×

Xhilda Lapardhaja, shqiptarja që pushtoi Romën

Xhilda Lapardhaja, shqiptarja që pushtoi Romën

· 1 · 1129

  • Postime: 27105
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 12-06-2010, 15:06:13
Aktorja shqiptare ka luajtur së fundmi përkrah aktores Sofia Loren në dy seri televizive

Ajo është shqiptare! Këtë e dallon edhe nëpërmjet telefonit, kur Xhilda pas një “Pronto”-je në italisht, shpejt ma ktheu në shqip e më pas qeshi ëmbël, si për të më dhënë të kuptoj se ajo është mesdhetare, ndaj zëri i buron vetvetiu i ngrohtë e i dashur. Jeton në Itali që prej 17 vitesh, pasi është larguar nga Shqipëria kur ishte fëmijë, së bashku me familjen e saj. Në fillim shkuan në Romë, aty ku jetojnë edhe sot. Tashmë ajo nuk është më ajo fëmija e vogël në qytetin e madh: është një vajzë e re, fama e së cilës ka kapërcyer Romën, e mbushur plot ëndrra, pasione dhe detyrime kundrejt vetes e atyre që e rrethojnë.

Rastësisht aktore

Xhilda, në fakt, kurrë nuk kishte ëndërruar të bëhej aktore: donte thjesht të ishte balerinë, ndërkohë që gjatë fëmijërisë studionte edhe flaut. “Në Shqipëri, në ato kohë, - tregon ajo, - mësimi i artit ishte gjithëpërfshirës dhe shkollat tona ishin shumë të mira”. Për ta plotësuar më tej mendimin e saj, ajo shton: "Them ishin të mira, sepse tani nuk e di më se si janë shkollat në Shqipëri". Gjithçka filloi rastësisht. Mbi dhjetë vite më parë, në kohën kur ajo frekuentonte Akademinë Nacionale të Dancit, në shkollën e saj erdhi një grup xhirimi, i cili bënte prova për një film kinematografik. Ndonëse konkurroi, Xhilda nuk u zgjodh, sepse kërkohej që personazhi të kishte italishten gjuhë të nënës. Ajo nuk e mori vesh kurrë se si fotot e saj arritën në një agjenci për aktorë, e cila e kontaktoi dhe i bëri propozimin e parë për aktore. “Nuk isha fare e interesuar dhe, pa u menduar mirë, u përgjigja shkurt “Jo”. Por ata nuk u dorëzuan, derisa ajo tha “Po”, dhe pas provave të dyta fati i saj u vendos. Gjatë kësaj kohe, ajo mori pjesë në disa serialë televizivë, interpretoi gjithashtu në filmin biografik të Sofia Loren, u bë imazh i kompanisë celulare “Omnitel” dhe mori pjesë në sfilatën e Valentinos. Këto dy të fundit ajo nuk i sheh si arritja e saj më e madhe, sepse për të qëllimi është të jetë një aktore profesionalisht e shkëlqyer.

Profesionalisht e zonja

Tani që bota e madhe e kinemasë e ka përfshirë të tërën, Xhilda nuk i dallon më detajet e ndryshimit në gjithë këto vite përvojë. Impresioni më i madh i kënaqësisë që ka marrë është çmimi i parë në “Nuovo Talento Italiano” (talenti i ri italian) në “Roma Fiction Festival”. Pyetjes se sa ka ndryshuar Xhilda nga roli i saj i parë deri në rolin e saj të fundit, ajo i përgjigjet: “Jam rritur si në anën njerëzore, edhe në atë profesionale. Kam një ndërgjegje më të madhe në punën time si aktore, por edhe në jetë. Më kanë ndryshuar shumë edhe studimet, edhe zbulimet pas takimeve të reja. Rolet e para ishin të vogla, pastaj ngadalë-ngadalë më të mëdha. Kam punuar me regjisorë të ndryshëm e me mënyra të ndryshme pune, me kolegë që më kanë dhënë shumë”. Aktualisht, Xhilda po punon për dy projektet. I pari është spektakli për të cilët po bën prova, “Enrico IV” i Pirandello, si dhe një fiction për “Rai”, që titullohet “Kushëri, kushëri”.

Larg baletit

Pas problemeve fizike, Xhilda nuk do t'i rikthehej më baletit. E detyruar t'i qëndronte larg këtij pasioni, ajo filloi studimet për gazetari, derisa aktrimi e tërhoqi të gjithën dhe zbehu dëshirën për t'u bërë gazetare; një shkollë të cilën e la përgjysmë dhe që mendon ta përfundojë në të ardhme. Pyetjes se sa i mungon baleti, ajo i përgjigjet: "Në fillim më mungonte shumë, por gjërat transformohen, nuk humbin të gjitha, pasi danci më nevojitet edhe në punën time si aktore. Është pasuria që unë kam. Nuk zgjodha të bëj aktore për të qenë më afër me vallëzimin. Kur e lashë vallëzimin për probleme fizike, kisha filluar të bëja aktoren, kështu që ka qenë një kalim natyral”.

Gjatë bisedës me të, të bën përshtypje eleganca e saj në sjellje, korrektesa dhe fjalitë e ndërtuara bukur. Pyetjes se po t'u riktheheshe edhe njëherë fillimeve të karrierës tënde, ka ndonjë gjë që do të doje ta bëje ndryshe, ajo i përgjigje: “Nuk mendoj se do të ndryshoja ndonjë gjë, nëse do të duhet të kthehesha pas, sepse gjithë përvojat që kam, pozitive apo negative, të pasura apo të varfra, kanë kontribuar për të më bërë ajo që jam sot”. Nëse do të kishte një ëndërr në sirtar për Xhilda Lapardhanë, do të ishin udhëtimet. Ajo do të donte të bridhte botën dhe të mësonte gjithë gjuhët e saj.

Familja dhe dashuria

Familja është rrënja e të gjithëve, është trualli ku ne hedhim rrënjët e para. Është e rëndësishme që ajo të jetë mirë. Xhilda tregon se ajo e ka pasur një fat të tillë. “Kam një familje të mrekullueshme dhe shumë të bashkuar. Prindërit e mi më kanë mbështetur gjithmonë dhe këshilluar, duke më lënë shumë të lirë në të njëjtën kohë, gjë që më ka bërë shumë të përgjegjshme. Iu detyrohem shumë atyre! Nënës sime dhe babait tim, që na kanë dhënë shumë ne fëmijëve; vëllait tim dhe motrës sime, që më mbështesin gjithmonë dhe që s'bëj dot po s’i dëgjova të paktën 10 herë në ditë. Janë shumë të rëndësishëm për mua”. Ndërsa për dashurinë, Xhilda më përgjigjet shkurt: “L'amor che move il sol e l'altre stele” (Dashuria luan diellin dhe yjet), duke iu referuar Dantes. Pastaj shton duke qeshur se kjo ndjenjë është humane, e njohin të gjithë dhe se nuk kufizohet thjesht te marrëdhënia mes partnerëve.

Personaliteti

Xhilda nuk beson te fati; arritjet e saj i sheh si pjesë të punës së saj, të faktit që nuk ka hequr kurrë dorë për të arritur më të mirën që ka ëndërruar. Ndërkohë që ajo stilin e saj të sjelljes e cilëson si të vështirë. Kështu që në marrëdhëniet e punës ajo shprehet se karakteri i saj jo i lehtë, herë-herë e ka ndihmuar dhe herë-herë ia ka mbyllur disa dyer. “Më shumë se stili mendoj se ka rëndësi profesionaliteti”, - shton ajo. Për Xhildën, pika e saj e dobët është se ndihet pakëz dembele, i pëlqen ndonjëherë ta shtyjë punën e sotme për nesër ose të flejë ca më gjatë në shtratin e saj. Kjo është e vetmja gjë që do të donte ta ndryshonte te vetja. Aktualisht, ditët e Xhildës janë të mbushura me punë, me impenjime që zgjasin deri në orët e vona të natës. Me kontrata të reja, në të cilat ajo nënshkruan shqip: Xhilda Lapardhaja. Është emri i saj që ajo e vlerëson dhe e ruan me fanatizëm. Xhilda nuk i nënshkruan kurrë kontratat nëse emri i saj në kontratë nuk është ashtu siç është quajtur që ditën e parë kur lindi: Xhilda dhe jo ashtu siç shkruhet në italisht, Gilda.

Standard