×

Muharrem Hoxha : Skeç në ‘70-n, kur “Coca-Cola”-n e dinim pije alkoolike

Muharrem Hoxha : Skeç në ‘70-n, kur “Coca-Cola”-n e dinim pije alkoolike

· 3 · 1899

  • Postime: 27105
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 07-08-2010, 16:06:17
Intervistë/ Humoristi i qytetit të Durrësit, në një rrëfim për humorin dhe jetën në diktaturë.



E njohin të gjithë si Rrema i Durrësit, e kanë duartrokitur, përshëndetur dhe përgëzuar për batutat dhe rolet e tij prej 40 e ca vitesh në skenën dhe ekranet tona. Muharrem Hoxha apo Rrema ka një jetë në skenat dhe ekranet e televizioneve. Ai ka mbushur 60 vite, por shumë aktiv dhe me të njëjtin humor, me të cilin durrsakët, dhe jo vetëm ata, e njohin prej 40 vitesh. Rrema ka interpretuar dhjetëra role dhe është ngjitur në skenat e humorit nga Jugu në Veri të vendit. Duke folur për “standard”, ai tregon rrugën e nisur drejt humorit, peripecitë e biografisë dhe arritjet e sukseset në skenat dhe sallat e mbushura me spektatorë.

Rreme, kur e keni nisur karrierën e aktorit të humorit?

Kam qenë në shkollën e mesme në Durrës, në kohën që regjisorë të estradës më kishin pikasur për të më thithur më pas në skenë. Asokohe vijoja studimet në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe jam aktivizuar gjatë shkollës, por si aktor i skenës u shfaqa sapo përfundova shërbimin e detyruar ushtarak. Notat e gjimnazit i kisha të mira, por më duhej biografia, pasi ajo përcaktonte të ardhmen, jetën dhe fatin e çdokujt në atë kohë. Nuk e kisha fatin për ta fituar shkollën e lartë, e cila më ka mbetur si pikë gjatë gjithë jetës. Kjo, për të vetmen arsye se kisha një sebep në biografi. Në kohën që nisa karrierën, estrada nuk para kishte shumë dashamirë apo aq sa kishte teatri. Në vitet 1970 trupa e pallatit “Rinia”, ku unë isha bërë pjesëmarrës aktiv si aktor me shumë shpresa për të ardhmen, jepte tri deri në katër premiera në vit. Bëhej punë shumë e madhe dhe po të mendosh se të gjitha talentet vinin nga ndërmarrjet e kooperativat, pra nga djem e vajza të pasionuar, por që punonin në prodhim, ishte diçka shumë e madhe. Aty, në pallatin “Rinia”, që ishte aty ku sot është xhamia e Durrësit, jam takuar për herë të parë me emrat e mëdhenj të skenës që më pas do të njiheshin nga gjithë publiku shqiptar. Pata fatin të ushtroja rolin e aktorit në skenë për krah emrave të mëdhenj si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa dhe shumë të tjerë. Për gati dhjetë vite qëndruam në trupën e humorit.

Kur hytë në radhën e aktorëve profesionistë?

Më morën në trupën e estradës profesioniste të pallatit të kulturës. Fati e deshi të rrija pak kohë. Jo se gjërat çaluan tek vullneti apo talenti im, por si gjithnjë do të nxirrte kokë biografia. Kështu, më hoqën përgjatë natës dhe me të zbardhur e pashë veten jashtë shkallëve të pallatit. E keqja më erdhi nga brenda, pra një kolegu ynë, që ishte aktor, mori guximin dhe më bëri biografinë, duke më hequr të drejtën për të qenë në mesin e aktorëve të Durrësit. Për të mbijetuar u ktheva përsëri tek estrada amatore derisa regjisori Haxhi Rama këmbënguli të kthehesha në estradë me trupën profesioniste. Ishte fundi i viteve ‘80 dhe gjithandej po frynte erë e ndryshimeve, të cilat pasuan në vitin 1991. Në trupën e pallatit “Rinia” kam marrë dy çmime “Laureat i Republikës”, respektivisht në vitin 1983 dhe tjetrin çmim në vitin 1986. Këto çmime i kam marrë në konkurset dhe aktivitetet e ndryshme që zhvilloheshin në qytete të ndryshme. Karriera ime ka qenë e pasur falë edhe bashkëpunimit me emra të mëdhenj të estradës e teatrit, ndërkohë që të gjithë regjisorët që kishim, janë pjesë e elitës së kulturës sonë, si Haxhi Rama, Pëllumb Kulla, Enver Plaku, Koço Devole, Fadil Hasa etj. Pas vitit 1990 kam fituar titullin “Njeriu i shekullit” nga Universiteti i Kembrixhit dhe titullin “Krenaria e qytetit” me vendim të Këshillit Bashkiak.

Cili ka qenë episodi i paraviteve 1990, që ju ka mbetur në mëndje?

Ishte mesi i viteve ‘70 dhe ne e dinim se “Coca-Cola” ishte pije alkoolike. Në vitin 1976, në një skeç, disa persona, pasi pinim “Coca-Cola”, deheshim dhe rrëzoheshim. Ky skeç shfaqej normalisht në çdo variete që zhvillohej në Durrës dhe qytete të tjera. Asokohe Shqipëria ishte e mbyllur për të huaj, por skeçi ynë u ndoq nga një grup turistësh gjermanë, të cilët u bënë, si të thuash, molla e sherrit për ne. Gjermanët u shprehën se kjo pije është freskuese dhe nuk dehet njeriu duke e pirë. Pas kësaj ne nuk e shfaqëm më, apo më mirë të themi, refuzuam ta shfaqnim. Çështja shkoi deri në komitetin e partisë. Të gjithë ata që e mbajnë mend atë kohë, të thërritesh në komitet partie për të tërhequr veshin duhej t’i thoshe burgut ‘hapu’. E kaluam me shumë vështirësi atë situatë, e cila la gjurmë tek ne si aktorë. Të tilla provokime, situata, përplasje e ballafaqime ndodhnin shpesh, më së shumti për të na mbajtur nën presion e nën kontroll. Megjithatë, duhet thënë se populli na priste shumë mirë. Ngado që shkonim, merrnin falënderime. U bëmë të njohur në çdo lagje e rrugicë, në çdo ndërmarrje e mjedis familjar.

Pse para viteve 1990 sallat e estradës mbusheshin plot?

Po të ktheheni pak pas në kohë, do të shikoni se në atë periudhë fare pak familje kishin televizor. Në fshat dhe lagje njerëzit rendnin tek sallat e këndit të kuq për të parë ndonjë koncert, festival, emision apo film, pasi në ato qendra vendoseshin televizorë. Daljet tona në skenë priteshin me padurim, pasi qyteti argëtohej shumë mirë dhe në rrugë e sheshe dëgjoje të bisedohej shumë për tematikën, aktorët, humorin, shpotinë e kështu me radhë. Kur jepeshin premierat, njerëzit vinin të gjithë me rregull. Uleshin në vendet e tyre, mbahej qetësi, nuk pihej cigare në sallë dhe atmosfera ishte emocionuese. Për trupën tonë amatore, cilësia dhe puna jonë testohej vetëm kur shkonim në Shkodër. Në fakt, na prisnin shumë mirë edhe në Shkodër. Qytetarët atje janë me humor të lindur dhe ne kalonim kështu “provimet” para publikut. Shkodranët janë dashamirës të humorit dhe ne ndiheshim aq mirë sa e prisnim me padurim udhëtimin. Estrada e Durrësit ishte e plotë, pasi në përbërje të saj kishte emra të mëdhenj të humorit, si: Fadil Hasën, Adem Gjepalin, Gani Kalanë, Enver Likmetën etj. Shkodra na ka dashur shumë ne si grup, pasi konkurronim denjësisht me humorin shkodran. Ne ofronim nga tre-katër premiera në vit dhe duke llogaritur që në një premierë kishim 3-4 role, i bie që në një vit të krijoheshin 15-16 role. Rolet e mia kanë qenë nga më të ndryshmit, nga gagarelët, prapanikët, nëpunësit burokratë, djemtë e rinj etj. Thelbi i roleve tona ishte ndikimi tek sjellja e morali i shoqërisë për ta ndërgjegjësuar në luftë kundër veseve.

Rreme, e ndienit censurën asokohe në humorin tuaj dhe deri ku ka vajtur batuta juaj pas viteve 1990?

Sigurisht, që kishte kontroll të rreptë. Gjithmonë do të kishte të pranishëm punonjës të aparatit të partisë që do të dëgjonin skeçet në provat e estradës. Kishte raste që ata qeshnin me të madhe, u pëlqente pjesa, por thoshin: “Hiqe, hiqe këtë, nuk e themi dot se nuk na lë partia!” Sigurisht që puna jonë ka marrë edhe vlerësime në atë kohë. Në vitet ‘70-‘80 trupa e estradës së Durrësit ka pasur pothuajse gjithmonë fitues të titullit “Artisti më i mirë” dhe këtë titull e ka marrë në ato vite Fadili, Ishja (Aishe Stari) dhe unë. Me Fadilin jam njohur në vitin 1975 në estradën amatore. Edhe Fadili vinte nga klasa punëtore dhe për 30 vite nuk u ndamë. Ai është njeri shumë i mirë, koleg dashamirës, aktor me shumë kontribut në zhvillimin e estradës profesioniste. Fadili nuk ka pasur kurrë paragjykime. Ai ushqehej shumë nga logjika e zhvillimit dhe interpretimit. Durrësi fatmirësisht kishte aktorë, artistë e regjisorë me botëkuptim shumë progresiv dhe që nuk merreshin me “më the e të thashë”. Ndihmë të madhe për mua ka dhënë edhe regjisori Haxhi Rama. Haxhiun si ne aktorët edhe dashamirët e estradës e të teatrit e thërrasin Xhixhi. Njeri i qetë, punëtor, këmbëngulës e i dashur. Ai më mori në 1986-n në estradën profesioniste dhe për mua ai është një mësues i madh. Me shumë krenari dhe respekt kujtoj bashkëpunimin me Roland Koçën, ndërsa pas ndryshimeve demokratike në vend me Rolandin kemi pasur fatin të udhëtojmë në Gjermani, Itali, Greqi, Kanada etj. Komuniteti shqiptar i atjeshëm na ka pritur me shumë ovacione dhe janë kujtime e mbresa të paharruara për mua dhe grupin tonë të humorit. Në Amerikë kam qenë me Zyliha Milotin, “Artiste e merituar”. Atje dhamë tri shfaqje: dy në Miçigan dhe një në Nju Jork. Shqiptarët atje ishin shumë të përmallur, na kanë bërë një respekt shumë të veçantë. Aktiviteti ynë si aktorë është i mbushur me mbresa, por janë disa kujtime që nuk të shqiten nga sytë as ditën e as natën. Diaspora është shumë e etur për grupe të tilla humori nga Shqipëria. Ne kemi detyrimet t’i përmbushim me repertor të pasur e të larmishëm. Tani, pas viteve ‘90, klima dhe mundësitë janë krejt ndryshe. Tematika është e gjithëllojshme dhe nuk ka më censurë e as frikë se do të ndëshkohesh. Për ne e rëndësishme është të mbajmë me humor shikuesin e dëgjuesin. Është shumë e rëndësishme kur dikush të ndalon në rrugë, të përgëzon, kërkon të bëjë një foto apo edhe të jep një lule. E kam përjetuar thuajse çdo ditë në këto 35-40 vite karrierë dhe në çdo rast vërej se ka diçka të re, origjinale dhe të ëmbël. Më e rëndësishme se medalja është opinioni qytetar, vendi që zë në vullnetin e artdashësve. Standard

  • Postime: 18304
  • Gjinia: Femer
ßåßy ღ
#1 ne: 10-08-2010, 10:52:14
Me pelqen..ka pas disa humore te mira ky :D

  • Postime: 6730
  • Gjinia: Femer
erlehta
#2 ne: 08-09-2010, 23:17:33
S´kenon darja, e ka zon parja  :D