×

Intervistë me regjisorin dhe aktorin Dhimitër Orgocka

· 1 · 528

Intervistë me regjisorin dhe aktorin Dhimitër Orgocka

· 1 · 528

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 20-07-2011, 10:05:24
“Arti nuk është për shpatulla të dobëta”
Nga Alketa Maksuti

Intervistë me regjisorin dhe aktorin Dhimitër Orgocka, jeta dhe teatri, sa ka ndryshuar dhe si e kanë ndryshuar kohët
Sa i rëndësishëm është zëri për aktorin?
Teatri i Korçës në përgjithësi është shquar për vokale të bukura dhe të plota, mbase është e veçanta e trevës sonë, si edhe merita e përzgjedhjes nga regjisori. Po le të mos ndalemi vetëm te dhuntitë. Profesionalizmi bën punën e vet, në fuqinë e transmetimit, ekspresivitetit artistik, jo vetëm të fjalës, por edhe mendimit që flitet midis tyre. Teatri i mirë të mëson teknikën dhe të përpunon vokalisht dhe veçanërisht të imponon një disiplinë artistike. Për një aktor provimet nuk mbarojnë kurrë. Nuk ndodh si me televizionet, një mësuesi e keqe, sepse gabimisht të bën të mendosh se me pak gjë, mund të bëhesh yll. Për aktorin e vërtetë të teatrit është e qartë se teatri të do të gjithin e për gjithë jetën. Arti nuk është për shpatulla të dobëta. Duhet bërë çift teknika me natyrshmërinë, besueshmërinë për të qenë aktor i së vërtetës njerëzore kundër gënjeshtrës, falsitetit, lojës rezultative, për të qenë aktor që mendon në skenë, një ballë që mendon me të vërtetën e brendshme të figurës.
 
Fëmijët tanë ndjekin filmat e teatrot e realizuar nga brezi juaj. Cila është arsyeja që ende kanë shikueshmëri?
Ne nuk kemi të drejtë të përgjithësojmë një mendim, se në periudhën e realizmit socialist nuk ka pasur vepra dhe krijimtari të mirë në të gjitha sferat artistike, krijime dinjitoze në letërsi, në skenarët artistikë etj…
Le të mos harrojmë se në këtë art kolektiv të gjithë ishin të përkushtuar, sidomos për një art të ri, për një kinematografi të re, ku të gjithë do të thoshin fjalën e tyre me një përkushtim për t’u pasur zili. Dhe puna e mirë gjithmonë të jep shpërblimin. Kur bashkohet një skenar i mirë, një regjisor i mirë, kamera e mirë dhe aktorë të përzgjedhur siç duhet, fluturimi është i garantuar, pa qenë nevoja të mësosh kush është i pari dhe i rëndësishmi.
 
Personazhi i teto Ollgës aq i dashur për ne dhe i realizuar me mjeshtëri në skenën e teatrit nga e madhja Dhorkë Orgocka, ka skalitur fuqishëm karakterin e nënës që do patjetër të martojë vajzën në qytet dhe me njerëz me pozitë. Si e shihni ju sot këtë fenomen? Janë shtuar më shumë nënat me këto karakteristika apo vajzat janë të lira në zgjedhjen e tyre?
Gruaja thotë atë që ndjen dhe atë që mendon. Për gruan kemi nevojë të gjithë: familja, shoqëria. Ajo di të mbajë përgjegjësi edhe për të tjerët, ajo di t’i vijë keq, di të flasë, di të lutet, di të falë, di të falënderojë. Ajo di gjithë fjalët e dashurisë njerëzore plot gëzime që ndriçon udhët me bukurinë dhe mirësinë e saj, që fal dashuri dhe lejon të pushtohet nga dashuria. Sa për Dhorkën, veçanërisht tani në mungesën e saj, më duket se mirësitë e saj marrin një vlerë të veçantë. Ndërsa në problemin artistik do të shprehesha me superlativa “Zonja nga qyteti” është një përputhje e shkëlqyer personazh – aktore. Sigurisht, në mirëkuptimin artistik kishim edhe një bashkëpunim për t’u pasur zili me dramaturgun e njohur dhe mikun tonë të përbashkët Ruzhdi Pulahën. Gruaja, nëna e dhembshur e fëmijës, lufta për t’u ndier grua në pozicionin e vet, po vazhdon… Ajo është gjithmonë në përpjekjen e saj për të zënë vendin e merituar, në të gjithë aspektet e jetës, nga aftësia për të përçuar një strategji femërore plot shqetësim, hera-herës me tolerancë dhe mirëkuptim për idetë e reja.
 
Potenciali i artistit është i madh dhe ka ndikim tek të gjithë njerëzit, sepse ai është i dashur për ta. Fjala është e para, por tek ju si vjen fjala? Mendoni se luhet shumë me të?
Unë parapëlqej një zjarr të prushtë sesa një shkëndijë. Më vonë u binda se duhet të isha i vetëpërmbajtur, më i vëmendshëm. Vetëpërmbajtja është kulmi i mjeshtërisë artistike. Luftoja për të zbuluar bukurinë e pashoqe të jetës, virtytin e bujarisë, artin e magjishëm të fjalës. Arti sikurse jeta nuk është për shpatullat e të dobëtëve, në gojën e artistit flet toka. I pasuri zor se bëhet artist. Nëse je artist në këtë botë nuk ke ardhur që të ngrohesh. Këtu je ngritur për të ndritur me fjalën dhe shpirtin tënd. Asnjeri nuk do të mbajë mend për mendimet dhe pasionin tënd të fshehur. Kërko nga Zoti fuqinë dhe zgjuarsinë t’i shprehësh me fjalën tënde.
 
Në skenë keni vënë një numër dramash me tematika të ndryshme. Po sot sa preket tema e patriotizmit në drama? Kjo ndjenjë është zbehur në qytetin tonë apo është më e theksuar?
Po, kam vënë në skenë shumë shfaqje të kohërave të ndryshme dhe të zhanreve të ndryshme. Drama, komedi, opereta, opera, tablo muzikore… Me teatrin ishte ndryshe. Ishte një plan premierash madje të përcaktuara nga dramaturgjia kombëtare. Kam kënaqësinë që kam zhvirgjëruar 15 autorë shqiptarë, nga Ruzhdiu 12 vepra, nga Laçoja 8 vepra etj. Sot, ndonëse realiteti ynë preson për vepra interesante larg censurës, prapë shkruhet më pak dhe më pak vihet në skenë. Kjo nuk është problematike vetëm për teatrin tonë, por për të gjithë teatrot. Ndonëse më duhet të theksoj se në veprat tona spektatori gjen më tepër veten, pra ndiqen më me interes. Sa për brezin e ri ka një rendje pas temave rozë, subjekteve të lehta, madje shpesh thirrjet dhe ndjesitë atdhetare kalohen pa u dhënë vlerën e duhur. Ata nuk para vlerësojnë mendimin sa duhet që të mos jesh i turpëruar nga vetja, para vendit tënd. Të mos mbetemi duke shpresuar se kur u hap Kutia e Pandorës të këqijat u përhapën nëpër botë, ndërsa në kuti mbeti vetëm shpresa. Shpresa është më e keqe, sepse zgjat vuajtjen. Me pak fjalë, siç është teatri është jeta e qytetit.
 
Artisti në rol bëhet edhe politikan, po politikani bëhet artist? Deri ku arrin?
Aktori i mirë në punën e vet do të mishërojë çfarëdo roli që t’i besohet, qoftë edhe politikanin. Por edhe politikanët na kanë treguar skena, mizanskena kapjesh dhe ulërimash që nuk do të na pëlqente t’i shikonim dhe dëgjonim. shpirti politik hera-herës ndodhet në duart e atyre që nuk dinë t’i zotërojnë sa e si duhet. Politika është art i kompromisit e duke bërë vazhdimisht kompromis, s’të mbetet gjë nga vetja. Artisti nuk bën dhe nuk duhet të bëjë kompromis. Ai ka vizionet e veta për jetën, botën dhe shoqërinë.
 
Në shkollat e mesme ka hyrë lënda e Historisë së Artit. Si është i formuluar programi? Cila është metodika që ju ndiqni me të rinjtë? Jeni praktik më tepër apo me metodën shpjegim - pyetje - vlerësim?
Unë jap artin e teatrit në një shkollë të mesme. Kam kënaqësinë të theksoj se nxënësit janë me të vërtetë të etur për të dëgjuar dhe mësuar për artin teatror. Sigurisht mosha bën të vetën, por është i dukshëm fakti që kanë qejf të recitojnë, kërcejnë e të luajnë teatër. Një pjesë e tyre janë pjesëmarrës në grupet e pallatit të kulturës dhe e kam më të mundshme të konkretizoj teorinë artistike. Kjo u ka dhënë një kënaqësi estetike dhe i mirëpresin aktivitetet artistike. Vetëm në pak kohë kanë marrë pjesë në pesë koncerte të fjalës artistike. Atyre u pëlqen poezia dhe recitojnë shumë mirë.
 
Fjala “kryq” në kuptimin e parë jep simbolizimin e fesë ortodokse dhe katolike, faljen ndaj Zotit. Po me ju, çfarë ndodh kur jeni para kryqit?
Kur ndodhesh para kryqit, të krijohet përshtypja e menjëhershme se shpirti është pjesa thelbësore e jetës. Sikur të lehtësohet zhdukja e trupit dhe nuk shqetësohesh as për përjetësinë e shpirtit. Dhe njeriut i shkon mendja se vendi, ku pyetjet dhe përgjigjet bëhen një, vendi ku bëhet ky, ribashkim, i madh është tek kryqi. Kjo të sjell një çlirim shpirtëror dhe sikur të shtohet kuraja, e cila vjen nga shpirti, nga besimi. Dhe mendoj më mirë të jesh optimist me besimin dhe le ta kesh gabim sesa të jesh pesimist dhe ta kesh drejt. Këto përjetova një moment, kur u ngjita në mal tek ai kryqi i madh. Njeriu e jeton jetën vetëm një herë dhe po të kemi këtë besim çlironjës dhe të jemi të ndershëm, të jetosh vetëm një herë është e mjaftueshme. Dhe të mos harrojmë se lumturia nuk është aq e verbër sa mendohet. Dhe m’u duk se dheu është vendi, ku Zoti mbështet këmbët e tij.
 
Sa herë keni mbetur në udhëkryq?
Shumë herë, po gjithmonë kam menduar se humbja është mundësi për t’u përmirësuar. Kurrë nuk kam pasur ambicie, sepse ajo e transformon njeriun dhe rrugën e drejtë e kam gjetur me punë, sepse puna të jep gjithmonë shpërblim. Puna këmbëngulëse është talent. Veç udhëkryqet gjithmonë jam përpjekur me dinjitet, kur kam kaluar udhëkryqet, të shmang krenarinë maksimalisht, sepse krenaria është mëkatare. Kam turbulluar gjithçka nga udhëkryqi im për të gjetur rrugën e së nesërmes, sipas meje, më të mirë.
 
Ne gjithnjë pyesim për moshën ose vitet e një njeriu që në takimin e parë, madje. Ka moshë njeriu?
Përpiqem të mos më lëshojë zemra. Të jem i denjë për çdo çast. Zbatoj me përpikmëri organizimin e ditës dhe jetës sime… punoj, punoj derisa çdo ditë të jetë një moment gëzimi sado i vogël. Nuk i duroj dot ata njerëz që dergjen në kafene me ato fytyra si pulla poste. Mos u çudit, pleqëria është një kuptim abstrakt. Njerëzit e kanë në dorë ta sfidojnë. Vdekjen nuk e sjell pleqëria, po harresa. Unë përpiqem të jem i dukshëm. Dhe Kallamin e Këngës nuk e kam varrosur kurrë. Kur pushon së dhëni kontribut, atëherë ke filluar të mos jesh, mua të paktën kështu më duket. Por e shëmtuara është se edhe më kanë sulmuar. Ne shqiptarët jemi si iriqët, që kur afrohemi, shpojmë njëri-tjetrin. Nga gurët që kanë hedhur mbi mua, ka marrë plagë edhe ajri, siç thotë një poet. Por unë i mbledh gurët dhe bëj ndërtime… jetën e kam kaluar si ai shiu i mbrëmjes në dimër që të than shpirtin dhe buzën. Ka një dallim, miqtë shkojnë e vijnë, armiqtë vetëm shkojnë. Unë i fal armiqtë, por emrat nuk ua harroj kurrë, sepse s’kam as kohë të merrem me ta. Përpiqem të mos harroj se kur e ndiejmë që nuk kemi entuziazëm fëminor, kemi mbaruar…
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super