×

Kosta Kamberi, The stand-up who never stood

Kosta Kamberi, The stand-up who never stood

· 1 · 646

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 20-02-2011, 11:01:30


Në qoftë se Bill Hicks është heroi i komedisë amerikane i veshur me të zeza, Kosta Kamberi është humoristi ynë me të bardha. Ndërsa Hicks, si edhe Johny Cash,  mban zi për gjendjen e mjerë të njerëzimit ku pushteti është i gatshëm të shkatërrojë jetë njerëzish,  Kamberi ynë nga ana tjetër, me  kostumet e tij krem dhe bezhë e hapur, ngjason më shumë me kolonialistin e Del Montes që provon i heshtur pjekurinë e frutave ekzotike.

Në fakt Kamberi mund të ish fare mirë ‘Njeriu i Del Montes’ ku vetëm me një tundje koke do të jepte më në fund aprovimin e shumëpritur, e njerëzit hidheshin më pas lart e poshtë nga gëzimi që do të shtypin e shtrydhin fruta rreka.

Kamberi mund të tundi kryet në aprovim por ai nuk është në asnjë mënyrë dorë-tundës. Ai do ishte i pari që të kuptonte plotësisht një ngazëllimin e tillë;  premtimi i shtrydhjes së frutave të pjekura është për tu pasur zili nga çdokush, sidomos ai i shtrydhjes së një palë bostanësh që kundërmojnë ëmbëlsi.

Inuendot seksuale janë vegla e preferuar në humorin e Kamberit. Mbas viteve 90-të  ai u ndie i lirshëm të ndante tani me publikun pasionin e tij për shakanë seksuale. Në një nivel të pranueshëm Kamberi ndan me shqiptaret dëshirën e tyre për lojën mes gjinive, që për mua pasqyron  një gjendje të shëndetshme humori. Duke pasur parasysh se Kamberi vjen kryesisht nga një kohë kur fjala vibrator i referohej një pjese të antenës televizive, ai spikat mes shumë të tjerëve për inteligjencën e humorit te tij të ngritur më lart se çdokush tjetër.

Nuk ka asnjë mëdyshje që Kamberi është një nga njerëzit më të qetë në televizionin shqiptar. Jo vetëm qe qetësia si atribut nuk përputhet shumë mirë me shikuesit shqiptar që janë zakonisht gjithçka tjetër përveç të qetë, (shumë syresh rrinë me kallash në mes të këmbëve, gati për të goditur televizionin kur del dikush që nuk pëlqejnë), por Kamberi pritet të ndëshkohet nga shikuesit për këtë qetësi. Në realitet e anasjella ndodh:  në sajë të mendjehollësisë së tij, ai arrin të tejkalojë këtë dis-avantazh me lehtësinë më të madhe.  Ai gati arrin ti hipnotizoje shikuesit barcaletat e tij të njëpasnjëshme, në një gjendje te ndërmjetme ku ata inkurajohen të pinë fshehtazi shurup trëndafili.

Që të thuash se Kamberi është një nga ato ndikimet e mira dhe të qeta nuk do të ishte aspak ekzagjerim, por kjo nuk do të thotë se Kamberi i ven njerëzit në gjumë. Përkundrazi. Ai mbase nuk ka talentin natyror të të mëdhenjve të humorit shqiptar si Xhoja, Ngjala, Banushi, Sallaku, Hasa apo Prodani, por akti i tij te kujton diçka të re e frymëzuese.

Ndryshe nga Hicks ku materiali i humorit është kryesisht politik, ai i Kamberit është krejtësisht apolitik, (diçka që shumica e jonë në këtë anë të gardhit kanë kohë që e vlerësojnë).

Por shumë elemente nga stili i Kamberit te kujton “Stand up comedy” ose në shqip “Komedia në Këmbë”, apo në rastin tonë “Komedia Ulur”.

Për komedinë ulur Billy Connolly, një nga eksponentët më dinjitoze të kësaj zhanre,  ka një vërejtje të tijën  ku ai shprehet se: ‘Është e vështirë të them të dua kur qëndron ulur në fytyrën time’. Jam i sigurt që Connolly nuk i referohet Kamberit.

Është gjithashtu e qartë se Kamberi e shkruan vete materialin e tij. Në një shkretëtirë  shterpe origjinaliteti, materiali i ri i tij paraqet një shkëputje nga komedia e mëparshme.

Kjo komedi është ndërtuar në bazë te një monologu të gjatë, ku ai i vetëm është krijuesi dhe interpretuesi i humorit në një kontakt të drejtpërdrejte me publikun.

Lidhja me audiencën është spontane dhe e drejtpërdrejte, e ku humoristi duhet të dhurojë një shfaqje të rrjedhshme, të gjatë , dhe ç’është më e rëndësishmja, të të shkrijë gazit . Në shumë anë kjo lloj komedie është nga më të vështirat. Ajo varet tërësisht prej aftësisë vetjake të humoristit, ku ai duhet të gjeje një balance shume delikate mes humorit drejtuar drejt vetes dhe te tjerëve.

Kamberi duket sikur ka gjetur kandarin më të saktë për gjetjen e kësaj balance. E vetmja gjë që mungon është një skenë gjys e errët, mbase një kolltuk,  e jam i sigurte që dashamirësit e 'komedisë së ulur' do të dynden me padurim për një humor të ri e të improvizuar.

 

 

Kamberi me sofistikimin e tij të një humori të shkëputur nga emocioni, ka potencialin të kthehet në përfaqësuesin më  të denjë të kësaj lloj komedie të re.  Ai është një nga të vetmit që në shqip që kanë atë lidhje të drejtpërdrejtë me publikun pa pasur nevojën e një sponde të dytë apo dikujt tjetër që të përcjelli për ta shakanë.

Një Klub i Ri Humori ku humoristet dalin në skenë vetë sikur një herë një kohë Ramazan Ngjala, dhe që ndajnë me ne të tjerët atë çfarë atyre ju është dhuruar, është një prospektive tunduese. Ajo mund te shërbejë edhe si një valvul që shkarkon pak nga gjithë kjo energji negative që mbulon vendin. Met Bega, apo ai fieraku tjetër që nuk ja di njeri emrin, mund të jenë kandidatë ideale për të ndjekur aktin e Kamberit.

Ata së bashku mund të shënojnë themelimin e një epoke të re 50 vjeçare , atë të tiranisë së Humorit.

http://www.peshkupauje.com/2011/02/kosta-kamberi-the-stand-up-who-never-sto