×

Sektet, loja që bëhet me viktimat !

Sektet, loja që bëhet me viktimat !

· 1 · 1253

  • Postime: 27105
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 01-04-2007, 23:05:45
Grupimet fetare ose jo, shpesh "përdorin" Zotin e paqen për të thithur "të devotshmit"

Janë të shumtë në numër, por të padukshëm. Hyrja në to është e lehtë, për të dalë duhet të mendohesh mirë



Është i plagosur, humbet gjak, por vrapon si i çmendur për të arritur në spitalin më të afërt. Tomaso është i shokuar dhe ka vështirësi të madhe në frymëmarrje. "Më goditën gjatë një grabitjeje", belbëzon. Por kjo nuk është e vërteta. "Kush të ka katandisur në këtë mënyrë?" - e pyet policia. Burri fillon të qajë dhe më pas tregon mbi një fermë, e cila gjendet në kodrat e Kozencës. Është ferri.

Ishte një natë maji e vitit 1998. Pa frikë mund të thoshe se gjendeshe para një skene të një filmi horror: 60 njerëz të veshur të gjithë me të bardha, këmbëzbathur dhe të mbuluar nga djersët, pëshpëritnin fjalët e një kënge vaji të çuditshme. Në mes të dhomës, një shenjtore dirigjonte kërcimin. Në tokë gjendeshin qindra monedha, armë dhe një foto e të voglit Marco Fiora. Ndërsa një djali i ishte vënë gryka e pushkës në kokë, sepse kishte tentuar të arratisej para Tomasos.

Ndërkohë që në mbarë botën prej kohësh është përhapur alarmi mbi ekzistencën e këtyre sekteve: në 1978-ën, në fshatin e Jonestown (Guyana), 923 përkrahës të sektit të "Tempullit të Popullit" ishin helmuar me cianur, të nxitur nga "udhëheqësi shpirtëror", Jim Jones.

Episode të ngjashme kishin ngjarë edhe në 1985-ën në Filipine dhe në 1987-ën në Korenë e Jugut. Rezultati i një raporti, i publikuar në 1998-ën, denonconte në vendin fqinj, Italinë, prezencën e 137 grupeve të përcaktuara si sekte dhe si sisteme "të studiuara nga ana shkencore për të dobësuar psikikën e njerëzve dhe për të injektuar tek ata një bindje të verbër, si dhe për të arritur qëllimin e tyre kryesor: përvetësimin e pasurisë së tyre".

Por sa sekte ekzistojnë sot?

Organizata antisekt, e drejtuar nga Aldo Buonaiuto, pohon ekzistencën e 8 mijë grupimeve që janë të lidhura me satanain, me magjinë, ku bën pjesë edhe ajo e zeza, gjë që përdoren për shfrytëzimin dhe manipulimin e njerëzve psikologjikisht të dobët. Njerëz të tillë janë të shumtë, numri i përkrahësve shkon 600 deri në një milion. Për këtë arsye, në dhjetor të 2006-ës, Policia e Shtetit të Italisë përgatiti një skuadër speciale "antisekt" me kriminologë dhe psikologë.

Çfarë janë ekzaktësisht sektet? "Zakonisht janë parodi të organizatave fetare, por me objektiva dhe me metoda të veçanta. Drejtohen nga liderë, të cilët kanë karizëm dhe që i dinë mirë ritualet. Sa më shumë që t‘i bësh këto rituale, aq më tepër lidhesh me organizatën. Këta "shenjtorë" apelojnë për ideologji të parrezikshme (duke filluar nga dëshira për paqe dhe hyjnizimi i vetvetes), por pothuajse të gjitha përfundojnë me mashtrime, me keqtrajtime të përkrahësve të tyre dhe të urrejtjes raciale.

Sekrete dhe shantazhe

Në sekte është shumë e lehtë të hysh dhe është shumë e vështirë (pothuajse e pamundur) të dalësh për shkak të kërcënimeve, presioneve, shantazheve, por edhe për shkak të frikës se mund të mbetesh vetëm, pasi është bërë shkëputje totale me botën e jashtme dhe sekti konsiderohet si pika e vetme e referimit. Një tjetër aspekt është fshehtësia, e cila kërkohet të jetë në nivelet më të larta. Ekspertët i ndajnë sektet në tri kategori: apokaliptike, sekte për të rinj dhe lobet fanatike.

Sektet apokaliptike kanë tendencën që të favorizojnë shkatërrimin e njerëzimit, duke e filluar me veten. Një grup apokaliptik ishte p.sh., "Aum Shinrikyo", sekt japonez, që në 1995-ën përdori gaz lotsjellës në Tokio, duke provokuar dhjetëra viktima.
Sektet për të rinj janë grupet të cilat i kushtohen satanait, magjisë, ku bën pjesë edhe ajo e zeza. Në këto sekte bëhen rite makabre: duke filluar nga zhvarrosja dhe shkatërrimi i kufomave e deri te vrasjet.
Të shumta në numër janë edhe lobingjet fanatike, të cilat lidhen me temat e spiritualizmit dhe me artin oriental. Veprimtaria e këtyre sekteve mbulohet nga të ashtuquajturat shoqata bamirëse, të cilat janë të regjistruara, por ka edhe nga ato të cilat mbahen sekret. Sipas hetuesve, ekzistojnë kontakte që këto sekte kanë me grupime të njerëzve që merren me trafikimin e organeve, pedofilinë ose me trafikimin e substancave narkotike.
Përvetësim i shkëlqyer

Psiko-sektet "peshkojnë" shpirtrat e trazuar me metodat nga më të ndryshme: duke filluar nga publiciteti tradicional dhe deri te faqet e internetit. Organizojnë seminare të shpejta, teste për të vlerësuar dhe për të rritur potencialin intelektual, bëjnë gjimnastikë relaksuese, kongrese të cilat i dedikohen meditimit dhe vetëshërimit. Pas takimit të parë, pjesëmarrësit duhet të ndjekin "udhëtimin formues", ku testohet mbi gjendjen emotive të pjesëmarrësve. Ata të cilët bien në kurth nuk janë vetëm njerëzit e varfër dhe të pashkolluar. "Në një shoqëri të dobët dhe të pasigurt, siç është kjo e jona, momentet e krizave ekonomike dhe shpirtërore janë të mëdha", tregon Buonaiuto. Një fatkeqësi në familje, problemet ekonomike dhe ato të punës, tradhtia, pak depresion janë gjërat që ndikojnë për t‘u futur lehtësisht në një sekt. Psikologia Lorita Tinelli, pedagoge e kriminologjisë në Bari dhe presidente në Qendrën e Studimeve të Abuzimeve Psikologjike, tregon: "Psiko-sektet në përgjithësi u ofrojnë njerëzve një interpretim më të mirë të jetës dhe u shpjegojnë atyre, duke arritur që t‘i bindin gjithmonë, se për çfarë kanë ata vërtet nevojë dhe këtë gjë mund ta gjejnë vetëm në sektin që ata përfaqësojnë. Sekti premton kapërcimin e të gjitha pengesave, nëse ndiqet me përkushtim të plotë. Si shpërblim të kësaj, ‘personi i peshkuar‘ duhet të bëhet pjesë e përhershme e atij sekti dhe t‘i përkushtohet plotësisht atij. Pa lejen e ‘udhëheqësit shpirtëror‘ nuk ka më kurajo të bëjë asgjë, as edhe një vizitë mjekësore, ose një drekë me familjen".

Humbja e besimit në vetvete

Hallet fillojnë pikërisht atëherë kur je psikologjikisht i përfshirë. Seminaret dhe takimet kanë një kosto të lartë: çdo takim i ri ka si synim që të krijojë fobi kundrejt vlerave tradicionale dhe ndjenja faji për sektin, të prishë ekuilibrin mendor dhe vetëbesimin e anëtarit e ta përndjekë me idenë se pa ndihmën e "udhëheqësit të tij shpirtëror" nuk mund të jetë më vetvetja. Për të paguar kurset ose për të qëndruar në organizatë, ka nga ata njerëz që i prishin të gjitha kursimet e tyre, shesin shtëpinë dhe makinat.

Më të mirëve u është propozuar, që për të mbuluar borxhet të punojnë si "punonjës i ri". Psiko-sektet kanë dëshmitarë, të cilët tregojnë se si ekzistenca e tyre ka ndryshuar për mirë pas takimit me grupin. Në të njëjtën kohë, "drejtuesi i sektit bëhet i vetmi pikë referimi. Për të, është i gatshëm që të pranojë poshtërime, madje edhe të bëhet skllav i tij", tregon Buonaiuto. Në këtë kohë fillon faza e izolimit. "Drejtuesi i shpjegon pjesëmarrësve se familja e tyre është shkaku i vetëm i shkatërrimit të tyre dhe i krijimit të të gjitha halleve që ata kanë. Atyre që kanë pasur probleme të rënda në fëmijëri, iu kujtojnë përdhunimin nga njerku, si dhe vuajtjet e tjera të harruara nga koha. Më pas, anëtari i sektit nuk ka më besim te prindërit e tij, bëhet gjithmonë e më i pasigurt për të shkuarën dhe për të ardhmen e tij, pret lidhjet me të gjithë të afërmit e miqtë e vjetër dhe reagon duke u mbështetur gjithmonë e më shumë pas organizatës. E ardhmja e vetme është sekti", tregon Luigi Carnevale, specialist në organizatën antisekt. Për të shkurajuar iniciativat personale, përkrahësit edukohen me një gjuhë të fshehtë, gjë që e bën shumë të vështirë komunikimin me jashtë dhe duke i bindur ata se janë të zgjedhurit e një grupimi hyjnor. Ashtu siç është komuniteti i Damanhur, i themeluar në 1975-ën nga filozofi Oberto Airaudi, i ashtuquajturi Falco, që është ndërkohë udhëheqës shpirtëror, ndërtuar pranë maleve të Piemontes, Damanhur pret krahëhapur të gjithë të interesuarit. Në faqen e saj të internetit thuhet se njohjet e Falco-s vijnë nga "lidhja që Damanhur ka krijuar me forca kozmike të mijëvjeçarit të ri".

Dashuri e tradhtuar

"Ka sekte që përkrahin parakrijimin dhe tregojnë se një fëmijë, në momentin në të cilin vjen në jetë bëhet automatikisht anëtar i komunitetit. Kështu procedohet të paktën në komunitetin e Damanhurit dhe në fëmijët e Zotit", tregon Tinelli. Kush hyn në një psiko-sekt nuk është asnjëherë i ndërgjegjshëm se po bëhet fjalë për hyrjen në një sekt. "Procesi është i ngjashëm me atë të rënies në dashuri. Pas viteve që kanë kaluar bashkë, mjafton një tradhti e vogël, një fjalë e papërshtatshme, një libër ose një takim i rastësishëm me një mik të vjetër, i cili mund të t‘i hapë sytë dhe mund të prishë shumë punë", vazhdon Tinelli.

Po nëse vendos që të denoncosh metodat e organizatës?

Në faqen e internetit të Cesap, kohë përpara ishin shfaqur mesazhe të ish-pjesëmarrësve të grupit Arkeon, që përcaktonin "rritje individuale, ndërgjegjësim dhe fitimin e pushtetit e të lidershipit".

Ja se si i bëjnë njerëzit për vete (vetëm me katër lëvizje)

1) Mbështetja

Marko është në vështirësi të mëdha. Puna e tij nuk i jep më kënaqësi. Fiton pak para. E dashura sapo e ka braktisur. Besimi në vetvete është zero. Një ditë takon në rrugë dy djem të moshës së tij, të cilët ndalojnë dhe prezantohen në mënyrë shumë miqësore e të thjeshtë dhe i propozojnë që të ndjekë një kurs për të arritur sërish besimin në vetvete.

"Me këtë metodë, do të fitosh sërish besimin në vetvete dhe do të ndihesh tjetër njeri. Edhe ne kemi pasur probleme me femrat dhe me punën, por tashmë çdo gjë i përket së shkuarës"

2) Ndikimi

Marko vendos që ta provojë këtë gjë. Gjatë kursit i thoshin shpeshherë se kishte zgjedhur rrugën e duhur për t‘u shëruar dhe për të fituar atë që kishte humbur, gjënë më të rëndësishme: besimin në vetvete dhe se pas këtij kursi do të dilte i shëruar. Rrethohet me shumë dashuri dhe përkujdesje. Drejtuesi, i cili drejton kursin, "udhëheqësi shpirtëror", i shpjegon se cilat janë problemet e tij dhe i jep të gjitha kurat që duhet të marrë. Në to bëjnë pjesë: nuk duhet të shkojë më në shtëpi, nuk duhet të takohet më me miqtë e vjetër, sepse janë të dëmshëm dhe Marko u beson plotësisht fjalëve të tij.

"Misioni ynë është një mision, i cili ndihmon në rritjen shpirtërore. Ju do të kuptoni ato gjëra që të tjerët nuk do munden t‘i kuptojnë asnjëherë. Ju jeni unikë".

3) Sugjerime

Marko tashmë është "izoluar". Beson gjithmonë e më shumë te grupi i ri dhe te drejtuesi i tij. Kërkon të vishet dhe të sillet si udhëheqësi i tij shpirtëror. Familja tashmë nuk mund të ndërhyjë dot për asgjë. Ai i ka prerë të gjitha marrëdhëniet me të afërmit dhe miqtë e tij. Sekti e ka shpëtuar nga gjendja në të cilën ndodhej dhe tani çdo mendim për t‘u larguar i duket si gabim që do ta bënte të vuante dhe të ndihej në faj. Duhet të blejë libra dhe të ndjekë kurse shumë të shtrenjta dhe për këtë vë në dispozicion të gjitha të mirat e tij.

"Të gjithë i kemi dhënë komunitetit. Ta dish sa i kam dhënë unë¦"

4) Izolimi i përhershëm

Shokët e tij të sektit i përsërisin shpeshherë se kjo është jeta që ai duhet të bënte dhe jo ajo e para. Ata i tregojnë se ai është shenjtëruar dhe duke qenë i tillë duhet të qëndrojë gjithmonë pranë vendit që e ka ndihmuar. Tashmë bashkëjetesa bëhet e detyrueshme dhe e përhershme.

G.Shqip