Në 70-vjetorin e lindjes së aktorit të madh Kemi bërë pak për Bekimin Miq dhe kolegë të tij thonë se Kosova nuk ka bërë për Bekim Fehmiun, aq sa ai ka bërë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët. Ylli shqiptar me famë botërore jeton në Beograd, i tërhequr nga jeta artistike, ndërkaq në Kosovë vjen shpesh, pa bujë dhe me famën që e ndjek pas
SHPEND çOçAJ Ditëlindja e 70-të e aktorit më të madh, të gjallë, shqiptar Bekim Fehmiu do të kalojë në heshtje. Asnjë fjalë, asnjë organizim, përveç kujtimeve të miqve dhe të kolegëve të tij këtë 1 qershor. Për institucionet e Kosovës, ai mbetet i huaj, i largët.
Në përvjetorin e lindjes së yllit me famë botërore, aktorë e regjisorë pajtohen se Kosova nuk ka bërë për të, aq sa Fehmiu ka bërë për Kosovën dhe për shqiptarët, me emrin dhe rolet e tij.
Ai sot jeton në Beograd, i tërhequr nga veprimtaria artistike, ndërsa në Prishtinë vjen dhe ikën pa bërë shumë zhurmë. Kështu e njohin të gjithë - modest dhe të heshtur. Luajti shumë role që lanë gjurmë në historinë e kinematografisë ish-jugosllave dhe botërore. Rolet në filmat "Mbledhësit e puplave", "Odisea", "Avanturistët", "Roj", "Rruga", "Vitet e ngrohta", "Dezertori" etj. ende kujtohen si realizime të arrira. Ka bashkëpunuar me emra, si: John Houston, Olivia de Hevilend, Ava Gardner, Robert Sou, Fernand Rej, Dirck Bogard, Sharlom Aznaveur, Irena Papas, Klaudia Kardinale e Kendis Bergen.
Sa herë vjen në Prishtinë, kolegëve u flet për përvojat me këta artistë gjatë viteve të arta '60 e '70. "Kur u hap kinemaja ABC, u gëzua pa masë dhe më tha: 'Prej sot këtu është vendi im'. Gjatë verës, ai qëndron në Prishtinë dy-tre muaj. Vazhdimisht u jep këshilla artistëve të rinj, i tregon përvojat e veta", thotë Milazim Salihu, drejtor i kinemasë "ABC" dhe mik i Fehmiut.
Aktori Faruk Begolli thotë se edhe në 70-vjetorin e lindjes, Fehmiu mbetet krenaria e shqiptarëve. "Ai është krenaria jonë, i vetmi artist ndërkombëtar për ne shqiptarët. Një aktor shumë i madh, një burrë shumë i mirë. E kam shok të mirë, kemi luajtur në disa filma bashkë".
Begollit i vjen keq që Fehmiu më nuk luan në film dhe në teatër, ndërsa fakti se ai nuk ka luajtur në asnjë projekt shqiptar, për Begollin nuk ka fare rëndësi. "A është më e rëndësishme se nuk ka luajtur në Kosovë apo se ka luajtur në botë dhe me emrin e tij mburren të gjithë shqiptarët? Na ka përfaqësuar në tërë botën dhe nuk e ka ndërruar emrin, me gjithë insistimet".
Aktori Enver Petrovci e pranon se inspirim në rrugën e tij prej artisti ka qenë Bekim Fehmiu. "Si fëmijë, jo vetëm unë, por të gjithë kemi qenë krenarë që ai ishte një yll i kinematografisë botërore. Të jem i sinqertë, duhet ta pranoj se inspirimi për mua kanë qenë rruga e tij dhe emri i tij".
Fehmiu është shembull dhe model jo vetëm për brezat e vjetër, por edhe për aktorët e rinj. Madje këshillat e tij kanë qenë shumë të vlefshme për karrierën e aktorit Blerim Gjoci.
"E kishin takuar shumë aktorë para meje. Kisha dëgjuar se është shumë vështirë të bisedohet me të, se është arrogant. Por ishte e kundërta. Fehmiu ishte një njeri shumë i afërt".
Sipas Gjocit, shqiptarët kanë bërë shumë pak për të. "Ai është përpjekur të bëjë shumë për popullin e tij, mirëpo gjithmonë ka hasur në mospërfillje dhe në keqkuptim".
Botuesi Abdullah Zeneli, mik i Fehmiut, thotë se institucionet kanë faj që e kanë lënë anash aktorin. "Sa herë flasim për emra më të mëdhenj, ne gëzohemi që ata i përkasin gjakut tonë".
Karierra I lindur në Sarajevë, më 1936, Bekim Fehmiu ka xhiruar mbi pesëdhjetë filma, në të cilët i ka luajtur kryesisht rolet kryesore. Në shenjë proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe urrejtjes ndaj popullit të tij, më 1987 ai u largua demonstrativisht nga shfaqja "Madam Kolontajn" në Beograd dhe u tërhoq publikisht nga veprimtaria artistike. Para disa vjetësh u paraqit para publikut të Shqipërisë, me deklamimin e një poezie në një spektakël kushtuar shqiptarëve të njohur në botë.
Filmi për Moisiun
"Në vitet '90 kishim planifikuar një projekt të përbashkët. Dëshironim ta realizonim një film për Aleksandër Moisiun. U takuam në Lugano, te varri i Moisiut. Ishte paraparë që projekti të financohej nga "Iliria Holding", por nuk u realizua. Më pas, Bekimi u ofroi ndihmë regjisorëve nga Shqipëria. Ishte ideja që të punohej filmi "Kolonel Bunker". Ai punoi gjashtë muaj në skenar dhe, më në fund, sërish "u gjuajt" prej njerëzve të njëjtë. Bekimi ishte gjithmonë i gatshëm të bashkëpunojë. Faji është yni që nuk kemi mundur ta afrojmë më shumë" / Milazim Salihu
* Edhe serbët, edhe shqiptarët janë fajtorë për ato që kanë ndodhur në Kosovë. Njeriu nuk ka të drejtë ta fajësojë për atë që i ndodh as babanë, as vëllanë, as fqinjët, as zotat, por vetëm veten. Një ndër tragjeditë tona më të mëdha është kjo - që duke jetuar së bashku, nuk i kemi mësuar të mirat e fqinjëve tanë, por vetëm të këqijat.
* Rininë e kam kaluar në Prizren. Në atë kohë, nëse dikujt ia shaje nënën, menjëherë kërciste pushka. Nëna dhe Zoti kanë qenë të shenjtë. Nuk e kam ditur se sharje të tilla ekzistojnë. Kur erdha në Beograd dhe i dëgjova, në fillim skuqesha prej turpit. Para disa vjetësh, në Prishtinë, po shëtisja nëpër qytet dhe i dëgjova në korzo disa vajza të reja shqiptare duke sharë si mos më keq.
* Kujtimet e mia i kam shkruar pa menduar se do t'i botoj një ditë. Por, më pas miqtë e mi Musa Ramadani, i ndjeri Beqir Musliu, Abdullah Zeneli, Filip David, Dushan Makavejev, Jovan Cirilov, Petrit Imami dhe bashkëshortja ime, Branka Petriq, e cila ka qenë lexuesja e parë e librit tim, më kanë bindur që dorëshkrimin ta botoj.
* Fëmijëve të mi ua kam thënë të vërtetën dhe ua kam dhënë lirinë që të zgjedhin se si dëshirojnë të jetojnë, ashtu siç kam vepruar edhe unë. I respektoj dhe do t'i respektoj të gjitha zgjedhjet e fëmijëve të mi, ashtu siç i respektoi nëna ime, Dija, zgjedhjet tona.
(Citate nga një intervistë e Fehmiut, e botuar në gazetën "Danas", më 2001. Aktori e dha këtë intervistë pas 14 vjetësh heshtjeje, ndërkaq po këtë vit u botua edhe libri me kujtimet e tij "Blistavo i strasto")
http://www.lajm.info/DesktopDefault.aspx?tabindex=2&tabid=18&EditionID=358&ArticleID=3247