×

Post reply

Emri:
Email:
Titulli:
Ikona e mesazhit:

Verifikimi:
Cfare gjuhe flasin shqiptaret?:

shtyp alt+s per te postuar ose alt+p per ta kontrolluar


Permbledhje

Postuar nga: erlehta
« ne: 23-03-2013, 05:10:43 »

Vertete humbje :(
Postuar nga: Dora
« ne: 08-03-2013, 09:29:42 »

TIRANE - "Koha fajtore", një komedi e vendosur në vitet 1970-1980, ku Roland Trebicka do të kishte rolin e një babai që i burgosin të birin, ka qenë projekti i lënë përgjysmë i aktorit që u përcoll dje për në banesën e fundit. Ishte aq entuziast, sa mendonte që me të do përsëriste suksesin e Jovan Bregut... Është autori dhe skenaristi Ruzhdi Pulaha që rrëfen në "Gazeta Shqiptare", komedinë me të cilën po punonte në ditët e mbrame të jetës së vet Trebicka. Në këtë fillimmars, ata të dy do të nisnin punën më konkretisht, e si regjisor i kësaj shfaqjeje qe zgjedhur Gëzim Kame.
Trebicka ia pat premtuar edhe 10 ditë më parë përmes telefonit. "Jam me tekst përpara. E kam në duar", i pat thënë Pulahës, "jam duke punuar dhe do ta bëjmë patjetër, mos u bëj merak". E megjithatë, i preu në besë. Roland Trebicka, për herë të parë, nuk e mbajti fjalën, i la të gjithë në baltë, e iku, në mënyrë aq të shurdhët, aq shpejt, aq papritur, aq trishtueshëm, aq para kohe, aq i ri, sa shumë vetëtimthi...! Tirana e përcolli qiellngrysur - miqtë e familja të përlotur. Një shi i imët, pothuaj i paqtë, e përqafoi dheun këtë të enjte, e dheu e mori për vete Trebickën tonë.
Ruzhdi Pulaha, mik e bashkëpunëtor i vjetër, tregon teksa ndjehet "i tradhtuar" bisedat me Rolandin, pritshmëritë e ndjesitë për komedinë e re, që mbeti pengu i aktorit të madh.
Zoti Pulaha, si do e mbani mend Roland Trebickën?
Kam pasur disa bashkëpunime me Roland Trebickën në skenën e Teatrit Kombëtar. Mund të them se kam qenë i privilegjuar që e kam pasur atë pjesë të trupës. Është një perlë nga më të rrallat e aktorëve të teatrit tonë. Një aktor i madh i lindur si i tillë, me vlera të jashtëzakonshme. Ishte brilant në të gjitha drejtimet. E përcollëm me duartrokitje se ishte aktor, jo i prerë, por i lindur si i tillë, që e dhuronte natyrshëm gjithçka. Humori dhe sjellja e tij ishin origjinale. Ishte interpretues i jashtëzakonshëm, i mirë me miqtë, kolegët, aktorët e regjisorët. Besoj se kemi humbur një nga diamantët më të çmuar të kurorës artistike kombëtare.
Dimë që ai kishte një projekt me ju. Me çfarë pjese po punonit konkretisht?
Në historinë e bashkëpunimit shumë të gjatë me Landin, që para se të sëmurej, ne patëm biseduar për një komedi që po shkruaja unë. Rolin kryesor të saj, po e shkruaja posaçërisht që ta interpretonte ai. Më pas ai u sëmur dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me atë dhe me familjen e tij.
Kur parashihej të fillonit punën?
Po bëheshim gati që brenda këtij muaji që jemi, pra në mars, të fillonim punën për ta vënë në skenë. Ishte entuziast dhe besonte se do ta përsëriste edhe njëherë, atë suksesin dhe shkëlqimin e tij që pati me Jovan Bregun.
Si titullohet komedia?
Komedia titullohet "Koha fajtore". Po në këtë rast nuk ishte koha fajtore, por ishte faji fajtor, sepse na e mori para kohe Landin. Ndërsa po ngushëlloja familjen, e bija e tij, Evisi, më tha duke qarë: "Na preu në besë babai". Në fakt, ne na preu në besë ai dhe fati i keq.
Çfarë iu thoshte në bisedat e fundit me të?
E kishte pritur me shumë dashuri këtë komedi. Gjatë gjithë kohës që qe sëmurë, bisedonim për rolin dhe për shfaqjen. Ishte një njeri që nuk dorëzohej kollaj, nuk jepej. E pat lexuar tekstin e komedisë "Koha fajtore" dhe së fundmi, para 10 ditësh, e mora në telefon dhe më tha: "Jam me tekst përpara. E kam në duar. Jam duke punuar dhe do ta bëjmë patjetër, mos u bëj merak". Ai nuk donte ta pranonte që do të ndahej nga skena, që do të ndahej nga teatri, nga miqtë, nga arti. Por, jeta është e këtillë. Landi iku me merak që s'e realizoi këtë komedi dhe mua më la një brengë jo e të vogël, për një mik e aktor të madh siç ishte Roland Trebicka.
Cili do të ishte roli i tij në këtë komedi?
Është një komedi që zë fill në vitet 1970-1980. Landi do të kishte rolin e një babai, që merret me shtëpinë e vet, familjen e punët e veta. Ai analizon shumë dëme të atij sistemi dhe së bashku me gjithë personazhet e tjerë hedh dritë mbi kohën, teksa tregon ndërgjegjen popullore. Landi ishte një personazh shumë popullor, që bënte edhe humor shumë popullor. Ai është një baba që i arrestojnë të birin dhe gjatë gjithë kohës, me atë gjuhën e hollë që është njëherazi tepër delikate dhe e hidhur, të lë mbresa. E kisha llogaritur për tiparet që kishte Rolandi, se e njihja shumë mirë dhe e kisha prerë rolin (kostumin) sipas trupit të tij, masës së tij artistike. Kishim një dëshirë të madhe, unë e regjisori Gëzim Kame që ta bënim këtë gjë.

balkanweb
Postuar nga: Mishel...............
« ne: 07-03-2013, 15:25:33 »

“Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë”


Këto kanë qenë ndër fjalët e fundit që Roland Trebicka i ka thënë së shoqes, përpara se të ndahej nga jeta.

“Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero“.

Aktori i njohur u kthye vërtet në teatër sot, por për herë të fundit, ku ju bënë homazhet dhe nderimet nga miq, kolegë, e politikanë.

Disa kohë para vdekjes, aktori kishte folur pikërisht për sëmundjen e tij.

“Më besoni, unë jam një njeri që nuk e kam njohur kurrë sëmundjen. Më kujtohet kam marrë vetëm 9 ditë raport, kur isha 23 vjeç dhe po luaja në pjesën “Shtëpia në bulevard”. Teksa po trukohesha, pashë se isha mbushur me njolla të kuqe dhe kisha ethe. Më kishte zënë fruthi. Dhe prej asaj kohe unë nuk mbaj mend të kem marrë më raport. Nuk kishim nisur ende me shfaqjen “Tabloja absurde”, kur nisa të ndihesha jo fort mirë. Një ditë kur u ktheva në shtëpi, ndjeva ethe dhe kisha kollë. Mendova të lë duhanin. Kisha tentuar kaq herë dhe thashë, përse të mos e lë tani. Kam pirë kaq shumë duhan! Po puna jonë e tillë është, sidomos në proces tavoline, kur je nën tension, kur je në kërkim të vazhdueshëm… Por ishte një gjendje që nuk më pëlqente dhe vendosa të vizitohem. Duke qenë që nuk jam kuruar kurrë, as e dija se ku të drejtohesha dhe me një mikun tim të teatrit shkuam në dispanseri. Më thanë se ishte diçka e vjetër, jo shqetësuese dhe mora disa mjekime. Ndërkohë nisëm “Tablonë absurde” të Ferdiand Hysit, madje do të shkonim në Indi. Ishte udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Kur u ktheva, u drejtova tek një mjek tjetër që qëlloi një shok fëmijërie. E kuptova menjëherë se ç’kisha sa pashë fytyrat e tyre...”


:( :(
Postuar nga: Mishel...............
« ne: 07-03-2013, 14:20:34 »

RIP
Postuar nga: Dora
« ne: 07-03-2013, 09:40:05 »

E kush do ta harroje!!! Batutat e tij tek "Pallati 176" i kemi futur aq shume ne jeten tone te perditshme, sa do te jete e pamundur te mos e kujtojme.
Postuar nga: whitesnake
« ne: 07-03-2013, 09:37:32 »

Te mbese perjete i gjalle kujtimi ketij mjeshtri te madh shqiptar.
Postuar nga: Shej
« ne: 07-03-2013, 09:36:53 »

Sa gjynaf! R.I.P.
Postuar nga: Dora
« ne: 07-03-2013, 09:35:38 »

Sot homazhe për ikonën e Teatrit Roland Trebicka, e bija: Orët e fundit të babait

TIRANE - Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero". Këto kanë qenë fjalitë e kobshme që i ka thënë bashkëshortes, ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai do të kthehet sot edhe një herë në teatër, në holl e në oborr, por nuk do të ngjitet më në skenën e tij. Ikona, mjeshtri i madh i skenës shqipe, legjenda e teatrit u shua dje në moshën 65-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Grahmat e fundit i dha në shtëpinë e tij, dje në drekë rreth orës 14:30, derisa shpirti i tij u nda nga trupi, për të ikur drejt qiellit. Pranë tij, janë gjendur e shoqja e mikja e jetës së tij, Violeta dhe dy vajzat, Manjola që kishte ardhur enkas nga Franca dhe Evisi që jeton në Tiranë. Lajmi i rëndë, befasoi miqtë e të afërmit. Shumëkush pat menduar se ai e mundi vdekjen, por jo, ai thjesht e kishte mposhtur për pak kohë. Homazhet për të mbahen sot në Teatrin Kombëtar, nga ora 11:00 deri në orën 13:00.

MANJOLA TREBICKA: ORËT E FUNDIT TË BABAIT TIM
Ajo i ka qëndruar mbi kokë gjatë gjithë kohës që ka qenë në spital në Francë, duke uruar në secilën prej atyre ditëve që jeta e tij të ishte sa më e gjatë. Sot, dy vite më vonë, qëndron pranë arkëmortit, e mpirë, me sy të përlotur. Manjola Trebicka është vajza e madhe e aktorit Roland Trebicka. Ka qenë edhe krenaria e tij. E donte pamasë të bijën, e përmendte shpesh... Vetëm dy ditë më parë, ajo do të udhëtonte në mesnatë, nga Parisi drejt Tiranës, për të takuar edhe një herë të gjallë të atin, njeriun që e solli në jetë dhe e rriti. Manjola duket se i ka ngjarë shumë. Ka qetësinë e madhështinë e tij. Po e nderon të atin, ashtu si ai ia kërkoi; po e përcjell me dinjitet ashtu si ai e meritoi. Mes ngashërimeve e dhimbjes, e shkëpusim nga pritja dhe e pyesim për orët e fundit me të.
U duk se ai e mori veten, se rreziku ishte zhdukur. Prej sa kohësh ishte përkeqësuar?
Prej katër ditësh ka qenë shumë keq. Të dielën shenjat e përkeqësimit janë bërë më të qarta, derisa sot (dje) në drekë, na la. Babai kishte një muaj që nuk dilte nga shtëpia. Për herë të fundit doli në fillimshkurt, për të xhiruar "Ëndrrën e Ismail Qemalit". Qe edhe hera e fundit që shkoi në teatër.
Kë ka takuar?
Asnjë. Nuk donte që ta shikonte njeri në gjendjen që ishte, nuk donte t'i mërziste miqtë e të afërmit. Nuk donte vizita. Nuk donte ceremonira. Thoshte "më përcillni thjesht!"
Kur keni ardhur nga Franca?
Kam ardhur të martën në mbrëmje. Më lajmëruan se babai nuk ishte mirë dhe erdha të qëndroja me të, ta shihja sërish gjallë. Unë e kam takuar dje (pardje) në orën 12 të natës. Në atë orë munda të mbërrija nga Parisi.
Çfarë ju tha në komunikimin e fundit?
Më falënderoi që erdha dhe u gëzua që më pa.
Po dje, si ishte?
Dje, ishte dita e fundit, nuk foli fare. Nuk kam mundur të komunikoj me të. Vetëm na ka parë të gjithëve me radhë.
U nda nga jeta, në shtëpi?
Po, në shtëpi. Nuk ka dalë prej këtu. Edhe shërbimet e fundit shëndetësore iu bënë në shtëpi.
Ju e keni shoqëruar kur qe në Francë gjatë kohës së qëndrimit në spital. A parashihej të ishte kaq e parakohshme ikja e tij?
Kur erdhi nga Franca ishte disi më mirë. Edhe këtu vijoi të ndiqte kimioterapinë në spital, siç e bëri atje. Operacioni ndihmoi aq sa mundej. Iu zgjat jeta edhe dy vite e gjysmë, po s'mund të bëhej më shumë.


balkanweb
Postuar nga: Dora
« ne: 07-03-2013, 09:35:12 »

Roland Trebicka: Lufta ime njëvjeçare për t’u rikthyer në jetë

TIRANE-Çdo ditë ora 10-10 e pak e gjen në Teatrin Kombëtar. U bënë vite që e ndjek këtë ritual e tani, pas një viti mungese, ka nisur t’i rikthehet sërish.
Kafen e pi te një bar aty përbri teatrit, ku gjen zakonisht punonjësit e TK-së, të Galerisë Kombëtare të Arteve apo edhe Ministrisë së Brendshme. E ndajnë vetëm pak metra, por gjatë kësaj distance të shkurtër janë të shumtë njerëzit që e ndalojnë, e pyesin… Kjo ndoshta është pjesa më e vështirë. Të dyja palët nuk dinë si të sillen. Por ka nga ata që janë të papërmbajtur. E puthin dy herë, katër herë… “Njerëzit të duan, të duan!”, i thotë një koleg i tij, që gati i ngatërrohen fjalët kur takon aktorin. Por ai ka të drejtë. Njerëzit e duan Roland Trebickën dhe në momentet e tij më të vështira, kur duhej të luftonte për jetën, dashuria që ata mund t’i jepnin në këmbim, ishte më e pakta. Ia kanë borxh aktorit gjithë ato buzëqeshje që u ka falur dhe energjinë pozitive që përçonte përmes çdo roli. Roland Trebicka nuk do kishte dashur të fliste kurrë për vdekjen, por të flasësh për sëmundjen qenka edhe më e vështirë. Por qenka pjesë e jetës, ndonjëherë duhet të bashkëjetosh me të dhe duhet të jesh i guximshëm ta mposhtësh.

Kur më shumë se një vit më parë filloi të qarkullonte lajmi se Roland Trebicka ishte i sëmurë rëndë, shumë nuk e besuan dhe e morën për një nga shakatë e shumta të aktorit. Por ishte e vërtetë, aktorit i ishte zbuluar një masë tumorale në mushkëri, për kurimin e së cilës fluturoi me urgjencë në Francë. Aq i papritur sa edhe të afërmve e publikut, i erdhi kjo sëmundje edhe vetë aktorit.

I papërgatitur për sëmundjen
“Më besoni, unë jam një njeri që nuk e kam njohur kurrë sëmundjen. Më kujtohet kam marrë vetëm 9 ditë raport, kur isha 23 vjeç dhe po luaja në pjesën “Shtëpia në bulevard”. Teksa po trukohesha, pashë se isha mbushur me njolla të kuqe dhe kisha ethe. Më kishte zënë fruthi. Dhe prej asaj kohe unë nuk mbaj mend të kem marrë më raport. Nuk kishim nisur ende me shfaqjen “Tabloja absurde”, kur nisa të ndihesha jo fort mirë. Një ditë kur u ktheva në shtëpi, ndjeva ethe dhe kisha kollë. Mendova të lë duhanin. Kisha tentuar kaq herë dhe thashë, përse të mos e lë tani. Kam pirë kaq shumë duhan! Po puna jonë e tillë është, sidomos në proces tavoline, kur je nën tension, kur je në kërkim të vazhdueshëm… Por ishte një gjendje që nuk më pëlqente dhe vendosa të vizitohem. Duke qenë që nuk jam kuruar kurrë, as e dija se ku të drejtohesha dhe me një mikun tim të teatrit shkuam në dispanseri. Më thanë se ishte diçka e vjetër, jo shqetësuese dhe mora disa mjekime. Ndërkohë nisëm “Tablonë absurde” të Ferdiand Hysit, madje do të shkonim në Indi. Ishte udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Kur u ktheva, u drejtova tek një mjek tjetër që qëlloi një shok fëmijërie. E kuptova menjëherë se ç’kisha sa pashë fytyrat e tyre. Ai u trondit shumë, po ashtu infermieret përreth. Sado që u munduan ta fshihnin, ishte e pamundur. Nuk më duhej të prisja biopsinë”, tregon aktori. U tha familjarëve dhe dukej se në këtë mes më i forti ishte ai. “E mora si diçka që më ndodhi dhe që duhej të përballesha me të. Ime bijë që ka vite që jeton në Francë, kishte rregulluar gjithçka dhe të nesërmen preva biletën e u nisa për atje”.

Francë-Shqipëri
Kaloi 2 muaj në Paris. Nuk mendoi se do të qëndronte aq shumë. “Shkova të bëja një vizitë dhe të merrja ndonjë kurë, por jo të operohesha”, tregon Roland Trebicka. Por ja që ashtu si me “mashtrim” e futën në sallë të operacionit. Filli diku i humbi një ditë pas operacionit të parë. Teksa priste mikun e tij të vjetër Dhimitër Pecanin, i ndodh një komplikacion dhe kur zgjohet pas ditësh në koma artificiale dhe narkoze, nuk e kuptonte se përse ndodhej sërish në Francë. Nën një kurim intensiv, nën vëzhgimin e njërit prej mjekëve më të mirë të fushës, kaluan dy muaj. “Ishte e pamundur. U mërzita. Nuk mund të qëndroja më atje, edhe pse mjekët donin të më mbanin. Për mua kujdesej ime bijë dhe ime shoqe, por për shkak të distancës së madhe nga spitali, e kishin të pamundur të vinin disa herë gjatë ditës. Kërkova të kthehesha. Doja të flisja me njerëz, nuk mund të qëndroja më aty, pavarësisht se kujdesi ishte shumë i mirë. Deri në avion më ka shoqëruar ambasadori ynë në Francë Ylljet Aliçkaj, i cili është treguar i jashtëzakonshëm. U ktheva dhe gjeta atë që më mungonte. Shtëpia ishte gjithnjë plot me njerëz, aq sa nuk i nxinin dyert. Por edhe gjatë kohës që isha atje, ishin pa fund mesazhet dhe telefonatat, aq sa ime bijë atje, por edhe kjo këtu, nuk i përballonin dot. Por këtu gjeta atë që prisja”, thotë aktori.

Rolet e humbura dhe kthimi
Që prej diagnostikimit të sëmundjes e deri më sot, kanë kaluar muaj shumë të vështirë. Operacione, kurime, 12 seanca kimioterapi… Tashmë ndihet më mirë. Ka filluar të dalë, të vijë në Teatër, ku kalon disa orë. Mjekët e kanë rekomanduar që të lëvizë. Këtë do edhe ai. E nëse gjithçka ecën mbarë, në shtator ai do të jetë i gatshëm t’u hyjë projekteve të reja. Peng e ka që gjatë kësaj periudhe iu desh të refuzonte disa propozime të rëndësishme, bashkëpunime me Teatrin e Durrësit, me regjisoren Driada Dervishi, me Teatrin e Korçës, me regjisorin Gëzim Kame, por mbi të gjitha një rol që kishte kohë që e mbante në duar. Bëhet fjalë për “Doktor Shusterin”, që gati 3 vjet më parë dëshironte ta ngjiste në skenë regjisori Alfred Trebicka, por pa arritur. Kur Spiro Duni nisi punën për “Doktor Shusterin”, ia dha atij më parë rolin. “Do të të jap një pjesë që do të të pëlqejë shumë, më tha Spiro. E pashë dhe i them, ndërsa unë do të të jap një pjesë që do të të pëlqejë edhe më shumë dhe i tregova pjesën që e kisha në shtëpi. Por nuk munda. Kur mësova që rolin do ta luante Robert Ndrenika, u gëzova pa masë. Kthimi i tij pas 5 vjetësh ishte një lajm shumë i mirë. Nuk kam mundur ta shoh, por e kam marrë në telefon dhe e kam uruar. Shpresoj të kem sërish mundësi të ngjitem në skenë”, thotë aktori. “Po më afron mosha e pensionit dhe mund të dal edhe në pension, por me energjitë që kisha, mendoja se do të vazhdoja edhe më tej. Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtetë e tillë, jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena”, thotë Trebicka, i cili do kishte dashur shumë të fliste për projektet e reja dhe jo për tema të trishta, që ndoshta trishtojnë edhe lexuesin.

Mbështetja nga shteti
Kurimi në Francë e ndjekja më tej e kurave në Shqipëri nuk ishte e thjeshtë për t’u përballuar. Me sinqeritet aktori Roland Trebicka thotë se nuk do ta kishte arritur kurrë, nëse nuk do të kishte pasur edhe mbështetjen financiare nga ana e qeverisë shqiptare. “Jam ndier i privilegjuar, pasi kanë bërë për mua atë që nuk e kanë bërë për artistë të tjerë të mëdhenj”, thotë Trebicka, teksa shton se çdo ditë për shëndetin e tij interesohej një këshilltare e Kryeministrit. “Jam prekur shumë, kur në Francë më vjen një buqetë e madhe me lule nga ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferi. Një gjest i vogël, por shumë domethënës”, thotë ai. Një vit më parë, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave miratoi një shtesë fondi në buxhetin e kësaj Ministrie, në masën 4,7 milionë lekë, për përballimin e shpenzimeve për kurimin e aktorit në Francë. Aktori e di fare mirë se kush ka ndërhyrë për të, por që nuk ia kanë kujtuar kurrë, ndaj dhe u është mirënjohës. Ashtu siç u është mirënjohës të gjithë atyre mjekëve dhe infermierëve që u kujdesën dhe vazhdojnë të kujdesen për shëndetin e tij.

40 vite karrierë
Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961-shin. Ndoshta që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua qysh në në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”. Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Shumë e identifikojnë me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori” (“Revizori”), për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”. Është nderuar me titullin “Artist i merituar” .

balkanweb
Postuar nga: Dora
« ne: 07-03-2013, 09:33:09 »

TIRANE - Aktori i njohur Roland Trebicka nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej kohësh. “Mjeshtri i madh” i aktrimit, që njihej më së shumti si “Jovan Bregu” për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, i cili vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi i tij më i mirë, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 65-vjeçare. Mësohet se aktori i ka kaluar momentet e fundit të jetës me të afërmit  në shtëpinë e tij në Tiranë.

Ndërkohë që në familjen Trebicka janë hapur dyert e mortit, vajza e aktorit ka bërë të ditur se babai i saj vdiq duke menduar për familjen, madje u ka lënë amanet që të mos qajnë e të mos dëshpërohen nga humbja e tij.

Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.

Shenjat e sëmundjes iu shfaqën së tepërmi gjatë kohës që Trebicka po merrej me dramën "Një tablo absurde" në vitin 2011. Ai u kurua në një klinikë të specializuar në Paris të Francës, kundër kancerit në mushkëri, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në kryeqytetin e Francës, për të u kujdes vajza e tij, që ndodhet prej vitesh me banim atje. Dy muaj pas shtrimit të tij në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për financimin e kurimit të aktorit, i cili mbante titullin "Mjeshtër i madh".

Së fundi Roland Trebicka pritej të kthehej në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, fituese e konkursit për dramën shqipe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

MTKRS: DITE ZIE PER KULTUREN SHQIPTARE
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të madhe të skenës shqiptare, Roland Trebicka. “Një ditë zie për kulturën shqiptare”, e ka cilësuar Bumçi ndarjen nga jeta të aktorit të madh.
“Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta”, shprehet Bumçi në mesazhin e tij.

“Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”, shton ministri Bumçi.
“Ndoshta hyrja e Trebickës në rrugën e artit ishte e rastësishme, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, por nuk ishte e rastësishme lidhja e tij e përjetshme me skenën, ashtu siç nuk ishte e rastësishme që pas disa roleve të spikatur të planit dramatik, në teatër apo në filmin “Koncert në vitin 1936”, Roland Trebicka e gjeti veten si një aktor i shkëlqyer i komikes, në rolin e Jovan Bregut, tek komedia “Pallati 176”, rol që e bëri të famshëm”, vijon më tej Bumçi.

Ai thekson se “dashuria e Roland Trebickës me skenën ishte sa e ndërsjelltë, aq dhe e veçantë. Skena e donte fort Landin, me talentin e tij të dukshëm dhe vullnetin e paepur. Por edhe ai e donte atë me të gjithë fuqinë e shpirtit të tij, deri në vetëmohim”. “Nga sot e tutje, skenave së teatrit shqiptar do t’u mungojë sharmi i këtij gjeniu të humorit, do t'i mungojë familjes, gjithë të dashurve, spektatorit, por ai e la veten në artin kombëtar shqiptar të skenës. Që aty ai është futur në skenën e zemrës së të gjithëve”, përfundon Bumçi.

MARGARITA XHEPA: U HIDHËROVA KUR MËSOVA VDEKJEN E ROLANDIT NË NEWS24
Në një lidhje telefonike me studion e "News24", aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa u shpreh e tronditur mbi vdekjen e Roland Trebickës.
“U hidhërova shumë kur dëgjova për vdekjen e tij në News24. Ishte babai i komedisë. Spikaste ndër aktorë. Ai kishte batuta dhe pa folur, sepse shikimi i tij ishte kaq domethënës, ishte kaq i vecantë, nuk fjalë të shpreh boshllëkun që krijohet me ndarjen nga jeta të Roland Trebickës”.

SUELA KONJARI: SKENA SHQIPTARE KA HUMBUR NJË KOLOS
Në një lidhje telefonike në “News24”, edhe aktorja Suela Konjari deklaroi se humbja e Roland Trebickës është një humbje për të gjithë. Përmes lotëve, zonja Konjari tha se “skena shqiptare ka humbur një kolos, ka humbur një aktor të mrekullueshëm. Janë humbje të thella që jam e sigurt që do të shënojnë tek të gjithë ne. Rolandi ishte i madh në jetë, i madh në skenë, i madh si mik, i madh si baba.”

ZAMIRA KITA: KORÇA ESHTE KRENUAR GJITHE JETEN ME ROLANDIN
Për aktoren Zamira Kita humbja e Roland Trebickës ishte e papritur dhe shumë e dhimbshme. Ajo deklaroi për “News24” se Korça është krenuar gjithë jetën dhe do të krenohet gjithnjë me aktorin korçar Roland Trebicka.

“Jam shumë keq në këtë moment, nuk gjej dot fjalët. Eshtë tejet e dhimbshme. Nuk e besoj dot që ai nuk do të jetë më. Ai më telefononte shpesh për vajzën time. Më pyeste si e ke vajzën. Nuk kishte ditë që të mos komunikonim bashkë, ishte një nga miqtë e mi më të mirë.”- deklaroi Kita.

EDI RAMA: KOMIK I PASHOQ, NJERI I MREKULLUESHËM
Kryetari i Partisë Socialiste ka ngushëlluar në rrjetin social Twitter dhe Facebook mbi vdekjen e aktorit të madh, Roland Trebicka.
“Cfarë lajmi i keq vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm, i lehtë dheu, ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit”.

REGJIZORI ALFRED BUALOTI: NË SKENË DERI NË FUND, SËMUNDJA NUK E MPOSHTI
Regjizori Alfred Bualoti ndau me mikrofnin e News24 momentet e punës që ka kaluar gjatë viteve me Roland Trebickën.

“Kujtimet janë të panumërta. Moment kaq tragjik dhe i parakohshëm për talentin dhe dëshirën e tij, sidomos për të luajtur në skenë. Ai dhe pse nuk e thoshte nga mënyra sesi vepronte donte që dhe frymën e fundit ta kishte në skenë. Dhe pse kishte sëmundje të rëndë, ai nuk reshti së krijuari për rolin tij, angazhimin tij. Për humorin e tij se ajo na ka mbetur në kujtesën tonë. Ai vetëm buzëqeshte, na bënte të qeshnim, të krijonte një atmosferë që zor se vijnë më për tërë jetën. Jam i bindur që të gjithë do mbajnë kujtime të mrekullueshme nga aktori Roland Trebicka”.

ANDON QESARI: PALLATI 176 NUK DO BËHEJ I FAMSHËM NËSE DO I MUNGONTE TREBICKA
“Nuk dua të qaj se kjo ishte dhe porosia e fundit e Trebickës. Por teatrit shqiptar i iku gjeniu i Komedisë dhe padyshim Teatrit i humbi një gjigand i kësaj gjinie. Shumë e vështirë të identifikohet një aktor me personazhin. Dhe Trebicka njihet si Jovan Bregu i ‘Pallatit 176’. ‘Pallati 176’ nuk do ishte ajo vepër që është nëse në të nuk do të ishte Roland Trebicka. Nuk ka ndodhur në histori që një vepër teatrore të shfaqet 154 herë”.

KICO LONDO: SOT PA TY NE JEMI MË TË VARFËR
Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Kico Londo përcolli gjithashtu sot ngushëllimet mbi humbjen e e aktorit të madh të skenës së teatrit, Roland Trebicka.
“Nuk do ta harroj kurrë herën e fundit kur të pash! Miku im i shtrenjtë!Sot ti i kapërceve kufijtë e tokës për të prekur me siguri fytyrën e Zotit. Ti ishe me fat se njohe ne tokën që deshe suksesin e madh dhe me talentin tënd të pazakontë e ngrite shpirtin njerëzor në një vend më të lartë.
Sot pa ty ne jemi më të varfër. Unë ndihem me fat që të takova, të njoha dhe të duartrokita ty. Udhëtim të mbarë miku im!”

LUIZA XHUVANI: DO JETE PERJETE NE MENDIMET TONA
Aktorja Luiza Xhuvani shprehu dhimbje për humbjen e aktorit Roland Trebicka.
“E prisja ta shihja në rolin e “Doktor Shuster”, por sëmundja nuk e lejoi. E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për ti dhënë skenës role dhe karaktere. Tani takimet me ty do të jenë vetëm në kujtesë, në këtë memorie të shkëlqyer që na fale të gjithëve me rolet e tua. Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë dhe qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve. Nuk kishte nevojën për t’i shkëputur personazhit “elementin narcist”. E adhuroja për këtë, heshtas e falenderoja që na e dhuronte ndjesinë e barazisë të gjithëve, larg aktorit të parë, gjatë orëve të shfaqjes. Trebicka nuk e synonte lojën aktoriale, por e harmonizonte me të gjithëaktorët, ai e fitonte duartrokitjen, pa e patur synim në vetvete. E kam parë disa herë të arrinte majën e ndjeshmërisë intelektuale dhe kompetencës estetike në skenë, mund të them se shpesh herë, me mendje e kam barazuar aktorin Trebicka me poetin. Kjo ishte forca e tij aktoriale. Ai nuk kishte kufizime. Kishte gjithçka që do të donte një artist, zërin, lëvizjen, prezencën. Sa shumë biseda, para dhe pas shfaqjes, sa diskutime, sa ide dhe dëshira për teatrin. Ai dinte të krijonte atmosferë, ai dinte të mësonte pa treguar aftësinë e më të mirit.
“Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtetë e tillë, jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena”-u shpreh ai në një nga mediat, ndoshta nga të fundit herë.....por askush nuk e mendonte largimin e tij të parakohshëm, këtë ikje pa kthim....Ti do të jesh përjetë në mendimet e mija dhe të gjithë njerëzve që adhuruan personazhet e tua, që jetuan dhe ëndërruan bashkë me ty.... Lamtumirë Mik, Artist, Njeri me zemër të madhe....të qoftë i lehtë dheu!”- deklaroi aktorja Luiza Xhuvani.

MIRUSH KABASHI: NJE HUMBJE E PAKRAHASUESHME
Për aktorin Mirush Kabashi humbja e Trebickës është një humbje e pakrahasueshme për artin shqiptar.
“Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Ai mblodhi të gjitha forcat që t’i dhuronte spektatorit edhe një rol tjetër në atë dramë që i kushtohej një ngjarje të jashtëzakonshme siç është 100- vjetori i pavarësisë. Eshtë një dhimbje e madhe, ata janë brenda nesh dhe përbëjnë një dhimbje. Jam i trishtuar.” –deklaroi Kabashi.

KARRIERA E ROLAND TREBICKES
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin "Debatik", më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të "privilegjuar" në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit.

Ishtë mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazoi lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë "Pallati 176".
Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek "Magjia e madhe", Zganarelit tek "Don Zhuani", Hlestakovit tek "Inspektori" ("Revizori")... tek "Një burrë me trëndafil".

Në vitin 2002, për rolin e rojës tek "Mbreti po vdes", Trebicka ishte kandidat për çmimin "Aktori më i mirë mbështetës" në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden "Ëndërr për një karrige" (Vaska) dhe "Koncert në vitin 1936" (Nesti).

balkanweb


Me ka trishtuar shume ikja e tij...