×

Ilir Terpini

Ilir Terpini

· 1 · 366

  • Postime: 22687
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 30-11-2011, 00:09:08
Ilir Terpini, operatori i filmave, i dashuruar pas objektivit që 5 vjeç

NGA: KOZETA KURTI

Eshtë 72 vjeç, por të mahnit teksa flet për pasionin e tij mbi objektivin e aparatit fotografik dhe kamerës, "lodrës" që i bëri përshtypje që në moshën 5-vjeçare. "Ishte lufta italo-greke", - nis të rrëfejë ai, - "im vëlla, pak më i madh se unë në moshë kishte zënë një thëllëzë, të cilën ia kërkonte me edukatë, por me ngulm, një ushtar Italian. Pa ç'pa italiani, e ndërroi me një kuti të vogël, që im vëlla e plasi aty në shtëpi, ndërsa mua më bëri jashtëzakonisht përshtypje. Është aparati i parë i jetës sime. Pas shkollës 7-vjeçare, nisa të merrem me të dhe të më pëlqente fotografia…", thotë Ilia Tërpini, operatori i 26 filmave artistikë dhe dhjetra dokumentarëve.
Po në Kinostudio si u "rekrutuat"?
Aso kohe nuk kishte shkolla artesh e shkolla televizive. Unë mbarova shkencat e natyrës dhe u emërova mësues në Fier, ku më pas më ngritën në detyrë duke më bërë drejtor. Ishim të rinj dhe shkonim o në Berat, o në Vlorë dhe unë vazhdoja pasionin tim për fotografinë. Kisha marrë edhe një aparat më të mirë. Na duhej të dërgonim shkollën në një spartakiadë dhe aty në mes të stadiumit kam parë për herë të parë një kamera, vendosur në stativ. Në katallogje e kisha parë, se im vëlla kryente transportin e pajisjeve për Kinostudion, por nga afër ajo qe hera e parë. U afrova, kur dikush aty, asistenti më largoi. Pyeta a ishte operatori dhe tregoi me gisht nga një burrë tjetër, operatori i parë shqiptar, i diplomuar në Moskë, Mandi Koçi. Jam krenar që jam nxënësi i tij. U afrova dhe i fola për pasionin tim për fotot. Ndër të tjera më pyeti nëse kasha album dhe e lamë të takoheshim në hotel. Pa fotot e mia dhe më tha: 'Ç'bën mësues ti? Je i prerë për filma"! U desh kohë të më transferonin se më quajtën "kuadër të pazëvendësueshëm" në shkollë, për shkak të modelit që solla atje. Deri te Mehmet Shehu ndërhyra, ashtu me ndrojtje, gjatë një vizite që ai bëri në shkollën që unë drejtoja.
Cili është filmi i parë artistik që keni xhiruar? Çfarë kujtoni prej tij?
Është filmi "I teti në bronz" me regji të Viktor Gjikës. Ngjarja më e veçantë lidhur me këtë film është zbulimi i aktores Yllka Mujo, për personazhin e Almës. Aso kohe Yllka ishte vetëm 15 vjeç. Dilja në rrugë, fotografoja vajza, i sillnim në Kinostudio, por nuk shprehnin atë që duhej. Më në fund e zgjodhëm një vajzë, së cilës i qepëm edhe veshjet. Dy apo tre ditë më vonë duhet të nisnim xhirimet. Një mbrëmje shkoj me time shoqe në opëra dhe kur dolëm, binte shi. Duke pritur të pushonte, aty mes turmës, pashë sytë e Yllka Mujos dhe mendova menjëherë, kjo është Alma, personazhi. Në fillim më thanë, është vonë, s'kemi kohë, por kur Viktori pa Yllkën, ra në një mendje me mua. Yllka qe e vogël. Për personazhin na u desh t'i sajonim gjoks artificial.
Po pastaj në filmat e tjerë që pasuan?
Ka shumë. Ja për shembull, "Dimri i fundit" desh na u shty, se nga një metër borë, u gdhimë një ditë me borë krejtësisht të shkrirë në Dardhë të Korçës. Kohë nuk kishim, se paguheshin, ushqeheshin dhe strehoheshin gati 70 vetë për çdo film, por pas një jave, bora rifilloi dhe ia dolëm me sukses. Tek "Mimoza llastica" është një pjesë ku Zhaklina duhet të qante, por nuk e bënte për qamet, madje edhe pse Xhanfizja për ta inatosur i ra me një pëllëmbë. Na u afrua e ëma dhe na tha: "Sot e kanë akuzuar se ka marrë stilolapsin e një shoqeje. Përmendjani këtë dhe do të shpërthejë në lot". Dhe ashtu ndodhi vërtet.
Po incidente a mbani mend gjatë xhirimeve?
Posi, më kujtohen shumë mirë. Ka ndodhur me Luiza Xhuvanin tek "Flutura në kabinën time" në momentin kur është hedhur nga makina. Njerëzit që e prisnin poshtë me një si çarçaf, u shpëtoi nga duart dhe u rrëzua, por Luiza ka patur një karakter të veçantë, shumë këmbëngulëse. Po me të, na ndodhi gjatë xhirimeve tek "Muri i gjallë". Ra nga kali në pjesën finale, por edhe pse ishte thuajse në fund, dubla duhej të përsëritej. Gjergji, i shoqi, asistent në atë film, na ndaloi: Jo, tha. Është tre muajshe shtatzënë, por Luiza, e cila realisht e rrezikonte shëndetin e fëmijës në bark, këmbënguli vetë për ta çuar deri në fund. Jashtëzakonisht e veçantë.
Si ishin marrëdhëniet midis njëri-tjetrit?
Puna ishte punë. Askush nuk falte në emër të saj. Xhironim në Lezhë filmin "Të paftuarit" me Vangjush Furxhinë dhe Rajmonda Bulkun. Duhet të ktheheshin se kishin provim në ish-Institutin e Lartë të Arteve. Rajmonda studente, Vangjushi pedagogu i saj. Kur u kthyen, më takon Rajmonda dhe më thotë: Thuaji diçka se më ngeli. Kur e takova Vangjushin më tha: Lëre se e ka merituar. Erdhi bashkë me një shoqe dhe sa hynë në klasë, filluan të qeshnin me të madhe. I nxorra jashtë të qetësoheshin dhe kur u kthyen pas nja një ore e ca, sa vunë këmbën në klasë i kapi gazi prapë, ndaj u thashë, ejani në vjeshtë.
Po filma të huaj a kishit të drejtë të shihnit?
Ne po, për t'u ballafaquar me teknikat e filmave që për Shqipërinë ishin të ndaluar, por që ishin nderuar me Oscar. Edhe ne kemi çuar disa filma në festivale, por shumë të kontrolluar. Madje ndonjë çmim atje, ka ndodhur ta tërheqë edhe shoferi i ambasadës, se ne nuk kishin qejf të na linin. Nuk donin të shihnim dhe të rinim më shumë se sa duhet. Më vonë u lirua pak. Për shembull në vitin 1985 çuam në Paris filmin "Dimri i fundit". Kur u takova me një kompozitore franceze dhe i thashë, jam operatori, ajo m'u përgjigj: 'Ecim rrugëve të Parisit duke fërshëllyer melodinë e "Dimrit të fundit"
Disa prej filmave artistikë:
Debatik
Komisari i dritës
I teti në Bronx
Kapedani
Mimoza llastica
Dimri i fundit
Ballë për ballë
Mësonjëtorja
Flutura në kabinën time
Muri i gjallë etj.
Disa prej vlerësimeve:
Medalja e punës
Artist i merituar
Çmimi i Republikës
Medaljone në 6 festivale të filmit
Çmim kombëtar për fotografinë artistike
Urdhri "Mjeshtër i madh"
Kanë thënë për Ilia Tërpinin:
"Ilia Tërpini nuk do të plaket kurrë se ka shpirt 20-vjeçari' Saimir Kumbaro - regjisor
"… në shoqërinë artistike të tij mësova ç'do të thotë të jesh përherë e më i ri, me një dashuri të pakufishme për ta jetuar jetën bukur dhe me art…" Yllka Mujo - aktore
"Të flasësh për artistin e shkëlqyer Ilia Tërpini, fjalët për të as nuk i kërkon, as nuk i mendon…" Margarita Xhepa - aktore
"…punova me të dhe jam fatlume…" Tinka Kurti - aktore
"…me të kam filmat më të mirë dhe kujtimet më të bukura…" Rajmonda Bulku- aktore.

(GazetaShqiptare/BalklanWeb)