aty). Asokohe në Prekaz e në mbarë Kosovën vetëm serbët ishin ata që sundonin me dorë të hekurt. Masakra e Prekazit kujt tjetër mund t'i faturohet, përveç se kriminelëve serbë? Dyshimi për këtë masakër me siguri që duhet të jetë gatuar fillimisht nëpër skutat e diplomacisë serbe dhe ruse dhe prej andej mundet që të jetë përcjellë edhe nëpër zgëqet e diplomacisë franceze. Dyshimet për masakrën e Prekazit po i dëgjoj për herë të dytë. Për herë të parë i kam dëgjuar këtu e pesë vjet të shkuara. Dhe ja se ku:

Ca kohë pas asaj masakre të tmerrshme në Prekaz, ku u gjetën të therur fëmijë, gra, pleq dhe plaka të pafajshme, në Shqipëri erdhi për një vizitë dyditore (17-19 mars 1999) një delegacion i Dumës Shtetërore të Asamblesë Federale të Federatës Ruse, i kryesuar nga zëvendëskryetari i saj, anëtari i grupit të deputetëve "Pushteti Popullor", Sergej Baburini. Në atë vizitë delegacioni rus kishte si qëllim të ushtronte ndikim mbi strukturat kryesore të shtetit shqiptar (parlament, president, qeveri), në mënyrë që ato t'i kundërviheshin nismës së NATO-s, kryesisht asaj të SHBA-së dhe të Anglisë, për të hequr dorë nga fillimi i bombardimeve kundër Serbisë.

Në takimin e delegacionit rus me Komisionin e Jashtëm të parlamentit tonë, Sergej Baburini kaloi edhe më tej në dyshimet e tij për masakrën e Prekazit, duke akuzuar vetë shqiptarët për kryerjen e saj, në mënyrë që këta të fitonin kapital politik në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe të nxitej edhe më shumë fillimi i bombardimeve kundër Serbisë! Hamendjet e tij të çartura Baburini i përforcoi me një ngjarje analoge në çeçeni, ku krimet e trupave pushtuese ruse ua faturonte vetë vendasve, të cilët, sipas tij, mundoheshin të demaskonin politikën ruse në republikën kaukaziane. Në atë takim, ku merrja pjesë si përkthyes i delegacionit rus, zoti Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Jashtëm, shprehu thjeshtë habinë e tij për akuzën e pabazë të Baburinit. Dhe vetëm kaq! Dhe askush nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Jashtëm nuk e hapi gojën që të protestonte kundër provokimit të rëndë të Baburinit, pa le pastaj që të kërkonte edhe ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve. Tani, pas pesë vjetësh, nuk e di pse Kadarea ndalet në moszbardhjen e asaj ngjarjeje aq tragjike në Prekaz! Kush mund ta zbardhte përfundimisht atë kasaphanë të vërtetë, kur dihet që paskëtaj pushtuesit serbë i përzunë tërësisht të gjithë të huajt nga territori i Kosovës?

  • Postime: 5
  • Karma: +0/-0

#2 ne: 19-05-2006, 08:49:22
Mania e Kadaresë për të futur shqiptarët në thesin e mëkatarëve ballkanas.

Në intervistën e tij për Pietro del Giudice Kadarea thotë: "Njoh të gjitha të metat e ballkanasve, njoh të gjithë të keqen që kanë prodhuar, të gjitha idiotësitë e çmenduritë e tyre" (po aty).


Kësisoj, Kadarea i fut në një thes të gjithë popujt e Ballkanit, i mat me të njëjtin kut, çka, për mendimin tim, nuk është aspak e drejtë. Shqiptarët nuk mund të futen në një thes me sllavët dhe me grekët, të cilët kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë një urrejtje patologjike ndaj tyre. Sllavët dhe grekët, sidomos pas vendosjes në themel të politikës së tyre shoviniste, përkatësisht të Naçertanie-s dhe të Megali-Ide-së, kanë pasur si të vetmin qëllim copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të cilin arritën ta realizojnë me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Evropës, që nga Kongresi i Berlinit deri në Konferencën e Londrës. Krimet, djallëzitë, çmenduritë janë tipare që karakterizojnë vetëm sllavët dhe grekët në qëndrimin ndaj kombit shqiptar.

Shqiptarët kanë qenë dhe janë përgjithësisht paqësor, mikpritës, të ndershëm, të besës, të drejtë dhe kurrën e kurrës nuk u kanë rënë në qafë fqinjëve të tyre. Kombi shqiptar gjithmonë ka dëshiruar, dhe vazhdon të dëshirojë edhe sot, që me fqinjët të ketë paqe dhe qetësi, por me kusht që gjithsekush të jetojë në trojet e veta. Kurse fqinjët tanë sllavo-grekë kurrë nuk e kanë lënë dhe vazhdojnë të mos e lënë të qetë kombin shqiptar. Ata nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të sabotuar zhvillimin ekonomik të popullit shqiptar. Dhe rolin më të poshtëër për nxitjen e këtij sabotimi sot po e luan si Serbia, ashtu edhe Greqia Vetë serbët e Kosovës, si racistë të kulluar që janë, s'duan të bashkëjetojnë me popullin shqiptar të Kosovës, se kanë gati një shekull që dinë të luajnë mirë vetëm rolin e sundimtarit. Dhe tani na kërkojnë ose ndarjen e Kosovës, ose autonomi për çdo fshat e qendër banimi serbe,të cilat janë shpërndarë në mbarë krahinën një këtu dhe një atje,tamam si qimet e qerosit.

Shikoni ç'bëjnë grekët në Shqipërinë e Jugut! Kishte më shumë se një muaj që qarkullonte dorë më dorë dokumenti i botuar në gazetën "Albania" të datës 4 prill, në të cilin paraqiteshin gjashtë porositë e një armiku me damkë të kombit shqiptar, Nikolas Geixh, për helenizimin e Sarandës. Ky dokument më pat rënë edhe mua në dorë më datën 31 mars. Ma pat dhënë një nacionalist nga Shqipëria e Jugut. Mendova t'ia çoja zotit Baleta për ta botuar në gazetën e respektuar "Rimëkëmbja", por ai nacionalisti nga jugu (nga Saranda) më tha se do të botohej së shpejti në një të përditshme. Nacionalistët e shkretë veç "Rimëkëmbjen" e përjavshme kanë në dispozicion. S'kanë tjetër mjet propagande për të përhapur me shpejtësi pikëpamjet e tyre nacionaliste.

Por pa u tharë mirë boja mbi faqet e gazetës "Albania", deputeti demokristian, Nikollë Lesi, më datën 5 prill, deklaron në sallën e parlamentit se i paskësh rënë në dorë letra që ambasadori grek në Tiranë i ka dërguar zëvendësministrit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Luan Hajdaragës, në të cilën kërcënon hapur, se në qoftë se parlamenti shqiptar miraton Rezolutën për çamërinë, atëherë të 500 mijë emigrantët shqiptarë në Greqi shteti grek do t'i dëbojë për në Shqipëri! Rezultuan me të vërtetë profetike fjalët e Baletës, i cili që në vitet '90-të pat deklaruar se emigrantët shqiptarë Greqia ka për t'i përdorur tamam si një çengel për të rrezikuar sa herë të dojë pavarësinë e Shqipërisë. Ja rezultati: Parlamenti shqiptar braktis Rezolutën për çamërinë dhe poshtëëron veten para presionit grek. Partia Socialiste del para opinionit publik, ashtu si edhe etërit e saj, si tradhtare e vendit dhe e interesave mbarëkombëtare, bashkë me kryetarin e opozitës, Sali Berishën, aleatin e PBDNJ-së për Himarën, i cili nuk gjeti kohë të ishte i pranishëm kur po diskutohej Rezoluta në fjalë!

Shikoni deri në ç'derexhe e ka katandisur veten klasa politike shqiptare! Nuk mjafton që Shqipërinë e ka kthyer pothuajse në një koloni të Greqisë, por edhe vetë është zhveshur tërësisht nga çdolloj dinjiteti kombëtar. Në Kosovë është Nebojsha çoviç ai që sillet si një guvernator i vërtetë, në Tiranë paskemi guvernator ambasadorin grek që kërcënon parlamentin shqiptar se për çfarë duhet të vendosë dhe si duhet të vendosë, kurse në Shqipërinë e Jugut Nikolas Geixh bën pelegrinazhe kur t'i teket dhe ku t'i teket dhe bën thirrje të hapur për copëtimin perspektiv të territorit shqiptar! Atëherë çfarë duhet të bëjë populli shqiptar në një rast të tillë? Të vazhdojë të ndjekë qerren e tradhtisë së klasës politike shqiptare, që gjakosi egërsisht demonstruesit çamë para parlamentit, të cilët po kërkonin aprovimin e Rezolutës për çamërinë, apo të ngrihet më këmbë dhe të marrë situatën në dorë? Kadarea, me siguri, e ka të qartë, se sa më shumë Kosova i afrohet pavarësisë, aq më shumë Greqia zë e i afrohet Shqipërisë së Jugut. Në këto kushte, a nuk ka rrezik që nesër në jug të Shqipërisë të shpërthejë një revoltë e fuqishme kundër kolonizimit grek, kundër monopoleve dhe bizneseve greke që po i zënë frymën biznesit vendës, revoltë kjo, e cila shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit? A thua se Kadarea mund t'i qortojë paskëtaj shqiptarët e jugut të Shqipërisë, sidomos gjirokastritët dhe sarandiotët e ndershëm, se ata po bëkan lojën e grekëve?

  • Postime: 5
  • Karma: +0/-0

#3 ne: 19-05-2006, 08:53:16
Kadareja i gatshëm të ujdiset me "realpolitikën e Koshtunicës".


Kur gazetari Pietro del Giudice e pyet Kadarenë se ç'mendon për ndarjen e Kosovës, ky i përgjigjet: "Ndarja e Kosovës më duket një hipotezë kobzezë, por nëse nuk mbetet asgjë tjetër për të bërë..."

Kësisoj, duke e lënë mendimin havadan, Kadarea lë të nënkuptohet se Kosova mund të ndahet, në pamundësi të gjetjes së një alternative tjetër! Kur një politikan shqiptar, si kryeministri Bajram Rexhepi,e lëshon zemra dhe zë e qaravitet për rrezikun e ndarjes së Kosovës,unë nuk habitem, se te ne politikanët shqiptarë, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, janë të zhveshur nga dinjiteti kombëtar. Por kur ndarjen e Kosovës e shikoka si alternativë ekstreme edhe një shkrimtar i madh, si Kadarea, atëherë keqardhja ta pushton qenien tënde cep më cep.

Për mendimin tim, Kosova mund t'i vërë në kandar të gjitha alternativat, ama alternativën e ndarjes ajo duhet ta mbajë sa më larg vetes, sikur ajo të ishte murtaja vetë. Po u pranua kjo alternativë, do të thotë që Kosova t'i nënshtrohet vullnetit të minoritetit serb, i cili nuk do dhe nuk është i aftë të bashkëjetojë me popullin shqiptar të Kosovës. Ndërsa Kosova duhet,domosdoshmërisht, të diktojë vullnetin e shumicës dhe të vazhdojë të japë prova, ashtu siç ka dhënë gjithmonë, se për të kanë qenë dhe janë të huaja afshet e racizmit dhe të shovinizmit. Mitrovica është truri dhe zemra e Kosovës. Pa të Kosova mbetet thjeshtë një kufomë mbi dhe.

Nëse Beogradi vazhdon të këmbëngulë për ndarjen e Kosovës,atëherë mbarë populli kosovar, me në krye nacionalistët kosovarë,duhet të kërkojë përshpejtimin e procesit për krijimin e Shqipërise Etnike, siç theksoi me shumë të drejtë zoti Albin Kurti dhe zonja Edita Tahiri në emisionin e sipërpërmendur "Shqip" të Rudina Xhungës. Veçse në atë emision, personi i tretë, i ftuar në të nga Rudina Xhunga, zoti Migjen Kelmendi, zbuloi mjerimin e vet intelektual kur gazetarja pyeti se ç'mendonin të ftuarit për "Shqipërinë Etnike". Ai guxoi të bënte përafrime të termit "Shqipëri Etnike" me termin "Serbi e Madhe", të cilën Millosheviçi s'arriti ta realizonte dot kurrë. Por Millosheviçi nuk arriti ta realizonte dot kurrë ëndrrën për një Serbi të Madhe se kërkonte të pushtonte territore të huaja, kurse termi "Shqipëri Etnike" do të thotë bashkim trojesh etnike shqiptare në një shtet të unifikuar kombëtar! A nuk kemi të bëjmë këtu edhe me një ndikim të Kadaresë mbi një pjesë të intelektualëve kosovarë në interpretimin që këta i bëjnë termit "Shqipëri Etnike", si puna e Migjen Kelmendit?

  • Postime: 2287
  • Karma: +2/-1

#4 ne: 11-11-2006, 16:40:15
Kadare ka qene dhe sic po tregon ditet e fundit do te mbetet nje egoist cinik ne ekstrem gje e cila ja perjashton moralin kombetar dhe ate ne pergjithesi

  • Postime: 1210
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 19-12-2006, 09:30:06
Kadare ka qenë dhe siç po tregon ditet e fundit do të mbetet një egoist cinik ne ekstrem gjë e cila ja perjashton moralin kombëtar dhe atë ne përgjithësi
Kadare munt te haje m**t sa te doje sepse kjo i duhet per te jetuar ne France i privilegjuar si Esadi,por fjalet e tija as ato te shkruara nuk duhen fare te merren parasysh.Asnje vend s`eshte ndare as bashkuar me fjale por me pune(lufte)!Kadariqi nuk e ka AKSH-ne prapa por Albini po!

  • Postime: 215
  • Karma: +0/-0

#6 ne: 25-12-2006, 12:08:09
Une ka shume per shkruarepore po mendoje a ja vlene te shkruhet  per kadaren mendoj se jo. Pase ter asaje qka kame lexuare per kete njeri dhe vetem nese 5% jane te sakta per mua bjene nga provimi. e pashe para disa dite ne tv dhe me besoni se per qdo pergjegjeje qe ka jape u pa mire shume se ku po rrene dhe ku jo. E me sa kuptova une ne shumicen e kohes ai vetem po rrejke dhe nga friga sulmonte te tjeret per mose ta sulmuare. Po kushe ka fajin , une mendoj se vete e kemi duke e ngriture larte ku se ka vendin. te jeshe i ngriture per te sulmuare te tjeret eshte sikure te keshe te hashe e tjeret duhete per te shikuare. Kjo qka ky njeri po bene ne kohen e fundit eshte nji katastrofe e madhe per ne si populle e per veten e ti qe si ka mbeture vende ne shqipri pore shkone e jeton ne france tek miqet ma te mdhej te serbise me vite te tera.Aji akuzone edhe te gjithe shqiptaret  pa ndonji komplekes e kjo te bene te mendoheshe perse per qfare arsyje per qfare i duhet . Ishalla e kthen zoti ne rruge te drejte se eshte duke na bere dom.

Temat e fundit