×

Ilir Shaqiri: “Ju rrëfej për artistet e mia”

· 2 · 1059

Ilir Shaqiri: “Ju rrëfej për artistet e mia”

· 2 · 1059

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 21-07-2010, 15:55:14
Balerini shqiptar në Itali Ilir Shaqiri dhe bashkëshortja e bukur italiane, aktorja Emanuela Morini, kanë provuar shijen e suksesit. Por edhe Emily, vajza e tyre katër vjeçare bëhet protagoniste e një fotoromance, ku aktron krahas nënës së saj. Për Revistën Shqip, balerini shqiptar tregon gjithçka për vajzën Emily, Emanuelën dhe veten e tij, për shkollën e baletit që drejton prej katër vitesh si dhe projektet artistike të së ardhmes.



Fillimisht ylli ishte ai: Ilir Shaqiri, balerini shqiptar, i njohur në Itali në sajë të zotësisë dhe elegancës, duke u bërë një nga balerinët më të dashur të Amici-t (ka marrë pjesë që në edicionin e parë të vitit 2001, që atëherë kur programi titullohej Saranno famosi, deri në vitin 2005, sikurse në të njëjtën periudhë ka kërcyer për programin C’e posta per te).

Në krah të tij pas pak kohësh arriti gruaja e jetës, aktorja Emanuela Morini, ish protagoniste tek telenovela Vivere dhe Un posto al sole, me të cilën u martua në vitin 2002. Dhe kështu yjet u bënë dy. Por prej ca muajsh, në shtëpinë Shaqiri ka lindur edhe ylli i tretë: vajza e tyre Emily, e cila megjithëse vetëm katër vjeç, ka nisur karrierën si artiste. Kjo sepse një ditë të bukur, përpara se të shkojë në kopësht, ka bërë debutimin e parë si aktore në një fotoromancë, përkrah nënës së vet, Emanuela. Dhe baba Iliri, ka ndjekur provat nga afër, krenar, si asnjëherë tjetër.

Pas suksesit tuaj në Itali, ku jeni bërë mjaft i njohur, tani është radha e vajzës suaj Emily? Si ju bën të ndiheni Emily aktore?
Sigurisht ndiej emocion të madh. Nga suksesi i fëmijës tënd kurrsesi nuk mund të jesh indiferent, përkundrazi. Të fillosh punën në moshën 4 vjeç është gjë jo e vogël, një sadisfaksion i madh për ne prindërit e saj, sidomos kur ke parasysh që konkurrenca në fushën e artit, edhe tek fëmijët është jashtëzakonisht shumë e madhe. Duke qenë edhe vetë artist këtë gjë e kuptoj fare mirë. Çdo moshë në art ka sakrificat e veta. Duke u marrë me art, do të mohosh shumë gjëra të tjera të rëndësishme nga vetja, dhe në rastin e një fëmije, ajo do të mohojë lodrat e veta.

Kjo ishte prova e parë e Emily në set?
E para e këtij lloji, sepse para një viti ajo ka pozuar me pizhama në një katalog për fëmijë. Gjatë realizimit të fotove për fotoromancën, kur regjisori ose operatori i thonin asaj se duhej të përsëriste këtë apo atë gjë, unë të them të drejtën veç kënaqësisë kur shihja Emily si aktore ndieja edhe dhembshuri. Ndjenja e babait nxirrte krye.

Ka momente që bisedojmë me Emanuelën për vajzën tonë dhe pyesim veten, nëse është e drejtë kjo që po bëjmë? A është e drejtë që një vajzë vetëm 4 vjeç të merret me art? Bota e artit është sa e bukur, aq edhe e vështirë. Në Shqipëri është diçka më e thjeshtë, pasi arti ndodhet në hapat e parë dhe këtë e shoh nga mënyra se si drejtohen apo organizohen spektaklet, ose gjëra të tjera të kësaj natyre. Ndërsa në Itali konkurrenca është shumë më e fortë dhe problematika që paraqet arti janë më të mëdha.

Njëri balerin, tjetra aktore. Nga do të zgjedhë Emily?
Pyetje 1 milion dollarëshe! Të them të drejtën secili prej nesh dëshiron që vajza të anojë nga vetja e tij. Kjo përbën edhe një debat të këndshëm familjar. Sigurisht të dy mendojmë për të mirën e Emily. Personalisht i urrej ata prindër që u imponohen fëmijëve të tyre për t’u marrë me diçka të përcaktuar prej atyre. Çdo fëmijë ka të drejtë të bëjë atë çfarë do dhe në moshën e fëmijërisë duhet të luajë me lodrat që pëlqen.

Duke iu rikthyer pyetjes suaj, Emanuela shpreson që vajza të bëhet aktore ose këngëtare. “Këngëtarët, thotë Emanuela, mund të këndojnë deri në moshën 80 vjeç, edhe nëse u ka ikur zëri, mjafton të vënë një disk dhe të këndojnë me play back. Ndërsa një balerin, mund të kërcejë deri në 30-35 vjeç, po pastaj ç’do të bëjë”? Realisht Emily ka të dhëna për t’u bërë këngëtare shumë e mirë, sepse ka vesh shumë të mirë dhe është e intonuar.

Po ashtu ka shumë të dhëna për balerinë, pasi ka qafën e këmbës perfekte, arrin të imitojë lëvizjet e baletit dhe është mjaft e çliruar. Kjo është tepër e rëndësishme për një balerinë, të mbajë mend lëzivjet koreografike. Më thotë: “Ja babi, shiko si e bëra këtë….! Shiko edhe këtë tjetrën!..” Gjithsesi unë ju thashë se në dëshirojmë që Emily ta zgjedhë vetë rrugën e saj. Ajo do ndjekë shkollën dhe rrugës do ta kuptojë se çfarë dëshiron vërtet të bëhet në jetë. Kënga ose baleti, nuk ka rëndësi cila do të jetë, pasi secili prej tyre është art dhe arti komunikon bukur me njerëzit.

Veç talentit a duhet edhe fat? Besoni se fati ju ka ndjekur në jetë që të bëheni ky që jeni sot?
Mund të them se kam patur 50 për qind fat, nëse mund të shprehem me shifra dhe 50 për qind punë. Nuk është se kam pasur fat kushedi se çfarë. Gjërat nuk më kanë ardhur vetë, si mund t’i kenë ardhur ndokujt, që të mund ta quajmë fat. Kam punuar shumë, jam lodhur shumë, për të arritur gjërat që kam. Megjithatë nuk qahem. Ky është koncepti im për sa kam arritur. Shumë punë, shumë sakrifica, shumë lodhje për të arritur këtu ku jam sot.



Si ecën shkolla e baletit që keni hapur në Guidonia?
Shkolla është një sadisfaksion personal i imi, e kam arritur vetëm, me forcat e mia. Është një shkollë dinjitoze, e shtrirë në 600 metra katrorë, ka dy salla shumë të mëdha dhe aty mësohen të gjitha llojet e kërcimit. Që nga flamengo, deri tek baleti klasik, kurset e avancuara kontemporane, hip hopi, etj. Aty mësojnë rreth 200-250 nxënës në vit dhe ndihem vërtet krenar kur konstatoj gjatë katër viteve të kësaj shkolle se aty kanë mësuar rreth 800 nxënës të moshave nga 6 vjeç e sipër.

Është një akademi e vërtetë në të gjitha senset, e ngjashme me akademinë e baletit në Tiranë, sespe ne po përpiqemi të sjellim traditën dhe eksperiencën e Tiranës. Them të Tiranës, meqë nxënësit këtu, ndryshe nga nxënësit e Tiranës, mendojnë që t’i fitojnë gjërat lehtë në jetë, nuk e kuptojnë se arti kërkon sakrifica, kërkon ndjenjën e disiplinës dhe shumë punë.

Realisht Italia është një vend me traditë shumë të mirë të artit, por që tani po përjeton një krizë të thellë ekonomike, e cila po jep ndikimin e saj gjithandej. Në shkollë jep mësim mamaja ime, im vëlla Olsi si dhe 6-7 profesorë të tjerë. Madje në shkolle ka ardhur edhe Emily. Ajo vjen gjithë qejf dhe pasion dhe nga kjo gjë kuptoj se ka vërtet mundësi të mira. Pasi gjërat kur fillohen me qejf dhe pasion po ashtu vazhdojnë deri në fund të jetës, ndërsa kur fillojnë me sforco nuk japin rezultat.

Duke qenë tre artistë në familje, suksesi i cilit ju emocionon më shumë?
Një pyetje që nuk ma ka bërë askush dhe vërtet shumë interesante. Dua t’ju them diçka: dje isha në Napoli, në premierën e një komedie, “Una pilula për piacere”, ku Emanuela interpretonte përkrah aktorit të njohur Biaggo Izzo. Pashë Emanuelën në skenë tek aktronte dhe përjetova të gjitha emocionet e saj. Kjo ishte puna e parë e vërtetë e Emanuelës, pas interpretimit në “Vivere”, nga ku u shkëput, gjatë kohës kur ishte shtatzënë. Isha shumë i emocionuar për të. Kjo gjë në fakt na ndodh të dyve, është reciproke. Edhe ajo emocionohet aq sa djersitet kur më sheh mua në një interpretim. Ndërsa në raport me Emily, ndjeshmëria është edhe më e madhe, pasi përveç lodhjes, sakrificës, është edhe dhembshuria për fëmijën.

Vini shpesh në Shqipëri?
Në Shqipëri do kthehesha edhe çdo muaj po të kisha mundësi, por realisht kam shumë punë dhe nuk vij edhe aq shpesh. Janë bërë dy vjet pa ardhur. Më mungon pa masë Shqipëria. Më mungojnë miqtë që kam aty, njerëzit, dashuria e tyre. Jo se nuk e kam dashurinë e njerëzve këtu, por unë jam shqiptar dhe më mungon vendi im.

Në fakt sa herë që kthehen nga Shqipëria miqtë e mi, Klejdi, Ambeta, Oni, i them “hajdeni e më tregoni”. Mblidhemi në shtëpinë time dhe i pyes se “si ishte në Tiranë, çfarë ndodhte në Shqipëri, çfarë kanë bërë, kë kanë takuar, etj, etj...” Ata nga ana e tyre më ftojnë sa herë të vij me ta: “Hajde, më thonë, se është shumë bukur, hajde se kalohet mirë, do kënaqemi, etj”. Unë e di se në Shqipëri kalohet shumë mirë dhe ajo më mungon, por vërtet që kemi pasur shumë angazhime, pastaj Emily është e vogël, vetëm katër vjeç dhe nuk dua që ajo të lodhet nga udhëtimi i gjatë dhe qëndrimi larg shtëpisë.

Familja ime, prindërit e mi jetojnë në një provincë afër Romës dhe unë nëse vij në Shqipëri, vij për të takuar miqtë dhe të afërmit e tjerë. Më mungon Shqipëria dhe uroj të vij sa më shpejt.

Çfarë ka marrë Emily nga ju si shqiptar dhe çfarë ka marrë nga Emanuela?
Në fakt Emily është një përzierje e bukur. Nga unë ka marrë temperamentin, qetësinë, bujarinë. Ajo fal lodra, jep dhurata dhe të gjithë ndihen mirë pranë saj. Ndërsa nga Emanuela ka marrë bukurinë, afrimitetin e Emanuelës. Duhet të dini se unë dhe Emanuela jemi dy tipa që ngjajmë jashtë mase. Ajo është nga Verona, por nga tradita është shumë shqiptare. Është shumë e thjeshtë dhe këto tipare ka trashëguar edhe vajza jonë, përveçse është edhe shumë çamaroke, si të gjithë fëmijët e tjerë.

Përveç baletit që e keni pasion dhe profesion, çfarë gjëje tjetër ju tërheq?
Hobi im është peshkimi, mikrob i vjetër ky që kam dhuratë nga im atë. Sa herë që vij në Shqipëri, menjëherë udhëtoj drejt luginës së Divjakës, Patokut, ose në Shëngjin, Velipojë, Porto Palermo... Nuk kam lënë pëllëmbë të bregdetit të Shqipërisë pa shkelur...Mblidhemi me një grup miqsh dhe shkojmë të peshkojmë. Shkojmë në Divjakë, tek një vend ku shkonte gjithmonë i madhi Kadri Roshi dhe kjo gjë më emocionon shumë.

Si është një ditë pushimi për ju?
Gjithmonë është një pushim aktiv dhe jo pasiv. Luaj me Emily, sistemoj bahçen që kam para shtëpisë, shkoj për peshkim, shkruaj ndonjë gjë për shfaqjet që përgatisim në shkollë. Mund të bëj gjëra nga më të ndryshmet. Asnjëherë nuk më pëlqen të zë cepin e divanit dhe të fle meqë jam pushim...

A keni një projekt artistik që do dëshironit që herët a vonë ta realizonit?
Në fakt do të doja shumë që të bëja një koreografi në Shqipëri, ose të merrja pjesë në një spektakël shqiptar. I ndjek zhvillimet e Shqipërisë, kjo edhe në sajë të Digitalb dhe gjithmonë jam në korrent të ngjarjeve që ndodhin në Shqipëri. Sidomos të gjërave që lidhen me artin.

I shoh spektaklet që bëhen atje, më vjen mirë që po punohet në këtë drejtim, ndonëse shoh se shpesh herë janë vetëm kopje e spektakleve italiane. Nuk kam punuar në spektaklet shqiptare dhe do të doja shumë që të bëja diçka.

Shqip
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 1158
  • Gjinia: Mashkull
V@GαβθηD
#1 ne: 21-07-2010, 20:33:45
Jashte teme.

Po mendoja se behej fjale per kengetarin kosovar-shqiptar Ilir Shaqiri.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super