×

Bujar Kapexhiu, Aventura e një jete kushtuar artit

· 1 · 985

Bujar Kapexhiu, Aventura e një jete kushtuar artit

· 1 · 985

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 30-07-2010, 16:55:51
Nga prezantimi i Festivalit të 11-të tek filmat vizatimorë, mes aktrimit në role memoriale dhe regjisë bashkëkohore. Kur i prenë rrugën për t’u marrë me teatër, është marrë me karikaturën. Kur i ndaluan karikaturën, është marrë me regjisurën. Gjithmonë ka ditur që rrjedhën e aftësive të tij, ta fusë në ato hulli që ishin të hapura. Janë shumë talente për të, por njëra i përmbledh të gjitha “humori e satira”. Bujar Kapexhiu rrëfen rrugëtimin e tij të gjatë artistik, nga filmi tek karikatura.



“Kur shoh filmin “Dueli i heshtur”, vazhdimisht pyes veten: “Kush është ky djali kaq simpatik, që luan rolin e Bepinit?! …..Por duhet të jetë djalë i mirë…”, shton duke qeshur Bujar Kapexhiu.
Si gjithmonë batutat i ka gati në buzë, auto-ironinë gjithashtu…

Vitet kanë bërë të vetën edhe për Bujar Kapexhiun. Sot ai është një zotëri fisnik, shumë xhentil, megjithëse koha kur ka stampuar portetin e tij, në të parin film si aktor, është e largët, viti 1967.
Sot e ke të vështirë të gjesh një përcaktor që të përmbledhë të gjithë talentet dhe kontributin e tij artistik. Aktor? Jo nuk mjafton, ka bërë më shumë se kaq! Regjisor? Ndoshta! Sikur të mos kishte shkruar vetë skenaret e sa e sa filmave artistikë e vizatimorë.

Piktor animator? Edhe kështu mund ta quajmë, nëse kemi parasysh mijëra e mijëra vizatime për filmat multiplikativë. Shkrimtar i satirës? Jo, nuk mjafton, përderisa në dhuntitë e tij hyn edhe karikatura….Atëherë le të gjejmë bashkë një fjalë që përmbledh të gjitha talentet e tij….Duket si e pamundur, prandaj le të quajmë thjesht…. artist.

Që arti bashkëjeton me Kapexhiun prej vitesh e vitesh, kjo nuk është diçka e re. Por nostalgjia që do të rizgjojmë përmes bisedës me të, sigurisht do ju bëjë të rizgjoni përjetimet tuaja, përmes këtij artisti disaplanësh, që së fundmi gjithnjë e më shumë e ndeshim me karikaturat e tij në gazetat dhe revistat më të kërkuara të tregut mediatik.

Me mjaft modesti thotë se profesioni i tij i tanishëm është ai i karikaturistit. Shumë vite kanë hyrë në mes tij dhe filmave, festivaleve, punës si regjisor dhe skenarist. Dimensionimi dhe ridimensionimi kanë qenë të pashmangshme. Vitet herë të mëshirmshme, e herë të pëmëshirmshme. Shenjat e tyre kanë lënë gjurmë në fotografitë që ngjallin kujtimet e një jete të shkuar.

“Dueli i heshtur” i Bujar Kapexhiut

“Shumë njerëz mendojnë se unë jam ndëshkuar nga vetë personazhi i Bepinit”. Kështu e nis rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu. Nëse i rikthehemi kujtesës dhe ndalojmë në vitin 1967, vit kur Kapexhiu interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit, para syve na del një personazh mjaft interesant, i vërtetë, me “look” perëndimor dhe ide kundrarevolucionare . Një rol shumë impresionues, në kohën kur ishim mësuar të shihnim heronj të realizmit socialist, të fortë, të paepur, me bindje të pastra…..Aq mirë është mishëruar ky rol sa të duket që vetë Bujari ka qenë i tillë, njëri prej atyre njerëzve që donin të kapërcenin kufirin.



“Aktorit i takon shpesh të interpretojë vetveten, mendon Bujari. Mesa duket, Bepini kishte një lloj ngjashmërie me mua në atë kohë, kishte rininë, aspiratat, dëshirat e mia. Madje ka edhe diçka interesante që ndodhi pas filmit. “Kur unë u dënova për të vajtur në prodhim, për tendenca moderniste, kryeredaktori i revistës “Hosteni” në atë kohë, Niko Nikolla, më thotë: “Ti Bujar e pësove pikërisht nga filmi. Sepse ata e kanë parë filmin dhe kanë thënë, përderisa luan kaq bukur, edhe ky duhet të jetë i poshtër me siguri, me këto mendime dhe këto tendenca”.

Ky ishte roli i parë i imi, asaj kohe isha student në vitin e katërt të Institutit të Arteve për aktor. Të them të drejtën si aktor, e kam pasur me shumë dëshirë teatrin. Teatrin e adhuroja dhe nuk mendoja se do të luaja në film, ndonëse këmbëngulja e regjisorit Dhimitër Anganosti më mbushi mendjen që unë duhet të interpretoj tek “dueli”. Aty jam munduar të bëj mjeshtri aktori. Ndoshta ky rol qëlloi i suksesshëm, pasi ka edhe një afërsi, ndoshta me moshën, aspiratat, dëshirat dhe kështu, përputhja e atij personazhi me veten time, bëri që Bepini të dukej, ashtu, i besueshëm, i pëlqyeshëm dhe i admirueshëm.

Aq më tepër që në atë periudhë, personazhet negative pëlqeheshin shumë, sepse thonin batuta që ndoshta i mendonin të gjithë, por nuk guxonin t’i shprehnin. Kurse ne si personazhe na lejohej që t’i deklaronim. Përshembull, aty ka batuta kur unë them: “Si është e mundur që doni ta ndërtoni socializmin me kuleçë?!”, ose kur pyes për atë vajzën në fotografi: “E keni dashnore kolektive?”, ose kur shprehem për komisarin: “Burrë i pashëm kodoshi!”. Janë disa batuta që kanë ngelur edhe sot.

Atëherë punohej me një pasion të jashtëzakonshëm, vijon kujtimet e tij Bujar Kapexhiu, dhe punonim në kushte shumë të vështira. “Mendo, të udhëtosh me anije, që nuk është kollaj. Niseshim nga Durrësi dhe dilnim në det të hapur, sepse duhej që kamera kur të lëvizte, të mos kapte breg.

Të gjithë i zinte deti përveç Rikard Ljarjes dhe nuk e di pse. Mbase ngaqë kishte rol pozitiv”, shton duke qeshur. “Rikardi në atë kohë ishte edhe provokativ me ne, pasi na afrohej me cigare, na hidhte tymin në fytyrë, bënte zhurmën e të vjellës dhe ne të gjithë tmerroheshim nga kjo gjë, pasi na zinte vërtet deti. Por, vërtet që ruaj nostalgji për atë kohë. Për pasionin, për punën e bukur artistike që kemi bërë me regjisorin. Ishte një eksperiencë e re, e para në film dhe shumë interesante”.

Nga tre herë në “Dy herë mat”

Pak kush e di që filmi komedi “Dy herë mat”, që mban autorësinë e Bujar Kapexhiut, fillimisht ka qenë ideuar për “Tre herë mat”. Ndërsa flet për komeditë që ka realizuar në vite, e gjithë fytyra i merr një pamje hareje. Duket se humori është argument për të cilin pëlqen të flasë pa fund. Që fëmijë thotë së ka patur një prirje natyrore ndaj humorit, mbase të mbartur nga familja. Babai i tij, një burrë nga Dibra e Madhe me një humor fin dhe elegant, ndërsa e ëma, një korçare me shpirt të pasur artistik. “Nga e kam marrë unë humorin?!, përsërit pyetjen e bërë Kapexhiu….Epo, shpesh e kam thënë, nëse palosim në mes hartën e Shqipërisë, Dibra bie mbi Korçën, dhe unë nuk kisha nga dilja ndryshe…”



“Më pëlqente gjithmonë të bëja humor në shoqëri, familje”, kujton ai. “Interpretimi i filmit “Dy herë mat ka qenë edhe si një vazhdë e punës sime si regjisor në Estradën e Tiranës. Aty u caktova, sapo mbarova shkollën. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marë me humorin, si me shkrimet, ashtu edhe me regjinë. Kështu që kur shkova në Kinostudio, fillimisht shkrova një komedi e cila u pëlqye mjaft.

Atëherë isha piktor dhe skenarist i filmit vizatimor. Mirëpo dëshira ishte që të kaloja në filmin artistik. Ndaj shkrojta skenarin, që në atë kohë titullohej “Tre herë mat”. Por meqë filmi dilte shumë i gjatë, hoqëm një “mat” dhe e bëmë “Dy herë mat”. Por unë nuk e kisha menduar që do ta interpretoja vetë rolin kryesor të këtij filmi, e kisha taksur këtë rol për aktorin Agim Qirjaqi. Atë e kam patur student në Institutin e Arteve dhe më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, si një student i rrallë dhe më vonë, si një aktor i mrekullueshëm.

Mirëpo kur kërkova Agimin, ai ishte i angazhuar në një film tjetër. Kështu që u vendos që këtë rol ta interpretoja unë. Padyshim nuk është lehtë që edhe të interpretosh, edhe të drejtosh. Gjithmonë duhet të kesh një sy tjetër që të shikon dhe të korrigjon. Por kam bashkëpunuar shumë me operatorin Lionel Konomi, i cili më ka ndihmuar në këtë drejtim dhe ka qenë ai që ka bërë syrin korrigjues gjatë filmit”.

Komeditë

Bujari nuk jeton dot pa humorin, është marrë shumë me të. Që nga puna si regjisor në Estradën e Tiranës, për të vijuar me punën si libretist, karikaturist, e për tu ndalur tek komeditë dhe karikaturat….Por biseda edhe për pak momente ndalet tek filmat. Është ora 9.30 e mëngjesit dhe një kafe ndërsa flitet për komeditë, jo vetëm që i shërben plotësimit të informacionit për shkrimin e portretit artistik të Bujar Kapexhiut, por përmirëson edhe humorin e fillimit të ditës, pasi janë filma të realizuara mire, që i rezistojnë kohës, batutat e të cilëve janë po aq të njohura e të pëlqyera, sa edhe aroma e mirë e kafes.

“Edhe kështu, edhe ashtu”, “Stolat në park”, “Tela për violinë”, etj janë disa nga komeditë e realizuara nga Bujar Kapexhiu. “Në përgjithësi spektatori e pëlqen komedinë, aq më tepër kur një komedi është e ndërtuar natyrshëm, kur thotë diçka, kur është artistikisht me nivel. Spektatori është i prirur të shkojë drejt humorit. Ne e shohim sot që, nëse në të njëjtën kohë shfaqet një dramë dhe një komedi, kam përshtypjen që komedia tërheq më tepër spektatorë”, komenton Kapexhiu.

Karikatura e parë

Ka pushtuar me karikaturat e tij faqet e gazetave dhe të revistave më të rëndësishme në vend. Pa dyshim mbetet karikaturisti më i mirë. “Në jetën time, kur më kanë prerë rrugën për t’u marrë me teatër, merresha me karikaturën. Kur më ndaluan të merresha me karikaturën, merresha me regjisurën. Pra rrjedhën e aftësive të mia, e kam future në ato hulli që ishin të hapura. Janë shumë talente, por njëra i përmbledh të gjitha “humor e satira”.

“Karikatura e parë e vërtetë ka qenë në revistën Hosteni, kujton sot ai. Ka qenë një vajzë dhe një djalë që bënin një dialog të tillë: Djali i thotë vajzës: “Unë ju dashuroj!” Ajo i përgjigjet: “Në zemrën time nuk ka vend për ty”. Dhe djali i kthehet: “S’ka gjë, rri edhe në këmbë!”. Kur e çova këtë karikaturë për herë të parë, karikaturisti i famshëm Zef Bumçi dyshoi nëse ishte karikaturë e imja, mendoi se mund ta kisha kopjuar diku.



Më pyeti dhe i thashë se e kisha vizatuar vetë. Atëherë më kërkoi që të merrja një copë letër dhe një lapës dhe të vizatoja. Unë u vura në provë që në atë moment, por që ishte një sfidë që nuk e kisha problem. Që nga ajo ditë ai priste vazhdimisht karikaturat e mia. Kështu nisa të botoja tek “Hosteni” dhe në shtypin periodik të kohës. Punë e cila vazhdon akoma edhe sot.

Nga “Hosteni” tek politika

“Në përgjithësi gjithmonë jam marrë me politikën, duke menduar se edhe unë si qytetar dhe artist, me anë të saj jap mesazhet e mia. Arma ime është karikatura. Në penën time kanë kaluar presidentë, kryeministra, ministra, por të gjithë ato që unë i kam quajtur vlera të politikës. Nëse në fillim kanë patur hatërmbetje, tani edhe politikanët janë civilizuar dhe evropianizuar. Kanë kuptuar se, kur ai, si politikan zë vend në karikaturë, e ka një vlerë, pra është si një lloj reklame. Tani po përgatitem që të nxjerr edhe një libë me karikaturat ndër vite. Nëse vipat e politikës shqiptare do të duan të shohin ecurinë e tyre në politikën shqiptare në këto 20 vjet, nëse do të shihnin karikaturat e mia nga e para, tek e fundit, do të kuptojnë ecurinë e tyre, ku kanë gabuar dhe ku kanë patur sukses”.

Po sa e vështirë është të bësh një karikaturë?! Për mjeshtrin e karikaturës nuk duket edhe aq dhe nuk ka ndonjë sekret. “Secili personazh ka diçka ku mund të kapesh, ka diça që e përcakton karakterin e tij, të cilën më tej e abstragon. Megjithatë ka edhe personazhe që janë të vështirë për t’u kapur në karakter. Përshembull Lulzim Basha, ose Fatmir Mediu kanë tipare shumë të rregullta dhe nuk mund të kapen në karakter aq lehtë. Ndryshe ndodh me Berishën, Nanon, Ramën, apo Metën, që kanë tipare tipike të cilat unë më tej i abstragoj”.

Biseda rilidhet edhe një herë aty ku e nisëm. Aktori është një profesion i së kaluarës. Ka mbetur si nostalgji. Si regjisor herë pas here Bujari tregon se merr pjesë në aktivitete të ndryshme, në koncerte, në teatër, në televizion, të cilat edhe i japin kënaqësi. Por këmbëngul se po merret më shumë me karikaturën, se është më e lehtë të merresh me një art individual, sesa me një art tejet kolektiv siç është teatri, apo filmi. “Kam kontrata me gazeta të ndryshme, ashtu siç kam lidhje edhe me revistën tuaj. Njëkohësisht kam edhe gjëra të tjera nëpër duar, pasi po përgatis libra me humor, me karikatura, ilustrime të ndryshme, kopertina, etj. Pra këto kohë po merrem kryesisht me artin figurativ”.

Festivali i 11

“Unë kam patur gjithmonë një gjë, tregon Bujari. Në momentet kur kam patur goditjet më të forta, pikërisht në atë kohë, unë mobilizohem shumë më tepër për t’u treguar kundërshtarëve me punë, se çfarë di të bëj. Nuk demoralizohem, nuk e braktis punën”.

Dhe biseda fiton një rrjedhë të pashmangshme. Hyn në rrugën pa krye të mallkimit të festivalit të 11-të. Është folur e diskutuar shumë për këtë festival. Përhumbje, dhimbje, plagë që kanë zënë kore, thyerje shpirtërore…..në fakt ndodh një pështjellim ndjesish sa herë që flitet për këtë gjë. Jo aq dhimbje për fatin e individit, por si një shuplakë e fortë që stacionoi shumë gjëra në vend…..

“Asaj kohe isha regjisor në Estradën e Tiranës, isha 27 vjeç. Në fillim, kur regjisori Mihallaq Luarasi, më propozoi rolin e konferencierit unë nuk pranova. Kisha qenë konferencier edhe në Festivalin e IV të RTSH-së, por atëherë isha student, djalë i ri dhe mendoja se të ishe konferencier ishte një sukses i madh. Kurse, të qenurit konferencier i një festivali, në kohën kur unë isha regjisor dhe kisha realizuar disa spektakle, kur ishte shkruar aq herë për sukseset e mia, kur isha pedagog në Institutin e Arteve, pra kur kisha një karrierë në rritje, e konsideroja këtë propozim si diçka me vlerë minimale. Ndryshe është sot, është një koncept krejt tjetër të jesh konferencier i një festivali.

Prandaj fillimisht kundërshtrova, por u sollën me pak “pabesi”. Sepse nxorën reklamën, bënë anoncimet në shtyp, pra u deklarua emri im, ndaj unë u detyrova ta bëj. Meqë merresha me shkrime në atë kohë, më caktuan të bëj edhe skenarin e festivalit. Sigurisht nuk jam pishman, pasi kam punuar me shumë pasion, për të krijuar diçka të re, diçka të bukur, për të treguar që edhe ne jemi në gjende të bëjmë festivale të nivelit europian. Gjithçka në festival ishte shumë moderne. Nuk kishte politizime, as në tekstet e këngëve, as në skenar.

Të renë e shihje edhe tek dekori, në mënyrën se si u interpretua me disa orkestra, orkestra simfonike, orkestra e xhazit, tek veshjet, modeli i flokëve, etj. Atëherë nuk shihej me sy të mirë të kishe një xhaketë me dy të çara dhe me kopsa metalike, ose të vishje kollare me lule. Femrat për herë të parë ishin me fustane të gjata. Gjithçka rezatonte luks. Kjo gjë i dha festivalit diçka të re, që u pëlqye mjaft nga spektatorët. Më pas erdhi fortuna. Unë isha i ri dhe filloi goditja shumë e fortë.

Edhe më përpara, me disa shfaqje të Estradës, kisha pësuar disa goditje, pasi më akuzonin për tendenca moderniste, liberale. Aq më tepër që në atë kohë kisha në shtyp edhe disa libra me ilustrime, të cilat u ndaluan. Karikaturat ishin me tendenca perëndimore, tendenca kubiste. Pra, në kohën kur unë kisha pasionin e madh për të bërë diçka të bukur dhe mendoja se diçka kisha arritur, pikërisht aty erdhi edhe disheza e madhe, e cila të çon edhe në depresion. U dënova dhe vajta në prodhim.

Por edhe ky ishte një lloj shansi, sepse shokë e kolegë të mi u dënuan nëpër burgje. Unë pësova vetëm “riedukim”, meqë “isha pa edukatë”, vijon rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu, duke mos e harruar zakonin e tij të auto-ironisë edhe kur flitet për momente vërtet të trishtueshme. Tipar ky i njerëzve inteligjent.

Rikthimi me filmat vizatimorë

“Rehabilitimi im ndodhi në vitin 1975. Pata fatin që në Kinostudio do hapej për herë të parë sektori i filmi të animuar. Nevojitej që të kishte edhe regjisor. Në nëntor të 1975-ës u emërova regjisor dhe piktor në filmin e animuar. Kështu u riktheva. U ktheva me më shumë dëshirë se përpara, për t’i treguar të tjerëve se unë mund të bëj diçka, unë jam dikushi.



Por duke qenë më shumë i kujdesshëm për të mos e pësuar. Mbaj mend orë e orë punë në Kinostudio. Për një film vizatimor duhen mijëra e mijëra vizatime. Punoja nga ora 7 e mëngjesit, deri në ora 1 pa dhjetë të natës, pasi në atë orë vinte autobuzi i fundit i Kinostudios që na sillte në Tiranë. Kam realizuar sa e sa “filma autor”, ku isha skenarist, regjisor dhe piktor. Po ta vësh re, në kohën kur kam pasur goditjet më të forta, atëherë kam punuar edhe më shumë”.

“Jam mashkull me shans”

Gjashtëdhjetegjasht ë vitet e Bujar Kapexhiut nuk rëndojnë aspak në fizikun, angazhimet dhe energjinë që reflekton në çdo moment të ditës. Me kalimin e viteve dhe rritjen e fëmijëve, gjithnjë e më tepër njeriu kupton se të gjitha betejat, qofshin edhe ato që i ka menduar të shkuara dëm, realisht i ka të fituara, kur rezultantja e të gjitha këtyre është një emër i nderuar në karrierë dhe sidomos një familje e lumtur.

Me bashkëshorten Veda, inxhiniere me profesion, vërtet që nuk e ka lidhur arti, por racionaliteti i saj, ka balancuar dallgët e tij artistike. Dhe së fundmi dy fëmijë që ndjekin rrugën e prindërve. Djali Kled, regjisor si babai i tij, ndërsa vajza Ketrin, që studion e jeton jashtë, ka preferuar ekonominë, duke u përqasur më shumë me të ëmën. “Veda më ka ndihmuar shumë që unë të merrem me artin tim. Ajo nuk më ka pyetur kurrë ku po shkon e çfarë po bën. Unë kam munguar shumë në shtëpi, ç’është e vërteta, edhe në edukimin e fëmijëve, nuk kam mundur t’i qëndroj pranë, sikundër ajo. Veda ka sakrifikuar në këtë drejtim. Madje kur i kthehem së kaluarës, mendoj se ajo ka kaluar me të dy fëmijët, ndoshta edhe periudha të vështira, sidomos të adoleshencës, me lëkundjet e tyre për të marrë një rrugë të drejtë, apo të shtrembër. Ka sakrifikuar edhe për mua, duke më lënë mua të lirë kohën për tu marrë me art dhe duke rritur dy fëmijë për të cilët unë ndihem krenar”.

“Kam një shans të jashtëzakonshëm, kam një grua të rrallë. Jam me fat dhe i kënaqur. Por edhe ajo është me shans që më ka mua”, përfundon duke qeshur rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu.

Revista Shqip
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super