×

Virgjëresha Mari, katolike apo myslimane?!

Virgjëresha Mari, katolike apo myslimane?!

· 1 · 1128

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 06-11-2010, 16:23:59
Ekziston në botë një grua, përherë e re në moshë, që me një vështrim enigmatik të bind të kuptosh se si antagonizmi midis besimeve fetare është vetëm keqdashësi e budallallëk njerëzor. Me një jetëgjatësi dymijëvjeçare ajo bashkon zemra, popuj, e devotshmëria njerëzore që i kushtohet tregon se është e mundur të gjesh “pikëtakimet” pa paragjykime ideologjike midis besimtarëve të çdo feje. Asaj i janë kushtuar mbi 200 mijë libra, shekuj të tërë studimesh, hulumtimesh e gërmimesh arkeologjike, konsiderohet gruaja më e famshme në histori, por që ende vazhdojmë të dimë shumë pak. Të krishterët e quajnë Maria, ortodoksët Mariam, hebrenjtë Miryam, myslimanët Maryam e për të gjithë është Virgjëresha Maria, nëna e Jezu Krishtit.



Për besimtarët katolikë ajo është  Shën Mëria, një shenjtore, që prej shekullit IV e.s i dedikojnë në latinisht lutjen: “Ave Maria, gratia plena, Dominus tecum, benedicta tu in mulieribus, et benedictus fructus ventris tui, Iesus. Sancta Maria, mater Dei, ora pro nobis peçatoribus, nunc et in hora mortis nostrae Amen. (Shën Mëri plot me hirësi. Zoti është me ty, ti je e bekuara mes grave e i bekuar është fruti i barkut tënd. Jezu. Shën Mëri, nëna e Krishtit, lutu për ne mëkatarët tani e deri në orën tonë të vdekjes, Amin). Për besimtarët myslimanë nuk është një shenjtëri, por një Zonjë (Sayyda), e nderojnë dhe e respektojnë, besojnë në virgjërinë e saj, e quajnë nëna e Krishtit e jo e nëna e Zotit, pasi për ta Jezusi ishte një profet ashtu si dhe profeti Muhamed. Në Kuran figura e Maryam është e mbizotëruese ndaj figurave të tjera femërore, është e vetmja e cituar mbi dyzet herë me emër, e i është dedikuar një kapitull i tërë,  ai XIX, syrja e Marias. Arsye historike, kulturore e fetare kanë bërë që devotshmëria humane ndaj saj të jetë e pafund, globale, kapërcen fe e kontinente, bashkon zemra e popuj, duke e merituar të quhet “Nëna e popujve”. Zbulimet arkeologjike, siç është një papirus i shek. III, gjetur në Egjipt në vitin 1917, e dëshmia e parë e lutjes ndaj Shën Mërisë, konfirmojnë se kulti i Theotokos, Nënës së Zotit ishte shumë më antik se sa kodifikimi që i ka bërë kisha. Gërmime të tjera në Efes, Turqi, vërtetojnë se si kjo virgjëreshë kishte kaluar vitet e fundit të jetës së saj tokësore pikërisht këtu, në Mereyem Ana Evi, shtëpia ku kishte jetuar me Gjonin, dishepullin të cilit Jezusi i kishte besuar kryqin. Koincidencë e vlerësueshme kjo, duke menduar se në vitin 431 në Efeso mbahet Këshilli që e deklaron “Nëna e Zotit”. Shën Mëria është një terren takimi midis katolicizmit e islamizmit, më shumë sesa ndan, ajo bashkon. Shën Mëria e të krishterëve ka një vend nderi në Kuran, ajo është nëna e Isaa ( Jezusit), profeti i parafundit, e së bashku me Fatimen, vajzën e zgjedhur të Muhamedit, citohet mirësisht shumë herë. Për Kuranin, Maria është një simbol paqeje e dashurie, por dhe vuajtjeje për shkak të shtatzënisë së saj, është nëna e një profeti të madh, i shënuar dhe ai nga një jetë e vuajtshme. Problemi është se shumë myslimanë nuk e dinë, askush nuk ua ka mësuar e vazhdojnë ta konsiderojnë Shën Mërinë vetëm si një personazh i krishterë. Profeti mysliman Muhamedi, kur hyri në Mekë më 630, duke e kthyer në një qytet të shenjtë të kësaj feje, purifikoi dhe Kaba-në, shenjtoren e tribune e mëparshme. Atje gjendeshin rreth 300 idhuj, ai i shkatërron të gjitha duke ruajtur veç ikonën e Marisë, të cilën teksti i Kuranit e konsideron si profeteshë. Në syren e saj, Maria është gruaja e devotshme gjatë gjithë jetës dhe e vetmja në serinë e Profetëve  pasardhës të Adamit, Abrahamit, Noas e Imran.

Shën Mërisë i janë kushtuar rreth 10 000 shenjtore në botë, 2/3 e të cilave në Evropë, e mbi 60-70 milionë është numri i personave që vizitojnë çdo vit këto objekte kulti. Nuk është një doktrinë, devotshmërinë ndaj Shën Mërisë nuk e ka krijuar Kisha, përkundrazi ajo ka qenë shpesh dyshuese ndaj mrekullive e shfaqjeve të herëpashershme të saj. Këto shenjtore i kanë krijuar njerëz të thjeshtë, të bindur në mirësinë që ajo dhuron e pavarësisht se kujt besimi i përkasin. Këtu lind dhe Marialogy, teologjia që i dedikohet Shën Mërisë, “ndaj së cilës nuk do të thuhet kurrë aq sa duhet”, e ka si objekt studimi devotshmërinë popullore ndaj saj. Për studiuesit e kësaj teologjie shumë më tepër se 10 mijë është numri i këtyre shenjtorëve, duke supozuar se të tjerë “më të vegjël e më pak të njohur” i duhet shtuar kësaj liste. Kush nuk ka dëgjuar të flitet për Lourdes, Fatima, Loreto, Medjugorje e ka menduar pa hezituar një çast Shën Maria! Mund të shfletosh një hartë të vërtetë me shenjtoret e saj, madje dhe të humbësh. Pelegrinët arrijnë pranë tyre individualisht, në grupe, herë-herë dhe si një lumë turme. Midis tyre gjen përherë një grup që ndalet një hap para hyrjes së shenjtores. Recitojnë së bashku një lutje të gjatë, të padëgjueshme më parë e të çuditshme për të krishterët që u kalojnë pranë. Shumë prej tyre hedhin lule e largohen pa bërë shenjën e kryqit. Nuk mundet ta bëjnë, pasi ata janë myslimanë. Për ta Maria, Nëna e Jezusit, duhet respektuar e nderuar, por jo t’i falesh. Megjithatë, ata ndodhen aty pranë shenjtores së Shën Mërisë në çdo cep të botës që ndodhet e kush krijon statistika thotë se numri i besimtarëve myslimanë, pelegrinë në këto vende, nuk është i paktë. Por numrat vërtet nuk mund të thonë gjithçka, por mundësojnë idenë e një fakti evident: Shën Mëria mund të shërbejë si urë kalimi midis Katolicizmit e Islamizmit.

Standard