ZANAFILLA E KOMUNITETEVE MUSLIMANE NË SHQIPËRI
Debati mbi islamizimin e shqiptarëve është një nga temat më intriguese të historisë së kombit tone. Islami, ka qënë një faktor tepër i rëndësishëm në përcaktimin e fizionomisë së shqiptarëve, si popull i ndryshëm nga fqinjët, serbë dhe grekë. Islami i ka bërë shqiptarët kombin më të madh musliman të Evropës. Ky fakt ka shtyrë shumë historianë dhe historibërës të orvaten dhe shpjegojnë PSE-në e madhe të islamizimit masiv të shqiptarëve në kundërshtim me popujt e tjerë të rajonit tonë. Në lidhje me sa më sipër, disa nga arsyet kryesore të islamizimit masiv të shqiptarëve, lidhen me faktet që: a) shqiptarët nuk kanë patur kurrë një kishë të tyre, por kristjanizmi, që nga koha e Kostandinit të Madh e deri në ditët tona, i'u është imponuar nga kishat politike të Romës dhe Kostandinopojës b) krishtërimi ka shërbyer si agjent i imperializmit bizantin dhe romak, dhe është përdorur sa nga Roma aq edhe nga Kostandinopoja për të mbajtur shqiptarët dhe popujt e tjerë nën kontroll. Për këtë arsye, shqiptarët krishtërimin e kanë kuptuar në më të mirën e rasteve si besnikëri ndaj padronëve të tyre katolikë perëndimorë apo ortodoksë lindorë, sesa ndaj Zotit c) në rastet kur shqiptarët kanë dashur të zgjedhin një kristjanizëm ndryshe nga ai i kishës politike, siç ka qënë shembulli i bogumilizmit, ata janë shtypur me zjarr dhe me hekur sa nga Kisha Lindore, aq edhe ajo Perëndimore. d) Duke qënë se Shqipëria ka qënë një nga zonat kufitare më të rëndësishme të osmanëve në Evropë, investimet masive që ata bënë në infrastrukturën e Shqipërisë pas shekullit të XV-të, shërbyen si agjenti më i fuqishëm, i cili ndolli shqiptarët drejt kulturës dhe fesë superiore të Komonuelthit Turk. Zyrtarët osmanë nuk gjetën ndonjë zhvillim të madh në Shqipëri, por në të kundërt, një popull malësor dhe të varfër, të cilit i mundësuan të bëhet pjesë e botës së qytetëruar. Ndërtimi nga zyrtarët osmanë, të qyteteve si Korça, Tirana, Elbasani (Il-basam) apo rindërtimi i qyteteve si Berati, Prizreni, Shkupi etj, dhe kthimi i tyre në qëndra të biznesit të perandorisë me perëndimin, shërbeu si agjentë jo vetëm të rritjes së mirëqënies sociale por edhe të edukimit masiv të shqiptarëve me islamin. e) Ndërtimi i qyteteve shqiptare ka shkuar paralel me edukimin e elitave vendase, të cilat nëpërmjet sistemit edukues të devshirmesë, pasi diplomoheshin nëpër akademitë ushtarake osmane, ktheheshin në shpirtin dhe mëndjen e klasës sunduese osmane dhe promotorë të ekspansionit të saj në Evropë. Megjithatë, fakti që shqiptarët u islamizuan kaq masivisht tregon se në mesin e tyre, ndjenjat miqësore ndaj fesë së Muhamedit duhe të kenë ekzistuar kohë përpara ardhjes së osmanëve.
* * *
Kontaktet e para të popujve të Evropës Juglindore me islamin, nisën që në ditët e profetit Muhamed, kur i fundit, ftoi perandorin bizantin Heraklius që të bëhet musliman. Megjithatë, kontaktet e islamit me Evropën Juglindore janë intensifikuar edhe më shumë në kohën e ekspansionit të Perandorisë Umajade drejt Evropës. Perandoria e umajadëve që u shtri në cepat më të largët të Persisë, do të penetronte në Evropë nga Spanja e deri në një pjesë të mirë të qyteteve kryesore të Italisë dhe Francës. Shekujt e tetë dhe nëntë përbënë kohën e artë të ekspansionit arab edhe drejt ujrave të Mesdheut dhe Adriatikut. Sipas shumë analeve historike islame, Tarik Ibn Zijadi, komandanti legjendar i muslimanëve afrikano veriorë që pushtoi Andaluzinë, përshkruhet të ketë qënë një djalosh bjond, i blerë nga piratët arabë si skllavë, pranë disa fisesh `sakalibe' apo sllave që jetonin në tokat e Dalmacisë së sotme.
* * *
Aktivitetet detare dhe komerciale të arabëve në Detin Mesdhe dhe Adriatik janë përqëndruar kryesisht pranë vijave bregdetare. Në rastin e Shqipërisë, qytete si Durrësi, Ulqini, Vlora dhe Tivari, kanë qënë disa nga pikat kryesore të komunikimit të islamit me popullatat vendase. Gjatë ekspeditave dhe tregtisë që arabët bënin me popullatat shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë misionare ata kanë themeluan edhe komunitetet e para muslimane të Shqipërisë. Mbi ekzistencën e komuniteteve muslimane në vendin tonë, ne mësojmë nga një korrespondencë e vitit 1220 ndërmjet peshkopit të Durresit dhe kanonistit Demetrius Komantianos në Ohër. Në letrën që peshkopi i Durrësit i dërgonte superiorit të tij në Ohër, ku të fundit i kërkonte të dijë sesi duhej të sillet Kisha me minoritet fetare dhe në veçanti armenët (që ishin monofizitë), metropoliti Demetrius, e këshillonte peshkopin që me "grupet minoritare, duke përfshirë këtu çifutët dhe muslimanët, Kisha duhej të lejojë liri të kufizuar..." Komunikimi ndërmjet peshkopit të Durrësit dhe kanonistit Demetrius të cilin e rrëfen historiani Xhon Fine në librin e tij `Ballkani i Vonshëm Mesjetar', dëshmojnë se gjatë kohës së mbretërimit të Perandorit Theodhori I në Epirin Verior, përveç komuniteteve që praktikonin fetë zyrtare të Romës dhe Kostandinopojës (pra ortodoksinë dhe katoliçizmin) ekzistonin edhe të tjera. Këto komunitete, vuanin persekutime të shumta nga sundimi bizantin, siç është rasti me komunitetin hebraik të cilin Theodhori I e izoloi nëpër geto dhe më pas e ndaloi të praktikojë hebraizmin. Megjithatë një nga pikëpyetjet më të mëdha që shumë shqiptarë mund t'i bëjnë vetes pasi lexojnë korrespondencën kishtare, është se nga e kishin origjinën muslimanët e përmendur në letërkëmbim? Përgjigja për këtë duhet të gjendet në emiratin më të afërt islamik të Shqipërisë: në Siçili.
* * *
Islami në Siçili
Arabët, Siçilinë apo Al-Sikillinë kanë kërkuar t'a pushtojnë që në kohën e kalifit të parë umajad, Muavija Ibn Sufianit (viti 652). Emri al-Sikillijah me të cilin arabët quanin ishullin, sipas shumë historianëve është versioni i arabizuar i emrit grek të ishullit, i cili rrjedh nga dy frutat bazë që rriten në `të, `siqi' dhe `ilahia' (fiq dhe ullinjë). Inkursionet arabe drejt Siçilisë, të nisura në kohën e Muavijës, janë shtrirë në një interval kohe prej 200 vitesh, ku emirë të ndryshëm arabë, që nga Ubejdullah bin Ahbabi dhe Habib bin Abu Ubejda kryen një seri orvatjesh për të pushtuar ishullin. Orvatja më e famshme i përket viteve 739 â⬓ 740 kur arabët mbajtën të rrethuar për mëse një vit Sirakuzën. Megjithatë, muslimanët Siçilinë arritën t'a pushtojnë vetëm në kohën e sundimit të Algabidëve në Ifriki (Tunizi). Emiri i dytë algabid, Abu Abaz bin Abdullah, ndërtoi një flotë të fuqishme për shtetin islamik, të cilën në vitin 827, kur piratët siçilianë sulmuan dhe plaçkitën Kajravanin, do t'a përdorte për t'ju kundërpërgjigjur piraterisë bizantine. Në 18 korrik 827 kur turmarkosi bizantin Eufemios, kishte probleme me sundimtarët vendas, i fundit kërkoi ndihmën e emirit të Ifrikisë, i cili dërgoi Zijadullah bin Ibrahimin që të ndërhyjë ushtarakisht në ishull për të mbështetur komandantin grek. Në fushatën e pushtimit të Siçilisë, morrën pjesë shumë berberë nga Ifrikija dhe muslimanë spanjollë të udhëhequr nga Akbag bin Vekili, i njohur nga siçilianët si Fargalus. Trupat spanjolle të Fargalusit arritën të pushtojnë Palermon në 12 shtator 831, ndërsa pushtimi i plotë i ishullit do të realizohej në vitin 902 kur Katania dhe Taormina hynë nën sundimin e emirëve arabë. Era e artë e muslimanëve në Siçili i përket shekullit të 10të. Në kundërpëgjigje të revolucionin shi'it të fatimidëve në Egjipt, sunitët arabë të Siçilisë kërkuan të ndahen nga juridiksioni i Kajros së sapokrijuar, dhe njohin abasidët e Bagdadit si kalifë të tyre. Por berberët kaluan në anën e fatimidëve gjë që do të shkaktonte trazira në vend. Në kundërpërgjigje ndaj kaosit të krijuar, kalifi fatimid i Kajros dërgoi si guvernator të tij në Siçili Hasan bin Ali al-Kalbin, i cili themeloi edhe dinastinë e kalbidëve. Gjatë sundimit njëqind vjeçar nga kalbidët, në ishull sundoi paqja dhe begatia. Arabët zhvilluan shkencat dhe artet islame, dhe i dhanë Siçilisë ngjyrat arabe të cilat lexohen deri në ditët tona në toponominë e ishullit dhe banorëve. Kështu për shembull, familja Katani e të famshmit Korado Katani në filmin `La Piovera', rrjedh nga emri i fisit jemenit të Benu Kahtanëve. Ndërsa shumë provinca siçiliane deri në ditët e sotme kanë origjinë arabe. Kështu për shembull në kemi Karonian e cila rrjedh nga emërimi i lagjës e fisit al-Karunia, Katania nga al-Kahtanija, Marsala nga Marsha-Ali, Kalsa nga al-Khalisa etj. Gjatë kohës së sundimit islam në Siçili, emirët arabë u bashkuan në shumë raste me bizantinët, siç është rasti i vitit 980, kur sulmuan trupat e perandorit Otto II në Kalabri. Megjithatë, në fillim të shekullit të 11të kadijtë e Siçilisë hynë në luftëra civile me njëri tjetrin, të cilat ndikuan në rrënimin e Emiratit. Duke përfituar nga përçarja në vend, konti norman Roger d'Hauteville erdhi në ndihmë të kadiut Ibn al-Thumna në vitin 1061. Dhjetë vite më vonë, në 1071, djemtë e tij, Robert le Guiskardi dhe Rogeri II nisën pushtimin e Siçilisë, i cili përfundoi në 1091. Rezistenca e muslimanëve kundër pushtimit norman u udhëhoq për një çerek shekulli nga komandanti legjendar i muslimanëve siçilianë, Benaverti, i cili do të mundej vetëm në vitin 1086 në betejën e Sirakuzës. Megjithë nënshtrimin e muslimanëve, normanët që kishin plane imperiale drejt Lindjes së Mesme nuk u morrën me zhdukjen e tyre. Përkundrazi, muslimanët u panë si shumë të dobishëm nga normanët, dhe në veçanti mbretit Roxher II (1111 â⬓ 1154) i cili në 1130 u shpall mbret i Siçilisë, Pulias dhe Kalabrisë, dhe kishte nevojë për dijet e tyre për të pushtuar Ifrikinë. Megjithatë projektet imperiale të normanëve hasën në shumë probleme, dhe më në fund, në kohën e mbretit Williami II, dështuan njëherë e mirë, pasi në këtë kohë, në Egjipt u shfaq kampioni i antikryqëzatës evropjane, Salahudin al-Ejubi.
* * *
Burime te shumta historike tregojnë se edhe pasi normanët e pushtuan Siçilinë, ata u treguan mjaft pragmatikë me muslimanët, duke i lejuar të jetojnë sipas modës së tyre dhe të mos ju kërkojnë konvertimin në kristianizëm. Muslimanët që njiheshin si luftëtarë të mirë u rekrutuan në mënyrë masive në ushtritë normane, ndërsa shumë të tjerë shërbyen si sekretarë dhe shkollarë në pallatet e sundimtarëve kristjanë. Ndër ata mund të kujtojmë gjeografin e madh arab, Al â⬓ Idrisin (1100-1165) që jetoi në Palermo, në pallatin e mbretit Roxher II. Al-Idrisi shkroi gjërë mbi simpatinë që Roxheri II kishte ndaj islamit dhe arabizmit dhe vendin që gjuha dhe shkenca arabe kishte në pallatin norman. Lidhjet e Roxherit me muslimanët shkaktuan në disa raste acarime ndërmjet tij dhe Kishës Katolike, e cila përfliste gjithmonë se normanët ishin konvertë të fshehtë në fenë e Mahometit. Megjithatë, mardhëniet e muslimanëve me normanët, u acaruan gjatë kohës së Williamit I. Kulmi i acarimeve arriti në vitin 1161 kur muslimanët u rebeluan kundër pushtetit mbretëror dhe taksave të shumta. Tensionet e muslimanëve me kristjanët u thelluan edhe më shumë gjatë viteve të luftës civile nga 1189-90, ndërmjet Tankredit të Leçes dhe Henrit VI të hohenstaufenëve, që ishte djalë bastard i mbretit Roxher II. Si pasojë e luftës, muslimanët e persekutuar nga të krishterët u detyruan të largohen nga qytetet drejt fshatrave dhe organizojnë rezistencë. Problemet e muslimanëve vazhduan edhe me ardhjen në fron të Frederikut II në Siçili, i cili shtypi rezistencën e tyre në kalatë e Jatos dhe Entelës. Heroi i rezistencës muslimane ndaj sulmeve të Frederikut II, njihet si Mirabetto nga italianët. Por emri i tij i vërtetë ishte Muhamed Ibn Abad. Ai ishte emir i qytetit të Entellës dhe kështjellës së Jatit rreth viteve 1220. Gjatë sundimit në Entela, Ibn Abadi kërkoi të rivendosë pavarsinë e muslimanëve nga monarkia normane, dhe për këtë refuzoi të njohë pushtetin e Frederikut II, organizojë muslimanët dhe biles shtypë edhe dinarë në emër të tij. Për t'u përballur me rezistencën muslimane, Frederiku II marshoi kundër Entelës me mbi 60.000 ushtarë, dhe pas një rrethimi të gjatë arriti të bindë Mirabetton se në rast dorëzimi, ata do të liheshin të lirë. Me ndërmjetësimin e kadiut të qytetit, Mirabetto u dorëzua ndaj Frederikut, i cili e vrau në kundërshtim me besën e dhënë. Por rezistencën e të atit e vazhdoi e bija e tij, e cila u hakmorrë kundër trupave të Frederikut duke vrarë shumë prej tyre dhe rezistuar për një kohë të gjatë. Më në fund, kur trupat e normanëve arritën të thyejnë rezistencën muslimane, ajo helmoi veten, për të mos rënë e gjallë në duart e kryqtarëve. Vendosmëria dhe rezistenca e Mirabetos dhe të bijës së tij, la shumë mbresa mes bashkëkohësve italianë. Megjithatë, Frederiku II që ishte rritur në mesin e kulturës islame, dhe në fakt kishte edhe shumë të dashura muslimane, për të cilat edhe goditej nga Kisha Katolike më vonë, me cytjen dhe mbështetjen e Kishës, arriti të shkatërrojë komunitetet muslimane të Siçilisë. Pas nënshtrimit të Entelës, ai nisi internimet masive të muslimanëve të mbijetuar drejt Pulias dhe Brindisit. Të kthyer në bujkrobër të feudalëve italianë, faza finale e komunitetit muslimanë të Italisë u zhvillua në koloninë e Luçerës, e cila shtrihej disa kilometra në lindje të Brindisit. Muslimanët jetuan në Luçera për rreth 100 vjet, derisa në vitin 1300 komuniteti i tyre do të shfarosej nga angjevinët apo detyrohej që të arratiset drejt brigjeve fqinje të Shqipërisë dhe Lindjes së Mesme.
Muslimanët siçilianë në Shqipëri
Robert le Guiskardi që pushtoi Siçilinë më 1071, ndërhyri ushtarakisht edhe në tokat bizantine apo më saktë në Shqipëri në vitin 1081. Pas vdekjes së tij, i biri i tij Bohemundi dhe më pas Roxheri II kryen një numër të madh ekspeditash në brigjet e Shqipërisë. Një rezyme e qartë mbi këto luftëra është dhënë nga Ana Komnena, e bija e perandorit Bizantin, Aleksi I. Në fushatat kundër Shqipërisë, kontigjentet normane kishin në përbërjen e tyre shumë muslimanë siçilianë. Ndër t'a më i famshmi ka qënë gjeografi musliman, al-Idrisi i cili përshkroi viset e Shqipërisë në punimet e tij. Megjithatë, muslimanët e Siçilisë, nisën të zbarkojnë në mënyrë masive në Shqipëri gjatë kohës së sundimit angjevin. Sundimi angjevin sipas Eqerem bej Vlorës, zgjati në Durrës nga viti 1271 deri më 1372, ndërsa në Kaninë dhe Vlorë nga 1272 e deri më 1296. Sundimi i angjevinëve nisi në vitin 1271 kur mbreti i tyre, Karli pasi i morri pushtetin Manfredit, u shpall edhe mbret i Shqipërisë. Për të mbajtur vendin nën pushtim, angjevinët rekrutuan një numër të madh muslimanësh nga Luçera, kolonia muslimane që shtrihej në veriperëndim të Brindisit, portit kryesor të ekspansionit drejt Durrësit. Ndërtimi i kolonive me muslimanë në Shqipëri ishte pjesë e politikës ekspansioniste angjevine drejt Bizantit. Analet historike të angjevinëve flasin për shumë muslimanë që janë vendosur në viset e Shqipërisë gjatë kohës së sundimit të tyre. Megjithatë këtu mund të përmendim disa nga faktet që historiania Julie Taylor rrëfen në librin e saj `Muslimanët në Italinë Mesjetare'. Ndër të tjera ajo kujton se në vitin 1273 angjevinët nisën drejt Shqipërisë, një numër shumë të madh muslimanësh, të cilët komandoheshin nga emiri Rikardo, ndërsa i biri i tij, Haxhaxhi drejtonte furnizimet e ushtrisë nga Otranto dhe Bari. Po në vitin 1273, Durrësi të cilin angjevinët e kishin pushtuar, do të komandohej nga një musliman nga Luçera i quajtur Leone, i cili do të zëvendësohej një muaj më pas nga komandanti Musa që drejtonte 200 trupa muslimanësh. Musai drejtoi trupat angjevine në Durrës deri në vitin 1275, kur u zëvendësua nga komandanti Ibrahim. Por përveç Durrësit, muslimanët e Italisë u shpërndanë edhe në vise të tjera të vendit tonë. Kështu në vitin 1275 kur angjevinët pushtuan Vlorën, ata vendosën në qytet mbi 300 harkëtarë dhe këmbësorë muslimanë të cilët udhëhiqeshin nga një oficer i moshuar, i quajtur Salim. Vendosje të tjera të dokumentuara muslimanësh drejt Durrësit janë ato të vitit 1279 kur në qytet u vendosën 53 harkëtarë nga Luçera nën udhëheqjen e emirit Ibrahim, si dhe stacionimi në vitin 1275 i mbi 100 harkëtarësh muslimanë nën komandën e Guillaume Bernardit dhe kështu me radhë. Në vitin 1280, angjevinët dërguan në Shqipëri edhe një numër shumë të madh ndërtuesish, artizanësh dhe hekurpunuesish muslimanë, të cilët punuan për të forcuar kështjellat në Berat, Durrës etj. Një nga ndërtimet angjevine që i ka mbijetuar kohërave, sipas Eqrem bej Vlorës, është torra e bardhë në Durrës, pranë portit, ngjitur në murin e qytetit `turris magistra'. Por përvec ndërtuesve, në vjeshtën e vitit 1280, angjevinët dërguan nga Durrësi për të marrë pjesë në rrethimin e dështuar të Beratit edhe 300 ushtarë të tjerë muslimanë. Megjithatë, muslimanët nuk shkonin gjithnjë mirë me angjevinët. Kështu në vitin 1278 një numër prej tyre dezertuan nga ushtria angjevine dhe u bashkuan me popullatën shqiptare, ndaj të cilës, sipas kronikanëve të kohës, `ata tregonin më shumë simpati sesa ndaj shtetit'. Mardhëniet e angjevinëve me muslimanët nuk shkuan mirë për shumë kohë. Në vitin 1300 Karli II, që dhjetë vite më parë kishte kërkuar që hebrejtë e mbretërisë së tij të konvertohen në kristjanizëm, të njëjtën kërkesë do t'ia bënte edhe muslimanëve të Luçerës. Kur të fundit refuzuan, Karli II që ishte trushplarë nga urdhëri domenikan që drejtonte inkuizicionin dhe Papa Bonifaci VIII, shkatërroi qytetin e Luçerës dhe pas kësaj detyroi muslimanët të kthehen në skllevër, apo muhaxhirë drejt tokave të largëta. Shumë prej 80.000 banorëve të Luçerës u vranë, dhe pjesa më e mirë e të shpëtuarve ishin ata që sa për sy e faqe u deklaruan si kristjanë. Dezertorët muslimanë të vitit 1278 dhe për më tepër, muslimanët që shpëtuan nga masakra fetare e vitit 1300, ishin disa nga elementët që formuan bërthamën e parë të muslimanëve në historinë e Shqipërisë. Shqipëria ishte vendi më ideal për strehimin e muslimanëve në zonat e Adriatikut. Në të, kristjanizmi shihej si ideologji e sundimtarëve lindorë dhe perëndimorë, dhe për më tepër relievi i thyer i vendit dhe mos â⬓ ekzistenca e ndonjë kishe shqiptare, favorizonte të gjithë heretikët e Evropës Juglindore të gjejnë strehim. Prelatët e bizantinë që vizituan Labërinë e shekullit të 13të, Kostandinopojës, i raportonin se banorët e këtyre zonash ishin ende paganë dhe kishin nevojë të rikristjanizohen. Dëshmitë e peshkopëve të Durrësit dhe Ohrit dhe rrëfimet e kronikave angjevine, të ndërlidhura me numrin e madh të muslimanëve të vendosur nga angjevinët dhe normanët në Shqipëri, janë gjurmët e njerëzve të parë, që themeluan bërthamën e komunitetit musliman në historinë e Shqipërisë. Edhe pse ky komunitet duhet të ketë ekzistuar në formë minoritare (ashtu sikurse edhe hebrejtë), dhe në disa raste edhe mund të jenë detyruar të konvertohet me dhunë në kristjanizëm, nga frika e regjimit, fuqia e besimit dhe traditës duhet që medoemos të ketë mbijetuar mes tyre edhe për gjysëm shekulli, kur në Shqipëri u shfaqën sërisht grupe të mëdha muslimanësh, por që kësaj radhe vinin nga lindja, dhe ishin turqit e Emiratit të Ajdinit. Me copëtimin e Perandorisë Bizantine, dhe daljen në skenë të principatave të pavarura shqiptare, dhe shfaqjen e princave të parë të islamizuar shqiptarë, siç është rasti i Jakub Shpatës, pasardhësit e muslimanëve italianë të vendosur në Shqipëri kanë patur shansin të shpallin botërisht identitetin e tyre fetar, të cilin e përqafuan edhe shumë shqiptarë. Rasti i islamizimit të Jakub Shpatës, kohë përpara ardhjes së osmanëve në Shqipëri është një shembull. Kronikat angjevine dhe normane, që dëshmojnë për një numër të madh muslimanësh të vendosur në Shqipëri që nga shekulli i 11të dhe më pas, na bindin se islamizimet e para të Ballkanit nuk i përkasin kohëve të Sari Salltëkut, siç disa studiues shqiptarë mendojnë, por shumë kohëve më parë. Mesa kuptohet nga kronikat angjevine, misionarët e parë të islamizimit në Shqipëri, duket që nuk kanë ardhur nga Lindja por nga Perëndimi. Ata nuk ishin pushtues, por muhaxhirë të cilët gjetën në Shqipëri një `safe heaven' nga masakrat që Kisha Katolike organizonte në Italinë Mesjetare.
Referenca
- Ballkani i Vonshëm Mesjetar, John Fine - Muslimanët në Italinë Mesjetare, Julie Taylor - Al-Sikilliya, Enciklopedia of Islam - Bizantine Empire, Dictionary of Medieval Ages -Islami ne trojet iliro-shqiptare gjate shekujve, Nexhat Ibrahimi.