×

Hollivudi i shqiptarëve

· 1 · 993

Hollivudi i shqiptarëve

· 1 · 993

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 03-07-2010, 14:53:04
I shikojmë nëpër filma, disa prej tyre i njohim, disa jo e disa shumë shpejt do të njihen nga të gjithë. Janë shqiptarë dhe të suksesshëm e pranë njëri-tjetrit formojnë disi atë mini-Hollivudin Made in Albania. Ne sjellim shkurtimisht për ju një përmbledhje të karrierës së tyre për të treguar se dhe ne jemi pjesë e tij (Hollivudit).

Eliza Dushku ka lindur më 30 dhjetor të 1980, në Boston të Amerikës. Ajo u zbulua në vitin 1992, gjatë një kërkimi pesëmujorësh për rolin e Alice në filmin "That Night" me Juliette Lewis.

Që atëherë ajo ka pasur një karrierë të larmishme, si në televizion ashtu edhe në ekranin e gjerë përkrah aktorëve të njohur si Robert De Niro, Ellen Barkin, Leonardo DiCaprio, Arnold Swarchenegger, Paul Reiser, James Belushi, Kirsten Dunst etj.

Fillimet si aktore ajo i pati në "Watertown Children's Theatre", në të cilin ka qenë aktivizuar që prej klasës së parë. E shpallur çdo vit si një prej femrave më seksi në Amerikë, Eliza momentalisht punon në disa projekte të rëndësishme kinematografike (Ghostbusters, The Avengers, The Perfect Moment, Locked In, Noah'sArk: The New Beginning), të cilat priten të dalin në kinema në vitet e ardhshme.

Disa prej filmave më të njohur, në të cilët ajo ka interpretuar janë True Lies, Jay and Silent Bob Strike Back, This Boy's Life, Bring It On, Soul Survivors, The New Guy, City by the Sea, Wrong Turn etj. Në televizion, ajo ka interpretuar në seriale të tilla si Buffy The Vampire Slayer, Dollhouse, Tru Calling, Ugly Betty, That 70's Show etj.


Masiela Lusha ka lindur në Tiranë më 23 tetor të 1985. Ajo u zbulua fillimisht nga një agjenci talentesh në LA, e cila e përzgjodhi atë prej 600 konkurruesish dhe në moshën 13-vjeçare e ftoi të lëvizte në Los Anxhelos për t'ju dedikuar kinematografisë ku midis punësh të vogla arriti dhe suksesin me rolin e Carmen në serialin e njohur televiziv "Geroge Lopez ".

Përpara se të bëhej një aktore e njohur, Masiela e kishte të garantuar një të ardhme të suksesshme, pasi falë rezultateve të shkëlqyera në mësime arriti të përfundojë shkollën e mesme në moshën 15-vjeçare dhe u pranua në universitetin e njohur UCLA, ku përfundoi studimet në degën e gjuhës. Revista "Teen Magazine" e shpalli si një prej 5 adoleshenteve të vitit në Amerikë që do jenë të suksesshme në jetë. Sot përveçse aktrimit, Masiela njihet dhe si autorja më e re në botë e cila ka publikuar një libër në dy gjuhë të huaja. Gjithashtu ajo është vlersuar si një prej 10 poetëve më të talentuar në Amerikën e veriut, pas publikimit të librit "Inner Thoughhts".

Të tjera botime të sajat janë dhe "Drinking the Moon" e "Besa" një novelë që pritet të publikohet së shpejti. Në moshën 23-vjeçare ka krijuar kompaninë e produksionit filmik "Illuminary Pictures". Disa prej punëve të saja më të mira në kinema janë Muertas, Blood: The Last Vampire, Time of The Comet, My Father's Eulogy etj. Në televizion ka interpretuar në George Lopez, Lizzie McGuire, Law and Order etj. Momentalisht është duke xhiruar Of Silence, Kill Katie Malone, The Science of Cool, Tough Business, Signed in Blood.


Blerim Destani ka lindur më 12 prill të 1981, në Stolberg të Gjermanisë. Familja e tij është shqiptare dhe fëmijërinë e ka kaluar në Tetovë të Maqedonisë. Dhjetë vitet e fundit ai jeton dhe punon midis dy vendeve. Në moshën 14-vjeçare, ai ka debutuar për herë të parë në kinematografi në filmin shqiptar "Atje ku nuk lind djelli" e ndërsa filloi të merrej me prodhimin e dokumentarëve të shkurtër nisi dhe klasat e aktrimit në Angli. Roli që e bëri atë të njohur për publikun shqiptar ishte ai i Benit në filmin "Metropolet" një bashkëpunim i suksesshëm me regjisorin Sunaj Raca, që vazhdoi dhe më pas në filmin "Kosova-Desperate Search".

Përveçse aktor, Blerimi ka shfaqur interes dhe në produksionin filmik ku suksesshëm bashkëpunoi me regjisorin maqedonas Ivo Trajkob në realizimin e filmit "The Great Water", i cili u vlerësua më shumë çmime në festivale të ndryshme nëpër botë. Momentalisht, ai është duke xhiruar At World's End, Dossier K dhe Die Wanderhure, ndërkohë që debutimi i tij me filmin "Get Low" përkrah disa prej aktorëve më të njohur të Hollivudit është pritur mirë nga kritikët amerikanë. Disa prej punëve të tij më të njohura janë "Metropolet", "Time of the Comet", "Get Low", "Kosova - Desperate Search".


Enver Gjoka ka lindur më 25 janar të 1982, në Kaliforninë e Veriut në Amerikë. Familja e tij është shqiptare prej Malit të zi dhe herë pas here e vizitojnë vendlindjen e tyre. Enver ka studiuar në universitetin e NY dhe atë të UC Berkley. Debutimet në kinema i ka pasur në filmat "The Express" përkrah Dennis Quaid, "Taking Chances" përkrah Kevin Bacon dhe "Eagle Eye" përkrah Shia LeBeouf.

Më së shumti u bë i njohur falë rolit të tij në serialin "Dollhouse", ku kishte për partnere aktoren tjetër shqiptare Eliza Dushku. Disa prej roleve më të mira të tij në televizion janë në serialet "The Unit", "The Book of Daniel", "Dollhouse", "Lie to Me", "Law and Order" etj.

Së shpejti pritet të dalë në kinematë amerikane dhe filmi "Stone", ku ai interpreton përkrah Roberto De Niro, Milla Jovovich dhe Edward Norton.


Agim Kaba ka lindur më 16 shkurt të 1980, në Nju Jork, prej prindërve shqiptarë, Sal dhe Sally Kaba. Fillimisht, Agimi u bë i njohur në qarqet studentore si sportist (futbollist), ku u vlerësua me shumë çmime, të cilat i mundësuan dhe një bursë në universitetin e "St.John". Fillimisht një student biznesi dhe historie, Agimi do t'i linte këto degë për të vazhduar atë të arteve të bukura (pikturë) e gjatë kësaj periudhe i nisi dhe interesimi për kinematografinë dhe televizionin. Pas një karriere të suksesshme si model midis Milanos dhe Nju Jorkut ( U bë dhe imazhi i një fushate publicitare të Guess Jeans) Agimi arriti të futet në botën e televizionit duke interpretuar një rol në telenovelën e famshme "As the World Turns" në kanalin CBS.

Për këtë rol, ai u nominua për një Daytime Emmy dhe Soap Opera Digest Award. Gjithashtu, ai ka interpretuar në serialet televizive Charmed dhe CSI:NY. Pas roleve televizive, ai provon veten në ekranin e gjerë, ku merr pjesë në disa filma me buxhet të ulët si "Haunted Forest" dhe Neowolf", por ishte "The Last Film Festival" përkrah Dennis Hopper, Chris Kattan dhe Leelee Sobieski, ai që i hapi dyert në Hollivud. Momentalisht, Agimi është duke xhiruar filmin "An American Hero". Përveç aktrimit, ai ka shfaqur interes dhe në prodhimin e filmave, duke qenë se filmi me metrazh të shkurtër "Happy Ending", në të cilin ai ishte producent ekzekutiv, fitoi disa çmime në festivalet e filmave në Amerikë.


Viktor Gojcaj ka lindur më 9 mars të 1983, në Miçigan të Amerikës, prej një familjeje shqiptare. Fëmijërinë e ka kaluar në Bronx të Nju Jorkut ku dhe ka studiuar Judo dhe Tae Kwon Do për vite me radhë.

Ai u zbulua nga regjisori i njohur Tony Scott, i cili shëtiste në rrugët e Nju Jorkut, për të kërkuar personazhe për filmin e tij të ardhshëm "The Taking of Pelham 1, 2, 3". E shkuara kriminale e Viktorit, impresionoi regjisorin e njohur, i cili u befasua kur mësoi se Viktori vetëm 24 vjeç kishte arritur të bëhej "kapiteni" i grupit të tij. Ai i ofroi rolin e Bashkimit (Mr. Grey) në këtë film, duke e vendosur atë përkrah John Travoltës dhe Denzel Washington.

Karriera kinematografike për Viktorin duket se nuk do të ndale këtu, pasi ai tashmë ka siguruar një tjetër rol në filmin "Unstoppable" përkrah Denzel Washington, Rosario Dawson, Chris Pine etj., i cili pritet të dalë në kinema gjatë fundit të këtij viti.


Arta Dobroshi ka lindur më 2 tetor të vitit 1979, në Prishtinë të Kosovës.

Talenti i saj fillimisht ra në sy në filmat "Syri Magjik" dhe "The Sadness of Mrs. Snajdrova", por do të ishte "Lorna's Silence" një prodhim belg, filmi që do ta bënte atë të njohur në skenën kinematografike botërore, duke marrë vlerësimet më të mira për lojën e saj interpretuese.

Për këtë rol ajo dhe u nominua për çmimin "European Film Awards" në kategorinë e aktores më të mirë. Momentalisht, ajo ka përfunduar xhirimet e filmit "Late Bloomers" përkrah Isabella Rossellinit dhe William Hurt.


Nik Xhelilaj është 27 vjeç dhe pa frikë mund të thuash se është aktori i ri më i mirë i momentit në Shqipëri. Ka provuar veten në skenë, ka provuar veten dhe në kamera e dalëngadalë po vlerësohet dhe në skenën e kinematografisë europiane.

Para disa ditësh në "Festivalin e Filmit të Moskës" në Rusi është vlerësuar me çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij në filmin "Der Albaner". Debutimi i tij i parë në kinematografi ishte përkrah Arta Dobroshtit në filmin "The Sadness of Mrs. Snajdrova", ku talenti i tij ra menjëherë në sy dhe mori vlerësimet më të mira nga kritikët vendas.

Filmi që pasoi "Alive!" ishte një tjetër sukses, për vetë faktin që është filmi i vetëm shqiptar i dekadës së fundit që tentoi të konkurrojë për çmimet Oskar në "Kategorinë e Filmave të Huaj".


James Belushi ka lindur më 15 qershor të 1954 në Çikago të Amerikës prej prindërve shqiptarë (Adem dhe Agnje).

Shumë ja dedikojnë suksesin e tij, vëllait John Belushi, por e pavarësisht se emri mund të ketë ndihmuar, fakti që Belushi vazhdon të shfaqet suksesshëm në filmat dhe televizionet amerikane, tregon se ...aktrimin e kanë në gjak. Karriera e tij filloi me role në serialet "Who's Watching the Kids" në 1978 dhe "Working Stiffs" më 1979, por i njohur në mbarë Amerikën u bë falë interpretimit na filmin "About Last Night" më 1986 e më pas gjithçka është histori.

Ka interpretuar me dhjetëra filma, përkrah yjeve më të njohur të Hollivudit. Së shpejti do të jetë përpara publikut me serialin televiziv "The Defenders", si dhe filmat "Mother's Little Helpers", "The Secret Lives of Dorks" dhe "Dorothy of Oz".


Mafiozi Shqiptar ka lindur diku nga fillimi i shekullit të shkuar, por nuk u bë i njohur në Amerikë deri vonë nga fundi i viteve '80-të kur grupet e organizuara të krimit shqiptar në Nju Jork, Miçigan, Nju Xhersi e gjetkë filluan t'u kallnin tmerrin italianëve. Pse mendoni ju që shumica e restoranteve italiane e picerive në këto zona kanë për pronarë shqiptarë? Shaka eh! Vitet e fundit "mafiozi" shqiptar, është parë në shumë seriale televizive, është përmendur në shume filma kinematografikë e kulmi arriti vitin e shkuar me "Taken", një film në të cilin heroi kryesor luftonte kundra mafies shqiptare. Hollivudi gjithmonë është në kërkim të një "armiku" misterioz, e duke qenë se Shqipëria ende mbetet e panjohur për shumicën e botës, por njëkohësisht në mes të së famshmes Europë... e bën dhe më interesante figurën e mafiozit Made in Albania. (shekulli)
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super