×

Zef Deda: Nëse dëshiron të jesh artist më përpara duhet të bëhesh njeri…

· 3 · 732

Zef Deda: Nëse dëshiron të jesh artist më përpara duhet të bëhesh njeri…

· 3 · 732

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 22-10-2010, 02:14:40
Humoristi i njohur shkodran, në një intervistë të gjatë dhe më tepër sesa interesante rrëfen jetën e tij artistike, rolet, emocionet, sukseset, kontaktet me kolegët “e vjetër”, raportin me familjen, si dhe surprizën më të fundit që do i servirë publikut shqiptar.



Nga Vilma Kërçiku

Atë nuk e do vetëm Shkodra, qyteti i tij i përshpirtshëm. Nuk e duan vetëm të rriturit, të cilën janë bërë kaq sa janë me humorin e tij të papërsëritshëm. Atë nuk e duan vetëm komshinjtë, të cilët çdo mëngjes pas përshëndetjes rituale “si ke njeh Zef” marrin me vete edhe batutën e radhës. Me pak fjalë atë e adhuron e gjithë Shqipëria. E mos mendoni se personaliteti i tij vlerësohet kaq shumë vetëm për karrierën e tij artistike. Mbi të gjitha ai është një njeri fisnik dhe kush ka patur fatin ta njohë drejtpërdrejtë e konfirmon më së miri këtë që ne po themi. Zef Deda është një ndër emrat më të dashur në listën e gjatë të artistëve tanë, mjeshtër i humorit dhe një nga personazhet më të admiruar të të gjithë brezave. Aktualisht jeton në qytetin e Shkodrës bashkë me bashkëshorten e tij Rozën, por natyrisht vazhdon të jetë i angazhuar edhe në Teatrin “Migjeni” të po këtij qyteti. “Shkodra e ka në gen humorin, e ndoshta është dialekti shumë interesant që kanë shkodranët që bën diferencën me humorin e qyteteve të tjera” sqaron humoristi i njohur lidhur me pyetjen që i drejtuam ne, se çfarë i bën të veçantë skeçet e tyre. Pas pak ditëve ai do të jetë sërish në qendër të vëmendjes sonë, e pikërisht me datë 25 tetor ai do të na mbledhë të gjithëve në “Zef Deda show”, në Pallatin e Kongreseve, ku veç surprizave të shumta nuk do të mungojë edhe humori i SHBLSH.

Zef i keni munguar prej kohësh publikut shqiptar dhe ndjejmë të theksojmë që për vite me radhë me humorin tuaj na keni mbajtur të “gozhduar” para ekranit. Me sa nostalgji i kujtoni eksperiencat tuaja në përgjithësi?

Në përgjithësi një artist edhe mund të bëhet nostalgjik, por mendoj se nuk të shërben asgjë që të kthesh sytë mbrapa. Artisti duhet të shohë para, të përpiqet t’i ofrojë publikut gjithmonë më të mirën nga vetja. Është e vërtetë që kam munguar, por ndjehem akoma në formë dhe në skenë, sepse mos harroni që një pjesë e imja është aktiv dhe shumë i suksesshëm. Dhe ai është Juli.

Cili rol mendoni se ju ka bërë më të dashur për audiencën?

Në fakt në atë kohë të gjithë rolet ishin të menduara mirë, sepse edhe vetë koha të nxiste që të mendoheshe mirë para se të hapje gojën. Por mendoj se janë disa pika që mund të ndalemi dhe të mendojmë se është pikërisht ky rol që më bëri të dashur. Për shembull për fëmijët ishte roli i Altinit, kurse të tjera role janë, Charlie Chaplin, kushëriri nga Amerika e shumë, e shumë të tjerë. Megjithatë më i spikaturi mendoj se ka qenë roli i kunatit të shokut Xhemal.

Në këtë intervistë dëshirojmë të kthehemi edhe pak pas në kohë. Na flisni për daljen tuaj të parë në skenë, pra rolin tuaj të parë. Kur daton ai?

(Qesh). Është shumë e hershme dalja ime e parë, pasi kam qenë në moshën 5- vjeçare. Im atë, i cili është larguar nga jeta, ka punuar si aktor, skenograf dhe piktor në Teatrin Migjeni, kështu që unë u brumosa që në fillim me dashurinë për skenën, që për mendimin tim është vendi më i bukur ku mund të punojë njeriu.

Si i përjeton një artist sukseset Zef?

I përjeton në mënyra të ndryshme. I rëndësishëm është suksesi i parë, pra ai që të bën të njohur. Është pikërisht ky sukses që duhet përjetuar dhe menaxhuar me shumë kujdes, sepse suksesi i tepërt mund të të ngrejë shumë lart, por po aq shpejt mund të të ulë poshtë. Dikush mund të qajë, dikush tjetër mund të qeshë, dikujt mund t’i rritet mendja, por një artist i vërtetë pas një suksesi punon akoma më shumë për ta mbajtur atë standard.

Po emocionet, të cilat janë të pashmangshme për këdo, si i menaxhon ai?

Emocionet në skenë, sigurisht që duhen menaxhuar me shumë zgjuarsi. Të gjithë kanë emocione kur hipin në skenë. Edhe unë kam shumë. Por mendoj se është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një aktori, emocioni. Ti duhet të dish t’i shndërrosh në emocione pozitive, që të mos bëhen pengesë, pra t’i shfrytëzosh që të të ndihmojnë për të përcjellë te publiku atë ç’ka do të thuash me një cilësi të lartë artistike.

Humori shkodran njihet si humori më pikant në Shqipëri. Sipas jush ku qëndron diferenca e humorit shkodran më atë të qyteteve e tjera?

Në fakt Shkodra e ka në gen humorin, ndoshta është dialekti shumë interesant që kanë shkodranët që bën këtë diferencë. Megjithatë mendoj se është edhe atmosfera e qytetit në përgjithësi. Shkodra është një vend ku gjithkush bën humor. Gjithkush e thotë një batutë dhe të gjithë kënaqen duke e bërë këtë. Gëzimet familjare, shoqëria në përgjithësi është shumë alegro dhe si rrjedhojë prodhojnë humor në mënyrë instiktive.

Autorët që ju kanë dhuruar skenarët më të bukura të humorit. Na përmendni ndonjë emër?

Janë shumë dhe mbase nuk do mjaftonte as vendi që t’i përmend të gjithë, sepse për skenaristë nuk ka qenë asnjëherë problem në Shkodër. Mund të përmend ndoshta më të njohurin që është Paulin Selimi dhe është për t’u vlerësuar, pasi ata kanë shkruar me shumë cilësi, duke patur parasysh që nuk mund të kaloheshin disa kufij politiko- shoqëror. I vlerësoj vërtetë për këtë.

Zyliha Miloti, Katrina Biga, Besnik Qinari, Edmond Halili, Drande Xhai, etj., janë disa nga emrat më të dashur të humorit Shkodra, por edhe kolegët e miqtë tuaj më të mirë. Ku bëhen ata sot? Vazhdoni të takoheni, apo rrjedha e jetës ju ka “ndarë”?

Këta janë kolegët e mi të nderuar, me të cilët sigurisht që takohemi, sepse jemi çdo ditë në punë në Teatrin “Migjeni”. Asnjëri nga këta nuk ka dalë akoma në pension (qesh), përveç Katrinës, e cila është jashtë Shqipërisë dhe Mondi që është në Durrës. Jemi kolegë të mirë dhe mund t’ju them se do të rishihemi pothuajse të gjithë në recitalin “Zef Deda show” në fund të tetorit.

Kushdo që ndjen mall për skeçet tuaja lehtësisht klikon në “Youtube” dhe shijon humorin tuaj. Po juve ju ka ndodhur ta bëni këtë gjë?

Sigurisht i kam parë ndonjëherë, por jo shumë, sepse i kam parë dhe i kam stërparë. Janë vërtetë kujtime të bukura dhe më bëhet qejfi që sot ekzistojnë mënyra të ndryshme nga ana teknologjike për t’i parë e shijuar, por edhe që të rinjtë të mos i harrojnë, apo t’i shohin pse jo për herë të parë dhe t’i pëlqejnë.

Ju kemi parë si të ftuar në formate të ndryshme emisionesh, por jo më me një spektakël tuajin, ku ju dhe brezi juaj janë protagonistë. Pse?

Eh, kjo është pyetje shumë e drejtë. Në fakt po bëhet humor mjaft i mirë. Është një rotacion që të gjithë do ta kalojnë. Duhet të jesh i ndërgjegjshëm të kalosh stafetën, sepse kështu mendoj unë do të të duan e respektojnë më shumë dhe është pikërisht kjo, ajo që ka ndodhur. Ne ia kemi lënë stafetën brezit tjetër, siç edhe ky brez do t’i vijë koha që t’ia lërë dikujt që do të vijë më vonë. Jam i lumtur që humori po vazhdon të përfaqësohet me dinjitet dhe i uroj përzemërsisht.

Keni menduar ndonjëherë që të hapni një spektakël tuajin humori?

Të them të drejtën jo dhe aq, sepse është mjaft e vështirë, sidomos financiarisht. Do shumë investim në ditët e sotme të ngresh një spektakël humori, sepse duke parë se ç’bëhet në ditët e sotme, kur të shfaqesh duhet të përpiqesh të ruash një standard të lartë. Mirëpo është e vështirë të paktën financiarisht.

Na flisni pak për një ditë të zakonshme tuajën në qytetin e Shkodrës?

(Qesh). Zgjohem në mëngjes dhe gjëja e parë që bëj është që përcjell gruan me makinë për në punë. Pastaj shkoj në teatër për një ditë të zakonshme pune. Tani për tani po bëj prova për recitalin tim dhe të them të drejtën kam plot gjëra për të bërë. Ah, se harrova flas shpesh në telefon me dy djemtë e mi, Julin dhe Marion.

Meqë dolëm te fëmijët. Ata jetojnë në Tiranë, ju ndërkohë vazhdoni të jetoni në Shkodër. Çfarë ju lidh kaq shumë me këtë qytet, përveç kujtimeve dhe pse nuk jetoni në Tiranë me fëmijët tuaj?

Kjo është një pyetje që, sidomos Juli ma bënte që kur ishte në shkollë në Akademinë e Arteve. Lidhja ime me Shkodrën është shpirtërore, nuk e braktis atë qytet, sepse është pikërisht ai qytet që më mbush me frymëzim shpirtëror, familjar dhe profesional. Përsa i përket djemve ata kanë jetën e tyre dhe punën e tyre në Tiranë dhe më bëhet qejfi që janë vendosur mirë. Mario është akoma në shkollë të lartë për Kompozicion,  kurse Juli dihet tashmë është vendosur mirë edhe profesionalisht. Sigurisht ka edhe një familje shumë të bukur, ka fëmijë që unë i dua shumë, Reina dhe Mateo.

Më datë 25 tetor do të riktheheni te publiku me “Zef Deda show”, një traditë e juaja kjo pothuajse në çdo përvjetor tëndin. Çfarë do të ndodhë atë natë? Na zbuloni ndonjë detaj?

Do të ndodhin shumë gjëra. Po përgatitem me shumë seriozitet për atë natë. “Zef Deda show” është në fakt një përgjegjësi e madhe për mua dhe kërkon një punë intensive dhe serioze. Mund t’ju them vetëm një detaj që bashkë me mua do të jenë edhe djemtë e grupit SHBLSH, Juli, Genti dhe Ermali. Të tjerat zbulojini vetë atë natë në sallë.

Cili do të jetë pak a shumë programi i asaj nate?

Do jetë një program i gjatë gati dy orë. I mbushur me humor dhe muzikë, ku do të ketë shumë situata të bukura. Për mua ka shumë rëndësi të kënaqet dhe argëtohet spektatori, sepse ai është personazhi kryesor i çdo shfaqje. Ai e jep verdiktin final. Është sovrani.

Prej sa kohësh i keni filluar përgatitjet për këtë show?

Po punoj gati prej disa muajsh, sepse vërtetë kërkon punë të thelluar profesionale. Përveç kësaj duhen zgjidhur edhe disa detaje financiare që sigurisht janë pak jashtë meje. Gjej rastin të falënderoj atë që po merret direkt me menaxhimin e spektaklit dhe sigurisht mbështetjen mediatike nga Tring Digital.

Padyshim që në “Zef Deda show” do të ketë edhe të ftuar të tjerë. Cilët do të jenë disa nga emrat?

Do marrin pjesë kolegët e mi të nderuar të estradës së Shkodrës, por do jenë edhe brezi i ri që tashmë janë shumë të dashur për publikun. Surprizë.

60 vite jetë dhe pothuajse po kaq vite aktrim. Si ndjehet një 60-vjeçar, pasi ka arritur objektivat që i ri i kishte vënë vetes?

Ndjehem mirë. Objektivi im kryesor është që të ndërtoja një familje të shëndoshë, serioze dhe të suksesshme profesionalisht. Them se deri tani e kam realizuar. Pastaj ka shumë gjëra që do të doja t’i realizoja, por gjatë viteve kupton se nuk mjafton vetëm një jetë për ta bërë.

Keni ndonjë peng Zef, diçka që nuk keni mundur ta realizoni në kohën e duhur, por që…pse jo mund ta realizoni edhe në moshën 60-vjeçare?

Eh, si çdo artist edhe unë do kisha shumë dëshirë që puna ime të kalonte kufijtë e Shqipërisë, por Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe kishte shumë pak mundësi për ta bërë këtë. Po ta filloja sot karrierën do ta bëja patjetër.

Dalim pak te marrëdhënia juaj me djemtë. Cili ju ka ngjarë më shumë artistikisht?

Të dy më kanë ngjarë nga ana artistike. Më i dukshëm është Juli, sepse del më shpesh në ekran dhe tashmë është konsoliduar si aktor dhe është mjaft i dashur për spektatorin. Por edhe Mario ka humor dhe  gjithashtu është një muzikant shumë i mirë. Pra si karakteristika personale, nga energjitë pozitive që kanë të dy më kanë ngjarë mua, por edhe nënës së tyre, e cila gjithashtu është tip shumë alegro dhe pozitive.

Po fizikisht?

(Qesh). Fizikisht më shumë më ngjan Mario.

Gruaja juaj vazhdon të ketë po aq e bukur sa ç’jemi mësuar ta shohim në ato pak dalje publike?

Gruaja ime për sytë e mi ka qenë është dhe do jetë gjithmonë e bukur. Por përtej kësaj ajo është një njeri i mrekullueshëm, e cila me një përkushtim të tejskajshëm ka qenë një zonjë shtëpie e vërtetë. I kemi rritur bashkë fëmijët, kemi kaluar mbi 30 vite bashkë. Unë jam shumë i lumtur dhe i nderuar që kam në krah një njeri të mirë si Rozi. Faleminderit grua për përkushtimin.

Çfarë do të thotë “art” për ju Zef?

Art është fjalë e madhe, jo vetëm për Zef Dedën, por të gjithë ata që merren me këtë punë. Të bësh art duhet seriozitet, përkushtim dhe shumë punë, mbi të gjitha thjeshtësi. Nëse do të jesh artist më përpara duhet të bëhesh njeri.

Opinioni juaj i përgjithshëm për humorin shqiptar, flasim për vitet e fundit?

Kam një opinion shumë pozitiv. Sigurisht me këtë prodhimtari të madhe humori mund të ketë shumë gjëra që  çalojnë,  por janë të pranueshme. E përgjithshmja është e kënaqshme. Pastaj, përderisa publiku e pëlqen ai ka të drejtë.

Game Over
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 12163
  • Gjinia: Femer
dreamm
#1 ne: 22-10-2010, 20:43:50
Sapo permendet Humori shqiptar, mendja direkt tek Zef Deda me shkon. :D
I paperseritshem eshte. :)
Kunati i shokut Xhemal ka qene legjende fare. :D
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 18290
  • Gjinia: Femer
ßåßy ღ
#2 ne: 28-10-2010, 22:07:40
Keta humoristet shkodran jane te pazevndsushem..Gezi m Kruja..Zeliha Miloti..Edmond Halili..Zefi etj.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super