×

Juda Iskarioti mund të ketë qenë më shumë një shenjt, se sa një mëkatar?

Juda Iskarioti mund të ketë qenë më shumë një shenjt, se sa një mëkatar?

· 1 · 67

  • Postime: 22687
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 23-10-2019, 11:36:03
 

Ndoshta mund ta lëmë pak të qetë – sepse nëse Bibla nuk është e qartë për Juda Iskariotin, atëherë kush mundet që të jetë?

Pashkët janë koha kur komunitetet e krishtera reflektojnë për vdekjen e Jezu Krishtit dhe festojnë ringjalljen e tij. Eshtë gjithashtu koha kur personazhi biblik, Juda Iskarioti kujtohet për tradhëtinë që i bëri Jezusit. Në shumë vende ortodokse dhe katolike, një portret i Judasit digjet si pjesë e ritualeve të Pashkëve.

Megjithatë, reputacioni i keq i Juda Iskariotit nuk shtrihet vetëm në ritualet fetare. Quajeni dikë Judë, dhe shihni se sa domethënie ka ky emër në kulturën bashkëkohore. Në futboll, për shembull, lëvizja nga një skuadër tek rivalja e saj kryesore njihet si “transfertë Jude”. Bob Dylanin e quajtën Judë kur vendosi të kalojë nga kitara akustike, tek ajo elektrike.

Sigurisht, kjo fyerje nuk u rezervohet vetëm futbollistëve, muzikantëve dhe deputetëve. Juda është përvetësuar edhe si mjet për të nxitur padrejtësi dhe diskriminim, duke përfshirë antisemitizëm. Juda u përvetësua nga propaganda naziste si një mjet për të komunikuar stereotipe si hebrenjtë, si e shpjegon edhe Peter Stanford në librin e tij të vitit 2015: “Juda: Historia e trazuar e një apostulli renegat”.



Koha për t’u riparë?

Po ndërkohë që emri Judë mund të jetë sinonim i tradhëtisë, ndoshta erërat po ndryshojnë për këtë personazh biblik kaq shumë të nxirë. BBC, si pjesë e progremeve fetarë për pashkët, ka përgatitur një dokumentar me titull “Në gjurmët e Judës”. Dokumentari premton të rihapë cështjen kundër “një prej më të këqinjve të Biblës”. Catholic Herald në Britani tashmë ka folur për dokumentarin, duke thënë se “një fjalë e përsosur ekziston në gjuhën angleze për veprimet e Judës: të ligë”.

Por Peshkopi i Leedsit, Nick Baines shfaqet shumë më i butë me personazhin biblik: “Ndiej pak keqardhje për Judën”, thotë ai. “Ka hyrë në histori si kulmi i tradhëtarit, që shet mikun për ca para. Qoftë nëse është tradhëtar, qoftë valvul shkarkimi, reputacioni i tij është nxirë”.

Dokumentari i BBC nuk është përpjekja e parë për të rehabilituar Judën. Vala është kthyer dalëngadalë që nga vitet 1960, me botimin në anglisht të romanit të Nikos Kazanzaqisit, “Tundimi i fundit i Krishtit”, dhe portretizimi i mëvonshëm në kinema i Judës, jo aq si një personazh i poshtër, se sa si një figurë politike komplekse dhe mik i Jezusit.

Provat

Zbulimi i Ungjillit sipas Judës në vitet 1970 ishte një tjetër lëvizje drejt ndryshimit të imazhit të personazhit. Ungjilli ofron një personazh shumë më simpatik, një apostull të preferuar për të cilin Jezusi thotë: “Ti do të mallkohesh nga brezat e ardhshëm – dhe ti do të sundosh mbi ta”.



Pavarësisht shekujve denoncim, vetë teksti biblik është më i paqartë nga sa e mendojmë. Nuk është e qartë nëse Juda është një hajdut që tradhëton Jezusin, apo një dishepull i vërtetë, një aktor qendror në përmbushjen e planit të Zotit dhe që bën punën e pistë, të cilën dishepujt e tjerë nuk e bëjnë.

Ungjilli nuk na ndihmon të mbërrijmë në një vendim, sepse duke qenë se ka po aq shumë histori biblike sa edhe personazhe, provat shpesh bien ndesh. Për shembull, Mateu sugjeron që Juda po bën një detyrë të domosdoshme. Jezusi i thotë atij: “Bëj atë për të cilën erdhe, mik” (26:50).

Në të vërtetë, asnjë prej apostujve nuk shfaqen në dritë heroike, sepse të gjithë e dezertojnë Jezusin (26:56). Në fakt shumica e ungjijve shkruajnë se tradhëtia e Judës është thelbësore për përmbushjen e planit të Zotit.

Ndërkohë tek Ungjilli sipas Markut nuk është e qartë nëse paraja është motivi i tradhëtisë së Judës, ndërsa Luka dhe Gjoni thonë se Juda tradhëton për shkak se tek ai futet Satanai, duke sugjeruar ndoshta që Juda mund të mos ketë qenë duke vepruar sipas vullnetit të tij.

Ndërkohë që Juda mund të mos rehabilitohet dot kurrë nga reputacioni i tij si tradhëtar i poshtër, mbase mund ta lehtësojmë disi – nëse Bibla nuk është e qartë për personazhin, si mund të jemi ne?/Independent – Bota.al
http://www.bota.al/2019/10/perse-juda-iskarioti-mund-te-kete-qene-me-shume-nje-shenjt-se-sa-nje-mekatar/