×
Hyrja
Profili

Metoda politike e zgjedhjes së halifit me vota dhe mospërputhja e saj me pikëpam

Metoda politike e zgjedhjes së halifit me vota dhe mospërputhja e saj me pikëpam

· 1 · 813

  • Postime: 65
  • Gjinia: Mashkull
Bani gjk
ne: 14-08-2005, 03:52:14
Metoda politike e zgjedhjes së halifit me vota dhe mospërputhja e saj me pikëpamjen shiite

Shiizmi beson se Ligji Hyjnor i Islamit (Sheriati), substanca e të cilit gjendet në Librin e Zotit dhe është traditë (synet)21 e Pejgamberit të Shenjtë, do të mbetet i vlefshëm deri në Ditën e Gjykimit dhe kurrë nuk mundet as do të mundet ndonjëherë, të ndryshohet. Një qeveri e cila është vërtet islamike me asnjë pretekst nuk mund të refuzojë plotësisht të zbatojë urdhrat e Sheriatit.22 E vetmja detyrë e një qeverie islamike është të marrë vendime me konsultime brenda kufijve të vënë nga Sheriati dhe në përputhje me kërkesat e momentit.
Betimi i besnikërisë ndaj Abu Bakrit në Sakifah, i cili ishte motivuar së paku pjesërisht nga konsiderata politike, dhe incidenti i përshkruar në hadithin për "ngjyrën dhe letrën",23 i cili u paraqit gjatë ditëve të fundit të sëmundjes së Pejgamberit të Shenjtë, nxjerr në shesh faktin se ata që drejtonin dhe mbështetnin lëvizjen për të zgjedhur halifin përmes procesit të zgjedhjeve besonin se Libri i Zotit duhet të ruhet në formë të kushtetutës. Ata e theksonin Librin e Shenjtë dhe u kushtonin shumë më pak vëmendje fjalëve të Pejgamberit të Shenjtë si një burim i pandryshueshëm i mësimeve të Islamit. Duket se ata kishin pranuar ndryshimin e disa aspekteve të mësimeve të Islamit që kishin të bënin me qeverisjen për t'iu përshtatur kushteve të çastit dhe për hir të së mirës së përgjithshme.
Kjo tendencë për të theksuar vetëm disa parime të Ligjit Hyjnor është vërtetuar nga shumë thënie që më vonë u transmetuan sa u përket shokëve të Pejgamberit të Shenjtë. Për shembull, shokët (e Pejgamberit) konsideroheshin si autoritete të pavarura në çështjet e Ligjit Hyjnor (muxhtahid),24 duke qenë në gjendje të ushtronin gjykime të pavarura (ixhtihad) në çështjet publike. Po ashtu besohej se po të kishin ata sukses në detyrën e tyre, ata do të shpërbleheshin nga Zoti dhe po të dështonin atyre do t'u falej gabimi nga Ai, sepse ata ishin nga radha e shokëve. Kjo bindje mbisundonte me të madhe gjatë vjetëve të hershëm që vijonin pas vdekjes së Pejgamberit të Shenjtë. Shiizmi merr një qëndrim më të rreptë dhe beson se veprimet e shokëve të tij, si dhe të muslimanëve të tjerë, duhet të gjykohen rreptësisht sipas mësimeve të Sheriatit. Për shembull, ishte një incident i ndërlikuar në të cilin ishte përfshirë gjenerali Khalid ibën Validi në shtëpinë e njërit nga muslimanët e shquar të asaj kohe, Malik ibën Nuvajrahu, në të cilin si pasojë u shkaktua vdekja e këtij të dytit. Fakti që Khalidi nuk u mor fare të përgjigjej për këtë incident për arsye se ai ishte udhëheqës i dalluar ushtarak25 , tregon në sytë e shiizmit një zemërgjerësi jo të mirë ndaj disa veprimeve të shokëve të cilët ishin nën normën e pietetit të përsosur dhe të drejtësisë të kryera nga elita shpirtërore nga mesi i shokëve.
Një praktikë tjetër e vjetëve të hershëm e cila kritikohet nga shiizmi është shkëputja e khumeve26 nga anëtarët e familjes së Pejgamberit dhe nga kushërinjtë e Pejgamberit të Shenjtë.27 Po kështu, për shkak të theksimit të bërë nga shiizmi mbi sunetin dhe Pejgamberin e Shenjtë, është vështirë të kuptohet pse shkrimi i tekstit të haditheve ishte penguar plotësisht dhe pse, po të gjendej një hadith i shkruar, ai do të digjej.28 Ne e dimë se kjo ndalesë vazhdoi gjatë kohës së halifatit të khulafa'rashidun29 deri në periudhën e Umevitit30 dhe nuk pushoi deri në periudhën e Umar ibën al-Azizit, i cili sundoi prej 99/717 deri më 101/719.31
Gjatë periudhës së halifit të dytë (13/634 deri 25/644) ishte një vazhdimësi e politikës së theksimit të disa aspekteve të Sheriatit dhe të vënies anash të disa praktikave për të cilat shiitët besojnë se Pejgamberi i Shenjtë i ligjëronte dhe i ushtronte. Disa praktika ishin ndaluar, disa ishin zhdukur, ndërsa disa ishin shtuar. Për shembull, haxhillëku i tamattu'së (një lloj haxhillëku në të cilin ceremonia 'umrah në vend të ceremonisë së haxhxhit) ishte ndaluar nga Umari gjatë halifatit të tij, me dekret që kundërvajtësit do të gjuheshin me gurë; kjo përkundër faktit se gjatë haxhillëkut të tij të fundit Pejgamberi i Shenjtë - paqja qoftë mbi të - e themeloi, siç është në Kuran, sure II, 196, si një formë të veçantë për ceremonitë e haxhillëkut që do të mund të bëhej nga haxhinjtë që vijnë nga larg. Po ashtu, gjatë jetës së Pejgamberit të Zotit praktikohej martesa e përkohshme (mut'ah), por Umari e ndaloi atë. Dhe madje edhe pse në kohën sa qe gjallë Pejgamberi i Shenjtë ishte praktikë të recitohej në thirrjen për t'u falur, "Shpejtoni për në veprën më të mirë" (hajja 'ala khair el-'amal), Umari urdhëroi që ajo të hiqej sepse thonte se kjo do t'i pengonte njerëzit të merrnin pjesë në luftë të shenjtë, në xhihad. (Kjo ende recitohet në thirrjen shiite për t'u falur, por jo në thirrjen sunite). Pati po ashtu shtojca të Sheriatit: gjatë kohës së Pejgamberit, shkurorëzimi ishte i vlefshëm vetëm nëse bëheshin tri deklarata të divorcit "Unë ndahem prej teje" në tri raste të ndryshme, por Umari lejoi që kjo deklaratë trefishe të bëhej vetëm për njëherë. Dënime të rënda u bëheshin atyre që shkelnin disa nga këto rregulla të reja, siç janë rrahja me gurë në rastin e martesës mut'ah.
Ishte pikërisht gjatë periudhës së sundimit të halifit të dytë kur forca të reja shoqërore dhe ekonomike shpunë në ndarje të pabarabartë të thesarit publik (bajt al-mal) midis njerëzve,32 një veprim i cili më vonë u bë shkak për dallime të hatashme klasore dhe për luftëra të tmerrshme dhe të përgjakshme midis muslimanëve. Në këtë kohë Muaviju sundonte në Damask në stilin e mbretërve persianë dhe bizantinë dhe madje iu dha titulli i "Kusrav i Arabëve" (një titull persian i pushtetit më të lartë perandorak), por asnjë protestë serioze nuk u bë kundër tij për këtë tip të përbotshëm të sundimit.33
Halifi i dytë u vra nga një skllav persian më 25/644. Në përputhje me votimin e shumicës nga një këshill gjashtanëtarësh i cili ishte konstituar me urdhrin e halifit të dytë para vdekjes së tij, u zgjodh halifi i tretë. Halifi i tretë nuk e pengoi farefisin e tij Umevit që të bëheshin mbizotërues i popullit gjatë halifatit të tij dhe disa prej tyre i emëroi si sundimtarë në Hixhaz, në Irak, në Egjipt dhe në vende të tjera muslimane.34 Këta kushërinj filluan të liroheshin në të zbatuarit e parimeve morale në qeveri. Disa prej tyre haptazi kryenin padrejtësi dhe tirani, mëkate dhe paudhësi, dhe i shkelnin disa parime të ligjit islamik të themeluara fort.
Para se të kalonte shumë kohë, filluan mori protestash të rridhnin drejt kryeqytetit. Por halifi, i cili ishte nën ndikimin e kushërinjve të tij - sidomos të Marvan ibën Hakamit 35 - nuk veproi si duhet ose vendosmërisht për t'i larguar shkaqet kundër të cilave njerëzit protestonin. Ndonjëherë madje ndodhte që ata të cilët protestonin të dënoheshin dhe të internoheshin.
Një rast që ndodhi në Egjipt ilustron natyrën e sundimit të halifit të tretë. Një grup muslimanësh u ngrit kundër Osmanit. Osmani e hetoi rrezikun dhe kërkoi ndihmë nga Aliu, duke shprehur ndjenjën e pendimit. Aliu u tha egjiptianëve: "Ju jeni revoltuar për të sjellë drejtësi dhe të vërtetë në jetë. Osmani është penduar duke thënë: 'Unë do ta ndryshoj mënyrën e punës sime dhe brenda tri ditësh do t'i plotësoj kërkesat tuaja. Do t'i largoj nga pozita e tyre sunduesit që ushtrojnë dhunë'". Aliu pastaj e shkroi një marrëveshje me ta në emër të Osmanit dhe ata u nisën për në shtëpi. Rrugës ata e panë robin e Osmanit hipur në devenë e tij duke shkuar në drejtim të Egjiptit. Dyshuan në të dhe e kontrolluan. Tek ai gjetën një letër drejtuar guvernatorit të Egjiptit e cila përmbante këto fjalë: "Në emër të Zotit. Kur Abd al-Rahman ibën Adisi të vijë te ju, rriheni me njëqind fishkulla (kamxhiku), rruajani kokën dhe mjekrën dhe dënojeni me burgim të gjatë. Po kështu veproni në rastin e Amër ibën al-Hamkut, Suda ibën Hamranit dhe Urvah ibën Nibaut." Egjipianët e morën letrën dhe u kthyen me zemërim tek Osmani, duke i thënë: "Ju na keni tradhtuar!" Osmani e mohoi letrën. Ata thanë: "Skllavi juaj e mbante letrën." Ai u përgjigj: "Ai e ka kryer këtë vepër pa lejen time." Ata i thanë: "Ai ishte hipur mbi devenë tuaj." Ai u përgjigj: "Ata ma kanë vjedhur devenë time." Ata thanë: "Letra është shkruar me dorën e sekretarit tuaj." Ai u përgjigj: "Kjo është bërë pa dijen time." Ata thanë: "Në çdo rast, ju nuk jeni kompetent të jeni halif dhe duhet të jepni dorëheqje, sepse nëse kjo është bërë me lejen tuaj ju jeni tradhtar, por nëse çështje aq të rëndësishme bëhen pa lejen dhe dijen tuaj, atëherë provohet paaftësia dhe jokompetenca juaj. Sido që të jetë, ose jepni dorëheqje ose shkarkoni nëpunësit e dhunshëm nga pozitat e tyre që tani." Osmani u përgjigj: "Po të doja të veproja sipas dëshirës suaj, atëherë ju qenkeni sundimtarë. Atëherë, pse është funksioni im?" Ata u ngritën dhe e lanë turmën të zemëruar.36
Gjatë halifatit të tij Osmani lejoi qeverinë e Damaskut, në krye të së cilës qëndronte Muaviju, të forcohej më shumë se ndonjëherë më parë. Në të vërtetë, qendra e gravitetit të halifatit, sa i përket pushtetit politik, po kalonte në Damask, kurse organizimi në Medinë, kryeqytet i botës islamike, nuk ishte politikisht asgjë më shumë se formë pa pushtetin dhe thelbin e domosdoshëm për ta përkrahur atë.37 Më në fund, në vitin 35/656, njerëzit ngritën krye dhe pas disa ditësh shtetrrethimi dhe luftimesh u vra halifi i tretë.
Halifi i parë ishte zgjedhur me vota të shumicës së shokëve (të Pejgamberit), halifi i dytë me dëshirën dhe testamentin e halifit të parë, kurse i treti nga një këshill gjashtanëtarësh, anëtarët dhe rregullat e procedurës ishin zgjedhur dhe vendosur nga halifi i dytë. Në tërësi, politika e këtyre tre halifëve, të cilët qenë në pushtet gjatë njëzetë e pesë vjetësh, ishte të zbatoheshin dhe përfilleshin ligjet dhe parimet islamike në shoqëri në përputhje me ixhtihadin dhe me atë që dukej më me mend në atë kohë nga vetë halifët. Sa u përket shkencave islamike, politika e këtyre halifëve ishte që të lexohej Kur'ani i Shenjtë dhe të kuptohej pa u marrë me komentime mbi të ose pa u lejuar që ai të bëhej objekt diskutimesh. Hadithi i Pejgamberit recitohej dhe përcillej me gojë pa u shkruar në letër. Shkrimi lejohej vetëm për tekstin e Kur'anit të Shenjtë dhe ndalohej në rastin e haditheve.38
Pas betejës së Jamanahut, e cila mori fund më 12/633, shumë nga ata që kishin qenë recitues të Kur'anit të Shenjtë dhe të cilët e dinin përmendësh ishin vrarë në luftë. Si pasojë e kësaj, Umar ibën al-Khatabi i propozoi halifit të parë që të mblidheshin vargjet e Kur'anit të Shenjtë në formë të shkruar, duke thënë se sikur të paraqitej edhe një luftë tjetër dhe të vriteshin edhe ata të tjerët që e dinin Kur'anin përmendësh, dija e tekstit të Librit të Shenjtë do të zhdukej për njerëzimin. Prandaj, ishte e domosdoshme të mblidheshin vargjet e Kur'anit në trajtë të shkruar.39
Nga pikëvështrimi shiit duket e çuditshme që u mor ky vendim vetëm sa i përket Kur'anit, dhe përkundër faktit që haditheve Pejgamberike, të cilat janë plotësim i Kur'anit, u kërcënohej po ai rrezik dhe nuk ishin të sigurt të mos u nënshtroheshin prishjes gjatë transmetimit, shtimit, zvogëlimit, falsifikimit dhe harresës, nuk iu kushtua i njëjti kujdes edhe atyre. Përkundrazi, tashmë siç u zu ngoje, të shkruarit e tyre u ndalua dhe të gjitha versionet e tyre që u gjetën u dogjën, sikur të vihej në dukje se i vetmi tekst që duhej të qëndronte në trajtë të shkruar ishte Kur'ani i Shenjtë.
Sa u përket shkencave të tjera islamike, gjatë kësaj periudhe u bënë pak përpjekje për t'i propaganduar, duke i shpenzuar energjitë e komunitetit më së shumti në themelimin e një rendi të ri shoqëror-politik. Përkundër të gjitha lavdërimeve dhe shenjtërimeve të cilat gjenden në Kuran sa i përket dijes (ilmit),40 dhe theksimit të dhënë kultivimit të tij, kultivimi i lakmueshëm i shkencave të religjionit ishte shty për një periudhë të mëvonshme të historisë islamike.
Shumica e njerëzve merreshin me fitoret e dukshme dhe vijuese të armatave islamike, dhe vazhdonin tutje nga vërshimi i trofeve të jashtëzakonshme të cilat vinin nga të gjitha drejtimet drejt Siujdhesë Arabike. Me këtë pasuri të re dhe të mirat që vinin së bashku me të, pakkush nga familja e Pejgamberit ishte i gatshëm t'i kushtohej kultivimit të shkencave, në krye të të cilave qëndronte Aliu, të cilin Pejgamberi i Shenjtë ia kishte paraqitur popullit si njërin ndër më të prirurit për shkencat islamike. Në të njëjtën kohë, kuptimi i brendshëm i mësimeve të Kur'anit të Shenjtë ishte lënë pas dore nga shumica e atyre të cilët ishin ndikuar nga ky ndryshim. Është çudi që madje edhe në çështjen e mbledhjes së vargjeve të Kur'anit të Shenjtë, Aliun nuk e kishin konsultuar dhe emri i tij nuk ishte zënë ngoje në mesin e atyre që kishin marrë pjesë në këtë detyrë, ndonëse çdokush e dinte se ai kishte mbledhur tekstin e Kur'anit të Shenjtë pas vdekjes së Pejgamberit.41
Në shumë ngjarje tregohet se pasi kishte fituar besimin nga komuniteti, Abu Bakri kishte dërguar dikë tek Aliu dhe e kishte kërkuar besimin e tij. Aliu tha: "Kam dhënë fjalën të mos e lëshoj shtëpinë time pos për lutjet e ditës derisa ta përpiloj Kur'anin." Ndërsa është zënë ngoje se Aliu kishte mbaruar me përpilimin e Kur'anit. Po ashtu tregohet se pasi e kishte përpiluar Kur'anin ai i vendosi faqet e Librit të Shenjtë në një deve dhe ua tregonte njerëzve. Po ashtu tregohet se beteja e Jamanahut, pas së cilës ishte përpiluar Kur'ani, ndodhi gjatë vitit të dytë të halifatit të Abu Bakrit. Këto të dhëna janë zënë ngoje në shumë vepra mbi historinë dhe hadithin të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin e përpilimit të Kur'anit të Shenjtë.
Këto dhe ngjarje të ngjashme i shtynë vijuesit e Aliut të ishin më të fortë në besimin e tyre dhe më të vetëdijshëm për rrugën që shtrihej para tyre. Ata e shtonin veprimtarinë e tyre prej dite në ditë kurse vetë Aliu, i cili ishte shkëputur nga mundësia e arsimimit dhe e ushtrimit të njerëzve në përgjithësi, të përqëndrohej për të ushtruar privatisht një elitë.
Gjatë kësaj periudhe njëzetëepesëvjeçare Aliut i vdiqën tre nga katër miqtë dhe shokët e tij më të dashur, të cilët po ashtu ishin në mesin e shokëve të Pejgamberit: Salman al-Farsi, Abu Dharr al-Ghifari dhe Mikdadi. Ata kishin qenë të përhershëm në shoqërimin e tyre me të në të gjitha rrethanat. Po ashtu gjatë kësaj periudhe të njëjtë disa prej shokëve të tjerë të Pejgamberit të Shenjtë dhe një numër i madh i vijuesve të tyre në Hixhaz, Jemen, Irak dhe në vende të tjera, u bashkuan me vijuesit e Aliut. Si rezultat i kësaj, pas vdekjes së halifit të tretë njerëzit iu kthyen Aliut nga të gjitha anët, iu betuan për besnikëri dhe e zgjodhën halif.

 

shenimet:

21. Shënim i redaktorit: Tradita e Pejgamberit ashtu siç qëndron në thëniet e tij quhet hadith, ndërsa veprimet, veprat, fjalët dhe gjithë ajo që e përbënte jetën e cila u bë shembull për të gjithë muslimanët quhen sunet.
22. Zoti thotë në fjalën e Tij: "Po shiko! është një shkrim i pasulmueshëm. Falsifikimi nuk mund të vijë në të as prej para tij as prej prapa tij." (Kur'ani, XLI, 41-42). Dhe Ai thotë: "Vendim i përket vetëm Allahut" (Kur'ani, VI, 57, gjithashtu XII, 40 dhe 67), që do të thotë se i vetmi sheriat është Sheriati dhe ligjet e Zotit të cilat duhet t'i arrijnë njeriut me anë të pejgamberisë. Dhe Ai thotë: "por ai [Muhamedi] është lajmëtari i Allahut dhe Vula e pejgamberëve." (Kur'ani, XXXIII, 40). Dhe Ai thotë: "Kush gjykon jo sipas asaj që e ka shpallur Allahu; të tillë janë ata që nuk besojnë." (Kur'ani, V, 44).
23. Shënim i redaktorit: Sipas burimeve shiite, pas vdekjes së Pejgamberit populli u mblodh në "verandë të mbuluar" (sakifah) të Bani Saidahut dhe ia dhanë besimin Abu Bakrit si halif. Sa i përket hadithit të "bojës dhe të letrës", ai ka të bëjë me çastet e fundit të jetës së Pejgamberit ashtu siç thuhet më lart në shënimin 11.
24. Shënim i redaktorit: Muxhtahidi është ai i cili përmes mjeshtrisë së shkencave të religjionit dhe posedimit të cilësive morale ka të drejtë të ushtrojë ixhtihadin ose dhënien e mendimit të ri mbi çështjet që kanë të bëjnë me Sheriatin. E drejta për të ushtruar gjykimin e pavarur të mbështetur në parimet e Ligjit , ose të ixhtihadit, në Islamin sunit ka pushuar të ekzistojë që nga shekulli III/IX, ndërsa "porta e ixhtihadit" gjithmonë ka qenë e hapur në Islamin shiit. Autoritetet prijëse në Ligjin Hyjnor në shiizëm quhen muxhtahidë.
25. Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, f. 110; Tarikh-i Abi'l Fida, vëll. I, f. 158.
26. Shënim i redaktorit: Taksë religjioni i paguar familjes së Pejgamberit e cila u ndërpre në Islamin sunit pas vdekjes së tij, por në Islamin shiit vazhdon të paguhet deri në ditën e sotme.
27. al-Dhurr al-manthur, vëll. III, f. 186; Tarikh-i Ja'kubi, vëll. III, f. 48. Pos këtyre, domosdoja e khumëve është zënë ngoje në Kur'anin e Shenjtë: "Dhe dije se çkado që të marrësh nga preja e luftës, shiko! një e pesta (khum) është për Allahun, për lajmëtarin dhe për njerëzit e afërm..." (Kur'ani, VIII, 41).
28. Gjatë halifatit të tij Abu Bakri mblodhi pesëqind hadithe. Ajshja tregon: "Një natë e pashë babain të shqetësuar deri në mëngjes. Në mëngjes ai më tha: 'Sillmi hadithet.'Pastaj ai i vuri të gjitha në zjarr." (Kanz al-'ummal i Ala al-Din Mutakiut, Hajderabad, 1364-75, vëll. V, f. 237.) Umari u shkroi të gjitha qyteteve duke thënë se kushdo qoftë të kishte hadith ta shkatërronte atë. (Kanz al-'ummal, vëll. V, f.237.) Muhamed ibën Abi Bakri thotë: "Gjatë kohës së Umarit hadithet u shtuan. Kur ia sollën ato ai urdhëroi të digjeshin." (Tabakat Ibn Sa'd, Bejrut, 1376, vëll. V, f. 140.)
29. Shënim i redaktorit: Katër halifët e parë, Abu Bakri, Umari, Osmani dhe Aliu, quhen së bashku Hulefai rashidiun, halifët e drejtuar si duhet, kurse periudha e tyre e halifatit dallohet rreptësisht nga ajo e umevitëve e cila vijoi për arsye se sundimi i katër halifëve të parë ishte me karakter rreptësisht religjioz, ndërsa halifati i Umevitit ishte i ngjyrosur me konsiderata të kësaj bote.
30. Tarikh-i Abi'l-Fida, vëll. I, f. 151, dhe burime të tjera të ngjashme.
31. Shënim i redaktorit: Për hir të lexuesve jomuslimanë të gjitha datat do të jepen sipas kalendarit të hixhrit (kalendar islamik sipas hënës) dhe vitet përkatëse sipas kalendarit A.D. (të krishtit, v.p.) (p.sh. 13/634-25/644); kur i bëhet ndonjë referencë ndonjë shekulli, kemi dhënë së pari shekullin islamik dhe pastaj shekullin gjegjës të krishterë: (IV/X).
32. Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, f. 131; Tarikh-i Abi'l-Fida, vëll. I, f. 160.
33. Usd al-ghabah nga Ibën Athiri, Kajro, 1280, vëll. IV, f. 386; al-Isabah nga Ibën Haxhar Askalani, Kajro, 1323, vëll. III.
34. Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, f. 150; Abu'l-Fida, vëll. I, f. 168; Tarikh-i Tabari, vëll. III, f. 377, etj.
35. Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, f. 150; Tarikh-i Tabari, vëll. III, f. 397.
36. Tarikh-i Tabari, vëll. III, ff. 402-409; Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, ff. 150-151.
37. Tarikh-i Tabari, vëll. III, f. 377.
38. Sahih nga Bukhariu, vëll. VI, f. 98; Tarik-i Ja'kubi, vëll. II, f. 113.
39. Ja'kubi, vëll. II, f. 111; Tabari, vëll. III, ff. 129-132.
40. Shënim i redaktorit: Fjala 'ilm do të thotë shkencë në kuptimin e saj më të përgjithshëm, si fjala latine scientia, dhe zbatohet për format fetare po ashtu edhe për format intelektuale, racionale dhe filozofike të dijes. Në përgjithësi ajo dallohet nga 'rifah ose irfan e cila është dije hyjnore dhe mund të krahasohet me fjalën latine sapientia. Disa mjeshtër muslimanë, megjithatë, e konsiderojnë ilmin në kuptimin e saj më të lartin që qëndron mbi fjalën irfan meqenëse ajo është cilësi hyjnore, meqenëse njëri nga emrat e Zotit është al-'Alim, ai që di.
41. Tarikh-i Ja'kubi, vëll. II, f. 113; Ibn Abi'l-Hadid, vëll. I, f.9.
42. Shënim i redaktorit: Titulli amir al-mu'min: "komandant i besimtarëve" përdoret në shiizëm vetëm për Aliun, ndërsa në Islamin sunit ai është titull i përgjithshëm që u përket të gjithë halifëve.
43. Ja'kubi, vëll. II, f. 154.
44. Ja'kubi, vëll. II, f. 155; Muruxh al-dhahab, vëll. II, f. 364.


Temat e fundit