×

Post reply

Emri:
Email:
Titulli:
Ikona e mesazhit:

Verifikimi:
Cfare gjuhe flasin shqiptaret?:

shtyp alt+s per te postuar ose alt+p per ta kontrolluar


Permbledhje

Postuar nga: M A X
« ne: 30-01-2012, 12:36:28 »

S'ka pak kohë që i ka kaluar të 85-at, në një përvjetor ju bile të organizuar nga institucioni lider i kulturës në Shqipëri, MTKRS-ja. Por, ajo nuk është prezente vetëm aty ku është ajo qendra e vëmendjes e të gjithë vijnë ta nderojnë, por edhe aty ku ka në nevojë për të: Në programe televizive, në shfaqje, në promovime librash, madje edhe në takimin e përjavshëm me ish-shoqet e gjimnazit, me të cilat prej kaq vitesh e kanë shndërruar në takim traditë për kafe e çaj. Është pedagogia, prej së cilës të gjithë ish-studentët ruajnë kujtimet më të mira, është aktorja e mbi 130 roleve në teatër e kinematografi, e angazhuar që prej vitit 1946 në teatër, e që prej 1958-ës në një rol të vogël në filmin e parë shqiptar, "Tana", është mikja e të gjithëve, gruaja që nuk di të humbasë dhe e kthen dhimbjen në forcë, është zonja Drita Pelinku.
Cilat kanë qenë fillimet? Para se të angazhoheshit si profesioniste? Ka pasur një shkëndijë apo jo?
Kur isha në klasën e katërt të shkollës fillore interpretova në shfaqjen "Vajza e pabindur", në ceremoninë e mbylljes së sezonit shkollor. Kjo shfaqje ka një histori shumë të bukur, duke lënë kështu një kujtim të paharrueshëm për mua, por jo ndonjë gjurmë në preferencat e së ardhmes sime sepse as kisha parë teatër, as përfytyrohej një profesion i tillë.
Po më vonë, si u gjendët përballë dëshirës së fëmijërisë?
Kur në dhjetor të vitit 1945 u shpall në gazetë konkursi përhapjen e shkollës së parë dramatike, ëndrra që as vet nuk e dija se qëndronte e strukur brenda meje, shpërtheu. Pa pyetur as babanë, as nënën, as motrat më të mëdha, mora përdore motrën më të vogël dhe vrapova në dyert e konkursit, duke qenë kështu e vetmja femër që konkurrova dhe fitova krah të talentuarve të tjerë si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, etj. Isha e re dhe për paragjykimet e kohës nuk pyesja fare, edhe pse në atë kohë marrëdhëniet me familjen u tronditën. Babai gjithmonë më thoshte se do vazhdoja shkollën e lartë jashtë shtetit.
Kushdo e ëndërron nderimin që ju bëhet juve sot, por çfarë prisnit rreth 65 vjet më parë, kur ju përkushtuat këtij profesioni?
Unë kam pasur vetëm një qëllim në jetën time artistike: Të lë një emër në biografinë e fëmijëve të mi dhe të lë një gur sado të vogël në themelet e artit skenik shqiptar. Sot, me këto nderime që më bëhen më lind shpresa të besoj se ia paskam arritur qëllimit.
Duket se i keni bërë të gjitha… A ndjeheni e realizuar? A ka ëndrra që do të donit t'i preknit?
Edhe sot, që po të numërosh vitet e mia duhet të fillosh në mëngjes e të mbarosh në mbrëmje, unë vazhdoj të kem ëndrra. Sigurisht që nuk janë më si ato ëndrrat e rinisë apo të moshës së mesme. Dikur ëndrrat e mia i bëja të njohura, kurse sot ato rrinë brenda meje dhe sigurisht nuk kam asnjë dëshirë t'i bëj publike.
Edhe sot ka një stereotip për femrat, të cilat i kanë detyrat e përcaktuara në jetë e në familje…
Jeta ime është ndarë mes skenës dhe pedagogjisë. Kam qenë për 35 vjet pedagoge në Akademinë e Arteve. Dhe të dyja këto jetë kanë pasur vetëm një qëllim. Sigurisht ka qenë jetë e vështirë. Kur ne kemi nisur, jeta jonë fizikisht ka qenë më tepër jashtë familjes, sesa pranë saj. Paraditeve kishim prova, në mbrëmje shfaqje dhe më pas e kishim shumë të zhvilluar punën individuale. Çdo natë punonim me orë të gjata në studio. Për të mos folur për turnetë. Në mbyllje të sezonit zhvilloheshin 2 muaj turne dhe shkonim cep më cep të Shqipërisë për të dhënë shfaqje, në uzina, fabrika e fshatra. Ka pasur raste që kemi mbajtur edhe çadrat në kurriz dhe shkonim fshat më fshat, hapnim çadrat, jepnim shfaqje e vazhdonim më tej.
Sigurisht, ju nuk keni aktivitetin e dikurshëm, por megjithatë nuk rrini duarkryq… Për çfarë ju merr malli më tepër?
Më mungojnë shumë gjëra, nga familja dhe nga skena. Nga familja më mungojnë të dashurit e mi, im shoq, vajza ime… Shumë njerëz kam humbur. Jeta e gjatë i ka këto gjëra. Nga skena më mungojnë kolegët e mi. Në albumin që më ka bërë Arkivi i Filmit ka shumë thënie të tyre dhe kur ai u botua më vinte keq që ata nuk ishin më. Ndaj dhe thërrita dy studente të miat dhe u kërkova që përpara se të fillonte ceremonia, të dilnin në skenë e të lexonin pjesët e atyre kolegëve, të cilët nuk ishin më. I lexuan dhe pati ovacione të mëdha në sallë sepse ishte malli për ta. Kur i dëgjoja fjalët e tyre, më dukej sikur jetoja bashkë me ta.
Jeni shprehur disa herë që do të tërhiqeni, e megjithatë jeni rikthyer. Ku e ka burimin gjithë kjo forcë e gjithë kjo energji?
Kur më ndodhi një fatkeqësi e madhe, një dramë e madhe familjare, unë nuk kisha më dëshirë jo më për skenën, por për asgjë në botë. Por njeriu duhet ta përballojë të keqen. Edhe unë duhej ta përballoja. Pas 6 muajsh më erdhën në shtëpi regjisori, aktorët. Të gjithë më thoshin: Dil, mos rri e mbyllur, eja në shfaqje! Unë nuk pranoja në vijimësi, por më shtynë njerëzit e familjes, vajza tjetër. Dola, vajta, dhe mund t'ju them që skena është magji. Vetëm tek ajo i gjeta forcat që të përballoja të keqen, dhimbjen. Sigurisht, ishte një trajtim i veçantë nga ana e regjisorit dhe kolegëve, të cilët vinin e më merrnin në shtëpi, më sillnin në teatër e më kthenin prapë. Por, skena është një magji. Asnjë mjekim nuk do të më shëronte nga ajo sëmundje.
Prej së largu duket se nuk jeni zhgënjyer asnjëherë…
Teatri dhe filmi janë pasuritë e mia të mëdha. Në art ka zhgënjime, por ato kanë qenë të papërfillshme, krahas shoqërisë së shëndoshë me të cilën më është dashur të përballem gjatë gjithë jetës sime.
Ditari i përhershëm i vjen në ndihmë kujtesës suaj?
Po, gjithnjë kam shkruar, thuajse çdo ditë. Kam një vend të veçantë vetëm për këto gjëra. Nuk jam vetëm unë në raport me veten apo të tjerët, me kujtimet e mia dhe ngjarjet e jetës sime, por edhe kolegët. Kam botuar shumë mamografi të artistëve. Një pjesë i kam nisur dhe nuk i kam mbaruar. Nuk e di se ç'do të bëhet më vonë me to.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)