×

Afetarizmi ynë

· 1 · 244

Afetarizmi ynë

· 1 · 244

  • Postime: 287
CentauR.
ne: 25-01-2013, 12:58:32
Nga e kaluara kombëtare kemi në trashëgim një mësim të madh; lufta kundër idesë së "zotit" jo vetëm që mund dhe duhet luftuar, por dhe është një luftë që fitohet. Kjo luftë është një përpjekje e brendshme, një emancipim, një rritje intelektuale, një vullnet për të tejkaluar dogmat moçalore që ngurtësojnë njeriun dhe doktrinat asimiluese që kërcënojnë shoqërinë.

Mes nesh ka mjaft individë - shumica - të cilët e kanë fituar këtë luftë në nivel vetjak, me trofe lirinë si njerëz, por që ama në nivelin shoqëror duket sikur bëjnë një hap prapa. Kjo duket të jetë një stepje e shkaktuar nga ideja e mbrapshtë se liria e përmendur është shkaktarja e andrallave të këtyre 20 viteve fundit (sigurisht edhe më të hershme).

Ideja në fjalë vihet re sidomos në ata njerëz të cilët për sa iu mungon çdo bindje fetare, për sa nuk kryejnë asnjë ritual fetar e për më shumë i vlerësojnë si banale në përmbajtjen e tyre, kur pyeten për përkatësinë fetare nuk ngurrojnë të japin një përgjigje shabllon duke u nisur nga emri i gjyshit.

Vihet re kjo ide te ata njerëz që në debate i dëgjon diku të shprehen "ç'është ky popull që me krenari deklaron se nuk ka zot", apo formula të tilla të ngjashme.

Këta janë një kategori njerëzish të cilët mendojnë se shoqëria dëmtohet nga liria, prandaj, sipas tyre, bëhet i nevojshëm kufizimi i saj dhe ripranimi i institucioneve dogmatike që e kufizojnë këtë liri. Këta njerëz bëjnë kësisoj një hap prapa në zhvillimin e tyre intelektual dhe bëhen ortakë me klerikët, duke pohuar të gjithë njëzëri se nëse shqiptarët do të ishin besimtarë shumë prej dukurive negative që përjetuam do të kishin kaluar me më pak dhimbje dhe se besimi në "zot" do të rriste paqen dhe kohezionin social.

Ky pozicion duket se gjithmonë e më shumë po zë vend në formë shablloni që përsëritet automatikisht si rrjedhojë e përsëritjes së kontrolluar në mediat abrahamike, proabrahamike apo dhe kriptoabrahamike. Në të vërtetë ky qëndrim, përkundër si vetvlerësohet, shpreh një dobësi dhe një dështim. Konstatimi i vetëm që vjen nga ky qëndrim i këtyre njerëzve nuk tregon aspak fitim apo "rifitim" të besimit në "zot", por një humbje të besimit te njeriu.

"Shoqëria jonë po kalon një krizë të thellë", - trumbetojnë rëndom mediat e lartpërmendura, "krizë ekonomike, sociale, kulturore" etj. dhe për këtë, sipas tyre, duhet një rregullator mbi njeriun, një diçka konstante e pamodifikueshme, e përhershme. Por e vërteta është se breznitë dhe shoqëria janë dhe kanë qenë gjithmonë në një krizë të vazhdueshme. Ai që vlerësohet si stabilitet apo qetësim vjen vetëm nga një pakt mes njerëzve, pakt i cili, për të qenë i drejtë, pra për të mënjanuar diktaturat drejt të cilave janë të prira për arsye zanafille dhe strukture doktrinat abrahamike, mund të arrihet vetëm nëse bëhet në liri të plotë mes individëve.

E vërteta tjetër është se në asnjë shoqëri, në asnjë periudhë kohore të kaluar apo të tashme nuk kanë munguar normat ligjore apo morale të cilat sot na reklamohen me një kryeneçësi e vetëkënaqësi të çuditshme nga abrahamikët nëpër konferenca e referate pa kripë, si vlera tipike të tyret, ku ata vetëshpallen si mbajtësit e parë dhe të vetëm të tyre.

Ironia e situatës është se jo vetëm që abrahamikët nuk janë të vetmit që i mbajnë apo i njohin këto vlera e norma, por për më tej ata thjesht i gjetën të gatshme, të përpunuara nga doktrina paraekzistuese nga të tjerë njerëz e të tjera situata dhe madje shpesh i kanë shtrembëruar; Me pak fjalë nuk ka ekzistuar deri më sot asnjë shoqëri e cila të mos ndalonte vjedhjen, vrasjen apo të mos kërkonte respektin për nënën dhe për babanë - dhe nëse shtyhemi më thellë në analizën e dënimit të dukurive negative, shoqëria shqiptare ka një ndryshim thelbësor dhe shumë herë më cilësor në krahasim me ato abrahamike.

Në një shoqëri të rregulluar nga e drejta zakonore, procesi pendim – falje/ndëshkim është vetjak dhe shoqëror, dhe kryhet pa ndërmjetësim, por me ndërveprim mes individit e ndërgjegjes së tij dhe mes individit e shoqërisë në tërësinë e saj.

Ndërsa për kontrast një ndjekës i feve abrahamike paqen me vetveten e vendos duke i kërkuar falje, jo vetvetes, por krijesës imagjinare, rëndom të quajtur "zot" - pra, besimtari e rifiton gjumin e natës nëpërmjet “ave-marive” dhe “pater nostrumve” dhe jo nëpërmjet një meditimi të gjatë nga i cili pritet të vijë ndryshimi. Besimtari edhe paqen me shoqërinë ose ndëshkimin nga ajo e arrin vetëm nëpërmjet autoriteteve të vetëshpallura të krijesës së tij imagjinare: klerikëve.

Në shoqërinë shqiptare klerikët abrahamikë janë trup i huaj, sepse dogmat mbi të cilat këta e bazojnë veprimtarinë e tyre nuk janë të formuara nga botëkuptimi shqiptar, nuk mbështeten mbi të, nuk rrjedhojnë si zgjidhje të zhvillimeve dhe të ndryshesës për mirë të shoqërisë sonë, por nga ato të shoqërive të tjera, të largëta dhe për sa deklarohen universaliste nuk janë aspak të tilla, pasi kanë një përmbajtje të theksuar rajonaliste dhe historikisht asimiluese - për këto arsye falja apo ndëshkimi tek to vjen, siç vihet re rëndom, në mënyrë më të shpejtë, të pavlerë dhe në kundërshti me botëkuptimin e shoqërisë shqiptare.

Rasti më flagrant është qëndrimi i klerit të organizuar abrahamik në lidhje me persekutuesit dhe përndjekësit e mësuesve të parë të gjuhës shqipe (vrasja, helmimi, djegia e këtyre dëshmorëve të shqiptarisë ishin akte jo vetëm të falshme, por madje të justifikuara e deri dhe të lavdërueshme prej abrahamikëve).

Në shoqërinë tonë tradicionale falja/ndëshkimi ishte një proces i gjatë ku individi përballej me shoqërinë nëpërmjet pleqësisë, e cila ishte e zgjedhur prej saj, pra, kemi një princip demokracie organike në kundërshtim me teokracinë e sjellë nga tjetërkund (prifti nuk zgjidhet, nuk emërohet nga shoqëria).

Në pleqësinë shqiptare merrnin pjesë edhe familjarë të individit dhe duke qenë se vendimi merret në unanimitet, kohezioni social është shumë i lartë (në ditët tona sigurisht nuk gjykohemi nga pleqësi, por nga gjykatës të emëruar, por që veprimtarinë e tyre e bazojnë mbi norma të cilat vendosen nga vetë shoqëria - pra, gjykatësi është interpretues i vullnetit të shoqërisë në të cilën vepron).

Kështu në një shoqëri si e jona individi është më i rreptë me vetveten, sepse shoqëria është më e rreptë me të dhe vullneti i saj nuk është në dorë të tekave dhe të qëllimeve të një individi të vetëm, për më keq të formuar (kulturalisht dhe shpesh biologjikisht) jashtë kësaj shoqërie.

Dukuritë e dënueshme të dhjetëvjeçarëve të fundit janë të lidhura me nivelin ekonomik (nga i cili varet edhe efikasiteti i funksionimit të Shtetit) dhe aspak nga niveli i besimit apo i mosbesimit në krijesa imagjinare.

Ndaj nuk është afetarizmi, mungesa e besimit në krijesa imagjinare, ai që sjell rritje të dukurive të dënueshme, por madje mund të pohohet pikërisht e kundërta, disa nga dukuritë më të dhunshme në rrafsh botëror gjenden në mjedise me prani shumë të fuqishme klerikale dhe sidomos abrahamike. Mafia italiane, ruse, meksikane dhe i shumëpërfoluri terrorizëm islamik e para tij hebraik kanë lindur dhe janë të tejngopura me rituale e parime abrahamike - janë të famshme skenat e pranimit në organizatat kriminale duke u betuar mbi figura "shenjtorësh" apo të klerikëve të ndryshëm që japin uratë përpara akteve terroriste. Kjo ndodh pikërisht sepse doktrina abrahamike, në mos i nxit, krijon rrugëdalje, krijon justifikime dhe jep falje për këto dukuri.

Në fund mund të themi që afetarizmi është një produkt intelektual i formuar në shekuj, një produkt i diktuar nga historia, nga nevoja për të ruajtur identitetin dhe një shoqëri të shëndetshme.

Ne, si shqiptarë, nuk kemi nevojë për të besuar në "zot", e më pak akoma për të bërë sikur besojmë në "zot". Për të bërë historinë tonë e për të zhvilluar kombin kemi nevojë për të besuar më shumë te njeriu, te njëri-tjetri.

http://ateistet.org/sk1209399x
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super