Kledi nga A në Zh
Një portret alfabetik i belerinit nga A në ZH, për më shumë detaje, për më shumë pasione, për më tepër për Kledi Kadiun, ashtu siç nuk e keni lexuar
A- si arritje. Eshtë i pari shqiptar që ia doli të kthehej në seks-simbol në vendin fqinj. I pari që bëri që për shqiptarët të mos flitej më vetëm në lajmet e kronikave të zeza. I pari që pastaj u hapi rrugën e televizioneve italiane të tjerë shqiptarëve.
B- si borxhli. Kujt i ndihet borxhli Kledi për gjithçka që ka arritur? Në radhë të parë vetes së vet. Por edhe fatit. Jo kushdo e ka pasur këtë mundësi. Pastaj edhe atyre që i kanë dhënë një shans për të shkëlqyer.
C- si i cënueshëm. Siç ka qenë në fillimet e veta. Atëherë kur ishte vetëm një emigrant i thjeshtë dhe nuk kishte të siguruar as minimalen e jetesës.
ç- si "C'e posta per te", spektakli i përjavshëm në "Canale 5", ku Kledi ka bërë të kërcejë si balerinë e vërtetë edhe Maria de Filipin.
D- si Daniela, dashuria e tij e fundit. Eshtë një vajzë italiane që Kledi pranoi ta bënte publike vetëm në dhjetor të këtij viti, në premierën e filmit të tij. Por pa bërë publik asnjë detaj tjetër. Kurse ajo duhet të jetë ndjerë me të vërtetë në qiellin e shtatë. E kush nuk do të ishte!
DH- si dhembshuria e gjyshes së tij, që jeton tek pallati në krah në Bankës Qendrore, e cila lumturinë më të madhe e përjeton kur ruan me kujdes çdo artikull dhe çdo rresht që shkruhet për nipin e saj.
E- si ekonomia. Sepse fama e Kledit nuk do të kishte pikën e kuptimit, nëse do të kufizohej vetëm me ekranin apo faqet e revistave. Ajo të bën edhe të pasur. Dhe Kledit nuk i ka ecur aspak keq edhe në këtë fushë. Tashmë është edhe imazh komercial.
Ë- si ëmbëlsia e buzëqeshjes së tij. Eshtë ajo që ma- gjeps shumicën e femrave. Por edhe vetë Kledi e komenton si armën e vet më të fortë.
F- si flamuri. Eshtë i pari që ka kërcyer me një bluzë të kuqe me shqiponjën e zezë në "Buona Domenica".
G- si gratë që lënë kokën pas tij. Dhe jo vetëm ato shqiptare, sepse ato nuk i shfaqin kurrë ndjenjat hapur si italianet, të cilat nuk ngrurrojnë aspak që ta quajnë të preferuarin e tyre.
GJ- si gjurmët që ka lënë. Jo më kot edhe Presidenti shqiptar e ka dekoruar si ambasador i kulturës shqiptare nëpër botë.
H- si historia e jetës së tij, që ka shërbyer si skenar i një filmi. Një subjekt që ia vlente: histori emigracioni, pasion, dashuri… E mbi të gjitha një vallëzim që e ka bërë filmin të cilësohet si një "Dirty Dancing" i ri.
I- si inatçor. Ashtu siç nuk është kurrë Kledi Kadiu. Përtej asaj buzëqeshjeje aq të paqtë, ai është po aq i paqtë. Ata që e njohin mirë thonë që Kledi dhe inati nuk kanë asgjë të përbashkët.
J - si joshës. Dhe kur thua kështu, nuk ka nevojë për asnjë koment tjetër.
K - si krenar. Sepse ai ndihet i tillë. Jo vetëm për atë që ka arritur në Itali, por edhe sepse kështu e ka parashikuar skenari i spotit publicitar të AMC-së.
L - si lab. Si origjina e familjes së tij. Ama Kledi nuk është se ruan ndonjë nga karakteristikat e kësaj zone. Përveç krenarisë ndoshta…
LL - si llupës. Baleti nuk e lë që të hajë më shumë seç duhet. Por gjithsesi, Kledi ruan një marrëdhënie të mirë me ushqimin. Sidomos me kuzhinën shqiptare. Mikja e tij Ambeta Toromani ka rrëfyer se sa herë e fton Kledin për darkë, menuja është e pandryshueshme: fasule.
M - si Maria de Filipi, engjëlli i tij mbrojtës. Po të mos ishte Maria… Më mirë të mos e mendojmë. Ndoshta Kledit nuk do t'i hapeshin dyert që i janë hapur. Ose do ta kishte pasur shumë më të vështirë.
N - si nëna e tij. Si çdo mashkull tjetër (nuk e bëjnë vetëm shqiptarët!), Kledi e ka pikë të dobët nënën e tij. E thotë në shumë intervista, është me të vërtetë personi më i dashur për të.
Nj - si njëshi. Sepse edhe të anketuarit e revistës "JETA" në sondazhin e përvitshëm, i kanë dhënë vendin e parë ndër meshkujt e vitit.
O - si orator. Që nuk është fare, domethënë. Sepse nëpër intervistat e tij, Kledit nuk i pëlqen të flasë shumë për vete. E ka më të thjeshtë të falënderojë.
P - si Piveti, Irene Piveti. Dikur ajo thoshte se shqiptarët duhet të hidheshin në det. Tani ish-kryetarja e Dhomës së Ulët në Parlamentin Italian është zbutur, merret me televizion dhe kërcen tango e veshur me të kuqe. Me Kledin si partner.
Q - si qëllim. Sepse Kledi kur i vë qëllime vetes, ia del gjithmonë t'i realizojë.
R - si ritëm. Ritmit të Kledit i janë bashkuar shumë fansa. Të cilët nuk mjaftohen vetëm duke e ndjekur në ekran, por janë bërë nxënësit e shkollës së tij të baletit "Kledi Dance"
RR - si rrënjët e tij shqiptare që ai nuk ka pranuar t'i mohojë. Dhe ndryshe nga shumë të tjerë që e kanë bërë, atij i ka dalë shumë më për mbarë. Eshtë bërë i pranishëm në media pikërisht për këtë arsye. Një marketing i përsosur.
S - si seksi. Si imazhi i tij në kalendarin "Pireli". I vetmi shqiptar që ka pozuar në këtë mënyrë.
SH - si Shqipëria. Nuk e harron kurrë, ashtu siç nuk harron të kthehet në vendin e tij.
T - si Tirana. Qyteti i tij i lindjes dhe i viteve të liceut. Qyteti ku ai vjen herë pas here dhe bëhet menjëherë protagonist.
TH - si thjeshtësia. Sepse nëse doni ta besoni, besojeni, përndryshe jo: Kledi nuk është aspak mendjemadh.
U - si urbanistika, profesioni i të atit, inxhinier urbanist. Për lumturinë e fanseve të veta Kledi nuk mori profesioin e të atit. Por dëgjoi thirrjen e pasionit të tij për baletin.
V - si vendimi që mori për të qëndruar në Itali. Një vendim aspak i thjeshtë në fillim, atëherë kur duhej të bënte punët më të rëndomta për të mbijetuar.
X - si dosja "X". Kështu mund të quhet historia e tij katërvjeçare e dashurisë. E vetmja që i dhemb ndoshta. Sepse vetëm për të nuk ka pranuar të flasë kurrë.
XH - si Xhixhileja, kënga e vjetër shqiptare, të cilën Kledi e ka kërcyer në "Buona Domenica". Një nga momentet ku të gjithë shqiptarët janë ndjerë të mikluar në sedër, teksa kanë parë një trupë italiane kërcimi që ndiqte ritmet e xhixhilesë.
Y - si ylli i spektakleve të Mediaset-it.
Z - si zilia, që Kledi nuk e ndjen kurrë për kolegët e tij. Jo më kot u ka hapur rrugën të tjerë shqiptarëve, Ambeta, Iliri, Leoni, Klajdi.
ZH - si zhurma dhe buja që bën çdo veprim i tij apo dhe çdo ardhje e tij në Tiranë.