×

Vangjush Furrxhi

· 2 · 409

Vangjush Furrxhi

· 2 · 409

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 29-08-2011, 00:03:58
Durrës, çmimi i karrierës për aktorin e shquar Vangjush Furrxhi


 Aktori i shquar i kinemasë shqiptare, Vangjush Furrxhi, është nderuar mbrëmjen e kaluar në Durrës me Çmimin e Karrierës, pikërisht në ditën e 10-vjetorit të vdekjes.

Në një ceremoni të organizuar në hapje të Festivalit ndërkombëtar veror të filmit në amfiteatrin e lashtë, kolegët artistë, Mihal Luarasi dhe Timo Flloko, kanë kujtuar kontributin e madh të Vangjush Furrxhiut në zhvillimin e teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Regjisori Dhimitër Anagnosti e përkufizon Vangjushin "një Orson Uells të kinematografisë sonë", tha Flloko, i cili ka interpretuar pranë tij në një sërë filmash të viteve 1960-1980.

Të pranishmit ndoqën më pas videoklipin e përgatitur me këtë rast me pjesë nga disa prej interpretimeve më të mira të tij.
Vangjush Furrxhi lindi në Korçë më 24 mars 1943. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe në vitet 1966-1972 punoi si aktor në Teatrin profesionist të Korçës. Punon dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku bashkë me regjisorin Esat Oktrova do të themelojë katedrën e regjisurës. Më pas do të punojë për dy vjet si zv/minister i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Gjatë karrierës së tij artistike interpreton një sërë rolesh në skenën e teatrit, si dhe mbi 15 role në kinematografi, ku mund të përmendim rolin e Arifit në filmin "I Teti në bronx" (Viktor Gjika 1970), Peliçeli tek "Malet me blerim mbuluar" (Dhimitër Anagnosti 1971), Kiço tek "Njeriu i mirë" (I.Muço, K. Mitro 1982), Besian Vorpsi tek "Të paftuarit" (Kujtim Çashku 1985), si edhe rolet e spikatura në filmat televizivë: Xanini tek "Plumba Perandorit" (Mevlan Shanaj 1980), Latif Bora "Agimet e stinës së madhe" (Albert Minga 1981). Për shumë nga këto role është vlerësuar me çmime në festivalet kombëtare të filmit.
Për meritat e tij artistike Vangjush Furxhi është nderuar me titullin e lartë "Artist i Popullit". Vdekja e tij e parakohshme më 2001-n, do ta ndante nga familja dhe arti për të cilin ai shkriu gjithçka, por do të mbeten në kujtesën e publikut rolet e tij të spikatura si në teatër, ashtu edhe në kinematografi.

Në përmbyllje të ceremonisë regjisori Mihal Luarasi pasi përkujtoi kontributin e aktorit të shquar shqiptar Vangjush Furrxhi, i dorëzoi bashkëshortes së tij 'Çmimin e Karrierës' për kontributin e tij në zhvillimin e kinematografisë shqiptare.
Znj. Marilda Furrxhi pasi falenderoi organizatorët kujtoi se 'Çmimi i Karrierës' mbërrin më 27 gusht 2011, pikërisht në ditën e 10 vjetorit të vdekjes së Vangjush Furrxhiut. Znj. Furrxhi bëri apel për më shumë vëmendje për artistët, të cilët ajo i konsideroi ambasadorë të kulturës shqiptare nëpër botë.

(d.b/ATA/BalkanWeb)
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super